Wednesday 28 February 2024

KUJTIME NGA JETA NE SHKOLLËN E KAVAJËS.

nga: Prof. dr.  Llukan TASE

Tiranë



        Kanë rrjedhur afro 60 vjet nga koha kur bashkëjetova me miqtë e mij të shumtë, që kishin ardhur ato vite në TEKNIKUMIN BUJQËSOR TË GOLEMIT NË KAVAJË. Ishin kryesisht djem dhe pak vajza , që e kishin vënë jetën e tyre në sherbim të bujqesisë. Ndoshta në atë kohë të adoleshences së tyre kishin si qëllim vetëm të arsimoheshin, sepse i përkisnin në shumicë familjeve fshatare.

 

        Ishin fëmijë të mrekullushëm, me shpirt e ëndërra të bukura për jetën dhe me dëshirë për të përfituar sa më shumë nga mësimi, në atë shkollë që e kishte zanafillën e vet shumë vite më parë e ndërtuar nga amerikani -Erichson., për teknikë bujqësije. Teknikumi i Golemit ishte edhe vazhdimësi e shkollës bujqësore të Kamzës ( ose siç e quanin ate kohë " shkolla e Dakës"). Kjo për faktin se pjesa më e madhe e pedagogëve bashkë me personelin erdhën nga Kamza Të tillë ishin :Morcka, Berberi, Prizreni, Kosturi etj. që ishin arsimuar në universitetet e Evropës perëndimore ,e po kështu erdhën edhe të tjerë si Hydi, Babani, Jorgo etj. që ishin mësues dhe edukatorë të mrekullushëm, e që të gjithë së bashku formonin nje trupë mësimore dinjitoze. Ndërsa pedagogët e lëndëve të tjera jo bujqësore , të arsimit të përgjithshëm vinin nga seksioni i arsimit në Durrës : V. Tati, F.Tartari, Ormanidhi etj.

 

Shkolla e Golemit ishte modeli më i mirë që kishin projektuar amerikanët, sipas përvojës së mësimdhënies së tyre. Në shkollë mësohej dhe bëhej jetë konvikti. Shkolla kishte sallat e blegtorisë, pemët dhe vreshtin, tokat që shtriheshin deri te livadhet e Qerretit, Shkolla kishte pularinë., makineritë bujqësore dhe ofiçinën si dhe kinemanë e madhe, ku nxenësit argëtoheshin e zhvillonin aktivitetet e tyre kulturore. Gjysmën e pjesës tjetër të jetës pas mësimit nxënësit e kalonin me cikël të përbashkët - Shkollë dhe konvikt e mbasdite studim me orar.  

 


Konvikti kishte menxën, lavanderinë, berberin rrobaqepësen, këpuctarin dhe magazinën e ushqimeve. Ndertesa e konviktit, me menxën e nevojshme në katin e poshtëm, që aqë shumë pëlqehej nga fëmijët e asaj moshe, ishte ndertuar në kohën e Amerikanit. Gjëndej në fundin e një kodrine., paksa mbi vreshtin, që shtrihej deri tek vija hekurudhore, ngjitur me rrugën nacionale. Një nga veçoritë e kësaj shkolle ishte pozicioni i gjetur, pranë plazhit të Golemit, e kordinuar kjo me klimën e detit dhe kodrinën, ku ndodheshin ndërtesat e konviktit dhe të shkollës. 

Organizimi i shkollës dhe i fermës së vogël - (E.D.E. ose ekonomise didaktike mësimore) ishte modeli i parë që ishte ndertuar prej shumë kohësh më parë në GOLEM e që ruhej edhe në kohën tonë., pa u tjetërsuar. 

 

Për organizimin e jetës në TEKNIKUMIN E GOLEMIT, bashkë me Drejtorin e TEKNIKUMIT punonin dhe tre Zv/Drejtore- përkatësisht një për shkollën, një për konviktin dhe i treti për Fermën. Nxënësit e TEKNIKUMIT TË GOLEMIT patën rastin të mësonin profesionin e agronomit të mesëm në katër vitet e studimit. Ata studjuan lëndët bujqësore e blegtorale në bazë të programit të Ministrisë së Arsimit. Nxënësit punuan ne stalla (me grupe) , si dhe në të gjitha proceset për mbarështimin e blegtorisë, punuan në bujqësi e mekanike ( në fund të studimeve u jepej e drejta e traktoristit dhe proceseve të tjera që lidheshin me profesionin e ardhshëm)

 

Atë shkollë bujqësore e mbaruan qindra e nuk e teproj po të them- mijra nxenës ( guxoj të përmend ketu edhe një fakt të rastit-agronomi më i vjetër i bujqësisë shqiptare që vdiq sivjet në moshën 103 vjeçare - Tahir Radovicka,ka mbaruar të njëjtën shkollë bashkë më shumë specialistë të kohës) . Veçoria e praktikes bujqësore zhvillohej nga pedagogu dhe mjeshtrit e prodhimit.

Këta nxënës,pas largimit nga Teknikumi i gjeta përsëri në vitet shtatëdhjetë si studentë dhe djem serioze në bankat e Universitetit, kur punova pedagog në katedren e Hortikultures.- të I.L.B. që u bë Universiteti i mirënjohur, aktualisht-U. SH. B. Tashmë këta adoleshentë ishin rritur dhe përvetësuan veç asaj që mësuan në Teknikumin e Golemit edhe bazat e shkencave bujqësore.. dhe të eksperimentimi sipas modeleve më të përparuara.,që diplomat u njohën edhe në vendet e tjera të Evropës 

 

Mbas mbarimit të studimeve agronomët shqiptarë të këtyre shkollave u bënë promotori i zhvillimit të bujqësisë shqiptare të 40 viteve . Ata përballuan detyra të vështira si specialistë e drejtues të N. B.- ve e Kooperativave bujqësore, shefa bujqësie, deputetë e drejtorë ndërmarjesh

 

MIQTË E MIJ TË TEKNIKUMIT TE KAVAJES DHE GJITHË SPECIALISTË TË BUJQËSISË,që së bashku me Ne , pak më të moshuar se Juve, përbëjmë të njëjtin brez specialistësh, po u ngushëlloj se s'kam të tjera mundësi : Mbas të këqijave që solli në bujqësinë e këtij vendi të bukur "tranzicioni", e që ishte një prapakthehu në këtë sektor jetik të ekonomisë, JAM BESIMPLOTË SE GJËRAT DUHET DHE DO TË NDRYSHOJNË. MOS HARROJMË SE EDHE FËMIJËT TANË E DUAN VENDIN E TYRE ,KU FLITET SHQIP JO MË PAK SE NEVE.

 

JU UROJ TË GJITHËVE VETËM SHËNDET E TË MIRA. JU DUA DHE U RESPEKTOJ DERI NË FRYMËN E FUNDIT O NJERËZ TË MIRË.

 

Prof. Llukan Tase

Tiranë Dhjetor 2023 

 




1 comment:

  1. Na kënaqe me këtë përshkrim prof.Llukani.Foton më të plotë të konviktit këtu e pashë.Enver Isufi.Ish nxënës më këtë shkollë.
    Enver Isufi

    ReplyDelete