Saturday, 8 December 2018

ORAKULLI

Tregim

nga Avdulla KËNAÇI
Gazetar - Shkrimtar
Toronto, Kanada

Avdulla KËNAÇI
Sa më shumë që paksoheshin e rrokulliseshin të poshtë të ardhurat në kooperativën blegtorale të Gjeshnikoshit, aq më shumë labërit kurveleshas kujtonin fjalët e Lutos të thëna tetëmbëdhjetë vjet më parë:
- Si more i dolli llafi të paudhit, poshtë e më poshtë po shkojmë, nuk na japin as qumësht, as djathë e as lesh, i marrin të gjitha për vete. Nuk velen fëmijët me bukë, hambarët e drithit janë bosh. Jarabi o zot, kush ia pruri në mënde ato fjalë Lutos? Sikundër të kishte qenë një profet. Fukarallëk i madh, as në kohë lufte nuk ka qenë kështu. Po na ndryshon syfeti e zhapa nga të pangrënët.
- Qoftëlargu, kush ia këndoi në rrëzë të veshit ato fjalë? Shihnani nashti, jemi çervenisur keq. Thuaj si të duash, i dolën të gjitha çfarë parashikoi ai në varrimin e merhumit Birbil, foli si një profet.
- Mos e kruaj me Luton, është i biri i Dervish Nebiut ai, evlia, ato që thotë ai, më përpara ia ka kënduar zoti në vesh. Ruaju se po të nëmi, dru në vend, të kurspullosi, kërcu bënesh.
- Pushoni gjuhustra, Lutua, Lutua…, e di vetë Partia ku do të na shpjerë, mendon ajo për popullin. Mos harroni, jemi fanar ndiçues për gjithë botën.
Beseda e kuvëndime të tilla më shumë bëheshin në pushimin e drekës së brigadave të arave apo kur gratë kooperativiste prisnin radhën për të mbushur ujë tek e vetmja çezmë në mes të fshatit e cila në muajin gusht rridhte si një fije leshi e bardhë, e dredhur, e hollë… 

Ishte krijuar një mekanizmë i tillë sa çdo e ardhur shkonte me këmbët e veta në shtet. Qumështi, sa milej në shtrungë, nisej direkt për në baxho, në ato punishte të vogla që thithnin si lubi prodhimin më të madh apo zërin kryesor të kooperativës blegtorale të Gjeshnikoshit. Asnjë therje e sforcuar apo skartim i gjësë së gjallë nuk bëhej pa firmën e një komisioni prej tre vetësh, njëri prej tyre shumë i besuar i kryesisë së kooperativës. Motua “beso dhe kontrollo” ishte më shumë se kurrë në rend të ditës. Një shkelje rregulli apo abuzim sado i vogël mund të të përcillte pa shumë ceremoni tek “gushkuqi”, kështu i thoshnin policit të plotfuqishëm të krahinës, apo akoma më keq, në bodrumet e Degës së punëve të brendëshme. Ishte koha kur kryetari i këshillit popullor të fshatit duhet të dinte sa krerë pula kishte koteci i çdo familjeje dhe ku kullotnin ato se bënte vaki që pulat lëshoheshin në grurë a misër të ekonomisë së përbashkët dhe i binte që vezët t’i grumbullonte shteti. Sa më tepër shtërngohej rripi, aq më shpesh qarkullonte emri i Lutos dhe ato çfarë kishte thënë ai në varrim të bashkëfshatarit të vet tetëmbëdhjetë vjet më parë. Bilbili ishte një burrë i shkurtër e tullac. Kur gazetat e revistat komuniste botonin fotografinë e Leninit, pa përjashtim, gjithë bashkëfshatarëve u kujtonte xha Bilbilin që e kishin mu aty në mes të fshatit. Ata ngjanin si dy pika ujë. Realisht Bilbili ishte një burrë i urtë e fjalëpaktë, ndërsa udhëheqësi i proletariatit botëror ishte ezber nga goja dhe aspak i urtë. Bilbili i fshatit malor nuk kishte vrarë asnjë mizë, ndërsa Lenini kishte dhënë urdhër për farimin e mijëra e mijërave rusëve të badhë, pa përmendur këtu burgjet dhe internimet. Kurveleshasit as donin t’ia dinin për të gjitha këto. Ata e njihnin Leninin si shpiksin e kooperativave bujqësore, ideatorin e jetës kolektive dhe mohuesin më të madh të pronës private. Këto iu interesonin. Nuk thonë kot “ku dhemb dhëmbi, vete gjuha”. 

Bilbilit iu sos vaji i kandilit dhe pikërisht kur Gjeshnikoshi ishte kolektivizuar e bërë kooperativë, ai vdiq. E kishte nga Perëndia. Nuk priti të korrte të mirat e sistemit të ri socialist sipas direktivave të Leninit. Kur u varros, dikush, sipas zakonit duhet të thoshte diçka, të paktën dy fjalë. Po ndahej përgjithmonë me të afërtit e tij, bashkëfshatarët dhe kooperativën, por katundi malor nuk kishte një hoxhë për varrim. Si mund të përcillej xha Bilbili në atë botë pa thënë dikush një fjalë? Përpara se sa ta mbulonin me dhe, midis percjellësve sundoi një heshtje e thellë. Asgjë nuk pipëtinte. Shpëtimtari i situatës ishte Lutua, një djalë i ri, shpatullgjerë e trupngjeshur, i fuqishëm, guximtar, i sapokthyer nga shërbimi ushtarak në kufi. Ai mori leje të fliste diçka. Shumica e aprovoi nga që ishte i biri i dervish Nebiut, familje fetare, por një pakicë ngriti supet me mosbesim nga që ai ishte shumë i ri në moshë. Sidoqoftë ai foli:
- Të shkoftë shpirti në xhenet, o Birbil Bejo. I shkurtër ti, i shkurtër Lenini, tullac ti, tullac Lenini, ai me kapellë e ti kokëzbathur. Me siguri do ta takosh në narijet (amëshim). Do t’i bësh shumë të fala nga gjithë neve e t’i thuash se Gjeshnikoshi u bë kooperativë. I fundit fare, Reis Goxhia. Ti Birbil ike mbathur e me shollë, po ne në atë botë kemi për të ikur xathur e pa shollë fare. 
 
Pa mbaruar fjalën ushtari i sapolëruar, një zë si kakaritje pulash u dëgjua andej nga fundi i percjellësave, pastaj u pasua nga një tjetër e nga një tjetër. Qeshën më shumë për atë ngjashmërinë me Leninin se sa për parashikimin për të ardhmen. E kush dyshonte në fjalët e Partisë se e ardhmja e ndritur ishte përpara. Të gjithë do të hanin me lugë floriri e jo si në kapitalizëm që proletarët vuanin për bukën e gojës e pronarët bënin qejf. Nuk mjaftoi me kaq. Dikush e bëri problem në organizatën e partisë së fshatit pse Lutua “ky xhorrek” (trupmadh) tallej me udhëheqësin e lavdishëm të proletariatit dhe motamo po e krahasonte me një copë bari si xha Bilbili. Shumica ishte kundër. Padyshim që Lutua bëri një shaka dhe as ka patur ndonjë qëllim të keq për të diskredituar Leninin. Përkundrazi, Partia le ta dinte se Lenini ishte bërë aq popullor në Gjeshnikoshin e largët malor sa kujtohej edhe në një varrim të thjeshtë. Për çudi ajo shprehja “Ti Birbil ike mbathur e me shollë, por ne në atë botë kemi për të ikur xathur e pa shollë fare…”, nuk përmendej. E kush mund të vinte në pikëpyetje të ardhmen e lumtur që kishte projektuar Partia? Kapakun diskutimit ia vuri komunisti më i vjetër, anëtar i ish njësitit gueril të Vlorës:
- Dëgjoni shokë, është shumë pozitive që një bir dervishi tallet me zakonet prapanike e të kënduarit të hoxhës në varrim, është rit fetar, e dyta, Lutua ka qenë ushtar kufiri në Tropojë, kufi me armikun shekullor, serbin, po ta urrente pushtetin popullor do të ishte arratisur njëmijë herë. Ja ku është midis nesh. Ai padyshim është njeriu ynë, njeri i Partisë.

Kjo ngjarje në Degën e punëve të brendëshme të Gjirokastrës u përcoll nga tre burime të ndryshme. Informatorët nuk e njihnin njëri-tjetrin. I pari nuk e kishte përfshirë atë shprehjen: “ai me kapellë e ti kokëzbathur”, ndersa i treti nuk di për çfarë arsye nuk e kishte përmendur shprehjen: “Ti Birbil ike mbathur e me shollë, po ne në atë botë kemi për të ikur xathur e pa shollë fare…”. Me sa duket ka qenë larg burimit të folësit apo njerëzit rrotull tij qeshnin aq shumë sa nuk i kanë dhënë mundësi informatorit ta dëgjojë Luton qartë. Pavarësisht që ushtari i sapolëruar nuk përfshihej në listën e armiqve të Partisë e të Pushtetit, kryetari i Degës dha urdhër që ndaj këtij objekti të hapej dosje. Informatat u regjistruan që të tria, pikë për pikë, ashtu siç ishin raportuar.
- Këtë dosje të gjithë do ta njohim me pseudonimin “Orakulli”, - tha prerë kryetari i Degës së punëve të brendëshme dhe doli me nxitim jashtë zyrës. Dhe që nga ai moment emri i Lutos, gjithnjë do të shkruhej e do të thirrej “Orakulli”.
***  

