Showing posts with label Haki Kola. Show all posts
Showing posts with label Haki Kola. Show all posts

Wednesday, 6 December 2017

Nëse ka vullnet, zgjidhjet per lehtësimin e ringjalljes se pyjeve ekzistojnë

nga Ing. Haki KOLA
Tiranë


          Kush ka sy e veshë, kush gjykon për mjedisin ku lind e jeton, lëviz e sheh nëpër Shqipërinë tonë të vogël, apo thjeshtë informohet sadopak nga media, e ka bindjen që mbulesa e gjelbër e tokës tonë  është dobësuar e pakësuar së tepërmi qoftë nga prerja, zjarret, kullotja, gërmimet e gërryerjet. Një shoqëri normale duhet të reagonte. Qeverisjes duhej ti kujtonte që pakësimi i bimësisë në male e kodra, është rrezik për tokën tonë, djepin që na ka lindur e na siguron jetesën. Nëse i bëhet krahasim gjëndjes dhe ecurise së mbulesës pyjore, nuk është e vështirë të konkludohet që në 25 vitet e fundit, dëmet kanë qenë më të mëdha se sa në disa nga shekujt, që kur disponohen materiale e dëshmi  të shkruara e trashëguara. Realiteti është i hidhur, po të mendosh që   shoqëria jonë pretendon se është në progress e aq me tepër por realizon kritere për tu bërë e pranueshme nga bashkësia europiane. Praktikisht duket sikur nuk dijmë të shohim mendojmë e tregojmë. Të trishton paaftësia jonë  pë të reaguar,  kur është  cënuar djepi i jetës dhe e ardhmja e saj, në një atdhe me male pa bimë e dalëngadalë pa tokë.  Jetojmë një kohë që e ka sfiduar tokën, që e thene me gjuhen e rilindasve reale, thirret atdhe, apo mëmëdhe,   duke e rrezikuar deri në ekstrem zhdukjen pa rikthim të saj në shumë pjesë të vendit, për shkak të budallallëkut tonë, si dhe mungesën e përgjegjësisë personale të cdo individi të shoqërisë, karshi jetës për të sotmen e të nesërmen e shqiptarëve. Nëse shkatërrimi i pyjeve e bimësisë së maleve do të vinte për faktorë që janë jashtë kontrollit tonë, së paku secili nga ne do të ishte  i qetë në ndërgjegjen e tij, por është fakt se  shkatërrimi vjen vetëm nga veprimet e gabuara e të verbër të pjesës sunduese  dhe  nga mosveprimi i pjesës së sunduar të shoqërisë tonë, e ky realitet monstruoz  e vendos gjeneratën e inteligjences aktuale të vendit tonë në një situatë të vështirë morale. Asnjëherë nuk është bërë publike, një plagë e shoqerisë dhe e vendit tonë. Kjo është pikërisht konsumi i madh I drurit për ngrohje. Është pjese e jetës, asnjëherë e cekur nga politike bërësit që bë vitet 1970, në një kohë që lidhet ngushtë me kualitetin e jetës dhe  do te duhej qe te ishte problem publik. Ne fakt është një tabu, qe se bashku me nevojen per kullotje, pothuaj asnjëherë nuk është bërë problem që të shtrohej për zgjidhje.

          Të luftosh me vehten tënde të jesh militant politik, e të verbohesh prej atij militantizmi përballë kësaj katastrofe, është realisht marrëzi. Ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, medias, librave që nuk u tregojnë taksa paguesve të tyre  se sa është nevoja vjetore për konsum të drurit për ngrohje, sa  pjesë e vendit digjet, përmbytet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e  tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri qeverisë, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Imagjino një vend krejt të vogël si yni, ku inteligjenca arriti të japë një kontribut realisht rilindës, para nje shekulli, duke u organizuar në Ballkan, Europe e Amerikë, duke e vënë interesin e kombit, mbi shpërblimet që ju ofronte perandoria.  Inteligjenca e pas luftës dytë botërore e deri më sot, shpesh ka rënë në kurthin e politkës së ditës duke u shëndrruar edhe në një instrument partizan, duke i shërbyer manipulimeve duke lënë mënjanë sfidat e  dijes e zhvillimit. E gjithë bota që na rethon po bën përpjekje të jashtëzakonëshme për të gjetur burime sa me efektive të energjisë së ripërtëritëshme, por edhe për të përshtatur projektet e banesave që të mbahen në regjim sa më optimal për jetesë. Të gjitha këto ndryshime galopante kalojnë në heshtje në gjithë çerek shekullin e fundit dhe institucionet tona të dijes nuk kanë aritur ti imponojnë politikëbërësve reflektime e adoptime që banesat e reja, të marrin element nga banesat bashkëkohore që kontribuojnë në kursim të energjisë për secilën stinë të vitit. Është vështirë të hasësh përmirësime të ndjeshme në gjithë atë armatë të pafund ndërtimesh që u realizuan tek ne cerekshekullin e fundit.

