Sunday 24 August 2014

DARDHËT E FSHATIT SUHË

-Një traditë e vyer, që duhet t'i rikthehemi-
            Në rrethin e Gjirokastrës, kur bisedat midis të moshuarve vërtiten rreth dardhës, kujtojnë me nostalgji dardhat e famshme të fshatit Suhë, të cilat mbushnin tregun në periudha të ndryshme të vitit. Këto dardhë kanë tërhequr vëmendjen time, që kur isha i vogël, pasi për të shkuar në Gjirokastër, rruga kalonte përmes tyre. I shikoja me kërshërinë e habinë një fëmije, sepse më dukej sikur ishe në një pyll të pafund dardhash. Nga makinat zgjatnim duart në se do të ishim me fat të rroknim ndonjë kokër nga dardhët buzë rrugës. Nuk ishin të kultivuara në blloqe, ngastra të veçanta apo kopshte, por në brinjat dhe ledhet e arave në gjithë zonën që rrethonte fshatin, që nga lumi e deri në kufijtë me fshatrat e tjerë. Këto dardha, vinin nga shartimet mbi goricat spontane që gjëndeshin me shumicë në këtë territor. Llojet e dardhëve ishin të shumëllojëshme, që nga ato vendase, evropiane e deri tek llojet aziatike. Midis tyre kishte dardha me trung e kurorë të lartë, që tregonin moshën e madhe të tyre, ndoshta njëqind vjeçare e më shumë.
            Prodhimi i dardhëve vinte i vargëzuar sipas një konvejeri. Me që disa konservoheshin në kashtë për t’u ngrënë në dimër, bëhej e mundur të kishin një shpërndarje pothuajse gjatë gjithë stinëve të vitit. Llojet e dardhëve, fshatarët i kishin emërtuar sipas një emëri që u kishin vendosur vetë, por dhe atë nga kishin ardhur. Më kujtohen emërat si: "Elbërore" "Dimërore" "Gomarjare" "Gushtare" "Abate fetel" "Pagure" "Labovite" “Manxhar Bej”, “Stegopulote”, etj. Prodhimi që mirrej nga këto dardha, ishte i konsiderueshëm. Kur fshati ishte kooperatvë më vete dhe nuk ishin vendosur ato planet nga lart, për dardhat bëhej kujdes sepse vlerësohej si një e ardhur e mirë. Ky fshat furnizonte me dardha gjithë tregun në Gjirokastër, Libohovë dhe fshatrat e tjerë të këtij rrethi. Njëkohësisht dardhët e prishura që nuk kishin vlera në treg, përdoreshin si ushqim për derrat, aktivitet i cili u sillte të ardhura të konsiderueshme.
            Miku im, agronomi hortikulturist, Gori Çaro, i cili ka pasur një karjerë të gjatë suksesi në kopshtari, kur bisedojmë për dardhat e fshatit të tij, Suhë, me një pasion të veçantë, më thotë se ato kanë qenë një mrekulli e të parëve tanë. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë, ku nga një rrënjë dardhë mund të mirrje 10-100 kg.  për rrënjë, përllogarit se prodhimi i tyre, pa bërë asnjë lloj spërkatje ndaj dëmtuesave dhe sëmundjeve, mund të arrinte të paktën disa dhjetra e dhjetra ton në vit.
            Shërbimet që kryeshin ishin kryesisht: shartimet e reja, krasitjet, pastrimet  e ferrave rreth trungut, ndonjë punim si dhe ruajtja e prodhimit gjatë kohës së vjeljes. Kalemat për shartimet e reja, mirreshin nga klonet e dardhave më të mira, të cilat u ishin përshtatur kushteve klimaterike zonale si dhe kushteve të tokës. Kalemat përpunoheshin sipas një teknollogjie të veçantë. Të gjithë fshatarët burra pa përjashtim, por dhe disa gra ishin në gjëndje të kryenin shartime apo krasitje cilësore. Atyre njerëzve nuk kishe se çfarë t'u mësoje por, nga ata duhej të mësoje e të mirrje eksperincë. Zbatonin me përpikmëri një shkencë të pa mësuar e të shkruar nëpër libra. Kishin në mendjen e tyre kode të fshehta agroteknike të transmetuara brez pas brezi, kushedi që kur, të përmiresuara në vazhdimësi, për të krijuar, kultivuar e përmirësuar klone dardhësh cilëshit të mira e aromatike, të prodhonin çdo vit, të dajadisnin në kushtet e tokave pa ujë si dhe infeksioneve nga sëmundjet e dëmtuesit e ndryshëm.
