Sunday, 4 June 2017

VȄRSHIMET E NJȄ PYLLTARI

Me rastin e 60 vjetorit të lindjes

 nga: Dr. Selman MEZIU
Ing. Kleanthi MANDI
           
Gjon FIERZA 
Heshtjen e atij mëngjezi e theu një e qarë fëmije. Ushtuan grykat shkëmbore, honet, shpatet e majë malet hijerandë. Një jetë më shumë, një gëzim e buzëqeshje kënaqësi ndjellëse. U rrit në gjirin e fshatit të Pultit, aty ku këndohen kangë kreshnikësh, të ugarave e dëgjohet melodia e amël e fyellit të bariut. Aty ku burojn ujra burimesh të kthejllta e të ftohta. Aty ku qingja e keca kërcejn e hidhen nën cicërimat e zogjeve krahëlehte. Aty ku bora zbardh gjithëçka dhe era ledhatuese e pranverës kundron aromë lulesh shumë ngjyrshe.
         Por i riu Gjon Fierza duhet të zbriste në qytetin e Shkodrës me studime. Qëllimi të mësonte se çfarë fshihej në kraharorin e natyrës. Si mund të depërtohesh në botën e brendshme të pyllit, për të zbuluar funksionimin, biologjik, fiziologjik, silvoteknik të tempujve të gjelbërt. Që kur bimëzat buisnin nga farat e deri në kollona gjigande prodhuese, argëtuse, shëndet formuese, çerdhe të mijëra mikro e makro organizmash, në bashkëveprim, ndërthurje jetësore e kolektiviteti.
         Djaloshi hyri në një botë krejtësisht të re. Me gjimastik mëngjezi duke filluar nga ora pesë e gjysëm, më pas ngrënia e marmalatës, reçelit, gjalpit, çajes së nxehtë me sheqer e deri tek studimi i detyrueshëm. E kështu me atë regjim të fortë disipline, në çdo veprim individual shoqëror, formohesh karakteri i tijë. Në ngjitjen në vite, plotësohesh kështu mozaiku shkencor, profesional i teknikut të pyllit. Por jo thjesht e vetëm kjo, sepse ai e mbaroi atë me rezultate të shkëlqyera, kështuqë duhesh të hidhte hapin tjetër. I cili kushtëzohesh me një rikthim në jetën e pyllit, në ruajtjen e tij, në njohjen e impulseve të prodhimit, shumimit e zbatimin praktik të disiplinave shkencore që kishte mësuar për katër vjet në Shkollën e Mesme Pyjore. Pylltari Fierza u hodh në krahët e natyrës, me ballin lart, duke iu gëzuar rrezeve të diellit që çanin mbulesën e gjelbërt, por edhe yjeve që xixëllonin në muzgjet e netëve të vona, kur udhëtimet ishin të gjata në shërbim të pyjeve të vendëlindjes. Pa mëdyshje ai vështronte larg në horizontet e ardhmërise se jetës profesionale dhe si pultian me pjekuri intelektuale gjithnjë e në formim shumë planësh gërryente në të fshehtat e kohërave.
         Dhe ja momenti tjetër gëzim shumtë, duhesh të pregatiste valixhen e drunjt e të krijonte një shoqëri të re, sigurisht me të ardhur nga e gjithë shqipëria por me objektiva të reja edhe më të vështira. Beteja do të ishte tepër e rreptë, por i riu Fierza do ta realizonte shkëlqyer deri në diplomim si inxhinier në Fakultetin e Pyjeve në Institutin e Lartë Bujqësor Kamëz, Tiranë, në sajë të vullnetit të tijë, të pasionit, këmbënguljes e disiplinës të studiuarit rregullisht.
         Tanima ai vërtet do të përqafonte, natyrën në kompleksitetin e vetë tokëformues e bimë shumues, rritës dhe prodhues sipsa silvo biologjisë e silvoteknkës, në masivet e pishnajve të Tuçit, Lumbardhës, Qafës se Malit, Livadh Kabashit, Stramaj, në mjaft zona e siperfaqe të pishnajave e ahishteve të kryqytetit të pyjeve shqiptare në rrethin e Pukës. Gjon Fierza në Ndërmarrjen e Shfrytëzimit Fushë Arrëz, do të ndiqte gjurmët, veprat, këshillat, udhëzimet e dhjetra e dhjetra teknikë e inxhiniera pyjesh që kishin kaluar në ‘’universitetin,, e prodhimit të kantjereve të shfrytëzimit, përpunimit të lëndës drunore si Mihallaq Kotros, Bajram Xhekos, Piro Gjometikut, Hazis Mankes, Anesti Postolit, Vito Koçit, Selim Dinit, Kastriot Selimit, Shpëtim Myrtos, etj.
