Friday, 21 September 2018

Gryka e Sopotit

-Vështrim fiziko gjeografik-

nga  Zija  BASHA 
Historian dhe publiçist
Çikago, SHBA


Zija BASHA
Gryka e Sopotit ndodhet në shpat të Malit të Gjerë, pranë Lazaratit. Ajo është afërsisht 3 km e gjysmë e gjatë nga Rrathet deri në Qafën e Sopotit që është 1512 m mbi nivelin e detit. Ka një gjerësi prej Majës së Lloizit deri në Makerxhimë 1500 m. Lidhte në mijra vjet pellgun e Finiqit me pellgun e Drinos si vendkalimi më i afërt midis tyre, duke pasur rëndësi ekonomike, ushtarake në antikitet, mesjetë e kohën e re. Sipas gjeografit Profesor Mevlan Kabo dhe pohimet e gjeografit Muharem Bejleri në kohën gjeologjike të Kuaternarit mali i Gjerë gjat ngritjes(procesi antiklinal) pati një çarrje që errozioni e thelloi, e kemi sot, pas miliona vjetësh një pamje gryke malore që me bukurinë e saj, botën bimore e shtazore të pasur, të magjeps e të lumturon. 

Ne grykën e Sopotit duken qartë shtresat sedimentare të shkembënjve gëlqerore që nga koha e karboniferrit.Paraqiten në ujevarën e Sopotit në formën e shistit djeges(shtrese nafte e ngurtesuar që përmban edhe disa elemente të tjerë e që digjet si qymyri) disa shtresa të tilla që nga 5cm,7 cm, 15 cm deri ne 90 cm te trasha. Nga përroi i Honit Qëndre e deri në majën e Gropave të Trake lexohen qartë të ekspozuara nga errozioni shkëmbenjte e formuar ne miliona vjet të kohrave gjeologjike të Permit,Triasit, Jures Kretes, Kuaternarit. Ne ato lartesi malore me shtimin e pranise së fosforit shtresat gëlqerore bëhen më të lehta, më të buta dhe më të gryeshme nga ujrat duke formuar thellime shkembore vertikale që barinjtë i quajne stera. Ato jane Stera e Ngjellos, Stera e Shkozës, Stera e Qafës, Stera e Gropave Trake, Stera e Ristës, Stera e Selgjikes, etj. Koha e re Kenozoike, 66 miljone vjet më parë e deri në ditët e sotme duket e gryer nga errozioni, e ekspozuar gjat shpatit të malit që nga lartesitë deri poshtë në lindje të fshatit Lazarat, pranë shkollës fillore e Lenxate ku gurët gëlqerorë janë më të rendë nga shtimi pranisë hekurit. Në këtë kohë janë krijuar edhe shkëmbinjtë e rinj metamorfike ku nga errozioni janë krijuar edhe shumë guva që nga guva e Lazes në hyrje te Grykës e deri pranë burimit te Picunarit në këmbët e Selgjikes. Keta shkëmbinj janë krijuar nga bashkimi i guriçkave të ndryshme me njera tjetren në prani të argjilës e kriprave që dalin nga shkëmbinjtë gëlqerorë. Shumë guva ka edhe mbrapa Qafës së Sopotit, Lloizit e Makerxhimes. Nga koha e akullnajave (Plaistoceni)na ka mbetur një dhuratë natyrore,:Morena akullnajore është e qartë me të gjitha karakteristikat e sajë,10000 vjet e vjetër. Ndodhet në Qafë të Sopotit në kufi ngjitur me Makerxhimën.

Mali i Gjerë është një ngritje nga niveli i detit në formë antiklinali me majën më të lartë Maja e Frashërit mbi Mashkullorë me pak qafa si ajo e Sopotit, e Leftokaresë e Muzines. E kjo ndodhi ne miliona vjet. Kështu Gryka e Sopotit përmban edhe fosile te jetës që kur ishte nën ujé deri në kohët e vona. Errozioni ka nxjerrë mbi sipërfaqe nga shkembinjtë e copetuar fosile bimore e shtazore që përroi i Sopotit i ka transportuar e mund të dallohen në depozitimet e tij. Më 1964 vet kam gjetur në toponimin Kembet e Avdullarit në një shpellë që coptova fosile peshku. Sot çdokush mund shkojë e të gjejë fosile të tilla peshku 10 ose 15 cm të gjata në formë sardelesh të mëdha. Mesuesi Muzafer Aliko gjeti fosile midhjesh blu si ato që gjënden ne Malin e Dajtit 1200 mm mbi nivelin e detit. Këto materiale i kishim në kabinetin e biologjise së shkollës.

