Friday, 20 December 2024

LUGINA E DRINOS NJË THESAR I PAÇMUAR

"Lugina e Drinos është mrekullia arkeologjike e historike e Shqipërisë, ajo i ka të gjitha fazat e banimit , duke filluar që nga paleoliti e deri në ditët e sotme. I ka të gjitha monumentet. Ka një pafundësi sitesh arkeologjike."

Përgatiti: Ing. Bexhet ÇOBANI
Gjirokastër

Lugina e Drinos gjendet në rrethin e Gjirokastrës, me gjatësi 84.6km, dhe gjerësi nga (0.30-0.4km,deri në 6-7km), me drejtim JL-VP, ndërmjet maleve të Lunxhërisë e Buretos nga Lindja dhe Malit të Gjërë dhe Kurveleshit nga Perëndimi. Ka prejardhje tektonike-erozive dhe është ndërtuar nga shkëmbinj gëlqerorë (krahët), flishi dhe molasa (fundi dhe pjesërisht krahët).  Ka profil tërthor në formë «govate» me fund të gjerë e të sheshtë dhe shpate kufizuese të pjerrëta e të larta. Pjesa e sipërme e Luginës së Drinos e deri në Hundëkuq ka fund të gjerë e të rrafshtë, me gjerësi më të madhe deri 5 km, shtrat të cekët, lumare të zhvilluar dhe shpate të pjerrëta.

Lugina zgjerohet dhe ngushtohet disa herë duke formuar disa pellgje si ai i Dropullit, i Gjirokastrës dhe i Kardhiqit, që janë tarraca të vjetra të lumit dhe janë zonat kryesore bujqësore të rrethit të Gjirokastrës. Në pjesën e poshtme deri në derdhjen në Vjosë të Drinosit lugina ka funa të ngushtë, profil tërthor në formë «V», shpate asimetrike dhe 3 nivele tarracash. Nga ana morfologjike lugina e Drinos përbëhet në tre pjesë (pjesa sipërme e mesme dhe e poshtme). Brenda kufirit shtetëror ndahet në dy pjesë: pjesa e mesme dhe pjesa e poshtme. Pjesa e Sipërme ndodhet sot në pjesën e Greqisë. Pjesa e mesme fillon nga Kakavija deri ne Hundëkuq me një gjatësi rreth 45 kilometra, ndërsa pjesa e poshtme shtrihet nga Hundëkuqi deri në Vjosë.

Lumi kryesor i luginës sigurisht që është Lumi Drino, i cili është dhe dega kryesore e Vjosës. Ultësira ndërmjet malit të gjerë dhe malit të Lunxhërisë përbeht prej flishi dhe në pjesën më të sipërme e mbushur me zhavore. Ky ndërtim gjeologjik ka kushtëzuar një dukuri të veçantë gjeologjike, largimin e ujrave nga pellgu i Drinos në Bistricë. Në gëlqerorët e kartsezuar të luginës ka mjaft burime karstike si Nepravishtë, Libohovë, Virua, picar, Hormovë. Nga të dy shpatet e maleve zbresin përrenj të thepisur që derdhen me kone të mëdha depozitimi si: Përroi i Vrisarasë, Lumi i Suhës, Nimicës, Kardhiqit. Në Luginë kalimi ne vende të tjera behet nëpërmjet disa qafave nga Jugu dhe lindja qafa Peshkëpisë,e Sotirës, e Kakavijës e Koshovicës, Gryka e Selckës, Qafa e Çajupit, nga veri perëndimi Qafa e Muzinës, Qafa e Sopotit, Qafa e Skërficës, Gryka e Tepelenës Klima e Luginës së Drinos është mesdhetare me temperatura mesatare vjetore 14°C. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është (1700-1800) mm. Mbulesa pyjore është e varfër. Tipat kryesorë të tokave janë: livadhore malore, të kafenjta, të hirta-kafe dhe livadhore aluvionale. 

Gryka e Selckës.

Lugna e Drinosit është rajoni kryesor ekonomik i rrethit të Gjirokastrës. Ajo është sistemuar e bonifikuar tërësisht gjatë viteve 1966-1977 në një sipërfaqe prej 5300 ha. Gjatë bonifikimit të fushës u ndërtua një rrjet i gjerë kanalesh kulluese dhe ujitëse (rreth 800 km) dhe rreth 30 ujëmbledhësa, ndër të cilët ai i Doftisë është më kryesori. Është bërë sistemimi i përrenjve dhe degëve të shumta të lumit Drinos, duke ngritur edhe 63 km penda mbrojtëse. Në fushën luginës së Drinosit gjatë periudhes fermave dhe kooperativave mbilleshin këto kultura bujqësore si : drithërat, luledielli, duhani, perimet, është e zhvilluar vreshtaria, frutikultura. Në luginë rriten bagëtitë e imëta dhe gjedhët.
Rezervuari i Doftisë

Lugina e Drinosit është mjaft e populluar dhe përbëhet nga tre Bashki: Gjirokastra, Libohova, Dropulli. Qytetet që ndodhen në Luginë janë Gjirokastra dhe Libohova. Lugina e Drinos ka një sipërfaqe prej rreth 400 kilometrash katrorë dhe dallohet për një sërë elementesh të vçanta historike, arkitektonike, arkeologjike si dhe për përdorimin e gjerë të fortifikimit dhe të objekteve të fortifikuara.

Lugina e Drinos është mrekullia arkeologjike e historike e Shqipërisë, ajo i ka të gjitha fazat e banimit , duke filluar që nga paleoliti e deri në ditët e sotme. I ka të gjitha monumentet. Ka një pafundësi sitesh arkeologjike.

Lugina e Drinos është një katalog i kulturave, ku kushtet klimaterike dhe historike kanë favorizuar lindjen e të gjithë qytetërimeve nga vendbanimet antike, bizantine dhe mesjetare. Kjo i ka bërë historianët, udhëtarët e arkeologët të jenë në të gjitha kohërat të interesuar për këtë luginë.

Monumentet arkeologjike të luginës së Drinosit paraqesin një interes të veçantë për historinë e lashtë të Epirit. Përshkrimet e para për luginën janë bërë nga udhtarët Lik, Pukëvil, Isambert, Hann . Në vitin 1967 Studiuesi Hammond ka berë një përshkrim Gjeografik dhe topografik të Epirit. Gërmimet e para arkeologjike janë bër nga Evangjelidhis në vitin 1913 në Antigone, pastaj kanë vazhduar me Ugolinin më 1925. Arkeologu Dhimosten Budina në vitin 1974 ka bërë një studim të plote me titull : “Harta arkeologjike e luginës së Drinosit”. Budina bën një përshkrim të plotë të gjurmëve të vendbanimeve të hershmee, të tumave dhe vareve, fortifikimeve në të gjthë luginën.
Sipas Arkeologut Vladimir Qiriaqi, rrugët antike përbëjnë, një prej veçantive më të mëdha të luginës. “Përveç gjithë vlerave të tjera, lugina e Drinos është qendra e trafikut të qytetërimeve të ndryshme”. Qindra kilometra rrugë, të hapura e të përdorura në epoka të ndryshme, që vazhdojnë të jenë të dukshme e të qarta edhe në ditët e sotme. “Në kohën e Epirit të famshëm, epirotët preferonin të ndërtonin rrugë mbi kodra dhe suprina në lartësitë 400- 600 metër mbi nivelin e detit.