        Inxhinieri i sapo diplomuar do të hartonte projktet teknologjike të shfrytëzimit të Stabilimentit të Tuçit, do ti ndiçte ato në zbatimin hap pas hapi duke kryer një shfrytëzim racional dhe duke siguruar ripërtritjen e domozdoshme në sipërfaqet pyjore për pesë vjet. Me plotë net pa gjum, me djersët çurg nga punimet në zyrë dhe ece-jaket në terren me sharrtarët e kamionistët. Duke ndjekur me përgjegjësi teknike e ndershmëri, ai fiton respektin e kolektivit inxhiniero teknik të ndërmarrjes së shfrytëzimit Fushë Arrëz. Ishte kjo arsyeja që inxhinier Gjon Fierza emërohet si Kryetar i Degës Shperndarjes ku e kreu këte detyrë për dy vjet e më pas në tre vite emërohet si Kryetar i Deges Teknike, në Ndermarrjen e Përpunim Drurit, Fushë-Arrës, Pukë. Dhe jo vetëm kaq por ai krijon familjen dhe me përkujdesje atërore i arsimon, i edukon fëmijët e tijë, në qytetin e sharrtarëve dhe të minatorëve.
        Me ndryshimet e thella politike e ekonomike që po ndodhnin me shpejtësi e plotë dallgëzime në Shqipëri, inxhinier Fierza në vitin 1993 shkëputet nga qyteza e sharrxhinjëve dhe emërohet Inxhinier në Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, Lezhë ku për katër vjet kryen me përgjegjësi profesionale detyrën e Shefit të Seksionit Teknik. Duke treguar aftësitë e tija profesionale tani ma në fushën e silvobiologjisë, ai realizon me sukses projektin e parë pilot në shqipëri për pyjet e Komunës Blinisht Lezhë nën drejtimin e USAID-it, në vitin 1998.
       Ambicjet profesionale, kërkesat për një jetë sa më me pak probleme në këtë periudhë kohe plotë trazira e thellim të pandalshëm të varfërisë ekonomike e krizës morale, e shtynë inxhinier Gjonin të transferohet nga Lezha në Institutin e Kërkimeve Pyjore e Kullotave, Tiranë, si punonjës shkencor në Sektorin e Silvikulturës i emëruar si kërkues shkencor për mbulesën bimore, ndikimet e pyllit për mbrojtjen e tokës nga gërryerjet, përgjat dy vjetëve. 
        Që në këtë moment Inxhinier Gjoni filloi të marrë tiparet e një kërkuesi shkencor por ai do të ndërmarrë persipër një punë të re e cila ishte gërshetim i punimeve në pyjet shqiptare dhe pregatitja e materialeve me karakter njohës, botimimin e Buletinit Informativ mbi dukuritë që ndodhnin në pyje dhe kullota, përafërsisht dy vjet (2002-2004). Kjo punë i shërbeu atij si auditor i gjallë në propogandën e shumëfisht mbi pylltarinë e cila po ndiente krizën e thellë në politikat pyjore, në ndryshimet e thella që do të duheshin kryer në pronësi, ligje organizim vertikal e horizontal.
        Nga këto vite inxhinier Gjoni shprehu dhuntinë e tijë në të shkruarin e artikujve të ndryshme mbi pylltarinë dhe figura të ndryshme të teknikëve e inxhinierëve të pyllit, në gërmimet në historinë e pylltarisë shqiptare, në arkivimin, skedimin e materialeve e fakteve, në fushën e shkencës së pylltarisë, të historisë, të veprimtarisë së inxhiniereve e teknikëve të pyjeve në të gjiha periudhat historike.
Vitet kalonin përmes konjukturave, ngarkesave të hakmarrjeve politike edhe në kurriz të specialisteve të pyjeve, megjithatë inxhinier Fierza, në këto momente të vështira, gjenë kohën të hulmutoi, të punoi sistematikisht për t’u paraqitur para specialistëve të pyjeve e lexuesve në pergjithësi me librat: ‘’Prodhimet pyjore jo drusore në Shqipëri.,, (monografi) sëbashku me Prof Kristo qendron, Dr. Arben Peton, dhe ‘’Zonat e mbrojtura natyrore, parqet kombëtare të Shqipërisë.,, sebashku me Prof. Maxhun Didën, inxh. Nihat Dragoti dhe Genti Kromidha, botime të vitit 2004.