Tokat ne grykën e Sopotit janë të varura nga pjerësia ku vepron erozioni i cili të dy faqet e sajë të pjerta i ka shplarë nga tokat dhe nga aluvionet ka krijuar tokat e Rratheve, Shullerit e Kishes. Në vendet e mbrojtura nga errozioni ka toka argjilore në anë të Rratheve, në fund të pyllit të lajthive, në kembët e Fotos, në sheshin e Avdullarit në Gropë të Qershisë. Në Qafën e Sopotit ka toka të hirta si balta e fushës ku rritet i shendetshem bari i malit e barishte të tjera shumë të ushqyeshme për bagetitë.
Klima e Grykës së Sopotit është e butë në ultësirat e sajë të pa ekspozuara nga veriu, po është e ashpër në pyllin e lajthive e Selgjike, Maja e Lloizit qe i rreh veriu në dimër e temperatura në fund të dhjetorit e në janar arrin deri -250C. Vera është e freskët deri mesatare me temperaturë +25C. Rreshjet i kalojnë mbi 2000 milimetra në vit. Qafa e Sopotit në perëndim është shumë e pjerrët dhe erërat e ngrohta që vijnë nga deti, të ngarkuara me shi pasi perplasen pas majës së malit ngrihen përpjete rreth1000 metra dhe kondesohen duke lënë një pjese të lageshtirës e në ulje drejt grykes ulen me suferinë e rrebesh e qetesohen deri në luginën e Drinos. Fuqia e ujit gryes bie nga bimësia e dëndur dhe shtresat e trasha te zhavorit që thithin një pjesë të tijë.
Si rezultat i reshjeve të bollshme e mikroklimës gryka e Sopotit ka florë e faun mjaft të pasur. Ka 150 bimë medicinale të njohura e kataloguara e me të përmendurat janë çaji malit, rigoni, trendelina, bari murtajes,,murrizi, trendafili egër, sherbeli, sumaku, etj. Rriten gjethegjërët si bliri në pyll, shkoza, panja, krekeza, mëlleza, frasheri, arret e malit në hien e Sopotit e në shullë, ne trepet e Kurunës, Deri në vitin 1975 në toponimin gështenjat ishin 8 gëshenja gjigande në një tokë argjilore, por u prenë. Në Grykën e Sopotit e në Selgjike rritet një lule e mbrekullueshme që ka vetem ne malet shqiptare e në asnjë vend tjetër të globit. Ky është zambaku shqiptar(Lilium Albanikum). Ka bukuri të rrallë që të le pafryme. Shtohet me rizoma.

Fauna e Grykës së Sopotit është mjaft e pasur në kafshë té egra grabitqare si ujku, dhelpra, kunadhja, nusja e lales, zardafi(qelbesi qe ha kerma). Jetojnë shpendët grabitqare si sqifteri, petriti, kukumjacka, bufi e larashi. Jeton edhe mbreteresha e qiejve shqiptare, shqiponja, tek shkëmbi i Shkabave.Nga kafshët jo grabitqare jetojnë lepujt, sorkadhja që shfaqet në pranverë e që vjen nga Onga, mbrapa majës së Sopotit për t’u çiftuar në pyllin e lajthive, derri i egër vjen në dhjetor nga pylli geshtenjave të Onges. Nga brejtesit që jetojnë në Mërzim të Krishte janë ketri, macja e eger, rreqebulli. Në pyll të Sopotit nga prania e miut si brejtës i lajthive në verë ka disa lloje gjarprinjsh helmues si nepërka, gjarpri shkurtër me brirë (quhet keshtu se ka në kokë dy zhunga të vogla si bri), nepërka shigjetë ngjyrë kafe etj. Gjarpri madh "astrit: vjen në verë nga pylli i Onges për të gjuajtur lepuj e zogj. Në burimin e Sopotit jeton Salamandra, amfib i bukur me ngjyrë të verdhë e lara-lara. Në sheshe e pllaja jeton thëlleza e bukur e malit e pranë sterave të malit është gjithmonë prania e pellumbit të kaltër. Në shkëmbin e madh jetojnë dimër e verë sorrat e siliqokat me sqep e këmbë të kuqe. Gjat pranverës vijnë zogjtë shtegtarë si dallandyshja, gjoni, qyqja, kali qyqes, zogu verdhë i verës. Dy zogj të bukur që e zbukurojnë peisazhin gjeografik me praninë e tyre janë kokoshi i egër dhe qukapiku.Në verë që në mengjez të thellë e deri në mbremje kënga e bilbileve e zogjve të tjerë janë sinfoni që të kenaq shpirtin.



Në dimër me borë

No comments:

Post a Comment