Sunday 29 September 2024

RRUGËTIMI I TEATRIT GJIROKASTER

 Gëzuar ditën e Teatrit Gjirokastër

50 vjet – shfaqja e parë e teatrit shqiptar 1874-2024

115 vjet – shfaqja e parë teatrore 1909-2024

100 vjet – shoqëria “Studente”  1924 – 2024

100 vjet – shfaqja e parë e teatrit të Liceut 1924 – 2024

Ka një arsye specifike përse aktorët dhe dashamirësit e teatrit duhet të bëjnë një vizitë tek ish klubi “Drita”, Obelisku sot. Data e shenjtë për këtë vizitë është 23 shtatori. Shenjtëria e saj lidhet me shfaqen e parë teatrale në Gjirokastër.


nga: Ilir LLURI

Detroit, MI - SHBA 


KONSTITUCIONI 1908 


Ilir LLURI

Shpallja e konstitucionit turk në korrik të 1908 krijoi disa lehtësi jo vetëm në drejtim të hapjes së shkollave shqipe, por edhe në formimin e klubeve atdhetare e patriotike. I pari klub që hapën patriotët gjirokastritë ishte klubi “Drita”. Emri i klubit pasqyronte motivin e organizimit të tij, përhapjen e dritës, pas errësirës shekullore. Pavarësisht datës zyrtare të themelimit, 5 nëntor 1908, klubi e kishte filluar aktivitetin në ilegalitet shumë më herët. Kryepleqësia e këtij Klubi u bë iniciatore edhe për hapjen e shkollës së parë shqipe “Liria” në Gjirokastër në maj 1908. Po kjo kryepleqësi, u bë inisjatore edhe për vendosjen në skenë të dramës “Besa”.

 

115 VJET TEATËR GJIROKASTRIT

Në 23 shtator 2024 mbushen 115 vjet nga dhënia e shfaqes së parë teatrore në Gjirokastër. Kishte kohë që në shtete të tjera, teatri praktikohej si mjeti më efikas për zgjimin e ndërgjegjes patriotike. Patriotët gjirokastritë me synimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit, zgjodhën dramën “Besa” të Sami Frashërit.



SKENA E PARË E TEATRIT

Skena e shfaqes së parë teatrore në Gjirokastër, ishte në natyrë. Oborri i shkollës “Liria” u mbush plot me spektatorët e parë të teatrit, të cilët as e imagjinonin dot se ç’farë do të shikonin. Por aktorët dhe spektatorët, sikur të mos mjaftonte ankthi që shoqëron në përgjithësi ç’do “herë të parë”, u vunë edhe në një provë tjetër krejt befasuese. Gjatë shfaqes së dramës, një shtëpi në Palorto u përfshi nga zjarri. Nga oborri i shkollës “Liria” Palortoja, ashtu si një pjesë e mirë e qytetit, dukej si në pëllëmbë të dorës. Zjarri tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, por ndaj shtëpisë që po digjej, nuk rreaguan të gjithë njësoj. 

Aktorët vazhduan interpretimin të ndjekur tashmë nga më pak spektatorë, një pjesë e të cilëve vrapuan për ti ardhur në ndihmë hallexhiut. “Besa” e njohur shqiptare, po shfaqej edhe në një formë tjetër. Kjo ishte ndihma që bashkëqytetarët po i jepnin fatkeqit, që ai të mos mbetej mes katër rrugëve në prag të dimrit. Por magjia – teatër e kishte bërë të vetën: në një ngjarje kaq të rëndë, ajo mbajti të “mbërthyer” në stolat dhe fronat e drunjtë të klubit “Drita”një pjesë të madhe të spektatorëve. Padashur, bashkë me shfaqen e parë të teatrit kemi të dokumentuar edhe rënien e zjarrit të parë në qytet. Po ndryshe nga shtëpia në flakë, shfaqja e dramës “Besa”, ka ngelur e stampuar edhe në një fotografi. Ishte koha kur vajza gjirokastrite në moshën 13 vjeçare mbyllej në shtëpi në pritje të fatit të saj, martesës. Kuptohet që edhe rolet e tyre do të luheshin nga meshkujt. Cilët prej tyre vallë interpretuan Merushen dhe Vahidenë?