Qyteti Antik i Antigonese. ( Shek. 3-të PK)

Qyteti Antik i Hadrianopolis( 76-138 ER)

Ndërkohë, romakët e plotfuqishëm ndërtuan magjistralet e vërteta, ku spikatin kalimi i drejtpërdrejtë në luginë, ndërtimi i urave në pjesët më të ngushta të lumit, kalimi i qafave më të favorshme gjeografike dhe ndërtimi i një rrjeti sekondar në favor të vendbanimeve të ardhshme. Romakët gjithashtu standardizuan rrugët, ngritën teknikën e ndërtimit të tyre, që jo vetëm sot ripërdoren, por mbahen si shenjë dhe udhëzues të ndërtimeve të reja.

Hapja e një shtrati 6 metër, ngritja mbi to e bordurave, hedhja e 2- 3 shtresave dhe mbi to e një kalldrëmi i bëjnë këto rrugë t’i ndeshim akoma edhe pas 2 mijë vjetësh. Ndërtimi herë pas here në krah të rrugëve i vilave, stacioneve termale e rrugëve i bëjnë njëherazi këto rrugë të sigurta dhe shumë të këndshme për udhëtarët e zakonshëm, minionarët e ndryshëm apo edhe tregtarët. Hap pas hapi arkeologjia po i bashkon elementët e këtyre qytetërimeve, duke zgjidhur çështjen ende të pazgjidhur të “tabula peugniteriane” (guidë romake)”.
Qytetërimet e ndryshme që kanë lulëzuar në luginën e Drinos kanë lënë si pasuri 5 qytete të mëdhenj për kohën, 15 kala, 337 kilometër rrugë qerresh e karvanesh dhe dhjetëra fortifikime.

Fortifikimet dhe qytetet e fortifikuara që para eres së re në mesjetë e deri në mesjetën e vonë si : Kalaja e Melanit(Nepravishtë), Palokastra, Kodra e Kalasë, Pepeli, Zhulati e Kardhiqi, Libohova, Gjirokastra, Shëndriadha, Lekli, Tepelena, dëshmojnë për vazhdimësinë e jetës dhe zbatimin e mendimit mbrojtës në luginën e Drinos.

Kalaja e Gjirokastrës. By R. Kola

 
Melani e Seloja mbyllin këtë luginë strategjike nga jugu, Libohova, Shëndriadha, Gjirokastra përbënin pjesën më të qëndrueshme të krahinës, ndërsa kalatë në Lekël, Kardhiq e Zhulat pa lënë mënjanë Tepelenën, e mbyllin atë fort nga veriu dhe së bashku me dhjetëra ndërtime më të vogla krijojnë një unitet të fuqishëm fortifikues.

Ekipi shqiptaro-italiane i kryesuar nga Arkeologu Roberto Perna, janë prezent që prej vitit 2005 e deri më sot vazhdon që të zbulojë herë pas here perla të tjera të fshehura nën tokë në Luginën e Drinos. Është filluar me Hadrianopolin, ku ka mbi 10 vjet gërmime arkeologjike dhe studime, pa lënë Antigonenë dhe Melanin. Ekspeditat e vazhdueshme në këtë drejtim kanë evidentuar dhjetëra site të panjohura më parë, duke filluar nga periudha prehistorike e deri në të tjera periudha të mëvonshme. Bëhet fjalë për rreth 200 site, tuma arkeologjike etj, të përpunuara gjatë këtyre viteve, të cilat janë të ndërtuara në periudha dhe me teknika të ndryshme.

Lugina e Drinos është një nga zonat me më shumë tuma (kodërvarre) të pagërmuara të periudhës së bronxit të mesëm. Megjithatë një pjesë e mirë e tyre nuk janë akoma të përfshira në listën e monumenteve të mbrojtura. Sipas arkeologut Roberto Perna, është mjaft e nevojshme vendosja e këtyre siteve në funksion të turizmit.

“Pasuritë arkeologjike të evidentuara, të njohura ose jo janë të shumta, kanë vlera monumentale, studimore dhe turistike. Ideja kryesore është krijimi i një muzeu arkeologjik për vizitorët që mund të shikojnë sitet në luginën e Drinos”.

Lugina e Drinosit shquhet edhe për numrin e madh të objekteve fetare kishave, teqeve, tyrbeve, xhamive dhe manastireve si: manastiri i Hundkuqit, manastiri i Cepos, manastiri i Shën Thanasit në Poliçan, manastiri i Spilesë në Tranoshishtë, manastiri i Stegopulit , manastiri i Melanit , manastiri i Peshkëpi-Radatit , manastiri Pepelit manastiri i Shën Mërisë në Zervat, manastiri i Shën Mërisë në Koshovicë, manastiret e manastiri i Profet Ilisë në Jorgucat, manastiri i Ungjillëzimit në Vanistër, manastiri i Kryeengjëjve mbi Dervician, Leftokaresë, Dhuvjanit, Ravenës. Manastiri i Dhuvjanit është mbi 1000 vjeçar etj.

                                                     Manastiri i Shën Ilisë, Stegopul

Janë të shumta ndërtimet me gurë gjatë periudhës së Ali pashë tepelenës, si ndertimi i disa urave, si ajo e Kodhorcës, Zonjës në Libohovë, Glinës, Urat e Zagorisë e Lunxhërisë etj. I gjithë qyteti i Gjirokastrës me pazarin karakteristik dhe banesat monomente kulture.

Ura e Kordhocës, Lazarat

Zbulimi, restaurimi, mirëmbajtja, hartimi i guidave për gjithë këto pasuri kulturore të luginës sonë,dhe zhvillimi i produkteve bio të zonës tonë do ta kthejë luginën me një zhvillim turistik të paparë.Ndërtimi i aeroportit të Gjirokastrës mer një rëndësi të veçamte për prurjen e turistëve elitare


Friday, 6 December 2024

NDËROI JETË NË SHBA POLO MIHALI



POLO GAQE MIHALI
(24 prill 1932 -  5 Dhjetor 2024) 

Në 5 Dhjetor 2024 në Wayne, New Jersey ndëroi jetë në moshën 92 vjeçare POLO MIHALI.  Ceremonitë mortore do te kryhen:


10 Dhjetor 2024 | 16:00-20:00 Vander May funeral home 567 Ratzer road, Wayne, NJ 

Shërbimi funeral 11 dhjetor 2024 | ora 10:30

Kisha Ortodokse e Shën Gjergjit

 Polo Gaqe Mihali lindi në fshatin Krinë të Gjirokastrës, më 24 prill 1932. Shkollën filloren e kryejti me ndërprerje në fshatin e tij të lindjes, për shkak të Luftës Dytë Botërore. Shkollën shtatëvjeçare dhe Gjimnazin i përfundoi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1954. Studimet në Institutin e Lartë Bujqësor(sot Universiteti Bujqësor i Tiranës), Fakulteti Veterinarisë, Dega Zootekni i mbaroi në vitin 1959.

