Saturday, 15 July 2023

MË SHUMË VLERËSIM PËR VALANIDHIN

"Historikisht valanidhi është një bashkudhëtar i mirë dhe i qëndrueshëm i njeriut. Ka mbështetur blegtorinë me frutat dhe gjethet. Në kohë të vështira urie, lufte, frutin e saj e kanë ngrenë dhe njerezit. Fruti duke e përpunuar, bëhet një miell i pranueshëm për gatimin e bukës. Bile dhe sot ka krahina në Greqi, Itali, Spanjë..që ruhet kjo traditë, duke terhequr dhe shumë turist dhe vizitor."


nga: Kristo KAURI 
Sarandë


Ndryshimet klimaterike të vitëve të fundit janë shumë shqetësuese ! Vitet 2015- 2018, ishin vitet me të nxehta që janë rregjistruar ndonjëherë në këto 100 vitet e fundit. Përiudha e thatësirës në rajonin e Vlorës dhe në gjithë bregdetin tonë, zgjat mbi tre muaj. Me ngrohjen globale, situata e zjarrëve do të vështirësohet akoma me shumë. Kësaj tendence globale nuk mund t’i shmangëmi. E kemi krijuar vetë dhe do të shijojmë pasojat dhe hakmarrjen e natyrës. Për zbutjen e pasojave, kemi në dorë të përcaktojmë me përgjegjësi një serë masash komplekse. Krahas masave ndërgjegjësuese, parandaluese, për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri, duhet të organizojmë me mirë punën për rehabilitimin e sipërfaqëve të djegura dhe mbjelljet e objekteve të reja.


Nga monitorimi gjatë këtyre viteve të sipërfaqëve të djegura, apo atyre të përshkuara nga zjarri, dalin disa konkluzione që duhen vlerësuar: Ne si ekspert kemi për detyrë të themi mendimet dhe sugjërimet tona, dhe qeveritaret qëndror apo vëndor, e kanë për detyrë të degjojnë zerin tonë.


Pyjet me pisha, me dafina, me qarr, bulger..,objektet e pyllëzuara me këto lloje, pyjet ku nënpylli është kryesisht me prall, cfakë, sherbelë, shqope, ullastër, gjeshtër.. nuk u rrezistuan zjarrëve të rëna. Zjarri në këto mjedise i gjen të gjitha kushtet, të gjitha elementet që e stimulojnë dhe e favorizojnë, si nxehtësinë, oksigjenin dhe lendën djegëse. Zjarri në këto lloje gjen kushte ideale, dhe ecen me shpejtësi rreth 15 herë me shumë se në mjediset e tjera, duke e shkatërruar plotësisht pyllin, ose duke e dëmtuar atë shumë rëndë.


Tjetër pamje kemi në pyjet me lloje të tjera të lisit, me valanidh, ilqe, apo në masivet më shkurre të koçimarës. Këto e kanë përballuar me zjarrin e rënë. Në shekuj këto masive me këto lloje, kanë bashkëjetuar me zjarrin dhe kanë vazhduar ciklin jetësor pa shumë probleme serioze.


Valanidhi si lloj drunor është akoma me befasues. Masivet me këtë lloj pothuaj nuk kanë patur probleme serioze. Mbjellja e tij me fara ose fidana, do të jetë një zgjidhje shumë e mirë. Kemi vite që edhe ne pylltaret e kemi braktisur këtë lloj, pa përmendur këtu braktisjen totale të pyjeve pas vitëve dymijë.


Pse sugjerojmë valanidhin, apo bungën, bungëbutën, rrënjen :

Levorja e valanidhit është e trashë, është një mburojë e vertet dhe digjet me shumë vështirësi. Kjo veçori kufizon shumë fuqinë e zjarrëve, duke përjashtuar këtu masivet e reja që nuk kanë formuar akoma mirë levoren e trashë.

Në shekuj blegtorët i kanë djegur këto masive, dhe valanidhi ka mbijetuar me sukses. Masivi i pishave është shkatërruar plotësisht.


Realizon një ekuilibër përfekt midis zhvillimit dhe mbrojtjes se vetës. Mekanizmat e tij punojnë me energji të plotë, dhe realizon mirë proçesin e fotosintezës.

Valanidhi ofron dhe shumë sherbime të tjera. Eshtë nga fletoret që përmirëson shumë klimen, pasuron biodiversitetin, dhe mund të mbillet lehtësisht në gjithë zonën e tij. Bashkë me hidhëzen, bajamen..përshtatet shumë mirë në mjedise tepër shkëmbore dhe me thatësirë të tejzgjatur. Krejt rajoni i Vlorës ka kushte ideale për kultivimin e tij dhe jo me kot quhet dhe Querqus valona.


Me sistemin e tij rrënjor të fuqishëm, veçohet nga llojët e tjera si me i miri në grumbullimin e ujit, që është simboli i jetës për të gjitha krijesat.

Transpiracioni i masiveve pyjore me valanidh është mjaft dinamik, shton lagështiren atmosferike në mjediset perreth, duke ndihmuar kështu në sjelljen e shirave.

Krijon kushte për biodiversitet të pasur, larmi drurësh dhe shkurrësh. Pas disa vitesh në këto masive shikon dhe ndesh banorë të rinj që bashkëjetojnë dhe ndihmojnë njeri-tjetrin. Dallon panjën, lofatën, frashërin, rrënjen, ilqen, bajamen, goricen, ullastren..

Me renjen e gjethëve, degëzave, levorës, frutave, zhguallit..përmirëson tokën dhe krijon një shtrat me legushë të pasur dhe të favorshme për instalimin e jetës se re. Halorët nuk e kanë këtë veçori. Acidifikimi i tokës nga halat, djeg dhe shkatërron tokën, e varfëron shumë dhe nuk instalohen banorë të rinj, ose instalohen shumë pak.


Nga monitorimet, edhe atje ku janë djegur drurët e valanidhit , rrjedhojë e pranisë se madhe të lëndes djegëse, shkurrëve, ku zjarri ka patur përqëndrim për mbi dhjetë orë, masivi ka mundur të mbijetojë. Sistemi rrënjor i tij i thellë nuk digjet nga zjarri, ato kanë jetë, dhe me renjen e shirave të para të vjeshtes dhe pranverës dalin llastarë të rinj. Pra nuk lind nëvoja që të rihabilitohet me investime të reja, kjo realizohet natyralisht. Sipërfaqet e djegura me valanidh, po të lihen të qeta dhe të mbrohen nga kullotja, rihabilitohen shumë shpejt.


