Wednesday, 24 June 2020

KELMEND/Lepushë - Berizhdol - Paje - Vajushë

nga: Anton PLLUMAJ

Tuz, Mali i Zi


Kjo zemër e Malesisë së Madhe e veshur në kurora të shkrepta malesh, të cilat duken se atje diku puqen me qiellin, ngërthen ne vete: brinja, qafa, gerdhata, gryka, shpella, pllaja e vija. Duke e soditur këtë bukuri të rrallë të kësaj parajse nën qiell, të cilën e bën edhe më madheshtore relievi i saj i thyer, njeriu gjithnjë e më shumë bindet se ky vend tërheqës paraqet pamje tipike të trevave shqiptare.

Majat e këtyre bjeshkëve që nga dimri e, pothuajse, gjithë verës ruajnë bardhesinë e borës së paperlyer. Këto shtresa kristale në të cilat thyhen rrezet e diellit, shkëlqejnë si copëza diamanti në lartësi. Nën këtë mozaik ngrihen fshatrat, të cilat të shpërndara tej e mbanë me nga një grumbull shtëpish të ndertuara nën hijen e ndonjë mali gri, në shpat, apo në ndonjë luginë, duken nga larg si të varura në qiell. Këto pamje mahnitëse midis shkëmbinjsh, kodrash e sukash, thurin e thyejnë pejzazhin e kësaj natyre të paprekur. Atje larg mbi shpatet e maleve blu bien në sy kurora të blerta ahi në miniaturë.

Kullat e pakta, që ndrisin si sy të malit, rrëfejnë se edhe në këto pjesë të larta të Malësisë ruhen simbolet e para të artit dhe të qëndresës së shqiptarëve. Qëndrojnë në majë të ndonjë kodre dhe të bëhet se vëzhgojnë çdo lëvizje përreth. Në shumë prej tyre ballin e oxhakut e stolis lahuta e cila sjell ndër mend këngët dhe kreshnikët e këtyre viseve. Në anën tjetër, thuajse të ekspozuara, heshtin oaza të vogla armësh nga të cilat malësori asnjëherë nuk u nda. Lidhur me këtë lirisht mund te thuhet se e tërë psikologjia e kësaj bote të fortë dikur sillej rreth shpatës dhe hutës.

Falë mërgimtarëve, kesollat e dikurshme që i rëndonte dhe thyente bora e shtrëngata, sot i zëvendesojnë shtepitë e reja. Për fat të keq shumica e tyre janë të braktisura. Njerezit morrën botën në sy. Pleqtë dhe ata pak të rinj që ruajnë vatrat, gjallojnë nga blegtoria dhe bujqësia. Gropëzat që natyra dhe duert e vyeshme të vendasve i hapën midis shkëmbinjsh, janë arat ku banorët e bjeshkës kultivojnë, kryesisht, patate e perime të tjera që i rezistojnë motit. Këto dhe misri deri vonë ishin burimet kryesore të jetesës të kelmendasve. Por kohëve të fundit këtij vendi po i buzeqesh edhe turizmi. 

Si monumente të perjëtshme të një populli, bien në sy varrezat, të cilat me arkitekturën e vet dëshmojnë traditën e lashtë të ruajtjes së kultit për të ndjerët, gjë që rrëfen për një civilizim të kamotshëm të kësaj bote të shkëmbit. Në mesin e tyre hasen lapidare të familjeve në mërgim. E, megjithese e dine mirë se ata do të prehen atje, diku larg ku për çdokënd janë të huaj, lapidaret duhet të qëndrojnë aty, tek të parët, tek rrënjët e tyre si provë e dhimbëshme dhe e përhershme e familjeve të tretura në botë.

Devotshmëria dhe vetemohimi i kësaj bashkësie e mbështetur në fe të lashtë, në krishtërim, ruajnë lidhjet dhe veçoritë kombëtare, historike e shoqërore të këtyre banorëve të malit. Kjo popullatë e shkathtë, jo e pasur me prona, por me vlera të tjera nga të cilat peshojnë, në veçanti, ato shpirterore, pasqyrohen në zemrën e hapur, buzeqeshjen dhe sytë e tyre xixë, kur miku ua mesyn derën. Për këtë krijesë për ta "Hije e Zotit", lumturohen dhe shkrihen, meqë kelmendasit për mikpritje janë të veçantë.

Duke u falenderuar vlerave dhe pasurisë që posedon kjo pjesë e Malësisë së Madhe vihet në përfundim se: çdo njeri që një herë shkel në këto treva, gjakon t’u kthehet përsëri; të ngjallë kujtimet për bukurinë e egër të kësaj natyre të virgjër, por edhe të mrrekullohet me karakterin, ligjet e zakonet e këtij populli të vogel burrëror duke përjetuar edhe një herë kultin e trimërisë, kryelartesinë, besnikerinë, miqësinë dhe nderen e mikut.

Po. Ishin këto disa nga ripërtritjet time në mendje, të cilat i ruaj dhe do t’i rikujtoj me xhelozi bashkë me ato pamje mbresëlenëse, copeza stolish të një natyre tërheqëse, të një bukurie me zë ekzotike e të pafund të vendlindjes të të parëve të mi!







Marrë nga FB.

No comments:

Post a Comment