Friday 14 February 2020

LISI DHE SHQIPTARËT


          Për vet rëndësinë e veçantë jetike që kishin drurët në jetën e përditëshme për banorët e lashtë në siujdhesën e Ballkanit, ato u bënë subjekt i legjendave, miteve, folklorit, fesë ose simbole të urtësisë, drejtësisë, prosperitetit, paqes, besës dhe besueshmërisë, trimërisë, etj. Shqiptarët si një popull nga më të lashtët në Ballkan, dhe me një shtrirje të gjerë, kanë mitet, folkun, legjendat, baladat e tyre shumë të pasura rreth drurëve pyjorë e frutorë, mbi mardhëniet e përditëshme me to. Këto tregojnë se kanë jetuar në shekuj në një simbjozë paqësore shëmbullore. Nga drurët vendas mund të përmendim thanën dhe dafinën të cilat shqiptarët i kanë shpallur Hyjnesha. Dafina i shpëtoi nga epidemitë shfarosëse, me gjethet e saj bënin finjosjen, një lloj dezinfektimi i rrobave dhe enëve të kuzhinës. Ndërsa thana ishte simbol i qëndresës, rezistencës, fortësisë, sepse me drurin e saj bënin armët që ishin tmerr për armiqtë. Gjithashtu lajthinë e kishin symbol të besës e besueshmërisë, shegën symbol të bukurisë femërore, shpresës e paqes, etj. 
  
          Një nga drurët mjaft të rëndësishëm që ka hyrë në mardhënie të ngushta që në Prehistori me shqiptarët ishte dhe lisi. Ky dru sipas miteve, nëpërmjet fëshfërimës së gjetheve priftëreshat parashikonin të ardhmen, mundësonte lidhjen e tyre me Zotin dhe njerëzve të vdekur. Kjo realizohej në Dodonën e lashtë Pellazge. Lisi (Quercus) , ose dushku siç quhet në disa treva, ka qenë një dru pyjor shumë i përhapur që formonte formacione të mëdhej pyjorë, ashtu si dhe sot. 

          Sipas J. Diamond(2002) lëndet e lisit në Prehistori kanë qenë një nga ushqimet më të lashta bimore e të rëndësishme për njerëzit në shumë pjesë të Euro-Azisë dhe Amerikën e Veriut. Nuk dihet pse njerëzimi ka hequr dorë nga zbutia e mëtejëshme e tij. Ndërsa Virgjili(vitet 70 e.r) ka shkruar se Iliro-Epiriotët kishin domestikuar dhe e kultivonin lisin. Kishin veçuar një lloj, lëndet e të cilit përmbanin më pak taninë  i bluanin për t’a përzier me drithin për të gatuar bukën e tyre si dhe të siguronin ushqimin e bagëtive. Një lloj lisi të tillë e kam hasur në rrethin e Gjirokastrës për të cilin mendoj se është me interes ekonomik e ekologjik edhe sot për mbarështrimin e blegtorisë.

          Sipas Strabonit(viti 63 p.k.) me lisin njerëzit e lashtë bënin zjarrin që ishte shumë i rëndëshim për ta, ishte ushqimi i tyre dhe i bagëtive që mbarështronin, gjethja dhe lëdia e tij përdorej si ushqim bazë për blegtorinë, ku dhe sot paraqesin vëmendje e shfrytëzohen me leverdi në zona të caktuara, si dhe të ishte edhe ushqimi i kafshëve të egëra që gjuanin si: derrat e egër, sorkadhet, dhitë e egra, etj. Zgavrat e lisave të mëdhej përbënin shpesh dhe banesat e tyre. Me drurin e lisit ata ndërtonin shtëpitë, bënin vegla e punës dhe mjetet e tjera të jetesës që nga djepi e deri tek arkivoli. Për njerëzit e asaj periudhe lisi ishte bërë një dru i jetesës së tyre, prandaj u bë simbol edhe i Tempullit të Dodonës Pellasge në kulturën botërore të lashtësisë. 

          Historiani Prof. Kristo Frashëri ka kumtuar se:  “Hesiodi thotë se Dodona dhe Lisi ishin qendra e pellazgëve”. Ndërsa duke ju referuar Strabonit ka thenë: “Në fillim, kur faltorja e Dodonës, kryente vetëm funksionin e orakullit, selia e saj ishte shumë e thjeshtë, pa konstruksion monumental. Faltorja ndodhej në trungun e një lisi të shenjtë” 

          Më pas nga lashtësia e gjat mesjetës prijësit e shqiptarëve si Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Mbreti Gent dhe Skënderbeu e kanë përdorur gjethen apo lënden e lisit si element në emblemat ose veshjen e tyre. Në kasketën mbrojtese të Pirros së Epirit dhe Mbretit Gent ishin gdhëndur gjethe lisi, Skënderbeu kopsat e jalekut të tij i kishte në formën e një lënde të lisit. 

