Monday, 31 August 2015

THANA – kjo Hyjneshë Pellazgo-Ilire!

            Mijëra vjet në lashtësi, thana(Cornus mas L.) si bimë vendase, ka qenë një nga bimët më të shfrytëzuar me të cilën popujt ballkanas ishin lidhur ngushtë. Përdorej për ushqim, për të bërë armët e luftës dhe të gjuetisë, veglat e punës, si bimë medicinale por dhe për zbukurime. Ka dëshmi arkeologjike se në Ballkan është përdorur për ushqimin e përditshëm të njerëzve që nga Periudha e Neolitit. Poeti romak Ovidi(Shek. I) ka shkruar:
“Toka e virgjër,
E pa cënuar nga shatat dhe plugjet
I dhuroi të gjitha,
Ato që kishin nevojë njerëzit
Dhe i lumturoi.
Në faqet e malit i mblidhnin frutat,
Thanët, manat
Dhe lëndet e ngrënëshme”

            Plini në shkrimet e tij flet për verën e prodhuar nga thanët dhe citon se në veri të Italisë thana mbillej ose përdorej si dru mbështetës në vreshtat. Ndërsa tek shqiptarët ështe traditë e herëshme tharja e frutave për ti konsumuar gjat periudhës së dimrit, bërja e rakisë, pijeve të ndryshme dhe glikosë prevede nga frutat e saj.
Disa lloje thanësh që rriten në Shqipëri

            Theofrasti( 371-287 PK) do të shkruante:  “Druri thanës ishte i fortë si një kockë dhe e përdorën atë për të bërë shtizat gjuetisë, shtizat e luftës, për shigjeta dhe shkopinj “. Ndërsa studjuesi Danez Peter Wagner pas analizave laboratorike në vitin 1971, ka vërtetuar se druri shigjetave të përdorura nga Etruskët ishin të bëra nga dru i thanës. Sipas Arrian(86 PK-160) në luftimet në Persi për të kaluar lumin Graniko, vala e parë e sulmeve të ushtrisë Aleksandrit të Madh u thye, por me ndërhyrjen e Tij, si dhe me përdorimin e shigjetave prej thane persët u mposhtën, etj..
           
