- Gazetari i RTSH Gjirokastrës e paraqit fshatin Selckë minoritet grek –
Të marrësh guximin e të shtrembërosh autoktoninë e një fshati nuk është vetëm marrëzi, por një veprim i qëllimshëm, skandal, aq më tepër të ekspozosh idetë e tua dashakeqe në media. Pas këtij veprimi lindin shumë pikëpyetje; je mercenar i paguar, je shpifës profesionist dhe antishqiptar, apo injorant?
Nëse autori i këtij dokumentari 60 minutësh do të ishte me
origjinë diku nga Veriu i Shqipërisë, ose Kosova, edhe mund të ngatërohesh
ngaqë Selcka aktualisht bën pjesë administrativisht në Bashkinë minoritare të
Dropullit dhe njësinë Administrative Pogon. Arsyet për bashkim me minoritetin
grek i dinë vetëm ata që e realizuan këtë mynxyrë. Një gjë është e qartë,
kjo ka ndodhur jo për shkak të shtrirjes territoriale, origjinës, gjuhës që
flasin, ose traditat e zakonet në Selckë. Ky fshat tradicionalisht është
pjesë e krahinës së Lunxhërisë, mirpo fshatrat e kësaj krahine i kanë coptuar
në tri-katër bashki. Askush nuk të jep përgjigje përse është bërë ky
veprim tinzar. Llogjikisht Selcka duhej të ishte përfshirë të paktën në
fshatrat shqiptare Suhë, Stegopul, Labovë e Kryqit me të cilat i bashkon gjuha,
zakonet, traditat, feja dhe afërsia gjeografike dhe kurrë nuk duhet të kishte
ndodhur bashkim me fshatrat minoritare greke.
Personalisht unë jam me origjinë nga ky vend, brez pas brezi. Jam
farefis me gjysmën e banorëve të këtij fshati dhe kam shkruar në vazhdimësi për
gjuhën, historikun, zakonet, këngët dhe traditat shqiptare.
Ju kujtoj se vëllezërit martirë Pandeli e Koço Sotiri që çelën
shkollat e para shqipe në Korçë, nismëtarë dhe themelues të mediave shqiptare
me gazetën “Drita” e “Dituria” në Stamboll, ishin me origjinë po nga ky fshat.
Atdhedashuria, krenaria e të qënit shqiptar është dëshmuar nga ata vetë duke u
martirizuar për çështjen kombëtare. Fjalorët enciklopedikë, librat, historiku
i krahinës, etj. e kanë pasqyruar veprën e tyre patriotike. Unë sa e kam
vërtetuar me dokumente arkivore dhe botime veprimtarinë e tyre patriotike
shqiptare, deri në sakrifikim.
Para pak kohësh u mënjanua një pllakë përkujtimore që ishte
vendosur në themelet e shtëpisë së tyre, personalisht e bëra problem. Mirë u
hoq për “shkak te punimeve”, por përse nuk u vendos përsëri!? (Tani mendoj se
edhe ky veprim ka qenë i qëllimshëm, ashtu si ky emision famëkeq
televiziv).
Përpara dy shekujsh, një Hoxhë nga Kallarati i Labërisë që mbarte
fshehurazi nga xhon turqit abetaret e para shqip të Stabollit, u sëmur gjatë
rrugës. Bashkëfshatarët e mi, në respekt të misionit të tij të shenjtë e
strehuan, e ushqyen, e mjekuan dhe e varrosën me nderime të mëdha, madje
vajtojcat e fshatit e qajtën me kuje. Te gjithë në Selckë i kujtojnë këto
vargje-vaje:
O i shkreti Babashe,
Ke njeri apo nuk ke?!|
Të varrosëm si babanë
Për ty tri kambana ranë…
Artisti i Merituar i skenës, Andon Pano, themelues i Teatrit
Kombëtar Shqiptar, i cili ka banuar në Selckë gjatë vitve 1920, dëshmon në
kujtimet e tij: “Në Selckë flitet një gjuhë shqipe e pastër dhe e
ëmbël”.
Pikërisht tani kur diskutohet aq shumë çështja
e Himarës, Kristaq Xhai i RTSH-Gjirokastra, në 60 minuta rreket i sforcuar
të vërtetojë se Selcka na qenka fshat grek. (O Zot çfarë po
ndodh kështu?!)
Fallsifikim kokë e këmbë, gënjeshtër në dritë të diellit, shërbim
që i bëhet lobeve shoviniste dhe naziskine greke nga gazetarët e paguar me
taksa të popullit shqiptar!!! Nuk ka shpifje dhe intrigë më të madhe!
Selcka është njëqind përqind shqiptare. Këtë s’e luan topi.