          Tabuja për drurin për ngrohje ka lënë mënjanë edhe zgjidhjet e mundëshme. Ajo që nuk është e lehtë të pranohet në stadin ku është shoqëria jonë, është stanacioni dhe mos ndryshimi, ne mënyrën e ngrohjes, apo në mënyrën e ndërtimit të banesave, kur vendi është hapur dhe shkëmbimet me vendet e përparuara janë tashmë shumëfishuar. Si shteti, ashtu edhe institucionet e dijes, nuk ja kanë arritur që të paraqesin para shoqërissë Shqiptare, projekte me banesa që përshtaten me poliikat per ndrshimet klimatike, që e ruajnë dhe e kursejnë energjinë, si dhe të propozoheshin politika që e ndajnë koston e shtuar midis familjarëve e shtetit, çka do konsiderohej direkt kontribut i njëjtë më mbjellje të fidanave dhe  shtimin e bimësisë pyjore e veshjes së vendit.  Une mendoj, dhe jam i bindur që nëse do realizohej nje studim i detajuar që do ballafaqonte politikën e vendosur për moratorium të shfrytëzimit të pyllit, me një alternative të politikave për mbështetjen e investimeve për të grumbulluar energji diellore nga çdo familje, kjo e dyta do të rezultonte me avantazhe për uljen e presionit mbi pyjet.

          Si shteti, ashtu edhe institucionet e dijes, nuk ja kanë arritur që të paraqesin para shoqërisë Shqiptare, projekte me banesa, që e ruajnë dhe e kursejnë energjinë, si dhe të propozoheshin politika qe e ndajnë koston e shtuar midis familjarëve e shtetit, cka do konsiderohej  kontribut direkt në shtimin e bimësisë pyjore e veshjes së vendit. Si e kemi të organizuar jetën rurale, sa ngjan një shtëpi banimi tipike që ndërtohet sot, me një shtëpi banimi austriake, në kuptimin e termozolimit apo të  shfrytëzimit të energjisë diellore për ngrohje? Sa efikasitet kanë stufat që përdoren aktualisht për atë që e përdorin drurin si bazë për prodhim të energjisë për ngrohje? Sa pjesë e shtëpisë ku jetojnë bashkëatdhetarët tonë arrin të ngrohet në një ditë të ftohët të Janarit? Pas kësaj do ishte shume e arsyeshme të analizohej moratoriumi për ndalimin e prerjes së pyjeve në Shqipëri. Ky moratorium ndalon pikërisht prerjen e lëndës drusore që ka destinacion prodhimin e mobiljeve, dhe nga ana tjetër me të drejtë lejon prodhim të drurit për ngrohje. Është fakt që memorandumi e lejon drurin për ngrohje, por sa ka mundësi të prodhojë për këtë qëllim pylli që i ka mbetur Shqipërisë? Llogaritjet konkludojnë se nevojat vjetore për ngrohje janë rreth 5 herë më të mëdha se mundësia që ka pylli për rritje në një vit?


          Sido që të përpiqen politikëbërësit të gënjejnë vehten, një gjë është e sigurtë, derisa të jetë zhdukur edhe druri i fundit në Shqipëri, familjet do të bëjnë përpjekje ekstreme për të siguruar ngrohjen, dhe druri i fundit do pritet e do digjet, nëse nuk ka zgjidhje për ngrohjen e familjes. Nëse do tentonim seriozisht që të kalonim nga demagogjia në veprime reale, për të filluar kthesën, hapi i parë do të  ishte një strategji kombëtare për ndalimin e degradimit dhe ripërtëritjen e bimësisë në malet tona, urgjenca kryesore kombëtare do të ishte, vlerësimi i nevojave reale për ngrohje, rishikimi i politikave dhe kuadrit ligjor për ndërtimin e banesave, fillimi i  përshtatjes së banesave, edukimi i popullsisë për tharjen e drurit dhe përshtatja  si dhe sigurimi dhe instalimi i pajisjeve për të siguruar ngrohjen e shtëpive të banimit me energji diellore për shtëpitë në një afat sa më të shkurtër kohor. Shembulli i parë do të ishte  ndërrimi I destinacionit të fondeve të parashikuara për të mbjellë drurë me aksion, në modele shtepish të termoizoluara, apo  pajisje për ngrohjen e shtëpive rurale nga energjia diellore që grumbullohet gjatë kohës me diell dhe rezervohet e përdoret gjatë periudhës së dimrit. Kjo do ishte shumë pika e kthesës dhe e politkave të reja  për të ndaluar shkretimin e mëtejshëm të vendit, krahasuar me aksionet bombastike për të mbjellë 20 milion drurë në kuadrin e muajit të pyjeve, ku rezultati është gjithmonë i ditur paraprakisht, e u demostrua në pëprjekjet për të pyllëzuar Lurën siç ka qenë përherë zero, e investimi është bërë për të krijuar sensibilizim të gënjeshtërt që qeveria po kujdeset për pyllin.