Aleksandri Madh në luftë me Darin e Persisë sipas një mozaiku ne qytetin Pompei,
Itali të ndërtuar gjat shekullit të II Para Krishtit
           Thana në lashtësi  konsidrohej edhe si një “farmaci”  nga ku mund të gjeje e të përgatisje ilaçet për luftimin e disa sëmundjeve. Fruti thanës shquhet për përmbajtje të lëndëve regjëse, janë përdorur kundra përdheseve, dhimbjes kyçeve, diaresë, anemisë, dizanterisë, etj. Çajra ose lëngje me gjethet, filizat e rinj dhe rrënjët janë përdorur kundra etheve akute, sëmundjeve të lëkurës, çregullimeve gastromtestinale, tuberkulozit, etj. Shpesh në mjekesinë popullore përdorej edhe kundra sëmundjeve të rralla. Lidhur me këtë, sipas studimeve të fundit ruse, frutat e thanës mënjanojnë radioaktivitetin nga trupi njeriut..
            Prandaj, natyrshëm thana ka zënë vend në mite, zakone, rite, onomastikë, tradita, fenë dhe çdo fushë tjetër të veprimtarive të shqiptarëve. Këto, të ngulitura thellë në ndërgjegjen e njerëzve brez pas brezi kanë ardhur e çfaqen në forma të ndryshme deri në kohën tonë.
            Një legjendë e lidhur me thanën, shumë e diskutuar, përbën shprehja “Nyja Gordiane”, e përdorur edhe sot gjerësisht në politikë si metaforë kur çështjet nuk zgjidhen, ose provokojnë gjakderdhje. Legjenda thotë se karoca e mbretit Gordon ishte lidhur  fort “në mënyrë të thantë”.  Aleksandrit Madh për t’u bërë Mbret i duhesh që t’a zgjidhte këtë nyje por, ishte tepër e vështirë. Historianët ndahen në dy grupe për mënyrën se si e zgjidhi Aleksandri i Madh nyjen Gordiane. Njëra palë thotë se Ai e shpleksi duke hequr një kunjë që shpreh inteligjencën e Tij. Pala tjetër thotë se Aleksandri i Madh e preu me një të goditur të shpatës. Kjo i hapi rrugën për t'u bërë Mbret dhe për betejat fitimtare që do të kryente në Azi. Në lidhje me këtë, Hegi(1926) dëshmon se thanukla(C. sanguinea) përdorej në lashtësi për bërjen e litarëve të fortë.
            Mitet apo legjendat në Trojet e shqiptarëve e kanë Hyjnëzuar thanën, ashtu si shqiponjën nga shpendët, si drurin më të fortë, symbol i krenarisë, lirisë dhe qëndresës, prej së cilës ata bënin armët e luftimit që përshkruheshin si tmerr për kundërshtarët. Shprehja ”I thatë e i thantë”,  e përdorur dëndur në të gjitha trevat shqiptare tregon se për të qënur i fortë duhet të jesh: nga thanë, thánas, i thantë, i thanës, si thana.
            Thana për për të parët tanë ishte Kult, ishte një Hyjneshë me fuqi misterioze që të mbronte nga të gjitha ligësitë dhe të këqiat. Nezir Myrta nga Kosova në shkrimet e tij thotë se: Në Kosovë ka patur një zakon që kur fëmijët kanë vonuar të ecin, të flasin ose paraqiteshin shëndet lig, i çonin nën kurorën e një thane dhe i luteshin asaj që të përmiresonte shëndetin e tyre. “Oj, thanë jepna shëndet, fortësi, e  pjellori si Ti …”.  (N. Myrta, “Thana Ilire – Athena –Athina”, 2011). Një zakon të tillë, e ndeshim edhe në trevat e jugut. Unë kam dëgjuar të flitet deri von për një veprim të tillë. Gra të moshuara, më e madhja në fis, fëmijët që flisnin me vonese ose memecët i çonin ndëne kurorën e një thane dhe i luteshin asaj që të shëroheshin.