            Pas përfundimit të studimeve të larta u emërua në NB Vurg të Sarandës, një nga fermat më të mëdhaja blegtorale të asaj kohe, me detyrën e k/zooteknikut dhe zv/drejtor i ndërmarjes, ku pati mjaft rezultate të mira.  

Në prill të vitit 1967 emërohet k/ zooteknik i Rethit të Sarandës, detyrë që e kryejti me përkushtim për 23 vjet. Në vitin 1970 në krye të një ekipi nga Ministria e Bujqësisë u dërgua në Hollandë,  zgjodhën dhe dërguan në Shqipëri 4 550 viça e mëshqera të racës “Laramane”. Gjat viteve 1990-1992 punoi në Stacionin Bujqësor të Rrethit.

            Në fillim të vitit 1993, në moshën 61 vjeçare, emigroi familjarisht në SHBA, pasi ju krijuan lehtësira nga babai, i cili kish qenë shtetas amerikan që prej vitit 1929. Në ndihmë modeste të familjes së vet edhe këtu punoi për 15 vjet në punëra të ndryshme.

            Polua gjat punës së tij si specjalist blegtorie është vlerësuar nga Ministri e Bujqësisë dhe organet drejtuese të Rrethit Sarandë me disa medalje e dekorata për kontribute të veçanta në zhillimin e blegtorisë. Në vitin 1979 nga Presidjumi i Kuvendit Popullor i jepet Urdhëri: “Për punë të shquar në ekonominë bujqësore”. Në vitin 2012 Këshilli i Qarkut të Vlorës e nderoi me Titullin: “Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë” me motivacjonin “Specjalist i shquar i blegtorise shqiptare, i pa lodhur dhe me kontribute te veçanta në përparimin e blegtorisë në trevën e Sarandës”

Ka shkruar dhe librin e tij të jeteë të vargëzuar, me titull: “Këngë malli, këngë zemre”. Përshkruan  një pjesë të veprimtarisë si specjalist blegtorie në rrethin e Sarandës dhe një pjesëz të vjershave të tij ja  kushtuar fshatit të lindjes Krinë.

 

Ngushellimet ton  gruas se tij Katerines, djalit Xhorxhi, dy vajzave Aidës dhe Anetës, niperve e mbesave e gjithë të dashurve të zemrës së tij. 

 

 I paharruar kujtimi i tij!

            

 


 

 


Monday, 2 December 2024

KLERIKËT E FSHATIT SELCKË, GJIROKASTËR




IKONOM AT LEONIDHA QIRICI.    
(1892-1944) 


Vendlindja e ikonom Atë Leonidha Qiricit është fshati Selckë, që ndodhet në lindje të Gjirokastrës, në Grykën e Selckës e formuar nga malet e Lunxhërisë, Rapavicës, Pllajës së Nisoit dhe në thellësi mali i Nemerçkës që lidhen tri krahinat: e Lunxhërisë, Pogonit dhe Zagorise. Siç shprehet shkrimtari nga fshati Selckë, Gaqe Bushaka:

Selckën zemra pranë e mban.

I lyp qyellit frymezim.

Të shkruaj për atë vend,

Ku dhe druri pikon mjaltë.

Ku dhe guri pikon mend."

At Leonidha ka lindur në vitin 1892 me prindër Harallambin nga Selcka dhe Elenin nga fisi Konomi Poliçan. Fisi Qirici që ishin pesë vëllezër dhe një motër, ishte një nga familjet siç i quanin atëhere të sojme, të ditur dhe në gjendje të mirë ekonomike. I dërgonin fëmijtë për stundime në Greqi, Stamboll, e Amerikë. Harallambi merresh me tregëti, kish dyqane në Tepelenë e Pervezë.  Pavarësisht arsimimit  e edukimit ne shkollat Perëndimore nuk e harruan kure traditat e vlerat e vatrën familjare e historine e tyre.

Po përmendim dy monomente, Kishën e Shën e Premtes dhe Kroin e Madh,  monomente kulture, të një rëndesie të veçantë. Jo më pak te rendesishme e me vlera janë dhe shkolla e fshatit, ku kanë kryer arsimimin fillestar  shumë breza selicjotësh si dhe Rilindasit Martirë Pandeli Sotiri “Mësues i Popullit”dhe vellai tij Koto Sotiri. Ndodhet vend ii varrimit të rilindasit Hoxhë Myftar Ali Kallarati, Fortesa ose garnizoni ushtaeak që nga koha e Mbretit Pirro, Ujvara që tashmë ka marrë famë, etj. Banorët e fshatit shquhen për mënçuri, mirekuptim e tolerancë.

Këto monomente kulture e objekte të tjera, na kujtojnë paraardhesit tanë dhe na bejnë krenar për punën e veprat e tyre dhe orgjinën tonë. Historia është krenari. Ajo nderon krijuesit, po lartëson ata qe jua përcjellin brezave traditat. Historia thoshin latinët është mesuesi i jetës.

Nga Selcka për 120 vjet kane dalë 12 priftérinj, që perveçse në Selckë kanë shërbyer në Kishat e Pogonit, Lunxhërisë, Rëzëss, dhe ne Greqi.

Më i shquari ka qenë At Eoqim Zerva. Përfundoi studimet për teollogji në Greqi, arriti te behesh dhe deri Dhespot

 

Atë Leonidha mësimet e para i mori në shkollën 7- vjeçare të fshatit( shkollën plotore), vazhdoj për teollogji në Greqi. Shërbeu si klerik fetar ne Selckë, Rëzë, Kardhicë e Vishan te Greqi, për rreth 12 vjet në Kishen e Shën Mërisë të Labovës së Kryqit

Perveç literaturës fetare, ai studjonte dhe literature te pergjithëshme e ecte me kohën. Ne nipërit e tij  në bibliotekën modeste të tij kemi gjetur libra fetare, filozofike, fjalor gerqisht aglisht, revista në gjuhën angleze nga viti 1912 si dhe shenime te tij. Librat në vitin 1967 i çuam te Kisha e Sh. Premtes. Me punën, ndershmerinë, dituritë, mirësinë, bujarinë sjelljen e tij, fitoi respektin e mirënjohjen e njerëzve ku ka sherbier. Pasqyronte realitetin me objektivitet dhe seriozitet. Mbi të gjitha ai ishte i brumosur me dashurinë për Zotin. U martua me Amalinë të bijën e Vasil Dedes nga Selcka me të cilën patën dy vajza.

Mbas vitit 1990 kur jame takuar me të ndjerin Vasil Katin dhe lunxhotë të tjerë, kur u thash që jam nipi Atë Leonidhës, I ndjeri Vasil Kati u grit në kembë e më takoi e më tha që gjyshi yt ka qenë një burrë fisnik me kulturë, simpatik e tenor shum i mirë......