URANI RUMBO – FEMRA QË INTERPRETOI ROLIN E BURIT NË SKENË

Por ecuria e mëvonshme e teatrit gjirokastrit sjell edhe të kundërtën. Në se nuk i përcaktojmë dot emrat e aktorëve të parë që luajtën rolet e femrave në dramën “Besa”, kemi të identifikuar gruan që luajti rolin e parë të djalit apo burrit në skenën e teatrit tonë. Është mësuesja Urani Rumbo. Ajo ka vendosur me siguri një rekord jo vetëm për teatrin gjirokastrit, po për të gjithë teatrot e Shqipërisë, jo vetëm për këtë fakt. Ajo mbetet autorja dhe rregjisorja e parë e teatrit për fëmijë. Pjesët dramatike të shkruara prej saj, mes tyre edhe “Kuleta e neqezit”, u vunë në skenë me nxënësit e shkollës që ajo drejtonte. Në botimet e historianit dhe muzeologut të njohur, Lefter Dilo mësojmë se pjesët e shkruara prej saj, ruhen në muzeun e Gjirokastrës. Me dëshirën për të ringritur ndonjerën prej tyre në skenë unë kërkova… por pa dobi. Ndoshta ato ruhen në muzeun fatkeqësisht derëmbyllur të Rilindjes (Shtëpia Topulli). Por le të kthehemi tek skena e teatrit sot. Rrallë mund të gjesh ndonjë femër që interpreton rolin e mashkullit, ndërkohë që janë me dhjetra meshkujt që lozin rolin e femrës. Mirë dikur kjo ndodhte nga halli, po sot? Përmes këtij transformimi, sot është më e lehtë rrëmbimi i të qeshurës nga publiku, ndërkohë që dikur publiku për “çudi” nuk qeshte nga një zgjidhje e tillë. Kjo ndodhi edhe me dramën e parë të teatrit shqiptar, e cila  u interpretua disa kilometra larg Gjirokastrës 150 vjet më parë.

TEATRI I PARË SHQIPTAR

Magjia teatër e nisi rrugën në Shqipëri 35 vjet përpara shfaqes së dramës “Besa”. Por edhe kjo ngjarje e jashtëzakonshme për kohën, ndodhi pranë Gjirokastrës, në fshatin Qestorat. “Dasma lunxhote” u shkrua dhe u vendos në skenë nga rilindasi i njohur Koto Hoxhi në vjeshtën e dytë të vitit 1874. Vështirë që në këtë dasëm – teatrore lunxhote, të ketë munguar personazhi kryesor, nusja. Ai nxënës i normales së Qestoratit që ka luajtur këtë rol, ashtu si të gjithë aktorët pjesmarrës në të, vijojnë të mbeten të panjohur për ne. Por pyetja që mund të ngrihet sot është; përse u prit 35 vjet që të realizohej një shfaqe teatri në Gjirokastër? Arsyeja kryesore lidhet me luftën që i bëhej gjuhës shqipe nga Perandoria Osmane dhe kisha greke. Për shkak të interpretimit të saj në gjuhën shqipe, “Dasma lunxhote” u çensurua dhe nuk u lejua të jepej në Gjirokastër.

 

AKTORËT E DRAMËS BESA

Ndryshe nga shfaqja e “Dasmës Lunxhote”, për dramën “Besa” kemi një fotografi të trupës interpretuese. Në të bënin pjesë 9 aktorë. Kostumografia ishte veshja kombëtare shqiptare dhe objekte ishin pushkët, që i kanë shoqëruar shiqptarët në të gjithë kohërat. Vetëm personazhi negativ i saj, ishte me veshjen ushtarake të Perandorisë Osmane. Poshtë, në anën e djathtë të fotos, ndodhet një tabelë në të cilën shkruhet; “Rroftë liria dhe bes’ e shqipëtarëve”. Aktorët ishin të moshave të ndryshme; burra në moshë meso burra, dhe një djalosh. Sipas një tabele të ekspozuar dikur në muzeun e rilindjes “Shtëpia Topulli”, aktorët pjesmarrës në këtë dramë ishin:

Xhafo Poshi, Halit Topulli, Shemsho Hajro, Andrea Konomi, Iljaz Hoxha, Fuat Kotoni, Idriz Guri, Servet Zazo dhe Namik Delvina


