Skicë Letrare e ripunuar
nga: Koço MOSKO
Boston, MA - SHBA
Mbresa nga libri me tregime e novela “SHTEGTIMI I FUNDIT” i Avdulla Kënaçit
Në kutinë time postare në Boston, këto ditë të nxehta vere më erdhi libri me tregime e novela “Shtegëtimi i Fundit” i mikut dhe patriotit tim gjirokastrit, Avdulla Kënaçi. Penën e tij, qysh herët, e kam ndjekur në vazhdimësi me shkrimet e tij gazetareske, sidomos me reportazhet dhe përshkrimet nga Jugu i Shqipërisë.. Idetë, mendimet dhe problematikat që shpaloste në shtypin e shkruar ishin shprehur me një eleganncë të veçantë. Ai ka qenë një gazetar i shquar e më vonë një realizues televiziv i sukseshëm i filmave dokumentarë në RTSH, sidomos nga diaspora shqiptare pas ardhjes së demokracisë. Avdullai ka një dekadë e gjysmë që jeton pranë fëmijëve të tij në Mississauga, një qytet modern, i ngritur pas viteve 1975 në Kanada, me gati një million banorë, në vazhdimësi të Torontos. Këtë periudhë emigrimi ai e ka shfrytëzuar duke realizuar katër vëllime me tregime e novela të spikatura që lenë gjurmë tek lexuesi.
Dua të ndalem tek libri i fundit i cili sa ka filluar të shpërndahet në Shqipëri dhe këtu në mërgim. Variante të disa prej këtyre krijimeve, ai i ka publikuar në llogarinë e tij në facebuk, duke ia nënshtruar opinionit të miqve të tij të shumtë. Avdullai si karakter është njeri modest dhe komunikues që ka pritur me durim e kulturë vërejtje e mendime lexuesish nga më të ndryshmit. Aty ku e ka parë të arsyeshme ka bërë çvendosje, shtesa e përsosje, pra, tregimet dhe novelat, jo vetëm që janë lëmuar e gdhendur më bukur, por në këtë botim janë rritur edhe si nivel artistik.
Po rrekem të shpreh disa nga mendimet e mia, jo vetëm si lexues, po edhe si dashamirës e mik i tij me të cilin komunikoj vazhdimisht.
Titulli i librit për mua është shumë domethënës dhe duke e lexuar, ai përnjëhershi të zhyt thellë në mendime. Ne shqiptarët, historikisht, kemi qenë njerëz të emigrimeve e të shtegtimeve. Për mua këto dy fjalët e fundit kanë një kuptim të përafërt, në mos të njëjtë. Autori jo pa qëllim i ka vendosur librit këtë titull goditës, “Shtegtimi i fundit”. Ai të josh dhe të bën kurioz të dish se çfarë fshihet brenda tij. Çdo lexues kujton emigrimet e shtegtimet e shumta në jetën e tij. Të gjithve na shkojnë ndërmend edhe peripecitë e të parëve tanë. Përmbajtjen e novelës “Shtegtimi i Fundit”, prej nga ka marrë titullin libri, personalisht e njoh mirë, sepse i jam kthyer disa herë nga që më kujtonte shtegtimet e kopeve të deleve në fshatin tim malor Selckë. Gryka e Selckes në vjeshtë dhe pranverë gjëmonte nga zilet e këmborët kur bagëtia bënte shtegëtimet. Pa pikë dyshimi mund të them se është novela më tërheqëse, shkruar shumë bukur dhe shtjelluar në një gjuhë mjaltë të ëmbël.
Ky titull i librit më sjell ndërmend edhe diçka tjetër; bisedën me një zonjë amerikane që kemi bërë shumë kohë të shkuara, pasi kishim mbërritur në Amerikë. Në vitet e para të emigrimit bëja punë të ndryshme. Gjatë pushimeve, rrija i vetmuar, por edhe i lodhur e i mërzitur. Amerikania, një mesogrua, lindur e rritur këtu, punëtore e fjalëpaktë, ndoshta duke më parë në atë gjendje shpirtërore të rrëzuar, duhet t’i ketë ardhur keq. M’u afrua ngadalë dhe me një zë të ëmbël më tha:
- Zoti Kostandin, ti duhet të jesh njeri me karakter të fortë, ke kapërcyer një oqean të madh, ke udhëtuar mijëra milje dhe unë vë re se ti sakrifikon, por bën edhe një jetë normale. Në pamjen e parë dukesh sikur nuk të bën përshtypje ky emigrimi. Për ne vendasit është shumë e vështirë, kur çdo gjë nis nga e para e jo më për ju. Unë me familjen time kemi pesëdhjetë vjet që jetojmë në Dedham dhe prapseprap, na duket shumë e vështirë të shpërngulemi dhjetë apo njezetë milje më tutje, në një qytet tjetër, jo më ju që vini nga një kontinent i largët, me gjuhë të ndyshme dhe zakone të tjera. Unë marr me mend që është tepër e vështirë, por ju ia delni më së miri, prandaj të them që je njeri shumë i fortë.
Nuk i ktheva përgjigje, sepse ajo kishte qëllim të mirë, deshi të më ngushëllonte e të më jepte kurajo. Ndjeva se kisha nevojë të shpërtheja, të mallkoja mërgimin, por kafshova gjuhën dhe u përmbajta. Unë e dija se sa më brengosnin këto emigrime dhe shpërngulje që i kisha bërë disa herë, i detyruar për të përmirësuar sadopak jetesën time, dhe te familjes.
Të kthehemi tek vëllimi i mikut tim, Avdulla Kënaçi, “Shtegëtimi i Fundit”. Rresht pas rreshti, kapitull pas kapitulli, në çdo faqe libri, fryn e zhurmon emigrimi. Mërgimtari, por sidomos çdo shqiptar, gjen këtu diçka nga jeta dhe përvoja e tij. Kujton vështirësitë e para kur la atdheun, vështirësi të cilat në shumë tregime janë përshkruar me realizëm dhe shpesh me nota dramatike. Këtu nuk i thuren lavde botës së re, perëndimit, pavarësisht se ikëm prej një diktature çnjerëzore, por rrëfehen ngjarje dhe situata delikate, vështirësi nga më të ndryshmet, disa herë rrënqethëse, por edhe qesharake. Vende-vende shpërthen humor i këndshëm, i cili buron vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, ashtu siç është vetë jeta, qesh e qaj.