Me 8 Shtator 2018 në ditën lindjen të Hyjlindeses Mari, ne nipërit e stërmbesa vajtëm në Labovën e Kryqit. Morëm pjesë në meshën qëu u bë tek Kisha e Shën Mërise. Në këtë ditë Labova e Kryqit kishte pamje festive dhe i ka hije se në kujtesën e gjithë shqiptarëve ajo ka mbetur fshati me kishën më të vjetër të vendit e para në Shqiperi e dyta në Ballkan, ndertuar ne vitin 550.  Mbiemrin e ka mare L. Kryqit, sepse njëpjesë e a kryqit të kishës së Sh. Mërisë është nga kryqi ku është kryqezuar Jezu Krishti dhe e ka dhuruar Perandori Justiniani i Madh (Fotografia 50x35 e gjyshit me këtë kryq ka qëndruar  edhe në odën e shtepise së tij në Selckë deri në fund të shekullit të kalua.  Atmosferta në oborin e Kishes u gjallerua e më shumeë nga kengët e vallet e labovitëve e persona të tjerë ardhur nga disa qytete. Muzika i bashkon njerezit.

Prezantimi qe ju beme ne, si pasardhes te Atë Leonidhës duke ju treguar një kopjo të fotografisë me kryqin, u shoqërua me kurozitet dhe një bisedë të përzemërt. Takuam e biseduam me të moshuar 85-94 vjec që e kishin njohur që në femijerin e tyre. Na folën me respekt e nderime për shëbimet që ka bërë në këtë fshat. Mesuesi Stefan Miha na tregoi se dhe sot te Kisha në Laboën e Sipërme janë 12 qiparisa që i ka mbjellë Atë Leonidha me ish nxenisit e shkollës ku janë shkruar dhe emrat e tyre. Spiro Luzi më i moshuari na thotë  se gjyshin tuaj ne si familje e kemi patur nun,  kur është martuar vajza e madhe e tij kam qenë ne dasëm. (Maj 1936) Mbaj mend se vajtëm te Kisha e shën Premtes ku u kurorizua çifti dhe më  pas te Kroi Madh e pastaj në  lëminn  që ndodhet pas kroit, ku hidhej vallja. Siç dihet kryqi i kishës Sh. Mërisë është vjedhur. Na kërkuan një kopje të fotografisë me kryqin për ta vendosur diku te kisha. Me kenaqesi jua derguam. Është si provë për vertetësinë e Kryqit. U larguam me një ndjenjë miqësie dhe kënaqesie.

 

Nipi Lefter Margariti

 


Thursday, 28 November 2024

NJË VËSHTRIM MBI LIBRIN “PYJET DHE SHARRAT E PUKËS NË VITE”


"Libri, në dallim nga librat e tjerë për pyjet dhe industrinë e drurit, është i pari që trajton historinë e një ndërmarrje të industrisë së drurit, nga më të rëndësishmet të vendit tonë."


nga: Prof. Ass. Genci KACORI

Tiranë


Prej rreth tre muajsh, ka ardhur në duart tona, libri “Pyjet dhe Sharrat e Pukës në vite”, i autorëve Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, për të cilin dëshiroj të shpreh disa mendime personale. Libri është bërë i njohur masivisht në dy promovime: në qytetin e Fushë-Arrëzit dhe Fakultetin e Shkencave pyjore në Tiranë. 

Evidentimi i zhvillimeve të ndodhura gjatë një periudhe tepër të gjatë kohore dhe prezantimi i tyre para lexuesve, kërkon përgjegjësi të madhe, sepse historia nuk mund të shkruhet pa referenca dokumentare. “Gërmimi” nëpër arkiva, është një punë shumë e vështirë, pasi kërkon vullnet, përkushtim dhe pasion, e në këtë rast, të tre autorëve ato nuk u kanë munguar dhe rezultati është realizimi i këtij botimi. Kjo është arsyeja, që, iniciativën e tyre, për shkrimin e libri, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë.

Libri, në dallim nga librat e tjerë për pyjet dhe industrinë e drurit, është i pari që trajton historinë e një ndërmarrje të industrisë së drurit, nga më të rëndësishmet të vendit tonë. Dokumentacioni i gjetur, pavarësisht pretendimeve të autorëve për mungesa të tij, mendoj se ka qënë i shumtë dhe i mjaftueshëm, për ta faktuar më së miri, historinë e Sharrave të Pukës, më vonë, e emërtuar Ndërmarrja e Përpunim Drurit, Fushë- Arrëz. 

Libri është konfiguruar në tre kapituj.


Kapitulli i parë, është një vështrim historik, që u përket periudhave kohore 1912-1944, 1945-1950, 1951-1960, 1961-1970, 1971-1980, 1981-1991 dhe 1992-2016.

Për periudhën 1912-1944, jepen informacione për pyjet, organizimin e shërbimit pyjor, legjislacionin, aktivitetet e shfrytëzimit të pyjeve nga sipërmarrësit shqiptarë dhe të huaj, duke u ndalur më hollësisht në N/prefekturën e Pukës, etj.

Pas çlirimit të vendit, në funksion të synimeve afatgjata të qeverisë, masat e shumta të ndërmarra prej saj, ishin piknisje për të gjithë zhvillimet e mëtejshme, të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë kombëtare, pjesë e të cilave ishin edhe pyjet dhe industria e drurit.


Sharrat e shtetëzuara, u bënë baza e ndërmarrjes së re, e cila gjatë disa dekadave, do të shndrohej dhe do të bëhej një nga më të mëdhajat e industrisë së drurit në vendin tonë. Në mënyrë kronologjike, autorët tregojnë evoluimin e Sharrave të Pukës. 

Shfrytëzimi i pyjeve dhe prodhimi i lëndës së sharruar, filloi të shtrihej edhe në pjesë të tjera të fondit pyjor, me krijimin e stabilimenteve dhe sektorëve të rinj, shoqëruar me vështirësi të ndryshme, për ndërtimin e rrugëve pyjore, prodhimin, transportin e brendshëm, mekanizimin e punimeve, transportin e largët, etj. 


Krahas shfrytëzimit të pyjeve dhe prodhimit të lëndës së sharruar në pyje, vëmëndja filloi të drejtohej nga përpunimi i drurit, që gradualisht do të bëhej pjesë shumë e rëndësishme e aktivitetit të ndërmarrjes. Stabilimenti i Fushë - Arrëzit, i krijuar në vitin 1949, për prodhimin e përqëndruar të lëndës së sharruar, u bë “zemra” e sektorit të përpunimit të drurit. Pas tij, u ngritën zdruktaria për prodhimin e arkave të amballazhit, fabrika e staxhionimit, fabrika e kollofonit, reparti i parketit, reparti i mobilje-orendive dhe së fundi, fabrika e pllakave të fibrës.


Gjithçka, autorët e shtjellojnë bazuar në informacione të shumtë dhe të ndryshëm, për strukturat, planet e prodhimit, investimet dhe për shumë probleme të tjerë, që kanë qënë pjesë e pandarë e ecurisë së ndërmarrjes. 








