GJERMANI, FRANKFURT – MBI MAIN, TETOR 2003
nga: Resmi OSMANI
Agronom, Shkrimtar & Publicist
TIRANË
TIRANË
Prof. dr. Resmi OSMANI |
Grupi ynë, prej njëmbëdhjetë vetash, i kryesuar nga Seit Shalari, sekretari i përgjitshëm i Ministrise së Bujqësisë dhe Ushqimit, mori aeroplanin e Lufthansës dhe fluturoi për në Frankfurt. Disa prej nesh, përfshi dhe mua, shkonim për herë të parë në Gjermani dhe ishim përgatitur të përjetonim emocione, mbresa dhe mësime nga kjo vizitë. Gjithmonë kam qenë i mendimit se vizita në një vend të huaj, është zbulim i një pjesëze të panjohur të botës, mundësi jo vetëm njohjeje nga ana personale, por edhe përfitimi dhe pasurimi të dijeve të shumanshme, jo vetëm të karakterit tekniko-profesional, por në të gjitha rrafshet, që përbëjnë tërësinë e mardhënieve dhe organizimit shoqëror pa përjashtim, të vlerave, traditave, gjithçkaje pozitive, mjafton të dish si të shohësh, çfar të shohësh dhe ta përqëndrosh vëmëndjen në ato dukuri, të cilat duhet të bëhen pjesë e zhvillimit tonë, për përafrimin dhe për t’u bërë pjesë e Komunitetit Europian(ta bëjmë Shqipërinësi gjithë Europa), si një detyrim qytetar, për të dhënë ndihmesën personale.
Zbritëm në aeroportine Frankfurtit, një nga më të mëdhenjtë e më të rëndësishmit, jo vetëm të Gjermanisë por edhe të Europës. Thuajse çdo dy minuta ngrihet apo ulet një avion! Mikpritsit na mbartën në qytet me një mikrobus dhe na vendosën në hotel pranë qendrës së qytetit.
Frankfurti, qytet i vjetër dhe i madh, ngrihet në të dy anët e lumit Main, ujëshumë, i gjerë dhe i lundrueshëm, nëpër të lundrojnë maune transporti lumor. Përgjithësisht qyteti ruan pamjen e lulzimit të tij të hershëm, me shtëpi të stilit gotik, çatipjerrëta, kisha dhe katedrale me kambanare të larta, por nuk i ka shpëtuar sëmundjes së kohës: qiellgërvishesve, janë disa të tilla që lartohen në qëndër të qytetit. Këtë qendër kanë filluar ta quajnë Manhatani i Frankfurtit. Ngjitemi në njerën syresh dhe sodisim qytetin në tërë shtrirjen e tij. Frankfurti është qëndër e bankave të mëdha, por edhe qëndër kulturore. Është vendlindja e Gëtes, universiteti i qytetit mban emrin e tij. Janë të shumtë parqet dhe statujat e përmendoret. Në lindje të qytetit është “Pylli i popujve”, i krijuar me mbjelljen e pemë pyjore nga vendet e Europës. Aty gjejmë edhe pemë drunore që i takojnë pyjeve tona mesdhetare: lisa, plepa, rrapa, bredha e pisha, dhe të tjera të pyjeve të vendeve të ftohta, mështekna, vadhëza, bredha, disa prej të cilave i shohim për herë të parë. Është një pyll-park, me rrugina dhe stola për të pushuar.
I nënshtrohemi disiplinës së rreptë gjermane: çdo veprimtari e programur dhe në kohë të caktuar. Në klasën e mësimdhënies, vijnë lektorë që janë specialistë, profesorë të njohur të fushave të tyre: të vreshtarisë, verëtarisë(Enologjisë) legjislacionit, kadastrës së vreshtave dhe të tregut. Me metoda të mësimdhënies bashkëkohore, projeksione të pamjeve, filma të shkurtër, diagrama me tregues, diapozitivë, përpiqen që ne të jemi sa më shumë përfitues dhe për tu bindur, zhvillojnë me ne bashkbisedime konmtrolli. Ditët janë të zëna paradite e pasdite. Dalim në qytet mbrëmjeve, shohim aq sa mundim dhe shijojmë nëpër birraritë birrën gjermane që është me emër, suxhukë të skarës dhe sallatë patatesh.
