Tuesday 18 February 2020

PASUES I DENJË I NJË FAMILJEJE AGRONOMËSH

ENDRIT  SKËNDER KULLAJ

NIP NGA LIBOHOVA



Përgatiti:  Besnik ISMAILATI
Agronom , Publicist
Libohovë, Gjirokastër. 
  
Endrit KULLAJ
Endrit Kullaj ka lindur më 29.06.1976 në Tiranë. Ai është nipi i Abedin Çiçit. Por cila është biografia e tij e shkollimit dhe e punës?

Arsimimi: pasi përfundon arsimin 8 vjeçar dhe atë të mesëm në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë në vitin 1993, në vitet 1995 – 2000 Endrit Kullaj vazhdon studimet e larta në degën e Agronomisë pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku diplomohet me rezultate të larta si “Inxhinier Agrar, dega Agronomi”. Vazhdon studimet pasuniversitare (Master), dega “Hortikulturë dhe Mbrojtje Bimësh” (diplomë e UBT, viti 2003).

Pas disa vitesh përvojë pune në sektorin bujqësor privat dhe publik, si Menaxher i Import – Eksportit për Agroblend shpk (Shkurt – Korrik 2000), më pas si anëtar i një ekipi kërkimor në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit (2000 – 2001) dhe më vonë, për 4 vjet, si konsulent me një projekt zhvillimor (2001 – 2004), në mars 2005 vendos të ndërmarrë karrierën akademike si pedagog pranë Departamentit të Hortikulturës dhe Mbrojtjes së Bimëve në UBT. Pranë këtij Departamenti është edhe kontributi dhe veprimtaria e tij më e pasur mësimore dhe shkencore në fushën e përgatitjes së specialistëve të rinj të bujqësisë, por edhe në sfera të tjera të shkencës së bujqësisë brenda e jashtë vendit.

Endrit Kullaj spikat si një specialist bujqësie me vlera të larta në fusha kërkimi multidisiplinare dhe eksperimentimi shkencor. Kërkimet e tij gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare në UBT e deri në 2010 janë fokusuar kryesisht në kontrollin biologjik (bujqësia organike) të dëmtuesve dhe sëmundjeve të pemëve frutore dhe hardhisë. Në këto studime, Endrit Kullaj ka përfituar nga aftësitë e fituara gjatë stadeve kërkimore pranë Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Thelluara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM), Bari, Itali  për metodat e diagnostikimit sierologjik dhe molekular, shumimin in vitro dhe in vivo, shëndetësimin dhe çertifikimin e drufrutorëve, si dhe pjesmarrjen në Acarology Summer Program pranë Universitetit Shtetëror të Ohio-s, SHBA me profesorët më të njohur të akarologjisë si Sabelis, Amrine, De Moraes, Welbourn, Ochoa, James dhe O’Connor. Një pjesë e mirë e punimeve shkencore i përkasin kësaj fushe kërkimore. Më 29.03.2006, Endrit Kullaj merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Bujqësore” nga UBT.

Veç kërkimit shkencor të ngushtë, Endrit Kullaj ka qenë vazhdimisht i interesuar për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe në mënyrë të veçantë bujqësisë organike. Ndikim të fortë në këtë drejtim ka patur çertifikimi ndërkombëtar për projektim në permakulturë nga Instituti i Permakulturës, Australi (2001) me trajner Rosemary Morrow dhe kursi i specializimit tri–vjeçar (2002 – 2003 – 2004) në Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sistemeve Bujqësore, Mjedisore dhe Rurale, i organizuar nga UniAdrion (Universiteti Virtual i Bazenit Adriatik – Jonian) dhe Universiteti i Bolonjës, ku e vlerësua shkëlqyeshëm (cum laude). Kjo e motivoi për të marrë një diplomë të dytë si “Ekonomist Agrar”, dega Ekonomi dhe Politikat Agrare (pa shkëputje nga puna) në vitin 2005. Si vazhdim i këtyre studimeve në ekonomi agrare, ai merr doktoratën e parë ndërkombëtare në “Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Politikat e Zhvillimit të Qëndrueshëm” të Universitetit të Bolonjës në fushën kërkimore “Ekonomi, Bujqësi dhe Mjedis”, duke mbrojtur një dizertacion për zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri nën udhëheqjen e Prof. Andrea Segrè. Në kuadër të kësaj doktorature Endrit Kullaj ka kryer stazhe kërkimore nën udhëheqjen e Prof. Nicolas Lampkin në Qendrën Organike të Uellsit dhe Institutin e Studimeve Rurale të Universitetit Aberystwyth në Uells të Britanisë. Shumë prej rekomandimeve të hulumtimeve u përfshinë në Planin e Veprimit për Bujqësinë Organike në Shqipëri (2006) dhe Strategjinë e Bujqësisë dhe Strategjinë e Zhvillimit Rural të Ministrisë së Bujqësisë.

