Friday 27 May 2022

… SKËNDER XHIKU, NJË SHKENCËTAR I MADH I TOKËS DHE PRODHIMEVE TË SAJ…


Skënder XHIKU
(1928 - 2011)
Prof. Dr. Skënder Xhiku u lind më 16 janar 1928 në Gjirokastër në një familje patriotike dhe vdiq më 28 Mars 2011 në Tiranë. Shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin e Gjirokastrës, ndërsa studimet e larta i kryeu në fakultetin e agronomisë në Budapest, Hungari. 

 

Nga viti 1951-1957 punoi si kryeagronom në NB Kuçovë dhe NB Sukth. Në vitin 1957 deri në 1961 ishte pedagog dhe dekan i Fakultetit të Agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor (sot, Universiteti Bujqësor i Tiranës). Prej vitit 1961 deri më 1966 punon në Ambasadën shqiptare në Romë, Itali, i ngarkuar me problemet e bujqësisë. Në vitin 1966 kthehet në atdhe dhe punon si përgjegjes i Katedrës së Bujqësisë së Përgjithshme dhe si Dekan i Fakultetit të Agronomisë. 

 

Në maj 1981 u akuzua për mungesë vigjilence dhe pikpamje armiqësore në bujqësinë socialiste. Shkarkohet nga detyrat e sipërpërmendura dhe emërohet si agronom në kooperativën bujqësore të Zall-Bastarit, ku punoi deri në pension. Gjatë periudhës së punës se tij si dekan, Fakulteti i Agronomisë shënoi disa arritje. Kështu, u vijëzuan dhe strukturuan hap pas hapi elementet e drejtimit dhe të organizimit të punës mësimore-shkencore dhe u modeluan karakteristikat e specialistëve të ardhshëm. 

 

Në këtë kohë u hapën dhe u promovuan me sukses degë të reja specializimi, si p.sh. dega e Perimtarisë, Pemtarisë dhe e Mbrotjes së bimëve. Rëndësi të veçante merr edhe kualifikimi shkencor i pedagogëve. Përmirësimi i nivelit shkencor të tyre solli si rrjedhojë në mënyre të natyrshme edhe rritjen e cilësisë së punës mësimore. Si pedagog dhe themelues i Katedrës së Bujqësisë së Përgjithshme ai përgatiti breza të tërë agronomësh duke kontribuar në formimin e gjithanshëm të tyre. 

 

Hulumtimet, kërkimet dhe puna e tij si agronom u përqëndruan në lidhjen e përgjithësimin e njohurive për tokën me teknikat e kultivimit dhe rritjen e rendimenteve të kulturave bujqësore. Për rreth 10 vjet ai punoi intensivisht për qarkullimet bujqësore. Skema të ndryshme qarkullimi u rekomanduan dhe zbatuan në disa ekonomi bujqësore atë kohë dhe janë bazë edhe për kohën e sotme. 

 

Dr. Xhiku zotëronte gjuhët hungarisht, italisht, frëngjisht dhe rusisht. Veprën e tij e vijojnë me qindra agronomë shqiptarë që punojnë mbarë Shqipërisë si edhe në vende të ndryshme të botës. Skënder Xhiku mban titullin Profesor (1995), Doktor i shkencave agronomike (1992) dhe Docent (1970). 

 

Për veprimtari të shquar si pedagog, shkencëtar dhe drejtues në fushën e arsimit të lartë bujqësor është dekoruar me Urdhrin "Naim Frashëri" i Klasit të II (1971) dhe Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë (2001). Prof. Xhiku ka udhehequr 68 diploma studentësh dhe disertacione për shkallën e parë të kualifikimit. Nën drejtimin dhe me pjesmarrjen e tij janë kryer disa studime të emërtesës së qeverisë, dikasterit etj..

 

Ai ka mbajtur disa referate e kumtesa shkencore në aktivitete kombëtare, e ndërkombëtare. Ka botuar 5 tekste mësimore për shkollat e larta, 4 monografi, 21 artikuj shkencore e 114 artikuj problematike.

 

 Disa prej tyre janë: 

      Tekste e monografi 1966 

      Bujqësia e përgjithshme. Tiranë, 320 faqe (S. Xhiku) 1979 

      Bujqësia e përgjithshme. Tiranë, 384 faqe (S. Xhiku, S. Hysi, A. Deljallisi) 1971 

      Ujitja e bimëve bujqësore. Tiranë, 45 faqe (S. Xhiku) 1971 

      Manual mbi përdorimin e herbicideve. Tiranë, 116 faqe (S. Xhiku, E. Konomi) 1972 

      Sistemi i tokave bujqësore. Tiranë, 110 faqe (S. Xhiku) 1973 

 

      Renditja e kulturave bujqësore: studime e konsiderata. Tiranë, 130 faqe (S. Xhiku, J. Thanati) 1973 

      Mbi disa probleme organizative dhe ekonomike të ekonomive bujqësore. Tiranë, 98 faqe (S. Xhiku, A. Kallapolli) 1975 

      Manual i bujqësisë së përgjithshme. Tiranë, 141 faqe (S. Xhiku) 1977 

      Praktikumi i Bujqësisë së përgjithshme. Tiranë, 187 faqe (S. Xhiku, A. Deljallisi) 1980 

      Problemet teorike dhe praktike të ndërtimit dhe përvetësimit të qarkullimeve bujqësore. Tiranë, 415 faqe (S. Xhiku)

 

 

Nga facebook, Kronika Gjirokastër. 

 





No comments:

Post a Comment