Friday 19 July 2024

Histori – BLUZAT E BARDHA TË GJIROKASTRËS

 - Festa e vonuar e datëlindjes së spitalit të Gjirokastrës 1923 – 2023 - 

Përgatiti: Ilirjan LLURI

Detroit, MI - SHBA


Që prej krijimit të çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës, nisi rrugëtimi i jetës së njeriut mbi tokë. Në një farë mënyre me lindjen e fëmijës së parë, lindi edhe profesioni i parë i njeriut. Ai lidhej me ndihmën që ju dha Evës, gjatë procesit të lindjes. Kështu filloi profesioni, i mjekut  gjinekolog. E përderisa nëna e parë e njerëzimit ishte Eva, “mjeku” i parë, ishte burri i saj, Adami. Pas kësaj do të duheshin shekuj që  shoqëria njerëzore të krijonte institucionet ku ushtrohet profesioni i mjekut në përgjithësi. Këto institucione ashtu si dhe njerëzit, kanë datën e tyre të lindjes. E ndjeva për detyrë të flas për datëlindjen e këtij institucioni në Gjirokastër. Shkak u bë një ceremoni e vonuar festimi

LAJMI I ÇUDITSHËM

Lajmi i festimit me një vit vonesë i 100 vjetorit të hapjes së spitalit në Gjirokastër, më befasoi. Kur këtë institucion shëndetësor edhe pak muaj e ndajnë nga 101 vjetori i krijimit, drejtoria e Spitalit i festoi 100 vjetorin?! E pakuptueshme kjo vonesë një vjeçare. Ndoshta dhe unë, ashtu si shumica e pjesëmarësve në këtë ceremoni, nuk do ta kisha vënë re këtë paradoks, nëse këtë ngjarje një shekullore, nuk do nuk do ta kisha përfshirë në idetë e kalendarit të aktiviteteve të muajit nëntor 2023.


CEREMONIA E ANULLUAR, MAJ 2023

Një nga kafenetë e mia të preferuara në qytet, pas mbylljes së asaj të Sheme Zanit në pazarin karakteristik, ishte kafja me emrin “Pisha”. Kështu e kanë emërtuar, megjithëse pema që mbulon me hije të madhe e të rëndë verandën e saj, në fakt është një pemë bredhi dhe jo pishe. Në këtë kafene më gjeti doktori i njohur Teli Gushi, i cili më vuri në dijeni se kishte dëgjuar që në muajin maj do të festohej 100 vjetori i hapjes së Spitalit. Kohë më parë kisha shprehur dëshirën që në kuadër të këtij përvjetori ti realizoja një dokumentar këtij doktori të njohur e me kontribut të çmuar. Bisedën na i ndërpreu Raqi, pronari i lokalit me mënyrën e tij të rrallë të komunikimit. Doktor, çdëshironi? …Disa vite më parë, në një darkë gazetarësh dhe artistësh, doktori që gëzon respektin e të gjithëve, na shpëtoi nga vdekja kolegun tonë, gazetarin e njohur Sokrat Papadhopulli. Nuk do ta harroj kurrë atë moment, kur ky profesionist i rrallë, e heshti alarmin dhe ankthin ndër ne, dhe ja rrëmbeu vdekjes nga dhëmbët, jetën e kolegut tonë. Pas kësaj ai na demostroi se si mund ti vinim në ndihmë një miku a shoku në se do të gjëndeshim përsëri në një rrethanë të tillë. Hapa laptopin dhe i tregova doktorit një material ku saktësohej se spitali i qytetit ishte hapur në muajin nëntor, dhe jo në muajin maj të 1923. Nuk e di arsyen se përse aktiviteti i parashikuar, u anullua. Gjithsesi përpara largimit tim në USA, njoftova dikë nga Bashkia, për të mos e anashkaluar vlerësimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për jetën e qytetit. Megjithëse sot ngjan me një këshillë, në fakt qëllimi im nuk ishte ky. Të gjithë druhen nga këshillat, por për ato kanë nevojë jo vetëm fëmijtë, por shumë më shpesh edhe të riturit. Organizimi i ceremonive të tilla festive, shoqërohet nga një sërë masash paraprake. Mënyra e organizimit sigurisht do të përfshinte edhe vlerësimin e bluzave të bardha, nga institucionet e ngarkuara me ligj për këtë detyrë. Por nuk ishte vetëm kjo. Unë dëshiroja të zgjidheshin edhe dy probleme që lidheshin me trashëgiminë; 

1-            Evidentimi i objekteve të përdorura dikur nga mjekët e këtij spitali; 

2-            Përfundimi i veprës së artit në hollin e maternitetit, që sistemi e fshehu nga sytë e publikut 40 vjet më parë.

