Monday 9 September 2024

“ UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT”


 - Mbresa nga leximi i librit - 


nga Fiqri SHAHINLLARI


Alexandra. VA - SHBA


 


Fiqri SHAHINLLARI
Udhëtim në shpirtin lunxhiot është titulli i librit të parë të mikut tim Konstandin Mosko që ma dërgoi me postë nga Bostoni ku jeton familjarisht prej vitesh. Fillimisht e shfletova shpejt e shpejt librin. Pashë që aty ka shumë fotografi cilësore si dëshmi e konkretizimit të fjalëve të tekstit. Ka bërë punë të paqme. 

 

Koçua e di që një foto “flet” sa për mijra fjalë. Një veçori tjetër e librit është se aty gjen një mori dëshmish e fakte. Por faktet nuk vlejnë pa interpretim që autori e ka bërë më së miri në librin e tij. Unë e lexova librin në fjalë me kujdes, jo shpejt e shpejt, jo në tri hunj një putekë, si i thonë fjalës. Kështu Koco Mosko më mori për dore e më shëtiti në shtigjet e shpirtit lunxhiot. Dhe u kënaqa. Sepse mësova shumë gjëra që i dëgjoja për herë të parë. 

 

Autori para se të shkruante këtë libër sinjifikativ, me sa kuptohet, ka menduar gjërë e gjatë. Dhe dihet se siç ka thënë diku Platoni: të mendosh është si të flasë shpirti me veten. Këtë lloj të foluri Koçua nuk e mban vetëm për vete por e përcjell përmes librit edhe për lexuesit e mundëshëm. Kam dëshirë të hap një parantezë këtu. 

 

Para ca ditëve(shtator 2024) Konstandin Moskua më tha në telefon se kishte qënë kohët e fundit si turist në Stamboll tok me bashkëshorten dhe me njërën nga vajzat e tij. I kishte thirrur geni lunxhiot, kushtrimi i gjakut. Dihet se kushtrimi i gjakut, siç ka konstatuar Xhek Londoni, është kushtrimi më i fortë. Aferim u qoftë. 

 

Shpirtin e tij e thirrën shpirtrat e stërgjysherve nga nëna, të lunxhiotëve të shumtë, që kishin jetuar në Stamboll shumë vite më parë. Dhe nuk kanë qënë pak. Në vitet 1800 komuniteti lunxhiot dhe miqtë e tyre përbënin një “popullsi” prej 50 mijë veta! Ata punonin në zeje të ndryshme si në ujësjellësa etj. Nuk ishin vetëm lunxhiotë por edhe të tjerë nga Shqipëria e Jugut që punonin në ndërtim, kopshtari, rrobaqepësi, pastiçei, kulinari, por edhe në punë intelektuale si në mjekësi, farmaci, mësuesi. Siç thotë Koçua në libër kishte edhe biznesmenë të fuqishën. 

 

Gati gjysmën e librit e zenë faqet e jetëshkrimit të vëllezërve Sotiri, Pandeli e Koço(Koto) Sotiri, me origjinë nga Selcka e Gjirokastrës ku është lindur dhe rritur edhe autori i librit. Të dy vëllezërit veprimtarë të shkollës dhe gjuhës shqipe në Stamboll i ndihmoi xhaxhai i tyre Thimjo Sotiri me ndihmën e të cilit Pandeliu dhe Kotua pasi mbaruan shkollën e mesme të Gallatës në Stamboll, vazhduan studimet e larta në Vjenë, Pandeliu për mjekësi e Kotua për drejtësi. Të mos zgjatem më tej. Kostandin Moskua ka shkruar gjërë e gjatë për dy vëllezërit por unë, me që është rasti, them që çdo shqiptar para kujtimit të Rilindësve duhet të heqin kapelën në shënjë nderimi. 

 

Meritë e Konstandin Moskos është fakti se ai në libër shktuan me përgjegjësi e dashuri për rilindasit duke përmëndur doemos vëllezërit Frashëri e mjaft të tjerë. Ai i ka rënë pikës në përshkrimin e veprimtarisë patriotike të Rilindasve. Unë sygjeroj lexuesit e këtyre shënimeve, të gjejnë rastin e të komunikpjnë me Kostandin Moskon për ta marë këtë libër.