Fotografia e trupës së parë të teatrit gjirokastrit, pavarësisht se nuk është shkrepur gjatë interpretimit, po është një pozim në fillim të shfaqes, mbetet një dëshmi me vlera të mëdha dokumentare jo vetëm për historinë e teatrit gjirokastrit, por edhe për atë të teatrit kombëtar shqiptar. Lajmi i shfaqes së parë teatrore në Gjirokastër u botua edhe në një nga gazetat që botohej në gjuhën shqipe jashtë Shqipërisë. Ndoshta kjo trupë teatrore do të kishte vijuar duke e pasuruar repertorin e saj, por siç dihet ngjarjet rrodhën me aq shpejtësi, sa ç’do gjë e fituar u përmbys. Këtu nuk është fjlala vetëm për “liritë” e Konstitucionit, por edhe për Pavarësinë Kombëtare, e cila si pasojë e pushtimit grek dhe italian, de facto funksionoi 8 vite më vonë, kur u fitua Lufta e Madhe e Vlorës Vetëm atëherë, shqipja do të ngjitej në skenë përsëri.

 

SHOQËRIA TEATRORE GJIROKASTRA

Gratë për herë të parë spektatore 


Në 12 dhjetor 1920 një grup aktorësh që po vinin në skenë dramën “Filja” dhe komedinë “Martesë me përdhunë”, krijuan shoqërinë e parë teatrore “Gjirokastra”. Kryetar i saj u zgjodh Hysni Babameto. Drama dhe komedia u shfaqën në 28 nëntor me rastin e shpalljes së Pavarësisë. 11 vjet pas shfaqes së parë “Besa” të Sami Frashërit, spektatori gjirokastrit do të shikonte përsëri një shfaqe teatri. Shfaqja filloi në orën 19 e 30 të mbrëmjes dhe mbaroi në orën 10. 30. Rolet u interpretuan nga Muhedin Kalo dhe Sadedin Qadhimi. Në komedi interpretuan Iljaz Hoxha, Xhafo Poshi, e Niko Progri.  Aktorët Xhafo Poshi e Iljaz Hoxha po i riktheheshin skenës 11 vite më vonë. Ata kishin interpretuar edhe në shfaqen e parë “Besa” të Sami Frashëit në 1909. Drama “Filja” u dha edhe për gratë. Kjo ishte e para herë që gruaja gjirokastrite ndoqi një shfaqe teatrore. Mos vallë kjo është edhe hera e parë që gratë e Shqipërisë shihnin teatër?! Ndoshta…, por duhet hulumtuar. Kjo trupë simpatike do të rivinte në skenë në 8 dhe 9 qershor 1921 edhe dramën “Besa” të Sami Frashërit, me të cilën nisi rrugëtimi i teatrit Gjirokastrit në 1909.

SHFAQE PËR NDER TË AVNI RUSTEMIT
Djemtë e shoqërisë teatrore “Gjirokastra” në 21 janar dhanë  shfaqe në nderim të patriotit që shkrepi krismën e parë të Luftës së Vlorës,  Avni Rustemit. Drama me titull “Shahja” ishte shkruar nga korespodenti i parë i Luftës së Vlorës, botuesi i të parës gazetë shqipe në Gjirokastër, gazetës kombëtare “Drita”, Veli Hashorva. Shfaqja u dha në shkollën që mbante emrin e rregjisorit dhe autorit të teatrit të parë shqiptar, “Koto Hoxhi” e cila ndodhej në lagjen Varrosh. Avni Rustemi kthehej nga Franca i liruar nga gjyqi për vrasjen e Esat Pashës në Paris. Fatkeqësisht nuk kemi asnjë fotografi të kësaj shfaqeje. Por fatkeqësia më e madhe lidhet me faktin që drama e autorit të parë gjirokastrit, humbi. Veli Hashorva ja besoi dikujt për ta shtypur atë, por vepra e tij e parë dramatike nuk ju kthye pas, as e shtypur e as në dorëshkrim.

