Tuesday, 9 April 2019

Kokojka jonë e dashur!

Ja ç’shkruante Etieni për Kokojkën

Përgatitur nga: Ksenofon M. Dilo
Firence, Itali

Ishte kodra mbas shtëpisë sonë. Ishte e mbuluar me shkurre, thoshte gjyshi por babaj me dashurinë e pakufishme që kishte për pemët gjeti aty një hapësirë të pafund ku do të shtrinte dashurinë e tij për pemët. Në fillim ishin dhjetra, pastaj qindra pemë, të mbjella me një sistem të mrekullueshëm me distanca të konsiderueshme njëra nga tjetra dhe me një hijeshi që kush i shihte nuk mund të mos mahnitej. Kishte mbledhur pemë nga gjithë bota por nga ajo botë që kishte të njëjtën klimë me Sheperin. Ishin varietete të çuditëshme që i kish porositur e mbjellë me kujdesin që ka nëna për fëmijën. 

Njëherë vëllai shkoi dhe e thirri se e kërkonte gjyshi. Babaj po punonte për shartimin e një peme. Me doreza, me sharrën e vogël me fashat e bardha, thua se po bënte ndonjë operacion. E dinte që duhej të ngrihej sepse e thërriste Babai por nuk u nxitua të mbaronte punën e tij e cila i ngjante një lindje. A mund ta linte doktori në mes lindjen? Jo! Po ashtu edhe babaj po i jepte mundësinë pemës për të bërë një lindje, një variacion i ri do ta bënte pemën të ishte edhe mollë edhe dardhë. Durimi i vëllait po mbaronte. Gjyshi i kishte thënë që babaj duhet të zbriste nga Kokojka menjëherë. Vetëm kur mbaroi punë babai u ngrit dhe tha pothuajse solemnisht: Pesë minutat do t’i fitojmë duke vrapuar e pesë të tjera do të nai falë gjyshi. Për dhjetë minuta fituam një varjetet të ri dhe ky varietet do të mbetet për gjith jetën...

Dashuria që kishte për punën shkonte paralel me aftësinë dhe korektesën e tij. Veteriner i përsosur dhe agronom nga më të mirët. Ky ishte babai im, por mbi të gjitha një bashkëshort i mrekullushëm që bëhej copë për familjen, për gruan e fëmijët e tij. Punonte që të mos ju mungonte asgjë dhe ashtu si ishte i palodhur ishte dhe shumë i komunikueshëm me të gjithë. Dikujt i kishte shpëtuar mushkën, dikujt lopën, asistonte në lindjet e vështira dhe përpiqej që të arrinte rezultatin e kënaqshëm të mbante gjallë edhe nënën edhe të porsalindurin..dhe shumë herë kur shihte sa të këputur ishin nuk merrte pagesë.
- Thoni një fjalë të mirë për mua, -thoshte, jo që ta lypte atë që i takonte por për t’i bërë njerzit të mendonin se ajo që kushtonte dhe kishte vlerë më shumë se çdo gjë ishte mirësia. Dhe të gjithë e njihnin. 

Puna që bënte i kishte dhënë emër të mirë. . Por dashuria e tij ishte Kokojka. Aty ai humbiste dhe aty ishte ku takohej puna e palodhur me njohuritë e pamasa dhe rezultati ishte një mrekulli e vërtetë. Gjyshi tregonte: Njëherë e kuptova që do të bënte mot shumë i keq. Malja ishte në Kokojkë, dërgova ta thërresin dhe i thashë Kaliopit të mos e linte të dilte më. Ta mbante me zor në shtëpi se mali do të kërkonte kurban atë ditë. Babaj u kthye në shtëpi dhe mamaja i tha se gjyshi kishte dhënë urdhër të mos dilte nga shtëpia. Malja nuk foli. Në orën tre pas mesnate u ngrit. Kishte lënë takim me dy shokë të dilnin të prisnin tre barë me pemë që i kishin porositur nga jasht. Mamaja donte të fliste por malja nuk e la. Do shkonte se s’bën. Ishin tre barrë me pemë të rralla dhe duhej t’i sillte sepse kishte kohë që i priste. Gjyshi nuk kishte gabuar. Ishte një natë e tmershme. Në majë të Dhëmbelit morrën pemët por kuajt ranë në honin e furunës dhe nuk bënin këmbë përpara. Malja i përcolli njërin pas tjetrit të dy shoqëruesit. I pari u kthye në shtëpi të vet. I dyti nuk donte ta linte Malen vetëm, por Malja i tha se nuk ishte e logjikshme të vdisnin dy. Njëri mjaftonte! 
- Shko dhe lajmëro për ndihmë i tha shoqërusit,- dhe vetëm kjo e bindi tjetrin të lëshohej si shigjetë drejt fshatit në mes të furtunës që e bënte malin të bubullinte aq frikshëm. 

Malja e kishte mbledhur mendjen. Ishte kurbani i malit dhe i asaj furtune por më tepër kurbani i Kokojkës, për pemët e së cilës nuk kishte llogaritur as jetën. Ishte i sigurt se kish bërë gjithçka kish në dorë e qetë po priste çdo të ndodhte. I sigurt se e gjithë kjo do t’i kushtonte...jetën. Por ja që në ato momente të vështira terrin e çanë përveç vetëtimave edhe fanarët e bashkëfshatarëve. Fshati po i vinte në ndihmë. Dhe kështu shpëtoi e nuk la edhe rrënjët e pemëve që i mbolli të nesërmen me aq shumë dashuri sa ngjante me një nënë që përgëdhel fëmijët të cilët kanë dalë nga një lëngim vdekjeprurës prej të cilës shpëtuan por ndjehen akoma të dobët e kërkojnë kujdes të dyfishtë... KY ishte Male Dilo, babai im një nga djemtë e Ilia Dilo Sheperit.

No comments:

Post a Comment