Saturday 8 April 2017

ULLIRI NË FSHATIN GJORËM TË KURBINIT-NJË MONUMENT I RRALLË I NATYRËS SHQIPTARE.

                        nga: Edmond BROZI

        Ulliri mendohet të jetë dru frutor aq i lashtë sa dhe prania e njeriut në tokë. Origjina e tij vjen nga pellgu i Mesdheut dhe mendohet që zanafillën e ka në Palestinë apo Sirinë e sotme. Ulliri historikisht ka simbolizuar paqen. Në Romën e lashtë ulliri ishte i shenjtë dhe konsiderohej si pema frutore më e rëndësishme në historinë e agrikulturës. Pellgu i Mesdheut sikurse dihet ka klimën ideale për rritjen e kësaj peme, e cila dallohet për frutet e shijshme dhe vajin e prodhuar prej tyre të një cilësie mjaft të lartë. Rreth 90% e ullinjve në të gjithë planetin prodhohen në këtë zonë, ku prodhuesit më të mëdhenj janë Spanja, Italia dhe Greqia. Mjedisi gjeografik në të cilin gjendet Shqipëria ka bërë po ashtu që edhe, ilirët paraardhësit e shqiptarëve në këto troje që në lashtësi të jenë të lidhur ngushtë me këtë pemë.

           Këtë fakt na e vërteton pa as më të voglin dyshim jo vetëm gjetjet e zbuluara nga gërmimet arkeologjike të mbushura më vizatime me motive prej gjetheve apo fruteve të këtij druri dhe sidomos enët që shërbenin për ruajtje e ullijve dhe vajit të nxjerrë prej tij. Po ashtu dokumentet historike të mesjetës dhe në vijim dëshmojnë të faktuar praninë e ullishteve në të gjithë zonën kodrinore të vendit nga veriu në jug, përballë bregdetit Adriatik dhe atij Jon. Hershmëria e kultivimit të kësaj peme mund të vërtetohet edhe përmes vreshtave të vjetra dhe sidomos ekzemplarvë të rrallë midis të tillvë veçohet njëri prej tyre. Ulliri në Fshatin Gjorëm të Kurbinit. Ky është një ulli me përmasa gjigande i cili kalon çdo parashikim apo imagjinatë normale nga sa mund të mendojë dikush që nuk e ka parë, për rrjedhojë dhe i duket e pabesueshme. Dihet që pema e ullirit rritet shumë ngadalë, por që jeton shumë gjatë nëse terreni dhe kushtet klimatike janë në parametrat e duhura. Njihet tashmë fenomeni i zhvillimit industrial, pasojë e të cilit ka ardhur ngrohja globale, së cilës nuk i ka shpëtur edhe ulliri i cili është i rrezikuar. Perimetri i trungut të ullirit në fshatin Gjorëm është afërsisht 11 metra (11. 3m) e që sipas përllogaritjeve i bie që diametri i tij të jetë rreth 3.6 metra. Nga ky këndshikim nuk është e lehtë të përcaktosh moshën e kësaj peme, por nisur nga përmasat gjigande të trungut, specialistët e fushës mendojnë qe ky ulli në mos më i vjetri duhet të jetë një ndër ekzemplarët më të vjetër jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjërë në Ballkan dhe Europë. Në një shtet normal ku funksionon si duhet ligji për mbrojtjen e monumenteve të natyrës, ky ulli duhet të gëzonte mbrojtje dhe kujdes të veçantë. Kush e di sa luftërave, zjarreve apo stuhive të kohëve të ndryshme u ka mbijetuar ky ulli përgjatë shekujve?! Kujtojmë që kjo zonë ishte qendër kryesore e luftimeve të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), kundër pushtuesve osmanë, madje tek sa shëtit nëpër ullishten e Gjormit dhe më tej atë të Zhejës, lehtësisht mund të hasësh në sipërfaqe copa të ndryshme qeramike mbetje enësh të përdorimit shtëpiak, tulla, tjegulla etj. 
            Kjo tregon që kjo zonë ka qenë e banuar që në lashtësi, por që fatkeqësisht  me të nuk është marrë thuajse askush në mënyrë të organizuar për të realizuar kërkime të specializuara arkeologjike. Shumë sivëllezër të këtij ulliri të cilit kishin mundur t’i rezistonin kohërave, luftrave dhe zjarreve, këto 20 vitet e fundit, si shumë vepra të tjera të artit janë trafikuar abuzivisht duke u përdorur për të zbukuruar oborret e hoteleve apo vilave lluksoze të politikanëve, njerëzve me pushtet dhe biznesmenëve të ndryshëm, të cilët as e kanë idenë se ç’është ulliri, vetëm se ua kanë thënë dhe i janë vërsulur ta pronësojnë vetëm falë faktit se kanë para dhe mund të livadhisin si u do qjefi me pasurinë kombëtare. Nuk është e vështirë të dallosh se përreth rrënjëve të këtij ulliri janë bëre gërmime ose të paktën kështu dukej.
            Nuk duam as nuk duhet ta besojmë që është tentuar të shkulet, pasi kjo do ishte një përpjekje e kotë, thuajse e pamundur për vetë përmasat e tij. Ne urojmë që dikush mbase do jetë kujtuar për t’i ndërtuar një mur, duke qenë se dhe terreni është i pjerrët, për t’i siguruar mbrojtje nga rrëshqitja e mundshme e terrenit apo rrjedhja e ujërave sipërfaqësore kur ka reshje shiu, të cilat mund t’i rrëmojnë dhe nxjerrin në sipërfaqe sistemin rrënjor. Të mos harrojmë dhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se ky ulli dhe pas mijëra vitesh jetë vazhdon ende të prodhojë kokrra. Do ishte e kotë t’i bëjmë apel organeve të qeverisjes vendore, drejtorisë rajonale të bujqësisë dhe asaj të bashkisë, por edhe ministrisë përkatëse dhe drejtorisë së shërbinit pyjor, pasi fjalët bien si përherë në vesh të shurdhët.
Marre nga gazeta "Kurbini"

No comments:

Post a Comment