AKTORË TË VITEVE 1920 

Dine Qadhimi, Veli Hashorva, Aristidh Totodhani, Xhelal Berberi, Niko Progri, Sami Dalipi, Elmas Çani, Vangjel Nasto, Muhdin Kalo, Malo Kodra

Me kalimin e viteve shkrimi i dramës shqipe filloi të marë rrugë të mbarë. Pas dramës “Besa” të Sami Frashërit, në vitin 1910 Mihal Grameno botoi tragjedinë “Vdekja e Pirros”. Në vitin 1912  autori Tito Toska botoi dramën me një akt, “Të burgosurit”. Në vitin 1923 në bibliotekën e sapohapur në Gjirokastër nga shoqëria “Drita”, mbriti drama “Nusja e kuqe” e autorit Viktor Eftimiu

 

TEATRI NË LICEUN E GJIROKASTRËS 

Hapja e Liceut Francez të Gjirokastrës e ndryshoi atmosferën në qytet. Filloi organizimi i shfaqeve muzikore dhe teatrore të nxënësve të Liceut. Nën drejtimin e mësuesve të tyre, një grup nxënësish të talentuar u bënë jo vetëm aktorë, por edhe përkthyes nga frëngjishtja të veprave që interpretonin. Një nga mësuesit që shquhej në këtë drejtim ishte Elmaz Çani. Rol kryesor në organizimin e shfaqeve luante shoqëria “Studente” e krijuar në korrik 2024, e cila në këtë periudhë drejtohej nga Aqif Selfo. Kryesia e kësaj shoqërie thiri në ndihmë një gjirokastrit i cili e njihte mirë teatrin, ky ishte dritë-shkruesi (fotografi) i qytetit Dine Qadhimi. Kontributi i tij në drejtim të zhvillimit të teatrit Gjirokastrit është shumë i çmuar. Është kjo arsyeja që kryetari i shoqërisë studente Aqif Selfo, pas shfaqes së parë teatrore të Liceistëve “Lojrat e Studentit”, e  falënderoi publikisht atë:

Veçanërisht falënderojmë z. Dine Qadhimi, që pati mirësinë e urdhëroj kur u thirr rregullues (regjisor) i talenteve të amatorëve, i cili punoi pa masë. 

Komedia “Lojnat e studentit” u shfaq në datat 24 dhe 28 Gusht 1924, disa ditë pas ikjes së Fan Nolit që kishte ardhur në Gjirokastër për fushatën e zgjedhjeve të “Asamblesë Kushtetuese”. Për herë të parë aktorët – liceistë vendosën në funksion edhe biletat. Ato ndaheshin në tre klasa; Spektatorët më të preferuar, (autoritetet dhe ata që paguanin tre apo katër fishin e çmimit të biletës), uleshin në kolltukë. Spektatorët e klasit të parë dhe të dytë uleshin në frona. Për spektatorin e klasës së tretë mbeteshin bankat. Megjithëse Liceu Francez i Gjirokastrës ishte i pari lice miks në Shqipëri (djem-vajza), në teatër morën pjesë vetëm djemtë. Është kjo arsyeja që edhe personazhet femra të interpretoheshin prej tyre. Ja si e kujton aktori liceist Enver Hoxha këtë moment:

Në rradhët tona ne nuk kishim vajza apo gra, rolin e tyre e luanin djemtë. Rolin kryesor Dinia ja dha Masar Kallajxhiut se ai e kishte zërin e hollë si femrat.

Por rolet e femrave në rradhën e aktorëve liceistë u interpretuan edhe nga Reshat Toto, Naxhi Totozani, Fane Rodi e Stavro Gjollma.



TURNEU I PARË 

Drama që shënon edhe turneun e parë të një shfaqeje teatrore të Gjirokastrës titullohet “Shqipëria”. Jehona  e suksesit të saj, bëri që në adresë të aktorëve – liceistë të mbrijnë ftesa nga Bashkitë e Delvinës dhe Sarandës.

Ne e pranuam me kënaqësi ftesën. Do të shihnim Delvinën, Sarandën dhe detin. Shpenzimet i kishin marrë përsipër bashkitë përkatëse. Në Sarandë u habitëm nga bukuria e detit që e shihnim për herë të parë. – kujton liceisti.

Aktorët e Liceut kanë dhënë edhe shfaqe vetëm për gratë.