DoktorAristotel Gushi

1      -Trashëgimia shkresore dhe material

Vite më parë, kur u zhvillua ceremoia e vlerësimit të dy mjekëve të njohur të qytetit: Vasil Laboviti dhe Vasil Jorgji me titull “Dy Vasilët”, kërkuam së bashku me bashkë-organizatorët, Piro Qiqi dhe Stefo Arseni, ndonjë kartelë mjekësore të plotësuar prej tyre. Nuk gjetëm asnjë. Me një urdhër drejtorie ishte asgjësuar gjithë materiali shkresor i arkivuar në vite. Kur nuk gjeje dot një kartelë mjekësore, imagjino të gjeje objekte të punës së tyre. Tani pas kaq viteve demokraci, kanë dalë nga përdorimi me dhjetra paisje të cilat janë zëvendësuar me të reja. Do të ishte mirë që një pjesë e tyre të ruhej e arkivohej për një muze të nesërm në qytet; “mozaik Gjirokastre”, apo edhe thjesht për një sallë muzeu brenda spitalit.          

Vasili Jorgji &  Vasili Laboviti


2 – Pikturat murale të maternitetit

Në hyrjen kryesore të maternitetit të ri, ishte parshikuar edhe realizimi i një vepre arti. Ajo i ishte besuar piktorit të njohur, “Mjeshtrit të madh” Bashkim Ahmeti. Vepra në proces, u pa nga një grup i dërguar nga Komiteti i Partisë së Rrethit, i cili nuk e “pëlqeu”, pasi pozicioni i fëmijve të pikturuar, ngjasonte me atë të ëngjëjve në ikonat kishtare. Ishte ndërhyrja e Rashide Gjinit, sekretare në Komitetin e Partisë së Rrethit, ajo që shpëtoi këtë vepër arti. U zbatua këshilla e saj;

Pikturat mural- Fëmijët si ëngjëj Ikonash

Pikturat të mos shkatërroheshin, por të mbuloheshin nga një tabele emulacioni.

Me kalimin e kohës, vepra pothuajse u harrua krejt, kjo edhe për shkak të ndryshimit të drejtimit të hyrjes për në maternitet. Bashkëpunimi me ish drejtorët e spitalit; Genci Sinojmeri e Armand Mamani, bëri që shatërvani në oborrin e spitalit dhe vepra e papërfunduar e Bashkim Ahmetit të dalin në dritë. Rizbulimi i pikturave murale u shoqërua nga dhjetra kronika televizive e artikuj në median e shkruar.

Pikturat murrale

Takimi me piktorin Bashkim Ahmeti

Ishte data 25 prill 2023 kur përmes telefonit pianistja Mimoza Çabeli më njoftoi se çifti i artistëve të njohur Ahmeti, kishte mbërritur në qytet. I takova në verandën hotel “Fantazia”. Mes shumë tematikave të trajtuara, ndalëm edhe tek pikturat murale të maternitetit. Pasi e informova për 100 vjetorin e spitalit, e pyeta nëse mund të bënte diçka për ta përfunduar veprën e lënë në mes, Bashkimi dha dakortësinë aty për aty;


Patjetër, do më duhen katër apo pesë ditë kohë. Vetëm duhet ta planifikojmë që tani.