Vërehet se fraza është e shqipes letrare, rrjedh pastër e bukur, të mos them është gjuhë brilante. Herë herë duket si një këngë, por aty ku ka të bëjë me gdhëndje karakteresh e zakonesh, sidomos në Labëri, zbulohet një fjalor i rrallë dialektor. Janë shprehje e fjalë të hershme, disa shumë të moçme që e pasurojnë leksikun tonë dhe i bëjnë nder gjuhës shqipe. Pena e Avdulla Kënaçit e stërvitur edhe në gazetari nëpërmjet përshkrimeve e reportazheve, rrëshket nëpër rreshta si ujëvarë, të bën për vete që në frazat e para të tekstit dhe të detyron ta shpiesh leximin deri në fund të ngjarjes apo subjektit.
Në tregimet e këtij vëllimi flitet për vështirësitë e kohës që po kalojnë sot shqiptarët, sidomos të viteve kur për ta u hapën portat e botës perëndimore. Autori, duke qenë vetë një nga radhët e emigrantëve, i jepet e drejta dhe indicja për të përshkruar realisht peripecitë e jetës, të të gjitha shtresave të emigrantëve, shpesh shumë të vështira dhe me pasoja tragjike. Përpjekjet e tyre për t’u integruar në një jetë të re dhe shkrirja me komunitetin vendas janë përshkruar me detaje dhe hollësira artistike që të lënë përshtypje të thella. Në tregimet si “Qilimi persjan me thekë”, “Kozmos”, “Cathinka”, “Mumuja”, “Kujdestarja e kojotave”, etj, natyrshëm dhe bukur shpalosen ngjarje e personazhe që nuk i harron kurrë. Po ashtu autori fishkëllen zakonet jo të mira të mëmëdheut tonë si në tregimin “Hija e gjakmarrjes”, etj.
Theksoj, tregimet dhe novelat janë të pasura në fjalë të reja e të veçanta krahinore të zonës së jugut. Me këto fjalë ai kontribuon e pasuron me tej edhe gjuhën shqipe. Libri është shkruar me stil letrar të pasur e të bukur duke ecur në gjurmët krijuesave artistike të trevës jonë si: Çajupit, Naimit, Ismail Kadaresë, Agim Shehut, Jorgo Bllacit, etj. Libri është shtypur bukur, ka lidhje të fortë dhe një paraqitje fine, moderne. Mund të them se ky vëllim na nderon dhe qëndron shumë mirë edhe në shtetet e zhvilluara të këtij kontinenti ku ne jetojmë. E falënderoj zotin Avdulla për këtë dhuratë të veçantë me të cilën zbukuroj e pasurojë bibliotekën time modeste, këtu në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku unë jetoj familjarisht. Urime e suksese pastë gjithmonë pena e tij e ëmëbl dhe e feksur!
KOÇO MOSKO
Boston, SHBA - Gusht 2023
- Shtrëmbërime të fakteve historike që kanë hyrë në fjalorë enciklopedikë, libra historie, wikipedi, gazeta dhe emisione televizive -
Vëllezërit Pandeli Sotiri, Mësues i Popullit dhe Koço Sotiri, nismëtar i shkollave të para shqipe, janë dy rilindas të shquar, por të përndjekur e të martirizuar nga armiqtë e kombit shqiptar. Jetuan e milituan në një periudhë të vështirë dhe tepër armiqësore ndaj kombit tonë dhe gjuhës shqipe. I pari çeli Mësonjëtoren e parë në Korçë, ndërsa i dyti në Pogradec. Ata e kishin të mbrujtur zemrën dhe çdo qelizë të trupit të tyre me dashuri të zjarrtë për lirinë e mbrothësinë e kombit shqiptar dhe nuk u trembeshin rreziqeve e kërcënimeve nga armiqtë, të cilët në atë periudhë ishin me shumicë.
Faik Konica në gazetën e tij “Albania”, në vitin 1898, shkruante:
“Kur Pandeli dhe Koço, vendas nga Gjirokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve orthodoksë u bë një shtangim i indinjuar: shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat”. E vazhdon: “Dy burra guximtarë, të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë muarr përsipër këtë inisjativë atdhetare dhe ja duall deri në një pikë[1]”.
Vëllezërit Sotiri, me këtë dashuri fisnike-atdhetare u brumosën që në fëmijërinë e tyre, në fshatin Selckë ku u lindën dhe morën dituritë e para. U mëkëmbën në një mjedis patriotik të zjarrtë i cili ishte në luftë e përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur e zhvilluar traditat e të parëve dhe gjuhën amtare, gjuhën e nënës. Në edukimin patriotik e atdhetar, përveç prindërve të tyre, sidomos nënës, ndikim të madh ka patur mbi ta edhe familja e xhaxhait të tij të kamur, Thimjo Sotiri.
Personalisht unë, autor i këtyre radhëve, jam me origjinë nga fshati i vëllezërve Sotiri, lindur e rritur me historitë e tyre, treguar e stërtreguar qindra herë. Kam lexuar çdo gjë, çdo fakt e çdo gërmë që ndriçon jetën e vëllezërve Sotiri. Përfundimisht jam i brengosur dhe i hidhëruar duke parë e zbuluar hap pas hapi se e vërteta e shkollave të para shqip e në këtë kuadër veprimtaria patriotike e dy vëllezërve Sotiri, është e manipuluar dhe e shtrembëruar në të gjitha drejtimet. Nuk mund të them me qëllim apo pa qëllim. Në internet, Wikipedia, gazeta e shumë shkrime të tjera dhe emisione televizive, nuk ndriçohet e vërteta. Jeta e veprimtaria e tyre nuk bazohet mbi fakte historike. Prof. Musa Kraja për vëllezërit Sotiri shkruan kështu:
“… në Arkivin Qëndror nuk kishte dosje, ndryshe nga disa personalitete të Rilindjes sonë Kombëtare. Për Koton nuk u habita, por për Pandeliun mendoja se duhet të egzistonin materiale të posaçme, për një dosje të tijën. Shkrime të lëna me emrin e tij drejtpërdrejtë, nuk kishte[2].”