        Preh e një demokracie në formim e sipër dhe e garave kryeneçe të partive politike kemi ndërrime qeverish të shpeshta përgjatë dhjetë vjetëve të cilat ndikuan në emërimet e inxhinier Gjonit nga shef seksioni i Silvikulturës dhe Burimeve pyjore në Ndërmarrjen e Shërbimëve Pyjore Tiranë në periodhën 2004 - 2006. Dhe përsëri në Ministrinë Mejdisit tanima si Specialist i trajtimit të burimeve pyjore. Pas më pak se katër vjet rikthehet në Ndërmarrjen e Shërbimit Pyjore të Tiranës në Shkurt të vitit 2010 duke e u larguar në Mars 2014 në Agjensinë Kombëtare të Mjedisit. Të gjitha këto lëvizje, me ndryshime drejtuesish partiak deri në palcë të ideoligjizuar dhe jo specialist të pyjeve e me një filozofi drejtuese abstrakte e nallbançe si dhe me specialist, me nivele të ndryshme teoriko shkencore e praktike, inxhinier Gjoni mjedisohesh, përshtatesh duke formuluar me korrektësi dhe përpikmëri dokumentacionin teknike, po kështu ndërtoi edhe marrdhëniet me kolegët.
        Në ekonomitë pyjore të rretheve apo bashkive të gjithë shqipërisë, në ngastrat e nëngastrat ai përsëri fotografonte, shënonte, maste, vëzhgonte me imtësi botën e gjallë e të brendshme të pyllit jepte mendime. Më pas shkruante relacione dhe artikuj, skedonte dhe pregatiste dokumentacionin e kërkuar. Ai vazhdonte të ishte një specialist që kërkonte shumë nga vetja për të sjellur të rejat në trajtimin, qeverisjen e pyjeve, të ekologjisë, të vlerave ekonomike.
       Inxhinier Gjoni punoi njëkohesisht me këmbëngulje, me vulllnet dhe me synime për të arritur suksese të shkëlqyera në studimet pas universitare në gjashtë disiplina të Silvikulturës. Ku ai mbrojtji edhe temën shkencore: “Produktet pyjore jodrusore. Potenciale dhe mbarështrimi i qëndrueshem i tyre,, dhe në Mars 2010 merr Diplomën:“Master në shkencat Pyjore.,,
      Si specialistë pylltar punë shumtë ai ka marrë pjes në veprimtari të shumta konbëtare të pyjeve, shoqatave të ndryshme, Fakultetit të Shkencave Pyjore, duke kryer rolin e një pasqyruesi besnik me aparatin e tijë fotografik me shkrimet në organe të ndryshme të shtypit shqiptar e informacioneve, duke sjellur në pylltarinë shqiptare kontribute me vlera historike, edukative e njohëse. Krahas monografive të shumta ai me bahkautorët, inxhinierët Mehmet Metaj e Haki Zoto shkruajtën librin me titull: ‘’Pylli dhe njeriu,, Tiranë 2012. I cili do të mbetet në fondin e literaturës së pylltarisë shqiptare si i pari krijim mjaft i arritur, me mision edukimi, njohje shkencore e ekologjike të ekosistemit pyjor.
      Ndersa një vitë më vonë tanima enciklopedisti i pylltarisë së sotme shqiptare Msc Gjon Fierza del para pylltarëve shqiptar me librin historik: ’’Pyjet dhe shërbmi pyjor shqiptar në vite,, edhe në këtë rast me bashkëautor inxhinierët Kolë Malaj e Janaq Male. Puna e tijë sistematike, kërkuese, zbuluese, bashkëpunuese më shumë se dhjetëvjeçare në mbledhjen e materialeve të shkruara, dokumentev, shtjellimin i tyre, në marrjen e intervistave të inxhinierave e profesorëve të shkencave të pylltarisë shqiptare, Msc Fierza hodhi themelet e historigrafisë së pylltarisë shqiptare, me një punë plotë sakrefica, lodhje, tendosje nervash dhe netë të tëra të pa gjum.
       Po t’iu hedhësh një vështrim librave, monografive, artikoujve të tijë të shumtë, ai i ka shkruajtur pothuajse sëbashku me kolegët e tijë, duke shprehur kështu zemërgjërsinë, shpirtin e kolektivitetit, të respektit e vlerësimit të tyre. Duke pasqyruar kështu jo vetëm pylltarin e apasionuar e dashuruesin e mjedisit natyrore e pyjor, por, edhe shpirtin e tijë të gjërë, çiltërsinë, aftësinë komunikuese e frymën e bashkëpunimit, duke sfiduar pastërtisht e me plotë guxim e dinamizëm, kohën e pamoralshme, meskine e egoiste.
       Gjatë gjithe veprimtarise së tijë në pylltarine shqiptare, Msc Gjon Fierza nuk ka patur hemoglobinë e gjithëfarë llojshme qe të ishte ajo, që ta ndalonte të shprehte aftësitë profesionale nëpërmjet projekteve të shumta, librave, artikujve, radio televizionit, mbledhjeve, konfercave, rrjeteve sociale. Ai në festimin e gjashtedhjetë vjetorit të lindjes vjen me shpirtin e tijë klorofilian, me kurorën e gjelbërt të arritjeve, të respektit e dashurisë së kolegëve pylltar dhe gjithëkush që e ka njohur në vitet e jetes dhe të punës.