Wednesday, 22 November 2017

STUDIMI TË DREJTËS PËR TOKËN

nga Ing. Haki Kola

Tiranë

Zhveshja e Shqipërisë tonë vazhdon me ritme të shpejta e të pabesueshme. Duket se ata që kanë qeverisur kombin shqiptar në mijëvjecarin e fundit, ja kanë dalë të mos vihen në tehun e kritikave për këtë krim që ka filluar herët dhe po vazhdon pa pushuar të na shëmtojë peisazhet, djegë e masakrojë drurët e bimët dhe të humbasë pa pushim tokën. Ish presidenti amerikan Rusvelt pati lënë një amanet që mund të përmblidhet: “Çdo gjeneratë e ka për detyre që ti lerë asaj në vijim tokën në një gjendje më të mirë se sa e kanë gjetur”. Evropa e dendur dhe e zhvilluar duket që pas një vuajtje të gjatë disa shekullore, e gjeti zgjidhjen rreth dy shekuj më parë. Neve e humbën atë shans, dhe historinë nuk mund ta gjykojmë.
Sa herë trajtohet kjo temë, pyetja e parë që të shkon në mëndje, është nëse ata që marrin vendime dhe na drejtojnë, kanë informacion, apo e njohin zgjidhjen, që e shpëtoi pyllin e tokën europiane nga prerja apo gërryerjet. E di se në kurrikulën e Fakultetit të Pyjeve, kjo deri vonë nuk është trajtuar. Një shkencëtar nga Akademia e Shkencave Suedeze, që ishte pjesëmarrës në konferencën shkencore për të sotmen e të ardhmen e pylltarisë Shqiptare të 1-2 Nëntorit 2011, organizuar nga Akademia e Shkencave Bujqësore te Suedisë, në bashkëpunim me Akademinë Shqiptare të Shkencave, rekomandoi me këmbëngulje që çështja e pronësisë dhe të drejtës së përdorimit të tokës pyjore të përfshihet në kurrikulën e fakultetit të pyjeve.
Koha do të tregoje nëse zëri i tij ka arritur ndonjë vesh që dëgjon. Kujtoj që ka më se 15 vjet që debatojmë me kolegë që për shembull edhe problematika e pyjeve komunale të fillonte të trajtohej nga Fakulteti, por në fakt këto 15 vite nuk kanë mjaftuar për të bindur vendimmarrësit. Ndoshta është tepër teknike dhe për publikun bëhesh i bezdisshëm kur përsërit shpesh të njëjtën gjë, por me qenë se flitet për tokën, ujin e ajrin, më mirë të mërziten e ti rregullojnë se sa të lihen të qetë e ti shkatërrojnë.
Tokat pa një kujdestar mund të përfundojnë në këtë gjëndje.........
Le të shërbejë kjo si një leje që t’ua kujtojmë këtë mekanizëm, që Shqiptarët e patën të parët në kanunin e tyre, ashtu instiktivisht, e sado që zakonisht duam ta përcjellim fajin në histori, psh tek turqit, këto të fundit jo vetëm nuk jua rrëzuan këtë të drejtë kanunore, por në hapësirat e Kosovës jua legalizuan fillimisht fshatrave e më pas secilit sipas familjeve, tokën me pyllin e tij, ndërsa në malësitë ku nuk kishin pushtet të plotë, pothuaj se nuk arritën as të fillonin që ta legalizonin të drejtën që e kishin ndarë banorët me njëri tjetrin për çdo pëllëmbë të tokës me anë të kanunit.
Edhe në pjesën fushore të vendit, dëgjon me dhjetëra raste që banorët përmendin për dokumente Osmane kur kërkojnë ndonjë të drejtë pronësie apo përdorimi për prona pyjore në pjesën lehtësisht të aksesueshme të vendit. Periudhën pas luftës së dytë botërore kemi të lehtë ta justifikojmë, pasi ja faturojmë komunizmit. Ajo që nuk kuptoj është se përse edhe 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit, kjo mbetet një tabu e çuditshme shpesh me zarar qoftë edhe për t’u përmendur. Diku të vete mëndja tek ashpërsia me të cilin u luftua kanuni nga komunizmi, ashpërsi që gjenerata jonë e jetoi në shumë detaje emocionalisht.
E groposi në mënyrë të pabesueshme. Për shumicën e njerëzve lufta kundër kanunit është konceptuar lidhur me pjesë të tij të lidhura me hakmarrjen apo dallimet e padrejta gjinore. Vetë luftuesit e kanunit diku e përmendin se kanuni ishte i dëmshëm pasi mbështeste pronën private. Pak kush është thelluar të shohë se cilën pronë private, mbronte kanuni, por nese thellohemi ne jetesen e malesoreve shqiptare ne mesjete, mund të supozohet se  përgjithësisht kanuni  ishte krijuar për të vendosur rregullat e përdorimit per  pyjet e kullotat. Qeveria e Fan Nolit e programoi në kuadrin e reformës së tokës parimin që populli të merrte në pronësi për të siguruar nevojat për material drusor apo kullosor, çka fort rrallë përmendet, nga studiues të së drejtës. Për malësorët kanuni ishte veç të tjerash edhe një kadastër e gjalle që me gurë të vendosur ndante e përkufizonte të drejtën e çdo familje  për territorin ku jetonte. Njerëzit urbanë këtë ose nuk duan ose e kanë të vështirë ta kuptojnë. Bazuar në kanun e gjithë toka e Shqipërisë ishte e ndarë si për malet, baraqet, fshatrat e fiset deri ne nivel familje. Kushdo që është kurioz, i mjafton një vizitë neë kullotat e bjeshkëve të tropojës, të cilat sot e kësaj dite janë të ndarë për çdo pëllëmbë tokë familjeve, ndarje që ka mbijetuar që nga koha e kanunit.