Aspektet historike, janë shoqëruar në mënyrë të harmonizuar, me emrat e drejtorëve, n/drejtorëve, kryeinxhinjerëve, kryetarëve të degëve, specialistëve të ndërmarrjes, si dhe të drejtuesve dhe shumë puntorëve të kualifikuar e të thjeshtë, të stabilimenteve, sektorëve, reparteve dhe fabrikave, për të gjitha periudhat. Në fakt, ata kanë qënë autorët e vërtetë të historisë së Sharrave të Pukës, së bashku me shumë persona të tjerë, emrat e të cilëve ka qënë e pamundur të përmenden. Interesante janë edhe informacionet biografike të disa drejtuesve, specialistëve apo të punonjësve të ndryshëm, që e plotësojnë më së miri, këtë kapitull.

Pjesë e pandarë, janë marrëdhëniet e ndërmarrjes me strukturat shtetërore, qoftë të nivelit lokal, qoftë dhe me ato qëndrore, në funksion të problematikave të shumta, që e kanë shoqëruar atë ndërmarrje gjatë viteve. 

Në fund të kapitullit të parë, autorët japin një panoramë, mbi zhvillimet në sektorin e pyjeve, për periudhën 1992-2016, në nivel qendror dhe veçanërisht ato të ndodhura me pyjet dhe shërbimin pyjor, në ish rrethin e Pukës. 

Kapitulli i dytë, në mënyrë të detajuar, u referohet historive të njësive kryesore të prodhimit, të nxjerra nga konteksti i përgjithshëm i ngjarjeve, të trajtuara në kapitullin e parë. Në këtë mënyrë, lexuesit i krijohet mundësia të njohë më mirë, ecurinë e aktivitetit të secilës njësi, që nga momenti i krijimit e deri në mbylljen e saj. 

Edhe në këtë kapitull, nuk mungojnë informacionet e shumtë dhe të larmishëm, që plotësojnë më së miri, historinë e secilës strukturë. 

Në kapitullin e tretë, janë përfshirë kujtimet e një pjese të ish drejtuesve, specialistëve të lartë e të mesëm, punonjësve të administratës, e deri të puntorëve të kualifikuar dhe të thjeshtë, që kanë punuar dhe kontribuar, ndër vite, në atë ndërmarrje. 

Nëpërmjet tyre, autorët tregojnë përpjekjet e bëra gjatë viteve, vështirësitë dhe sakrificat e shumta, si dhe kënaqësitë për gjithçka arritën, por edhe zhgënjimet për çfarë nuk arritën.

 

Sharrat e Pukës, kanë meritën e madhe, jo thjesht për krijimin e një qyteze të vogël me baraka druri, Fushë Arrëzit, por, për kontributin e tyre konkret, në transformimin e saj, në një qytet të ri, të quajtur “Qyteti i sharrtarëve”. Arritjet tepër të rëndësishme, të industrisë së drurit, gradualisht edhe të sektorëve të tjerë, u bënë mbështetje për rritjen dhe zhvillimin e qytetit. Këto janë fakte tepër domethënës, në historinë e Sharrave të Pukës. 

Libri përmban një mori të madhe detajesh, për çështje të ndryshme, që e bëjnë atë mjaft interesant. Ai shoqërohet me një galeri shumë të madhe fotografish njerëzish, ngjarjesh, objektesh, tabelash, fotokopje pasqyrash e shkresash, etj., të inkuadruara në çdo kapitull. 

Libri reflekton këndvështrimet e autorëve, për gjithçka ata kanë trajtuar. Kush e ka lexuar apo kush do ta lexojë, ka krijuar dhe do të krijojë opinionin e vet, së bashku me objeksionet, sipas këndvështrimit personal. Dhe kjo është më se normale. 

Pa hyrë në hollësi, personalisht konstatoj dy mangësi: një redaktim jo korrekt i librit, si dhe paraqitjen jo shumë cilësore të materialeve ilustrues ndonjë foto apo tabele.. Megjithatë, këto nuk ia zbehin aspak vlerat këtij libri. 


Të gjithë atyre që kanë dhënë kontributet e tyre dhe janë në jetë, leximi i librit, do t’u sjellë kujtime dhe do t’u ngjallë nostalgji për kohët e shkuara, si dhe krenari për gjithçka realizuan. Të tjerët, pavarësisht nga çfarë dinë, ose jo, do të kenë rastin të njohin historinë e dokumentuar, të pyjeve dhe Sharrave të Pukës. Ndërsa për gjeneratat e ardhëshme, libri do të jetë dritarja, për të parë dhe për të njohur të shkuarën. 

Sharrat kanë qënë pionieri i zhvillimit të industrisë së drurit, në ish rrethin e Pukës, që u pasua nga zhvillimi i sektorëve të tjerë të industrisë dhe të ekonomisë. Kontributi i atij rrethi, sa i vogël për nga sipërfaqja dhe numri i banorëve, ka qënë jashtëzakonisht i madh, për ekonominë tonë kombëtare. 


Koha, pa dyshim, do ta merrte me rrjedhën e saj të pakthyeshme dhe do ta çonte drejt harresës, historinë e Sharrave të Pukës. Por, është meritë e tre autorëve, Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, që nëpërmjet këtij botimi, e shpëtuan këtë histori dhe e vunë atë në vendin që i takon, si në historinë e Pukës, ashtu dhe në historinë e industrisë së drurit, të vendit tonë. 


Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, kanë arritur të realizojnë një punim të vlerësueshëm maksimalisht dhe ky është sukses i tyre. Përgëzime dhe urimet më të mira, të tre autorëve. 


E shoh me vend të falënderoj dhe vlerësoj;  Shoqatën e Specialistëve të Pyjeve me kryetar z. Kolë Malaj, Shoqatën e Prodhuesve të Mobilerisë shqiptare me president z. Tonin Alia që në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz me kryetar z. Hil Curri dhe Fakultetin e Shkencave Pyjore në Tiranë me dekan prof. dr. Elvin Toromani, organizuan promovimin e këtij botimi. 

 

Monday, 25 November 2024

NGA KRIJIMTARIA E AVDULLA KENAÇIT - “SHTEGTIMI I FUNDIT I BABUSHIT”


“Një tjetër novelë, e këtij libri, me brendi sa të vërtetë, aq dhe artistike, është ajo me titullin “Shtegtimi i fundit i Babushit”, që tingëllon si një himn poetik, shkruar në prozë, kushtuar dashurisë për vendlindjen, atdheun, trashëgiminë, njerëzit e familjes dhe lidhjen mes brezave.”


nga:  Sejdo HARKA

 

Avdulla Kënaçi, i cili në vitet ’80-’90 spikati me reportazhet e tij brilante dhe më pas me kronikat e telereportazhet e rralla, kushtuar ngjarjeve dhe veprimtarive atdhetare e kulturore, që zhvilloheshin në ato kohëra, deri në skajet më të largëta të vendit dhe të botës, kudo ku jetonin dhe punonin shqiptarët, sot, me krijimtarinë e tij të bollshme dhe cilësore letrare, është bërë një nga tregimtarët më të njohur të letërsisë së sotme moderne shqipe.


