Thursday, 11 July 2024

NGA VENDLINDJA NË EMIGRACION!


Mbresa nga libri me tregime e novela " SHTEGTIMI I FUNDIT" te shkrimtarit Avdulla Kënaçi

 

nga :  Fuat  MEMELLI 

Boston, NA - SHBA

 

Fuat MEMELLI
Sapo kam mbaruar së lexuari librin me tregime e novela “Shtegtimi i fundit” i gazetarit e shkrimtarit, Avdulla Kënaçi. Në gazetari na kanë mësuar se “nuk duhen lënë mbresat të ftohen”. Vërtet kjo thënie është me vlerë, pasi ndryshe të rrëmben rutina e përditshme dhe mbresat “ftohen”. Kështu, edhe unë po i përcjell për te lexuesi mendimet dhe opinionin tim për frymëzimin që më dha ky libër i ri.

 

Një ndër veçoritë e para që bie në sy te vëllimi “Shtegtimi i fundit” është se të gjitha tregimet e novelat janë bazuar në ngjarje reale, të marra nga jeta në vendlindje dhe në emigracion. Më pas autori i ka përpunuar” në “laboratorin” e tij krijues. Dhe i ka “gatuar” bukur, duke derdhur në secilën prej tyre shpirtin e tij artistik. 

 

Mbaron së lexuari dhe bie në mendime, diku gëzohesh e diku trishtohesh për fatin e personazheve që ka vizatuar me aq talent dhe mjeshtëri.

Të vjen keq kur mbërrin në faqen e fundit dhe thua me vete: sa shpejt u mbarua libri me rreth 300 faqe! Ky është “magneti” i krijimtarisë së bukur që nuk të lëshon kollaj. Përvoja e gjatë e punës në shtyp dhe televizion, duke biseduar me qindra njerëz (ndoshta edhe me mijëra) ka qenë një përvojë e pasur për autorin dhe ai me shumë mjeshtëri na rrëfehet dhe di t’i hapë “portat e zemrës” mbarë lexuesve. 

 

Kështu ndodh te tregimi “Vështrimi që më ndoqi pas”, i cili rrëfen dashurinë e një emigranti të arratisur nga diktatura me njëmijë e një aventura, i dashuruar marrëzisht me një vajzë të ish-nën kryetarit të Degës së Brendshme, por që nuk përfundoi, pasi djaloshi nuk mundi të durojë presionin dhe u arratis.

 

Siç thotë autori: “Sado të fshehtë ta mbajë dashurinë një njeri, ka nevojë që një ditë t’ia hapë zemrën dikujt”. Dhe personazhi i tij e bën këtë në botën e lirë.  Në çdo krijim të këtij libri ka një lirizëm të bukur në përshkrimin e natyrës ku zhvillohen ngjarjet, duke nënvizuar bukur anën psikologjike të personazheve. Fjalët rrjedhin si ujëvarat e bukura të atdheut tonë.

 

 Nuhatjen prej krijuesi të këtij autori e kanë tërhequr ngjarje të veçanta në Atdheun e parë, në Shqipërinë tonë aq të dashur, si dhe në atdheun e dytë, Kanada ku ai jeton prej 15 e ca vjetësh, por edhe në vende të tjera ku ka qenë me shërbim si gazetar i diasporës në RTSH, ku jemi njohur së bashku. Shpirti i krijuesit, talenti i tij nuk njeh shtete e kontinente.

 

Ai vlon brenda tij dhe vjen një ditë qe ai e nxjerr për të shprehur “dufin” krijues si dhe për t’ia përcjellë atë gjithë lexuesve dhe dashamirësve të letërsisë artistike. “Udhëtoj” nëpër faqet e këtij libri dhe nuk di kë të veçoj se kush është krijimi më i bukur, mbasi secili ka bukurinë e tij të veçantë. 

 

Në tregimin dramatik “Kujdestarja e kojotave” çuditesh se ku e gjen forcën kjo vajzë e re, gjimnaziste kanadeze që shkon në mes të acarit për t’u çuar ushqim, kojotave, një lloj çakalli i kontinentit amerikan? Ishte dashuria dhe keqardhja e saj për kafshët e uritura që e çon në atë udhë pa kthim. Por, qëlloi që njëra prej tyre ishte shumë e egër, i vërsulet dhe e plagos për vdekje.