Në një botë që gjithmonë ndryshon, është nga llojët e “mënçur”, të guximshëm, që përshtatën shumë mirë ndryshimëve. Semundjet dhe parazitet, e kanë vështirë t’i gjejnë pika të dobëta. Ekzistenca e taninit i tmerron kundërshtarët dhe parazitët, dhe preket shumë pak krahasimisht nga të tjerat. E akuzojnë, bile dhe pylltarë, se valanidhi rritet avash, por kjo nuk është e vertet. Duke bërë krahasimin me pishat e se njëjtës moshë, valanidhi ka 2-3 fishin e përmasave ( biomases).


Historikisht valanidhi është një bashkudhëtar i mirë dhe i qëndrueshëm i njeriut. Ka mbështetur blegtorinë me frutat dhe gjethet. Në kohë të vështira urie, lufte, frutin e saj e kanë ngrenë dhe njerezit. Fruti duke e përpunuar, bëhet një miell i pranueshëm për gatimin e bukës. Bile dhe sot ka krahina në Greqi, Itali, Spanjë..që ruhet kjo traditë, duke terhequr dhe shumë turist dhe vizitor.


Tanini i saj, sidomos i zhguallit që ka mbi 40 % , deri ne vitet 70-të ndihmonte njeriun në regjën e lekurëve. Historikisht njeriu e vleresonte njëlloj si pemën e ullirit.


Pyjet shekullorë të valanidhit në Butrint, Mile, Himarë..i kanë shfrytëzuar italianet për ndertimin e anijëve. Para shpikjes se çimentos, druri i valanidhit ishte nga llojët me të preferuara për njeriun, për ndertimin e çative të shtëpive, dyshemeve.

Fuçitë e veres, të djathit, të bëra nga druri i valanidhit, janë nga me të mirat dhe të pa konkurueshme. Kishat, tempujt, manastiret, ndertohen nga druri i bekuar i valanidhit. Në rrënjet e tij që funksionojnë si depozitë uji , instalohen dhe rriten në harmoni të plotë kërpudhat (tartufi), aq i çmuar.


Që të kemi sukses në pyllëzimin e objektëve me valanidh duhet të kemi parasysh:

Farat duhet të grumbullohen nga 20 shtatori deri në nëntor, duke zgjedhurdrurë të mirë faror, dhe mbillën menjëherë. Fara është e domosdoshme që të mbulohet me një shtresë humusi deri 2-4 cm.


Drurët e djegura, është mirë që të mos priten, përjashtime bëjnë ato që priten për sistemimin e mjedisit, krijimin e brezave kunder gërryerjeve. Drurët e djegura krijojnë hije në muajt e thatësirës, dhe mbrojnë tokën nga gërryerja.

Objektet dhe sipërfaqët e mbjella me valanidh, duhen mbrojtur nga kullotja, të pakten për dhjetë vjet. Pas dhjetë vjeteve lejohet kullotja me lopë dhe dele dhe jo me dhi. Lopet dhe delet jetojnë në harmoni të plotë me valanidhin, ato pastrojnë mjedisin nga barërat, pra eleminojnë lënden djegëse, pleherojnë mjedisin dhe ndihmojnë në rritjen e drurëve. Kullotja me lopë dhe dele duhet të bëhet vetëm për gjashtë muaj dhe gjashtë muaj të lihet pushim.


Këto ishin disa probleme që mendova t’i ndaj për bashkëbisedim me koleget e mi pylltarë !

 




Thursday, 13 July 2023

LAMTUMIRË SOTIRAQ PASKALI


nga: Ilir LLURI
Gjirokastër 

Sotiraq PASKALI
I lënduar dhe hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mjeshtrit Raq Paskal (si ai kishte dëshirë ti thërisnin) mendova se ishte e domosdoshme të shkruaja disa rradhë. Kjo jo thjesht për shkak të miqësisë me të, sesa për largimin përfundimtar të një prej modeleve të rralla të vullnetit, talentit, humanizmit dhe sakrificës që ju largua shoqërisë sonē në përgjithësi dhe asaj gjirokastrite në veçanti.

Raq Paskal i takon atij brezi të veçantë intelektualësh që në themel të punës krijuese vendosën dashurinë për jetën, për vendin, për njeriun. Veterineri i talentuar Raq Paskal realizoi operacionin e parë veterinar (tek një lopë) në Qarkun e Gjirokastrës. Themeloi cirkun profesionist të qytetit (e treta trupë profesionisre e cirkut në Shqipëri) duke i dhënë Gjirokastrës Estradës profesioniste të qytetit një tjetër mundësi shkëlqimi. 


Në botën e artit ai la gjurmë në fushën e pikturës, skulpturës dhe muzikës, ndërkohë që si shkrimtar la pas një seri botimesh. Ai u shqua edhe në fushën e sporteve ku ushtroi sportet e boksit dhe të mundjes. Pata fatin ta njoh qysh nga fëminia këtë burrë të rrallë, vullneti i të cilit ishte i jashtëzakonshëm. 


Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij Frida, ai plot pasion megjithëse në moshë të thyer, stërviste në oborin e shtëpisë nxënësit e saj të mbetur "jetim", pa mësuesen e tyre të dashur. Për të mundur trishtimin dhe vetminë e atyre momenteve dëshpëruese, mjeshtër Paskali hartoi një kalendar me orare të përcaktuara: ora e pikturës, kitarës dhe ora e stërvitjes së nxënësve të Fridës. Kur e pa që edhe ky kalendar nuk ishte i mjaftueshëm për të mposhtur vetminë e tij, ai u rregjistrua në kursin e shoferëve. Raq Paskal është padyshim njeriu me moshën më të madhe që ka marë patentën e shoferit jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Shqipëri. 


Me iniciativë të studentit të Universitetit Bujqësor Kamëz, përmetarit Raq Paskal, ai dhe miku i tij tiranas Xhon Baldini ushtruan për të parën herë sportin e Raftingut në Shqipëri, megjithëse me mjete modeste (me nje trap ndërtuar me trarë druri). Lundrimi i tyre me të mbi Vjosën e egër, mbetet unikal. I ndërgjegjshëm për këtë aventurë të guximshme, ai njoftoi me telegram edhe Kinostudjon "Shqipëria e Re" që të mund të xhironte pjesë nga ky lundrim aventuror. Por administrata e saj, nuk denjoi ti kthente as përgjigje. 


Pesëdhjetë vjet më vonë, në kuadër të 50 - vjetorit të lundrimit mbi Vjosë bashkë me mikun e tij të ardhur nga Italia, Xhonin i shoqërova dhe filmova çaste të kremtimit modest të kësaj ngjarjeje, me shpresën se kjo do të ishte një kronikë e rrallë televizive. Çuditërisht televizioni ku unë punoja nuk e dha këtë material filmik të rrallë, duke qëndruar indiferent ashtu si Kinostudjo shqiptare dikur. Por gazetari i ri Orgest Sako na krijoi mundësinë dhe e trasmetoi atë në valët e televizionit kombëtar ku punonte aso kohe. 


