- Njeriu fisnik, atdhetar i flaktë dhe mësues i shquar -
Rilindasi martir Kostandin (Koto) Sotiri, lindi në vitin 1840 në fshatin Selckë të krahinës së Lunxherisë, ish Vilajeti i Janinës.
Kotua ishte vëllai i madh i një rilindasi tjetër martir, Pandeli Sotirit, “Mësues i Popullit”. Dy vëllezër, dy rilindas martirë të shquar, që gjithë jetën e tyre ja kushtuan shkronjave dhe shkollave shqipe. Kur ishin fëmijë, u vranë babain. Sipas të dhënave, të dy vëllezrit duhet të kenë mbaruar shkollën plotore në vendlindje. Pastaj i mori për t’u kujdesur, xhaxhai, Thimjo Sotir ii cili banonte në Stamboll. Ai ishte njeri patriot dhe me ndjenja të theksuara humane.
Vëllezrit Sotiri nuk dolën në Stamboll rastësisht në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e cila shpërtheu gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ata u rritën të brumosur me ndjenja të pastra atdhetare, me përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të bashkëfshatarëve të tyre për të mësuar në shkollë edhe gjuhën shqipe, sepse shkollat në atë kohë për ortodoksët shqiptare mbahej në gjuhën greke.
Përpjekje bëheshin edhe për të meshuar shqip në kisha. Për këtë, fshehurazi krahas mësimit të gjuhës shqipe, në shkolla mësohej pëmendësh në shqip edhe pjesë nga Ungjilli, libra të cilat ishin shkruar shqip me shkronja greqisht. Një libër të tillë e kam parë edhe unë në Kishën e Shën Kollit. Flitet, ose ka të dhëna për një Siko Dhimadhi dhe për Hoxhë Myftar Kallaratin, që sillnin libra shqip fshehurazi nga Stambolli. Hoxha, gjatë rrugës, u sëmur dhe e varrosën me nderime në Selckë. Shkolla e fshatit kishte një bibliotekë, por një zjarr i papritur që ra rreth viteve 1880, e dogji. Fshatarët mërgimtarë të shoqatës “Përparimi” në Stamboll, e rindërtuan shumë shpejt përsëri.
Vëllezrit Soriri, të brumosur me atdhetarizëm, u shpërngulën në Stamboll, tek xhaxhai i tyre, së bashku me nënën e tyre, (e cila në disa shkrime del se ishte me origjinë dardane, nga Prizreni). Xhaxhai, Thimjoja, të dy vëllezrit i regjistroi në kolegjin francez të Gallatës. Më pas i dërgoi për studime në Universitetin e Vienës, Austri. Kotua studjoi për jurist ndërsa Pandeliu për mjekësi.
Pandeliu, pas përfundimit te studimeve u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën “Major” për rreth 10 vjet. Nuk kemi të dhëna të plota për Koton se ku shkoi pas mbarimit të studimeve në Vienë. Duhet të jetë kthyer në Stamboll dhe të dy vëllezërit u bashkuan në vitet 1870, ku u përfshinë pa rezerva në lëvizjet e mëdha patriotike të inicuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ata ishin anëtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishin ndër të parët që nënshkruan platformën e “Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” i cili u themelua më 12 tetor 1879. Ky Komitet synonte që shqiptarët të fitonin autonominë brenda Perandorisë Osmane. Më mbrapa ky Komitet mori emërtimin “Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”.
Kotua në krah te vëllait u përfshi në lëvizjet kulturore e patriotike të atyre viteve në Stamboll. Hapën gazetë shqip me gërma greqisht si “Prometeu” dhe “Drita-Dituria” me gërma shqip, e cila u bë themelusja e mediave shqiptare, sipas historianit Robert Elsie. Në vitin 1885, ata arritën të marrin nga Sulltan Abdul Hamid II dy lejë (fermane) për hapjen e shkollave shqipe.
Në “Kronikën Gjirokastrite” thuhet se ata u munduan që shkollat shqipe t’i hapin në qytetin e Gjirokastrës, por nuk morën dot lejë nga autoritetet vendase, kështu ata gjetën mbështetjen e patriotëve e atdhetarëve korçarë.
Kotua së bashku me Pandelinë, në fund të vitit 1885 udhëtuan nga Stambolli për në Korçë me 150 libra për shkollën shqipe si abetare, shkronjëtore dhe numëratorë. Nëpër dogana i kalonin fshehurazi, sepse në Portën e Lartë kishte faktorë të tjerë politikë që mundoheshin t’i ndalonin shkollat shqipe. Shkollën e hapën në mars të vitit 1886. Në ato vite Ismail Kadareja citon historianin fracez Serge Metais: “Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin.”