Ne jemi këtu për vreshtat dhe verën. Na thonë se hardhia në Gjermani nuk është bimë e florës vendëse. Atë e prunë romakët kur pushtuan vendin dhe mbollën vreshta për nevojat e legjioneve të tyre. U themi se vreshtaria ndër ne është e lashtë. Kur romakët pushtuan Ilirinë, vreshtarinë e gjetën degë të zhvilluar të ekonomisë. Dijetari romak Plini, shkruante: “ Ingrohtë e frytdhënës është ky vend, i mbushur plot me vreshta dhe ullishta.” Por nëse në viset e Gjermanisë Renane, vreshtaria u bë degë kryesore e ekonomisë bujqësore, Iliria(Arbëria) ra nën zgjedhën osmsne, islamizmi e ka pije të ndaluar verën dhe vreshtat e rrushit për verë u shkulën, u përhapën pjergullat me rrush tryeze për nevoja familjare. Më pas është dashur të fillohet nga e para.
Gjermania ka 104 mijë hektar me vreshta, në 12 rajone, por gati gjysma e sipërfaqes ndodhet në Rhein Hessen, Pfalc dhe Baden, në luginën e lumit Rin(Rhein) dhe degës së tij Mosel. Kufizimi i shtrirjes së sipërfaqeve kushtëzohet nga klima, e cila edhe në rajonet vreshtare, është thuajse nën parametrat e kërkesave biologjike të hardhisë. Mikpritsit na dhanë mundësinë të njiheshim me rajonet vreshtare. Takimi i parë me vreshtat u bë në Rheigau, zonë kodrinore në rrethinat e qytetit Mainz. Ato u shfaqën si një befasi. Paraqisnin pamjen më të mirë që specialist mund të dëshirojë: blloqe të shtrira në sipërfaqe të gjera sa të sheh syri, simetri dhe njëformësi ne ngritje dhe formën e mbajtjes. Na organizuan një ekskursion në luginën e Mozelës, për të vizituar Bernkastelin, një qytet piktoresk, ku ndodhesh Instituti i Kërkimeve të vreshtarisë”Myler Turgau”. Për ne nuk ishte një udhëtim pune por edhe turistik, për të soditur e njohur atë vend. Rruga shkon në anën e majtë të lumit të gjerë. Lumi është I lundrueshëm, eshtë degë e Rinit. Në të dy anët e luginës, qyteza të vogla, dhe kodra të buta, majë tyre spikatin kështjellat e vjetra feudale. Bernkasteli, shtrihet në të dy anët e lumit dhe lidhen me ura. Qytet i admirueshëm për nga bukuria e ndërtimeve të vjetra, me fasada të zbukuruara, dhe çati gotike të pjerrta. Ngjan si një kartolinë.
Drejtori I Instituti kërkimor na mirpret dhe na njeh me veprimtarinë e shumanëshme, të institucionit që drejton: përzgjedhja klonale e kultivarit “Risling” për të veçuar forma me cilsi sipërore prodhuese, cilsore, agrobiologjike dhe teknologjike janë në studim 72 klone; shëndetësimin dhe çertifikimin nga viruset të kloneve standard, Prodhimin e fidanave të zgjedhur(elit) si material për krijimin e vreshtave mëmë; krijimin e hibrideve të qëndrueshme ndaj sëmundjeve më të përhapura të hardhisë etj dhe vinifikimin e rrushit të seicilit klon, vlerësimin dhe depozitimin në bankën e verës(vinotekë). Morëm pjesë në një seancë shijimi dhe vlerësimi të disa kampioneve. Teknologu i verërave nisi ligjëratën me vlerësimin e kësaj pije që e quajti të shenjtë e hyjnore, foli për Bakusin(Dionisin) dhe për Jezusin, që në darkën e fundit u tha dishepujve duke u zgjatur kupën e verës: ”Pini është gjaku i trupit tim”; por ne ishim amatorë në këtë fushë, sido që kishim marrë mësimet përkatëse për “somelie”(ekspert shijues i verërave). Ai kallzoi një anekdotë: Gjysh Hansi ishte me nam për të shijuar e vlerësuar verërat, e thirrën kur do të hapnin një nga butet. Gjyshi Hans e ngjëroi, e nuhati, e solli rrotull nëpër qiellzë dhe tha:” E mirë, por mban pak era lëkurë dhe hekur.” Të tjerët pasi e shijuan, thanë se s’bëhej më e mire dhe se gjyshi kishte lajthitur. Por kur Butin e boshatisën, në fund të tij gjetën një çelës të vogël, të ndryshkur, lidhur me një rrip lëkure!Të tillë ishin shijuesit e verërave qëmoti. Në mbrëmje, tërë shend e në humor, të ardhur në formë nga vera e pirë, u kthyem në Frankfurt.