Me shpresën se Bashkia e Përmetit mund të dinte të vlerësonte këtë akt të guximshëm dhe të fitonte një veprimtari brilante vjetore dedikuar Raftingut (raftingu i parë në Shqipëri), i dhashë kryetarit të bashkisë së Përmetit një kopje të librit që Raq Paskal i kishte kushtuar kësaj ngjarjeje. Kurrë nuk mora përgjigje. Heshtja vazhdon edhe sot.


Sot flitet shumë për mbrojtjen e lumit të vetëm të egër të Europës, Vjosën. Më vjen çudi që nuk dëgjoj asgjë për aventurën heroike të Raq Paskal e Xhon Baldinit. Në Vjosën e egër sot, turistët e huaj, megjithëse të paisur me mjete moderne, janë shoqëruar gjatë ushtrimit të Raftingut, fatkeqësisht edhe me ndonjë rast humbje jete. Dy djemtë shqiptarë, në kushte minimale e pa asnjē mbrojtje ja dolēn me sukses për të mbritur në urën e Mifolit, ku u shoqëruan madje në polici si diversantë. U kthyen në shtëpitë e tyre pasi i siguruan lekët nga shitja në koperativën e zonës të trarëve me të cilët kishin ndërtuar trapin. Jam i sigurtë që do të vijë shpejt koha kur në guidat dhe fletëpalosjet mbi lumin e famshëm, do të flitet edhe për guximin e pashembullt të përmetaro - gjirokastritit Raq Paskal që ideoi dhe realizoi raftingun e parë në Shqipëri mbi të vetmin lumë të egër të Eropës sot, mbi Vjosë.


Pak vite më parë me drejtoreshën e sektorit të trashēgimisë Loena Bakulin i propozuam kr. të Bashkisë dhe kr. së Qarkut ideimin e një aktiviteti në kuadër të 80 vjetorit të lindjes së mjeshtrit. Raq Paskal u nderua me Çertifikata vlerësuese nga të dy titullarët Flamur Golemi dhe Lindita Rova. Ky ishte edhe nderimi i fundit në gjallje të tij. 


Vite më parë në një intervistë që i mora mikut të mjeshtrit, gazetarit të sporteve, Sokrat Papadhopulli mes të tjerash më tha: - "Veprimtaria njerëzore përgjatë një shekulli, përmblidhet maksimumi në dhjetë emra personalitetesh. Raq Paskal është një nga këta të dhjetë në shekullin e XX për Qarkun tonë". 


Dheu do të jetë i lehtë për Ju mjeshtër. Në se do të isha i pranishëm në funeralin tuaj do të duartrokisja edhe njeherë për gjithë sukseset që aritët në jetë. Bashkoju miku im shpirtit të bashkëshortes tënde, Fridës që e deshe aq shumë.


Ngushëllime djemve të tij Artur e Mikel, e në veçanti vajzës së tij të përkushtuar, Diana. 


Ngushëllime artistëve dhe gjithë miqve të tij! 


Lamtumirë Raq Paskal.

 

Wednesday, 12 July 2023

DJEMTË E KAKOZIT FURTUNË.

"Në kujtimet e brezave të njëpasnjëshme të Kakozit kanë mbetur ende të freskëta thëniet e gjyshërve të tyre mbi shfrytëzimin dhe sjelljen e egër të këtyre feudalëve turkomanë. Hysen beu arriti deri aty sa t’u mohonte edhe vendin e varrit çifçinjve të tij." 

Fshati Kakoz, Gjirokastër

nga Dilaver GOXHAJ
Tiranë

Dilaver  GOXHAJ
Kakozi është një fshat në krahinën e Lunxhërisë – Gjirokastër. Lartësia mesatare mbidetare e fshatit është 350m. Lehtësisht në të zbresin erërat e ftohta të veriut dhe të malit, të cilat kushtëzojnë një klimë me lagështi e me temperatura më të ulta në dimër, e më të larta në verë. Kufijtë gjeografikë të fshatit janë: në Lindje kreshta e malit të Lunxhërisë, nga jug-lindja dhe jugu kufizohet me fshatin Gjat, nga veriu dhe veri-lindja kufizohet me fshatin Karjan, duke i ndarë përroi i Hosit, dhe në perëndim kufizohet me lumenjtë Nimicë dhe Drino. Në vitet kur ka ndodhur ngjarja popullsia e fshatit ishte 174 banorë.

Pas vdekjes së Ali pashë Tepelenës, pronat e tij Stambolli ua shpërndau bejlerëve turkomanë që e ndihmonin ushtrinë turke për të mposhtur vezirin e pavarur të Janinës, Aliun. Prej atëhere, duke u bërë krahina çiflik i Maliq pashait e i Hysen beut nga Gjirokastra, jo vetëm fshati Kakozi, por edhe fshatra të tjera të krahinës, fshatarët e kësaj zone duhej të paguanin taksë të veçantë, për të kullotur bagëtitë në fushën e Valaresë, por që sa qe gjallë Alai pashë Tepelena e kishte lënë musha (të përbashkët, pa taksë). Prej atëhere doli edhe shprehja:


Harro mushkë Valarenë!

Se Ali Pashanë e prenë.


Në kujtimet e brezave të njëpasnjëshme të Kakozit kanë mbetur ende të freskëta thëniet e gjyshërve të tyre mbi shfrytëzimin dhe sjelljen e egër të këtyre feudalëve turkomanë. Hysen beu arriti deri aty sa t’u mohointe edhe vendin e varrit çifçinjve të tij.

 

Ngjarja që tregojmë, ka ndodhur në muajin dhjetor 1880. Të ftohtit e këtij muaji ishte shumë i ftohtë. Madje, kishte rënë edhe borë. Hysen beu dërgoi dy nga qehallarët më të egër të tij, që të lajmëronin fshatarët që të nesërmen të mblidheshin të gjithë burrat dhe gratë e fshatit para konakut (kullës) të tij, se kishte diçka të rëndësishme për t’u thënë.

 

Të nesërmen, në orën e caktuar, i gjithë fshati u mblodh para konakut të beut. Ata pritën të mërzitur fjalët ogurzeza të çifligarit, të sigurtë se ashtu si gjithmonë, nga goja e tij plot farmak, vetëm fjalë të këquija do të dëgjonin.

