Saturday 30 March 2024

PLEHËRIMI PRANVEROR I BIMËVE NË KOPSHT

përgatiti:  Bajram ASLLANI

Prishtinë, Kosovë

        


Në pranverë natyra zgjohet nga gjumi dimëror, bimët fillojnë të vegjetojne, të rriten dhe të lulëzojnë  Plehërimi pranveror i bimëve nuk është vetëm një detyrë praktike, por edhe një mënyrë për të treguar kujdes me natyrën, të kontribojmë në mirëmbajtjen e mjedisit që na rrethon. Duke u kujdesur për bimët  ne kemi bërë kështu një hap të rëndësishëm drejt një mjedisi më të mire e më të gjelbër dhe rrjedhimisht dhe më të shëndetshëm për të gjithë. 

        Duhet të hedhim hapat e duhura për të kryer plehërimin  pranveror të bimëve që të  gëzojmë frytet e zbukurimit të natyrës që na rrethon në vazhdimësi.

        Një plehërim i mirë i bimëve është  jetik për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe nxitjen e rritjes së fuqishme.

        Gabimet që zakonisht bëhen në pranverë nga kopshtarët, është aplikimi i gabuar i plehrave, i cili jo vetëm mund të dëmtojë bimët, por potencialisht mund të dëmtojë edhe rëndë mjedisin në tëresi.

        Ky udhëzues gjithëpërfshirës përshkruan mënyrën e duhur për të plehëruar  bimët në kopshtin tuaj, për t’u siguruar që ato të marrin lëndët ushqyese që u nevojiten duke mënjanuar rreziqet përkatëse. 

        Para së gjithash është thelbësore të kuptoni mirë ndërtimin funksjonimin  dhe shtrirjen  e  sistemit rrënjor të bimëve. Pjesa më e madhe e rrënjëve të bimëve, duke përfshirë edhe qimet thithëse të rrënjës që marrin ushqimin,  nuk janë të vendosura në bazën e trungut, por më tepër shtrihen nga jashtë nën mbulesën e bimës, pra në projeksjonin e kurorës  se bimes në tokë.   Këto rrënjëza janë kryesisht përgjegjëse për marrjen e lëndëve ushqyese.       Kemi disa hapa që duhet ndjekur kur të vendosim të bëjmë plehërimin e bimëve në kopsht.

1.  Vlerësimi i nevojës për plehërim,  testimi i tokës:

        Kryen analizat e tokës për të përcaktuar përmbajtjen ose nivelin  e lëndëve ushqyese specifike që nevojiten  ose mund t'i mungojnë bimëve për rritjen normale  të tyre. Kjo do t'ju ndihmoj të zgjidhni llojin e duhur të plehut. Gjithashtu,  mund të shikoni për shenjat e mungesës së lëndëve ushqyese në bimët si: gjethet e zbardhura,   rritja e ngadaltë e bimës  ose rënia e hershme e gjetheve.


2.  Zgjedhja e plehut të duhur:

        Ka disa lloje plehrash që mund të përdoren për këtë qëllim, duke filluar nga plehrat organike deri tek plehrat kimike të përgatitura.

        Plehrat organike, siç janë  plehrat blegtorale ose kompostimet, janë opsione të shkëlqyera për t’i plehëruar bimët në mënyrë natyrale. Këto lloje plehrash ofrojnë një gamë të gjerë lendesh ushqyese dhe sigurojnë një mjedis të shëndetshëm për zhvillimin normal të  bimëve.

        Në anën tjetë, plehrat organike  janë të pasura me makro dhe mikro elemente  bazike për bimët tuaja.      Është e rëndësishme të zgjidhni një pleh me çlirim të ngadaltë që përputhet me nevojat për lëndë ushqyese të identifikuara nga analizat e  tokës. 

        Në përgjithësi në pranverë rekomandohet një plehërim me raport të balancuar N-P-K (Azot, Fosfor, Kalium), përveç nëse analiza e tokës sugjeron ndryshe.

Plehërimi i  bimeve me pleh organik te stalles. 

3.  Plehrimi i bimëve me plehra kimike N.P.K

        Përveç zgjedhjes së plehrave të duhura, është gjithashtu e rëndësishme të aplikohen ato në mënyrë të saktë në tokë. Një dozim i gabuar i plehrave mund të shkaktojë dëme serjoze në bimët dhe të ndikojë në tharjen e tyre.    Është e rekomandueshme të ndiqni udhëzimet e prodhuesit për dozën dhe përdorimin e plehrave në mënyrë të drejtë.

Plehrat kimike (N,P,K,)

        Aplikojeni plehun në zonën ku qimet e rrënjës janë më aktive,  ndodhen  nën kuroren e bimës dhe shtrihet pak përtej trungut të bimës. 

        Shmangni plehërimin direkt në trungun e bimës. Shpërndani në mënyrë të barabartë kokrrat e plehut mbi sipërfaqen e tokës brenda zonës së rrënjës.  

        Për depërtim më të thellë të lëndëve ushqyese, merrni parasysh  prashitjen e bimëve  dhe largimin e barojave para aplikimit te plehut. 

        Pas aplikimit të plehut, ujisni zonën tërësisht për të ndihmuar në lëvizjen e lëndëve ushqyese në tokë ku rrënjët mund t'i thithin ato lehtësisht. 

        Sigurohuni që uji të mos grumbullohet rreth trungut të bimës, mbihidratimi dhe kullimi i dobët i tokës mund të çojnë në kalbjen e rrënjëve. Sigurohuni që toka rreth bimëve tuaja të thahet mirë. 

        Plehërimi i drejtë i bimëve ka të bëjë më shumë sesa thjesht sigurimin e lëndëve ushqyese; ka të bëjë me sigurimin që ato lëndë ushqyese të shpërndahen në  mënyrë që të ndikojnë në shëndetin dhe mirërritjen e bimëve. 

        Duke njohur sistemin rrënjor të bimëve, duke përdorur plehrat e duhura dhe duke e aplikuar atë në mënyrën e duhur, kopshtarët mund të rrisin vitalitetin e bimëve të tyre.          Mos harroni, qëllimi është të mbështesim proceset natyrore të bimëve, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm për zhvillimin e tyre.

 

 

 

No comments:

Post a Comment