Nuk jam historian, por i përkushtuar për jetën dhe veprën reale të vëllezërve Sotiri, i dashuruar ndaj historisë së vendlindjes sime. Ndiej detyrim moral dhe qytetar para gjithë bashkombësve të mi, të shpalos, gjersa të kem frymë, historinë e vërtetë dhe patriotizmin e flaktë të këtyre rilindsave martirë të cilët nuk kursyen asgjë për mbrothësinë e Atdheut dhe gjuhës shqipe. Punuan e luftuan për këto ideale deri në minutën e fundit të jetës.
Si ndikoi vendlindja e tyre, Selcka e Gjirokastrës në formimin e tyre atdhetar? Shkollimin fillestar ata e kanë kryer në fshatin e lindjes, pastaj në Stamboll e më pas në Europë, Vjenë – Austri. Këto janë fakte të provuara e të pamohueshme, të cilat shqelmojnë e hedhin poshtë me neveri të gjitha gënjeshtrat, shtrëmberimet e hamendësimet që janë thënë e po thuhen deri tani dhe janë shkruar e transmetohen në media pa asnjë lloj përgjegjësie. Askush nuk dëshiron të ballafaqohet me të vërtetat, por gjithkush përsërit mekanikisht çfarë është shkruar e thënë me hamendje më parë, pa iu referuar fakteve, arkivave dhe historisë. E pafalshme, revoltuese.
Fshati Selckë, Gjirokastër ku lindën vëllezërit Sotiri, është fshat me tradita patriotike e arsimdashëse të thella. Godina e shkollës që është edhe sot, u ndërtua që në vitin 1811[3]. Në këtë shkollë rreth viteve 1847-1855 kanë marrë dijet e para edhe vëllezërit Sotiri. Shkolla bëhej në gjuhën greqisht, por në intervale të caktuara mësohej edhe shqip, me libra të ardhura fshehurazi prej Stambollit. Një histori që tregohej shpesh në fshat është ajo e Hoxhë Myftar Aliut.
Hoxhë Myftari ishte një rilindas me origjinë nga Kallarati i Kurveleshiti, cili po sillte fshehurazi libra shqip nga Stambolli. Për t’iu shmangur kontrollit doganor dhe syrit të xhandërmarisë turke, ai ndiqte rrugën e maleve, nga një stan në tjetrin, nga një fshat malor në tjetrin. Hejbetë e tij ishin të mbushura me abetaret e gjuhës shqip të shtypura jashtë Shqipërisë. Ai ishte i besimit mysliman dhe selciotët të krishterë, por për ta mjafton që ai ishte shqiptar dhe bëntë një shërbim atdhatar, patriotik. Libri në gjuhën shqip ishte një sukses, një sihariq i madh. Abetarja i bashkonte edhe më shumë gjithë shqiptarët. Shqiptarët i dallonte gjuha nga kombet e tjerë dhe jo feja e cila shpesh është këmbyer me një fe tjetër. Selciotët kanë mbijetuar midis minoritarëve grekë, luxhiotëve orthodoksë dhe libohovitëve myslimanë. Historia vërteton se ata kurrë nuk janë grindur për probleme feje apo ndasi krahinore. Ata vetë, më mirë se kushdo e kuptonin dhe e vlerësonin mësimin dhe librat e penguara shqip. Hoxha, në misionin e tij fisnik dhe atdhetar, në udhëtim e sipër, u sëmur dhe dy fshatarë e gjetën në një shpellë, poshtë fshatit, në një ditë të keqe me shi e suferinë. E morën në krahë dhe e çuan lart në Selckë. E lanë, e ndërruan me teshat e tyre, e ushqyen dhe duke e mjekuar me barna popullore. U kujdesën që ai të shërohej sa më shpejt, por Hoxhë Myftari nuk ja doli dot, kishte marrë plevit të rëndë dhe vdiq pas 3-4 ditësh.
Fshatarët, në nderim të sakrificës së tij patriotike, e varrosën me nderime të mëdha, sikur të ishte bir i tyre. Që fshati Selckë kishte një respekt të veçantë për këtë Hoxhë, e tregon edhe zgjedhja dhe vendosja e varrit të tij. Meqë feja ortodokse nuk e lejon të varrosej në varrezat e fshatit, selciotët e varrosën në një vend të shenjtë, afër kishës, pranë një konizme orthodokse ngritur me gurë, ku më parë duhet të ketë qenë një kult i lashtë paleokristian, ose edhe pagan. Tek koka e varrit të Hoxhës ishte vendosur një pllakë me gur të zi ku qe gdhëndur emëri i tij në alfabetin shqip të kohës dhe në greqisht. Konizma dhe Varri i Hoxhës janë shumë afër, 2-3 metra pranë, ballë përballë. Më vonë, vendi aty mori emrin “Varri i Hoxhës”. Edhe sot ashtu thirret. Varrin e Hoxhës fshati e ruajti përmbi 150 vjet. Kur e vizitoi këtë varr në vitin 1999 Prof. doktor Musa Kraja, i befasuar, por dhe i mrekulluar ka thënë:
“Është e vërtetë, që i mençuri nderon të mençurin, atdhetari nderon atdhetarin, bujari pret bujarisht dhe këto nuk janë pak në Selckë”[4]
Eshtrat e Hoxhës i morën bashkëfshatarët e tij nga fshati Kallarat i Vlorës në vitin 2007[5] dhe i rivarrosën me nderime në fshatin e tyre kur u njoftuan për ngjarjen, shumë vite më vonë. Fshatarët e Selckës, këtë Hoxhë patriot e kanë përjetësuar edhe në këto vargje:
“O i ziu Babashe,
ke fëmijë apo nuk ke?