            Në një gojdhanë tjetër thuhet se thana ka mashtruar djajtë, xhindet, satanain. Djajtë kur panë se thanët lulëzuan të parat(thana çel lulet e para), e ngritën kampin afër tyre që të hanin frutat por, thana për të mos i ngrënë frutat e saj të këqinjtë, i poqi me vonesë, djajtë u mërzitën duke pritur dhe u larguan pa i shijuar.          
Thana në lulëzim
Një rit pagan që bëhet në Lunxhëri ditën e Një Marsit(shënohej si Dita e Verës), disa e praktikojnë dhe në ditët tona, mendoj se është rjedhojë e kësaj gojdhane. Merren degë të lulëzuara nga thana dhe bimë qumështore(Euphorbia L.), vendosen anash portës jashtëme të shtëpisë, në katër-pesë vende si dhe në dyert e kasolleve të bagëtive. Kjo do të thoshte se shtëpia(familja) do të ishte e mbrojtur nga të liqtë. Djajtë, xhindet, satanai ose te liqtë do të shikonin thanën dhe do të largoheshin, ndërsa qumështorja do të sillte bollëkun në familje. Në muajin gusht kur thanët fillonin të piqeshin, nuk më kujtohet në se kishte datë fikse, njerëzit në mënyrë simbolike, hanin thanë me kulaç të gatuar me miell nga gruri ri, për t’u bërë të fortë e për të mos u sëmurur. Lidhur me këtë ka dhe një shprehje, që thuhet për një njeri të fortë e dallohet mbi të tjerët: “Ky ka ngrënë lule të thanës”. Për këtë në fshatin Dardhë të Korçës ditën e Një Marsit(Dita e Verës) “gëlltitënin” një lule thane “për t’u  bërë të fortë si thana
            Ne qytetin e Gjirokastres fëmijët e sapolindur bekoheshin me degët e thanës për t’u bërë të fortë si thana. Pasi fëmija të kishte mbushur 40-ditëshin, në një festë ku mirrnin pjesë anëtarët e familjes, fëmija pasi lahesh me ujë kalohej 3 herë në një kurorë të thurur me degë thane të lulëzuar. Kurora përgatitesh që kur thanët ishin në lulëzim dhe mbahesh në shtëpi. Kur thanët lulëzonin(dita e Një Marsit) më i madhi/e madhja në familje i prekte fëmijët me një degë thane të lulëzuar për t’u bërë të fortë e të shëndetshëm si thana.
Shqiptarët e kanë pasur traditë mbjelljen e thanëve në kufijtë ndarës midis banesave, kjo ka të bëje me mbrojtjen nga të keqiat. Pra, thana nga para-ardhësit e shqiptarëve konsiderohej një Hyjni, ose vendi ku rinin Zanat, Orët, Shtojzavallet në mbrojtje nga të këqinjtë, ose ata që donin t’i bënin keq familjes. Mbjellja e thanëve bëhesh edhe në kufijtë ndarës midis arave, kjo do ti mbronte ato nga dëmtuesit. Në qoftë se dikush do të dëmtonte bimët ose do të priste drurët në arë, Zanat Shtojzavallet do të hakmerreshin.
            Shprehja e përdorur shpesh si metaforë edhe sot nga shqiptarët; “Ja vuri kufirin tek thana”, tregon se njeriu i lig që bën ligësira kufirin e ka tek thana, që është një mbrojtëse nga të gjitha ligësitë dhe të liqtë. Pra, deri tek thanët mund të afroheshin të liqtë. Zanat si qënie mitologjike shoqërohet nga Ora ashtu si Amazonat shoqërojnë Artemisën dhe Nimfat Dianën. Zanat dhe Orët në mitet shqiptare kanë fuqi të misterëshme. Sipas kësaj mitologjie ato kanë dy karaktere: i zbutur, i cili ndihmon kreshnikët në betejat e tyre, dhe karakteri idhnak i cili shiton (nguros) kur iu prishet qetësia. Por çfar thonë studjuesit shqiptarë e të huaj për thanën?
            Faik Konica 104 vjet më parë në një leter drejtuar miqëve në Shoqatën Patriotike “Vatra”, për ditën e verës shkruan: “Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore, me degët e thanave,…… dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi”.
           