Kotua vitin e parë shërbeu si mësues, por dhe si bodigard së bashku me Risto Vodicën për t’i krijuar siguri vëllait të vet. Klerikët fetarë ishin betuar që mos të lejonin hapjen e mësonjtores. Ditën e parë të shkollës, mësuesit dhe prindërit që shoqëronin nxënësit, ishin të armatosur. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë. Sa e vështirë ishte në atë periudhë të ulej në një bangë një i krishter dhe një musliman, një i varfër e një i pasur, një vajzë dhe një djalë. Pothuajse ishte e pamundur!
Për vëllezërit Sotiri, Faik Konica në gazetën ‘Albania”, vitin 1897, nr. 8 suplimenti në fërngjisht shkruante: “Megjithatë, dy burra guximtarë e të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë, atdhetarë zemërzjarr, dymbëdhjetë vjet më parë, tentuan të çajnë këtë acar e akull dhe ia dolën deri në një farë pike. Kur dy vëllezër, Pandeli dhe Koço Sotiri, vendas nga Gjinokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve ortodoksë u bë një shtangim i indinjuar: Shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat. Patriarkana lëvizi me shpejtësi, bëri hapa urgjent që të urdhërohej mbyllja e shkollës shqipe menjëherë; por Madhëria e Tij, Sulltani, u përgjigj se kleri grek nuk kishte punë të ndërhynte në një çështje që nuk ishte as fetare e as antifetare por kishte të bënte vetëm me Ministrinë dhe Udhëzimet Publike.”
Kështu, viti i parë i shkollës kaloi mirë. Për vitin e dytë 1887, u regjistruan 200 nxënës. Kotua, mbasi u sigurua se shkolla në Korçë po shkonte mbarë, i hodhi sytë nga Pogradeci. Kotua, një njeri fisnik e shpirtmadh, babaxhan, kishte disa emra. Emri pagëzimit ishte Kostandin, por fshati e “ripagëzoi” Koto, që kur ishte fëmijë, sepse ky emër ishte në modë për ata që kishin emrin Kostandin. Shpesh thirrej edhe Koço. Në Pogradec e “pagëzuan” me emrin “Koço Shqiptari” për dashurinë e përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe. Patriotët e tij lunxhiotë, gjirokastritët e përmetarë e thërrisnin edhe “Koço Selcka”. Ndërsa armiqtë e shqipes, renegatët e thërisnin “Koço Masoni”, sepse mendonin se kishte braktisur fenë ortodokse, me që Kotua shpërndante Ugjillin e Kristofiridhit në gjuhën shqipe, po kjo nuk është e vërtetë.
Poeti Lasgush Poradeci e shpjegon kështu: “Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi”.
Pothuajse një viti pas hapjes së Mësonjëtores së Korçës, më 14 Mars 1887, Kotua, me mbështetjen e atdhetarëve pogradecarë: Ndini e Sotir Gusho, etj., hapi shkollën shqipe në Pogradec. Koçua, ashtu si vëllai tij Pandeli Sotiri, gjatë misionit të tyre u luftuan egër nga renegatët antishqiptarë, por ata, siç thotë poeti Lazgush Poradeci, e përballuan me burrëri këtë rrethim të zjarrtë.
Me largimin e Kotos nga Mësonjëtoria e Korçës, punët filluan të shkonin keq e më keq. Jo vetëm se tani Pandeliut i mungonte Koçua, krahu i djathtë besnik, por situate në Korçë kishte ndryshuar.
Siç dihet patriarkut grek Fillothea e renegatë të tjerë antishqiptarë, ishin armiq të betuar të Pandeliut dhe shkollës shqipe. Ata që në fillim të hapjes së shkollës e vazhdimisht, kërcënonin, shpifnin me denigrime shkollën dhe Pandeliun. Në vitin e dytë të shkollës, armiqtë u shtuan dhe u bënë të papërballueshëm e shumë të rrezikshëm.