Bashkimi prej vitesh jeton në SHBA dhe e quajta fat të madh gadishmërinë e tij. Edhe këtë bisedë e përcolla aty ku duhej, por fatkeqësisht koha tregoi se askush nuk e kishte ndërmend datëlindjen e institucionit të shëndetësisë në qytet. Por për momentin po largohem nga materniteti, por jo nga procesi i lindjes


Piktori Bashkim Agmeti


Është i njohur fakti se një pjesë e rëndësishme e trajtimit të sëmundjeve dikur realizoheshin nga mjekët popullorë. Ndërkohë procesi i lindjes, asistohej nga gra që emërtoheshin Babo. Një nga më të famshmet ndër to në qytet, ka qënë nga fisi Lani. Babo ka pasur edhe në fshatra, më rëfente doktor Filip Koti vite më parë. Injorancën e popullatës mbi dijet rreth shëndetit, doktori ma dha përmes rrëfimit të një ngjarjeje që nuk do të më shuhet nga kujtesa;


Gruaja shtatzënë që më erdhi për vizitë i kishte sqetullat e nxira. Kur e pyeta se ç’farë kishte ndodhur, më shpjegoi se shënjat i kishin mbetur nga litari. Familjarët e kishin varrur nga krahët që të binte (lindte) fëmija (fruti i dashurisë).


Familjarët u kujtuan për doktor e për spital, vetëm kur gjëndja e saj ishte rënduar. Kjo ishte njohuria mbi shëndetësinë që kishin gratë në fshatrat e Qarkut të Gjirokastrës në vitet 1958 – 1960. Pa u larguar nga atmosfera që shoqëron lindjen e një fëmije, po kaloj, në një rrëfim “për të qarë dhe për të qeshur”, të aktorit Birçe Hasko.



Doktor Filip Koti

NGJARJE REALE

E kisha vendosur, – më rrëfeu aktori i njohur, që në pushimet e verës të atij viti, të shkoja tek një mik në fshat, për më tepër që ishte martuar dhe me këtë rast edhe ta uroja. U trashëgofshi dhe me një djalë! – e urova mikun, gruaja e të cilit ishte shtatëzanë. Edhe në pushimet e verës gjatë dy tre viteve që pasuan, përsëri gruan e tij shtatzanë e gjeta përsëri. Kjo pamje mu bë më se e zakontë. Prandaj vitin e katërt të vizitës sime, mungesa e shtatëzanisë së saj, më la të befasuar. I shqetësuar dhe i bindur se patjetër diçka nuk shkonte mirë me shëndetin e gruas së re, e pyeta mikun tim: – Ka ndonjë problem gruaja juaj, që nuk është përsëri shtatëzanë? – Më në fund e morëm vesh shkakun se nga na vinte Birçe, më tha miku im i mirë.



KTHIMI I MJEKËVE PAS 1920

Mustafa Budo
Vitet e para të pas 1920 u shoqëruan me riorganizimin dhe krijimin e shoqatave të ndryshme kulturore e patriotike në Gjirokastër. Ndërkohë largimi i italianëve nga menaxhimi i qytetit dhe funksionimi de-facto i Pavarësisë së vendit, ktheu nga emigrimi disa intelektualë të larguar që në kohën e pushtimit grek të 1913. Në mes tyre, përgjatë vitit 1922 u kthyen edhe dy mjekë të njohur: Mustafa Budo dhe Hajrullah Harxhi:

Mustafa Budo erdhi nga Stambolli. Ai kishte qënë drejtor i Fakultetit të Mjekësisë Turke, profesor në Komisionin Kqyrës të Shëndetësisë së Përgjithshme dhe autor i disa librave. Shtypi i bëri jehonë kthimit të tij në Gjirokastër;

Doktori erdhi në Gjirokastër me qëllim që ti shërbejë ditët e fundit për vëllezërit e tij. Qyteti mund të mburret se ka një doktor siç kishte nevojë.

Doktori vizitonte në lagjen Pllakë. Orari i vizitave për gratë dhe burrat ndryshonte, ndërkohë që çmimi varej nga lagjet ku banonte i sëmuri.

Doktori shikon të sëmurët në shtëpinë e tij në lagjen PLLAKË pranë furrës, nga ora 1 e mëngjesit allaturka deri në orën 5 pranon burrat dhe pasdite nga ora 7 deri në 10 pranon zonjat.

