Wednesday, 19 October 2016

LEGJENDA E DËBORËS - TOMORI DHE SHPIRAGU

                                                      nga Simon Vrusho


Simon Vrusho
      Tomori dhe Shpiragu na ishin dy vëllezër që na u zunë një ditë për punën e dëborës.
Tomori, si vëllai më i madh, i thotë Shpiragut se dëborën do ta mbash ti, jo unë. Ti je më i vogël dhe do të bësh si të them unë. Shpiragu ia kthen se ai do të bënte si të të ishte e drejta. Shpiragu kishte dhe një vëllamë: Detin, të cilin e pyeste në rastet e vështira, kur gjendej ngushtë. Dhe Shpiragu na e pyet detin se si duhej të vepronte, kujt i takonte ta mbante dëborën. Dhe deti, pasi u mendua pak, u trazua ca dhe ngriti një dallgë, por jo të madhe.
-Dëbora, - itha Deti Shpiragut,- i takon më të madhit, Tomorit, sepse ai ndodhet në zonën e dëborës dhe se ai është më i lartë, është dy herë sa ti, por kur ndonjëherë dëbora do të jetë shumë e madhe, e paparë, atëhere edhe ti do ta ndihmosh Tomorin, edhe ti do të mbash një pjesë të dëborës për disa ditë, jo më shumë.
      I kënaqur nga gjykim i drejtë dhe i saktë i vëllamë Detit, Shpiragu e kthen atë si përgjigje për vëlla Tomorin, por Tomori u nxeh, shkundi krifën e ftohtë dhe kështu filloi grindja, filloi ndeshja. Tomori qëllonte me shpatë, Shpiragu me topuz. U ndeshën sa i zuri dimri, ia arriti dëbora. Dhe dëbora ra si melhem i bardhë mbi plagët e tyre dhe ishte dëborë e madhe. Një pjesë e saj ra dhe mbi Shpiragun. Dëbora ishte dhe si fasho mbi plagë.
      Kur po mjekonte plagët, Tomori e kuptoi se Shpiragu kishte pasur të drejtë, sepse kur zihen dy vëllezër nuk fiton asnjeri. Fiton vetëm e drejta dhe urtësia. Plagët e Shpiragut u mbyllën shpejt e u mbulua me sherebelë, por plagët e Tomorit nuk u mbyllën kurrë. Edhe sot që flasim bashkë, nga plagët e Tomorit rrjedh pa pushim gjak i bardhë... Nuk e keni parë?... Shkoni dhe shikojeni!....

Regjistroi: Simon Vrusho
10 mars 2013
Mali Tomorit
TRE LISAT E GJALLË-Rrëfenjë
      Na ishin dy vëllezër hyzmeqarë tek një zotni i madh që bënin punë të ndryshme.
Një herë, për disa ditë, u ngarkuan të bënin dru në pyll, siç u urdhëruan. Shkonin në pyll, bënin dru dhe ngarkonin tri mushka. Kjo punë për ditë, për disa ditë. Dhe këta prisnin vetëm dru të thata, nga ato degë që kishin goditur e thyer rrufetë, sepse pyll i madh- rrufe të mëdhaja.
Por zonjat, akçeshat u thanë një ditë që të bënin dru të njoma, se të thatat digjeshin shpejt dhe zjarri nuk mbante shumë. Dy vëllezërit hyzmeqarë ulën kokat dhe nuk folën. Shkuan në pyll, bënë dru, po dru të thata prapë, ngarkuan mushkat dhe as u shkoi ndësy që me spatat e tyre t’iu drejtoheshin lisave të gjallë, që qëndronin si azganë në këmbë.
      Zonjat akçesha iu ankuan zotnisë së madh. Zotnia i thirri dy vëllezërit hyzmeqarë, u foli dhe i urdhëroi që të bënin dru të njoma, sipas porosisë së akçeshave.
Shkuan në pyll dy vëllezërit hyzmeqarë, bënë dru, po dru të thata prapë, ngarkuan tri mushkat dhe, para se të niseshin, goditën lehtë, si me përkëdheli tre lisa viganë, duke iu thënë:
Nisuni tani se ju kërkuan zotëria... Dhe tre lisat azganë, brof hoqën rrënjët e mëdha e të gjata nga toka, nga dheu dhe si këmbë po i hidhnin rrugës së pyllit dhe pastaj nëpër rrugën e madhe në mes të lëndinave të fshatit... Tre lisa të mëdhenj në krye të karvanit... pastaj tri mushka ngarkuar dhe në fund dy vëllezërit hyzmeqarë... 
      Kur i panë banorët e fshatit duke ardhur, u trembën, u pataksën. U futën brenda. Brenda u futën dhe hyzmeqarët e tjerë, dhe akçeshat dhe zotëria i madh që u ngjit në odën më të lartë... Pamje e paparë, ndodhi e pa dëgjuar: të ecin lisat me rrënjët si këmbë...
Dhe ndërsa mbërritën në oborr, të tre lisat i ngulën rrënjët thellë në avlli dhe, ndërsa fryu një erë e lehtë, ata i lëvizën degët lehtë, sikur përshëndetnin zogjtë, pyllin tej në korie a mbase dhe gjindjen aty... Tre lisa jeshilë që nuk u bien gjethet kurrë...
Zotnia, pasi u qetësua gjindja, i thirri dy vëllezërit dhe pasi i pagoi se ç’u detyrohej, u thotë:
-Më falni për gjynahun që mund t’ju kem bërë. Jeni mekam që duhet të ngrini mekam. Zgjidhni, ku doni të shkoni. Dhe shkuan në .... C....

Regjistroi: Simon Vrusho

No comments:

Post a Comment