 

Por, çuditërisht, këtë radhë beu i tyre doli duke qeshur dhe, pasi i përshëndeti, u foli me dashuri fshatarëve, gjoja me dorë në zemër, se kohë të këqija kishin ardhur për beun, se ai kishte rënë në borxhe me qeverinë, prandaj ishte i detyruar t’i ngarkonte edhe me disa taksa të tjera fshatarët e çiflikut të tij; por, sipas mendimit të beut, nuk e rëndonte ekonominë e fshatarëve. Dhe taksat ishin:

 

1. Fshatarët prej asaj dite e në të ardhmen nuk do të prisnin më dru zjarri dhe lëndë ndërtimi në pyll, pa paguar më parë taksën te beu;

2. Fashatarët nuk duhej të lëshonin kafshët e imta (delet dhe dhitë), por edhe ato të trasha (lopët, kuajt, mushkat e gomerët) në kullotat e përbashkëta (musha), pa paguar taksën e veçantë për kullota;

3. Fshatarët duhej të shlyenin sa më parë të gjitha detyrimet e prapambetura te beu, bashkë me të rejat.

 

Pasi u dha këtë “sihariq” beu u largua duke lënë të hutuar fshatarët, të cilët po ndjenin se çfarë ditësh edhe më të zeza po u vinin.

Të nesërmen një grup fshatarësh i shkuan në konak Hysen beut për lutje, por ai as derën nuk ua hapi.

 

Pas disa ditësh, i pari nga fshatarët që u ngrit kundër këtij urdhëri të Hysen beut ishte Koço Neti, më i varfëri i fshatit. Ai nuk mundi t’i duronte dot lotët e fëmijëve që dridheshin nga të ftohtit. Mori kalin dhe sopatën dhe shkoi te përroi i Hosit për të prerë dru zjarri, vend krejtësisht i ndaluar nga beu.

 

Në kthim Koçon e diktuan qehallarët dhe, me gjithë kalin e ngarkuar me dru, e kthyen te konaku i beut e, mbasi e rrahën dhe i morën edhe drutë, e përplasën në një nga bodrumet e kullës (konakut), që beu e kishte kthyer në burg. Dhe populli e “regjistroi” ngjarjen:

Koço Neti varfanjaku,

Beun s'deshi ta dëgjoi,

Mori spatën edhe shkoi

Mu në Hos, te përroi.

Por qehallarët e diktuan,

E rrahën, e torturuan.

Mbarë fshati i zemëruar me këtë veprim të shëmtuar të Hysen beut, u mblodh para konakut të tij në fshat. Të parat qenë plakat e fshatit që morën fjalën. Ato kërkuan që ta lëshonte Koçon, ndryshe, gjithë fshati, me pleq, plaka, burra, gra e fëmijë do të mblidhej tek oborri i konakut dhe nuk do ktheheshin nëpër shtëpi derisa të lironte Koçon. Dhe ashtu vepruan. Hysen beu, para këtij qëndrimi këmbëngulës të mbarë çifçinjve të tij, aty rreth orës dy mbas mesnate, duke parë se mbarë fshati nuk po largohej nga oborri i konakut të tij, urdhëroi lirimin e Koços, duk u dërguar fshatarëve, përmes qehallarëve, se ky do të ishte lëshimi i fundit që u bënte.

 

Të nesërmen fshatarët organizuan një mbledhje, ku vendosën njëzëri që të mos i zbatonin urdhërat e fundit të beut. Ditën tjetër, pa zbardhur mirë ylli i mëngjezit, u ngritën të gjithë, burra e gra, me sopata e kosor në duar, lëshuan kafshët e trasha e të imta në ish mushanë e fshatit, vende tash të ndaluara nga Hysen beu, si dhe prenë dru zjarri dhe po ktheheshin të ngarkuar në fshat.  

 

Mirëpo, te përroi i Shkozës, në të hyrë të fshatit, në një vend të ngushtë, ku ndahen rrugët, beu kishte dërguar dy nga njerëzit e tij të armatosur. Ata zunë rrugën e ngushtë të përroit, ku nuk kishte nga të ktheheshe, dhe dhanë urdhër që të gjitha kafshët si dhe gratë e ngarkuara me dru zjarri, t’i shkarkonin te konaku i beut, ndryshe asnjeri nuk do të delte i gjallë nga ajo grykë.

 

Të parët nga djemtë e Kakozit që u dolën përpara trimave të Hysen beut ishin Thimjo Kosta dhe Kostandin Zollota. Ata u ndeshën me qehallarët e çifligarit trup me trup dhe, duke u përleshur me ta, u rrokullistën në përrua duke përfunduar të katërt në një pellg me ujë. Ja se si e trogon këtë kënga:

Fshatërt u zemëruan,

Dhe dy djem të fshatit shkuan,

Thimjo dhe Koço Zollota,

Qehallarët në dru i shtruan

Pas kësaj, masa e madhe e fshatarëve, e gjitha e revoltuar, gra e burra, shkoi drejt konakut të çifligarit, por atje dyert i gjetën të mbylluara dhe të papërmbajtur i vunë zjarrin kullës së Hysen beut. 

 

Hysen çifligari, ky feudal turkoman, i tmerruar nga urrejtja e madhe që ziente në gjithë fshatin e Kakozit dhe në fshatrat përreth, ua mbathi këmbëve dhe e la vrapin në Gjirokastër, ndërsa konakëve të tij në fshat u kishte dalë flaka në majë të çatisë.

 

Të nesërmen, ditë e hënë, u mblodhën që pa gdhirë, gra e burra të Kakozit, mblodhën gjithë kafshët e fshatit, ngarkuan parmëndat dhe mjetet e tjera të punës dhe u nisën drejt Gjirokastrës. Atje ishte mbledhur mbarë fshatarësia e Lunxhërisë ngaqë ishte edhe ditë pazari. Bijtë e revoltuar të Kakozit hynë nga ana e lagjes Hazmurat, kaluan midis shtëpive të bejlerëve dhe, nga Qafa e Pazarit morën dretimin për në kala, ku ishte qëndrimi i qeveritarit turk i Gjirokastrës. E gjithë masa e fshatërve të Kakozit u pasua nga qindar fshatarë të tjerë të krahinës që kishin shkuar në Gjirokastër meqenëse ishte ditë pazari. Qyteti i gjithë u trondit, të gjithë kishin dalë para dyqaneve. Rrugët ishin mbushur plot me qytetarë. Masa fshatare u ndal përpara sheshit të Kalasë.

 

Midis masës fshatare, të lagur nga shiu e që dridheshin nga të ftohtit e dhjetorit, u dëgjua zëri i plakës zemërshkëmb, Argjiro Dhames, e cila iu drejtua sundimtarit turk të Gjirokastrës, i cili kishte dalë në dritare:

“Vijmë nga Kakozi, të përzënë, zbathur e të zhveshur, kështu sin a 

sheh. Na thon ku të vemi, ku të mbytemi gjetkë, se Hysen beu në fshatin tonë nuk na ka lënë vend, bile edhe vendin e varrit na e ka marrë, sa u detyruam që edhe plakën Akrivo ta varrosnim në fshatin Gjat.”