Në shtëpinë e tij                                            F. 15

Në Barnasin Geutron                                    F. 25

Në çetat Dunavat, Manalat dhe Cfakë      F. 40

Në gjithë çetat e tjera të qytetit                 F. 30

Konsulta                                                           F. 100


Hajrullah Harxhi ishte një tjetër mjek që u rikthye në qytet. Atë e kishin internuar në Itakë gjatë pushtimit grek. Kur e liruan u kthye në Vlorë dhe andej emigroi drejt Stambollit familjarisht. Hajrullah Harxhi kishte shërbyer si mjek në Gjirokastër edhe para internimit dhe emigrimit të tij. Ai ishte një nga mësuesit e shkollës së parë shqipe të Gjirokastrës “Liria” të 1908, dhe banorët e vlerësonin si atdhetar dhe patriot të flaktë.

Pas kaq vjet mërgimi plot mjerime, ardhi nga Izmiri Dr. Hajrullah Harxhi, një nga patriotët dhe doktorët e mirë që ka pasur Gjirokastra. Specialist për sëmundjet e brendëshme. Shëron “sifilizin” frëngjuz me methodha të reja. Me injeksion intravenoz (brenda në damar) të barit Neo-Salvarsan 606 dhe 914.

HISTORI – MISIONI PATRIOTIK I MJEKUT

Doktor Harxhi mbërriti në Gjirokastër kur sëmundja e sifilizit në Kurvelesh ishte kthyer në një rrezik shoqëror, dhe kur tuberkulozi në Gjirokastër ishte në faza kritike. Bashkia e qytetit ende nuk kishte nxjerrë një statistikë mbi vdekjet e një viti më parë dhe sëmundjet shkaktare të këtyre vdekjeve.

Qyteti ynë është i famshëm nga tuberkulozi. Kërkojmë një statistikë të të vdekurve dhe të sëmundjeve të tyre.

Brenda një muaji doktori konstatoi gjendjen shëndetësore të banorëve të qytetit:


Në këtë vend mbase nuk mund të gjesh asnjë shtëpi, që s’ka një oftikaqar apo oftikaqare brenda. Populli është goditur në masën 50-60%

Konferenca e parë mjekësore në Gjirokastër nuk ishte thjesht një rastësi. Ajo nisi falë përpjekjeve individuale të një mjeku të talentuar dhe të njohur, i cili konstatoi me keqardhje, se kolegët e tij si shkak kryesor për çdo sëmundje, përcaktonin të ftohtin. Doktor Harxhi deklaroi:

Si doktor, si njeri, si gjirokastrit dhe si shqiptar që nuk do që ti prishet raca, vendosa të jap konferenca se si mund të ruhet populli nga sëmundjett.         


1927 - Dr. H. Haxhi ,e mësuesit e Liceut

Ai organizoi në 24 dhjetor 1922 konferencën e parë mjekësore në Gjirokastër. Ajo u zhvillua në shkollën “Drita” dhe në të morën pjesë dhjetra intelektualë të njohur. Kjo është edhe ngjarja e parë që shënon fillimin e edukimit shëndetësor të popullit jo vetëm në Gjirokastër, por jam i bindur në të gjithë Shqipërinë. Doktori trajtoi në konferencë të dhëna mbi sëmundjet kryesore që shqetësonin banorët, duke dashur t’ju vijë në ndihmë atyre me njohjen e shkaqeve që i lindnin këto sëmundje, mënyrën e përhapjes, dhe masat mbrojtëse kundër tyre. Ai foli mbi tre sëmundje: Oftikaja, Frëngjuzi (sifilizi) dhe Malarja.