S’kemi ç’të bëjmë dhe ne,
të përcollëm si babanë,
Për ty tri kambana ranë”.[6]
Keto vargje duhet të jenë shkëputur nga të qarët me vaje e ligje, të nje vajtuce të fshatit Selcke gjat varrimit sipas zakoneve e traditave shqiptare. Hoxha u përcoll me nderime në banesën e fundit nga prifti i fshatit duke u rënë këmbanave në të dy kishat; Shën e Premte dhe Shën Nikollë. Ajo ditë u konsiderua si ditë zie ku u kryen të gjitha nderimet e rastit. Një prift organizon ceremoninë mortore të një Hoxhe në një cep të trojeve shqiptare, në mezin e shekullit të XIX-të. Kjo është shumë domethënëse! E denjë për një skenar filmi.
Një këngë Myftar Aliut i kanë ngritur edhe fshatarët e fshatit të tij Kallarat. Mbledhësi i apasionuar i këngëve popullore labe, Fatos Mero Rapaj ka regjistruar këtë këngë:
Patriotët ven e vijnë
Plot me vilva mbushur gjinë.
Ç’thonë për Myftar Ali
Dyzet ditë nga Stambolli
Rruga mbarësi s’i solli.
La pas Sarajet e ngjolit,
Hyri fshtatrave të Pogonit,
Vate në një fshat të thellë,
Nga katër male mbështjellë.
Kur vdiq Hoxha dhe dha xhanë,
Tre këmbana për të ranë,
Bënë nder si për babanë.
Kur ia hoqën xhamadanë,
Dualën librat shqipe radhë.[7]
Librat shqip nga Stambolli selicjotët i binin edhe vetë fshehurazi duke sakrifikuar e përballuar rreziqet e shumta. Ka shumë gojëdhëna e histori që tregohen. Në fshat thuhej kjo këngë ku bëhet fjalë për një Siko Dhimadhi, (Dhima):
Siko Dhimadhi kur vije,
Në Selckë dilje lëminje,
Ç’bëhej në Stamboll e dije,
Kokën në trastë e vije
Për sebep të ca vivlije,
Qysh bëje kur dilte ujku,
Pastaj të qepej dhe cfurku.
Mbi dy fundoma sënduku
Shqiponjën s’e zë dot turku”[8]
Sa ngushtë duhet ta ndjejnë veten kur ti lexojnë këto të vërteta të fshatit Selckë ata që zhgaravitin edhe sot nëpër gazeta e internete duke shkruar se në fshatin e tij Selckë Pandeliun s’e lejuan grekomanët të hapte shkollën, nuk e qasën, etj... Këto janë gënjeshtra dhe përpjekje për ta nxirë Selckën patriote. Në fshatin e Pandeliut ishte ajka e shqiptarizmës. Aty ai mori në zemër e u brumos në shpirt me dashurinë e zjarrtë e të pakufishme për Atdheun, Shqipërinë. Gjithsesi nuk mund të kishte atë jehonë çelja e shkollës së parë shqip në fshatin e izoluar malor Selckë sesa Korça, qytet i madh, me kulturë, popullsi, intelektualë dhe lidhje me botën e huaj. Jo më kot Rilindasit caktuan Korçën. Dhe kishin të drejtë. Ngatërrimi me vendlindjen e vëllezërve Sotiri, Selckën, është dashakeqësi dhe qëllimkeq për t’I ulur vlerat patriotike.
Në kohën kur Pandeliu me Koton ka marrë arsimin fillestar në fshat, shkolla duhet të ishte 7-vjeçare (plotore). Ajo kishte edhe një bibliotekë ku kishte libra shqip, e cila pasurohej nga viti në vit, por ato u dogjën kur ra një zjarr i mistershëm në vitet 1880. Ishte koha kur vëllezërit Sotiri merreshin me botimin e shpërndarjen e librave shqip në Stamboll. Shkolla u rindërtua përsëri në vitin 1895, por me përmasa më të vogla.[9]
Shkolla tani fillore e Selckë pas rindërtimit në vitin 1894 ku kanë kryer arsimin plotor Pandeli e Koço Sotiri ( foto: Artur Mosko) |
Në fshatin e vellezërve Sotiri, në kishë meshohej edhe shqip me libra me gërma greqisht. Një libër kishtar shqip po me gërma greqisht ishte edhe “Dhjata e Vjetër”, botim i vitit 1849 sipas studjuesit teolog Dhimitër Beduli[10]. Atë libër e mbaj mend edhe unë. Madje kisha dëgjuar kur meshohej shqip nga prifti dhe psalltët, ata i kishin mësuar përmendësh shqip shumë pjesë lturgjike nga ky libër. Librin e ruante prifti At Stefan Thanati, kushëri i parë i babait tim. Në faqen e parë që ishte bosh, ishte shkruar me gërma shqip: “Dhuratë nga Shoqëria “Përparimi” e Stambollit për shkollën Plotore, (7-vjeçare).”
Shkolla në fshatin Selckë ku kanë studjuar vëllezërit Sotiri, shtëpitë e Sotiraj ashtu siç janë, Varri i Hoxhës me Konizmën duhet pa tjetër të kthehen në objekte muzeale të klasit të parë. Të meremetohen, të rrethohen e të mirëmbahen si dëshmi e gjallë e bashkejetesës në shekuj e shqiptarëve, por dhe si dëshmi e gjallë e përpjekjeve titanike për shkollat dhe shkrimin shqip nën sundimin pesëshekullor otoman. Do të jetë muzeumi më i goditur, më i bukuri dhe më i veçanti i cili do t’u mbyllë gojën fallsifikatoreve përgjithmonë.