AKTORË LICEISTË

Fane Rodi, Aqif Selfo, Enver Hoxha, Elmaz  Konjari, Fejzi Hoxha, Naxhi Totozani, Reshat Totoja, Stavro Gjollma, Masar Kallajxhiu, Nesip Gjebreja, Nuri Drrasa, Nazmi Shehu, Selami Xhaxhiu

SUFLERI I PARË 

Në shfaqet e liceistëve u përdor edhe sufleri. Këtë detyrë e kryente Naxhi Totozani, ish student i Shkodrës deri në 1924. Ky është edhe sufleri i parë në teatrin gjirokastrit. Në mes të vitit 1924 ai i ndërpreu studimet dhe punoi si zv kryetar i shoqërisë “Studente”. Një rol të madh në zhvillimin e teatrit të liceistëve luajtën edhe donatorët. Se sa e rëndësishëm ishte ndihma e tyre për realizimin e shfaqeve e gjejmë në falënderimin që ju drejton atyre kryetari i shoqërisë, Aqif Selfo:

Falënderojmë të gjithë ata zotërinj që patën mundësinë të na përgjigjen në ndihmën e kërkuar më 4.08.1924. Falënderojmë nga zemra z. Hysni Babameto dhe Sulo Konjari, antarët e nderit të kësaj shoqërie që dhanë për hyrjen nga 10 fr.ar. Falënderojmë nga zemra z. Kaman Angoni për 50 L italiane që dha për ndihmë dhe zotin Qazo Puto që dha për hyrje 10 fr. Ar.

                                                             Aqif Selfo – Kr.  shoq. “Studente”  Gjinokastra

VAJZAT PER HERË TË PARË NË SKENË 

Interpretimi i rolit të femrës nga meshkujt në teatrin gjirokastrit do të merte fund me vënien në skenë të tablosë “Vëllavrasja”, me anë të së cilës i bëhej thirrje popullit për të përkrahur Luftën Nac-Çlirimtare. Përmes Korrit (përfaqësues i popullit) interpretoheshin këto vargje:

Urejmë robërinë

S’durojmë këta tradhëtarë

Luftojmë për lirinë 

Dhe vdesim si shqiptarë

Më vënien në skenë të kësaj tabloje u mor edhe mësuesja Qibrie Ciu e cila në 22 Mars 1943 mori pjesë në Konferenca e parë të PKSH që u mbajt në Labinot të Elbasanit. Për shkak të largimit pa leje, e pushuan nga puna në Lice. Qibrie Ciu mbetet e vetmja profesoreshë e shkollave të mesme e pushuar nga detyra me dekret të mëkëmbësisë.

 

AKTORË TË VITEVE 1930-1942

Sedat Asllani, Selami Xhaxhi, Selaudin Kokona, Vehap Ciu, Zihni Sako, Sofia Shkurti, Kalem Xhaferi, Aleks Verli, Fuat Tauzi e Ramo Mujo. 

Sofia Shkurti evidentohest si një nga vajzat e para aktore që u ngjit në skenë së bashku me djemtë e Liceut. Shfaqja e tablosë “Vëllavrasja” duhet të ketë ndodhur në vitin 1942. Aktorja – gjimnaziste Sofia Shkurti, u ngjit në skenë 100 vjet më vonë nga Athina Filipaqi, vajza e parë që kishte interpretuar në teatrin grek, në 1842.

 

AKTORË TË QARKUT 1930-39

Llambi Gordolli, Neço Muka, Arieta Lefteri, Sotir Bita, Stefan Bita, Pipi Kanaçe, Kristo Godi, Muharem Çipi, Niazi Lamko, Foto Nako, Reshat Çani, Shyqri Rodi, Atif Çano, Dalip Zazani, Adil Vehbi e Theodhori Dilo. Arieta Lefteri është një tjetër vajzë që shfaqet si aktore teatri.

 

HISTORIA NUK NIS ME TI DHE ME MUA

Sot është kthyer në modë parimi që ndiqet prej disa të rinjve; “Historia nis me mua”. Kjo është një padrejtësi e kohës të cilën unë do ta quaja kalimtare. Asgjë nuk ka lindur nga hiçi. Fatkeqësisht vetëm sipas kësaj “mode” mund të spjegohet indiferenca që manifestohet ndaj kontributit të brezave të shkuar për lindjen dhe ecurinë e teatrit në qytetin tonë. Unë jo vetëm pse i takoj kësaj “race” artistësh, por edhe si një qytetar gjirokastrit dëshiroj që përmes këtij shkrimi, të risjell në vëmendje të opinionit artëdashës gjirokastrit kontributin e tyre të çmuar, dhe të nxis sadopak korigjimin e heshtjes zyrtare. Le të kemi një qasje tjetër ndaj vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. Në 115 vjetorin e shfaqes së parë teatrore në Gjirokastër në teatrin profesionist të qytetit nuk duhet të vijojë të mungojë fotografia e aktorëve interpretues të dramës “Besa”, ndërkohë që në sheshin e ish klubit “Drita”, Obelisku sot, duhet të vendoset një tabelë informative mbi këtë ngjarje të madhe historike.

