Friday 27 March 2020

QESTORATI - MALLI DHE RESPEKTI PËR VENDLINDJEN, NUK DO TË SHUHEN KURRË.

nga:  Leko MAKO
historian, gazetar, publicist


Leko MAKO
(1938 - 2010)
Ndoshta sot është fshati më i rrënuar, por për mua përsëri më i bukuri, më i kërkuari. Kur vete atje ka mallëngjim, zemra rreh më shpejt, mëndja punon shumë, i sjell të gjitha kujtimet e i ndërthur bashkë. Ato vinë njera pas tjetrës e nuk pyesin për radhë, çdo njera kërkon të dalë në krye. Gjurmët janë të thella. Aty linda, u ngrita në këmbë dhe eca për herë të parë. Aty filloi jeta, njohjet e para, njerëzit e dashur që më rritën. Aty mësova të flas, të njof njerëzit, natyrën dhe fenomenet e saj, shiun, breshërin, borën, diellin, qiellin, yjet, gjithë botën që më rrethonte. Aty çdo praverë pashë dalladyshen e parë, dëgjova për herë të parë kur këndonte mbrëmjeve Gjoni, kur çdo mëngjes herët këndonte kukua(qyqja), turrua dhe rritet që bëheshin për to.

Dua t’i takoj tani të gjitha vendet, “të flas me to”. Çdo gur, mur, pemë, krua, përrua, rrap, lis, rrugë, portë, shtëpi, lëmë, kasolle, kokoarrë, man, mollë, pjergull, çerçem…. të gjithë kanë kujtimet e veta, pasi më njohin shumë mirë, zorr se më harrojnë dhe i harroj. Diku kam kaluar, diku jam ngjitur në pemë a në lis, kam zbritur me vështirësi, kam hedhur gurë, kam mbledhur lule, kam ngrënë frutat, të gjitha shijet e tyre i njoh. Më tej kam ngritur gracka, kam lozur kulat, pinglin, serefeçen, zenon. Kam qeshur, jam rrëzuar, jam ngritur, kam bërë kokën me xhumbë, kam kënduar, vrapuar, kam lozur stric, damë, i kam rënë kambanës. Kam ndenjur në krua te rrepet, kam hapur e mbyllur bendin, kam shoqëruar ujin duke kaluar tek ura e bukur me kanal, kam vaditur kopshtin. Kam qenë lart në Gurrë te mëma e ujit, në Kopaç, Vila, te Shpella e Dudit, Kroi i Malit, i jam ngjitur Këmbës së Madhe të Malit të Lunxhërisë me Tase Kotin, mikun historik, njeriu i të papriturave dhe çudirave. Dolëm në majën e malit ku dhe sot duhet të jetë ajo pllakë e madhe guri e gdhëndur me emrat tanë në vitin 1956. 

Kam nostalgji per Manastirin e Spilesë, për atë vend të lashtë, fetar, historik, turistik, që ruan të shenjtë origjinën e të parëve tanë. Që andej zbres në Mangore, atje kishim një arë, në krye të saj ishte një lofatë e madhe që mbushej me lule çdo pranverë. Perballe Kaketë, Gorrice e Notae, Hija e Madhe. Zbres te Çeçalistra me ujin e ftohte, atje bëhej dhe rakia. Rrepet e Çeçalistres ishin prona jone, si dhe një pjesë e rrepeve te prroi që e quanin i thellë, ku kaloje për në Kake. Nga ana tjeter e fshatit Tabori. Sa hyje në Tabor, e para ishte ara  e shtepisë sime e më tej një arë tjetër te Gufa e mbas Shesh Dervishit kishim arat e Dhoksarait mbi Dhoksat, mbilleshin me grure, ”zhulice”,  ”hale zi” me vonë kishte dalë dhe  variteti gruri i  ”Koço Dukës. ”Sheshi i Dervishit është vend i bukur, pikë dominuese. Sa larg duken ato shëtitjet me shkollë, mes trendelinës e luleve të shumta të majit! 

Poshtë Qestoratit Sellau me ara e lisa të shumtë në ledhet e tyre. Atje veja shpesh tek arat tona, tre tarraca, që vazhdonin me korije deri poshtë në përrua dhe për karshi në Zgavora. Gjithe ai vend me shumë lisa, të cilet gjyshja ime i mbronte me shumë kujdes, nuk lejonte të priteshin. 
                           