****
Të nginjur me atdhedashuri dhe të etur për libra, dituri e shkollë shqip, vëllezërit Sotiri, nga fatkeqësia që u ndodhi, kur u vranë babain për hasmëri, u detyruan të largohen për në Stamboll e të vazhdonin shkollat nën kujdesin e xhaxhait të tyre të mirë e human, Thimjo Sotiri. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 thuhet se Pandeli Sotiri ishte nxënës i Koto Hoxhit!![11] Të gjitha dokumentet e mëvonëshme, edhe sot në internet, shkrime apo emisione televizive të ndryshme e përsërisin kudo këtë gënjeshtër të madhe, si përallë. Kjo është e pafalshme.
Po të bësh vetëm një llogari të thjeshtë del ndryshe, dhe ja sesi. Dihet se shkolla e mesme greqisht në Qestorat u hap në vitin 1874.[12] Në atë kohë vëllezërit Sotiri ishin në moshën 30-34 vjeçare. Kishin përfunduar shkollën e mesme në Stamboll dhe të lartën në Vjenë, Austri. Pandeliu ishte rreshtuar dhe për afro 10 vjet shërbeu në ushtrinë Austro-Hungareze. Ai mbante gradën major. U kthye në Stamboll duke u vënë në shërbim të veprimtarisë patriotike.
Koto Hoxhi nuk ka qenë mësues, por kujdestar konvikti në shkollën e Qestoratit të Lunxhërisë. Ndërsa vëllai i Pandeliut, Koto Sotiri qëndroi sup me sup me të vëllanë dhe gjithë rilindasit e tjerë në të gjitha rreziqet, veprimtaritë e aktivitetet patriotike. Ishte mësuesi më jetgjatë e punëtor, pafjalë e i thjeshtë, si asnjë tjetër në ato kohëra të vështira. Punoi mësues në Pogradec e Korçë, afro dhjetë vjet, sa të gjithë mësonjësit bashkë që i përmendin dendur e u numurojnë meritat në shkrime e emisione televizive. Koçoja e vazhdoi këtë aktivitet në Maqedoni, në Rekë e Manastir, gjersa autoritetet osmane e burgosën dhe e dënuan me burg.[13] Bëri pesë vjet burg. Sa keq, nuk është kujtuar asnjeri të shkruajë për këtë patriot të flaktë e fisnik që i dha jetën arsimit shqip.
Jo vetëm nuk përputhen vitet, por dihen mirë edhe shkollat e mesme që kanë kryer në fakt vëllezërit Sotiri. Autori Koço Mosko Stegopuli, në biografinë e Pandeli Sotirit që i ka dorëzuar në shkollën Pedagogjike Gjirokastër, ish drejtorit Tomor Tushe, me rastin e 10-vjetorit të saj, në vitin 1959 dhe me rastin e marrjes së emrit Pandeli Sotri kësaj shkolle, shkruan:
“I rriti dhe i mësoi në Stamboll, xhaxhai, Thimjo Sotiri. Atje kanë ndjekur shkollën e mesme të “Gallatës” (Galatasaray High School, bashkë me Janko Minxhën nga fshati Krinë)”. [14]
Këtë biografi K. Mosko Stegopuli shkruan se e ka dorëzuar edhe në Komitetin e Veteranëve të Rrethit Gjirokastër të asaj kohe.
Koço Mosko Stegopuli, ish inspektor i Arsimit ne Komitetin Ekzekutiv të KP Rrethit Gjirokastër, i ka mbledhur këto te dhëna së bashku me Vaso Konomin, ish Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër. Ata u kujdesën për historikun e Lunxhërisë dhe në vitin 1972 Koço Mosko Stegopuli ishte pjesmarrës në një komision që ishte ngritur për hartimin e historikut të rrethit Gjirokastër. Këto të dhëna i ka marrë nga Aleksandra Pano (Telo) kushërirë e vëllezërve Sotiri, e cila në Stamboll ka banuar në shtëpinë nga ku u rrëzua nga kati i tretë Pandeli Sotiri. Aty në vitin 1922, ajo ka lindur edhe djalin e saj, aktorin e Teatrit Popullor, “Artistin e Merituar” Andon Pano.
Shkolla e “Gallatës” në Stamboll, ishte një shkollë e mesme nga më të mirat e kohës, madje dhe në Europë. Aty mësimet bëheshin në gjuhën frënge, sepse ish kolegj francez i themeluar që në vitin 1481. Me mbarimin e kësaj shkolle, rreth viteve 1860, vëllezërit Sotiri, sigurisht përsëri me kujdesin e xhaxhait të tyre, Thimjo Sotiri, ndoqën shkollat e larta në Vjenë, Austri. Pandeliu studjoi për mjekësi, në “Medical University of Vienna”, ndërsa Koçoja studjoi për drejtësi. Me mbarimin e shkollës së lartë, Pandeliu, rreth vitit 1864, u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën major. [15] Në ushtrinë Austro-Hungareze duhet të ketë qëndruar afro 10 vjet. Ndërsa për Koçon gjatë kësaj periudhe nuk ka të dhëna për punët e tij. Ndoshta ishte në Stamboll. Në fillim të viteve 1870, Pandeliu kthehet në Stamboll, për ironi të fatit, atëherë kur nuk qe ndërtuar ende, ose ishte në ndërtim e sipër shkolla e mesme greke e Qestoratit. Në Stamboll vëllezërit Sotiri filluan të merren me një veprimtari të dendur patriotike-atdhetare, së toku me rilindasit e tjerë. Përfundimisht bie poshtë versioni se Pandeliu ka qenë në shkollën greke në Qestorat.
