“Punoni o këmbë e duar
Të hani bukë e lakruar”
Populli
Sipas burimeve të shumta historike e arkivore, të shkruara dhe zbulimeve arkeologjike, që në lashtësi, shqiptarët janë shquar për prodhimin e drithërave, sidomos në llojet e gatimit të bukës. Për prodhimin e bukës, në prehistori, sipas historianeve bimorë, epirotët domestikuan një lloj lisi per prodhimin e lëndeve, duke përmiresuar vetitë e tyre ushqyese, por kjo nuk dihet pse nuk u vazhdua më tej, por u ndërpre. Gjatë gërmimeve arkeologjike në fshatin Vashtëmi të Korçës, një ekspeditë shqiptaro-amerikane ka zbuluar se aty ka qenë një nga vendet e para pioniere në Europë ku fshatarët kultivonin drithërat e bukës. Ky zbulim, daton 8600 vjet përpara. (Allen&Gjipali, 2014, 2016).
Shqiptarët kanë qenë nga të parët në Evropë edhe për gatimin e bukës, madje ishin ata që e shpërndanë këtë gatim në popujt e tjerë të Europës. Me pushtimin e Ilirisë prej romakëve, shek II pk., filluan të shfaqen në Romë furrat e bukës. Plutarku shkruan se mbasi në Epir romakët dogjën 70 qytete sollën me vete skllevër për t’u shërbyer në shtëpitë e tyre. Sipas prof. Niko Qafëzezit referuar një studjuesi italian, Pajonët ishin të parët që u mësuan Masapeve teknikën e gatimit të bukës, etj.
Sundimet e gjata nga okupatorët e huaj, luftrat që nuk kanë reshtur kurrë këto 20 shekujt e fundit, nuk i kanë lënë këta banorë paqësorë të zhvillojnë në qetësi aktivitetet jetësorë. Populli ynë, ashtu, përmidis barbarizmave dhe luftrave të gjata, cfilitëse e të pabarabarta, diti si të vazhdonte të prodhojë ushqimin e të mbijetojë, duke refuzuar dhe me me armë. Një pjesë u rrudhën nëpër male. Atje, me shumë durim, punë të mundimshme, shpesh midis gurëve e bokërrimave, mbuallën arat dhe mbijetuan për mijëra vjet. Tokat i mbillnin me drithëra dhe më së shumti me grurë, për të siguruar jetesën e përditëshme. Të parët tanë i quanin ose vetquheshin Arbër, që për disa studjues do të thotë arë-bërës.
Të habit mjeshtëria, finesa dhe prakticiteti i ndërtimit të këtyre arave; format e tyre të përshtatura estetikishit me mjedisin. Arbërit ashtu siç janë shquar në ndërtimin e banesave, objekteve fortifikuese, ndërtimeve sociale si urat, çesmat dhe ujësjellësit, po aq të talentuar e krijues shfaqen edhe për bërjen e arave. Destabilizimet dhe okupimet e bënin të vështirë gjetjen e tregjeve me leverdi, sepse dhe në fusha prodhimi i grurit ishte i paktë. Ishte mungesa e nje shteti të mirfilltë shqiptar ku të përfshiheshin të gjitha trojet etnike shqiptare për të pasur një treg të qëndrueshëm e shkëmbime të ndërsjellta. Ndaj prodhimi i grurit fillimisht përbënte një nevojë jetike, ishte një lloj kodi mbijetese. Me kalimin e një kohe të gjatë kjo u bë edhe traditë. Motoja e këtyre njerëzve punëtorë e paqësorë ishte: “Puno si rob e jeto si zot”.
Përpara çdo gjëje ishte ushqimi për familjen, buka e përditëshme. Kjo duhej të sigurohej edhe në kushtet e luftrave dhe okupimeve, madje të qe e mirë, e shijshme, e shumëllojëshme. Shqiptarët si mbartës të një civilizimi e qytetërimi të lashtë, kishin kërkesa të larta për ushqimin në vatrat e tyre. U duhej të gatuanin një shumëllojshmëri të madhe bukësh e ushqimesh të tjera me bazë grurin që e prodhonin vetë, të një cilësie të mirë e të kontrolluar. Llojshmëria dhe cilësia e bukëve që ata gatuajnë bëjnë xhelozë edhe sot marketot më të mira të tregëtimit të ushqimeve. Këto nuk bëheshin në njësi të specializuara, por i përgatitnin amvisat nikoqire, fluturat duararta, në shtëpitë e tyre, atje rrëzë shkrepave të maleve, në bazë të një kodi të pashkruar që trasmetohej nga nëna tek e bija, nga vjehrra tek nusja, në mijëra breza.