 

Është një punë voluminoze e Koços( Kostandinit) me vite të tëra. Ai ka gërmuar shumë me durim duke lexuar shkrime e libra historikë, ka hulumtuar e mbajtur qëndrimin e vlerësimin e tij ndaj disa gjërave që nuk ia mbushin mëndjen për vërtetësinë e tyre.  Autori është mbështetur edhe në gojëdhëna gjë që duket kur ndjek këmbakëmbës rrugëtimin e vëllezërve Sotiri duke u nisur që nga lindja e deri në vdekjen tragjike në rrethana misterioze të Pandeli Sotirit

 

 Gjatë leximit mua më trokisnin në tru disa pyetje. Njëra nga këto, si ishte e mundur që lejet për veprimtari patriotike perandoria turke ja jepnin ortodoksëve dhe jo myslimanëve shqiptarë? Mirëpo Koçua na jep “xhevap”(Me që jemi futur në thellësi të kohës po e shkruaj në turqisht fjalën përgjigje)Ai thotë se perandoria turke i quante myslimanët njerëz të tyre ndërsa ortodoksët jo. Kjo është arësyeja që dy vëllezërit Sotiri u lejuan të mereshin me botimin r shpërndarjen nëpër shumë vënde të tjera të revistës Drita që më vonë u quajt Dituria.  Këto veprimtari u lejuan nga Sulltan Abdyl Hamiti II të cilit ia mbushi mëndjen Koto Duka sepse e kishte mik! 

 

Pyetja tjetër: Pse Pandeliu e hapi shkollën e parë shqipe në Korçë e vëllai i tij në Pogradec e jo në Gjirokastër nga kishin origjinën? Mirëpo autori i librit ma shuan këtë kuriozizet. Sepse atë kohë kishte kundërshtime të mëdha. 


Pjesa tjetër e librit bën fjalë për “Resurset historike dhe natyrore të grykës së Selckës” , “Kryqi i kishës së Labovës një mister që po kthehet në mit” etj. 

 

Edhe pjesa “kujtime të vegjëlisë” është shkruar me ndjenjë e dashuri. Dua të veçoj faktin se Koçua ka vendosur në libër shkrime për disa bimë frutore që rriten në kopshte  afër shtëpive. Mjaft prej këtyre shkrimeve unë i kam lexuar më parë në blogun e Koços që e ka titulluar: “Bota bujqësore” Kam bërë edhe komente për ato shkrime. Më kujtohet se për ato bimë kam përdorur shprehje “Bimë shtëpiake” Këtu Koçua është në fushën e vet të Agronomisë. I qan me lot këto shkrime. Aty gjen gjithë botanikën e pemëve frutore shtëpiake. Nuk dua t’u lodh më tej lexues të dashur me këto shënimet e mia modeste për librin në fjalë. Po i them vetes: STOP. 

 

Por po e mbyll me merakun e autorit për IKJEN E MADHE. për braktisjen e fshatrave e qyteteve shqiptare pas viteve 90-të kur të rinjtë e të rejat morën rrugët e botës duke u shndrruar shërbëtorë për një copë bukë. Dhe këtë e ndjejnë më mirë të moshuarit e mbetur në Atdhe. Shtëpitë e mbetura bosh u ngjajnë kafazeve të bukur por pa bilbila brenda.

 

Kostandini shkruan në librin e tij një fakt shumë sinjifikativ. Pinte kafe me një të moshuar 80 vjeçar, mikun e babait të tij. i moshuari nuk donte të pinte as kafe turke e as kafe eleniko. Donte vetëm kafe vënçe! Konotacioni i bisedës ishte gjetkë. Plakut i dhimbte shpirti për ikjen e të rinjve e të rejave nga Atdheu . Po kush do ta bëjë këtë vënd more Koço djali? i kish dhënë fund bisedës i moshuari. 

 

Unë kam këtë urim për Kostandin Moskon: Ky libri i parë i joti heqtë këmbën zvarrë për libra të tjerë. 

 

Fiqri Shahinllari


 


 

No comments:

Post a Comment