Saturday, 4 April 2020

Poeti ARBEN DH. MOSKO




Arben Mosko lindi ne fshatin Selckë të krahinës Lunxhërisë, Rrethi Gjirokastër më 29 shtator 1967.  Shkollën fillore e kryejti në fshatin e lindjes, ndërsa atë tetëvjeçar në fshatin "Asim Zenel" dhe Poliçan, Gjirokastrër. Ndoqi studimet në shkollen ushtarake “Skënderbej” dhe më pas Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. 

Në vitin 2000 emigroi në Greqi ku jeton familjarisht me gruan dhe dy djemte e tij. Arbeni është marrë me krijimtari letrare qysh herët në  rininë e tij. Ka botuar 5 vëllime me poezi.

1.    Le të mbetem rojtar këngësh(Athinë, 2011)
2.    Sikur të isha shpikës( Tiranë, 2011)
3.    Antitezë(Tiranë, 2012)
4.    Pirat I tokes së premtuar(Gjirokastër, 2012)
5.    Oazi i lotëve( Athinë, 2017)

Kanë thënë per poezitë e tij. 

SPIRO XHAVARA (poet.) 
“Arben DH. Mosko lëvron poezinë me serjozitetin, pasionin dhe dashurinë më të madhe, deri ne njësimin e saj me vete frymëmarrjen e tij.” 

JANI PLASA (poet)
“Arbeni ia di vleren dhe peshën fjalës, e qëmton atë me “tifozllëk”, e përdor me piksynim, me kujdes, e lëmon dhe më e rëndësishmja e përdor me art.”

ANDREA PETROMILO (Poet)
“Poetin A. Mosko mund ta quajme këngëtarin nostalgjik që I ka hapur dyert pasionit dhe lëvron një poezi që i përgjigjet kohës dhe, me siguri edhe të ardhmes”

ÇELIK PETRITI (Poet)
“Tek Arbeni gjeta të plotë ata tregues që e mbajnë të gjallë poezinë: ndjesinë, nervin, jetën, peisazhin, ritmin, muzikalitetin, figuracionin.”

Poezi nga ARBEN DH. MOSKO 

Deti

Det, o det,
Të dua shumë. 
Pse zëmërohesh me mua?
Më përplasesh dallgë e shkumë
Dhe s’jemi as fis as sua.

Unë vij nga mali i lartë
Ku harbohet fija e barit.
Rruga ime qe e gjatë 
Mes të ftohtit, mes acarit.

Ti rron mbledhur, grumbulluar
Brenda jetë e mister,
Kaltërosh zbukuruar, 
Ç’dreqin ke
Që kërkon sherr?

Loti

Një kokrrizë loti
Mbeti në bisht të syrit,
S’zbriti dot mbi faqe
S’kaloi dot kufirin.

Mbeti dhe ngriu po aty
Ne formen e kristalit,
Mbi bisht të syrit ndrin
Si hëna majë malit.

Fryt i emocionit,
Çliron shpirtin, zemrën,
Le të rrjedhë loti
Me vajin, me këngën.

Kopje e shëmtuar

Nuk kam tentuar kurrë në jetë
Të jem një kopje e tjetrit, e shëmtuar
As hije e fshehur, si kartë pa vlerë
E atij që tapetin në zyrë e gjen të shtruar.

Udhën mora rrugëve pa fund
Mes dhimbjesh të lotit mërguar
Djersa mbi ballë më rodhi lumë 
Jo, s’desha të isha portret i shformuar.

O Selcka ime

O Selcka ime fshat i Perëndisë
Shkëndija e parë e dijes
ABC-në shpërndave si thesar
Dhe vet margaritar mbete në vite.

Era e vendit tim

Nuk u lodha, nuk u ndala
Nuk u ndala asnjëherë
As në dete kur u laga
As në male ku fryn erë

Krahët hapa fluturova
Nëpër qiell kaltërsi
Liri pak më shumë kërkova
Zog kur isha në kuvli.

Shumë kërkova po nuk gjeta
Nuk gjeta jo, si vendi im
I burgosur prapë mbeta
I përndjekur përgjithnjë

Eh, nuk ka si vendi im.

Gjyshja

Nënë mbi nënë gjyshja më riti
Buzëdredhur, përgjërim, 
Njeri sy qante nënën time
Tjetri për mua, jetim.

Më ndoqi në rrugë e ara
Më puthi më ledhatoi,
Mi lau sytë e përlotur
Me ujë mali, me ujë kroi.

Më mbështolli në gji, ngrohtë
Të flija mbi prehër të saj,
Të mos më mungonte nëna, 
Të mos ftohem, të mos qaj.

U bë dritë e jetës sime,
Edhe gjyshe, edhe nënë, 
Më ka mbetur buzës - puthje,
Më ka mbetur zemrës – këngë

Dileme e vetme

Zhurmë makinash, dhe tym, dhe re,
Në çdo orë të ditës, në çdo orë të natës
E prapë vendi i ngjan një shkretëtire,
Përfshirë mes zjarrit e flakësh.

Një qiell pa zogj e kaltërsi,
Ku s’guxon më të vijë pranvera,
Durimit tashmë i ka ardhur fundi
Dhe shpresës vetë, i ka rënë vlera.

Dilemë e vetme: “Të dalë ku të dalë”
Do protestojmë dhe me trupat zbuluar.
Sa të gjejmë anën fillit, 
Në lëmshin e botës, kaq ngatërruar!

Përgatiti:
Koço Mosko
Boston, MA-SHBA

Prill2020

No comments:

Post a Comment