Saturday 4 March 2017

Lugina e Cemit

LUGINA E CEMIT, POSHT TRIESHIT - Malësi e Madhe (nën Mal të Zi)
- Kolorado Shqiptare -

                                                     nga Anton PLLUMAJ - Tuz, Mali i Zi       
Anton Pllumaj

            Gjatë udhëtimit nëpër fshatrat e Trieshit, sapo të dalësh në katundin e quajtur Delaj përballesh me një panoramë mahnitëse, e cila të fton që të shijosh bukuritë magjepse të Luginës dhe rrjedhat e lumit të famshëm të Cemit me ujë të ftohtë dhe të pastër, që buron nga Bjeshkët e Nëmuna ( Alpet Shqiptare) nga ku është i pasur me peshkun troftë me pika të kuqe. Njohës të mirë të gjeografisë dhe natyrës, që kanë parë kanionin e Cemit, e kanë përcaktuar ata ndër më të bukurin dhe më të veçantin në Evropë.          
           Disa kanë guxuar ta quajnë “Koloradoja shqiptare”, dikush në mënyrë poetike “bukuri tronditëse”, dikush tjetër “vepër madhore dhe e papërsëritshme e natyrës”. Nuk e dimë se sa afër realitetit janë këto përcaktime, por dimë një gjë, që kanioni i Cemit është me të vërtetë një mrekulli, një befasi, një shpërthim fantastik i natyrës. Natyra kësaj luginë nuk i ka kursyer dhuratat e saj të mrrekullueshme, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë, por të mbeten në kujtesë si një parajsë e krijuar nga Zoti.
           Luginës së Cemit rrallë i gjendet shoqja për bukurinë dhe vlerat piktoreske turistike të pashfrytëzuara. Kur udhëton në brendësi të këtij kanioni mahnitesh nga bukuria e tij. Copat e qiellit, me pjesë të mureve vertikalë gri, disa si statuja natyrore dhe e gjelbërta e bimësisë tek-tuk, krijojnë një përzierje ngjyrash e formash të përmbysura si në pikturat surrealiste, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhysin në një botë tjetër, gati ireale, por që të ngjall ndjesi të ëmbla ëndrre, sa nuk ke dëshirë të dalësh që andej. 
          Por këto ndjesi nuk janë e vetmja mrekulli e këtij kanioni, në disa sektorë të cilit gjatë vjeshtës dhe dimrit formohen ujëvara që përplasen fort në shkëmb dhe në dritën e diellit stërkalat formojnë ylbere e pamje të magjishme, iluzione optike që s’të shqiten nga kujtesa edhe kur je shumë larg prej tyre. Pamje që s’të ngopin asnjëherë, të paktën kjo është përshtypja ime gjatë vizitave të shumëta në këtë përmendore të mrrekullueshme të natyrës. 
            Kanioni i Cemit ka larmi formash dhe pamjesh, në muret vertikale, në shpatullat sipërfaqësore, apo në buzë të shtratit të lumit, ku ka mjaft guva, shpella dhe zgavrime të formuara nga procesi i karstit, burime me ujë të ftohtë. Megjithatë pushteti vendor duhet të bëjë më shumë për ta shfrytëzuar këtë pasuri në interes të banorëve të zonës si një resurs zhvillimi.


No comments:

Post a Comment