Deri tani, ai ka shkruar dhe botuar 4 vëllime me tregime e novela, me titujt kuptimplotë: “Enigma e një nate, “Autokritika”, “Liridona” e “Shtegtimi i fundit”, dhe vazhdon të shkruajë e të botojë pa mbarim. Në brendinë e veprave të tij narrative rendin personazhe e karaktere, tipa dhe tertipa të shumëllojshëm, që vijnë nga të gjitha anët e vendit dhe vërshojnë drejt skajeve më të largëta të botës dhe anasjelltas. Avdulla Kënaçi, vitet e fundit, duke qëndruar me një këmbë në Shqipëri dhe me tjetrën në Kanada, ka një jetë të tërë që mbledh tharmin e krijimtarisë së tij, ashtu si reja që mbledh avujt e gjithësisë për t’i shtrydhur një ditë me rrëmbim mbi tokat e begata dhe pjellore.

 

Tregimtaria e Kënaçit, e përkthyer në disa gjuhë të botës, ka mundur të bëhet edhe pronë e shumë lexuesve të huaj. Meqë për 3 librat e tij të botuara më parë jemi shprehur herë tjetër, në këto shënime të shkurtra do të ndalemi tek vëllimi me tregime e novela, me titullin “Shtegtimi i fundit”, i cili ka dalë në qarkullim kohët e fundit. Në këtë libër të ri artistik, krahas tregimeve që trajtojnë një problematikë të gjerë dhe të larmishme, të tërheqin vëmendjen, veçanërisht, novelat e tij të bukuraqë, edhe kur në qendër të brendisë kanë ngjarje dhe karaktere reale, përmes trillit krijues e fantazisë, ato marrin vlera universale artistike. Një nga novelat më të mira të këtij vëllimi, është ajo me titullin “Shtegtimi i fundit përtej oqeanit.

 

Në themel të brendisë së kësaj novele qëndron emigracioni, si plagë e hershme shoqërore, i cili, krahas shtypjes fizike dhe ekonomike, sjell dhe disa dukuri negative shpirtërore, kur përdoret si armë e të fortit për të shtypur, shfrytëzuar dhe nëpërkëmbur e poshtëruar më të dobëtit. Brendia e kësaj novele lidhet me historinë reale, tepër të trishtë, të një vajze shqiptare, e cila pa mbaruar mirë gjimnazin, bëhet pre e një mashtruesi dhe maniaku të seksit dhe parasë.

 

E mbetur në vetmi të plotë përtej Oqeanit dhe e zhgënjyer thellë nga mashtruesi vanitoz Nedin Rrëqebulli, Sesila, së cilës shkurt i thërrisnin Sisi, vendos të rikthehet në atdheun e saj për t’ia nisur punës nga e para, me besimin se do të ringrihej moralisht, shpirtërisht dhe ekonomikisht. Për ta bërë subjektin e kësaj novele sa më intrigues, shkrimtari Avdulla Kënaçi përdor me sukses retrospektivën inversive nëpërmjet së cilës përmbys rendin kronologjik të ngjarjeve, për t’i bërë ato sa më ekspresive. Për t’u njohur me këtë dukuri me vlera stilistike, mjafton të citojmë disa pasazhe e shprehje, me të cilat nisin ngjarjet e kësaj novele: “Spikerja e televizionit ‘Iliria Life’, Sesila priste me padurim t’i komunikonte ‘bosit” të saj një çështje tepër të rëndësishme… Lajmi i papritur, se kishte mbetur shtatzëne, e tronditi aq shumë Din Rrëqebullin, ose Din Televizorin, siç e thërrisnin në atë kohë emigrantët shqiptarë të Amerikës, sa që nuk dinte nga t’ia mbante. Edhe pse plot tmerr dhe ankth, në këtë çast, si për ta qetësuar Sesilën, me ftohtësinë e gjarprit, i tha: – Mos u mërzit, se këtë gjë do ta rregulloj unë… Do ta heqim embrionin e fëmijës dhe kështu do të vazhdojmë jetën tonë të qetë… Por Sesila, me vendosmërinë dhe guximin e saj të palëkundur, ia ktheu prerë: – Jo, do ta mbaj fëmijën në barkun tim… edhe pse ai është fryt i hidhur i një shtatzënie të padëshirueshme me një maniak seksual. Do ta mbaj edhe për t’i çjerrë maskën një kameleoni, një njeriu mashtrues si ti, që ndryshe je dhe ndryshe shfaqesh”.

 

Kjo kundërpërgjigje ishte si një minë me sahat mbi trurin e Nedin Rrëqebullit, i cili në këto çaste e ndjeu veten plotësisht të çarmatosur. I vetmi shqetësim që e trondiste në këto çaste ishte, që këtë histori të mos e merrte vesh kurrë bashkëshortja e tij, së cilës i ruhej si shejtani nga temjani. Pas këtij pasazhi inversiv, ngjarjet e kësaj novele ndjekin kronologjinë e tyre lineare, nga e tashmja drejt së ardhshmes, ndërsa konflikti, nga pika kulmore drejt zgjidhjes. Dy janë personazhet kryesore të kësaj novele. Nedin Rrëqebulli, pronari i televizionit shqiptar “Iliria Life” në një qytet të Amerikës dhe spikerja e këtij televizioni, Sesila, të cilët që të dy vinin nga qyteti i Durrësit në mënyra të ndryshme. Din Rrëqebulli, duke punuar si shef sigurimi në Portin e Durrësit, me marifetet e tij zhvatëse, kishte mundur të siguronte një shumë të konsiderueshme parash.

 

Ndërsa, përmes lotarisë amerikane kishte pasur fatin të shkonte për të punuar dhe jetuar në Amerikë. Ëndrra e tij kishte qenë jo vetëm të pasurohej sa më shumë, por edhe të bënte një jetë qejfi, sa më luksoze. Edhe pse ai nuk kishte asnjë lloj kualifikimi për artin, kulturën dhe televizionin, përveç një kursi për të përdorur kamerën, i kishte hipur në kokë të hapte një televizion, atje në zemër të Amerikës, jo vetëm për të shumëzuar paratë, por edhe për të kënaqur epshet e tij bastarde dhe për të bërë emër në diasporën shqiptare të Amerikës. Për të ndërtuar një televizion sa më të bujshëm, nisi të kërkojë një spikere që, jo vetëm të tërhiqte shikuesit me bukurinë e saj të rrallë e si rezultat do t’i sillte shumë fitime, por edhe do të kënaqte orekset e tij perverse seksuale. Tipat vanitozë e mashtrues si Din Rrëqebulli i kanë mësuar mirë marifetet se si do t’i arrijnë synimet e tyre.