25.04. 2017 Inxh. Kleanthi Mandi
Dr. Selman Meziu



Friday, 12 May 2017

“ PEMTARIA DHE VRESHTARIA TRADICIONALE E ZONES TE LIBOHOVES,VLERE E VECANTE NE ZHVILLIMIN E EKOTURIZMIT”.


  nga Agr. Besnik ISMAILATI
Bashkia Libohove, Qarku Gjirokaster 


        
Besnik Ismailati
Kultivimi i hardhisë, i pemëve të ndryshme frutore, ullinjve apo edhe i agrumeve dhe i kulturave të tjera të shumta bujqësore në zonën e Libohovës, i përket një periudhe shumeshekullore.
         Për vetë pozicionin e saj të favorshëm gjeografik në juglindje të Gjirokastrës, e shtrirë në një lartësi 300-800 m mbi nivelin e detit, e shoqëruar me një klimë mesdhetare, me toka livadhore, kodrinore-malore, pjellore e të kulluara, me burime ujore të përshtatshme për vreshtari e pemtari, e mbi të gjitha e banuar nga njerëz punëtorë e të ditur, të pasionuar fort pas bujqësisë dhe blegtorisë, Libohova përbën një dëshmi dhe përvojë të pasur në zhvillimin e bujqësisë tradicionale shqiptare biologjikisht të pastër, produktet e së cilës i kanë kaluar kufijtë shqiptare në çdo etapë historike të zhvillimit ekonomiko shoqëror të vendit.
         Libohova dallohet për kultivimin e shumë llojeve të pemëve frutore. Mund të pohojmë me bindje të plotë se ndoshta vetëm në Libohovë e ne zonat rreth saj të jepet mundësia të shijosh gjatë gjithë vitit llojshmëri frutash, perimesh e produkte blegtorale të prodhuara ne menyre tradicionale e biologjikisht te pastra: si mana, qershi, kumbulla, dardhë, fiq, mollë, thanë, shegë, lajthi, bajame, pjeshkë, ullinj, ftonj, rrush, gorica, çerçeme, portokalle, limona, mandarina, luleshtrydhe e deri te kivi, si të freskëta ashtu edhe të përpunuara apo të thata.
         Nga llojet specifike me te perhapura te bimeve te ndryshme natyrore e te rritura e te kultivuara prej shume kohesh me pare e qe vazhdojne te kultivohen e te rriten edhe sot ne zonen e Libohoves mund te permendim:

BIMET MEDICINALE TIPIKE TE ZONES:
1. Çaji Buretos

2. Sherebela e Buretos
3. Apistia
4. Salepi

5. Rigoni
6. Bliri i Kuq i Laboves se Kryqit”

PEMET FRUTORE TIPIKE TE ZONES:
1. Bajamja e Libohoves
2. Ulliri Vajes i Libohoves

3. Mani i bardhe dhe Mani i zi
4. Fiku i zi i shkruar i Nepravishtes
5. Ftoi kokermadh i Nepravishtes
6. Arra e Laboves se Kryqit
7. Dardha dimerore e Suhes
8. Rrushi Debina e Libohoves dhe e Laboves se Kryqit
9. Rrushi Razaki i Libohoves

