Monday 11 February 2019

N O N A

nga: Frida  LICI GUGA
Athinë, Greqi



Frida LICI GUGA
Kështu thërrisnim gjyshen e mamit në Himarë. Aty kalova fêmijêrinê dhe pushimet e verës. Na linte autobuzi në kodêr përball shtëpisë, herë herê vija duart te goja dhe bêrtisja sa kisha fuqi nonaaaaaa.... Nganjëherë veja gjer te porta e i bëja surpriz. Nuk harroj dot gëzimin e saj. O djalë.., o xhan.., o zëmëro.. dhe vinte vërdallë nëpër avlli.

Kjo deri në vitin 1975, ku rruga për në Himarë na u ndalua nga biografia. ... As ne nuk venim, por as ajo nuk duhej të vinte. Babi deklaroi që nuk do kishte asnjë lidhje me familjen e gruas, ishte kushti vendosur nga organizata e Partisë. Pas tre vjetësh na telefonoi një kushuri që nona êshtê në Sarande dhe nesër do vinte në Gjirokastër. U gëzova shumë, por prindrit u shqetësuan. 

Erdhi të nesërmen…….. një fantazmë e imët, e dobët, e hutuar, e malluar, hija e vetvetes. Kaq e mbledhur sa e merrja në krah nga trapezi gjer në dhomën e gjumit sikur të ishte pupël.

Pas pak kohësh e mblodhi veten, ju skuqën faqet dhe mori ca kile. Pa dashje dëgjova një bisedë midis prindërve. 
- Ti e di sa e dua Anën, por nuk mund të rrezikojmë tani që presim të drejtën e studimit për Fridën, duhet të lajmërosh vëllanë në Patos ta marri, - tha babi. Mami qante mbyturazi dhe mezi u degjua ... ke të drejtë Dhimitri, kështu do bëj. 

Erdhën e morën. Nuk kam parë qënie më të pafuqishme, shikonte me ata sytë e zinj e përhumbur. E përcolla te autobuzi e shtrëngova fort sikur e ndjeva qe ishte hera e fundit që e shikoja. Mami vajti dhe njëherë tjetër dhe la porosi të mos e njoftonin kur të vdiste se në Himarë ku do ta çonin, nuk mund të vente.

Vdekjen e saj e mësuam pas një jave. Mami nuk rreshti ta qajë me vaje për një kohë tê gjatë.

Tani, pas 40 vjetesh kujtoja se nuk do ta vuaja më kujtimin e gjyshes. Por ja që jam dhe unë gjyshe dhe nuk e imagjinoj dot si mund të mos shoh nipat. Me pjekurinë e moshës dhe gjakftohtësi perpiqem të kuptoj llogjikën e politikës së asaj kohe. Nuk gjej shpjegim, nuk gjej asgjë logjike. Doja t’a shkruaja këtë ngjarje për shumë aresye.

No comments:

Post a Comment