 


DREJT EUROPËS, ME IDENTITETIN TONË

Rruga drejt Europës shoqërohet me një sërë detyrash që duhen realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe qytetarët e vendit tonë. Mes këtyre detyrave, ka edhe nga ato që lidhen me organizimin e ceremonive për ditë të shënuara që festohen njëkohësisht në çdo vend Europian. Këto festa pa fund, që nisin me “Ditët e Europës” e vijojnë me “Ditën e tokës” e me ditë të tjera solidarizimi e ndërgjegjësimi për sëmundjet e kohës si, kanceri i gjirit apo Sida, nuk duhet kursesi të “arkivojnë” ditët tona të shënuara të zhvillimeve historike dhe kulturore. Kohë më parë hyrja e Gjirokastrës në UNESKO, solli një ditë të re festive për qytetin, ditën e 15 korrikut. Në këtë ditë më herët në kalendarin e ceremonive të qytetit, përkujtohej vrasja pabesisht e Heroit Kombëtar, Çerçiz Topulli. Një ditë kjo pothuajse e harruar krejtësisht prej brezit të ri sot. Do të mjaftonte një vendim i Këshillit Bashkiak, për të përcaktuar fjala vjen që dita e shënuar “Hyrja në Unesko” do të festohet të dielën e parë të…  etj. A është me vend që Gjirokastrës ti mungojë dita përkujtimore për simbolin e qëndresës, heroin kombëtar Çerçiz Topulli. Por ka edhe më. Shkolla e parë shqipe “Liria” u kthye dikur në zyra të një shoqate, më vonë në zyra të një sektori të arsimit, e tashmë në Zyra të Integrimit Europian. Muzeu i dikurshëm i historisë së arsimit lokal ka mbi 30 vjet që nuk funksionon. Dikush u befasua së fundmi kur kishte parë në sheshin e Obeliskut tavolina të një klubi a lokali. Kjo për mua do të ishte krejt e normale, në se pronari i lokalit do të sugjerohej apo detyrohej, të zgjonte e ringrinte emrin e dikurshëm; “Klubi Drita”. Krahas tabelës informative të shkollës së parë shqipe “Liria” duhet vendosur edhe tabela informative për shfaqen e parë teatrore në Gjirokastër. Do të mjaftonin këto dy ngjarje që vizitorët vendas dhe të huaj ta shijonin një kafe plot histori tek “Klubi Drita”.

 

FTESË MIQËSORE

Aktorë gjirokastritë, ta gëzoni ditën tuaj, 23 shtatorin! Spektatorë dhe dashamirës të teatrit, niseni ditën me një urim për aktorët gjirokastritë kudo ku ata ndodhen! Festojeni në mënyrën tuaj 23 shtatorin, ditën e shfaqes së parë teatrore në Gjirokastër. Një vizitë apo një foto tek Obelsiku i qytetit, do të ishte kujtimi i rrallë i pikënisjes së një feste të re, po të vjetër në moshë; i një feste – zgjimi ndaj hisitorisë sonë të çmuar. Ky akt do të ishte nderim ndaj kontributit të atyre aktorëve që dhanë shfaqen e parë të teatrit në Gjirokastër 115 vjet më parë, por edhe ndaj atyre që kanë kontribuuar në këtë gjini arti gjatë jetës së tyre. Teatri ishte arma më e fortë në mbrojtje të gjuhës shqipe dikur, por po kaq i vyer edhe sot. Kjo është një arsye më shumë që ne gjirokastritët të ndjehemi krenarë. Lindja e teatrit, kjo ngjarje e madhe e emancipimit shoqëror, si shumë kontribute të tjera, e renditi Gjirokastrën dhe qytetarët e saj, në qytetet elitare të Shqipërisë. Le ta pasurojmë qytetin me një festë të munguar prej kohësh padrejtësisht!

Gëzuar festën e shfaqes së parë teatrore Gjirokastra ime!

Gëzuar festën tuaj aktorë gjirokastritë!



No comments:

Post a Comment