            Cilido mund të thotë se kjo praktikë me dardhat, është shumë e njohur dhe e zbatuar në çdo cep të trojeve shqiptare e më gjerë. Apsolutisht është e  vërtetë, ndoshta kjo ka qenë mënyra më e përdorur nga shqiptarët dhe të tjerët në Ballkan, për kultivimin dhe përmirësimin e dardhave dhe disa drufrutoreve të tjerë në thellësi të shekujve por, fshati Suhë, këtë  traditë e zhvilloi, e pasuroi dhe e pruri deri në mesin e shekullit te kaluar, në një mënyrë tepër origjinale dhe të leverdisëshme ekonomikisht. Bie fjala, kjo eksperiencë ishte përhapur dhe në dy fshatrat afër, Labovën e Kryqit dhe Stegopul por, jo aq e theksuar dhe aq e zhvilluar si në këtë fshat. Kur fshati Selckë, u bashkua në një kooperativë, për një periudhë të shkurtër kohe, eksperiencën me dardhat e Suhës, duke e quajtur të leverdisëshme nga praktikimi në vite, e sollën edhe në këtë fshat.  Të gjitha goricat, që ishin me shumicë rreth fshatit, u shartuan me dardha, disa nga të cilat janë akoma. Rezultatet vitet e para ndoshta nuk ishin dhe aq inkurajuese, sepse klonet nuk ju përshtatën kushteve të reja por, me një punë të vazhdueshme përzgjedhëse, padyshim që do të kishte dhe rezultate më të mira.
            Kur mbarova studimet e larta, u emërova agronom për frutikulturën në kooperativën “Asim Zeneli”, e cila përfshinte dhe fshatin Suhë. Kisha dëshirë të punoja me këtë kulturë drufrotore, dëshiroja që të zhvillohej e të pasurohej më tej puna me dardhat, të mësoja nga tradita e lashtë e këtyre njerëzve por, në ato vite kjo punë pothuajse ishte braktisur, flitej vetëm për drithrat dhe drufrutorët nuk e kishin vëmendjen e duhur. U kryen hapje të shumë tokave të reja, sistemime të arave ku u shkulën, u prenë dhe u dëmtuan shumë dardha e gorica. Prodhimi i tyre tashmë ishte i kufizuar dhe kishte shumë shpërdorime. Për shartime të reja, as që bëhej fjalë, sepse së pari nuk kishte më gorica por, dhe nuk kish kush të mirrej me 'to. Ishte koha kur sundonte parrulla “Tu qepemi kodrave e maleve, t'i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”. Kjo periudhë, është jetësuar tek romanit “Buka e një stine me borë" të shkrimtarit të njohur Koço Kosta, i lindur në këtë fshat.
            Të përfshirë në fushatën e hapjes së tokave të reja, tentuam të ngremë një bllok me dardha në afërsi të fshatit, për të krijuar një praktikë të re por, pa rezultat. Fidanat i kërkuam me nënshartesë goricë por nuk kishte. Nga mungesa, i mbollëm me nënshartesë ftua, e cila nuk ishte shumë e përshtateshme për kushtet tokësore. Pas mbjelljes, askush nuk u muarr me këtë bllok dhe iu la spontanitetit. Përfundimi ishte i njëjtë si i blloqeve të tjera. Kështu u tret kjo praktikë e mirë e këtyre njerëzve punëtorë në fund të viteve '70-të të shekullit të kaluar.
            Proçesi i shartimit në dialektin lokal, quhet: “mbolas" ose "mbolasje”. Pema  që rrjedh nga ky proçes, quhet "mbolazmë". Mendoj se fjala “mbolë”, duhet të rjedhë nga shqipja e vjetër. Nëpërmjet etimologjisë së kësaj fjale, mund të hidhet pak dritë për historinë e shartimeve në Shqipëri. Tradita e kultivimit të dardhave nëpërmjet shartimeve, duhet të jetë një praktikë shumë e vjetër në gjithë trojet shqiptare. Mendoj se është një traditë e trashëguar brez pas brezi  dhe përbën një eksperience të rrallë, unike dhe të vyer në historinë e kultivimit dhe përmirësimit të pemëve.
            Nëqoftëse do t'i referohemi historisë botërore të shartimeve, mendohet se aplikimet e para janë kryer që në Persinë e lashtë por, nuk ka të dhëna që të na e vërtetojnë. Shumë autorë mendojnë se kjo metodë shumimi dhe e pëmirësimit të pemëve, ka lindur në Mesdhe. Gjatë periudhës së antikitetit greko-romake, ka shumë dëshmi e shkrime dhe thuhet se është shumë më e lashtë se kaq. Gjatë periudhës bizantine e osmane, ka të dhëna se kjo metodë ishte e zhvilluar nëpër  kopshtet e manastireve dhe pashallarëve. Historia vërteton se kopshtarët më të zotë në atë periudhë, kanë qenë shqiptarët, të cilët sigurisht duhet ta kishin ushtruar këtë zanat shumë kohë më parë. Kjo na çon në supozimin se paraardhësit e shqiptarëve, duhet të kenë qenë ndër të parët në Evropë në këtë drejtim. Mirpo shkrime apo fakte që të na e vërtetojnë, mungojnë. Kjo mund të përbëjë ndoshta një temë studimi për studjuesit.
Fshati Suhë, Gjirokastër por tani pa dardhët tradicjonale.