PERIME TIPIKE TE ZONES:
1. Bamja e Nepravishtes
2. Hudhra e Libohoves
3. Patatja e Laboves
4. Qepa e bardhe e Laboves
5. Qepa e kuqe e Suhes
6. Barbunja e shkruar e Nepravishtes
7. Barbunja Aishe Kadena
         Gjurmët e lashta të vreshtave të Revanisë, Kopenikut, Kalloeres, etj. me Debinat e famshme për prodhimin e rakisë, apo Razakitë e jashtzakonshme që mund ti shijosh në tavolinë të freskëta deri vonë në dimër, fiqve të zinj të shkruar, të bardhë, abrashë, shëngjinas, çepellato, të rrallë në të gjithë vendin, manave të bardhë e të zinj për ngrënie, pekmez e stafidhe, dardhëve elbësore e deri tek ato dimërore, shegëve të ëmbëla e majhoshe, kumbullave të verdha e të kuqe, të freskëta apo edhe të thata, ullinjve të shijshëm per vaj e per ngrënie të zones , dhe akoma më tej, “Bostani i famshëm i Beut” i cili përbënte një kopsht të shkëlqyer e te vecante botanik, me të gjitha llojet e pemëve, luleve, shpendëve të buta e të egra, zogjve e bimëve të tjera (i cili për fat të keq është shpërbërë), sot trashëgohen në çdo kopesht e familje libohovite.
         Veçori dalluese kryesore e prodhimeve tona bujqësore e blegtorale ka qënë dhe mbetet pastërtia e tyre biologjike e kimike me shije të veçantë e të jashtëzakonshme e me vlera të mëdha shëndetësore.
         Kontributi dhe përvoja shumëvjeçare e shumë specialistëve dhe mjeshtrave libohovitë në pemtari, perime,vreshtari, blegtori e në degë të tjera të zhvillimit të një shkence të mirëfilltë bujqësore tipike tradicionale shqiptare e të gërshetuar me mjeshtëri me përvojën botërore, përbën çelësin kyesor të punës pasionante e frytdhënëse të çdo libohoviti.
         Tavolina e pasur libohovite e shtruar me rakinë dhe veren e saj specifike, mishin e qengjit e të kecit, djathin e famshëm e të rrallë në të gjithë vendin, perimet e freskëta e të përpunuara sipas traditës , i ka lënë të mahnitur mjaft vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë patur rastin ta shijojnë atë në familje apo edhe në lokale të ndryshme libohovite.
         Në ditët e sotme frutikultura dhe vreshtaria në Libohovë perbëjnë një nga prioritetet e fermereve libohovite. Kurora e saj e gjelbër e shtrirë nga kodrat e Mendarit në veri e deri te Përroi i Madh në kufi me Nepravishtën në jug, nga kodrat e Revanisë rrëzë Malit te Buretos mbi qytet nga lindja e deri poshtë në fushën e Drinos në perëndim, i jep zonës tonë një pamje piktoreske të veçantë në të gjithë rajonin e Gjirokastrës.
         Ne te gjithe zonen e Libohoves jane te shumta monumentet e natyres e te kultures te trasheguara nga e kaluara,te cilat kane nje vlere te vecante kulturore dhe historike. Nga me te permendurat dhe me me vlere per vizitoret mund te permendim:

MONUMENTE NATYRE TE ZONES:
1.Rrapi shumeshekullor i Libohoves

2.Burimi i ujit te pijshem te Zhepes ne Libohove
3.Rrepet e Lozes (Vithimat e Lozes)
4.Shpellat e Kalistase
5.Guvat e zeza ne Kodrat e Revanise
6.Kodrat e Revanise
7.Kodra e Mendarit
8.Kodra e Lardhomit me pisha
9.Kodra e Aniles
10.Livadhet e Stojanit
11.Bregu i Cuprelit
12.Bregu i Zervoit
13.Bregu i Doftise
14.Geshtenja e Nepravishtes (Kapsaq)

15.Bregu i Lejlekut
16.Rrapi i Stegopulit
17.Shpellat e Tajos
18.Mali i Buretos, 1763 m i larte dhe 14-15 km i gjere
19.Rezervuari i Doftise


MONUMENTET E KULTURES TE ZONES:
1. Sarajet e Mufit Beut

2.Kalaja e Shanishase

3.Kulla e Sahatit e ndertuar ne fillim te shekullit XIX

4.Porta e Isufateve

5.Varret Pagane

6.Varret monumentale (Varri i Shanishase dhe i Mufit Beut)
7.Teqeja e Melanit ndertuar ne vitet 1800

8.Kisha e Laboves e ndertuar 1500 vjet me pare

9.Kisha e Stojanit
10.Teatri i Adrianopolit

11.Mekami i Oguz dhe Demir Babait
12.Ura e Zonjes ne Lumin e Suhes

13.Qyteti Antik i Antigonese



Se fundi ja edhe disa te dhena fare te shkurtera historiko-gjografike per Libohoven te cilat tregojne lashtesine dhe bukurine e saj:
Emri i pare i Libohoves ka qene Dryopi=dru;lis;pyll; natyre
Emri i sotem eshte mare ne shekullin e VI -te eres se re kur keto vise u pushtuan nga sllavet.
Libohove do te thote= vend i dashur, vend i bukur.

