nga Pëllumb GORICA
Pëllumb GORICA |
Panorama e Luginës së Devollit në Elbasan,
veçoritë specifike të vendodhjes së saj, të shtojnë admirimin e thellë për
bukuritë që të shpalosen para syve. Jo pak vendbanime të vjetra kanë mbetur në
histori gojore, që dëshmojnë për lashtësinë e saj. Ajo karakterizohet nga klimë
me ajër të pastër dhe të shëndetshëm e cila pasqyrohet në rrezatimin diellor,
temperaturat e përshtatshme, reshjet e mjaftueshme. Kushte të favorshme për
jetesë dhe kultivimin e bimëve bujqësore dhe drurëve frutorë, por edhe për
mbashtrimin e blegtorisë, si një dhuratë e natyrës për banorët, të cilët kanë
ditur t’i bashkojnë edhe punën e tyre të palodhur e këmbëngulëse. Lugina e
Devollit ka një gjeografi të larmishme: Kalon rrjedha e poshtme e lumit Devoll.
Shtrihet fusha, përrenj, kodra të valëzuara njëra pas tjetrës, që ndërthuren me
brigje, qafa, shpate të pjerrta, ose siç njihen ndryshe, kodrat shkëmbore të
Sulovës. Shekuj më parë, në pjesën më të madhe, Lugina e Devollit në Elbasan,
territor i krahinës së Sulovës, ishte e veshur me pyje të shumta. Historitë
gojore, dokumente historike, përshkrimet e udhëtarëve, flasin për pasazhe të
këtij terreni të mbuluar me pyje. Poligloti Eqerem Bej Vlora, në botimin e
tij “Nga Vlora në Tomorr”, viti 1906, faqe 154, shkruan: “Sulova
me pyje të pafund e të dendur sa të hante syri”. Po ashtu edhe
mikrotoponimia e arritur deri në ditët tona tregon për masivet pyjore, sepse
edhe influenca e disa ligjeve të pashkruara respektonin pyjet, kullotat.
Shumica e kodrave, në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, u shpyllëzuan
dhe në këto toka janë kultivuar e vazhdojnë të kultivohen drithëra buke, bimë
industriale, pemë frutorë, ullinj e hardhi etj.
Vreshta të reja të krijuara vitet e fundit në Lumas |
Historitë e shumta gojore, por dhe të dhëna të
tjera si mikrotoponimet, drurë të moçëm, janë fakte që tregojnë se kultivimi i
drurëve fturorë është i lashtë. Kjo bëhet më e kuptueshme kur dihet se kjo
traditë është ruajtur e përcjellë brezave të sotëm me dashuri, për t’i shtuar
me lloje e varetete të ndryshme. Sipas historive gojore, në shekujt e parë të
pushtimit turk, si rezultat i lëvizjeve demografike, në Luginën e Devollit
erdhën jo pak familje, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë, që sollën edhe një
zhvillim të drurëve frutorë në llojshmëri, jo vetëm të mbjella pranë banesave,
por edhe kopshtet, ara e buzë përrenjve. “Mbillnin pemë në ndarjet e arave pa
zënë tokën e bukës”, “Çdo rrip toke ia rrëmbenin natyrës, dhe krijonin
tarraca e mbi të cilat u mbollën drurë frutorë, vreshta e ullinj”, vijnë
historitë deri në ditët e sotme. Më të përhapura: ulliri, hardhia, arra, mani,
fiku, kumbulla, shega, thana, dardha etj. Një pjesë i mbollën në luginë,
larg trojeve të banuara, ku bujqit kalonin vapën e drekës pas punës.
Tregohet “se një sulovar fjeti nën hijen e një mani të moçëm, një ditë
e një natë të tërë, pa u ngritur nga gjumi”.
Një dru frutor tjetër i njohur është edhe
shega. Këtë e tregojnë përhapja e saj në të gjithë fshatrat, por edhe vjetërsia
në formën e trungjeve të zgabëruar. Thuajse në ç’do fshat kultivoheshin edhe
drurë frutor të gorricës, që më shumë përdoreshin si mbajtëse të hardhive në
formën herek të pjergullave. Po kështu mund të flasësh edhe për
thanën e cila ka gjetur përhapje në zonën kodrinore. Në vendbanimin e Qafës ka
qenë e njohur “Thana me shtatë trupa”, por dhe “Thana e Madhe” në
Topojan, për të cilën tregohen histori gojore, por më intriguese është ajo që
tregon se “ushtarët italianë në vitet 1917, kur erdhën në Luginën e Devollit kërkonin “Thanën
e Madhe" se “nën rrënjët e së cilës thuhej se kishte pa hesap flori”.