Nga këtu ku jetoj prej vitesh, në Boston të Shteteve të Bashkuara
të Amerikës, u indinjova pa masë dhe iu drejtova Drejtorit të Përgjithshëm të
RTSH, Alfred Peza, i cili u revoltua dhe i tërhoqi vëmendjen personelit
drejtues të RTSH Gjirokastra. Por a mjafton vetëm kaq?! Videoja u hoq nga
yortube e RTSH Gjirokastrës, por ky emision qëndron ende i ekspozuar në FB-në e
fshatit Selckë dhe tek llogaritë e disa personave të tjerë. Edhe ky veprim
është i qëllimshëm. Për këtë arsye detyrohem ta bëj publik këtë fakt antikombëtar,
pasi janë shkelur brutalisht dhe me qëllim ligjet e shtypit dhe informimit të
publikut shqiptar. (Përfytyroni se çfarë do të kishte ndodhur në një fshat tjetër).
Po kaq sa është emisioni, 60 minuta, po kaq duhet të jetë edhe përgënjeshtrimi
dhe të ekspozohen masa ndëshkuese ndaj gazetarit, i cili mendoj se nuk e ka
pasur një lajthitje të rastit, por një veprim të qëllimshëm e të mirëmenduar.
Ai nuk meriton të punojë në RTSH Gjirokastara dhe të paguhet nga
taksat e popullit shqiptar. Rrjedhimisht, ky gazetar duhet t’i kërkojë ndjesë
publikut dhe selciotëve, të përgënjeshtrojë ato çfarë ka
thënë në emisionin e tij 60 minutësh. Urgjentisht duhet të hiqet nga qarkullimi
dokumentari i mësipërm, sa më parë të jetë e mundur dhe të informohet drejt
publiku mbarëshqiptar, jashtë dhe brenda Shqipërisë.
Tani po shpreh mendimet e mia për disa çështje që u diskutuan
ne fb: Dhimitër Nanopullos (Naka) është një shkencëtar me famë botërore,
Kryetar nderi i Akademisë Shkencave të Greqisë. U propzua për President i
Greqisë, etj. Aktualisht jeton në Teksas të SHBA-së. dhe kryen
veprimtarinë e tij shkencore në Universitetin A&M. Ai është nip në fshatin
tonë, djali i Vajo Nakës që e ka shtëpinë ende në Selckë.
Nanopullo paraqitet ne video sikur është çensuruar e tani u bë ky
“zbulim” i madh. Në fakt është gënjeshtër si e gjithë videoja.
Unë kam dëgjuar për herë të parë për Nanopullo në mesin e viteve
1980. Doc. Irakli Leka te klubi i Ministrisë së Bujqësisë më tha: Nga
Selcka kanë dalë njerëz të mëdhenj si djali i Vajo Nakës që
është Kandidat për Çmimin Nobel në Fizikë. Këtë Irakliu e përsëriti edhe
ne vitin 1999 para fshatarëve tanë që ishin mbledhur për promovimin e librit
kushtuar vëllezërve Sotiri të autor Prof dr. Musa Kraja. Me sa jam
në dijeni Nanopullo ka qenë në Tiranë në vitet 90-të për inagurimin e një
Universiteti privat. Gjuhëtari, Sintaksologu i shquar nga fshati ynë Prof. dr.
Thoma Dhima, më ka thënë se në bashkepunim me Nanopullosin kishin nisur të
bënin një punim shkencor për gjuhët, por fatkeqësisht Thomai ndërrroi
jetë. Ne vitet dymijë u hap një debat i madh për origjinën e Dhimitër
Nanopullos. Në gazetat kryesore të Athinës shkruhej se ishte vllah.
Edhe historiani shqiptar i ndikuar nga këto gazeta e paraqiste si vllah në
shtypin shqiptar. Unë së bashku me të ndjerin Thoma e kundërshtuam sa
mundëm në disa gazeta. Me sa kuptohet tani gazetari u mundua ta paraqiste si
minoritar, apo dropullit. Ndoshta të shkruajnë përsëri gazetat e Athinës. Zoti
na ruaj me këto shtrembërime e fallsifikime! Për Nanopullosin është
shkruar në vazhdimësi, kudo, në libra e gazeta, fb, etj. Po kështu ky
fakt shkruhet edhe në librin me autor Dh. Margariti e doktor J.
Thanati “Selcka e Lunxhërisë”, Tiranë-2001. Në librin tim ‘Udhëtim në
Shpirtin Lunxhiot”, Tiranë - 2022, në librin e Spiro Xhavarës: “Mrekullia e
Jugut, Lunxhëria, Rëza” Tiranë - 2023, etj.