Mytesarifi, (guvernatori) i Korçës, Mahmud Pashë Elbasani, që shquhej si përkrahës i çështjes shqiptare, e hoqën dhe në vend të tij emëruan si guvernator të Korçës, Muhamet Ali Pashë Delvinën, i cili ishte armik i betuar i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe. I kishin vënë dhe nofkën “Ujk i shqipes”
Në fillim guvernatori, “ujku i shqiptarëve”, i largoi nxënësit muslimanë nga shkolla. Merret me mend se çfarë presioni të jashtëzakonshëm i është bërë Pandeliut për ta mbyllur shkollën, sulmohej nga të gjitha drejtimet, tani dhe nga shteti. Në fund të vitit 1887 forcat antishqiptare organizuan edhe zhdukjen fizike të Pandeliut.
Në këto kushte shumë të rënduara, Pandeliu u detyrua të largohet fshehurazi nga Korça. Thuhet se ka shkuar në fshatin e tij Selckë. Andej i shoqëruar nga dy djem fshati që i dinin mirë shtigjet, me kuaj që u kishin lidhur patkojte me lecka, për të mos u dëgjuar, udhetuan natën për në Janinë, dhe që andej drejt e në Stamboll.
Lejën e Mësonjëtores ja la Thanas Sinës, njëkohësisht thirri dhe Koton për ta ndihmuar. Kotua në vitin 1888 kthehet përsëri në Korçë.
Vëllezërit Sotiri, të përkrahur e të mbështetur fort nga rilindasit dhe patriotët e zjarrtë korçarë, sfiduan rrethimin e egër antishqiptar të kohës dhe u bënë promotorë, shëmbull për gjithë atdhetarët me idetë, mendimet dhe veprimet e tyre iluministe. Zjarri që ndezën, fara që mbollën në Korçë, Pogradec, për pak kohë përfshiu gjithë trojet shqiptare.
Në një letër që i dërgon Jovan Kosturi Visar Dodanit, në Kostancë të Rumanisë, ku shtypeshin librat shqip, në vitin 1888 shkruhet: Shkolla të mirfillta shqip dy janë hapur deri tani, Pogradec dhe Korçë, por me librat që janë dërguar, mësohet shqip në shkollat e fshatrave: Treskë, Polenë, Luaras dhe në të hapur e sipër janë shkollat në Ersekë, Kolonjë, Leskovik dhe Elbasan. Më 23 tetor të vitit 1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave dhe në vitin 1889 u hap shkolla shqipe e Prizrenit me mësues Mati Logoreci, etj. Për shkollat në fshatrat rreth Korçës, Ersekës, Kolonjës, Koto Sotiri dhe miku i tij Petro Nini Luarasi,kishin përveshur mëngët. Ata ishin gjithmonë në krye të kësaj nisme.
Që nga viti 1886 e deri në vitin 1896, Koço Sotiri qëndroi pranë Mësonjëtores së Korçës. Në vitin 1890 deri në vitin 1892, me Nikollaq Zografin ishin bashkëpuntorë të Petro Nini Luarasit, kur ai drejtonte Mësonjëtoren. Koto Sotiri duhet ta ketë lënë Mësonjëtoren e Korçës në vitin 1896, ishte mësuesi më jetëgjatë në ato vite të zjarrta. Gjatë kësaj kohe, Kotos, me që puna si mësonjës nuk i sillte të ardhura të mjaftueshme, paralelisht ai ushtroi edhe zanatin e rrobaqepsit.
Pas vitit 1896 Kotua e la Korçën dhe e vazhdoi punën e tij me intesitet të madh në Pogradec e Maqedoni. Ai shperndante libra shkollore, fetare, etj. ndihmonte dhe për shkollat shqip atje ku mundej, por autoritetet turke e kishin të ndaluar rreptesisht shpërndarjen e librave shqip. Në vitin 2016, David Hosaflook ka shkruar në studimin e tij “Roli i lëvizjes protestante në Rilindjen Kombëtare”, kështu: “Librat shqip pengoheshin me çdo mënyrë të shpërndaheshin , mbaheshin nëpër dogana, mbylleshin botimet, burgoseshin bashkë me shitësit. Librashitësit u janë nënshtruar përndjekjeve nga më të pabesueshmet. Këtë fat pësoi edhe Koto Sotiri”.
Autoritete turke, për veprimtari të ndaluar, “përhapje të librave shqip”, rreth viteve 1900, Koto Sotirin e dënuan me “101 vjet” duke e izoluar në burgun e Manastirit. Vuajti pesë vjet dhe u lirua, jo vetëm i plakur, por edhe i varfër. U shoqërua për në Azil të Pleqëve ku i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq në vitin 1909 në spitalin e të varfërve në Manastir të Maqedonisë. Edhe sot e gjithë ditën, atje ndodhet varri i tij.