DISA TE DHENA GJEOGRAFIKE:
Lartesia mestare e qytetit mbi nivelin e detit eshte 731 ml
Gjeresia gjeografike eshte 40.03 grade
Gjatesia gjeografike eshte 20.27 grade
Siperfaqja e vijes se verdhe eshte 260 ha
Në rast se në vënde të tjera, zona të veçanta janë shpallur “Zona të mbrojtura bujqësore e blegtorale për prodhime të pastra biologjike”, Libohova me të gjithë zonën e saj përreth e gëzon nga natyra e saj e pasur këtë privilegj, me florën dhe faunen e saj të pasur e te vecante.
Pergatitur nga

Agr.Besnik Ismailati


Thursday, 27 April 2017

Skicë lakonike për Libohovën e pavdekshme

                                         nga Moikom Zeqo 
Është shumë e vështirë (entropi, gati titanike) të shkruash diçka siç duhet, meritore, për gjërat, që do më shumë, që janë padyshim, më emblematike dhe eterne.
Kështu më ndodh kur dua të shkruaj për Libohovën, vendlindjen e babait tim.
Si arkeolog kam përgjegjësinë që nuk kam hulumtuar ende historinë e kryehershme dhe gjenezën antike të Libohovës. Ç’paraqet Libohova në histori?
Sa e lashtë është Libohova?
Pse nuk është shkruar historia e saj e antikitetit dhe mesjetës? Pse vallë? Si ka mundësi?
Banorët e Libohovës e duan me gjithë shpirt dhe mrekullisht Libohovën.
Libohova është edhe Jerusalemi edhe Meka e libohovitëve.
Njerëzit i takojnë substancës, pra banorët e Libohovës janë ngjizur nga struktura materiale e Libohovës në shekuj dhe kështu janë sinkronizuar bashkë! Përjetësisht!
Libohova si qendër urbane është shumë e hershme, të paktën që nga shekulli IV-III para Krishtit! Pse e them këtë? Në luginën e Dropullit të sotëm, në Jugun e Shqipërisë që është edhe e Epirit iliro-shqiptar, qendra kryesore urbane, si thelbi organizues dhe administrativ është qyteti i rëndësishëm antik i Antigonesë, i ndërtuar nga Pirroja i Madh, për nder të gruas së tij Antigonës!
Qyteti i Antigonesë i ndërtuar në mal dhe i fortifikuar shpreh situatën e luftërave të kohës dhe të mbrojtjes.
Antigonea është sekreti i madh i një vargu qytezash ilire të quajtura si “qyteza asteroide” si Libohova, Labova, Melani etj, që qenë shumë të rëndësishme për kryeqendrën Antigonea në të gjitha kuptimet.
Në këtë periudhë antike Libohova ka patur një emër fillestar, antik.
Studiuesi i madh i hartave të vjetra, Kiperti, në bazë të gradëve dhe dimensionimit real gjeografik, me pozicionin e sotëm të Libohovës vendos një qytet të lashtë me emrin Orestia, te tjere,ose qytetin Omfalion,madje edhe qytetin me emrin Elaeus.
Kush eshte emri i vertete?
A është kështu? Kjo duhet vërtetuar.
Një gjë jam i sigurtë që emri fillestar antik i Libohovës ka qenë ndryshe nga toponimi i sotëm sllav, që për mendimin tim del i fiksuar si ndrim emërtimi topononimik, mbas 12 shekujsh, pra nga shekulli VIII ose IX gjatë pushtimit të perandorisë bullgare.
Kështu mbeti ky toponim sllav deri më sot.
Në shekullin II pas Krishtit jeta administrative e Antigonesë vdes dhe perandori romak Adriani ndërton në fushë të Dropullit, kryeqendrën e re, zëvendësuese, qytetin me emrin e vet, Adrianopolin ( nga vjen edhe toponimi Dropull) në epokën e Pax romanas të Paqes romake, ndaj ky qytet nuk ka mure fortifikuese.
Libohova është gjithashtu një “qytezë asteroide” e Andrianopolit sigurisht.
Në shekullin VI pas Krishtit, pra mbas 4 shekujsh në epokën e trazuar plot luftëra të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh, Andrianopoli vdes si kryeqendër administrative dhe këtë rol madhor e merr qyteti hijerëndë i Gjirokastrës.
Për emrin e qytetit janë shtjelluar teza nga më të ndryshmet. Është shtjelluar teza se Gjirokastra vjen nga emri Pirrokastra, që lidhet me emrin e Pirros së Epirit.