Lutua banonte dy shtëpi më tej nga e jona. Qysh i vogël unë vija shpesh në oborrin e tyre mbuluar me hije pemësh e aty lozja me lloj-lloj lodrash. Dervish Nebiu më kishte mësuar si t’i dalloja granatat e mbetura nga lufta e dytë botërore. Kurrë të mos i prekja, le më për të tentuar të nxirrja barut prej tyre. Aty fillimisht kam dëgjuar këngët e vjetra himarjote nga gramofoni të cilin e shihja për herë të parë në jetën time. Një gramofon me pllaka të zeza sa një tepsi dhe me vetkurdisje. Babai i Lutos, dervish Nebiu, kishte studjuar në Egjipt dhe librat, në shumicën e tyre ishin të shkruara në gjuhën arabe. Duhet të bëje kujdes e të mos shkaktoje zhurmë sepse ai rrinte me orë të tëra mbi ato libra gjithë arabeska. Nëna e Lutos, teto Sulltana ishte një grua e dashur dhe e dhimbsur. Çdo fëmijë që i shkonte vizitë, me prindër apo pa prindër, ajo ose do t’i nxirrte mjaltë me hoje (rezhda), ose sheqerka me kubikë që ua linte në pëllëmbë të dorës. Kur Lutua, djali i vetëm i tyre shkoi për tre vjet ushtar në kufi, unë isha bërë si i shtëpisë. Isha më i përkëdheluri e më i dashuri ndër moshatarët e mi. Dervish Nebiu më linte ta vëzhgoja kur shkulte një dhëmballë të majisur apo se si kujdesej për kosheret e bletëve, ose se si përgatiste ilaçet popullore nga bimët e egra që mblidhte në male. Mbaj mend si zbulonte një rrënjë të hollë arre dhe pasi e priste me brisk, lëngun e saj e mblidhte në një shishe të vockël. Nuk di se me çfarë bimësh e përziente tjetër, të rrahura në havan, por di se me atë ilaç shëronte buzët e plasaritura e të fryra me plagë që nuk mbylleshin kurrë. Siç mësova më vonë, ishin tumore malinjë apo kancer i buzëve. Ai nuk mirrte shpërblim për punën e bërë. Gëzonte respekt të jashtëzakonshëm jo vetëm në Gjeshnikosh, por në gjithë krahinën. Ishte një shëronjës popullor me emër të madh. Ai nuk besonte në magji apo në të kënduar në gjuhën arabisht. Mjekimi i tij bazohej tek kirurgjia dhe ilaçet të cilat i përgatiste vetë.


Sa më shumë që kalonin vitet e unë hidhja shtat, aq më shumë guxoja të largohesha prej shtëpisë sime. Çdo vit e më shumë shtoja perimetrin e hulumtimeve. Përmbi vargun e banesave, karshi diellit, ishin vreshtat. Flitej se dikur, para vitit 1914, çdo familje kishte pasur nga një dynym vresht. Aty gjeje të kërleshura gjithfarë bimësh dhe kafshësh të egra. Lepuri dhe dhelpra banonin në të njëjtin habitat me zogjtë dhe thëllëzat. Lere pastaj kur bilbilat krahëshkruar me ngjyra të bukura vezulluese ndërtonin foletë brenda kurorës së murrizave. Në vjeshtë aty mund të mblidhje kulumbri, thanë, manaferra e pse jo edhe kokrra të kuqe murrizi. Nganjëherë, pa pritur shfaqej ndonjë bistak rrushi, shesh i bardhë apo i zi. Mjafton të hulumtoje e të bëje kujdes nga nepërkat sepse me siguri diçka të dobishme do të gjeje. Një ditë prej ditësh, kur kisha dalë për “gjueti”, pikërisht në tarracën e vreshtit të dervish Nebiut diçka më zuri syri përmes një të çare ledhi. Hoqa një gur, dy dhe në thellësi ishte një depo e vogël armësh. Ishin maliherë të shkurtër grek. Disave u ishte ndryshkur tyta apo kalbur kasa e drurit nga lagështia, por disa të tjerë ishin të mbajtur mirë. Me siguri ndonjëri prej tyre mund të punonte dhe të shkretat dhelpra ç’do hiqnin prej meje. Pa më lënë kohë të fantazoj edhe më, nga Lëmënjësi dëgjoj një zë që përmendi emrin tim. Ishte Lutua. Si më pa nga aq larg? “Prit aty”, më tha. Kisha hyrë pa leje në pronën e tjetrit dhe aq më keq: kisha zbuluar një sekret. Kushedi çfarë druri do të haja nga Lutua, apo nuk i kishte ato pëllëmbë aq të mëdha, apo nuk ishte një nevrik i madh ai. Në shtëpinë e tij askush nuk guxonte t’ia bënte fjalën dysh. E po druri për burra është, mendova dhe duke u dridhur, po prisja që ai të mbrrinte. Vura re me kujdes fytyrën e tij duke u ngjitur lart, ishte e murrëtyer, sytë i lëshonin shkëndija. Mirëpo asgjë nuk ndodhi. Ai më uli përballë. Më pyeti se ç’doja në vreshtin e tij; më kishte dërguar dikush tjetër apo kisha ardhur vetë, me mendjen time.
- Për kokë të babës, nuk më ka dërguar njeri, unë kam kaluar kushedi sa herë aty, për manaferrra.
- Ke kaluar vetëm apo me shokë? - pyeti me zë të ulët - Dhe mos më gënje.
- Vetëm, fare vetëm, për kokë të babës.
- Tani dëgjo këtu, unë nuk të rrah ty se pastaj, po ta marrë veshë Sulltana më rreh mua, mëma ime de, që të do aq shumë, por kërkoj të më japësh fjalën për një gjë: Sa të rrosh, askujt nuk duhet t’i tregosh çfarë pe në ledhin e arave tona. Po tregove, na bëre gjëmën të dyve.
- Kurrë nuk kam për të treguar, sa të rroj, për kokë të babës.
- Nëma dorën këtu si burrë, - më tha dhe përmbi flokët e mi të zez më kaloi pëllëmbën e madhe.

Sa herë e kam kujtuar këtë çast dhe gjithënjë kam thënë se po të më trajtonte keq, ashtu siç bënin shumë burra të tjerë të atij fshati, ngjarjet do të kishin marrë tjetër rrjedhë. Në ato vite, mbajtja e një arme pa leje dënohej deri në pesë vjet burg, po njëzetë armë të fshehura me kujdes? Hyje në të tjera nene. I kishe hapur gropën vetes. Pa dyshim që për organet “kompetente” ishe një armik që po përgatisje rrëzimin e pushtetit popullor me armë. Në hetuesi të nxirrnin qumështin e nënës gjer sa ta pohoje vetë këtë. E habitshme ishte se si Lutua nuk ma zuri më në gojë këtë ngjarje. Ai nuk kishte dyshim se unë mund të kisha treguar. Komunikimet tona ishin njëlloj. Mua ai më kishte quajtur burrë dhe unë si i tillë sillesha. Kështu i vazhduam marrëdhëniet gjer në fund të jetës së tij.
***  

Hajria ishte motra më e vogël e Lutos, ose ndoshta ashtu na dukej ne më të vegjëlve sepse nuk mund të thoshe me saktësi se ishte e martuar apo e pamartuar. Ishte më e bukura në fshat, gojëmbël, me ca tipare të mprehta dhe dy sy gështenjë e të bukur. Zakonisht vishej me rroba të errëta dhe një shami kremi të zezë nuk e hiqet kurrë nga balli. Unë gjithnjë e mbaj mend se si ajo ndihmonte nënën e saj, Sulltanën, në të gjitha punët e shtëpisë, pa kundërshtuar, pa u ankuar asnjëherë. Rrugica për në të vetmen çezmë të fshatit kalonte përbri shtëpisë sonë dhe unë do ta shihja atë gati çdo ditë, edhe kur nuk shkoja vizitë në shtëpinë e tyre. Mbartja e ujit nga çezma ishte detyra e saj. Priste radhën në heshtje. Përgjigjej shkurt kur e pyesnin dhe largohej sa të ishte e mundur më shpejt. Punonte aq nxituar, pa fjalë, pa zhurmë e pa bujë si askush tjetër, si një flutur. Hajria dhe Sulltana ishin dy femra në atë shtëpi të cilat Lutua i respektonte e nderonte më shumë se këdo. Ai zemëroj për hiçgjë, por me ato kurrën e kurrës nuk kishte ndërruar një fjalë, ose të paktën këtë ide kisha krijuar unë. Lutua nuk e nxori motrën asnjë ditë në punë kooperative. Ai i bleu asaj një makinë qepse zvicerane “Singer” dhe ajo vetë me intuitën e saj mësoi si të presë e të qepë rroba leshi dhe kostume grash e burrash. Ajo shtëpi në anë të fshatit kishte shumë hyrje-dalje, madje mysafirët vinin edhe nga fshatra shumë të largët si nga Vunoi në Himarë. Në fillim nuk merrej vesh në se Hajria i kishte ndërprerë lidhjet me burrin e saj të arratisur apo i vazhdonte. Flitej se ajo kishte qenë e martuar dhe burri i saj ishte arratisur në Kanada. Shumë moshatare të saj që kishin pasur të njëjtin fat, ishin martuar me kohë e me vakt, por ndoshta edhe ajo do të martohej, kur t’i dilte fati. Asnjë shkes apo burrë nuk guxonte të afrohej për një propozim sepse Lutua as i priste në fjalë. Nuk merrej vesh, ishte dëshirë e tij që ajo të priste burrin nga Kanadaja apo vetë ajo kishte deklaruar se përveç martesës së parë, nuk pranonte asnjë lidhje tjetër.