Shtypi i Rilindjes “Drita” e Sofies dhe “Drita” e Manastirit, sipas studjuesit Musa Kraja, kanë shkruan shumë për mësuesin dhe atdhetarin Koto Sotiri duke e vënë theksin tek sakrificat dhe vuajtjet e tij. Ata e përshkruajnë si mëmëdhetar, të ndershëm e të palodhur. Gazeta “Korça” shkruante për sakrificat dhe persekutimet e tij, duke vënë theksin se vëllezërit Sotiri ishin nismëtarë të shkollës shqipe kombëtare, prandaj historia do t’i shkruajë emrat e tyre me shkronja të arta. Kam sjellë këtu një poezi kushtuar Koto Sotirit nga miku i tij, Stefan S. Thodhoraqi, siç kuptohet kur vuante vitet e burgimit në Manastir.
“Ndë botë në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,
Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,
Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,
Gjithësinë në e gjykon djalli dhe botën në tunt,
Oh! Këtë miqësinë tënë gjithësia të na e ftonjë,
kurrë nuk do të guxonjë!” ….
Botuar në “Ditëfyesi Kombëtar” Sofie 1900.
Bashkia e Korçës, me inisiativën e historianit Niko Kothere, në vitin 2017 e ka shpallur Pandeli Sotirin Qytetar Nderi, ndërsa Koto Sotirin nuk e përmend askush, megjithëse edhe ai sakrifikoi gjithë jetën e tij për shkrimin e shkollat shqipe. Mori dënime të tmerrshme për këto veprimtari, provoi burgjet e persekutimet e pushtuesve osmanë.
Poeti Lasgush Poradeci për shkollën e parë shqipe të Pogradecit ka shkruar: “E theksoj këtu këtë fakt, me rastin e rrëfimit të istorisë shkollore kombëtare shqiptare, sepse lënia mënj’anë e Shkollës Shqipe të Pogradecit, është një padrejtësi e dhimbëshme që i-u ka qënë bërë Pogradecit dhe pogradecarëve, të cilët gjithmonë, dhe që në fillimin më të parë, kanë mbushur më të plotë detyrën e vet ndaj atdheut.”
Pavarësisht se fjalët tona bien në vesh të shurdhër, askush s’na dëgjon. Me këtë protestë të poetit të madh, bashkohem fuqishëm edhe unë si intelektual dhe bashkëfshatar i vëllezërve Sotiri. Jo vetëm shkolla e Pogradecit është lënë mënjanë, por mënjanë është lënë dhe patrioti e mëmëdhetari i flaktë Rilindas, Koto Sotiri që e sakrifikoi gjithë jetën e tij për kombin, për Shqipërinë. Nuk ka të paktën asnjë foto në muzeume. Nuk ka asnjë bust, që i takon ta ketë në Korçë, Pogradec e Gjirokastër, apo të shpallet qytetar nderi i Pogradecit dhe i Qarkut Gjirokastër, etj. Rilindasi Koto Sotiri, nuk ka një varr me emrin e tij, as në qytetin e Manastirit, aty ku dha shpirt. Lavdi të përjetëshme Rilindasve martirë Pandeli dhe Koto Sotiri! Dy korifej, burim frymëzimi i përhershëm për brezat tanë e ata që vijnë më pas. Lavdi të përjetëshme Rilindasve martirë Pandeli dhe Koto Sotiri. Burim frymëzimi i përhershëm për brezat.
Fund
Shkolla e pare shqipe ne Pogradec(Pikture nga A. Kostandini) |
Brilant si gjithmone Koco Mosko. Vellezerit Soriri jan pishtare diturie dhe patrotizmi, por ti ke nje dore dhe nje pene qe e rremon me shume ngulm dhe shume frymezim te verteten, e cila, ne historine tone kombetare, ne gjithe thellesine dhe gjeresine e saj, jo vetem qe, pergjithesisht, eshte injoruar e erresuar, por shpesh edhe eshte tjetersuar.
ReplyDeleteTe lumte, qe u ben jehone veprimtarise se patriotve , be kete rast per Koto Sotirin ! Kembengulja jote eshte per tu lavderuar, ne vlersimin e vepres se patriotve ne drejtim te perhapjes se gjuhes shqipe, ne ato periudha te veshtira. A. M.
ReplyDelete