Thuhet në fb. gjithashtu se nuset minoritare të ardhura tani flenë
rehat në Shën Nikoll. Ashtu është, por ata njerëzit e mi me këto që po dëgjojnë
nuk gjejnë rehat aty në varr. Nuset minoritare na kanë respektuar se dhe
ne i kemi respektuar. Me fshatrat minoritare të Pogonit kemi kaluar si
vëllezër, kemi marrë e dhënë. Kur bëhej dasma për marrjen e nuseve, ne
shqiptarët ia mernim këngës:
E zura thëllëzëno,
moj nëno
Do ta vendos në kuvli,
moj nëno…
Kurse minoritarët vazhdonin:
Tha to vallo stin kuvli
Mori mana!
Na llalai kathe proi,
Mori mana….
Ju të paguar nën dorë e mercenarë politikë, mos u mundoni të na prishni këto lidhje të shkëlqyera shekullore, andej kufirit e këtej kufirit. Me kot mundoheni me intriga e shpifje, ne i kemi këto lidhje që kur bota është krijuar. Më jepet rasti të falënderoj përzemersisht 84-vjeçaren minoritare, nuse në fshatin tonë, që pyetjeve djallëzore të gazetarit iu përgjigj me fisnikëri selicjote, por dhe fisnikëri poliçanjote. Unë, kur të shkoj në fshat do ta përqafoj me përzemërsi për realitetin që përcolli. U tha gjithashtu në fb. se në vitin 1941 në Selckë u hap shkolla greqisht. Po u hap, se okupimi grek i mbylli shkollat shqipe. Ishte një veprim prej pushtuesi ashtu si vepruan edhe fashistët italianë që hapën shkolla në gjuhën italiane.
Kam dhe diçka për deputetët e shtetarët qe i paguajmë mirë, duhet
të mbrojnë ligjet dhe jo të lejojnë të ndodhin përpara syve të tyre si këto
veprime antikombëtare, duhet të meritojnë besimin që u ka dhënë populli., jo të
bëjnë sehir. Mirë bënë që përkedhelën bustin e Micotaqit, plakut, që nga
Kryeministri e me radhë, por shikoni edhe këto bustet tona këtej; të vëllezërve
Sotiri që nuk kanë fare, Koto Hoxhit, Urani Rumbos, Jorgo Bllacit, Çajupit,
Zhapës etj. Na bëni edhe neve rrugët, dritat dhe ujësjellësat. Mësova këto ditë
se uji i Selckës do të shkojë në Dropull me invesimet e shtetit, ndërsa Selcka
vuan për pikën e ujit. Kanë filluar punimet dhe i mbajnë sekret, gjoja Dropulli
do ta marrë ujin nga burimet e Hllomsë. Pse kështu vallë?! Gjer kur
shqiptari do të konsiderohet si i huaj në vendin e vet që në shekuj e ka
mbrojtur me gjak dhe sakrifica?!
Kostandin Mosko
Boston, MA - SHBA
===============================================================
Te nderuar lexues: Ne që komentin e zotit Spiro Xhavarës nuk e merr boksi i komenteve po e botojme ketu.
Koment mga SPIRO XHAVARA
Nuk e kam parë dokumentarin, nga i cili, me plot të drejtë, ka shpërthyer kjo revoltë dhe indinjatë e thellë e të nderuarit bir të Selckës Kostandin Moskos. Por kjo nuk më pengon t'i bashkohem pa rezerva kësaj revolte më se të drejtë e të justifikuar të Kostandinit - Koços, siç i themi e i drejtohemi vazhdimisht konfidencialisht.
Të quash fshatin Selckë fshat minoritar grek, është vërtetë një gënjeshtër e madhe, një fallsitet i plotë dhe një mohim i së vërtetës në mënyrë të qëllimshme. Ky veprim dhe ky gazetar që e ka bërë këtë shpifje, duhen të merren nën hetim, për të nxjerrë në publik kush fshihet pas tyre, qëllimi që kanë, paraja e zezë që kanë marrë për të thënë të tilla të paqëna dhe, të ndëshkohen paq për këtë. Nga na doli Selcka në mes të ditës fshat grek, kur historikisht, qysh nga lashtësia e gjer më sot, asnjë familje nuk ka qenë me origjinë greke dhe asnjë familje e person nuk ka folur greqisht, përveç kurbetllinjve që venin në Greqi dhe mësonin greqisht, që venin në Turqi dhe mësonin turqisht, që venin në Amerikë dhe mësonin anglisht? Dhimitër Nanopullos - Naka, nga babai i tij,
Vajua, është me origjinë nga Selcka. Ashtu si i nderuari mjeku Betyn i shqiptarëve, emigrantë dhe në Atdhe, Panajot Koliomihali, që nga babai i tij, Anastasi, është me origjinë nga Saraqinishta e Lunxhërisë, fshat pranë Selckës. Panajoti e ka deklaruar dhe deklaron botërisht që origjina ime nga babai, është nga Saraqinishta.