Burrat e tjerë të fshatit, si: Kostandin Zollota, Thimjo Kosta, Qirko Zollota, Papa Dhimitri Zollota, Qiro Çoni, Niko Zeka, Tase Dukoli, Kosta Qape, Nini Joti, Koço Neti, Tasi Zisi dhe Gaqe Krisafi u thirrën nga mytesarifi (prefekti) brenda në zyrë. Ata i dhanë shpjegime me hollësi sundimtarit të Gjirokastrës.

 

Prefekti osmanlli, për t’u hedhur hi syve fshatarëve, dërgoi zaptiet dhe e solli përpara masës së fshatarëve Hyesen beun. Atje e qortoi rëndë, bile edhe e dënoi, duke i thënë: “Një vit nuk do shkelësh në fshatin Kakoz, se fundi fundit këtë fshat nuk e ke blerë, qoftë edhe trashëguar, por vetë Dovleti, me zemërgjerësinë e tij ta fal Hysen beu dhe mos e përsërit më”. Pastaj prefekti u kthye nga fshatarët, e zbuti zërin dhe u tha që të ktheheshin në Kakoz dhe të rrinin të qetë në vatrat e tyre.

Edhe pse prefekti e lajmëroi fshehurazi Hysen beun se ishte i detyruar të sillej në atë mënyrë para fshatarëve të revoltuar, beu na qenkish zemëruar shumë dhe kishte ushtruar ankesë si para valiut të Janinës, ashtu edhe te Maliq pashai, te çifligarimmë i madh i krahinës së Lunxhërisë, i cili nuk e aprovoi këtë masë të prefektit të Gjirokastrës, “jo vetëm se preku në sedër të afërmit e Hysen beut, por se do të nxiste në të ardhmen edhe çfçinjtë e shumtë të tij”, prandaj menjëherë shkoi e ia vuri në dukje valiut të Janinës.

 

Dhe nuk kaluan shumë ditë që të dy trimat, Kostandin Zollotën e Thimjo Kostën, këta bij trima të Kakozit, të lidhur mbas kuajve të byliykçinjve osmanllinj u arrestuan dhe u dërguan në Janinë, për t’u gjykuar si raja rebelë, që ngritën krye kundër të besuarve të sulltanit. Dhe populli nuk i ka harruar ende:

Valiu dërgoi bylykçinë:

“Djmet’ e Kakozit të vinë,

Gjarpëerinj që fishkëllijnë;

M’i dërgoni në Janinë,

Në hapsanë mbyllur të rinë,

Do t’ju punoj xhelatinë, (torturë),

T’ju kujtoj vezir Alinë,

Që mbi kokë kishin kamxhiknë,

Ashtu do t’i gjej tashtinë.”

Dhe prej atëhere filoi të këndohej edhe kënga vaj:

O ju të ligat e mia,

U navastë Perëndia!

Shkoni moj të liga,shkoni,

Shkoni, mbi mua kaptoni,

Se jam mësuar i gjori.

 

Dilaver Goxhaj,

12 korrik 2023

 

Tuesday, 20 June 2023

KUVENDI LUNXHIOT


Pjesë e shkëputur nga libri për botim  “ Mrekullia e Jugut….Lunxhëria - Rrëza”


nga Spiro XHAVARA

Athinë, Greqi



Spiro XHAVARA
Nga fundi i shekullit të 19 –të, thekson Aravantinoi, Rrëza dhe Lunxhëria kanë bashkëpunuar ngushtë. Ato mblidheshin dy herë në vit në Kuvende të përbashkëta dhe diskutonin çështje e interesa të tyre të rëndësishme, që kishin të bënin me gjakmarrjet, grindjet, vjedhjet, qetësinë, klimën e dashurisë dhe të paqes në zonë. Në prill mblidheshin në Manastirin e Tërbuqit dhe në gusht në Manastirin e Saraqinishtës. (Vëll II, fq 178)

 

Kuvendi merrej me probleme të rëndësishme dhe të veçanta që kishin të bënin me konfliktet midis fshatrave, si përdorim e shfrytëzim kullotash, burime uji, pyje, etj, pra për probleme me interes të përbashkët. Çdo fshat përfaqësohej në Kuvend nga dy vetë të zgjedhur nga banorët.

 

(Sa mirë do të ishte që ky Kuvend Lunxhiot të funksiononte edhe sot! Sot, më tepër se atëhere, do të gjenin zgjidhje mjaft probleme në fshatrat e Lunxhërisë, të infrastrukturës, të pronave, të shfrytëzimit të burimeve të ujit, të shkollave, pastërtisë e tërheqjes së plehrave, të turizmit dhe në tërësi gjallërimit të një treve lënë jashtë vëmëndjes e kujdesit të qeverisë) 

 

Probleme të tjera, si mosmarrëveshje, grindje, etj, zgjidheshin edhe brenda për brenda fshatrave, por edhe nga gjykatësit popullore, për grup fshatrash apo krahine, rolin e të cilëve zakonisht e luanin burra të matur në gjykim, të pjekur, të ditur, dhe të nderuar e respektuar nga të gjithë. Le të përmendim disa nga ata: Lipe Bogai Saraqinishtë, Siko Qurku Tranoshishtë, Koço Papai Qestorat, Tase Liti Këllëz, Tolo Kalluci Nokovë, Dh. Haxhijani Dhoksat, etj.

 

Çdo fshat në Lunxhëri drejtohej nga kryeplaku i fshatit, pleqësia dhe deuderxhiu, gjatë luftës së dytë botërore nga këshillat antifashiste N-ÇL dhe, pas çlirimit të vendit, nga këshillat popullore. Pas vitit 1990, ata drejtohen përsëri nga kryeplaku dhe pleqësia. 

 

Duke parë dhe njohur nga afër, jo vetëm afrimitetin, por ngjashmërinë e plotë (me dallime jo esenciale) të krahinave të Lunxhërisë dhe Rrëzës, në vijim nuk do t’i paraqesim ato të ndara, ose si shtesë e njera tjetrës. Do të themi vetëm Lunxhëria, kjo edhe për efekt ortografik, për të mos përmëndur në njëmijë herë që do përmënden, Lunxhëria dhe Rrëza, ose Rrëza dhe Lunxhëria. Duke thënë Lunxhëria, kemi nënkuptuar dhe Rrëzën, nga Labova e Kryqit në Kodër, ashtu si po të thoshim Rrëza, do të nënkuptonim Lunxhërinë, nga Kodra e Lekli deri në Labovën e Kryqit. Duke patur besimin e plotë tek mirëkuptimi i lexuesit, le të vazhdojmë me trevën – krahinën tonë të madhe Lunxhëria

 

Manastiri i “Lindjes së Hyjlindëses” Spile, Saraqinishtë

Manastiri Shën Nikollës, Tërbuq. 