Ky kurs dhe kjo vizitë afatshkurtër në Gjermaninë vreshtare, veç kënaqësisë së njohjes së një vendi tjetër për ne, shërbeu që të nxirnim disa mësime, ndër to më kryesoret:
Së pari. Konsiderimi i klimës si një pasuri e çmuar natyrore duke e përdorur atë në maksimumin e mundshëm për zhvillimin e degëve të caktuara të bujqësisë. Në rajon, temperatura vjetore arrin 10.6 gradë Celsius, ndërsa gjatë periudhës bimore 15.4 gradë, rreshjet vjetore 619 mm. orët me ndriçim diellor, mesatare vjetore 1600 dhe në periudhën bimore 1270 orë. Janë në kufirin fundor të kërkesave biologjike të hardhisë. Po ti krahasojmë këta tregues me të dhënat klimatike të zonës verilindore e juglindore të vendit tonë, për temperaturat e ajrit dhe ndriçimin diellor janë më të mira. Por ndërsa gjermanët në atë klimë kultivojnë 100 mijë hektarë, në zonat tona të sipërpermendura, vreshtat janë të kufizuara. Në perspektivë edhe këto zona duhen konsideruar troje vreshtarie.
Së dyti. Gjetja dhe përshtatja e kultivarëve të përshtatshme që arrijnë treguesit teknologjikë, dhe traditën e përgatitjes dhe tipizimit të verës sipas shijes së konsumatorit dhe eksportit. Tre janë kultivarët bazë, dy për verë të bardhë, Rislingu, që e kemi edhe ne, dhe Myler Turgau, kurse për verë të kuqe Pinot nuar.
Së treti. Prodhimi dhe tregtimi i verës. Disa shifra kurioze: Gjermania, midis vendeve konsumatore të verës ze vendin e katërt, me20 milion hektolitra, ndërsa për konsumin e verës për frymë vjen e pesta, me 23.7 litra/frymë në vit. Gjermania nuk i plotson kërkesat me prodhimin e vet, një pjesë importohet, por prodhuesit gjermanë punojnë fort për eksportin. Verërat gjermane me cilsi të njohur, të konsoliduara e tipizuar, eksportohen(për kohën kur bën fjalë ky shkrim) në 10 vende, por kryesisht në Angli dhe Holandë. Në vitin 2002, eksporti arriti në2.2 milion hektolitra, me çmim 164 euro/litri. Në Gjermani, nuk ka prodhues të mëdhenj vere. Prodhuesit e rrushit janë edhe prodhuesit e verës, dalin në treg me etiketën e tyre. Vera kontrollohet dhe dokumentohet nga autoritetet lokale dhe vlerësohet sipas cilsive të mostrave mesatare në katër kategori: për konsum vetiak dhe kulinari, e treegtueshme në tregun lokal, në tregun e gjithë vendit dhe për eksport.