Dikush hapi fjalë se Lutua nuk do ta martonte të motrën asgjëkundi sepse kishte marrë sinjale se pushteti komunist do të rrëzohej dhe kunati i tij do të kthehej nga Kanadaja. Kishte njoftime se edhe burri i Hajries nuk ishte martuar në Kanada. Fjalët ranë në vesh “të organeve të dashura të Partisë”. Kryetari i Degës porositi që të evidentohej çdo person jashtë fshatit që hynte e dilte në shtëpinë e “Orakullit”. Ishte ca i vështirë verifikimi, vonohej sepse mysafirët kryesisht nuk ishin nga rrethi i Gjirokastrës, por nga Vlora, Tepelena dhe Saranda. Gjithnjë vinin për një hall, sidomos për punë shëndeti. Nuk rezultonte ndonjëri i lidhur me agjenturat e huaja. Organizata e rinisë në fshat, duke mos ia përmendur emrin Hajries, bëri një mbledhje ku vuri në dukje se ka familje fanatike që nuk duan t’i nxjerrin gratë në punët e kooperativës. Kanë paragjykime dhe veprojnë në kundërshtim me vijën e Partisë. Dalja e grave në punë nuk duhej parë thjesht si interes ekonomik, por si pjesë e emancipimit të femrës. Asnjë krah pune mbi 18 vjeç nuk duhet të qëndronte në shtëpi. Mirëpo Lutua gjeti një rrugëdalje tjetër: çfarë kishte gjëra pëlhure kooperativa për të qepur si thasë apo napa, t’i sillte në shtëpinë e tij dhe qepja të llogaritej me ditë pune. Kështu emri i Hajries u regjistrua në brigadën e arave dhe ajo u quajt e punësuar. Sa u mbyll problemi i daljes së saj në punë, doli një telash tjetër. Lutua paskishte thënë se nuk mbetej gjë tjetër veç të mprehnin gratë në parmendë. Sekretari i organizatës bazë të partisë këmbëngulte se kjo ishte parrullë armiqësore dhe Lutua duhej arrestuar. 

- Të mos harrojmë, shokë, - tha ai - se armiku i klasës punon me të gjitha mënyrat të na diskreditojë dhe sabotojë. Dua të lavdëroj me këtë rast mësuesin e gjuhës e të letërsisë që kushëriut të tij të sapodalë nga burgu, i vuri fletë-rrufe në mes të fshatit. Kësaj i them unë ndihmë e jo ato që thotë Lutua. Ky, mësuesi është njeriu ynë i ri, besnik i Partisë, ky meriton të bëhet drejtor shkolle.
- Me siguri do ta bëjnë, - tha Lutua - se këta kështu të duan, t’u lëpish qurrat.

Operativit të zonës iu vu detyrë të verifikonte në çfarë rrethanash e kishte thënë Lutua atë fjalë të helmatisur për gratë, e kishte thënë me qëllim të diskreditonte pushtetin lart apo kryesinë e kooperativës poshtë. Në relacionin e tij operativi i zonës shkroi: “Orakulli, vetë i dytë bujk, me një skuadër grash kooperativiste, u urdhërua nga brigadieri të ngjitej në mal për të mbjellë patate, por në vend të dy pendë qeve, i kishin nisur një pendë e gjysëm, pra, mungonte një ka parmende. I revoltuar, në këto rrethana e ka thënë atë fjalën e hidhur. Madje ka theksuar se këtë do ta ngrinte edhe si problem në kryesi të kooperativës sepse sekretari i partisë shokët e tij i mban aty rrotull zyrave dhe gratë i dërgon në mal, në punët më të rënda. Mendoj se nuk ka pasur qëllim të diskreditojë Partinë dhe Pushtetin popullor”.
Burgosja e Lutos dështoi, pavarësisht nga këmbëngulja e sekretarit të partisë, por emri i tij gjthnjë e më shumë pëshpëritej me simpati në gjithë fshatin. Ai fliste drejt e hapur. Ishte nga bujqit më të dalluar, kurrë nuk i trembej punës. As të dielën nuk pushonte. Nisi një punë që nuk ia kërkoi kërkush. Nga një madem afër çezmës nxori kallëpe gurësh, i skaliti me durim dhe ndërtoi një çezmë të re për fshatin. Ashtu siç kishte bërë edhe dervish Nebiu, i ati i tij. Askush nuk u kujtua për ta shpërblyer, ama në sytë e popullit figura e tij u ngrit lart. Nuk mbeti njeri pa e falënderuar, sidomos gratë që mbartin ujë e u duhej ajo çezmë, me përjashtim të zyrtarëve. Ai ishte bërë halë në sytë e njerëzve të pushtetshëm. Ishte si një zyrë ambulante e ankesave të popullit. Shihnin njerëzit e thjeshtë se si vidheshin kopetë e deleve në mal dhe në vend të ankoheshin tek kryetari i kooperativës, qaheshin tek Lutua. Shihnin si përroi që doli prej shtratit përmbyti stallën e kuajve duke ngordhur e plagosur kafshët e gjora, prap ankesa tek Lutua. Brigadierë të pandërgjegjshëm, ata ishin sabotatorët e jo Lutua. Nuk mbeti grua pa e uruar për punën vullnetare që bëri për çezmën e re duke krijuar aq shumë lehtësi për gratë.

 
Ajo që i ndodhi me një të deleguar të rëndësishëm, të ardhur nga komiteti ekzekutiv i Gjirokastrës, mori dhenë. Kishte hyrë muaji maj, atë vit pranvera erdhi me shira të butë, të herëpashershëm. Gruri ishte harlisur kodër më kodër e tarracë më tarrracë duke u shpalosur tej e tej si një pëlhurë mëndafshi jeshile. Po rritej i mbarë. Lutua i gëzohej diellit të pranverës mbështetur pas një guri dhe tufa e qeve po kulloste në paqe në shullërin sipër arave me grurë. Cfakat kishin çelur lulet e verdha dhe bletët zukatnin sipër tyre duke mbledhur polen e mjaltë për kosheret e tyre. Tek-tuk, brenda parcelave me grurë, si zjarre të vegjël skuqnin lulëkuqet. Lutua vuri re se dikujt i ishte zgjidhur kafsha e dorës, një mushkë qimekuqe e cila sa kishte hyrë në një parcelë me grurë. U ngrit dhe u drejtua për andej. Po matej ta ndiqte nga gruri kafshen pa zot, kur në kthesën që vinte nga Rehova nxori turirin një gaz kinez i murmë. Po vinte një i deleguar nga komiteti ekzekutiv i rrethit. I deleguari i dha urdhër shoferit të ndalej në anë të parcelës me grurë. Doli nga gazi serbes dhe iu drejtua Lutos gjoja i nevrikosur:
- Çfarë ndërgjegje ke, o shoku fshatar, që lejon mushkën të hajë grurin para syve të tu, të dëmtojë pasurinë e përbashkët? - bërtiti ai si në mall të vet. Lutua ndali hapat. E habiti toni i të deleguarit dhe aty për aty iu kthye:
- Shko nxirre ti, shoku qytetar, parcela dhe gruri janë të tuat. Të mijtë janë ata qetë atje lart në shullë.
- Si more shoku kooperativist ta nxjerr une mushkën sikur e kam sjellë nga Gjirokastra, kur u gjenda këtu rastësisht, po ti qënke një sabotator, nuk të dhimbset pasuria e popullit.
- Lere popullin në punë të tij, gruri është yti, shoku nëpunës, ne populli fshatar hamë vetëm bukë misri, e di ti këtë? Ju në qytet hani bukë gruri. Ne ua dërgojmë kokërr më kokërr grurin që prodhojmë këtu, - i tha ai fare shkoqur dhe u kthye mbrapsht.

I deleguari pa rrotull se mos e dëgjoi kush, por asnjeri tjetër nuk dukej në horizont. Bëri ç’bëri e nxori mushkën nga gruri duke e trembur me thirrjet: “Yaa, yaha, të hëngërt bisha…”. Lutua buzëqeshi që e mposhti të deleguarin dhe u kthye i qetë tek tufa e qeve sipër shullërit. I deleguari pyeti në kryesinë e kooperativës kush ishte bariu i tufës së qeve, mos ishte ndonjë i deklasuar që u përgjigj në atë mënyrë, por ata i thanë se ai ka dashur ta ngacmonte sepse realisht ai aty ishte nisur, për ta nxjerrë mushkën nga gruri. Dikush tjetër kishte informuar për ngjarjen në kryesi përpara se sa të mbrrinte i deleguari. Fjalët e Lutos morën dhenë. Shumica e përgëzonin për guximin që kishte pasur për t’ua përplasur në sy të vërtetën qytetarëve. Edhe kjo ngjarje u regjistrua në dosjen “Orakulli”.

Ndihmat kineze po paksoheshin dhe e vetmja rezervë shtetërore ishte oborri personal. Direktiva të reja erdhën nga lart për ta paksuar më tej oborrin kooperativist dhe thuajse asnjë bagëti nuk duhet të mbahej në shtëpi. Nën pretekstin se bagëtitë nuk ishin “higjenike”, duhej të tufëzoheshin. Erdhi një kohë që për çdo familjes edhe buka e misrit ishte e pamjaftueshme, lere më djathi e gjalpi. Tashmë malësorëve, të dëgjuar për mikpritjen e tyre, u vinte zor të hapnin derën e shtëpisë për mikun apo të deleguarin nga qyteti. Kosin në shishe qelqi, e sillnin nga qyteti, kur u jepej rasti. Por edhe atje duhet të zije radhë herët se mbarohej shpejt. Duke vuajtur këtë fukarallëk të madh, kujtdo i vinin ndërmend fjalët e Lutos, profetit të Gjeshnikoshit. Mos vallë kishte ardhur koha për t’u varrosur “pa shollë”?