           Fshati Suhë është një fshat i lashtë, rrënjët e tij shtrihen deri në kohën Mbretërisë së Pirros. Tradita e kultivimit të dardhave në këtë fshat, edhe pse origjina e zanafilla e shartimeve është e errët, tregon qartë se kjo metodë ka qenë kryesore për përmirësimin e drufrutorëve dhe zhvillimin e frutikulturës në trojet shqiptare. Ato dardha, cilësisht të mira, që prodhonin shumë e për çdo vit, pa patur probleme serioze nga sëmundjet dhe dëmtuesit, përshtatur mirë në toka të thata, pa ujë, ishin frut i një pune në breza, për seleksjonimin e vazhdueshëm të kloneve. Kjo metodë në gjykimin tim, pavarësisht përparimeve të sotme në shkencë e teknollogji, në shumë fshatra e zona të Shqiperisë, mund të jetë ende e frytëshme, sepse ka disa përparësi. Goricat( Pyrus communis, var. Pyreaster) gjënden gati në formacione pyjore por, edhe në s’janë aq dëndur sa na duhen, mund të mbillen. Kjo praktikë, është kryer vazhdimisht nga shqiptarët.
            Rrethimi i vendbanimeve me pyje natyrale dardhash, sipas traditës së hershme shqiptare, do të sjellë një bukuri të rrallë e të pa parë për zhvillimin e  agro-eko-turizmit. Sigurisht kjo bukuri e dardhave rreth fshatit të tij të lindjes Frashër, e ka frymëzuar e nxitur poetin e madh te Rindljes sonë Kombëtare, Naim Frashërin, të krijojë vargjet: Druri dardhësë me dardhë/ ish si zonjë sisëbardhë...  Rreth fshatrave ndoshta dhe në kurorën e disa qyteteve, pyjet me dardha do të krijojnë një mjedis tokësor e ajror me parametra më të mira jetësore. Blloqet me dardha të kultivuara në këte mënyrë, nuk bëhen pengesë për kullotjen e bagëtive gjatë gjithë vitit. Shrytëzohen mirë terrenet e thyera, të thata e pa ujë. Fitohen prodhime bio pa shpenzime të mëdha. Drurët e dardhave që rrjedhin nga shartimet, jetojnë më gjatë dhe periudha e hyrjes në prodhim, është më e shkurtër.  Shtimi klonal bën që të krijohen lehtësisht bimë në përputhje me kërkesat në ritje të njerëzve dhe në përputhje të plotë me kushtet e mjedistit të një zone të caktuar , etj. Kjo mënyrë është një sjellje tepër miqësore e paqësore e njerëzimit me bimët,  mjedisin rrethues dhe natyrën në tërësi, për t'ja dorëzuar të pa prekur e të pa cënuar brezave që do të vijnë.

            Dardha është një kulture drufrutore tradicionale e shqiptarëve. Ajo është kultivuar e kultivohet në të gjitha zonat, që nga ajo bregdetare e deri në zonat e thella malore. Nisur nga prania kudo e dardhës së egër, goricës, e cila është vendase dhe ka një afërsi gjenetike e morfofologjike me dardhën, shumë studjues kanë arritur në përfundimin se dardha e ka origjinën nga gorica dhe se kjo kulturë mund të jetë zbutur e përmirësuar edhe nga paraardhësit e shqiptarëve. Si përfundim mund të themi se ndërmjet goricës, dardhës dhe shqiptarëve, ka një histori shumë të lashtë simbioze apo bashkëjetese.. A ja vlen ti rikthehemi kësaj praktike 2000 vjeçare? Unë them se Po!

No comments:

Post a Comment