Thursday, 15 June 2023

KUJDESI PËR LULET DHE BIMËT E TJERA GJATË STINËS SË VERËS


Agronom Bajram Asllani

nga: Bajram  ASLLANI
Prishtinë, Kosovë


Jemi në periudhën e vitit kur ditët zgjaten dhe temperaturat rriten. Vera mund të bëhet një periudhë e vështirë dhe stresuese për bimët tuaja, nëse ato nuk e marrin kujdesin e duhur.  Ky shkrim do t'ju ndihmojë me disa këshilla se si të kujdeseni për bimet tuaja gjat verës që ato të jenë të shëndetshme.

 

 1. Ujitni bimët në orët e duhura. 

 Uji është thelbësor për bimët, por ajo që është e rëndësishme në verë, është koha e ujitjes. Në verë bimët duhet ujitur herët në mëngjes ose në mbrëmje, pasi uji është më i freskët  dhe temperaturat janë më të ulta. Në këtë mënyrë bimën nuk e stresojmë. Sigurohuni që të ujisni bimën thellë dhe  tërsisht. 

 

Metodë e mirë dhe e preferuar është ujitja  e dixhitalizua me anë të spërkatësit(sprucatorëve)  dhe gypit(tubit)  të vrimzuar.  

Me spërkatës: Ujitja me spërkatës  është një metodë shumë e përshtatshme pasi mbulon shumicën e zonave të bimëve në mënyrë të barabartë dhe efektive. 

Me gypa të vrimzuar: Me këtë  metodë uji del nga vrimat e tubave direkt në tokë. Gypat e vrimzuar futen nën tokë ose në mulç. Një mënyrë efektive për të kursyer ujin, sepse e shmang avullimin. Për më tepër, gypat e vrimzuara  funksionojnë më mirë në tokë,  pasi uji përhapet në vendin e duhur, një metodë e saktë për të ujitur bazën e bimëve poshtë gjetheve dhe për të lënë të thatë pjesën përreth. Kjo parandalon edhe rritjen e barërave të këqija dhe siguron që uji të përthithet aty ku nevojitet. 

Gjithashtu duhet të shmangni ujitjen e tepërt të bimës. Pra, përpara se të aktivizoni spërkatësin tuaj të ujitjes, kontrolloni nëse toka është e lagësht nën sipërfaqe. Nëse është me lagështi, prisni që toka të thahet, sepse  ujitja e tepërt  është  burim i sëmundjeve  dhe  mushkonjave


2. Rrezet e diellit  dhe hijezimi 

 Rrezet e diellit janë një nga faktorët e rëndësishëm për rritjen e bimës, por rrezetimi i  fortë i diellit mund të shkaktojë më shumë dëm sesa dobi për bimën tuaj. Pra, merrni masa për zhvendosjen e bimëve  me  vazo, në një zonë me dritë dhe hije të balancuar ose përdorni  opsionin për bllokimin e dritës së drejtpërdrejtë dhe të tepërt të diellit me anë të rjetave.

Rrjetat për hijezim: janë bërë prej poliestëri të dendur  ose të lirshëm. Janë të disponueshme në densitete ose shkallë të ndryshme hije që variojnë nga 5% deri në 85%. 

Tani, ju mund të pyesni  se cila pelhurë e hijes dhe llojin e ngjyrës është më e mira? 

Një nga keqkuptimet e zakonshme në lidhje me pëlhurën e hijes është se vetëm pëlhura jeshile duhet të përdoret për bimët.  Pëlhura me ngjyrë jeshile përdoret gjerësisht, pasi reflekton të njëjtën dritë si bimët. 


3. Kompostimi 

Komposti  ndihmon për të mbajtur bimët, veçanërisht ato me fruta dhe lule, të hidratuara dhe të shëndetshme. Gjithashtu, mund të bëni lehtësisht kompost në shtëpi ose të blihet kompost organik, ose torfe që ndihmon  në thithjen e ujit dhe ruan lagështinë.  Kompostimi mund të përdoret gjatë ditëve të nxehta dhe të thata. Përveç kësaj, kompostimi  përmirëson strukturën e tokës dhe duke rritur ajrosjen për  shëndetin e përgjithshëm të bimës. 


4. Mulçërimi 

 Mulçërimi është një material i përhapur në sipërfaqen e tokës për ta mbajtur bimën të freskët. Për më tepër, mulçërimi parandalon  shfaqjen e barërave të këqija dhe ndihmon në hidratimin e bimëve. Mulçërimi përfshin kompost, lëvore pemësh, copza druri,  bari, tallash dhe gjethe të copëtuara. Gjithashtu, kthejeni mulçin çdo disa ditë dhe mos harroni ta zëvendësoni kur të dekompozohet 


5. Barërat e këqija 

Hiqni barërat e këqija nga kopshti i juaj sepse  shumë lloje të barërave të këqija konkurrojnë për lëndët  ushqyse  bimët  e kultivuara. Përveç kësaj, ato gjithashtu mund të strehojnë dëmtues dhe sëmundje. Nëse po rritni bimë në një kopsht të vogël ose në vazo, mund t'i kontrolloni barërat e këqija vetëm duke i shkulur ato me dorë. Për  kopshtije  të mëdha, përdorni mjetet e kopshtit si: shatin, lopatën etj, dhe si alternativ të fundit  mund të  kryeni trajtime me herbicide. 


6. Plehërimi  

Plehërimi i bimëve në kopsht është një punë shumë e rëndësishme, që nuk duhet të anashkalohet.  Zhvillimi dhe lulëzimi  i bimëve kërkon shumë energji. Bimët shpesh nuk mund të marrin ushqimin e nevojshëm që u nevojitet vetëm nga toka,  dhe është e nevojshme  të bëhen  plehrime. 

Në përgjithësi, ekzistojnë dy lloje plehrash për lulet: me lëshim të ngadaltë dhe plehrat e lëngshëme. Ato janë të ndryshme si në aplikimin e tyre, ashtu edhe në mënyrën se si funksionojnë. 


Plehrat bimore me çlirim të ngadaltë nuk kanë nevojë të aplikohen shumë shpesh dhe zgjasin më shumë, ato mund të vijnë në formën e pluhurave, kokrrizave, peletave apo edhe thumbave që  aplikohen në tokë. Ato zgjasin për disa javë, megjithatë nuk janë menjëherë të disponueshme për lulet tuaja. Duhet pak kohë që ato të shpërbëhen aq sa të mund të përthithen nga bima. Por, duke qenë se ato zgjasin më shumë, duhet të aplikohen vetëm disa herë gjatë  verës.