- Zot i madh, i morëm me të qeshur fjalët e Lutos dhe ja tani nuk na besohet që erdhi dita ta shohim veten në këtë derexhe, paska qenë profeti vetë, - thoshin të dëshpëruar më të moshuarit e fshatit, sidomos ata që kishin qenë në varrimin e Bilbil Bejos dhe i kishin dëgjuar me veshët e tyre ato parashikime profetike, ogurzeza. 
- Kush vallë ia këndoi në vesh Lutos këtë gjëmë që po ndodhte? Ky duhet të jetë fundi? Nuk ka ku shkon më keq, - afërsisht kështu thoshnin të gjithë në Gjeshnikosh.
- Po deri sa Lutua nuk e martoi motrën, diçka tjetër duhet të dijë. Me siguri do të ketë ndonjë përmbysje të komunizmit. Ai diçka tjetër ka në mendje, por nuk ka ardhur koha ta thotë, - ia priste ndonjë nga djemtë më të rinj, optimist për të ardhmen.
- Kujdes, djalë, muret kanë veshë…
***  

Nuk kishte shkuar shumë kohë kur unë isha vendosur me punë në qytet. Ishte mbasdite. Nuk u besoja syve për çfarë vura re përpara Degës së punëve të brendëshme në Gjirokastër. Dega ndodhet në rrugën kryesore që shkon drejt “Sheshit të Çerçizit”. Nga shtëpia ime në qytet unë atë rrugë e bëja në formë shëtitje, me hapa të ngadaltë, thuajse çdo mbasdite. Dhe përfundoja në kafen e hotel Turizmit ku takoja shokët e miqtë. Duke u ngjitur, gati tek këmbët e mia ndaloi gazi i zi i Degës. Ishte i mbuluar nga një tis i bardhë pluhuri sa mezi dallohej ngjyra e zezë e mushamasë. Dukej që vinte prej një rruge të largët e të paasfaltuar. Nga dera e pasme e makinës zbriti një polic dhe pas tij një burrë trupmadh, i kërrusur nga prangat e hekurta që kishte në duar. Më ngriu gjaku. Si u ndodha atë moment aty? I arrestuari ishte Lutua, dora vetë, miku im. Desha ta shihja në sy, por ai nuk ngriti krye. Kur hyri tek dera kryesore e Degës drejtoi trupin dhe u fut brenda serbes duke u tretur brenda barkut të frikshëm të godinës. Nuk mund të shkoja në shtëpi pa marrë vesh se çfarë kishte ndodhur. Vazhdova të zvarrit këmbët dhe ja ku mbrrita para Turizmit. Ca nga dritat e zbehta të fenerëve të sheshit e ca nga buzëmbrëmja që afronte, nuk mund të dalloje fytyrat e njerëzve që venin e vinin më këmbë apo duke bërë shëtitjen e mbrëmjes. Hyra brenda lokalit dhe zura një tavolinë në cep. Më dukej sikur isha ulur mbi gozhdë e jo mbi karrige druri. Shokët e mi nuk kishin mbrritur ende. Truri më punonte me shpejtësi. Kisha pirë dy kafe ekspres njëra pas tjetrës. Me siguri e kanë arrestuar për agjitacion e propangandë, mendova. Duan të trembin të tjerët. Po sikur t’i kenë kapur armët, po sikur ai të nxjerrë emrin tim? Keq do t’i kisha punët. Lamtumirë nëpunësi. Unë sa isha emëruar me detyrë të mirë në qytet. Kujtova edhe njëherë të gjitha bisedat që kisha bërë me të. A e kishim sharë ndonjëherë pushtetin popullor së bashku? Nuk më kujtohej asgjë. Diçka kishim folë për Kanadanë dhe të arratisurit bashkëfshatarë që banonin aty. Për armët nuk kishim folë asnjëherë. M’u kujtua një bisedë për librat kur ai më pyeti në se e kisha lexuar romanin “Lulja e kujtimit” dhe monografinë e “Mustafa Qemalit”. Më tregoi se romanin “Bija e mallkuar” e kishte lexuar, por unë jo. Ishte hequr nga qarkullimi dhe nuk kisha mundur ta gjej tek librar Alizot Emiri. Si nëpër tym më dukej sikur më kishte premtuar të ma siguronte. Po më mirë që nuk ma kishte gjetur. Si mundet ai burrë i zgjuar të kishte rënë në kurthin e sigurimit? Ai kishte një informacion të jashtëzakonshëm për çdo bashkëfshatar. Zakonisht u shmangej bisedave kolektive dhe dasmave, qoftë edhe tek njerëzit e tij më të afërt. Thuajse nuk besonte me asnjë. Ashtu si i ati, vazhdonte të mbante lidhje me miq të largët.
Dalëngadalë kafja e hotel Turizmit po mbushej me njerëz dhe më në fund nuk mbeti asnjë tavolinë bosh. Ja ku erdhi edhe një nga shokët e mi të kafes. U ul përballë meje. Do të vinin edhe të tjerë. Ai nuk po ia ndante sytë fytyrës sime.

- Çfarë të ka ndodhur, pse je zbehur në fytyrë, mos je sëmurë? - më pyeti duke u rehatuar në karrigen e tij.
- Kam parë Luton të arrestuar. Nuk ka një orë që e sollën në Degë me pranga lidhur. Ecja rrugës për këtu kur e pashë, ja me këta sy. As xhaketë nuk kishte veshur, po një triko leshi ngjyrë kafe.
- Kush, ai parashikuesi, ai profeti që ka thënë se në atë botën tjetër do shkojmë pa këpucë?... Mbahej i fortë? - pyeti shoku im gjithë merak. “Mbahej i fortë?”, ishte nga pyetjet më të zakonshme në ato vite të jashtezakonshme kur arrestimet ishin dendësuar.
- Nuk di si të them sepse nuk ia pashë fytyrën. Dy policët që e shoqëronin nuk e mbanin për krahu, - iu përgjigja unë me zë të ulët - si ta marrim vesh akuzën, këtë dua të di me çdo kusht?
- Akuzën? Mos u nxito, prit ta pij edhe unë kafen. Aty në krye të sallës është një hetues, kushëriu im. Do ta pyes, shpresoj të më thotë diçka, - më tha ai duke më hedhur dorën në sup e duke më dhënë zemër. 

Nuk më durohej gjersa të merrja vesh çfarë kishte ndodhur. Fati im ishte i lidhur me çfarë do të deklaronte Lutua në hetuesi. Ajo kohë që zgjati për të pirë kafen shoku im, m’u duk shekull. Pasi shkundi edhe pikën e fundit të lëngut të zi, ai u ngrit dhe unë porosita kafen e tretë. E veçoi kushëriun hetues dhe diçka flisnin të dy me këmbë e duar.
- Qetësohu, - më tha kur u kthye në tavolinë - e kanë arrestuar me këmbënguljen e organizatës bazë të partisë në fshat. Është qesharake, e kanë arrestuar për thashetheme.
- I sigurtë?
- Shumë i sigurtë, por se mos të shkasë goja dhe e bisedon me njeri tjetër akuzën. Ma more në qafë kushëriun, - më porositi. Më erdhi zemra në vend. Kafen e tretë që sapo kishte ardhur, nuk e vura në buzë. Kisha besim se Lutua 
do t’ia hidhte paq. Unë e njihja mirë inteligjencën dhe kapacitetin e tij, zgjuarsinë natyrale të malësorit trim e të ndershëm.

Qëkurse ishte arrestuar Lutua, gratë e Gjeshnikoshit që shkonin për ujë në çezmën e re, vonoheshin më shumë se zakonisht. Debatonin, shanin, ngrinin zërin, a thua se përlesheshin me njëra-tjetrën. Secila jepte mendimin e vet për “atë gjëmë” që i kishte ndodhur fshatit. Lëshoheshin lloj-lloj pandehmash dhe në shumicën e rasteve vinin gishtin për tërë ata “munafikë” që kishin ngritur këtë çark të shëmtuar kundër njeriut të shenjtë, birit të zotit. Përgjithësisht ato zienin nga inati se si mund t’i hidheshin hekurat një njeriu të drejtë, të ndershëm e duarflori që kishte bërë aq shumë bamirësir për të gjitha fiset. Hajria i dëgjonte me durim bisedat rreth të vëllait, Lutos, një pjesë e të cilave ishin ngushëllime, por as ndërhynte dhe as përgjigjej kur e pyesnin. Ishte bërë më e kursyer në fjalë dhe nuk i pëlqente të shoqërohej me asnjë grua, qoftë edhe kushërirë. Hidhërimin e mbante përbrenda kraharorit të saj që kishte filluar të rreshkej.
*** 

Ai pati hetuesi të vështirë. Herë pas here unë isha në dijeni çfarë po ndodhte. Kishte kërkuar t’i sillnin nga shtëpia veprat e Partisë, ndryshe nuk do të hapte gojën as në hetuesi dhe as në gjyq. Avokat mbrojtës nuk pranoi. Kur e panë se e kishte seriozisht, ia sollën të gjitha librat që kërkonte. Për çdo akuzë ai përgjigjej me citime nga literatura e Partisë, madje ai nxirrte një kryesi të tërë abuzuese dhe të korruptuar si dhe shpërdoruese e mallit të përbashkët. Solli shembull rojën e natës në magazinë që thoshte ashiqare se “unë i ruaj mallrat në magazinat gjithë natën pa vënë gjumë në sy dhe këta i hanë ditën në dritë të diellit”. Babushin, kështu i thoshin rojës, e thirrën në hetuesi si dëshmitar dhe ai pohoi ato që kishte deklaruar i akuzuari Luto. E pyetën si mund të përmirësohej situata ekonomike dhe Lutua kishte përgatitur pesë faqe me shkrim se si të dyfishohej prodhimi në kooperativë, si të administrohej dhe organizohej më mirë puna. Me një kusht: e gjithe kryesia të shkonte në prodhim dhe në vend të tyre të zgjidheshin të rinj, të pa molepsur.
- Pra, ti mendon se drejtuesit do të na katandisin të shkojmë në atë botë pa këpucë, ashtu siç ke deklaruar në varrimin e Bilbil Bejos? - i tha hetuesi dinak. Lutua e nuhati menjëherë kurthin. Nuk duhet ta kruante me ata aty lart në Tiranë.
- Dëgjo zoti hetues, uji lart buron i kthjellët, por turbullohet rrugës. E shkrove?
- Jo...
- Shkruaje, ata drejtues që keni zgjedhur ju në fshatin tim, të siguroj se jo vetëm do na përcjellin pa shollë, por fare lakuriq.