Hyjnesha Athina në një muzeum të Athinës.
 Ne vesh ka kryqin e thyer që sipas studjuesave
shpreh kultin  Pellazgo-Ilir të Diellit.
Si një Hyjneshë Pellasge e përshkruan thanën gjithashtu edhe studjuesi Spiro Konda nga ku, siapsa tij, ka rjedhur emëri i Hyjneshës Athina në mitet greke apo emri i qytetit të Athinës. Kjo sot përbën një debat në mes te studujsave dhe historianëve. Prof. Spiro Konda në librin e tij "Shqiptarët dhe problemi pellasgjik" (Tiranë 1964, vol II), me fakte gjuhësore spjegon se emëri “Athinë” apo “Athina” rrjedh nga gjuha shqipe nga fjala “E Thanë” e cila ëshë derivat i fjalës “Thanë”. Sipas Prof. Kondës athinasit e lashtë e quanin veten “Kranian” që i thonë greqisht thanës, por kjo nuk e çvedosi dot emërtimin e lashtë Pellasg “Athinë”. Një fakt tjetër  sipas Prof. Kondës bazuar në mitologjinë që jep Hesiodi, Hyjnesha Athina lindi nga koka e Zeusit e armatosur, me mburojë dhe heshtë.
            Lidhur me këtë studjuesi pellazgollog Dhimitër Pilika(1923-2003) në librin e tij “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, Tiranë, 2005, përmend një gojdhanë të lashtë dhe shumë interesante të trevës Labërisë. Aty thuhet se një plakë nga fshati Zhulat i Gjirokastrës, e regjistruar dhe botuar që në vitin 1875, flet mbi zanafillën e Hyjneshës Athina(Thëno-Thana). Sipas saj, një mbret çalaman i ardhur nga larg tek sa po zbriste nga kali i ra sëpata dhe çau kokën e Zeusit, prej andej doli një vajzë shumë e bukur  e cila ishte e armatosur. Zeusin më pas e mjekuan dhe Ai u shërua.
            Prof. Moikom Zeqo dëshmon se: Thana për ilirët ishte një  Hyjneshë me atribute të Artemisës greke apo Dianës romake. (M.Zeqo,” Panteoni ilir", 1995).
            Prof. Eqerem Çabej ështe marrë shumë me Thanën apo Zanën siç e quan ai, si një Hyjneshë ilire. Ashtu si helenet nderonin Artemisën dhe romaket Dianën, sipas shkencetarit tonë të shquar Eqerem Çabej, iliro-shqiptarët nderonin hyjneshën Zana, e cila ishte mbrojtësja e pyjeve, e livadheve, e korijeve, e burimeve të ujit dhe e lumenjëve, ishte dhe zonja e gjuetisë, e dritës se hënës, e kafshëve të egra, pra mbrojtëse e gjithë natyrës dhe hyjnesha e pranverës.(Prof. Lutfia Alia, “Zemra Shqiptare”, 2014).
            At. Gjergj Fishta thotë se Zanat jetojnë nëpër male. Ai e krijoi figurën mitologjike të Zanës sipas lëndës mitologjike, që gjallonte në popullin tonë, prandaj vargjet e veprës së tij “Lahuta e Malcisë” u mësuan përmendësh edhe nga njerëz që nuk dinin shkrim e këndim.
         Sipas Prof. L. Alia: “Ekziston dhe një shpjegim i A.Meyerit, i cili thote se tek emëri ilir Thana, mund të ruhet një shkallë e vjetër e shqipes e emerit Zana”, të cilën Çabej e quan si variant i pranueshëm. Ky version është bindës, si sugjerohet nga disa zbulime arkeologjike në trevat e banuara nga ilirët në Kroacinë e sotme, ku janë gjetur shumë mbishkrime me emrin e hyjneshës Thana, çka sugjeron opinionin e Mayer, se emëri Thana është forma arkaike e emërit Zana. Këtu na vjen në ndihmë arkeologjia, e cila na dëshmon se në Bosnjë e Kroaci janë gjetur altarë votivë (blatues) me figura hyjnishë e me mbishkrime ilire në trajtën "Thana patrono- Thana padrone" apo "Thana et Vidaso".
            Stjuduesi Aleksandër Stipçeviç ne librin e tij “Ilirët” për Hyjneshën ilire Thana shkruan: “Nji hyjni tjetër pajtore e burimeve, ishte Vidasusi, gjithëmonë i shoqnuem në monumente nga shoqja e tij Thana. Katër altarë kushtue këtij çifti janë gjetë në Topusko, në Kroaci, afër nji burim uji mineral. Në të njajtin lokalitet janë gjetë mbaturinat e nji faltorje kushtue Silvanos si dhe shumë altarë tjerë me emnin e kësaj hyjnie romake. Në bazë të këtij fakti, studiuesit kanë konkludue me të drejtë se Vidasusi në besimin ilir ishte i ngjashëm me atributet e tija me hyjninë pajtore të burimeve pyjevet, fushavet, me Silvanon dhe si rrjedhim në emnin Thana asht mshefë hyjnija ilire e gjuetisë, të cilën shkencëtarët e kanë identifikue me hyjninë romake Diana. Vidasusi e Thana (por ndoshta në vise tjera këto hyjni kishin emna tjerë), kishin nji randësi të dorës së parë në panteon në pjesën ma të madhe të popullatës ilire, ..”
        