Shtëpitë e ndërtuara që në vitet 1700, apo edhe më herët, dëshmojnë se secila kishte edhe furrat e veta të bukës për nevojat familjare. Gjatë perandorisë osmane të shumtë qenë ata shqiptarë që ushtronin zanatin e furëxhiut në Stamboll e gjetkë, e sot në të gjithë botën. Si përfundim mielli grurit është një përbërës themelor në rreth mbi 60 lloje gatimesh e ëmbelsirash të ushqimit të përditshëm të shqiptarëve. Më saktë, ai zë 25-30% të ushqimit të përditshëm.
Prodhimi i grurit në botë gjithmon në rritje.
|
Trojet shqiptare kanë kushte të përshtateshme për kultivimin e grurit dhe drithrave në përgjithësi, ka një eksperiencë dhe traditë mijëravjeçare, ka fusha pjellore si: Fusha e Kosovës, Myzeqeja, Fusha e Korçës, Ultësira e Veriut . Jo e vogël dhe jo më pak pjellore është edhe Lugina e Drinos në Gjirokastër, etj.
Sot në Shqipëri importohet mesatarisht mbi 250 mijë ton drithëra në vit, të cilat mund të prodhohen pa ndonje vështirësi. Sigurimi i kësaj sasie në vend do të bëjë të zihen më shumë njerëz në punë, të zhvillohen e të popullohen zonat rurale, të rriten të ardhurat e banorëve dhe të shtetit. Do të rritet cilësia e ushqimeve e nuk do të detyrohemi të marrim të fshirat e hambarëve të botës.
Si specjalist i mbrojtjes së bimëve e njoh mirë rrezikun toksik të sëmundjeve e dëmtuesve të grurit në fushë dhe gjatë ruajtjes në depo si dhe të kimikateve që përdoren në drithrat e bukës. Duke i përdorur pa kriter, ose duke mostreguar kujdes, këto bëhen të rrezikshme për shëndetin e njerëzve e të kafshëve, sidomos kur nuk ka kontroll. Eshtë e vështirë që karantina bimore dhe laboratorët në Shqipëri të kenë garanci për këto. Mosfuksjonimi ashtu siç duhet i karantinës bimore me ekspertë të kësaj fushe, korrupsjoni e bëjnë edhe më të vështirë akoma.
Mirpo nga statistikat shofim se shteti nuk po tregon aspak kujdesin dhe vlerësimin e duhur ndaj kësaj kulture bujqësore bazike dhe me rëndësi strategjike e ekonimike. Këto vitet e fundit sipërfaqja e mbjellë me grurë është zvogëluar me rreth 50 mijë hektarë dhe ka tendencë të ulet akoma, pa përmendur këtu kujdesin për farërat që u trgëtohen fermerëve.
Shteti, qeveria, duhet t’i kushtoje vëmendje prodhimit të grurit dhe drithrave në përgjithësi, t’i subvecjonojë fillimisht, sa të mëkëmbet ky aktivitet. Me hapjen e kufijve, tregtia është e lirë, kushtet kanë ndryshuar, ka konkurencë. Ka sinjale se tani pas pandemisë të COVIT-19 çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare po të rritet ndjeshëm. Nuk e dimë dhe si do të jenë këto të korra që po vinë. Por çfarë duhet bërë?
Shteti të ndihmojë fermerët me mjete mekanike e agregate bujqësore edhe falas, të ulet çmimi i naftës, ndoshta edhe të përgjysmohet për punimet, të përjashtohen nga taksat tregëtimi i farërave dhe i imputeve bujqesore, të kenë një çmim të kontrolluar nga shteti në tregétimin e tyre, të rritet puna kërkimore shkencore me farërat, etj,. Ministria e Bujqësisë duhet të ulet e të programojë punët. Tregu i grurit duhet të jetë i sigurtë për prodhuesit e duke ndërhyrë edhe shteti me politika fiskale e grumbullimin i tepricave që nuk shkojnë në treg, etj. Guri ka mundësi të ruhet në depo për një periudhë të caktuar kohore.
Kemi eksperiencën tonë. Në Shqipërideri ne mezin e viteve 1960 mirej vetëm 7-10kv/ha grurë dhe 9-15kv/ ha misër. Këto rendimente, sipas edhe zvillimeve botërore, në fund te viteve 1980 u pesëfishuan, duke përmirësuar farërat dhe teknikat e kultivimit. Gjithashtu dhe sipërfaqja nën kulturë u rrit. Këtë duhet të bëjmë dhe tani për t’i dhënë popullit një ushqim të shëndetshëm e cilësor, të ardhura e mundësi për t’u zenë në punë e të mos e braktisin vendin.
Koço MOSKO
Agronom i Mbrojtjes së Bimëve
Boston, Ma-SHBA
Maj, 2020
"Gruri, Ushqimi Bazik i Shqiptarëve"is Copyright © 2020 by Bota Bujqësore
No comments:
Post a Comment