 

Ata përdorin mashtrimin dhe premtimet e bujshme dhe nevojat e ngutshme të njerëzve të sinqertë. Dinë të shfrytëzojnë shoqërinë dhe miqësinë për t’i vënë në shërbim të qëllimeve të tyre të mbrapshta nëpërmjet lajkave dhe ryshfetit. Këto armë diti t’i përdorte me sukses edhe Din Televizori për të bindur Sesilën, që ajo të pranonte ofertën e tij mafioze. Ja si e tregon narratori A. Kënaçi procesin e bindjes së gjimnazistes dhe të prindërve të saj për t’u bërë spikere e televizionit “Iliria Life”: “Në një shëtitje buzë detit, Din Rrëqebulli takoi rastësisht zëvendësdrejtoreshën e gjimnazit, Rabien, ku mësonte Sesila, një vajzë, jo vetëm shumë e mirë në mësime, por edhe e bukur.

 

Ajo, me që Din Rrëqebullin e njihte që nga fëmijëria, e ftoi të merrte pjesë në një veprimtari artistike të shkollës së saj, ku aktronte edhe Sesila. Rrëqebulli, sa e pa Sesilën, e pëlqeu aq shumë, sa që nisi menjëherë punën për ta bindur atë, që ajo të bëhej me çdo kusht prona e tij. Gjëja e parë që duhet të bënte ishte ta merrte spikere në televizionin e tij, në Amerikë. Për ta bindur, përdori edhe zëvendësdrejtoreshën e shkollës së saj, duke e joshur edhe me 500 dollarë amerikan.

 

Me gjithë punën e madhe bindëse që nisën të bënin Din Rrëqebulli dhe Rabia për të bindur Sesilën dhe prindërit e saj, në të vërtetë, ata e patën shumë të vështirë t’u jepnin përgjigje pyetjeve të tilla enigmatike: -Po sikur pronari i televizionit të shpërdorojë besimin tonë… dhe pastaj ta lërë vajzën tonë në vetmi, pa mbrojtje e mbështetje, atje larg, përtej oqeanit?! Por, përsëri, mes një kontroversi mendimesh, prindërit, pas shumë dilemash, më në fund i besuan këtij mashtruesi të paprincip, vetëm se kontrata e tij me Sesilën do të ishte 3- vjeçare.

 

Atje në Amerikë, menduan prindërit e Sesilës, vajza jonë do të ketë mundësi të vazhdojë dhe arsimin e lartë, gjë që këtu është e pamundur. Atë natë Sesila bëri një gjumë të trazuar. Në ëndërr i shfaqej, herë buzëqeshja babaxhane dhe herë mimika djallëzore e Din Televizorit, që rendte si fantazmë, duke fërkuar duart. Ishte koha, kur ai kishte marrë miratimin e prindërve dhe të vetë Sesilës, e cila kish pranuar të bëhej spikere e televizionit “Iliria Life”. Pas 3 muajsh Sesila do të fluturonte drejt Amerikës, me ëndrra të bukura për jetën. Sa zbriti në Amerikë, e pritën mirë. Ditën e parë, kur hyri në televizion, te porta e tij hodhi këmbën e djathtë. Pikërisht këtu përfundojnë dhe lajkat djallëzore të pronarit të këtij televizioni fantazmë. Tani e tutje ai do ta trajtonte Sesilën si pronën e tij, si kukullën e tij të bukur, që do t’i dhurojë famë, para edhe kënaqësi seksuale.

 

Që në çastin kur Sesila fillon të shkëmbejë fjalët e para me studentin e vetëm që punonte në këtë televizion, Din Rrëqebulli nisi të kërciste dhëmbët duke iu drejtuar me fjalët: “Vajzë, nuk të kam marrë në Amerikë për vakancë, por për punë”! Din Televizori, kosekuent me synimet e veta, vendosi që Sesilën ta strehonte në një apartament të vetmuar, ashtu si ujku që ndan gjahun e tij të mjerë nga kopeja, për ta shqyer e gëlltitur qetë-qetë në errësirë. Sapo e akomodoi në një apartament të vetmuar, të nesërmen i mbiu te dera, si rrëqebulli prehut të vet. – Ti je një vajzë simpatike dhe me gjoks të bukur, që duhet ta ekspozosh sa më shumë , – i tha Din Rrëqebulli, tërë epsh Sesilës, një ditë. Kështu do të rriten edhe vlerat e tua si spikere, edhe shikueshmëria e televizionit tonë. Këtë gjest të pronarit të televizionit, Sesila nuk e kishte përfytyruar kurrë. Prandaj, menjëherë i kundërpërgjigjet: – Mirë, po çdo të thonë njerëzit për mua në Dibër dhe në Durrës?!

 

Por tipat si Din Rrëqebulli, që punonjësit e tyre i konsiderojnë si pronën e tyre, dhe me ta mund të bëjnë ç’të duan, kur nuk binden përdorin shantazhin psikologjik dhe më fund edhe dhunën. Me kthetrat e duarve të tij ia këputi të gjitha kopsat me forcë. Në çastin që Din Rrëqebulli kishte arritur ekstazën e tij shtazarake, Sesila kishte pësuar traumën më të madhe fatale, morale dhe shpirtërore. Fjalët më dramatike të Sesilës, drejtuar përbindëshit përdhunues, ishin: “A e dini që unë jam më e vogël se vajza juaj”?! Nëse Din Rrëqebulli përjetonte “parajsën” e epshit të tij shtazarak, Sesila derdhte lotët lumë, me të cilët donte të shpëlante mëkatin e zi të atij përdhunuesi çnjerëzor të pabesë dhe pa moral e dinjitet njerëzor. Trishtimin më të madh ajo e ndjeu, kur e kuptoi se kishte mbetur shtatzënë. Pasi e mori veten nga kjo traumë e madhe, vendosi, që ta njoftonte Rrëqebullin, se ishte shtatzëne.

 

E bindur, se ishte shpejtuar, që të ardhmen e saj ia kishte besuar këtij mashtruesi tepër pervers, tashmë kërkon, që fatin e saj të mos ia lënë në dorë një njeriu, që kërkonte ta trajtonte si kavie. Kur Din Rrëqebulli, me butësinë e tij lajkatare i kërkon Sesilës heqjen e fëmijës, ajo i kundërpërgjigjet përgjigjet prerë: – Do ta mbaj atë fëmijë, edhe pse është fryt, jo i një dashurie vërtetë, por i përdhunimit nga një maniak seksual. Do ta rrit me duart e mia atë fëmijë të pafajshëm, pa u thyer nga fjalët e paragjykimet, po edhe për të zbuluar para njerëzve shëmtinë dhe pabesinë mashtruese të njerëzve të tillë si Din Televizori.

 

Në çastin kur Din Rrëqebulli godet me grushtin e vrastarit embrionin e fëmijës në barkun e Sesilës, një makinë e policisë shfaqet papritur në vendin e ngjarjes, duke i hedhur prangat Din Rrqebullit, mashtruesit të pacipë dhe gjahtarit të parasë e të seksit. Ky ishte fundi tragjikomik i një njeriu si Din Televizori, i cili, famën e pasurinë dhe lavdinë e kënaqësinë e tij seksuale, kërkon t’i ndërtojë mbi djersën, nderin e dinjitetin e të pambrojturve. Ndërsa Sesila, tashmë e çliruar nga mungesa e lirisë dhe përdhuna e një perversi të pashembullt, vendos të kthehet në Shqipëri, tek prindërit dhe njerëzit e saj, të cilët e pritën me dashuri. Pas një udhëti mi të gjatë, përmes një tuneli metaforik plot errësirë, ajo, me gëzimin dhe kthjelltësinë e saj, në fund të atij tuneli të errët, kishte parë dritën e rrugës së vërtetë të jetës së saj.