Duhet të përgënjeshtrojmë edhe një shpifje tjetër. Në shumë shkrime thuhet se Koto Hoxhi në Stamboll i lidhi ose i njohu vëllezëerit Sotiri me vëllezërit Frashëri. Vëllezërit Sotiri ishin stambollinj të hershëm. Ata ishin rritur në një lagje me vëllezërit Frashëri, por i bashkonte edhe qëllimi i përbashkët dhe Shoqatat patriotike shqiptare. Sigurisht që kishin njohje të hershme, nuk ishte nevoja këtu të ndërmjetësonte Koto Hoxhi. Nuk kemi ndonjë të dhënë se ku banonte në atë kohë patrioti Koto Hoxhi dhe a njihej ai me vëllezërit Sotiri apo Naim Frashërin. Mendoj se ky fakt është një hamendje ose shpifje për të ngritur lart vlerat e Koto Hoxhit. Kështu i bëjmë dëm historisë dhe të vërtetave duke i bërë të pabesueshme ngjarjet dhe zhvillimet patriotike.
Fakte e të dhëna të reja kemi zbuluar edhe për aktivitetin patriotik të vëllezërve Sotiri, të cilat do t’i bëjmë te njohura në vazhdim. Përsa kohë nuk i njohim vlerat reale të ajkës së patriotëve tanë, vështirë është të na i thonë apo të na i vlerësojnë të huajt.
Solla disa fakte dhe dokumente që hedhin poshtë shpifjet dhe gënjeshtrat për vëllëzërit Sotiri, këta korifej dhe të parët patriotë që u angazhuan për shkollat shqip dhe çeljen e tyre, duke sakrifikuar jetën dhe të ardhmen e tyre. Akoma më keq kur këto të pavërteta, shpifje apo gënjeshtra, quani si t’i doni, bëhen pjesë e fjalorëve enciklopedikë, librave të historisë, internetit, gazetave apo emisioneve televizive, gënjeshtrat kështu fitojnë qytetrinë dhe është vështirë t’i shkulësh. Duhet të harxhosh tërë jetën tënde për të vënë në vend padrejtësinë dhe korregjuar historinë.
Koço Mosko
Boston, Gusht 2023
[1] Faik Konica - Gazeta “Albania” nr. 8; suplimenti fërgjisht.
[2] Musa Kraja – “Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip” f. 7 ; Tiranë 2002
[3] Dhimitër Beduli – “Shenime për fshatin Selckë”
[4] Prof. dr. Musa Kraja – Gazeta “Shkolla rurale”; Tetor 1999
[5] http://kallarati.com/arsimi/historiku-i-shkolles-ne-kallarat
[6] Enver Strati – “Historiku i Kallaratit”
[7] Enver Strati – “Historiku i fshatit Kallarat.
[8] Dr. Jorgo Thanati, etj. – “Selcka e Lunxhërisë …” f. 189 Tiranë 2011.
[9] Dr. Jorgo Thanati, etj. – “Selcka e Lunxhërisë …” Tiranë 2011
[10] Dhimitër Beduli – “Shënime për fshatin Selckë” Tiranë 1986.
[11] Akademia e Shkencave e RPSSH- Fjalor Enciklopedik Shqiptar –Tiranë 1985 faqe 975
[12] Leko Mako – “Ju o djem do më kujtoni “, Tiranë - 2007. faqe 97.
[13] Musa Kraja – ““Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip” f. 110 ; Tiranë 2002
[14] Koço Mosko Stegopuli – Kujtime, shkruar dhjetor 1988
[15] Musa Kraja – ““Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip”, Tiranë 2002
Udhëtojn trupat qiellor në hapsirën e pa anë. Grinden retë në qiellin e nxirë, duke sjellur terror mbi tokën djep jetese. Natyra kacafytet me njeriun plangë prishës e zollumqar të saj. Njeriu kundërshtar i vetëvetes si individ e si shoqëri, mallkon të tjerët breza të shkuar dhe thirr në ndihme ZOTIN për shpëtim, duke ju lutur. Nuk e din, kupton se varmihësi i natyrës e vetevetes është ai vetë me sjelljet e tij, me veprimtarinë e tij me politkat e farkëtuar po prej tij. E megjithatë ai hiqet si engjëll. Per ta kuptuar sadopak shkruajm këtu me rradhë mendime, ngjarje, plagë në trupin njerëzor e të natyrës nanë madhe.
nga: dr. Selman MËZIU
Firence, Itali
Lotët e kripura të nanës
Banonte diku në gjirin freskues e ajër ledhatues të maleve. Jeta baritore i kishte dhuruar pak shkollim. Shume krenari e dinjitet. Familjen e krijoi me shumë bloze dhimbjesh e dridhmash lekure e shpirti. U përfshi në një gjakmarrje për kufinj kullotash. Kanuni ishte ende ne fuqi. Edhe pse i pa shkruar. Ai ishte bamun si një pemë plotë kokrra në trurin e malsorëve. Nuk mund të shkulej. As rrënjët nuk i kalbeshin në këto toka bujare. Truri depo e përzgjedhëse ritesh, zakonesh, kanunesh. Mënyrë jetese në këto oaze malesh hije randë.
Një ditë plumbi i hasmit e çon në botën tjetër. Metastaza e gjakmarrjes përhapej si një kancer në mushkri. E prandaj familja e Lulashit u mbyll. Një burg i dhimbshëm. Kuptohet djegës e përvelues zemrash. Zana sapo djali i madh i mbushi 15 vjeç e mbylli në shtëpi. Ajo pasi shiti bagëtinë ndërtoi shtëpine me qita e balt në një ish vresht buze liqenit. Mori me vete vajzën e djalin tjetër në lirek. Gjecin e mbylli në shtëpi në malsi. Ushqim i dërgonte në një depo në katin pëdhe, ku hapte një dritare me hekura. Ajo nuk ia kishte parë fytyrën që prej 10 vjetësh. Gjakmarrësit e mbanin kullen nën vrojtim të përheshëm.
Kuptohet nga meraku djali u ba kockë e lëkur. I zverdhur si gjethet e mështeknës në vjeshtë. Nana po digjej si qiriri nga malli përvëlues. Dhimbshuria i kishte kalura pragjet e durimit. Vitet kalonin. Plagët në zemrat e tyre veç zmadhoheshin. Motra e vëllai i vockël nuk e panë kurrë e nuk e mësuan se kishin një vëlla të ngujuar. Ai edhe ishte edhe nuk ishte.