Angazhimi me Universitetin e Bolonjës pas doktoraturës ka vazhduar me mësimdhënie në masterat e nivelit të parë dhe të dytë në Zhvillimin e Qëndrueshëm të Bujqësisë dhe Zonave Rurale, kurseve të specializimit dhe shkollave verore të organizuara nga Universiteti i Bolonjës gjatë viteve 2007 – 2009. Ai ka udhëhequr shumë studentë masteri nga Ballkani të cilët sot kanë pozicione shumë të larta në administratën publike dhe universitete. Edhe në këtë fushë kërkimore Endrit Kullaj është autor i disa botimeve kryesisht në lidhje me politikat e bujqësisë organike, ndikimin mjedisor të praktikave bujqësore, përdorimin e mbetjeve bujqësore për prodhim energjetik, etj., përfshi dy monografi shkencore me shtëpitë botuese AV Akademikerverlag GmbH & Co. KG dhe Nova Science Publishers. Në këto vite ai ka qenë titullar i lëndëve “Pemëtaria Organike” dhe “Permakulturë”.

Pas studimeve të doktoraturës dhe i angazhuar gjithashtu si titullar i modulit “Përmirësimi Gjenetik i Pemëve Frutore”, Dr. Endrit Kullaj zhvillon një interes të veçantë në vlerësimin e germoplazmës së pemëve frurore, veçanërisht për rezistencë ndaj dëmtuesve, duke ruajtur të njëjtin objektiv, bujqësinë e qëndrueshme dhe organike. Me këmbëngulje dhe në traditën e familjes (puna me koleksionimin e resurseve gjenetike të Agr. Abedin Çiçi dhe Prof.Asoc. Ilir Çiçi), ai synon vlerësimin e germoplazmës autoktone të drurëve frutorë dhe të afërmve të egër të tyre, veçanërisht testimin për rezistencë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Për këtë ai përdor metodologji të fenotipizimit dhe gjenotipizimit, duke përdorur përvojën e fituar gjatë stadeve kërkimore pranë Laboratorit të Biologjisë Molekulare, INRA Orleans (Francë) në periudhën kohore mars – tetor 2008 (analiza gjenetike, ekstraktim ADN, PCR, sekuencim, përdorimin e GeneMapper, barkodim gjenetik, etj.), pranë Departamentit të Pemëve Frutore në Universitetin e Bolonjës, dhjetor 2008 – prill 2009 (testim për rezistencë ndaj kromës në serrë, procedurat e hibridizimit të kontrolluar, analizë e pjalmit, protokolle fingerprinting për karakterizimin gjenetik – molekular; QTL në përmirësimin gjenetik molekular) me Prof. Sansavini dhe Prof. dhe pranë Qendrës për Kërkim dhe Eksperimentim në Bujqësi ‘Basile Caramia’, Itali (karakterizim gjenetik i hardhisë, eksperimente me përmirësimin gjenetik të hardhisë dhe përdorimin e programeve ampelometrik/karpometrik). Ka qenë anëtar i Grupit të Punës Malus/Pyrus, Kryetar i Grupit të Punës për Frutat & Hardhinë për Evropën Juglindore (SEEDNet), koordinator kombëtar dhe rajonal (Evropa Juglindore), Anëtar i EUCARPIA (Shoqata Evropiane për Kërkim në Përmirësimin Gjenetik të Bimëve), etj.