 

Mbyllja e tregimit ka një paralelizëm të bukur: requiemin që ajo luajti në violinë kur babai ndërroi jetë, u luajt në kishë në ceremoninë e saj mortore! 

 

Disa tregime dhe një novelë, trajtojnë fate emigrantësh shqiptarë dhe jo vetëm, të shpërndarë nëpër Botë, siç janë tregimet “Qilimi persian me thekë” “Kozmos” “Biznes në Tun” “Shpirti i arvanitasit”, novelat “Përtej oqeanit” “Vështrimi që më ndoqi pas”, etj.. Ndoshta sepse vetë autori është emigrant, e ka tërhequr kjo temë dhe e ka shtjelluar me pasion. 

 

Peripecitë e emigrantëve, dështimet, por edhe sukseset e tyre (rrallë ka emigrantë që nuk i ka provuar ato) në Atdheun e dytë ku i kanë hedhur dallgët e jetës, shpalosen në faqet e këtyre tregimeve me një realizëm e bukuri të rrallë. Disa vende i urrejnë të sapoardhurit, siç ka ndodhur edhe me emigrantët shqiptarë. I kanë përbuzur, u kanë bërë padrejtësi, u kanë ngritur kurthe, siç ka ndodhur edhe me Isuf Pezën, personazh i tregimit “Mumuja”. Por, siç thotë populli “e vërteta vonon, por nuk mënon”. Kurthi që i ngriti pronari emigrantit shqiptar duke e përplasur edhe në burg, u shkoq, doli blof. Drejtësia e vonuar u vendos dhe shqiptari u lirua nga hekurat dhe mori dëmshpërblimin e merituar për të gjitha padrejtësitë.

 

 Disa tregime të tjera e kanë “brumin” prej ngjarjeve te ndodhura në Shqipëri, siç është ai me titull “Sevda e gremisur”, bazuar në një tregim të gjyshes së autorit kur ai ishte fëmijë shkolle, por që ngjarja e treguar prej saj, nipit i ishte gdhendur në kujtesë. Pas shumë vitesh ai e nxjerr në dritë prej “arkivit” të kujtesës dhe “qindis” një nga tregimet më të bukur, megjithëse me një fund tragjik. Keqardhjes së nipit të vogël, gjyshja i përgjigjet: “Ashtu kanë qenë kohët, xhan i gjyshes, sevda e gremisur, nuk kanë faj njerëzit por koha”.  Novela “Shtegtimi i fundit” që mbyll librin dhe që është “qershia mbi tortë”, tregon lidhjen e ngushtë gjyshnip.

E tillë ka qenë kjo lidhje ndaj nuk ka dalë kot shprehja, se nipat e mbesat janë “mjalti i mjaltit”. 

 

Gjyshi jetonte në një fshat të Labërisë, ndërsa nipi ishte student në Amerikë. Gjyshit po i afron koha për t’u larguar nga kjo jetë, por shpirti nuk i del pa e takuar edhe një herë nipin e tij të dashur, krenarinë e shtëpisë. 

 

Ai vjen, kthehet pas sezonit të provimeve në atdhe dhe një ditë gjyshi e fton të shkojnë në stanin ku ai kishte qenë me bagëti. Aty i jep dhuratën që e kishte mbajtur të fshehur për vite me radhë. Ishte një dhuratë e habitshme, me florinj të varrosur nën dhe për një ditë të zezë, por gjyshi i kishte ruajtur me fanatizëm për dekada të tëra, pikërisht për ëndrrën e tij të madhe, shkollimin e nipit në Amerike.

 

Pasi i plotësohet dëshira, atë natë gjyshi vdes i lumtur. Duket si përrallë, por është ngjarje e vërtetë, e denjë për t’u realizuar një film artistik i bukur. Kam bindjen se për ata që do të lexojnë këtë libër, do ndjejnë të njëjtën kënaqësi që përjetova unë. Arti për të depërtuar në ndjeshmërinë e lexuesve, është stili. Dhe Avdullai, ish-kolegu im, me stilin e tij origjinal ka “goditur” në shenjë. Siç ka thënë Truman Capote: “Kënaqësia më e madhe e shkrimit, nuk është shkrimi në vetvete, por muzika e brendshme që bëjnë fjalët”. Dhe në faqet e këtij libri ndihet kjo “muzikë”. Presim nga ky autor vepra të tjera. Urime mik i dashur, me kryet në kontinentin amerikan dhe shpirtin në vendlindje!

 


 

No comments:

Post a Comment