E megjithatë ai u dënua me katër vjet burg, nga të cilat bëri vetëm dy, por asgjë nuk iu faktua nga ato që mendoja unë. Kështu u mbyll përgjithmonë dosja “Orakulli”. Armët nuk u përmendën asnjëherë dhe motra e tij Hajria mbrriti në Kanada me karrocë me rrota, e thyer në moshë. Shumë nga ato që u quajtën “thashethemet e Lutos”, këtij burri të zgjuar e largpamës, u vërtetuan edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, të tjerat më vonë. Ai nuk rron më. As motra e tij Hajria. Ajo prehet në një lëndinë në Otava të Kanadasë krahas bashkëshortit të saj që e priti për 45 vjet me radhë. 
Fund

Fjalor shpjegues:

Orakull - parashikues ngjarjesh të trishta; velen - ngopen; çeturët - hambarë të vegjël; syfeti - pamja, fytyra; zhapa - lëkura; çervenisur - shpartalluar; kurspullosur - ngrirë, tharë; gjuhustra - llafazane; gjalmë - fije leshi e dredhur; ezber - gojëtar; farimin - shfarosjen; xhenet - parajsë; shollë - opinga lëkure; xathur - zbathur; xhorrek - kalli misri i madh; motamo - pikë për pikë; rrezhda - hoje dylli; maliher grek - pushkë teke, grykëshkurtër; derexhe - gjendje; rreshkej - vyshkej; ashiqare - hapur, në dritë të diellit; munafik - spiun.
Toronto, Dhjetor 9, 2018


Fshati Golem ne dîmër

Tuesday, 27 November 2018

Nëpër guvat prrallore të Lureit

          nga Fiqri SHAHINLLARI
Shkrimtar dhe gazetar
Washington DC

Fiqri SHAHINLLARI
          Para 5-6 vjetëve m’u dha rasti që një ditë, e shtunë ka qenë, ta kaloja duke vizituar një ndër shpellat më popullore të Amerikës, me destinacion turistik ndërkombëtar. Dhe ja, këtë të shtunë të datës 24 Nëntor të vitit 2018 e vizitova përsëri. Shkak u bënë mbesa dhe nipi im i vogël, të cilët deshën ta vizitonin këtë vend fantastik, sipas tregimit të gjyshit të tyre.. Quhet Caverns Luray dhe ndodhet në Valley Shenandoah të shtetit Virxhina. Që kur djali im Andi me bashkëshorten vet amerikane  Elisha më shqiptuan këtë vend para 5-6 vjetëve unë ndjeva tingullin e dy emrave shumë të njohur për veshët e mij e të çdo shqiptari. Lurei më solli në vesh emrin e Lurës sonë të famshme dhe Shenandoah emrin Shën Anou mbi Laç. Sa më pyetën për dëshirën time unë nuk e bëra të gjaté: Nisemi-thashé. Dhe, kështu, për gati 2 orë udhetimi me makinë nëpér Luginën e Shenandoah-ut, në “skuadra” prej katër vetesh, se me ne erdhi edhe bashkëshortaj ime, Nadina, arritëm në Guvat e Lureit. Lugina ka kodra dhe male, ka fusha që preheshin atëhere në qetësi duke pritur pranverën qé po trokiste për t’u mbushur me gjelbërim e tani në fund të vjeshtës së tretë kur po binte shi papushim. Në të dy krahët e rrugës shikon bujtina e  shtëpi fshatrash dhe qytetesh të vegjël, shikon toka të fermave ku kullosin lopë e kuaj, maqineri bujqësore. Luginën e kanë quajtur: “Bija e yjeve”, “Shporta e bukës e konfederatës”, “Lugina Big”. Ultësira malore e saj është 250 milje.
 
          Dhe ja tek arritëm në Guvë. Atë e kanë zbuluar 140 vjet më parë, më 13 gusht të  vitit 1878, një teneqepunues dhe një fotograf të cilët pandehën se në atë guvë do të kishte florinj. Për këtë shkak me qirinj në dorë ata kishin  gërmuar për katër orë në shkëmbinj të lirshëm. Pastaj teneqexhiu Campbell me nipin e tij Kuinti 13 vjeçar, u lidhën me litar dhe shkuan poshtë. Fotografi Benton Stebbins priste sipër. Ata që zbritën poshtë nuk e besonin atë që panë. Kishin zbuluar serinë më të madhe të shpellave në lndje të Amerikës, në një sipërfaqe prej tre hektarësh, një botë të frikëshme me stalaktite dhe stalakmite të parë nën dritën e qiririt. Të frikësar kishin dalë jashtë…

          …Pasi premë  bileta dhjetëdollarëshe secila, pritëm radhën sa të dilte grupi para nesh i turistëve dhe të fillonte vizitën grupi ynë. U futëm në guvën e ndriçuar me sistemin më modern të kohës. Ecëm ca duke parë stalaktitet dhe stalakmitet, këto  mrekulli të natyrës që nuk ka dorë skulpori t’i gdhendë kaq habitshëm! Pasatj zbritëm 68 shkallë poshtë. Vazhdojmë rrugën. Stalaktitet rriten nga tavani që ne mjaft  vende lartësia shkon deri në 10 metra e zgjaten poshtë ndersa stalakmitet rriten nga “dyshemeja” e ngjiten lart. Po sa është kjo rritje? Një inç kub në 120 vjet! Kur dëgjon nga ciceroni  se këto krijime te habitëshme të natyrës janë produkt i kombinimeve të ujit me shtresa të sedimenteve të kafshëve detare të fosilizuara dhe gurëve gëlqerore, me karbonate e me elemente të tjerë kimike prandaj nuk duhen prekur me dorë se dëmtohen dhe mund të marësh ndonjë infeksion dhe, se kjo shpellë e moshës 400 milon vjeçare  është Monument natyror i SHBA që vizitohet çdo vit nga gjysëm milion turistë nga e gjith bota, i thua vetes : “Luaj vendit dhe mos prek!” Kjo guvë është vizituar nga turnetë studentore  më shumë se çdo shpellë tjetër në botë. 

         Kjo mrekulli kishte marë shkak nga ndarja e Kontinentit Amerikan prej Evropës dhe Afrikës 600 milion vjet më parë. Më von, para 400 milion vjetëve uji i Oqeanit ishte larguar dhe kishte lënë si “lekurë” a “fole” të tij këtë guvë me dhoma të mëdha të mbushura me kolona madhështore, mrekullisht të habitëshme sepse disa dukeshin si qirinj gjigandë, ca si “fantazma e Plutonit” (kështu quhej), si kafsheë prehistorke, si qen madheshtor. Vende vende shikon edhe “liqene” të vegjël me ujë krejtësisht të tejdukshëm, qelibar, si kristal. Atje reflektohedhin stalaktitet gjigande dhe dukej sikur puthnin njeri tjetrin. Unë dalldisa nga kënaqësia kur shikoja mbesën time Eliza 11 vjeçare që filmonte këtë mrekulli. Nipi, Illai, 5 vjeçar harroi të kërkonte ujë si disa çaste më parë  sepse  edhe ai po mahnitej nga pamja...Në mundeshi lexues té nderuar, shikoni videon bashkangjitur me titull:"Luray Caverns" Një nga këto shpella uji për vizitoret ishte shndrruar si Fonatan Di Trevi në Rome. Ne nuk na u ndodhën monedha metalike por Andi nxori një kartmonedhë pesëdollarëshe dhe e la jo në ujë por afër sipërfaqes së tij. Me paret e shumta që mblidheshin aty meremetohet ndonjë pjesë e demtuar e guvës.

          Zbritja vazhdonte nëpër rrugë dredha derdha të shtruara  me pllaka të vogla drejtkëndeshe  si ato té bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë por me ngjyrë tulle. Ciceroni beri një shaka: “Ky stalaktit gjigand që shikoni këtu u shkëput nga tavani para tre muaj më parë. Peshon 180 ton!” Dikush u shtang. Ai e kuptoi dhe vazhdoi: “Vërtet besuat se para tre mujave ra ky shkëmb gjigand? Dhe qeshi. “Shkëputja ka ndodhur dhjetra mijë vjet me parë!” Ne ishim futur në një botë të cilën për ta kuptuar drejt duhet ta çoje veten miliona vjet më parë. Të shkonin mendime nga më të çuditëshmet kur dëgjoje se në një vend aty kishin gjetur kockat e një vajze. Si kishte ndodhur?..Nuk ka shpjegim të qartë. Mbrritëm deri në thellesinë 100 metra poshtë sipërfaqes së tokës, në “Katedralen” e famëshme me tavan 10 metra të lartë. Një vend fantastik nëntokësor ku që nga viti 1900 e këtej organizohen ceremoni martesore (deri sot mbi 450 të tilla) të shoqëruara me muzikë të prodhuara nga instrumenti më i madh muzikor në botë-Organi i Madh Stalaptite. Ne pamë ca tela dhe disa vegla të tjera të vendosura nëpër stalaktitet gjithandej që me një komandë (buton) bënte muzikë të kualitetit të koncerteve kishtare në raste dasmash por  ne këteë wonderland nëntoëesor degjon edhe “ Rocks Sing”

         Më bëri përshtypje edhe ajri i pastër dhe i shëndeteshëm i nëntokës, Ky ajër është i filtruar sepse përmes gëlqerorëve janë thithur bakteriet e pa kondicionura, pluhuri dhe poleni dhe është krijuar një ajër perfekt sidomos për ata që vuajnë nga oraganet e frymëmarjes.
  
