Sunday, 28 May 2023

MANASTIRI I SPILESË - SARAQINISHTË, GJIROKASTËR, SHEK. XVI

"Sipas një fermani sulltanor, i cili daton më 1288 (sipas kalendarit islam), manastiri i Spilesë çdo vit, në muajin mars i paguante fshatit Saraqinishtë 10.000 aspra.... .......Manastiri ka pasur edhe ullishta në Shën Vasi dhe prej andej vinin rreth 70 okë vaj ulliri në vit"

 
nga:  Andre  LLUKANI
Tiranë

Manastiri i Spilesë gjëndet midis fshatrave Qestorat dhe Saraqinishtë të Lunxhërisë, në të djathtë të rrjedhës së Përroit të Madh, në një tarracë nën shkëmbin e Spilesë, në një lartësi rreth 975 metra nga niveli i detit. Manastiri është ndërtuar në shekullin XVI me kontributin e arkondëve të Saraqinishtës. Të ardhurat e manastirit kanë qenë 200 lira në vit. Kisha e manastirit i është kushtuar “Lindjes së Hyjlindëses” dhe kremton më 8 shtator. Manastiri i Spilesë administrohej direkt nga patriku i Kostandinopojës dhe gëzonte statusin e manastirit stavropigjik. 

 

Prej manastirit ka shpëtuar në gjendje të mirë vetëm kisha. Sipas prof. Pirro Thomos kisha është e tipit në formë kryqi me kupolë. Përmasat e brendshme janë 7.40x6.20 metra. Kolonat e brendshme lidhen me anën e harqeve ndërmjet tyre, si edhe me muret perimetrore, duke formuar bërthamën qendrore katrore, e cila mbulohet me kupolë mbi tambur dhe në krahët e kryqit me qemere cilindrike. Hyrja jugore mbrohet nga një portik i hapur në tri anë me tri harkada. Kisha është e suvatuar nga jashtë. Tamburi është tetëfaqësh dhe përfundon me një kornizë, të përbërë nga tri radhë tullash në trajtë dhëmbësh sharre. Apsida është pesëfaqëshe, me nike të vogla në secilën faqe. Mbi to kalon një kornizë tullash në trajtë dhëmbësh sharre. 

 

Një mbishkrim mbi portën e narteksit vërteton se kisha është ndërtuar në vitin 1634, në kohën e peshkopimit të zotit Kalist dhe me kontributin e jeromonakëve Kostandin dhe Joasaf. Afresket e kishës janë pikturuar nga Mihal Linotopi në vitin 1634: + Ανηγέρθη κ(αί) ανεστορήθι ώ θιος κ(αί) πάνσεπτος νάος της ηπεραγηας Δεσπινής υμ / όν Θ(εοτό)κού κ(αί) άηπαρθένου Μαρηας κ(αι) άρχιερατεβόντών ύπο τού θεοφηλεστάτου έπισκόπου Κύρού / Καλιστου ύ κ(αί) δια σύ(ν)δρομής κόπού τε κ(αί) εξόδου τόν οσιοτάτών εν ηύερομονάχης / Κώνσταντίνου κ(αί) Υασόφού κ(αί) τόν τιμηοτάτον κ(αί) εύγενεστάτον

άρχόντον...ετεληό / θη εν μηνι αυγούστο -Γ- ηπο χιρός Μηχαήλ επι ετους Ζ Ρ Μ Β (7142=1634) “U ndërtua dhe u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i së mbishenjtës zonjës sonë, Hyjlindëses dhe gjithmonë virgjëreshës Mari dhe në kohën e peshkopatit të shumë perëndidashës peshkopit, zotit Kalist dhe me kontributin, përpjekjet dhe shpenzimet e të fortshënuarve ndër jeromonakët, Kostandinit dhe Joasafit dhe të shumënderuarve e shumëfisnikëv,e arkondëve u përfundua në muajin gusht 3; me dorën e Mihalit, në vitin 7142 (=1634)”. 