Unë që shkruaj këtë koment jetoj në Athinë dhe, ashtu si kam mik të ngushtë P. Koliomihalin, desha të bëhesha edhe me Dhimitër Nanopullosin, shkencëtarin e dëgjuar kandidat për çmimin Nobël, që për 5 vjet ishte kryetar i Akademisë greke të Shkencave. Por, përveç se kemi folur në telefon disa herë, nuk mundëm dot asnjëherë të takohemi nga afër, megjithë dëshirën e të dyve neve. Kjo për arësye të angazhimeve të mëdha të tij, si kryetar i Akademisë, si pedagog në Universitet në Amerikë dhe si studjues në NASA për muaj të tërë. Abuzimi me origjinën e tij është i qëllimshëm. Unë kam shkruar për të me respekt e konsideratë në librin tim "Mrekullia e jugut - Lunxhëria, Rrëza" tek kapitulli "Tre personalitete lunxhiote në Athinë", pra për Nanopullosin, Koliomihalin dhe Aleks Mamopullos - Mame nga Stegopuli.
Në vitet 1874 - 1891 në Qestorat të Lunxhërisë, fshat jo shumë larg Selckës, funksionoi shkolla greke e ndërtuar nga biri i Qestoratit, atëhere bisnesmen në Stamboll e Paris, Kristaq Zografo, sot i vlerësuar për bamirësinë e tij si "Pioner i filantropisë shqiptare". Po, e pranojmë, ishte shkollë pedagogjike greke, që nxirrte arsimtarë, djem edhe vajza, sepse kemi parasysh që gjuha shqipe u sanksionua në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, pra mbi 25 vjet më pas nga funksionimi i shkollës dhe 17 vjet pas mbylljes së saj. Shkolla ishte greke, po Qestorati ishte, është e do të jetë fshat shqiptar, ku asnjë familje nuk ka folur kurrë greqisht.
Edhe në Qestorat, gazetarë të ndryshëm, kanë vajtur e kanë kërkuar "gjurmë të vorioepirit" dhe, me që skanë gjetur, se çtë gjëjnë? ... kanë filmuar në mes të gurëve të qemereve të portës një gur, ku ustai grek (mbase ka patur dhe ustallarë grekë ose nga vënde të tjera që sdinin gjuhë tjetër veç greqishtes) ka shkruar emrin e tij. Pra gazetari qëllimisht, për të justifikuar shërbimin e tij ndaj atij që e ka vënë, filmon gurin e qemerit ku shkruhet emri i ustait "Kostas" dhe thotë që Qestorati është fshat i famëkeqit vorioepir. Në këtë llum ra, ndoshta pa qëllim, edhe një nga gazetarët më të shquar shqiptarë që drejton emisionin "Shqipëria tjetër". Kur pashë këto, unë i shkrova tek gazeta Telegraf shkrimin "Lunxhëria nuk është Shqipëria tjetër, ajo ka qenë, është e do të jetë jona - shqiptare", ndaj të cilit reagoi pozitivisht. Veprimi i qëllimshëm i gazetarit Xhai duhet dënuar edhe juridikisht, si fakt i gënjeshtërt, por edhe nga opinioni lunxhiot e mbarëshqiptar.
Të mos harrojmë që Selcka ka një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë dhe kulturën shqiptare. Nga Selcka janë Pandeli e Koto Sotiri që hapën shkollat e para shqipe në Shqipëri, nga Selcka kanë dalë me qindra kuadro që kanë drejtuar rindërtimin e Shqipërisë, luftën N-ÇL, etj, mes tyre 6 vetë janë me titujt Doktor Profesor, 16 vetë kanë qenë drejtorë ndërrmarrjesh e institucionesh në mbarë vendin, disa ministra, ku e fundit deri para pak muajsh ishte e nderuara Elva Margariti, Ministre e Kulturës. Por edhe sot, në Parlamentin shqiptar tre zonja deputete janë nuse në Selckë. E, të gjithë këta, e qindra si këta, duhet ta ngrenë zërin me indinjatë, ashtu si i nderuari Koço Mosko, për këtë skandal jo thjesht të një gazetari të RTSH Gjirokastër, por të vetë këtij institucioni, të cilin dikur e ka drejtuar, madje do të thoshja themeluar i nderuari Stavri Zerva, bir i Selckë
Koment mga SPIRO XHAVARA