           Emëri “thanë” për shqiptarët kudo që janë çfaqet dhe si patronim, është mbiemër për shumë fise  në forma të ndryshme si: “Thana”, “Thano”, “Thanu”, “Thanza”, “Thanasi”,  “Nasi”,  “Athanas”, Thani, “Thanati”, etj. Këta mbiemëra janë  shumë të përhapur e të shpeshtë tek shqiptarët. Në fshat kishim tre familje që mbanin mbiemërin “Thanati” e për çudi në kopshtet e tyre kultivonin thanë deri në ditët tona. Këtë e dëshmon dhe Dr. Jorgo Thanati në librin e tij për fshatin Selckë, Gjirokastër.  
         Duke qenë të lidhur kaq shumë me bimën e thanës të parët tanë doemos do ta pasqyronin dhe në emërat e trashëgimtarëve të tyre si sinonim të trimit, i të fortit, rezistentit. Emëri “Thanas” i ndeshur shpesh jo vetëm në trevat shqiptare por edhe në Ballkan e më gjerë, tregon për prejardhje nga shqipja e vjeter. Nuk besoj se mund të ketë në gjuhët e tjera një spjegim etimologjik si në gjuhën shqipe.  Ky emër e dëfton vetë prejardhjen shqiptare; nga thanët, nga të thanës, i fortë si thana. Than-as ashtu si: breg-as, vend-as, kavaj-as, tiran-as, etj. Vendosja parashtesave e mbrapashtesave, nuk e kanë mënjanuar dot  rrënjën nga buron ky emër. Sipas N. Myrtës:
            “Antroponomet shqipe: Thani, Thana (Fana), Athani, Athanasi, Thanasi,
Thanora,  lidhen me emrin - Thana illire si Perëndia e të njohurës e diturisë
së lashtësisë.  . . .”. Këtu mund të renditen dhe emrat: Tano, Tanush, Tana, etj.
            Në Onomastikën Iliro-Shqiptare, fjala  “thanë”, “thana”, “thanët”, etj. i gjejmë kudo si mikrotoponime në Trojet Shqiptare, në arbëreshët e Italisë si dhe në arvanitasit e Greqisë. Këto vende ku ritet me shumicë bima e thanës mund ta kenë zanafillën edhe nga faktorë njerëzorë, në te cilat për ta vertetuar mund të kryhen edhe studime. Të njohura janë toponimet “Qaf-Thanë” në Pogradec dhe  “Lugu Thanës” në Kumanovë, Maqedoni. E ndeshim dhe në emëra fshatrash “Thana”: në Lushnjë, Fier, Elbasan, etj.
Literatuara:
         1.   “Flora eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri, Tiranë - 1981
         2.     “Bimët e Egra të Dobishme e të Dëmshme të Vendit Tonë” M. Demiri, Tiranë - 1979.
3.      “Inventar - Bimët mjekësore aromatike dhe frutore të egra në Kosovë” nga Prof. Dr. Fadil Millaku
4.      “USDA Natural Resources Consrvation Service, Plant profile, Cornus mas L, Cornelian cherry”http://plants.usda.gov/java/profile?symbol=COMA21#
5.      “Cornus mas will bloom very early” by L. Reich; “lawn & garden” newspaper; June 16, 1995
6.      “The trees of America” by D.j. Browne,  New York 1846
7.      “OM OLDTIDENS ANVENDELSE AF KORNEL”  af P.  WAGNER” Botanisk Centralbibliotek, Gothersgade 130, 1123 København K
8.      The EC project GENRES 29: "Conservation, evaluation, exploitation and collection of minor fruit tree species" by E. Bellini – 1996
9.       «Interactive Agricultural Ecological Atlas of Russia and Neighboring Countries. Economic Plants and their Diseases, Pests and Weeds» 2003-2009 Project
10.   “ Dendronymica Albanica,
a survey of Albanian tree and shrub names” by R. Elsie. Published in: Zeitschrift für Balkanologie, Wiesbaden, 34, 2 (1998), p. 163-200.
11.   “How to grow: Cornus mas” by U. Buchan “The telegraf”  Feb. 2012
12.   “Fjalor i Bujqësisë Shqip, Latinisht, Italisht, Rusisht” Doc. Niko Qafezezi , Tiranë 1978
13.   Stewart, Michael. "Thanatos", Greek Mythology: From the Iliad to the Fall of the Last Tyrant. http://messagenetcommresearch.com/myths/bios/thanatos.html (November 14, 2005)
15.   “ Uncommon Fruits Worthy of Attention A Gardener’s Guide” by L. Reich, New York 1991.
16.   “ DESCRIPTION OF CORNELIAN CHERRY “  by C.Gr. Tsipouridis  National Agricultural Research Foundation - Pomology Institute (NAGEF-PI)  Naoussa – Greece
17.   “ Spiro Konda, i Pari Shkencëtar që Mbrojti Tezën e Prejardhjes së Shqiptarëve nga Pellazgët”  (E. Cenolli, gazeta “Kritika”2008)
“Selected cultivars of cornelian cherry (Cornus mas L.) as a new food source for human nutrition”     by Otakar Rop, Jiri Mlcek, at all  (Department of Natural and Informatics Sciences, Faculty of Central European Studies, Slovak Republic, 2010.)

No comments:

Post a Comment