Kjo ka ardhur deri në ditët tona. Në një studim që u realizua ne Komunën Blerim të Pukës, në vitin 2003, u konstatua se nga banorët ishin ruajtur e pranoheshin kufinjtë që ndanin pyjet e pishës. Kur studimi u prezantua, asnjë familje nuk kishte ankese, per cfare I njihej si prone e familjes. Politika e vazhdueshme e sofistikuar e mosnjohjes se kesaj tradite te vyer si dhe e   këtij rregullimi shekullor, të kthyer në sistem në Kohën e diktaturës në emër të luftës kundër kanunit, ka mohuar një pjesë të gjatë të historisë së marredhënieve me natyrën, dhe u ka shkaktuar  një humbje të pallogaritshme shqiptarëve, shkatërrime, degradim që në ditët tona po shtohet në mënyrë eksponecniale duke përfshirë, pyje, shtretër lumenjsh, kullota e çdo pëllëmbë të tokës pa zot në Shqipëri.
Alpet e Evropës janë aktualisht të begata për nga mbulesa pyjore. Komunitetet e alpeve evropiane ne vitin 1848 u morën vesh me everite apo mbretin e  tyre dhe e ndanë tokën e alpeve midis tyre, qe te mbronin me këtë akt pyllin, kullotën dhe token që i rrit këto të dyja dhe ushqen rruzullin me ujë. Sot ata dëshmojnë se arritën rezultate fantastike, ruajtën dhe shtuan pyllin dhe kullotën, ruajtën e pasuruan token e ujin. Ata e shmangën tragjedinë e të përbashkëtës që po ndodh në pyjet e kullotat shqiptare.
Këtë e arritën (i)duke ndjekur parimet vendosjes se kufijve të qartë; (ii) rregullat të drejtat e detyrimet reciproke shtet – komunitet të përputhen me kushtet dhe nevojat lokale; (iii) individët që janë pjesë e këtyre marrëveshjeve kanë të drejtë të marrin pjesë për t’i rishikuar,(iv)autoritetet shtetërore ta respektojnë te drejtën e komuniteteve ne vendosjen e këtyre rregullave, dhe (v) një sistem për vete monitorim te sjelljes se anëtareve ngrihet e funksionon; ka një sistem te pranuar sanksionesh për shkelësit dhe anëtaret e komunitetit kanë mundësinë e arritjes se mekanizmave me kosto te ulet për te zgjidhur konfliktet.
Për neve Ballkanasit perëndimor tingëllon si e pabesueshme kur mësojmë që shteti menaxhon atë që i tepron banorëve ruralë. Që në vitin 1948, kur banorët e Austrisë se bashku me shume shtete te tjera të Evropës e fituan te drejtën qe nga bujkrobër të ktheheshin ne pronare te një sipërfaqe te tokës te mjaftueshme për te siguruar nevojat e tyre vjetore me lëndë druri, e bazë ushqimore për blegtorinë. Janë mbi 2000 komunitete pronarë të pyjeve në zonat e banuara për rreth alpeve, atje ku takohen kufijtë shtetërore të Italisë, Austrisë e Sllovenisë, te cilët kanë mbi 2000 vjet përvojë administrimi të përbashkët.
Mohimi i dhunshëm i kanunit të Lekë Dukagjinit, Skënderbeut apo Idriz Sulit, bëri që guri dhe kufiri i vendosur ne rrjedhën e shekujve, për te fiksuar te drejtën dhe detyrimet e secilit mbi këto pasuri te përbashkëta, të mos njihej nga qeverite e pas viteve 1990, duke ju tundur banorëve gjithmonë slloganin  e mungesës se dokumentacionit, duke krijuar një pasiguri shkatërruese qe i hap rrugën realizimit  te tragjedisë së të përbashkëtës, mbi këto pasuri te çmuara. Kanë kaluar 162 vjet, qëkur lëvizja fshatare në të shumtën e vendeve të Evropës perëndimore fitoi dhe qeveritë filluan të rregullojnë të drejtat e fshatarëve mbi tokën pyjore e kullosore. Bujkrobërit fituan lirinë, bashkë me të drejtën që nevojat për prodhime pyje e kullosore t’i siguronin nga toka e tyre.
Fermerët e shteti i besuan sistemit të së drejtës, e pranuan sfidën e vështirë dhe afatgjate të ndërtimit të tij. Shpate të tëra malore të shfrytëzuara tej mase për nevojat e industrisë minerare e të prera rrah, filluan të vishen e janë shndërruar aktualisht në ekosisteme mjaft të stabilizuara, që prodhojnë e shtohen. Ballkanasit e perëndimit ne atë kohë nuk mundën t’i bashkoheshin kësaj lëvizje. Rënia e murit të Berlinit dhe fillimi i proceseve demokratike i gjeti zyrtarët të saturuar me mentalitetin komunist lindor, dhe gjenerata rurale që u ndesh me këtë moment, gati e kishte harruar që mund ti ri kërkonte këto të drejta të mohuara në shekuj. E mësuar që këto t’i realizonte ashtu siç kishte bërë historikisht, në rrugë jo ligjore dhe pa detyrime fiskale, një pjesë e popullsisë sikur edhe i druhej që të organizohej, duke u mjaftuar me copen e tokes bujqesore, qe akoma nuk e ka legalizuar.