 

 “SHTEGTIMI I FUNDIT I BABUSHIT”

 

Një tjetër novelë, e këtij libri, me brendi sa të vërtetë, aq dhe artistike, është ajo me titullin “Shtegtimi i fundit i Babushit”, që tingëllon si një himn poetik, shkruar në prozë, kushtuar dashurisë për vendlindjen, atdheun, trashëgiminë, njerëzit e familjes dhe lidhjen mes brezave. Dy janë personazhet kryesore të kësaj novele. Babushi (gjyshi) dhe nipi i tij Gëzim Gjoka, student në një nga universitetet e Kalifonisë së Amerikës. Ata ishin të lidhur aq ngushtë me njëri-tjetrin, sa ishte e vështirë të ndaheshin, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Edhe pse Gëzimi nuk kishte shumë kohë nga dita që ishte larguar nga vendlindja dhe Babushi i tij i dashur, papritur mori një telefonatë të frikshme nga familjarët e vet.

 

Ata e njoftonin njeriun e tyre, se Babushi kishte 4 muaj që dergjej i sëmurë rëndë në shtrat, ku pritej, nga çasti në çast të vdiste, por nuk po i dilte shpirti. Dua të më vijë sa më parë Gëzimi, thoshte me forcë ai, ndryshe s’ka për të më dalë kurrë shpirti. Edhe pse pa ngrënë e pa pirë, belbëzonte pa ndërprerë: -Dua të më vijë, sa më parë, nipi im, Zimi. Prandaj, Gëzimi, sapo mbaroi provimin e radhës, mori rrugën drejt vendlindjes për të takuar me Babushin dhe familjarët e tjerë. Sapo ai zbriti në Rinas, e para gjë që bëri, telefonoi për të pyetur se, si ishte shëndeti i Babushit të tij të mirë. Pastaj, hipur në një taksi, mori rrugën drejt vendlindjes, duke kaluar mespërmes mrekullive natyrore të këtyre anëve, i përkëdhelur nga freskia dhe aroma e këndshme që lëshonin pyjet dhe lëndinat kodrat dhe malet e Kurveleshit.

 

Aty lart në ato maja, ku ende nuk kishte shkrirë bora, i tregon taksistit Gëzimi, Babushi im kishte ngritur stanin e tij, i cili kundërmonte nga era e qumështit të ëmbël si mjalti që kullonte nga ai gjelbërim i rrallë i këtyre anëve dhe era e këndshme e djathit dhe e mishit të pjekur në hell, me shijen më të mirë në botë. Ja, tek ai stan ka jetuar e punuar gjatë Babushi im. Ishte koha, kur shullënjtë, grykat e maleve dhe gjithçka kishte nisur të zgjohej nga gjumi letargjik i dimrit. Babushin, Gëzimi e gjeti të ngujuar para portës së shtëpisë së tij. Ai, tërë jetën kishte qenë njeri i punës, i luftës dhe i fjalës së mbajtur. Ndaj e donin të gjithë. Jeta e tij, kishte qenë: blegërimat e bagëtive, ajri i pastër, kënga labe, melodia e fyellit dhe e zileve e këmborëve. Atë e ngopte frymëmarrja e thellë në ajrin e pastër të atyre maleve.

 

Blegtor të mirë si ai, nuk gjeje të dytë në këto anë. Sapo u çmall me nipin e kthyer nga shkollat e Amerikës, i tha: – Do të shkojmë bashkë në stanin tim të parë, sepse, i mbyllur brenda mureve të shtëpisë më duket sikur më zihet fryma. Dua të vdes atje, ku kalova tërë jetën time. Sapo arritën në stan, Babushi iu drejtua nipit të tij me këto fjalë:-Pa ngrije atë pllakë guri, se diçka do të gjesh poshtë saj. Sapo Gëzimi e ngriti atë pllakë, ngeli pa fjalë. I ke dhuratë nga unë për mbrojtjen e doktoratës në Amerikë, i thotë Babushi, por dua që njohuritë e shkollës së Amerikës t’i vësh edhe në shërbim të Shqipërisë dhe të Kurveleshit tonë.

 

Babushi, duke ditur se ditët, për shkak të moshës, i kishte të numëruara, e ndjente si detyrë me rëndësi, që nipit të tij t’i trashëgonte, jo vetëm traditat kulturën dhe zakonet e mira, por edhe pasurinë e tij. Në këto çaste, Gëzimi, atje lartë në stanin e Babushit, e ndjeu veten si në një ëndërr, sa të bukur, aq dhe të çuditshme, duke vrarë mendjen për të gjetur përgjigjen e pyetjes se, ku mund t’i kishte gjetur gjyshi i tij këta florinj. Ishte Babushi, ai që ia zbuloi enigmën e gjetjes së kësaj monedhe ari.

Një natë dimri, tregon ai, duke shkulur pllakat e vatrës së kësaj shpelle, poshtë saj gjeta një kuti teneqeje me mbishkrimin USA, ku ruheshin të pastra këto monedha ari… Nga frika se, një ditë papritur mund të mbyllte sytë, kërkoi që nipi i tij, Gëzimi, që studionte në Amerikë, të kthehej urgjent, për t’ia dhuruar ato monedha, të cilat do t’i duheshin për mbarimin e shkollës. Sapo Babushi e mbaroi amanetin e tij të fundit, dha shpirt. Nipi i tij, Gëzimi, për të dhënë lajmin e hidhur të vdekjes së Babushit, zgjodhi si simbolikë të rrallë tingujt e ëmbël të zileve dhe këmborëve, të cilat kishin qenë bashkudhëtarët e përhershëm të jetës së Babushit të tij të mirë.


Këta tinguj të rrallë, tepër melodiozë, do të ishin kënga më e bukur që do përcillte Babushin, këtë blegtor të rrallë të labërisë së Kurveleshit, tamam si një “perandor” në “perandorinë” e pavdekësisë së tij të përjetshme. 

Tregimtaria e Avdulla Kënaçit ka vite që tërheq edhe vëmendjen e kritikës letrare, brenda dhe jashtë vendit. Shkrimtari, Thanas Medi, i cili sot punon dhe jeton në Greqi, pasi ka shfletuar librat e tij me tregime dhe novela shkruan: “Proza e Avdulla Kënaçit tërheq me të qenit e vërtetë, jetësore dhe e gjallë. Endur me fjalën e zgjedhur artistike, pasuruar nga lokalizma, që veçse i bëjnë nder gjuhës dhe letërsisë shqiptare…”. I tillë është narracioni i Abdulla Kënaçit. Për të mjafton thelbi i një ngjarjeje reale. Pasi e fut atë në avëlmendin e trillit të tij krijues, prodhon një art me vlera universale, i cili lexohet me kërshëri nga lexuesit.