Kjo jetë me plotë mynxyra kishte pushtuar shumë votra malsorësh. Shteti nuk ishte. Ligje kishte. Por ato kishin nxirë vetëm buletinet e kuvendit. Dikush ishte zhdukur jashtë atdheut për gjithëmonë nga kjo luftë satanike e nën dheshme. Ndërsa njerëzia vuante tmerrësisht në ngrehinat e jetës. Plagët kullonin rrëke gjaku rinor të pafajshmish. Gjakmarrja u hakrrohej banorëve të pakët e natyrës. Forca e zakonit primitiv endëte rrjeten e bronxtë të hakmarrjes së pa ndalshme. Shoqëria e mpakur e shteti i krimbur ishin kthyer në heje akujsh.
Pritëzeza mafje në qafa malesh
Jeta në rrafshina malesh kishte ndryshuar. Shtëpia e toka të braktisura tanima kishte kudo. Zbrazdësirë jete njerëzore. Vdekje peisazhesh njerëzore. Banorët fisnik të maleve po zhdukeshin pa mbarimisht. Orteku i mjerimit kishte vepruar qetësisht. Mos kujdesja e qenja e shtetit po fashiste shpirtërat krenar shqiponjash të maleve. Tokat e punuara nuk prodhonin ma misër, domate e mollë. Këtyre ushqimeve ju kishte humbur vlera ushqyese e fitim prurëse. Bujku kishte thyer krahët e plugut që veç ndryshkej nga kohë dhe harresa.
Deda me djalin Kostandinin kishin zbritur në rrethinat e qytetit. Kulla veçse mbahej në kam. Ish arat e kopshtijet ishin mbushur me ferra e barëra të shumta të natyrës. Krojet e lugjet prej druri nuk dukeshin ma. Mirëpor dikush pranë burimeve po mbillte një lloji bari të kushtueshëm. Mysafir i sapo ardhur në këto anë. Flitesh se të silllte gjum ose trulloste mendjen e të rinjëve. Thonin se mpine trurin. Thonin se adoleshentet qajn vetevetiu ose….
Deda e Kostandini i mësuan hollsirat dam prurëse të këtij bari fam keq. Ato shkuan në polici e treguan fije e për pe se çfarë po ndodhte në tokat e Shqathit të braktisur. Nuk vonoi shumë e televizionet e radiot gjëmuan nga lajmet e shkaterrrimit të arave si mindila të mbjella me këtë lloji bari trubullues mendësh.
Nuk vonoi shumë Dedës i bie zilja e telefonit. Po të digjet kulla në Shqath me gjithëçka. Ai me djalin vrikshëm u nisën me makinë. Bisedonin e hamendësonin se kush kishte guxuar t’ua digjte kullën. Cilat ishin arsyet e kësaj hakmarrje. Pastaj ato vazhduan udhën ne kam. Nga qafa e malit ato vështruan gjuhët e flakëve. Një erë e lehtë iu përkdhelte fytyrat e lodhura. Ajo sillte në hundët e tyre arome djegje e lulesh. Babait e djalit ju rrokulliseshin bashkë me djersën faqeve pika lotësh. U mbështetën në një trup ahu e vështronin të dëshpruar tymrat e flakën. Pushim i detyruar nga lodhja.
Sa kaq u dëgjua një breshëri plumbash kalashnikovi. Si bishat disa të rinj ju vërsulën babë e bir të plagosur duke i bamun shosh me plumba. Gjaku ju rridhte reke. Ai njomi humuesin e pyllit. Ky pranoi krimin e hakmarrjes që nuk e kishte parë kurrë. Po strukturat e shtetit demokratik??
Kanceri i tymrave në bjeshkë
Iliri dashuronte natyrën. Ai kishte mbaruar studimet e larta për inxhinier mjedisi. Po hidhte shtat e formohesh kulturisht në qytet. Mirëpor nuk ‘’flinte,, e nuk ishte ‘’provincial,, Hekuri e çimentoja kishin pushtuar tokën që dikur merrte frymë lirisht. Ajo tani po sëmuresh pa gjallesat e saja. Ajo po vuante nga shtypja, helmimi e pesha e kullave. Gjelbërimi ishte diskreminuar si populli Ebre nga nazizmi gjerman. E Ilirin kjo e mundonte shpirtërisht. Por vendi i punës i kishte ndrydhur revoltën. Hakmarrja e politikës i rrinte mbi kokë si shpata e Demokleut.
Mori detyrë të vizitoi një park në mes malesh. Gjirin e arkitektures peisazhistike alpine. Natyra atje kishte krijesat e saja të magjishme. Malet shkëmbore me dhite e egra e kaprojt ishin pjelle e mahnitshme bukurie. Ishin ndërtuar disa shtëpi pushimi. Turizmi malor po thithte vizitues nga gjithe evropa lindore e prendimore. Inxhinierin këto levizje njerezish të guximshëm e kureshtar i jepnin krahë projektimesh dhe e gëzonin. Ai thoshte kjo asht arritja jonë. Mirëpor dukuritë negative e shqetësonin. Ai kalonte netë pa gjum. Ndodhte që shikonte andrra të tmerrshme, gjumë prishëse.
Ra muzgu në male thepa thepa me njolla gjelbërimi si rruaza. Ai shikon në mes ndërtesave të rralla dhe kryqëzime udhësh, gjuhë flakësh. Po këto, përse janë ndezur? Ndonjë feste apo rite pagan? Bashkë me një koleg, iliri del nga dhoma, zbresin shkallët dhe udhëtojn drejt njërit prej tyre. Kur po afroheshin ndjeu një aromë helmuese, neveritëse. Sa më shumë afrohesh ajo bahesh ma helmuese. Gjeti një njeri që ushqente zjarrin me kauçuçe të ndryshme.
- Ju lutem pse i digjni këto. A e dini se tymërat helmojn ajrin?- malsori e shikoi me një fytyrë serioze e të dyshimtë.