Të fortët që u lidhën me politikën apo që shtuan blegtorinë, gjithmonë i kanë gjetur format dhe e përdornin ne mënyrë ilegale të këtyre burimeve duke prerë apo kullotur te drejtën e fshatrave të tërë. Zyrtarët sikur janë mësuar të mos i pranojnë apo t’i minimizojnë nevojat për produkte drusore vjetore të popullsisë rurale, aq sa ka vite që konsumi nuk regjistrohet e monitorohet. Duket sikur realiteti virtual i krijuar në mendjen e tyre është larg realitetit, dhe u mbetet hatri kur dikush thotë që një familje në Dragash, Pukë, Kukës, Malishevë, Devoll apo Leskovicë, harxhon gjatë një viti edhe 25 apo 30 m3 dru për ngrohje, apo një dele dhi apo lopë merr për çdo ditë nga pylli e kullota disa kilogram gjethe e bar.
Të mësuar që të nderojnë qeverinë apo zyrtarët e lartë, ata vrapojnë të minimizojnë këta tregues, të shmangin vëzhgimet e matjet, duke krijuar një klimë në disfavor të qytetarëve politikë bërësve. Ata nuk e besojnë psh që pylli shqiptar në gjendjen aktuale nuk ka kapacitet të plotësojë nevojat e zonave rurale për dru zjarri e ndërtim. Kullotat e jugut nuk i plotësojnë nevojat e blegtorisë për kullotje. Qeveria punon me peshore të prishur, që i tregon shumë herë më pak peshën e atyre që në fakt i merret pyllit e kullotës. I gjithë sistemi është i ç’ orientuar, akuzat të ndërsjellta në rritje. Si rezultat, për të plotësuar këto nevoja të papranuara zyrtarisht pylli pritet rreth pesë  herë më tepër se sa rritet e vazhdon të degradohet. Kullota mbi shfrytëzohet disa herë mbi kapacitetin e saj dhe degradimi i tokës, shtimi i erozionit e përmbytjeve janë në progresion.
Në pozicion krejt të kundërt janë banorët e zonave rurale, që e vlerësojnë realisht atë nevojë,  që e kane trasheguar dhe duan ta zbatojne traditen e ruajtjes se pyllit e kullotes, ata përpiqen me çcdo mjet ta realizojnë duke shfrytëzuar sa pyllin, apo fundin e arës, buzën e përroit ku e siguron drurin për ngrohje me minimumin e transportit. Ky sistem është arritur pas përpjekjeve pothuaj njëqindvjeçare, dhe bazën e suksesit e ka garantuar nga regjistrat korrekt të tokës te realizuar që në vitin 1871. Janë përllogaritur nevojat për çdo familje, dhe sipas traditave e kushteve konkrete, janë vendosur kufijtë midis komuniteteve apo familjeve, si dhe janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e tyre nëpërmjet një kuadri ligjor me përvojë mbi 160 vjeçare. Ata janë të brengosur, që megjithëse të ditur sistemi i tyre menaxhues nuk funksionon. Regjistrimi i tokës bujqësore ka filluar pas vitit 1992.
Ka rreth 10 vite që flitet për transferim e regjistrim të tokës pyjore e kullosore. Në fakt procesi nuk ka filluar. Askujt nuk i shkon në mëndje të bëjë një pyetje fare të thjeshtë, nëse është legalizuar  qofte edhe  një hektar tokë pyjore apo kullosore në përdorim të një familje!!! Rezultati u zerua shume thjeshte. Mjaftoi ndërrimi i emrit komune me bashki, dhe drejtuesit e sotem të thonë, ne njohim sitemin e bashkisë dhe jo atë të komunës. Gurët e vendosur për të njohur të drejta komuniteteve për 22 vite, u rrëzuan me një rënie të lapsit. Çadra e reformës territorial e mbuloi këtë mohim të investimeve e përpjekeje 22 vjeçare të donatorëve, institucioneve vendore e komuniteteve malore
Dihet që rezultati është zero dhe kështu do vazhdojë për shumë dhjetë vjeçare, derisa të vijë momenti që degradimi i tokës të jetë aq i mah sa njerëzit të kenë frikë të marrin përgjegjësi për tokë tërësisht të degraduar. Ne kryengritje duket se është edhe moti, ne dimrat e fundit ku lumenjtë daliun nga shtreterit  e shpat malet,  rrëshqasin, e së bashku  përmbysin vendbanime rrugë e fusha. Kokëfortësia e ballkanasve perëndimor, duket se do të ndëshkohet edhe nga ngjarjet natyrore, nëse nuk do e dëgjojnë ketë logjikë të thjeshte, të regjistrimit të tokës, vënies së kufijve pas njohjes të së drejtës së vendasve për të qenë zot të vendit të tyre dhe partner të shtetit të tyre për të ndërtuar të ardhmen.