           ARISTOKRACIA E MENDJES

Kaq shumë përshtypje bëri konferenca e doktor Harxhit, sa u hodh propozimi për krijimin e një Shoqërie Konferencash, e cila do të ndihmonte në organizimin e aktiviteteve në dobi të emancipimit të shoqërisë gjirokastrite. Si fillim këtë detyrë e mori përsipër pleqësia e shoqërisë “Drita”. Sipas tematikave ajo do të ngarkonte një avokat për temat që kishin të bënin me ligjet, një mjek për trajtimin e sëmundjeve, një mësues për problemet e arsimit, një tregëtar për trajtimin e gjendjes ekonomike, dhe një intelektual mbi trajtimin e lëvizjeve shoqërore të kohës. Pleqësia e shoqërisë “DRITA” besonte se roli i “aristokracisë së mendjes” (intelektualëve), në evoluimin dhe zhvillimin shoqëror, ishte parësor. Kjo ishte arsyeja që pas vitit 1920, kur vendi filloi vetëqeverisjen, kjo shoqëri filloi veprimtaritë me karakter emancipues. Koha kishte vërtetuar fatkeqësisht që në Shqipëri, një pjesë e klasës intelektuale nuk e kishte luajtur rolin e saj në drejtim të kombit. Një nga të paktët që e kishte denoncuar këtë fakt ishte Avni Rustemi. Në fjalën e tij në mbledhjen e Bashkimit të shoqërive shqiptare në Federatën “Atdheu” në Vlorë në 1921, ai deklaroi:

Klasës intelektuale i bie i gjithë faji i mjerimit dhe trazirave politike të popullit shqiptar.

Dy vjet më vonë intelektuali gjirokastrit që afroi me gjithë shpirt dijen e tij në dobi të banorëve të qytetit dhe më gjerë, ishte doktor Harxhi. Ai mori përsipër organizimin në mënyrë të 


Dr. Hajrujlla Haxhi  mes Licestëve

DREJTORI I PARË I SPITALIT

Hapja e spitalit, lajmi më i rëndësishënm për kohën, u mor vesh përpara se të botohej në shtypin shqiptar. Në Gjirokastër kishte ardhur Ismet Gega, i cili ishte emëruar nga Qeveria Shqiptare, drejtor – operator i spitalit. Të dielën e 16 shtatorit 1923, nën shembullin e doktor Hajrullah Harxhit, ai mbajti një fjalim mbi shëndetin në sallën e Klubit DRITA. Në takim mori pjesë shumica e antarëve të kësaj shoqërie. Mbërritja e Ismet Gegës në qytet do të pasqyrohej edhe në faqet e shtypit;Qeveria po çel në qytetin tonë një spital dhe dërgoi si drejtor – operator, z. Ismet Gega. Ai erdhi në Gjirokastër dhe është duke punuar për të gjetur një godinë për spitalin, për të cilin Gjirokastra ka aq shumë nevojë.
Mbërritja e Ismet Gegës nuk e pengoi doktor Harxhin të vijonte me kalendarin e tij të konferencave. Në 22 shtator ai trajtoi temën: “Higjena, mbrojtja e racës shqiptare”. Janë një sërë konferencash të tij që shoqërojnë të gjithë atë kohë që ju desh Ismet Gegës për të gjetur godinën e spitalit. Por konferenca që i parapriu fillimit të funksionit të spitalit në Gjirokastër, lidhej me sëmundjen e kohës e cila shkaktonte numrin më të madh të vdekjeve, Skarlatina.

SKARLATINA VDEKJEPRURËSE

Në vitin 1921 për shkak të përhapjes së Skarlatinës, shkollat në Gjirokastër ishin mbyllur për 15 ditë. Por kjo masë nuk u shoqërua me karantinimin e atyre shtëpive ku banonin të sëmurët. Sëmundja la gjurmë edhe në vitin 1923. Në një shtëpi brenda një dite u ndanë nga jeta dy fëmijë. Megjithëse nuk e kishin përcaktuar dot saktësisht shkakun e vdekjes, mjekët besonin se ajo ishte shkaktuar nga sëmundja e Skarlatinës. Kjo ishte arsyeja që në konferencën e nëntorit të atij viti, Hajrullah Harxhi ndau për të pranishmit të dhëna mbi vdekshmërinë që shkaktonte kjo sëmundje:

Ka një vit që sëmundja po bën dëme të mëdha në Gjirokastër, kryesisht në fëmijë. Në Tiranë ka sjellë 80% të vdekjeve, në Gjirokastër 30 – 40 % të tyre.