Iliri e kuptoi. Ai i foli se kush ishte dhe detyrën që kishte në Ministrinë e Mjedisit. Pas kesaj malsori i tha :
- Ky është urdhëri i Drejtorit të Parkut të Alpeve, - duke i buzëqeshur pak sa e me dashamirësi.
Ai mendoi t’a bante problem në Ministri. E filloi të mendoi se cilat mund të jenë zgjidhjet. Pas pak dëgjoi zhurma bisedash e bërtitjesh në gjuhë të ndryshme. Ai i kërkoi shpjegim drejtorit. Ai i tha se:
-Ndotja e ajrit këtu në mes malesh ka indinjuar shetitësit e peisazheve të maleve. Por problemi i grumbullimit trasportimit e përpunimit mbetet i pa zgjidhshëm
E bëri problem me një raport të hollsishëm ku ju kërkoi titullarëve të Ministrisë të kërkoi zgjidhje sa ma parë. Fatkeqësisht ende azgjë. Shëtitësit vijnë vetëm një herë. Ato i largon tymi helmues siç largon bletët nga zgjoi i tyre. Gjallesat e pyjet përpiqen t’i eleminojn helmet e zjarreve. Mirëpor edhe ato po marrin sëmundje kanceroze. Iliri mban ditar e brenga i ka mbetur në shpirt e zemër.
Mesuesja e braktisur
Lulet ishin natyra e saj e dytë. Ju shërbente si një nanë e zellshme. Dashuria ishte ngjizur në çdo ngjyrë thekësh, pistili e petëla lulesh. Shpirti i saj ishte pjalmuar nga ai i luleve bukuri joshëse. Vargu i poezisë, pozim lulesh erë kandshem e tronditëse jetësh. Nga brenda vetes i udhëtonte e cimbiste një motiv real brenda ose jashtë vetes.
Nxanësit e saj në shkollën prane puseve qindra metrash vlonin energji krijimesh e shpirt rinor. Vullkani brenda tyre ishte llave frymëzimi për mësuesen Ato thithnin flladin e stinëve. Buzëqeshnin mesuses ambël e mbushur me dlirësi shpirti. Jeta gjallonte e nxanesit gëzonin. Ato rriteshin e mbushim mjedisin e kujtesës së trurit me ngjarje, recitim poezish, buzëqeshje ambël mësusesh. Fëmijët lindnin e rriteshin bashkë me lulet, vargun poetik, poezitë dhe librat, kumte poetike rrezatuese. Peisazhet brenda shpirtit zbukuroheshin e gjallonin. Natyra e luleve të krijuara çelnin pishtarët e frymëzimit. Poezia merrte udhë, e thellë në kuptim, e veshtirë në perceptim. Por mbushur me kumte e pasqyrë e botës reale. Jeta vargëzonte hijshëm buçetën e lumturise familjare ndërsa poezia e lulet mbetën margaritar të shpirtit të dlirte e të sinçertë.
Një rrufe në qiellin e kalter plote ndriçim yjesh të largët e të afërt të jetës. Fëmijët duheshin shkolluar. E shtepia në Tiranë vega ku duhesh me u kap. E kështu vendosi. Por lulet, dashuria e pare u këputën. Limfa nuk qarkullon ma në ato luadhe të braktisura. Ndërsa nga nentoka minerali vazhdonte të nxirresh. Udhëtimi i tij i pa ditshëm. Zemra u thye. Shpirti u plagos randë. Mjedisi shoqëror u helmua. Poezia jasteku ku mbeshteti kokën poetja dhe gjeti ‘’qetësinë,,. Vetem aty çlodhej e frymëzimi shpërthyes nuk u ndërpre. Vargu poetik u ba inatçor. Ai u shëndrrua në një mushkë xanxare. Veçse u çimentua ma tej. Lexuesit u mrekulluan. Të ardhmes ju lidhën si hallka zinxhiri pikyetjesh. Shoqëria miqësia u ndanë në dysh, tresh... Limfa e jetës u helmua aty këtu. Qendresa e shpirti i sakreficës u rritën Pastërtia morale e shpirti praktik u ngritën si shtatore në qënjen e saj. Shtigjet e jetës iu thepisën. Edhe u ngushtuan. Edhe morën mjaft leqe.
Por ajo u kthye në një grua drague qëndrese. Piskama e saj mblodhi rreth vetes qëndrestarët. Ndaj përleshja vazhdon. Në mes gënjeshtrës hipokrizisë e të vërtetës sublime. Fëmijët vazhdonin universitetin me plote zell. Poetja kërkonte udhët e gjetjes së punës. E ato kërkime si të një arkeologeje vazhdojn. Fitoren e vargut poetik e ka arritur. Tanima të tjera fitore e presin në brigjet e fildishta të poezisë epike. Rritet si ortek qendresa e vendosmëria. Poete që shikon përpara duke luftuar si luanesh me tajfunet e jetës. Peisazhet herë gjallërohen, herë ndryshojn ngjyrën e përmbajtjen kudo në natyrë, poezi e brenda vetes.
Kërkoi që të qetësoi shpirtërat. Përpiqem të gjej ilaçin për të shëruar kohën e trazuar. Kërkoi peisazhin bukuri ndjellës brenda botës se brendshme të njeriut. E grish atë për paqe, mirësi e udhëtim krenar e kryelart në jetë. Por më mundon shumë. Lotët më bijen mbi tastierat e kompiuterit. E murmuris nëpër dhambë: Pse vallë nuk mund t’a rregulloi sa dopak këtë botë të shprishur? Sepse jam i vetëm? Sepse më mungon zbulimi e njohja e thelbit të dukurive shoqërore e të natyrës? Apo sepse bota ashtë ndërtue kështu me paudhësitë, gënjeshtrën, hipokrizinë e paranë në themel të gjithë çkaje. Megjithatë unë shkruaj, për të pasqyruar pjesëza nga ajo. Sigurish për t’i lanun në hojet e kohës.
25. 07.2023 Selman Meziu