Një tezë tjetër e lidh emrin e Gjirokastrës me emrin e princeshës Argjiro sipas një balade.
Këto nuk janë shkencore.
Gjirokastra në shekullin XIV ka qenë një kryeqendër e princit të famshëm Gjin Bue Shpata.
Muzeumologu patriark i Gjirokastrës, miku im i ndjerë Lefter Dilo, flet për ekzistencën e një kronike në pergamenë, që i takonte si kohë shekullit VI pas Krishtit. Ku ndodhet kjo kronikë?
Të shumtë janë udhëtarët që kanë folur për Gjirokastrën. Disa studiues e identifikojnë me Andrianopol, nga rrjedh dhe emri i Dropullit të sotëm. Kryekalaja e Gjirokastrës është një kryevepër ndërtimore e Ali Pashë Tepelenës.
Gjatë vitit 1996 kur unë studioja në Dumbarton Oaks në Washington D.C. shfletova librin e botuar nga dijetari i madh Zef Valentini me titull: “Contributi alle Cronollogia Albanese” Romë 1957.
Në këtë libër në faqen 109 mbështetur në burimet bizantine thuhet se kështjella e Gjirokastrës është ndërtuar me 565-579 nga një funksionar bizantin gjysëm i pavarur, i quajtur Livaton Argjiri (Argyro Livatone), i cili ka jetuar në kohën e Justinianit të Madh dhe ka ndërtuar dhe bazilikën e quajtur Pantakrator dhe Nëna e Zotit.
Në disa dokumente në vitin 578-582 Livaton Argjiri, quhet Zot i Gjirokastrës, Guvernator i Drinopulit dhe Kaonisë.
Këto dokumente, që unë do t’i shtjelloj më gjerësisht herë tjetër, bëjnë të qartë se emri i Gjirokastrës lidhet konkretisht me emrin e një figure historike në shekullin e gjashtë pas Krishtit. Kjo tezë thuhet për herë të parë në shkencën historike shqiptare. Unë mendoj që Zef Valentini na ka ndriçuar përfundimisht të vërtetën e emrit të Gjirokastrës.
U zgjata pak për Gjirokastrën sepse paralelisht me të Libohova (e cila në shekullin VI nuk kishte fare emrin sllav) ekzistonte si qendër urbane dhe banorët e saj kanë ndikuar drejtpërdrejtë në formimin e Gjirokastrës.
Libohova në pikëpamje kronologjike, dmth kohore, është gati 10 shekuj më e lashtë se qyteti i Gjirokastrës.
Në shekullin XIX Ali Pashë Tepelena ndërton kështjellën për motrën e tij Shenishane në Libohovë.
Libohova kurrë s’ka qenë fshat. Nuk ka fshat me kështjellë kaq të madhe. Kështjella, ku ishin dhe sarajet e Shenishasë qenë një kryevepër ndërtimore, e bërë nga ndërtues vendas dhe francezë.
Prishja e sarajeve qe një tragjedi.
Gjendja e mjeruar e ruajtjes së kështjellës është një turp i madh.
Ruajtja ndërkohë e sarajeve të Myfit bej Libohovës, të paktën ruan një pamje qytetase të Libohovës.
Figura më e madhe e Libohovës është Heroi i Popullit Avni Rustemi.
Kujtimi i tij është një flakadan drite i pashuar, një fener i vetëdijes dhe dinjitetit. Sa pak, sa pak kemi bërë për Avni Rustemin e pavdekshëm.
Për Libohovën kanë shkruar Bajroni në shekullin XIX dhe sidomos Elvia Çelebiu, dy shekuj më parë, në shekullin XVII.
Të dy e meritojnë nga një monument në qendër të qytetit të Libohovës.
 Rrapi i Libohovës është monument i jashtëzakonshëm i natyrës. Një mrekulli e parrëfyer!
***
Diçka për familjen time.
Stërgjyshi im i shekullit XIX quhej Zeqirja, dmth shkurt Zeqo, qe i diplomuar për jurisprudencë në Stamboll dhe ka qenë kryekadi në qytetin Kozhan të Greqisë, ku edhe vdiq.
Prej tij ruhet vetëm një fotografi.
Djali i tij Jaho, i mbiquajtur si i Zeqos, në rini qe në Stamboll, u kthye në Libohovë, ku u martua me Faika Rustemin, që e kishte Avni Rustemin, djalin e xhaxhait.
Bënë dhjetë fëmijë, nga të cilët rrojtën shtatë.