Sa shumë kam për të shkruar për kujtimet e Qestoratit, Atdheut tim të parë dhe të vogël.
         Aty në Qestorat punova disa vjet rradhazi, drejtor i shkollës në Dhoksat. Njoha shumë probleme të punës në fshat dhe në gjithë Lunxhërinë, duke qenë i angazhuar në të gjitha problemet e kohës, fitova një njohje të gjerë dhe përvojë të plotë për krahinën time.
        Në Qestorat kam shumë kujtime të familjes, të prindërve të mi, të mëmës, babait, gjyshes, gjyshit. Aty janë sot varret e tyre. Aty u njoha dhe u martova me Katinën, bëmë dasëm të madhe ku morrën pjesë të dy fiset tona dhe fshati. Një ceremoni dasme, sipas traditës dhe zakoneve të Lunxhërisë. 

Në Qestorat kaluan vitet e para djemtë e mi, Kostandini dha Alberti, që vazhdojnë t’i  ruajnë kujtimet e asaj periudhe me shokët dhe vendet e fshatit. Aty u rriten motrat e mia, Athina dhe Kali, gjithë bashkëfshatarët e mi, shoket e miqtë. Të gjithë me mall e nostalgji. I përshëndes me këtë buqetë me poezi, duke u bërë homazh dhe atyre që tani nuk janë, brezave, të parëve tanë bashkëkrahinas dhe bashkëfshatarë.  
                               
Leko Mako
Tiranë, 2007. 

O moj Lunxhëria Mëmë

Atje në Dhoksat te rrapi,
Është mbledhur Lunxhëria,
Po festohet themelimi,
Dhjetëvjeçare shoqëria.

O moj Lunxhéria mëmë,
Mbështetur krahët te mali,
O moj zonja hierëndë,
Sot këtu ka ardhur malli.

Mall’ i largët, i pashuar,
Zjarr e prush në zemrën time,
Do t’ja marr duke kënduar,
Asaj këngës me vajtime.

Tunden lisa, tunden vënde,
Kur kujtojmë historinë. 
Ku jeni të parët tanë, 
Të na hiqni nostalgjinë.

Ju punuat dhe ndërtuat,
Ngritët lart Lunxhërinë,
Mëmëdhenë se harruat,
Trashëguat krenarinë. 

Vendi sot kërkon të zonë, 
Mëma ka humbur të birë, 
O lunxhiot kudo që jeni, 
Balt’ e gurë këtu i keni,

Gjerdani në gushë të malit,
E ka vyshkur bukurinë,
Hajdeni te gjurm’ e zjarrit,
Kthimi do t’u jap rininë.

Lunxhëria jonë e madhe,
Në rrebeshe e sprovuar,
Jetën tënde dhe njëherë
Filloje pér ta vazhduar.

** Kjo poezi u përgatit me 5 Nëtor 2005, gjat vizitës në Dhoksat dhe Qestorat. Në festën e 10-vjetorit të krijimit të shoqatës “Lunxhëria”

Një Ditë Bore në Amerikë

Dimërin dymijë e shtatë
E kalova në North Shore,
Për mua ish i veçantë,
Se filloj me rreshje bore.

Ne Salem e Peabbody,
Dimiri ka tekat e tija,
Bora vinte nga Arktiku,
Për ne e ngrohtë shtëpia.

Borë e shumtë e Amerikës,
Më kujtojë fëmijërinë, 
Atje larg te Shkëmbi Orlës,
Kur bin borë me suferinë.

Dikur dhe në Lunxhëri,
Dimri kish borë të madhe,
Bora që binte aty,
Thuhej dhe me këng e valle

“O ju të zestë shashkënë,
Shkurti ua prishi takëmë, 
Ka hedhur borë të rëndë,
Male, fusha tre pëllëmbë”

Sa e vjetër është kjo këngë,
Sa vjeçare e kënduar,
Bora matej me pëllëmbë,
Brezat e kanë trasheguar.

Nga dritarja shof nga shkojnë,
Mijëra lule fluturojnë,
Bien lehtas edhe shtrojnë,
Lule bore që sitojnë.

Me Katinën bisedojmë,
Gjyshen e saja kujtojmë,
Kur thoshte dhe ajo ca rite,
Për borën që bin në vite.

“Bie bora flokë flokë
Mbi shtëpi të gjorit Gjokë.”

Ose:
Kënga që këndoja vetë,
Në çdo rrast, në çdo sebep:
Atë ditë që bin bora,
Në divan krihej mes-holla”



Libri "Mall i Largët"nga jane shkeputur eseja dhe poezitë
Ne 10-vjetorin e ndarjes. Peabody, MA-SHBA

No comments:

Post a Comment