HAPJA E SPITALIT

Data e hapjes së Spitalit të Gjirokastrës është 15 nëntori i vitit 1923. Kjo pasi lajmi i fillimit të funksionit të tij, u botua në shtyp në dt. 16 nëntor. Ai është një lajm i shkurtër, i thatë dhe pa informacione të hollësishme mbi godinën, numrin e shtretërve dhe stafin mjekësor: Spitali i Gjirokastrës u çel për të sëmurë!

RËNDËSIA E DATËS NË NJË NGJARJE

Është e tepërt të flitet mbi rëndësinë që ka datimi i saktë i një ngjarjeje. Të gjithë jemi dëshmitarë të debateve mbi 28 apo 29 nëntorin si ditë të çlirimit të vendit. Koha e largët prej 100 vjetësh, nuk i jep të drejtë askujt të luajë me përafërsi, apo më keq akoma, me një vit vonesë, në përkujtimin e një ngjarjeje e cila është e dokumentuar dhe nuk i lë shteg hamendësimit. Dashur pa dashur përkujtimi i vonuar, e bëri spitalin tonë jo vetëm me dy data, por edhe me dy vite lindjeje… Për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht

DY VENDLINDJET E “SINAPIT”

Vite të shkuara, në oborrin e gjykatës së qytetit gjeta karikaturistin Panajot Vasili (Sinapin), dhe gazetarin e njohur Sokrat Papadhopulli. Të dy ishin të shqetësuar në lidhje me gabimin që ju kishin bërë në regjistrin e gjendjes civile. Megjithëse absurde në dukje, korrigjimi i këtyre gabimeve kërkonte zhvillimin e një procesi gjyqësor. Dua të plotësoj dokumentat e pensionit, por në dokumentet që duhet të dorëzoj, më janë shënuar dy vend-lindje të ndryshme, – njera në Gjirokastër dhe tjetra në Delvinë, më tha Sinapi. Të gjitha të dhënat e tjera janë të sakta. Hë më thuaj ti mor djalë, – a mund të lindë njeriu njëkohësisht në dy vende? Po të ishte gjallë, me siguri karikaturisti i njohur do të ngushëllohej nga fakti se, ka edhe më keq akoma. Spitali i qytetit ka tani dy data dhe dy vite lindjeje njëkohësisht. “Mos vallë përsëri nesër, dikush duhet të bredhë gjyqeve ashtu si Sinapi, për të përcaktuar datën dhe vitin e saktë të lindjes së këtij institucioni?” Po përse?! Kaq e fortë ishte arsyeja që e nxiti këtë vonesë në organizimin ceremonisë kushtuar 100 vjetorit të themelimit të spitalit tonë?

BOTIMI I NJË LIBRI

Megjithëse në dukje absurde, kjo vonesë një vjeçare u lidh me vonesën e shkaktuar nga botimi i një libri që flet për bluzat e bardha. “Arsye” e pa-arsyeshme, po të mendosh se me justifikimin e vonesës së daljes së librave nga shtëpitë botuese, mund të shtyhen ceremonitë që lidhen me ngjarje të rëndësishme të fshatit, qytetit apo vendit. Mendoni për një çast që 80 vjetorin e çlirimit të vendit të mos e festojmë në nëntor të këtij viti, por në prillin e vitit pasardhës, se po vonon shtypja e librit kushtuar kësaj ngjarjeje. Mbi jetën e spitalit të qytetit dhe mjekëve të tij, kanë botuar edhe Andrea Gudha e Laver Stroka, prandaj botimi i një libri të ri mbi spitalin nuk ishte ndonjë ngjarje e pandodhur, për të cilën mund të sakrifikohej ceremonia e 100 vjetorit të tij. Kjo është hera e dytë që “gabohet” në qytet me celebrimin e përvjetorëve, duke deformuar në mënyrë të pakuptimtë dhe vështirë për tu korrigjuar, historinë e krijimit të institucioneve. Kjo është arsyeja që shkrova mbi këtë temë. Pjesëmarrja në këtë aktivitet, të bën “legjitimues” në shtrëmbërimin e një fakti historik. Fotografitë  dhe shkrimet e shpërndara nga pjesmarrësit në këtë festë të vonuar, kanë mjegulluar ditën dhe vitin e “lindjes” së  Spitalit. Për më tepër që posteri që shoqëroi aktivitetin, nuk përmbante siç ndodh rëndom në përvjetorë, vitet që kornizojnë 100 vjetorin; 1923 – 2023. Pra ceremonia megjithë dashamirësinë që kam ndaj organizatorëve të saj, duket sikur ishte për datëlindjen e një libri dhe jo për atë të spitalit. Në opinionin tim botimi i çdo libri, është një vlerë e shtuar e trashëgimisë historike, dhe pikërisht kjo duhej të pasqyrohej në posterin e ceremonisë festive. Jo gjithmonë me një gur vriten dy zogj; edhe datëlindja e librit edhe ajo e Spitalit. Gjithsesi autorët e botimit duhen përgëzuar që kanë pasuruar historinë  e qytetit dhe të institucionit të tyre, krahasuar me shumë institucione që e kanë humbur pothuajse krejtësisht atë.