        E lamë Guvën Lurei pas afo një ore e gjysëm duke bërë kështu 2 kilometra shëtitje nëpër këtë botë të nëndheshme plot magji e madheshti. Por kureshtja jonë ishte e pangopur për të vizituar, aty pranë edhe Muzeun e makinave dhe mjeteve të tjera të transportit. Që nga viti 1957, kur ky muze u krijua, është parë nga miliona vizitorë. Është një nga ekspozitat më të shquara të Amerikës me automjete të rralla, me koleksione nga makinat e autoveturat e vjetra që bëjnë historinë 200 vjeçare  të udhëtimit me këto mjete. Format e para të karrocave mbretërore e makinave gjermane, angleze, amerikane, franceze, karrocat portugeze, franceze i gjen aty.

        Kopshti Maze ishte një surprisë tjetër në atë mjedis, rreth portës hyrëse të guvës. Duke filluar nga viti 2000 vizitorët janë kënaqur me misterin e labirinthit brenda kopshtit dekorativ në Caverns Laury. Rrënjosur në mit, mazes kanë ekzistuar prej shekujsh në forma të panumerta në vende të ndryshme të botës. Ato janë projektuar për argetim, janë art në fakt që të shkaktojnë magji dhe meditim. Kopshti është tetë metra i gjatë dhe katër metra i gjerë, ku përshkohet një rrugë prej gjysëm milje të gjatë i vshur me një vel mjegulle. Në 40 pikë nisjeje kandidati duhet të zgjedhë një drejtim për të zbuluar enigmën dhe për të dalë nga labirinthi.

        U larguam të kënaqur nga Caverns Luray, nga ky vend i nëndheshëm turistik ndër më atraktivët në Amerikë..
 
 Fiqri Shahinllari

Saturday, 3 November 2018

Mallkimi i poetit

Rrëfenjë 

nga  Namik SELMANI 
Shkrimtar dhe Poet
Boston, SHBA


Namik SELMANI
…..Këtu e vite të shkuara poeti Xhevahir Spahiu shkonte me hap poeti në zyrën pas pallatit të Kulturës në Tiranë ku aso kohe ishte libretist. Ishte një mëngjes i freskët nga ato që poeti kishte dëshirë që t’i kalonte diku në vjeshtën e Malindit e të Çepanit. Diku në Frashër apo mes burrave të urtë të Dibrës. Diku në Frashër apo mes liqeneve të Dumresë ku njeriu ngatërrohet gjithmonë duke i llogaritur saktësisht në numër e në emrat e tyre aq të bukur…

            Para se të hynte në zyrë e kishte për zakon që të përshëndetej me dy ullinj të moçëm, shumë të moçëm që ishin përballë zyrës së tij. I përshëndeste me sy, me duar, me krenarinë e madhe e të pashprehur se ato i kishte mbjellë dikur një gjysh që ishte njëherësh edhe stërgjyshi më i moshuar i të gjithë shqipfolësve.

            Me ndonjë varg të mbetur përherë i freskët e asnjëherë i kalbur në zahirenë e pambaruar poetike spahiane. Ndoshta pikërisht në ato ditë të trazuara të ndërrimsistemeve do të ketë mërmëritur monologun e papërsëritshëm: 

“Ah, sikur të më harrojë vdekja
 si harron ullirin! Ah, sikur!”

Brenda hapësirës së pamatë të infrastrukturës së tij poetike ai meditonte për ullinjtë. Për ata që shikonte e prekte, por edhe për ata që formonin kurorën ullishtore të Beratit, të Vlorës, të Çamërisë……Për kuvendet e panumërt që bëheshin në hijen e tyre. Për dasmat e panumërta ku djemtë uroheshin për të bërë djem më të fuqishëm se ata vetë. Për vallet e shartuara me blerimin e tyre. Për kurorat e fitimtarëve që bëheshin me gjethet e tyre hyjnore. Për kuleçet e festive të gatuara me vajin e tyre. Për plagët e kurrizëve të burrave të ftohur në ditët e betejave të përgjakshme që mjekoheshin me to…
Poeti Xhevahir SPAHIU
            Po, ah, ç’kishte ndodhur? Ullinjtë nuk ishin më aty!!!!! Ishin prerë nga disa duar të panjohura për tërë natën. Një njeri i panjohur i kishte ngarkuar në natën e errët. Dikush i kishte transportuar në një vend të panjohur. Mos vallë i kishte dërguar në Skrapar për t’iu dhënë pak freski apo për t’i shtuar edhe më shumë lavdinë lavdimadhit dhe Mbretit të Këngës Demir Zyko? Mos kishin shkuar që të zbusnin sadopak dhimbjen e fshehur çame që prej shumë vjetësh në Arpicë, Paramithi, Gumenicë a në Filat? Mos?!

            Ç’thua kështu more poet?? A mos të ka zënë jermi e harron se çka po flet në këtë mëngjes të zakonshëm Tirane?
Ullinjtë ishin prerë e mbi tokë kishin lënë disa gjethka të vogla. Nuk kishin mundur dot që të mblidhnin pak lëng të blertë ulliri për ta vënë në një Muze Ulliri me degët e ullinjve shumëshekullorë të mbjellë në vitet kur Tirana ishte a s’ishte disa kasolle të vetmuara buzë një lumi e pranë një kodre. Si në legjendat bashkëkohore, ullinjtë, mbase më të moçmit në Shqipëri e në Ballkan, ishin zhdukur nga harta e kryeqytetit të shqiptarëve për t’u zhdukur po kaq tragjikisht edhe nga harta e kujtesës popullore. 

            Në atë vend do të bëhej një hotel me shumë yje. Nuk e mbante zyra. Turfullonte si kalë i plaguar poeti. Si Kostandini pa Dhoqinën. Si deti pa bregun. Si Skrapari pa dollinë. Si Prizreni pa Lumëbardhin ujëkristal që i kalon mes përmes si një kordele e blertë. Si Berati pa Tomorin. Po kujt t’i fliste? Kujt t’i qahej? Kujt? Kuujt?
Atë çast ia behu në zyrë miku i tij nga Shkupi shkrimtari dhe esteti Ali Aliu.
-Po ku ishe fshehur, more Ali? –gati sa nuk sokëlliu poeti. Aliu vinte nga Prishtina i malluar për Shqipërinë e miqtë.
            Para turfullimit të mikut të tij nga Tirana ai mbeti si i ngrirë.
“Mund të presësh ullinjtë e Petrelës që janë 2000 vjeçarë? Po ata të Babicës që janë 2200 vjeçarë?- vazhdonte të meditonte a të thërriste poeti duke harruar traditën shqiptare të mikpritjes së tij me një përshëndetje fjalëëmbël për mikun e largët e të afërt.

-Si ç’të kem, more Ali! Kanë prerë ullinjtë më të moçëm të Tiranës. Më gjej një kryeqytet në të gjithë botën që të ketë ullinj në zemrën e tij! Po ç’është këtej e tutje pa këta ullinj Tirana? Hë, më thuaj e mos më beso po të duash. A ka mallkim më të madh për ata që i kanë prerë ato? A mund që t’i ecë mbarë atij që ka në plan e që ka paguar për këtë vend kaq shumë? Iu thafshin krahët! Këto nuk i them unë, por e thua edhe ti, edhe të tjerët. E thonë të gjithë…

            U hap më vonë një gropë. E madhe, e stërmadhe. Si një kuçedër gojëzjarrtë. Një gropë që me vite të tëra me radhë kutërbonte erë plehu, erë krimi, erë…….Një gropë që i hoqi edhe filizat e fundit të ullinjve që mund të kishin mbetur në palcën e dheut tiranas. Të tre MONUMENTEVE. Të tre vëllezërve degëblertë…..Njëlloj me Monumentet e shkronjëtarëve të shquar shqiptarë Naim Frashëri dhe Abdyl Frashëri, për të cilët në ish truallin e Persisë fjalëmençur vetëm pas disa vitesh me aq kurajo poeti e dashurie për fjalën e kombit të tij do të propozonte që bustet e tyre të zbukuronin sheshet e lulëzuar të Teheranit
- Hej, mos u bëfsh kurrë themel shtëpie, hoteli a ç’dreq ndërtese, moj gropë që more me vete ullinjtë më të moçëm të Tiranës!- mallkoi me sytë gati të përlotur poeti me sytë nga sheshi i boshatisur.- As kasolle bagëtish mos u bëfsh!

.. Dhe mallkimi i poetit zgjati, zgjati, zgjati mbi 20 vjet. Edhe deri tani. Dheu kurrë nuk u ngjiz që të bëhej “nënë”. Mbase edhe sot pas vitesh mallkimi i poetit duhet të bjerë mbi ullinjprerësit e Beratit, të Vlorës, të Myzeqesë, të Ballshit…për të shpërthyer sërish në vargjet filizëblertë. Jo pak po rreth 20 poeti ai ka bërë për ullinjtë. 

Bëj të vdes në një ulli, 
bëj të vdes, por nuk vdes dot.
o ulli më merr nënë rrënjë!