          Gjat mesjetës nga shqiptarët gjethia e lisit është përdorur si simbolikë edhe në heraldikat e princërve të arbërve. Publicisti dhe studjuesi Ndue Dedaj kumton se flamuri i familjes “Qafa” në Mirditë me fushën e bardhë kishte si simbolikë një degë lisi. Gjithashtu ai thotë se një degë lisi është përdorur kudo në zonën e Kanunit nga shtegëtarët si shenjë mbrojtje nga ndonjë sulm i mundshëm. Një degë lisi rreth qafës të udhëtarit do të thoshte se “jam në besën tënde”. 

          Shumë zbukurime në dru ose në metale në Kisha, si ikonostaset paraqiten me gdhëndje të gjetheve të lisit, po kështu edhe në banesa si tavenet dhe në shumë orendi të tjera. Në trevat shqiptare Lisi, Lisimak, Lisandër, Dushku janë përdorur si emëra e mbiemra njerëzish. Në folkun popullor apo krijimtarinë e poeteve e shkrimtarëve shpesh një njeri i fortë e trim, që ju bën ballë çdo situate, sado të vështira të paraqiteshin rrethanat, krahasohet me një lis. Ndërsa poeti i madh i Rilindjes Naim Frashëri, i drejtohet tokës mëmë me vargjet: “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë,… “, etj,.. 
           
           Në Shqipëri ka shume mikrotoponime nëpër fshatra si: “Lisi”, “Lisat”, Lisnajë, Dushkajë, etj. Janë   mbi 15 emra fshatrash si: “Dushk”- në Gramsh, Elbasan, Lushnjë; “Dushk-Çam” – Lushnjë; “Sharr-Dushk” – Kavajë; “Has-Dushk” – Kavajë; “Dushkarak” – Vlorë; “Ndërlisaj” – Shkodër; “Baldushk” – Tiranë; “Lis” – Mat; “Lisaj” – Elbasan; “Lisnaj” – Peqin; “Kalis” – Kukës, etj.
Ndoshta edhe toponimet “Toskë” rjedh nga fjala dushk, si dhe emri qytetit Lisus(Lezhë) nga fjala Lis.

           Shqiptarët jo vetëm e kanë shfrytëzuar lisin e pyjeve por dhe e kanë mbjellë atë. E kanë domestikuar për nevojat e tyre ushqimore dhe të bagëtisë. E kane mbjellë si bimë zbukurimi të fshatrave e qyteteve të tyre në rrugët, qendrat e fshatrave, vendet e kultit, etj.  duke u shërbyer si hije, vend çlodhje, mblidheshin në kuvende e festa, mërzime të bagëtive, etj. Më kujtohet se në Laboven e Kryqit, Gjirokaster ishte nje lis shekullor ku nën hijen e tij mblidheshin perimet dhe prodhimet e tjera bujqësore, shërbente si një hangar përpunimi natyral. Lisi ështe një dru që jeton gjatë, deri një mijë vjet. Askush nuk i prekte lisat e mbjellë, konsiderohej si dru i shenjtë, kjo traditë ka ardhur deri në ditët tona.

          Lisin shqpitarët tradicionalisht e kanë përdorur edhe në mjekësinë popullore. Me rrënjët, gjethet apo lëvoret  përgatiten droga kundra dhimbjeve të stomakut e të zorrëve, heqjes së barkut,  kundra helmimeve nga kripërat e metaleve të rënda, Kundra djersitjes së këmbëve, ngrirjes së gjymturëve, etj.  Është përdorur gjithashtu për përgatitjen e ngjyrave për të ngjyrosur stofrat në të kuqe të hapur, bojë kafe për të ngjyrosur të leshtat. Disa lloje lisash përmbajnë sasira të larta taninë ndaj gjen përdorim në industrinë e lëkurëve( M. Demiri, 1979; P. Kokalari,1980) 

          Në botë ka rreth 600 lloje ose specie lisash. Në Shqipëri njifen ose janë përshkruar mbi 11 lloje si: Prralli( Q. coccifera L.); Ilqja(Q. ilex L.); Qarrziu, Bulgri(Q. trojana Webb.); Valanidhi (Q. aegilops L.); Qarri, lisi i bardhe ( Q. cerris); Bunga(Q. petraea Matt.); Lisi i butë, bungbuta(Q. pubescens Wild.), Shparthi (Q. confrater Kit.), Rrënja (Q. robur L.),  etj. 

          Druri i lisit ka gjetur sot në botë një përdorim të gjerë në parqet, rrugët, lulishtet si breza, pyllëzimet, etj. Shqiptarët kanë një përvojë të gjatë e të lashtë me lisin. Druri i lisit është shumë më i dobishëm se drurët e tjerë. Ka përparësi se u reziston zjarreve që këto vitet e fundit janë bërë shumë shqetësuese e shkatëruese për pyjet. Janë vendstrehimi ideal për shumë shpendë dhe kafshë të egra, etj.
Një pyll i pastër vetëm me lisa ku zanafilla e tij mund të jetë nga faktorë njerëzorë


Pergatiti:

Koço MOSKO
Boston, MA, SHBA


"Lisi dhe shqiptarët" is Copyright © 2020 by Bota Bujqësore

No comments:

Post a Comment