Pjesa më e madhe e 30 punimeve shkencore në këtë fushë janë realizuar në kuadër të projekteve kërkimore në të cilat ka qenë koordinator ose drejtues i grupit kërkimor si “Ngritja e një Banke Gjenetike Kombëtare të Pemëve Frutore, me Arkiva Klonale Satelite dhe Ferma Burimore të Resurseve në Shqipëri”, “Vrojtim i popullatave autoktone të mollëve (Malus domestica) në zonën e Evropës Juglindore”, “Identifikimi, kampionimi, koleksionimi dhe karakterizimi i kultivarëve autoktonë kryesorë të kumbullës (Prunus domestica) në Shqipëri”, “Identifikimi i rezistencës ndaj patogjenëve në gjenotipet shqiptare të mollës dhe dardhës dhe karakterizimi gjenetiko-molekular i tyre”, “Identifikimi dhe karakterizimi i popullatave të hardhisë së egër (Vitis vinifera ssp. sylvestris) në rajonin e Evropën Juglindore”; “Studimi dhe vlerësimi i germoplazmës vendase të hardhisë”, “Përmirësimi, shëndetësimi dhe prodhimi i vreshtave dhe verërave lokale”; “Bashkëpunimi Lindje – Perëndim për Eksplorimin e Diversitetit të Hardhisë dhe Mobilizimin e Trajtave Përshtatëse për Përmirësim Gjenetik; “Analizimi i gjendjes së shëndetit viral të germoplazmës vendase të Kosovës dhe Shqipërisë”, etj. Në kuadrin e Projektit “Zgjerimi i koleksionit dhe dokumentimi i llojeve vendase të frutave dhe arrorëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës” të financuar nga Departamenti i Bujqësisë i SHBA, së bashku me Prof. John Preece dhe Dr. Joseph Postman, ka mbledhur qindra gjenotipeve të llojeve të egra të afërme me pemët frutore në gjithë territorin shqiptar. Ai është pjesë e ekipeve kërkimore që merren me studimin e tyre në dy repozitorë të germpolazmës drufrutore, të Universitetit të Davis (Kaliforni) dhe në Oregon. Falë këtij aktiviteti kërkimor dhe pedagogjik të pasur, në vitin 2011 i jepet titulli Profesor i Asociuar.

Duke parë që ndryshimet klimatike ishin kërcënimi kryesor për qëndrueshmërinë e bujqësisë dhe veçanërisht hortikulturës, me ndikime katastrofike mbi prodhimtarinë bujqësore dhe resurset gjenetike, Prof.Asoc. Endrit Kullaj themelon në Departamentin e Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, fushën e kërkimit në fiziologjinë e streseve abiotike të bimëve hortikulturore. Interesi i tij kërkimor lidhet veçanërisht në kuptimin e sjelljes fiziologjike të pemëve frutore ndaj stresit të thatësirës, identifikimit të treguesve dhe instrumenteve më të mirë për të monitoruar gjendjen ujore në kohë reale dhe përdorimit të modelimeve përkatëse.Në këtë fushë ai ka udhëhequr 3 studentë të doktoraturës dhe shumë studentë të masterit shkencor. Midis shumë teknikave, ai përdor aftësitë mbi dixhitalizimin e arkitekturës së pemëve frutore dhe modelimin e fituar gjatë stadit kërkimor pranë Ekipit të Arkitekturës dhe Mikroklimës së Pemëve Frutore në INRA, Clermont-Ferrand, me Dr. Marc Saudreau dhe Dr. Pierre-Eric Laurie në korrik 2009 si dhe sensorët për matjen e fluksit të ksilemës, dendrometrat dhe radiometrat pranë EMS, Brno, Çeki me Dr. Jiri Kucera. Më rishtazi, edhe në funksion të kërkimit shkencor në fushën e fiziologjisë së streseve abiotike, është kualifikuar mbi teknikat mjedisore fushore për shkallëzimin e fiziologjisë molekulare në nivelin e gjethes dhe kurorës në Lisbonë (Portugali) me autoritetet më të mira në këtë fushë nga universitetet e Oxford, Cambridge, Essex, Sheffield, Illinois dhe Manchester. Ai njeh teknikat kryesore fushore dhe laboratorike për proceset në nivelin e gjethes (shkëmbimin fotosintetik të gazeve, fluoreshencën e klorofilit, gjendjen ujore dhe përçueshmërinë hidraulike); procese të kurorës (teknikat e izotopeve të qëndrueshme, monitorimi i zhvillimit të  kurorës/LAI, termografia IR dhe gjendja e ujit/ushqyesve); teorinë dhe praktikën e monitorimit afatgjatë në kushte fushore (mikrometeorologjinë, kovarianca e shtjellave, ndjesimi në largësi).