Sunday, 5 November 2017

Myzeqeja, në pritje të ringjalljes së pyjeve


                     nga Ing. Haki KOLA – Tiranë


           
Haki KOLA
Shiu i shumëpritur i vjeshtën që sapo kaloi dukej si në mëdyshje në agimin e të premtes së dytë të nëntorit. Kodrat nga Vaqarri i Tiranës e derisa lëmë pas Sinaballajn e Kavajës, kanë filluar të vishen më tepër dhe shkurret sikur po fillojnë të konkurrojnë me drurët, që po i afrohen rinisë së hershme. Ndërsa ish-perla e bregdetit, ndër më të hershmit pyje të buzës së detit, i filluar të pyllëzohet që në vitin 1938, i mirënjohuri Pylli i Golemit, që nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Malin e Robit, është në grahmat e fundit. Betoni u ka zënë fytin pak pishave të mbetura dhe drurët e rralluar e të çapërlitur që akoma mbijetojnë, lëngojnë në mes pallateve sikur fshehin sakrifica të bëra që në gjysmën e parë të shekullit që lamë, nga specialistë vërtet të talentuar për të rritur bimët në mes të kripës e erës së detit, enkas për të bërë edhe më të bukur bregdetin. 
         Tek vështron këto relike të mbetura, në mendje të vijnë inxhinierë të talentuar që nuk janë më midis nesh, si profesori ynë i ditur, i qeshur e i butë Ilia Nako, e kolegu i nderuar që u nda nga ne disa vite më parë, i paharruari Zafer Ypi. Përvojën e asaj epopeje të luftës me sukses kundër shkretëtirës së kripur e mban akoma inxhinieri i talentuar Vehbi Dermani, që me gjithë vitet e përvojën mbi kurriz, e viziton çdo mëngjes parkun te liqeni i Tiranës, si për të kaluar disa çaste atje ku la pa kursim dijet e vullnetin, për të gjelbëruar vendin e tij.