Djali i madh Zihniu (babai im) i lindur në 1918 mbaroi shkollën shqipe në Libohovë, në 1938 është ushtar në Shkodër. Nga ky vit ruaj një fotografi të Marubit, ku Zihniu është muzikant, klarinetist, mes bandës muzikore ushtarake të Shkodrës. Pra ka patur një kualifikim muzikor.
Në 1939 Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë. Zihniu qe në Shkodër dhe u lidh që herët me lëvizjen komuniste me Manush Alimanin.
Qe ndër partizanët e parë të Batalionit “Perlat Rexhepi” dhe në Betejën e Reçit në 1943 u plagos për vdekje. Në mënyrë ilegale u fut në Shkodër, tek një familje shkodrane, ku u mjekua për shumë muaj dhe shpëtoi nga vdekja.
Vëllai i tij Mehdiu, me Brigadën e Parë luftoi në Betejën e Çlirimit të Tiranës dhe qe heroi i një sulmi me granata mbi një fortino gjermanësh në Laprakë të Tiranës.
Për heroizmin e tij kanë shkruar Mehmet Shehu dhe shkrimtari partizan Haki Stërmilli.
Të lidhur me lëvizjen Antifashiste Nacional-çlirimtare qe edhe xhaxhai tjetër më i vogël Zeqoja, si dhe hallat e mia Engjelli, Nurija, Bukurija dhe Bajamja.
Pra shtatë antifashistë, që unë s’mund t’i harroj dot dhe asnjëherë.
Ndaj edhe unë jam një antifashist i përjetshëm.
 Deri sa të vdes!
Gjyshi im Jaho qe një njeri i famshëm në Libohovë. Ai kishte hapur një gjellëtore në Libohovë. Ishte plot humor dhe zgjuarsi të hatashme.
Në 1924 qe në Revolucionin e Qershorit me Fan Nolin. Ruaj një fotografi të tij me armë si fanolist.
Jaho qe i çuditshëm dhe mjaft inteligjent. Ai dinte të rregullonte orët si dhe qe njeriu më kryesor që bënte synet djemtë e rij sipas ritit.
Në shtëpinë tonë në Libohovë ruheshin një Kuran, që Jaho e lexonte në arabisht dhe një Bibël, në greqisht, që gjithashtu e lexonte në këtë gjuhë!
Gjyshja ime “aneja” Faika qe një grua trupvogël por mjaft e autoritetshme.
Në sëndukun e saj ajo ruante rrobat e saj “për çastin e vdekjes”, një shami e bërë me gjak nga trupi i Avni Rustemit të vrarë, si dhe kopja e parë e “Milosaos” e De Radës. Avni Rustemi kishte studiuar në kolegjin deradian të Shën Adrianit. Këtë “Milosao” të vitit 1836 e kam trashëguar unë tani dhe e ruaj me një kujdes idolatrik.
Babai im Zihniu vdiq më 1960, në moshën 42 vjeçare nga kancerizimi i plagëve të luftës.
Qe dy herë i plagosur.
25 vjeç Zihniu qe invalid i Luftës Nacional-Çlirimtare. Dhjetë vitet e fundit të jetës punoi në ekuipazhet e anijeve transoqeanike “Partizani” dhe “Liria” të Flotës Tregtare të Shqipërisë.
Vdiq menjëherë, mbas udhëtimit të fundit detar, stoik dhe i heshtur, i sfilitur dhe i tretur tmerrësisht nga dhimbjet e mëdha. Diçka tjetër për familjen e babait tim.
Emri më i hershëm i familjes është Zako.
Zeqo është sipas stërgjyshit Zeqirja, shkurt Zeqo, që u bë mbiemri i Jahos, gjyshit tim.
 Zako është një emër që del edhe në Zagori.
***
Përsa i përket jetës time, unë linda në Durrës.
Mbas vdekjes së babait u bëra më shumë i vetëdijshëm për origjinën e pashlyeshme nga Libohova.
Shtëpia dykatëshe e gjyshit dhe babait tim është edhe sot në Libohovë.
Unë shkoj shumë shpesh atje. Me mall përvëlues.
Para ca muajsh vajza ime e madhe Arnissa, që punon si historiane arti dhe jeton e martuar në Amsterdam të Holandës, erdhi me të shoqin Vincentin, në Libohovë, qëndroi e mallëngjyer te shtëpia ime prindërore, vajti tek Rrapi i Libohovës, dhe kur u kthye më solli një shishe me ujë nga burimi i madh mes rrënjëve të Rrapit shekullor.
***
Tani jam 67 vjeç. Qytetar Nderi i Gjirokastrës, Durrësit, Mallakastrës,Beratit, por së pari Qytetar Nderi i Libohovës.
Kam botuar mbi 100 libra. Edhe libra jashtë shtetit, në disa gjuhë të huaja.
Por fama nuk më intereson fare.
Por nuk do rresht të mendoj dhe të nderoj Libohovën e pavdekshme./Dita&Libohova online