Pas marrjes së titullit Prof.Asoc. dhe deri më sot,ai ka shkruarmonografi shkencore jashtë vendit, shumë artikuj original, të indeksuar në Scopus dhe me faktor impakti (Thomson & Reuters). Ka mbajturmjaft referime/kumtesa në simpoziume shkencore të Shoqatës Ndërkombëtare për Shkencën e Hortikulturës (ISHS), në SHBA, Gjermani, Greqi, Kroaci, Itali, Kinë dhe Turqi. Disa tregues të tjerë të aktivitetit kërkimor (deri në 2019) janë edhe indeksi H (8) dhe g (9), numri i citimeve (213), indeksi RG (ResearchGate) 21.72 që është më i lartë se 75% e mbi 15 milion kërkuesve të regjistruar në ResearchGate përfshi edhe 26’660 lexime të 173 punimeve të regjistruara. Këtyre i shtohen edhe mbi 8102 lexime në Academia. Mbështetur në aktivitetin e tij botues, sikurse edhe anëtarësinë në shoqata ndërkombëtare të specializuara, pjesmarrjen në borde editoriale dhe projekte e konsorciume kërkimore, Endrit Kullaj është ftuar të jetë bashkëautor në disa libra ndërkombëtar: sikurse mund të përmenden dy libra të Academic Press (Elsevier), dy libra të ISHS, një libër të Nova Science Publishers, etj. 

Një vëmendje të veçantë Prof. Kullaj i ka kushtuar mësimdhënies dhe pajisjes së studentëve me literaturë bashkëkohohore, në të gjithë modulet dhe nivelet ku ka dhënë dhe jep mësim, veçanërisht në lëndët ‘Biologji e Bimëve Hortikulturore’, ‘Fiziologjia Mjedisore (Ekofiziologjia) e Pemëve Frutore’ dhe ‘Përmirësimi Gjenetik i Bimëve Hortikulturore’. Disa prej botimeve kryesore për studentë janë:

ÇAKALLI, D. dhe E. KULLAJ (2007) Biologjia e Bimëve Hortikulturore. 510 fq.
KULLAJ, E. dhe D. ÇAKALLI (2007) Praktikum i Biologjisë së Bimeve Hortikulturore. 250 fq. 
KULLAJ, E. (2008). Ekofiziologjia e Drufrutorëve. 540 fq. 
KULLAJ, E. (2008). Biologjia e Thelluar e Pemëve Frutore
KULLAJ, E. (2009). Pemëtaria Organike. UBT 200 fq.
KULLAJ, E. (2009) Permiresimi Gjenetik i Pemeve Frutore (Pjesa Speciale). 789 fq.
KULLAJ, E. (2012) Metodat Molekulare te Permiresimit Gjenetik te Pemeve Frutore. 450 fq.
KULLAJ, E. (2016). Përmirësimi Gjenetik i Pemëve – Metodat Konvencionale dhe Molekulare. 310 fq. 
KULLAJ, E. (2017). Fiziologjia Mjedisore e Pemëve Frutore. 330 fq 