         Fusha e Myzeqesë hapet nën mjegullën e lehtë të mëngjesit. Nëse në ditarin e Eqerem Bej Vlorës, edhe grupi më i vogël i shtëpive mund të hetohet së paku një gjysmë ore larg, sepse "një tufë plepash dhe fiqsh shënojnë saktësisht vendbanimet njerëzore mes kësaj fushe të shkretë e të zhveshur", duket sikur pas një shekulli shtëpitë janë zhveshur nga plepat dhe vazhdojnë zhveshjen. Myzeqeja ngriti pyllin e parë me pyllëzim artificial, në fermën rreth 9000 dynymësh, që iu kontraktua në vitin 1891 në çifligjet e familjes së Vlorajve në Frakull-Ferrës Zharezës, një aristokrati hungarez, me qëllim krijimin e fermave model. Profesor Nako dëshmon se Keglevic, kontraktori hungarez i fermës, mbolli rreth 50 fidanë eukalipti përreth banesës së tij, duke realizuar kështu pyllëzimin e parë artificial në Shqipëri. Nuk i gjendet si i thonë as nami e nishani as edhe ndonjë pllake që të identifikojë tentativën e shqiptarëve për të vene gurin e pare  per  pyllin  artificial shqiptar.

         Gjithmonë kur kaloj në Myzeqe më mundon pyetja: Përse banorët e fushës perëndimore në pjesën veriore të saj, nga Fushë-Kruja e deri në Velipojë, i kanë pyllëzuar anët e rrugëve e kanaleve dhe fusha tashmë duket si një pyll i tërë e i bukur, ndërsa pjesa e Myzeqesë në tërësinë e saj sikur bëhet më e zhveshur me kalimin e viteve? Kjo të krijon makthin se lumi i vdekur diku po përgatitet të rikthehet. Devolli vazhdon të mbartë baltën e fushës së Korçës, e bashkon atë me dherat që gërryen në malet e Kolonjës e Skraparit dhe që Osumi i sjell po në Myzeqe, anës tyre Shkumbini e Vjosa po kështu mbartin dherat që nga Mokra e malet e Pindit dhe sa herë ka shira të rrëmbyer, mbushin e mbushin me ledh kanalet e rrugët, shtojnë baltën dhe afrojnë kënetën.
         Nëse i referohemi Aristotelit, dijetarit të lashtë grek, ai dëshmon për lopët e Epirit me nga një shtambë e gjysmë qumësht, si dhe për kullotat shumë të mira të ilirëve në Ultësirën Perëndimore. Ndër arsyet e degradimit të blegtorisë pas rënies së ilirëve, shumë dijetarë ia lënë edhe shkatërrimit të masiveve pyjore të bregdetit, prishjes së ekuilibrit bazë ekologjik, moçalizimit të përgjithshëm të fushës nga veriu në jug, që çoi edhe në prishje të kullotave e degradim të jetesës në përgjithësi në Ultësirën Perëndimore.
         Myzeqeja, ky prehër i lumenjve zevzekë, që vijnë të nxituar e të padisiplinuar nga malet e larta e të thepisura, përbën një sistem shumë të brishtë ekologjik, që kërkon të trajtohet me shumë kujdes e mençuri, që nga vatër hallesh të shndërrohet në një hambar për kombin tonë. Nëse bregu i detit, anët e lumenjve, anët e rrugëve, rrugicave apo kanaleve do të mbilleshin me drurë, jo vetëm që do të ndryshojë peizazhi i fushës më të begatë të vendit, por edhe regjimi i klimës do të ishte shumë më i mirë për të gjitha gjallesat dhe stinët do të ishin më të bukura. Toka do të ishte më e kulluar në dimër e më e freskët në verë, duke u krijuar mundësi banorëve të punonin e kultivonin më shumë toka, që aktualisht në një pjesë të madhe të tyre duken si të braktisura. Do të kishte më shumë gjah e gjahtarë, por edhe më shumë arsye për ekoturizëm.