Ulliri gjatë shekujve, pavarësisht nga
ngjarjet historike dhe nga ndryshimet shoqërore, është shtuar. Më këtë tregohet
për një traditë të vjetër, një rregulli të pashkruar, që nga koha e
Skënderbeut, që për çdo çift kur martohej mbillte ullinj. Ullinjtë e vjetër të
mbjellë nga të parët e banorëve autoktonë në truallin rreth shtëpive si
trashëgimi e familje të kamura, gjenden sidomos në vendbanimet: Qyrkan, Mollas,
Kamuna, Selitë, Topojan. Kështu janë në kodrat e Mollasit “Ullinjtë e
Çelajve, Ulliri i Koçit në Topojan, Ullinjtë e Masatit në Selitë, Ullastra në
Dasar, Ullishtja në Skunaj etj. Në Qyrkanin e Sipërm janë dhjetra
drurë ulliri të vjetër e të trashë, të zgavëruar nga koha, që mosha e tyre mund
të jetë mbi 500 vjeçare. Ka pasur edhe në fshatra të tjerë, por fatkeqësisht
janë shkatërruar nga ashpërsia e kohëve, luftrat, lëvizjet demografike, duke i
zhdukur si gjurmë. Të ruajtura gjejmë mikrotoponimet e vjetra. Në vitet e
periudhës së regjimit komunist nga specialistët e bujqësisë të zonës dhe të
rrethit Elbasan u bë e mundur që të shpyllëzohen hektarë të tërë. Lugina e
Devollit me tradita të kultivimit të drurëve frutorë e me kushte shumë të
favorshme për zhvillimin e tyre, duhet të krijonte edhe blloqe të mëdha ulliri.
Fakt është krijimi i blloqeve me mbi 30.000 rrënjë të Skunajt, Sutajt,
Bregu i Mretes, kodra kurrizore në lindje të fshatit Mollas. “Bregu
i Mretes”, dikur para 40 vjetësh ishte një pyll i madh me drurë jo
frutorë si ngasje, shkozë, cërëmdel, mrete dhe shkurre të tjera që zhvillohen
në këtë brez pyjor. Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, djersa e
qindra të rinjve nga të gjithë fshatrat e Luginës së Devollit, nën parimin
socialist:“T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë pjellore si fushat” e
kthyen këtë kodër, si edhe kodra të tjera të saj, në një bllok të madh prej
20.000 rrënj, që formojnë kurorën e gjelbër të Mollasit.
Historitë gojore
flasin edhe për kulturën e vreshtarisë në formën e pjergullave, të veçuara në
herek dhe mbi pemë në oborret e shtëpive, në fund të arave, kopshteve, në drurë
të ndryshëm frutor arra, kumbulla, gorrica, dardha e jo frutor si lisa, shkoza,
plepa, lejthata, ngasje me varietet të vjetër si: tajga e bardhë, hafuzali, pulsi.
Hardhia është mbjellë në lloje e cilësi, duke iu përshtatur klimës së krahinës.
Këtë e tregojnë edhe mikrotoponimet e ndryshme si “Vreshtas”,
“Çorrush”, “Rrushtë”, “Vreshti i Ganiut”etj. Në vitet e kolektivizimit të
bujqësisë, specialistët e pemtarisë konkretizuan idetë, edhe investuan për të
krijuar plantacione me vreshta, por ndeshën në mentalitete kundërshtuese.
Gjithsesi kjo nuk i pengoi ata të eksperimentojnë e më pas të krijojnë blloqe
në Mollas, Kamuna, Floq etj. Janë të njohur “Vreshti i Shtodrit”, “Vreshti i
Vilzës”, “Zhavuri”, “Graxhoi”. Dikur vite e shekuj më parë “Graxhoi”, ky
toponim në Floq ishte një pyll i madh me drurë të ndryshëm e të dendur, të
gërshetuara me ferra, driza, murriz etj, sa që tregonin se në mes të ditës, kur
kalohej nuk shihej dielli. Po si rezultat i punës voluminoze me
shpyllzimin që u krye, u zëvendësuan me drurë frutorë e hardhi me variete të
mira në cilësi e rendimente. Para viteve ‘90 sipërfaqja e mbjellë me
vreshta ishte 100 ha. Aktualisht është 200 ha. Në vitet ‘70-‘80 në Mollas,
Selvias e Klos u mbollën edhe agrume deri në atë kohë të panjohura në krahinë,
sot sipërfaqja e tyre po shkon në rritje me shtrirje në çdo vendbanim. Por,
disa blloqe me pemë frutore me kumbulla, dardha, fiq, mollë, mushmulla, të
krijuara me aksione u shkatërruan në vitet e para të tranzicionit (vitet ’90).
Banorët e fshatrave të Luginës së Devollit në
Elbasan përpiqen t’u kthejnë blerimin e dikurshëm të luginës. Duke u orientuar
më tepër në kultivimin e drurëve me sa më shumë efektivitet e të kërkuara për
treg, mund të shkruajmë se shtimi i sipërfaqeve të mbjella është shtuar në
krahasim me kulturat bujqësore: drithëra, bimë industriale, foragjere apo
perimet. Janë krijuar blloqe të shumta frutore pjeshke, kumbulle, kajsie,
qershie, etjer, të cilat kanë ndikuar jo vetëm në gjelbërimin e territorit të
fshatrave, por janë edhe një tregues i zhvillimit ekonomik të banorëve. Mjaft
banorë kanë sjellë nga emigracioni përvojën për t’i kultivuar, por dhe fidanë
drurësh frutorë për ti mbjellë, duke konkuruar denjësisht në tregjet e
Elbasanit, Lushnjë, Tiranës. Ndërkohë infrastruktura rrugore në disa fshatra e
ka bërë praktikisht të vështirë për t’i çuar sa më shpejt e të
padëmtuara prodhimet që merren. Dhe sigurisht e bënë të largët ketë luginë, edhe
pse është 80 kilometra larg Tiranës.
Lugina e Devollit në Elbasan ka fituar emër me
kultivimin e drurëve frutorë dhe banorët e saj, duke jetuar me punën e jetën e
tyre pranë natyrës, janë shpërblyer me mundin dhe djersën e derdhur.
botoi "Zemra Shqiptare" posted by H. Kola
No comments:
Post a Comment