Po në dobi të studentëve në përgjithësi, ka përkthyer tekstet ndërkombëtare shumë të njohura si: 
‘Biology of Plants’, 7th Ed. Raven, Evert & Eichorn, për UFOPress, 900 fq
‘Laboratory Topics in Botany’, 7th Evert & Eichorn, UFOPress, 250 fq
‘Plant Science: Growth, Development and Use of Cultivated Plants’, 5th Ed. McMahon, Kofranek & Rubatzky, për Sh.B. DITURIA(kap. 12 – 22)
‘Earth User’s Guide to Permaculture’, R. Morrow, për World Vision
‘Introduction to Permaculture’, B. Mollison, për World Vision

Përvojës didaktike dhe kërkimore të Prof. Endrit Kullaj i shtohet edhe përvoja administrative dhe kontributi institucional për UBT kur në Qershor 2018 zgjidhet Përgjegjës i Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit. Gjatë drejtimit të Departamentit, ai është angazhuar si drejtues i grupit të punës për hapjen e programit të ri të studimit në Bachelor në Arkitekturë Peizazhi dhe Programit Profesional 2-vjeçar në Kopshtari. Gjatë kësaj periudhe akreditohet me sukses programi Bachelor në Hortikulturë dhe Masteri Profesional në Arkitekturë Peizazhi.

Që prej fillimit të viteve 2000, Endrit Kullaj është angazhuar intensivisht si ekspert dhe konsulent në shumë projekte zhvillimore me donatorë si GIZ, PNUD, ADA, SIDA, SNV, BB, USAID, etj. për transferimin e njohurive dhe trajnimin e trajnerëve, duke publikuar edhe mjaft manuale, udhëzues dhe broshura teknike për prodhuesit e bimëve aromatike e mjekësore, protokolle për pasvjeljen e mollës, etj. 

Gjithashtu, me inisiativë personale e pa financim por në traditën e broshurave teknike të gjyshit të tij, Agr. Abedin Çiçi, Prof. Kullaj ka botuar në Scribd faqen POM AL mbi 80 botime teknike në fushën pemëtarisë dhe pomologjisë, që sot kanë arritur në 100’000 lexime. Që prej vitit 2013 këto botime shpërndahen nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (www.agro.al). Disa prej këtyre librave elektronikë janë:
KULLAJ, E. (2013) Teknologji kultivimi në pemëtari. 360 fq
KULLAJ, E. (2013) Shumimi Vegjetativ i Drufrutorëve. 97 fq
KULLAJ, E. (2013) Origjina dhe përhapja e drufrutorëve. 55 fq
KULLAJ, E. (2013) Tiparet pomologjike të drufrutorëve. 137 fq
KULLAJ, E. (2012) Prodhimi i frutave. 231 fq
KULLAJ, E. (2012) Fenologjia e drufrutorëve. 403 fq
KULLAJ, E. (2012) Kultivarët e drufrutorëve. 155 fq
KULLAJ, E. (2012) Nënshartesat e drufrutorëve. 67 fq

Krahas angazhimit akademik dhe si ekspert, Endrit Kullaj ka punuar si Inspektor Ndërkombëtar për Çertifikimin e Produkteve Organike me kompanitë BCS  OKO Garantie dhe CERES Cert. (2003 – 2007)ndërsa në vitin 2008, bashkë me Johannes Gutmann themeloi kompaninë SONNENTOR shpk e cila eksporton bimë aromatike e mjekësore bio në Austri dhe tregton produkte organike në tregun shqiptar. Si administrator i kësaj kompanie, Endrit Kullaj ka krijuar një rrjet furnitorësh në disa rajone të Shqipërisë dhe kontrakton mbi 100 ha produkte organike të kultivuara.

Është njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja si anglisht, italisht dhe frëngjisht.

Përgatiti Agr. Besnik Ismailati








No comments:

Post a Comment