         Një studjues i hershem i Albanologjise, ruan kujtime nga vizita e parë që ka bërë në pyllin e Dervenit:
Prej fshatit Derven rruga kalon 4 orë nëpër një pyll dushku të dëndur, që ka emrin e katundit Shpërdhet.Ky asht më i madhi pyll dushku i gjithë Shqipërisë sepse nga veriu takohet me Matin dhe mbulon pjesën ma të madhe  të fushws në mes Matit dhe Ishmit, bile vazhdon edhe deri te shpatulla e malësisë në lindje. Unë kalova nëpër disa vende  ku pylli ishte shumë i naltë dhe i dëndur. Drurët dukeshin sikur ishin të së njëjtës moshë dhe sikur ishin mbjellë me dorë. Mbasi kishin po nji largësi dhe natyra i kishte mbajtë aq të pastra, unë kujtova se jam në një park.
         Nga njëherë dushku përzihet me ahun. Ahu  i këtushëm  kurrë nuk arrin të bëhet dru i lartë, nga çdo cung dalin shumë filiza, të cilët shkojnë përpjetë, një imshtajë e dëndur me filiza që nuk arrijnë të degëzohen. Pylli është i pushtuar nga qetësia dhe asnjë gjethe nuk lëviz. Toka është e butë dhe e vetmja zhurmë që kriojn karvani në këtë mes të gushtit, është kercitja e patkonjve kur hasin në rrwnjë. Janë rreth 20  mijë trungje që janë prerë në 50 vitet e fundit e depozituar diku në derdhje te lumit, në pritje të konjukturave të përshtatëshme për shitje
         Në këtë pyll del një burim i ftohët mineral, që quhet ujë i qelbët, një burim sa parakrahu, i cili ka veti kuruese të lëkurës. Pranë burimit gjëndet Kisha e Dyzet Shenjtorëve, që vendasit e quajnë Kisha e 400 të shelbuemve.

           Myzeqeja përbën ekosistemin me potencialin më të lartë prodhues të hapësirës shqiptare, një hambar të madh për kombin. Është koha që në strategjitë e zhvillimit, si dhe në reformën e thellë të transferimit të pyjeve e kullotave e pronësi të komunave, që projekti i zhvillimit të burimeve natyrore të përshtatë një strategji të veçantë për kushtet ekologjike të Myzeqesë, një strategji për zhvillimin e agropylltarisë, e cila mund të ketë në bazë të saj marrëveshje me komunat e fshatrat e fermerët, për t\‘i mbështetur me fidanët që ata kërkojnë, si dhe vetë fermerët të kontribuojnë duke i mbjellë këta fidanë. Krahas plepit, apo rrapit, që janë përdorur tradicionalisht, me dhjetëra lloje të tjera mund të rekomandohen e zgjidhen nga fermerët, që nga qershia, arra, apo dushku tradicional i Myzeqesë, i quajtur rrënja, pa përjashtuar të tjera specie me dobi të gjithanshme për tokën, regjimin ujor e atë diellor, si dhe me ndikim të drejtpërdrejte me jetën e fermerëve.
        

Artemisa, e përfytyruar si perëndesha e pyjeve dhe gjuetisë, e gjahtarëve dhe e barinjve, gjendet si në një skulpturë, ashtu edhe në relieve të Apolonisë, që duket si kryeqytet i Myzeqesë. Ajo pret që banorët e Myzeqesë t\‘ia kthejnë asaj famën dhe drurët bregdetit shqiptar, që ishin të famshëm në kohën e romakëve. Pyjet e Myzeqesë dikur kontribuuan në ndërtimin e anijeve të perandorive që shkuan e erdhën. Tani ato pyje duhet të rikthehen. Duhet të rikthehen pasi ekziston predispozicioni i fermerëve, po kështu mund të gjenden edhe zgjidhjet. Kjo do t\‘i krijonte mundësi Artemisës që të vazhdonte festat tradicionale të pranverës me gjuetinë e kaprojve në pyjet e Myzeqesë. Kur kujton ndryshimet pozitive që ka bërë vegjetacioni, si në pjesën veriore të ultësirës, ashtu edhe në luginën e Matit apo të Drinit, të pëlqen që ta besosh që nëse punohet e mbështeten komunitetet lokale, nëse drejtuesit e komunave të fushës së Myzeqesë do të shprehin interesim, kjo ëndërr mund të bëhet realitet.

         Janë rreth 500 mijë banorë që popullojnë fushën e Myzeqesë. Nëse në këtë sezon të fushatës së pyllëzimeve do t\‘u ofronim 100 mijë familjeve myzeqare falas 10 fidanë për çdo familje, Shqipëria do të kishte në fund të kësaj fushate rreth 1 milion fidanë më tepër, fusha e Myzeqesë do të ishte më e bukur. Myzeqarët e presin këtë ofertë nga shteti i tyre


Dhjetor, 2007