Së katërti. Kooperimi dhe rregullimi ligjor. Kur sheh madhësinë dhe shtrirjen e sipërfaqeve të vreshtave krijohet ideja e ekonomive me pronarë të mëdhenj, por nuk është ashtu. Të 104 mijë hektarët, u përkasin afro 70 mijë pronarëve, madhësia mesatare e pronës 1.5 ha., më e vogla 0.2 ha. Dhe më e madhja mbi 5 ha. Mbizotëron prona e vogël, megjithatë si rezultat i bashkmarrveshjes kooperuese komunitare, vreshtat janë ngritur në blloqe tërësore, të pandërprera. Kufijtë e secilës pronë, shënohen në hartën e kadastrës së vreshtave, por edhe me gurë sinori. Krijimi i të tilla masiveve, lehtëson edhe shërbimet dhe tipizimin e teknologjisë së kultivimit. Sa mirë do të ishte ta bënim edhe ne.
Së pesti. Regullimi I gjithë veprimtarisë vreshtare me legjislacion. Asgjë nuk i lihet spontaneitetit dhe dëshirave vetiake. Sipërfaqia gjithësej e vreshtave është përcaktuar nga normat e KE. Çdo vresht i ri, ngrihet me projekt teknik, ku përfshihen gjithë parametrat, perfshi edhe materialin mbjellës dhe kultivarët që do të mbillen, duhet të jenë nga ata të miratuar për rajonin. Vreshtat e mbjella pa leje dhe jashtë normave teknike, shkulen dhe çbëhen. Edhe prodhimi dhe tregtimi i verës i nënshtrohet legjislacionit dhe inspektimeve. Gjithçka i nënshtrohet rregullit dhe disiplinës ligjore e teknike. Kjo e bën vreshtarinë një veprimtari të frytshme dhe fitimprurëse.
Afati I qëndrimit Përfundoi. Po ndjeja sindromin e mallit të shtëpisë.
Plotësuam formalitetet në sallën e pasagjerëve dhe më pas zum vend në aeroplan. “Boeing”-u merr turrin në pistë dhe fluturon në lartësi. Ç’do minutë që kalon në këtë fluturim qiellor, më afron drejt atdheut. Më shpie në shtëpi. Mirëmbetsh Gjermani. Teksa aeroplani del mbi re, në një qiell të përndritur nga dielli dhe vijon fluturimin, nga altoparlantet përhapet melodia e bukur e valseve të Shtrausit dhe stjuardesat simpatike e të sjellshme na ofrojnë vaktin dhe pijet sipas dëshirës. Kam kohë të mendoj dhe sistemoj e të bëj një përmbledhje të gjith asaj sa përjetova nga përvoja gjermane.
Në Tiranë bëm një raport të hollësishëm për arritjet e asaj vizite dhe çfarë prej tyre duheshin përfshirë në strategjinë e zhvillimit të vreshtarisë dhe verëtarisë që po hartonim.
Më pas, ndryshimi i ministrave, qeverive dhe i specialistëve e drejtuesve në dikaster, që siç është bërë zakon ndër ne, me një papërgjegjshmëri fodulle nuk e konsiderojnë punën dhe projektet e parardhësve, e arkivoi studimin dhe e la ta mbulonte pluhuri i harresës.
Për të ardhur keq. Ajo përvojë, si edhe shumë të tjera, mbeti thjesht si një dituri vetiake, pa arritur që të përfshihej në politikat zhvillimore e të kthehej në vlerë të ekonomisë sonë.
E si do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa?
Tiranë,29.02.2020.
----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Prof. dr. RESMI OSMANI
U lind më 05.05.1940 në Mazrek të Çamërisë. Pas masakrave zerviste të viteve 1944-45 dhe vrasjes së të atit, u shpërngulën në Shqipëri. Arsimin fillor, shtatvjeçar dhe atë të mesëm e kreu në qytetin e Fierit. Në vitin 1958, hyri në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, sot Universiteti Bujqësor, dhe u diplomua agronom në degën e pemëtarisë. Pas diplomimit, më 1963, u emërua në Berat, fillimisht agronom sektori në Ndërmarrjen Bujqësore Berat, më pas drejtor i Stacionit Bujqësor dhe kryeagronom I NB Beratit. Në vitin 1976, u transferua në Ministrinë e Bujqësisë në Tiranë, me detyrë kryespecialist dhe më pas drejtor drejtorie. Në vitin 1991, sekretar shteti në Qeverinë e Stabilitetit, më pas drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë në po atë Ministi dhe së fundi këshilltar i ministrit të bujqësisë. Në vitin 2006 doli në pension.