 

Narteksi i kishës është ndërtuar në vitin 1659 nga një piktor anonim, me kontributin e arkondit Joan. Në një mbishkrim mbi portën e narteksit thuhet: + Ανηγέρθη κ(αί) ανεστορήθι ώ θίος άρτυκας διά σήνδρομής κ(αί) έξόδου δαπάνης τού ε’υγε / ναιστάτώς, Κίρου Ιωάνου, ήγουμενέβοντος Κύρου Παρθενήου / έτους Ζ Ε Ξ Ζ (7167=1659). “U ndërtua dhe u pikturua ky narteks hyjnor me kontributin dhe shpenzimet e arkondit shumëfisnik, zotit Joan, në kohën kur ishte igumen zoti Parthen, viti 7167 (=1659)”. 

 

Ikonostasi ndahej në tri zona, më e ulëta prej të cilave mbarte panele të lugëta në trajtë trëndafili, të brendashkruar në rombe tetëbrinjësh, me anët e sipërme dhe të poshtme në formë harku. Në të katër këndet, panelet dekorative kanë zbukurime floreale. Në zonën e dytë, shtyllat zbukurohen me elemente bimore, në anët e të cilave formohen bimë kacavjerrëse. 

 


Pjesa e epërme e shtyllave kurorëzohet me pseudokapitele. Në pjesën mbi shtyllat bien në sy guaskat e gdhendura, që rrethojnë një lule në qendrën e tyre dhe mbështeten në korniza të skalitura në trajtë bime kacavjerrëse me lule në qendër. Në panelet e lugëta të ikonostasit janë pikturuar profetët Isaia, Abakumi, Danieli, Moisiu, Davidi, Solomoni, Jezekieli dhe Jeremia. Pesë nga profetët mbajnë në duar rrotulla të shkruara me tekste, që lidhen me Shën Mërinë, ndërsa tre të tjerët me Krishtin. Pjesë nga brezi i sipërm i ikonostasit aktualisht janë në ruajtje në Muzeun Historik Kombëtar. Mungon vetëm një pjesë, ajo ku janë ikonizuar profetët Solomon dhe Jezekiel. 

 

Disa ikona nga kjo kishë janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë. Gjatë punës hulumtuese studimore kemi arritur të evidentojmë këto ikona: Krishtit Pandokrator, me nr. inventari 5948 dhe përmasa 49x77 cm. Në ikonë është ky mbishkrim: Δέησις Κονσταντήνου ίερομονάχου τού καθυγουμένου – α ψ π δ. “Lutje e igumen jeromonak Kostandinit, 1784”. Joan Pagëzori, me nr. inventari 6151 dhe përmasa 123x68 cm. Mbi ikonë është shkruar: Ετους Ζ Ρ Λ Α (7131=1623) Απριλίου Α. “Viti 7131 (=1623), prill 1”. 

 

Manastiri ka një shpellë në një vend të rrezikshëm, brenda të cilës ndodhej një kishëz e vjetër. Ka marrë këtë emër sepse në shpellën, që gjendet në shkëmb është zbuluar një ikonë mrekullibërëse e Shën Marisë. Ikona e Shën Mërisë identifikohet me nr. inventari 5870 dhe ka përmasat 111x69 cm. Mbi mbulesën prej argjendi të ikonës së Shën Mërisë është shkruar: + Η παρουσα άγια ηκονα Σπηλεοτις(σ)α εβρησκομενη σηνδρομη τε πατερες ηγουμενεβουντας / Ναθαναηλ κε Γληγοριος κε Κοσταντηνος η τημη(οι) αρχοντες ασηνδρομησαν την γοχε / ριαν (=χορηγίαν) Κηρ Κοτζο κε Κηρ Κηριτζυ Σηκριατινη επι χηρος Θεοδορου Ληνοτοπητι 1765 ηουλη 10. “Kjo ikonë e shenjtë Spileotisa që gjendet në Spile është bërë me kontributin e etërve, igumenë, Nathanailit dhe Grigorit dhe Kostandinit, të arkondëve të nderuar, zoti Koço dhe zoti Qirici Sikriatas. Me dorën e Theodhor Linotopasit. 1765, korrik 10”. 

 

Në një ikonë të Krishtit, e cila ka qenë në fronin dhespotik është shkruar: Ηγουμενεύον Κωνσταντήνου ήερομονάχου. Δή έξόδου Σεραφήμ ίερομο / νάχου Κηρκηρέων. Εν έτη 1791 Ηουνήου 18. “Në kohën e igumenit, jeromonak Kostandinit. Me shpenzimet e jeromonak Serafin Korfjatit. Në vitin 1791 qershor 18”. Mbi ikonën e Krishtit gjendet edhe sinjatura Ο Γλυκός Ιησούς. “Jisui i ëmbël”. Aktualisht, ikona gjendet në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë me nr. inventari 5885 dhe ka përmasa 60x93 cm.