  

Një gjë tjetër që është e rëndësishme: zgjedhjen e plehut të përshtatshem për lulet dhe bimët tjera. 

N-P-K. Këto janë shkronjat  që shihni zakonisht në pjesën e përparme të paketimit të plehrave. N-P-K do të thotë: Azot, fosfor dhe kalium. 

 

Azoti (N) ndikon në rritjen vegjetative të bimëve,  

Fosfori (P) nxit zhvillimin e rrënjëve dhe qëndrueshmërinë e bimve. 

Kaliumi(K)  Ndihmon trëndafilat dhe bimët e tjera që lulëzojn, duke inkurajuar kërcell të fortë dhe lule të zhvilluara mirë.  

 

Plehu i tretshëm në ujë, është ushqimi i lëngshëm bimor funksionon më shpejt se sa granula dhe është i disponueshëm për përthithje menjëherë nga  bimët. Përdoret shumë më shpejt, dhe për këtë arsye duhet të aplikohet më shpesh. 

Me plehra të lëngshëm, lulet duhet të ushqehen në fillim të pranverës, dhe pastaj përsëri çdo 2-4 javë gjatë muajve të verës. Për ta bërë më të lehtë, mund t'u jepni atyre një sasi të holluar sa herë që i ujisni. 


Megjithatë, gjithmonë sigurohuni që toka të jetë e lagësht përpara se të aplikoni çdo lloj pleh në të. Asnjëherë mos i plehroni lulet nëse ato janë të dehidratuara, të varura ose të stresuara, pasi kjo mund t'i dëmtojë rëndë ose madje t'i thajë ato. Bimët që janë shumë të thata do të thithin plehrat shumë më shpejt se ato që janë të hidratuara mirë, që do të thotë se rreziku i djegies së tyre është shumë më i lartë. Pra, nëse bimët tuaja janë të etura, sigurohuni që t'u jepni një sasi të mirë me ujë dhe lërini ta thithin para se t'i plehroni.

  

Për rezultatet më të mira, është e nevojshme testimi(analizat) i tokës që  do t'ju ndihmojë të identifikoni saktësisht se cilët plehra duhet të përdorni. 




Saturday, 10 June 2023

PEISAZHET E BRAKTISURA TE KOHES SE JENIÇERËVE

                                                                          Meditim

nga Dr. Selman MËZIU

Firence, Itali

Dielli silllte pranë nesh një ngrohtësi të bezdisshme. Pas atij rrebeshi e furtune që sapo kaloi këtu në Toskanë e Firence. Ndërsa po  shikoja disa   fotografi, papritmas me vijnë  të tilla nga peisazhet shkelqim bukurish të vendit ku u rrita e mora mësimet e para. Vështroja gjithëçka me mallëngjim miklues. Dhuratë befasuese e shpërthim emocionesh nga Lulëzim Ismail Hoxha.  Arkitekturë peisazhesh që fillojn atje ku prekin qiellin e zbresin ambëlsisht mbi kaltërsinë joshëse të shtratit të lumit Murra.

      Fjollat e reve cekin paksa majën trung koni të malit të Runjës.  Ato duken të kapardisura, të çardallosura në hapsirën blu të qiellit.  Duken si të zemruara. Por unë nuk jam poshtë tyre. Ndërsa ngrihet shpatull gjërë ciklopi  mali i Shmrajs (Emërtim marrë nga  kisha e Shejtores Mari sot gërmadha) e cila  ‘’pritet,, tërthorazi nga dy udhë, e Pellës dhe e Deve.  Dhe një tjetër për së gjati në ngjitje, nga livadhet e Veshe, Kodra e Kualve, shpella e Shejtores Mari dhe përfundon te kisha me të njëjtin emër. Gjelbërim i thellë dushkajash me njëtrajtshmëri  të përsosur  ku duken paksa shenja udhësh. Nga një gungë e këtij shpati, kodra e Kualve, zbres në kullën pothuajse shekullore të Ramadan Lekës. Ngritur hijerandë mbi shkamin buzë brigjeve të një përroi të thelle, emërtimi i të cilet është fshati Shqath, tanima i pa banor. Aty mungon vrulli rinor, shtatet e njoma, energjitë e reja. Koha e jeniçerëve i ka dëbuar nga trojet shumë shekullore. Fatkeqësisht kudo vajtojn shtëpi e troje në këto anë. Këndej diçka po shuhet si flaka e qiriut, qetësisht, sigurisht me shumë dhimbje.

    Flutroi i pezmatuar mbi pamjen e peisazhit të sapo fotografuar  duke u ndaluar te Kodra e Krashe. Plepi i butë, qënia e gjallë, përmendore piramidale që shpon qiellin.         Përqark e poshtë tij pemët e harlisura keqas, që përpiqen të mbulojn gërmadhat trishtuese të shtëpive te djemëve, nipava, mbesave të Adem Krashit. Përqark kanë mbetur vetëm toponimet e arave, livadheve, poreneve, me mbiemrin e tyre. Dëshmi e banorëve të dikurshëm, ndësa sot lotuese, tronditëse shpirtërore, brengosëse. Sigurisht kujtimet e fëminisë më verdallisen me dallgëzime tajfunesh, ato më lodhin e torturojn. Sigurisht i pafuqishëm t’i ndaloi.

      E sakaq ndalem te një plep i tharë i cili më gërvisht egërsueshëm kujtesën. I mbjellur nga i ndjeri babai im Tahiri, këtu e më shumë se gjysëm shekulli. Plepi truplart, ngjyrë dheu, degë e trup të mekura e shpurpurisura nga vdekja, për arsye moshe apo sëmundje. Nuk e di. I vdekur në kam thërret njeriun. Por korr vetëm heshtje. Pranë tij natyra ka mbjellur një lis që edhe po e rrit plotë shëndet. Kurora e tij bukuri rrallë, sikur i jep jetë peisazhit të mejes (ledhit) mbi vijën e ujit të lagjes Hoxhe. Natyra nuk e braktis jetën, ajo është vetë rregulluese, bujare e mjeshtre ndërtuese e arkitekturave të gjelbërta. E zhytur pothuajse në gjelbërim, çatia muret, dritaret të çngyrosura nga mëllefi i jeniçerëve politik. Heshtje. Mplakje nga trishtimi, braktisja, syrgjinosja. Heshtjen e thyejn vetëm cicërimat e zogjëve të shumtë. Dallëndyshet krahë lehta fluturojn përqark shtëpisë. Ato kërkojn  vend për të ndërtuar folenë e tyre, diku nën çati e muret e shtëpisë braktisur nga njeriu. Ndoshta ato ndjen aromën e tyre. Por edhe mund të mendojn kthimin e banorëve ndonje ditë, muaj apo stinë siç bëjnë ato vetë.   Prandaj ato të gëzuara e me plotë cicërima melodioze, fillojn të ndërtojn folenë me pështymën e tyre duke lagur baltën, barin copëra krandesh etj. Unë veç ndjej drithërima në trup e shpirti më helmohet. Edhe pse  jetojm në ditët e fundit te qërshorit, por…   

     Vështroi i përmallueshëm fotografinë e shtëpisë tonë lulet e kujtimeve hapin petlat e tyre si ato të mëngjezit nga rrezet e diellit.