Përveç detyrave administrative, është angazhuar që heret në veprimtarinë kërkimore shkencore, kryesisht në fushën e pemëtarisë, mësimdhënies në kurset pasuniversitare në Universitetin Bujqësor dhe udhheqje shkencore të aspirantëve për doktoraturë. Anëtar i këshillave shkencore dhe bordeve të disa institucioneve kërkimore shkencore dhe arsimore. Për kërkimet shkencore, mësimdhënëse, dhe botimet e shumta, ka mbrojtur dhe është atestuar me këto grada dhe tituj shkencorë.
Doktor I shkencave, 1985
Docent, 1992
Profesor i asociuar, 1995
Profesor, 1999
Vetë dhe me bashkautorë, ka këto botime shkencore e profesionale në fushën e bujqësisë dhe kryesisht ato të specialitetit të pemëtarisë:
-Krasitja e pemëve,1973
-Krasitja e ullirit, 1983
- Pjeshka, 1986
-Njohuri për Ullirin, 1988
-Pemtaria, tekst për fakultetin e agronomisë, 1989
-Pemët drufrutore, tekst për shkollat e mesme bujq., 1991
-Manuali I ullishtarit, 2002
-Luleshtrydhja, 1994
-Shërbimet gjithvjetore të ullirit,1988
-Kultivimi modern i mollës, 2004
-Pemët subtropikale gjetherënëse,2006
-Agrumet në ultësirën bregdetare perndimore,2005
-Pemëtaria dhe vreshtaria në Shqipëri dhe në Kosovë,
Bashkautor, 2016.
Antar i redaksisë së bujqësisë për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, autor i 34 zërave. Ka qënë I angazhuar ne referime shkencore në simpoziume dhe konferenca shkencore, në vlerësime dhe oponenca disertacionesh,biseda në radio-televizine etj. Ka shkruar mbi 300 artikuj problemorë e shkencorë në organet e specializuara brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrës në disa konferenca nderkombëtare për ullirin dhe pemtarinë në Turqi, Itali, Francë, Bullgari, Greqi, Hungari, Bruksel etj. Është antar i Shoqatës Ndërkombëtare të Hortikulturistëve me qendër në Bruksel.
Pas daljes në pension, Prof.Resmi Osmani iu përkushtua krijimtarisë letrare, që ka qenë një nga dëshirat e tij të hershme. Ka lëvruar prozën e gjatë, romanet historikë tregimin, esetë, kritikën dhe estetikën. Ndër botimet duhet përmendur kolana romanore “Libri i mbretërve”
Botimet në fushën e letërsisë, për periudhën 2004-2019 përfshijnë;
-Jeta e Bedri Lumanit, biografi e letrarizuar,2004
-Lule në gur, roman biografik për Todo Gjermanin,2008
-Bisedë me shokët, 2009
-Mbretërimi i Pirros së Epirit, roman,2010
-Edhe yjet vdesin. Tregime, 2011
-Bilal Xhaferi poet i shpirtrave njerzorë esse, 2010
-Aleksandri i madh i Maqedonisë-miti dhe njeriu, 2011
-Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit, esse,2012
- Mbretëresha Olimpia , roman, 2012
- Koha e çudirave, roman ,2013
- Fajin e kishte hëna,tregime, 2014
-Teuta e Ilirisë, roman, 2014
- Letër Mbretit, tregime, 2014
- Ditët e sprasme të mbretit Gent, novelë, 2014
- Andrea Topia dhe princesha Helena, roman,2019
- Pas Trojës, roman, 2019
- Tri novela, novela, 2019
Krijimtaria e tij është pritur mirë dhe është vlerësuar nga kritika letrare.
Po përgatit për botim një vëllim me 50 tregime dhe një libër tjetër me ese dhe publicistikë.
---0---
No comments:
Post a Comment