 

Me interes është një ikonë me shumë shenjtorë, ku është shkruar: Τόν δούλον τού Θεού Δημητρίου Ντέντου Δωξατηνός Βασιλείου Τζάνε Ναγόπουλη της 1828. “Të shërbëtorëve të perëndisë, Dhimitër Dedes nga Dhoksati, Vasil Canes nga Stegopulli, më 1828”. Ikona identifikohet me nr. inventari 5555. Ndër ikonat e vogla që vendosen në pjesën e sipërme të ikonostasit të kishës, gjatë punës kërkimore në fondet e Muzeut kemi evidentua disa ikona. 

 

Rreth potirit të kishës është shkruar: Μνηησθητι Κ(ύρι)ε τ(ής) ψυχ(ής) του δουλου σου γγιονη και τ(ών) γονεων αυτου Σαουλη και Ανθης. “Kujto o Zot shpirtin e shërbëtorit tënd, Gjonit dhe të prindërve të tij, Saulit dhe Anthisë”. Mbi një pllakë guri në murin e kambanerisë është shkruar: 1796 Μαυου 20 του ηγου(μενου) Δ(α)Μ(ιανού). “1796, maj 20. Igumen Damjanoj”. Në kolonën e djathtë në kungë të kishës gjendet një mbishkrim, i cili na bën me dije ditën, kur ka fjetur igumeni i manastirit: Ετος 1769 δεκεμβρίου 28 ήμέρα Κυριακή άναπαύτηκε ό μακαρίτης ό ηγούμενος ό κύρ Ναθαναήλ ίερομόναχος ό Θεός νά τόν άναπαύσι. “Viti 1769, dhjetor 28, ditë e diel, u preh igumeni i ndjerë, zoti Nathanaili, jeromonak. Zoti ta prehë!”. 

 

Në muret e manastirit gjendet këto shënime rreth klerikëve që kanë shërbyer në manastir: 1799 Παπαθανασι απο Σκορηαδες ευημεριος. Παπα Ανδονηος (ε)φημερευοντας εις κερον ετους 1800. Σεπτεβριου 14 απο χοριον Πολιτζανι. 1819 Παπαθανασις απο πολιτζανι εφημεριος της αγιας μονις του Σπηλεου 1821 Μαηος 19. Θημισιν εγο ο Μοσχος του Κυριτζη, Μουτζια απο Πολιτζανη. “1799 Papa Thanasi, famullitar nga Skoreja; Papa Andoni, famullitar në vitin 1800; 1819 Papa Thanasi nga Poliçani, famullitar i manastirit të hirshëm të Spilesë; 1821 maj 19. Për kujtim, unë Mosku, biri i Qirixhiut, Muçja nga Poliçani”. Mbi një pllakë të murosur në murin e kishës është shkruar: 1817 ηγουμενος ανθιμος “1817 Igumen Anthimi”. Në vitet 1891-1892, në kohën kur ka qenë igumen Dionisi I, manastiri ka pasur një bibliotekë të pasur. 

 

Manastiri i Spilesë është preferuar për grumbullimet e banorëve, të cilët në drejtimin e igumenit diskutonin për çështjet që i shqetësonin. Sipas një fermani sulltanor, i cili daton më 1288 (sipas kalendarit islam), manastiri i Spilesë çdo vit, në muajin mars i paguante fshatit Saraqinishtë 10.000 aspra. Kjo gjë bëhej, sepse saraqinishnjotët i kishin kaluar tokat në pronësi të manastirit, për të mos paguar të dhjetën dhe manastiri u kthente të ardhurat çdo vit. Fermani sulltanor i përjashtonte tokat e manastirit nga taksat. Manastiri ka pasur edhe ullishta në Shën Vasi dhe prej andej vinin rreth 70 okë vaj ulliri në vit. Në vitin 1945, këshilli i manastirit përbëhej nga Lame Cani, (administrator), Mihal Sinani, (sekretar), Zaho Boga, (arkëtar), Gole Dhiamandi, (anëtar) dhe Risto Boga, (anëtar). Manastiri i Spilesë në vitin 1970 është shpallur monument kulture.

 






No comments:

Post a Comment