Ishte mëngjez edhe ky i vitit 1968. Ora shënonte 04 e mëngjezit të muajit Korrik. Skoda u shkarkuar me çeremidet e frengut në kodrën e Bushenit. Ardhur udhës malore të makinave nga Burreli në Fushë Muhur duke udhëtuar gjithë natën. Shoferit i ishin skuqur sytë. Megjithatë ai duhesh të kthehesh sa ma shpejt nga kishte ardhur. Ato shkëlqnin, kuqëlonin, të pjekura në furrën e fabrikës së tjegullave në Vorë të Tiranës. Edhe pse po këtu, jo shumë larg në kohë, kishte furrë pjekje tjegullash, por të lugëta. Kishim mjeshtrin Avdi Mëziu, drutë e argjilën. Sot duken vetëm gropat e tjegulla të coptuara, aty këtu. Tani ato kur i shikoi nga fotografia janë të plakura, me myshqe e ndonjë e plasaritun apo e thyer qoshet. Në mëngjez babai  fanell grisur filloi t’i transportonte pranë shtëpisë pa çati, me mushkën tanima heroinë. Ato e mbrojtën familjen tonë nga të ftohti, pikat e shiut, flokët e borës e vapa përvëluese e gushtit. Tani ato mbrojn muret, tavanet me dhomat e suvatuara, mbushur me merimanga e pulla  të kuqe në tavane. Ndërsa minj nuk ka, se nuk ka drithëra në shtëpi, as fruta e perime të thara.  Gjithëçka e shpëfytyruar, mbështjellur me qënje të botës së egër. Fatkeqesisht.

      Muret veshur me llaç gëlqereje ku dallojm kokrizat e ranës marrë në shtratin e Murrës. Me njolla pothuajse të zeza si sy gadi të mbyllura nga lodhja, vuajtjet, koha e pa mëshirshme. Ajo gëlqere u prodhua nga gurët gëlqeror të shtratit të përrroit të Shqathit. Aty u thyen, u ngarkuan në samarin e mushkës paisur me dy dërrasa  lidhur me litar ne dy anët e tij. Me ato u ndërtua furra e gëlqeres. Drutë prodhuar e  marrë nga lisat e vjetër, zemër kalbur në shpatin verior të malit të Shmrajs. Diku posht e sipër udhës së Sekatorit ku shikoheshin sy kaltërta burimet në shkam të gjurrës së Dedë Laçit. Ujin e ftohtë e pinte mushka me endje kurse babai freskonte sytë e lante djesën. Pastaj udhëtonin sëbashku deri në Kodër të Mëzeze.  Tanima gjithë ajo pasuri, ngjizur me mundin, djersën e sakreficat e pa fundme, mban në kam kullën të lidhur gurët me qoshet. Mjerisht pa zëra vogëlushësh e muhabete dhomash pranë zjarrit bubulak. Kuptohet edhe këtu produkt e pasoj i vrerit helmues të kohës së jeniçerëve.  Ato i shtërnguan në fyt lakun e litarit të vuejtjeve e mjerimit. E ato ikën, e ikën diku për t’u shpëtuar këtyre.

    Peisazhit të kullës i dhuron bukuri joshëse, qoshet e shqemat e dyerve e të dritareve. Ato u zbuluan dhe u nxorën diku mbi udhën kambësore Kodra e Krashit - Shqath në Shpatin e Sukës së Leke. Ngjyra pothuajse e kuqe me damaret jeshil e blu  ende ruajn  pamje mrekulluese. U trasportuan në krahë me argjet (Shumë burra vullnetar që e ndihmonin njërin apo tjetrin në punë të vështira S.M). Ato ishin viganë nga trupi, me fuqi divash, me forcë e vullnet të hekurt, bujar e zemër gjan si pasuritë natyrore muhurake. Guri ‘’hante,, daltën kunje dhe të hollë, çekiçin me dhambëza. Përdoresh në ndërtimin e mjaft shpiave muhurake. Mjeshtri gurë skalitës, mixhë  Ganiu ishte mikelamxheloja i këtyre anëve. Ulur në një shtëllung fieri të njomë, punonte  ditë të tana me çekiç e daltat që i tokte (mprefte  vetë) ne farkën e shpikur nga ai. Punonte i përqëndruar e duar artë duke nxjerrun qindra qoshe e shqema dyersh e dritaresh si kallëpe sapuni. Shqiponja, pëllumbi në fluturim, viti 1968 dhe emri i shkrojtur i Ramadan Meziu, babai i tyre  mbështetur në dy degë ulliri, vepër që flet pë kohën e shkuar e të përlot sot.  Edhe pse  në heshtje, janë dëshmitë e kohës dhe e mjeshtrisë së gurë skalitësit. Nën shqemën e derës me themelet e shtëpisë me gjërsi një metër u fut vorba brenda me pasqyrën krahnin dhe kokën e qingjit. Tradite e lashte e muhurakëve. Ato mbajn shumë peshë të dobishme. Edhe pse koha e jeniçerëve i varros e përçmon idiotësisht.

        Banorët që ndërtonin, punonin tokën, prodhonin gjithëçka që u nevoiteshin nu duken. Një ditë apo mëngjez heret u ‘’arratisën,, duke lanun pas gjurmë peisazhesh të pa përsëritshme.  Gjithë çka ka ngrirë. Shkretim nga njeriu ka pushtuar dejet e jetës në fshatra. Ndersa natyra kjo arkitekte peisazhi natyror vazhdon punën e vetë pa u ndaluar. Ndërsa unë me fisin tim me bashkemoshatarët e mijë të fshatit pothuajse nuk jemi. Nuk i japim ngjyra, forma, gjallëri  njerëzore peisazheve. Ndërsa shpata e hidrocentralit Skavica ose Reçi  kërcënon gjithëçka mbi dhe, në këto anë. Janë jeniçerët politik të kohës që duan të varrosin pasuritë tona, trojet tona, djepin e jetës, aty ku u derdh çurg djersa, gjaku e energjia e pa matshme.

 

31.05.2023                                              Muhuraku S. Meziu