Tek tregonte, fërkonte paksa gjurin e tij të sëmurë. “Larg sëmundjet nga poetët!–gati sa nuk thirra unë në atë çast me zë të lartë në gjysëmerrësirën e kafe “Evropës” me doktor Pandeli Çinën dhe me gazetarin e “mësuesin e arkeologëve “ të Skraparit, të mirënjohurin Nuri Çunin.
Mos të zëntë kurrë mallkimi i poetëve! MOOS!
Ullinj në qender të Barcelonës, Spanjë.(Photo by Arturo Reina Sánchez)
Ulli mbi njëmijëvjeçar ne Shqiperi



Friday, 19 October 2018

LAZARATI BUJQËSOR

Përgatitën: 

Zija BASHA
Historian dhe Publicist
 Çikago, SHBA

Koço MOSKO
Agronom. 
Boston SHBA


            Për zhvillimet bujqësore në Iliri dhe Epir, që nga lashtësitë dëshmitë e para na vinë nga autorë të shumtë të Antikitetit. Homeri, një nga shkrimet më të vjetra, e quan Mollosinë një vend me bujqësi të përparuar në atë periudhë.  Shumë të tjerë  e përshkruajnë  si vend të begatë e përmendin gjedhët, delet, qenin Mollos, në Epir si racat më të mira të kohës. Po kështu dëshmi të shumta ka dhe nga autorë romakë për vlerat e larta të verërave e pemëve Ilire. Dëshmi të shumta për një zhvillim të mirë të vreshtarisë, pemtarisë e drithrave në Epir e Iliri ka edhe gjat periudhës Mesjetës nga udhëtarë, diplomatë e studjues të huaj si:  Evlia Çelebi, Johanes Hahn, Fransua Pukëvile, e shumë të tjerë. Po kështu dhe Rilindasit tanë si: Naim Frashëri, Pjetër Budi, Freng Bardhi, Ndre Mjeda, etj., tokat e Ilirisë i kanë përshkruar nga më pjelloret me pemë e vreshta nga më të mirat dhe si një Parajsë tokësore.

            Në këtë këndvështrim edhe Lugina e Drinos qysh në Lashtësi ka patur zhvillimet e veta në bujqësi. Nga gjetjet arkeologjike në Antigone e gjetkë është vërtetuar se në këtë luginë në shek. III p.e.r bujqësia, vreshtaria dhe pemtaria ka patur një zhvillim mjaft të madh. Gjithashtu edhe gjat Mesjetës dëshmohet se bahçevanët më të mirë në Stamboll vinin nga kjo trevë.   

            Në trevën ku shtrihet fshati Lazaratit, i përfshirë dhe ky në Luginën e Drinos,  ka dëshmi që vërtetojnë se ka pasur një traditë të mirë për kultivimin e drithrave, pemtarisë e veçanërisht për vreshtarinë: në Lashtësi, gjat Mesjetës, e në vazhdim. Këto zhvillime në periudha të ndryshme po i cekim sado pak në këtë shkrim modest.

            Pranë vendit të Shenjtë “Selgjike” është Pylli i Lajthive në gjendje natyrale që edhe sot përfshin një formacion pyjor prej më se 6 hektarësh. Gjithashtu  aty afër ka dhe shumë thanë e kumbulla që vendasit i quajnë “të malit”. Deri von ishin edhe pyje të tërë me thanë si tek vendi i quajtur “Thanët e Bracke”. Në fund të këtij formacjoni pyjor ndodhen rrënojat e Kishës së Shën Gjonit dhe fshatarët, si Vend i Shenjtë, deri në vitet 1960 nuk i prisnin drurët në ato vende. 

            Në Shullë, Hijen e Sopotit, dhe Kurunë, pranë Kishës së Kurunës ndodhet një pyll vetëm me arrë. Këto arrë nga vetë kushtet e rritjes janë me trup të vogël e kanë prodhimtari të pakët. Ne mendojmë se janë të njëjta me arrët e Labovës apo të Selckës, të cilat edhe këto ndodhen afër vendbanimeve të lashta dhe në afërsi të ketë edhe lajthi. Shumë e çuditëshme por, duket sikur i ka mbjellë e njëjta dorë. Kokrrat e tyre çahen me lehtësi dhe është provuar se në kushte më të mira tokësore japin një prodhim të mirë dhe lartësia e kurorës së tyre harrin në 10-15 metra. Vështirë është sot të gjenden formacione pyjore natyrale të pasterta me arrë. Pranë hyrjes së Grykës së Sopotit deri në vitet 1950 ndodheshin dhe qindra gështenja disa prej të cilave janë dhe sot. Deri në vitin 1975 në vendin e quajtur Gropat e Buze ishin 8 rrënjë gështenjë me moshë qindravjeçare, etj. 

          Të gjitha këto fakte tregojnë se zanafilla e tyre është nga faktorë njerëzorë dhe këto fillesa janë shumë të herëshme. Kultet fetare që ndodhen aty tregojnë se ka patur një përkujdesje të vazhdueshme që nga kohëra qe nuk dien, e deri në Mesjetë nga banorët, sigurisht duke kryer herë pas here dhe mbjellje të reja. Kultet, kanë krijuar dhe mitin e ndëshkushmërisë. Nëqoftëse dikush do t’i priste ose do t’i dëmtonte këto pemë, do të kishte pasoja të rënda, ndaj dhe i kanë rezistuar kohërave deri von. Kjo na bën që të besojmë se të gjitha këto  kanë lidhjet me mitet e sjelljet Pagane, Parakristjane të banorëve me pemët. Kjo dëshmon gjithashtu për hisorinë e lashtësinë e fshatit. Ndaj është e nevojëshme të vihet në ruajtje ajo çka mbetur, pasi kanë vlera studimore e shkencore, botanike, historike, biologjike, agroteknike, didaktike, etj.

          Një zhvillim të madh që nga kohëra që nuk dihen ka patur edhe vreshtaria e mjeshtëria e bërjes së verës. Fshati Lazarat ka qenë i rrethuar me vreshta të shumta. Mbi fshat në vendin e quajtur "Vreshtat e Gjoke" ka qenë e mbjellë një sipërfaqe shumë e madhe, e sistemuar bukur në brezare funksjonale. Në ledhet e tyre siç përmendëm më lart ishin mbjellë edhe shumë pemë si: gështenjë, thanë, kumbulla,  etj., një pjesë e të cilave janë dhe sot. Praktikë kjo e përmendur edhe nga autorët romake si Plini, etj.,  për vreshtat në Iliri. Gjithashtu të shumta për këtë janë dhe dëshimitë e udhëtareve të huaj gjat Mesjetës. Në vendin e quajtur “Gropat e Buze”, në hyrje të Grykës së Sopotit ndodhen dhe dy vaska të lyera me gurasan(llaç me gëlqere dhe tjegull e shtypur). Ndoshta këto vaska kanë shërbyer më herët  për të shtrydhur rrushin. Koha kur janë ndërtuar ose kanë funksjonuar këto vaska nuk dihet, specjalistat mund të hedhin pak dritë.   

           Në Lindje të fshatit vreshta të shumta kishte në vendet e quajtura “Gropa e Belule”, “Gropa e Gogolit”, “Vreshti i Gabe”, në kufi me fshatin Dervician, etj. Nga ana e Veriut vreshta të shumta, të sistemuara bukur, ku në ledhe kishte edhe shume peme si dardhe, qershi, arra, kumbulla, etj., ishin në vendin e quajtur "Dushk". Në tërësi këto dukeshin si një kopësht i stolisur bukur me gjithfar pemësh e lloje të zgjedhura rrushi. Këto vreshta i morrën gjirokastritët sepse banorët u detyruan të largoheshin nga Kappllan Pasha në vitin 1734, ju kthyen përsëri banorëve pas Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912.

           Pas vitit 1958, vit kur u krijua kooperativa, djem lazarateas të apasjonuar pas vreshtarisë si: Zeqo Aliko, Ino Aliko, Nazmi Basha, Shyqo Meçi prunë nga vreshtat e Pogonit prej fshatrave Çatistë, Sopik, Hllomo fidanë të hardhive gjithfar llojesh dhe i mbollën në Dushk. Ato dhanë prodhim të mirë për 10 vjetët e para, po u zhdukën nga filoksera vit pas viti, sepse vendi ishte i infektuar nga vreshtat paraardhëse.

          Në Lazarat, ashtu si edhe në vendet e tjera, kishte edhe një traditë që pranë çdo çerçemi, lisi apo vidhi të mbilleshin hardhi, që mund ishin si: debinë, pulez, muskat, rrazaki, etj. Këto mirmbaheshin e u kryheshin të gjitha sherbimet agroteknike. Kjo praktikë kryhesh në fshat në kopshtet rreth shtëpive, por edhe rreth vreshtave në ledhet e mezhdat e arave të bukës ose në bostanet.

          Pas viteve 1970 në Zallin e Lazaratit u mbuall rreth 40 ha me vreshta me fdana antifillokserike të zgjedhur si: Shesh, Kabërnet, Debinë e Zezë, Sovinjo, Afuz Ali,  Reisling, Rexhinë, etj. Disa parcela patën një zhvillim të mirë e filloi të mirresh edhe prodhim i mbarë, por u prishen pas vitit 1990 sepse u kthyen në sheshe ndërtimi. Këto vreshta ishin planifikuar edhe të ujiteshin nga Stacioni Pompimit Kollorcë qe u ndërtua gjat viteve 1978-79 ku do të fuste nën ujë gjithë kodrat nën fshatin Lazarat, po kurrë nuk u vu në punë. Me që jemi ketu, ky sistem vaditës, tashmë gjysëm i gatshëm, është më se i nevojeshëm të rindërtohet dhe Kodrat nën Lazarat të mund të mbillen me: bajame, lajthi, arra, por edhe me dardhë, qershi, shegë, etj. Pse jo edhe me vreshta e perime. Një ha. me arrore siguron deri 15 mijë dollarë, konkurojnë edhe me agrumet nga fitimet që sjellin, si dhe tregu ka shumë nevojë.

          Në Kollorcë mund të përmendim gjithashtu blloqet me fiq të Dalip, Bido e Xhevdet Bashës, fiq të bardhë dhe të zinj, kokërmëdhenj, cipëplasur shumë të ëmbël e të veçantë, nga më të mirët,  me origjinë nga fshati Ladovishtë, një fshat i lashtë në Lunxhëri i braktisur, afër qytetit Antik të Antigonesë. Ky bllok është i ripërtrirë dhe sot jep prodhim. Rreth fshatit gjëndenshin gjithashtu dhe dhjetra ullinj me moshë qindravjeçare.

          Fushën e Lazaratit e përshkojnë Lumi i Suhës dhe Lumi i Drino, është një fushë pjellore. Në të kaluarën kërcënohesh nga daljet nga shtrati e këtyre dy lumenjëve. Fusha ishte e populluar me pemë të shumta që nga Pesjaku, Kunupica  e deri ne Urën e Kollorcës si: arrë, fiq, dardhë, mana, bajame, lisa, rrepe, etj. Në çdo ledh apo mezhdë are ishin mbjellë pemë. Shumë nga këto u shkulën gjat sistemimit të fushës. Kjo u riparua disi duke mbjellë plepa anës kanaleve. Pemët e shumta në fushë shërbenin për hije gjat muajve të nxehtë të vitit, ruanin një freski, lagështi ajërore e tokësore, mbronin bimët nga erërat e ftohta dhe vërshimet e lumenjëve. Pemë të grupuara në fushë, që ishin si oaze freskie, mund të përmendim: Fiqtë e Birbile, Fiqtë e Seriane, Fiqtë e Tushe, Dardhët e Bexhos, Arrët e Alike, Rrepet e Hirre, etj. 

            Në Fushën e Lazaratit kalonin rrugët që lidhnin qytetin e Gjirokastrës me Libohovën, Janinën dhe krahinat e Pogonit e Zagories, etj. Në kohët e Lashta sipas historianeve grekë Polibit shek. III p.e.r. dhe Plutarkut shek. II p.e.r, Pirrua i Epirit ndërtoi një rrugë për të lidhur qytetin e lashtë të Finiqit me qytetin e lashtë të Antigonesë, që Mbreti Pirro e ndërtoi për  gruan e tij Antigona. Gjurmët e kësaj rruge i gjejmë që në hyrje të Grykës së Sopotit si dhe në Fushë. Në fushë është një ngastër që quhet "Kalldrëme", aty ishte një pjesë e kësaj rrugës e shtruar me gurë.  Gjat sistemimeve të fushës dhe plugimeve traktorët nxirnin në sipërfaqe gurët e latuar. Me tutje ishte Ura e Kushës, rrënojat e së cilës gjënden dhe sot. Vazhdonte tek Mulliri Kapllan Pashës, anës Lumit të Suhës kalonte nëpër Haliq, Kunupice  drejt Pesjakut, duke u ngjitur drejt qytetit Antik të Antigonesë. Traseja e kësaj rruge aty-këtu ende dallohet mirë. 

          Gjat Mesjetës fusha shumë pjellore, lazaratasve nuk u është mundësuar ta çfrytëzonin. Kjo, qoftë nga kapriçot e vërshimeve të lumenjëve, ku disa muaj të vitit ishin të pakalueshëm, por u bë edhe më e vështirë për fushën dhe zonën nën fshat gjat okupimit osman në kohën e anarkisë feudale, e nxitur nga turqit. Në shekullin e 18-të, ishte vazhdimisht shesh lufte ku përplaseshin  ushtritë e interesat feudalëve shqiptarë për të zotëruar qytetin e Gjirokastrës. Ishin bejlerët e agallarët përreth, me ekspasjonin e tyre për toka që e bënin këtë luftë deri sa koha nxorri një të vetëm, Ali Pashë Tepelenën, i cili ndërtoi dhe urën e Kordhocës. Ai, Lazaratin nuk e përfshiu në çiflik të tij, sepse lazaratasit zotëronin vetëm bagëti e ara malore. Pas reformave të Sulltan Abdyl Mexhidit agallarët u fuqizuan dhe shfrytëzimi fshatarëve u shtua nga klasa e re. Disa fshatra të Pellgut të Drinos filluan të çpopullohen si: Kollorca, Kunupica, Pesjaku, Latovishta Gjonofshati, Xhanali, etj. Tokat e tyre i morrën agallarët gjirokastritë.

          Në Lazarat për mbijetesë, në shekuj ka pasur rëndesi jetike nxjerrja e bukës  me majën e kazmës, të dhiqeli e parmendës, në arat e brezaret në mal. Ato ara janë edhe sot me gjurmë të qarta, taraca e mure rrethues, ledhe e grumbuj gurrësh. Mbillej grure kutrule, 3-muajor, halëzi, zhulicë, thekër, elb, mel, misër vendi 3-muajor koker vogël, por shumë i shijshëm dhe me erë aromatike, qiqra, fasule qorre me miser bashkë. Arat për bimët e arave në mal ndodhen: tek Kisha e Shën Gjonit në Grykën e Sopotit, Shullëri Koçie, Pllashnja. E tregojnë toponimet dhe emrat e tyre si: Ara e Mahmute, Ara e Seriane, Ara e Meshës, Gropa e Misrit, Ara e Dollës, Arat e Kishës, Arat e Shullërit, Arat e Hasane, Kasallati, Ara e Nikos, Arat e Buzës, Arat e Haske, Arat e Rabe në Rrathe, Ara e Dervenit, Kenellet, Lekgjonet, Arat e Shebeke, Haselli Hire, Arat e Hies së Gjonit, Arat e Ledheve, etj.
Ura e Kollorcës ndërtuar nga Ali Pash Tepelena(në sfond një pjesë e Fushës së Lazaratit)
            Në fillimet e viteve 1970 u ndërtua Rezervuari i Doftisë  si dhe u hapën kanalet kulluese e ujitëse. Pas viteve 1975 si rezultat i këtij përmirësimi hidrik të fushës së Lazaratit filluan të mirren rendimente të mira në drithra në përputhje me kapacitetet biollogjike të kultivarëve që mbilleshin. Lazarati gjat kësaj periudhe ishte në kuptimin e plotë të fjalës një hambar për Kooperativën “Asim Zeneli”. Aty u ngrit dhe një qendër eksperimentale e shkencore e studimit të llojeve të grurit që hynin në prodhim për gjithë koooperativën. Për ironi për një perudhë të gjatë fshati nga ai sistem, rreth 6 muaj të vitit detyrohesh të konsumonte bukë misri duke bërë që fshatarët tu drejtoheshin e të luteshin në dyert e dyqaneve të bukës në qytetin e Gjirokastërës.  Gjat kësaj periudhe janë kultivuar me sukses edhe bimët  industriale e foragjere si: duhani, lule dielli, koreandëri, jonxhë, tërfil, sorgum, etj.

          Megjithëse fusha e Lazaratit që nga vitet 1970 ka mënjanuar në një farë mënyre dëmet nga vërshimet e lumenjëve, sepse duhet të mirmbahet, akoma nuk mund të çfrytëzohet me racjonalitet sepse nuk ka ura për të shkuar tek parcelat, disa muaj të vitit lumenjtë janë të pakalueshëm. Ura e Kordhocës, e vetmja urë, është e vjetër, e amortizuar dhe nuk i përgjigjet kërkesave të kohës. Është më se e nevojëshme të ndërtohen dy ura. Një mbi lumin Drino dhe një tjetër mbi lumin e Suhës. Lidhur me këtë mendojmë që këtu të ndërtohet dhe rruga ku ka qenë dikur, për në Libohovë, Pogon e Zagorie.  Ndërtimi i vetëm 3-4 km rrugë, do të shkurtojë 20-25 km, rjedhimisht këto krahina do t'i afrojë  me Gjirokastrën. Kursehet ndjeshëm kohë, amortizim, karburant, etj.  Do tu shërbejë dy krahinave për të frenuar disi shpopullimin, Libohovës, Lazaratit,  fshatrave Suhë, Stegopul, Labovës dhe vetë qytetin e Gjirokastrës do ta gjallerojë me tepër. 

          Shtimi i tokës bujqësore për Lazaratin erdhi gradualisht gjat shekullin të 19-të dhe të 20-të në fushën e Drinos, sepse më parë nga të dhënat historike të defterëve osmanë që pasqyrojnë vjeljen e taksave, del se lazaratasit mirreshin me bujqësi, pemtari e vreshtari në tokat malore. Ata kanë qenë edhe gurëxhi e muratorë të zotë, emigronin deri në Selanik e Stamboll për këto punë, pa harruar familjet e ekonominë e tyre familjare. Historiani grek Aravantinoi tek "Ipirotika Istoria" (1856) thotë se lazaratasit “mereshin edhe me tregeti qe arrinin deri në Athinë, Selanik e Kostandinopoje. Ky popull ka qenë punëdashës gjat historisë tij të shkruar e dëshmive materiale në rënojat mbi tokë e nën tokë. 

          Fondi i tokës që ka sot popullsia e Lazaratit, pamjen e morri plotësisht pas Reformës Agrare në vitin 1946, ku bë edhe shkëmbimi i tokave me pronarët gjirokastritë e derviciotë. Kjo popullatë ka qenë dhe është shumë e lidhur me tokën duke e emërtuar si “të shenjtë”. Tokën e ka dashur e punuar në çdo kohë pa pyetur për degët politike të kohrave që kanë vepruar kundër interesave të komunitetit lazaratas. Sot ka pak migrim brenda vendit e fare pak jashtë vendit, sepse të gjithë janë të dehur nga era e ngrohtë e Vendlindjes- Trevës së bukur të Lazaratit! Nëqoftëse e emërtoni: Lazarati Pellasg, Ilir, i Epirit, Arbëror, Shqiptar, Ju nuk keni gabuar, por keni thenë një të vërtetë.

Tetor, 2018

Foto nga Lazarati pres
Lazarati Sot
Gryka e Sopotit

Qente e races Mollose në Lazarat

Një bari, banor i Lazaratit në vitet 1969
Kur egersohen Lumi Drino dhe Lumi i Suhes.