SIGURIA PUBLIKE – LIGJI SUPREM

Në fund të janarit 1924 Ismet Gega u largua nga drejtimi i spitalit dhe në vend të tij u emërua Hajrullah Harxhi. Megjithëse kishte tre muaj në funksion, spitali ende nuk ishte në gjëndje të priste asnjë të sëmurë. Salus publica e suprema lex… Siguria publike është ligji suprem. Kjo shprehje latine, ishte baza mbi të cilën e ushtronte profesionin dr. Harxhi. Ajo duhet t’ju kujtojë politikanëve të çdo kohe dhe ngjyre, ligjin kryesor që duhet të kenë parasysh gjatë kryerjes së funksionit të tyre. Kjo është arsyeja që emërimi drejtor spitali i dr. Harxhit u prit mjaft mirë nga opinioni intektual i qytetit. Detyrës humane të mjekut, Ai i dha karakterin atdhetar dhe patriotik. Ai e përcaktoi ushtrimin e profesionit të tij: mision për shpëtimin e racës shqiptare. Dhe kjo ndodhte për herë të parë. Tipare të tilla evidentohen tek ushtrimi i profesionit të mjekut në mënyrë të veçantë në kohë lufte. Ja si portretizohet ai nga shtypi i kohës:

Për shkak të zotësisë ka aritur deri aty, sa të shkëpusë edhe admirimin me të shkruar e me gojë të një profesori të shquar patolog Italian. Sa mbriti në qytet ai trazoi menjëherë ujrat e ndenjura. Bashkë me shpirtin e tij të shqetësuar, ai solli edhe mendimet e tij radikaliste mbi sistemet mjekësore. Po të ndodhej në ndonjë Qark Europian doktor Harxhi do të kishte fat më të mirë dhe më të shquar.

Kthimet e mjekëve të larguar nga Gjirokastra vijuan edhe në vitet në vazhdim. Në 1924 u kthye në qytet edhe Dr. Aleksandër AUVERBAH. Ai kishte punuar më herët 15 vjet me rradhë por ishte larguar drejt Turqisë, ku për 20 vjet punoi si mjek i Prefekturës së Izmirit.

           URIMET MERREN DHE JEPEN NË KOHË

Urimet si zakon, duhet të merren dhe jepen në kohën e duhur, pavarësisht rrethanave. Për temën që trajton ky shkrim, argumentin më të mirë për këtë gjë e gjeta në aktivitetin e mjekut gjinekolog Filip Koti. Në një artikull të gazetës “Pararoja” të Gjirokastrës të vitit 1974 përshkruhet udhëtimi i tij natën, me urgjencë drejt fshatit Zhulat. Zilja e telefonit dhe boria e ambulancës e kishin ngritur doktorin nga tavolina e shtruar për gosti. Familjarët trokisnin gotat për tridhjetë e shtatë vjetorin e lindjes së tij, ndërkohë që ai udhëtonte drejt fshatit. Ai e “harroi” datëlindjen. Mendonte për një datëlindje të re, numërimi i së cilës fillonte nga zeroja. Tek një lindje, ku fati e mbante jetën të “varur” në fije të perit. Vetëm kur lindja përfundoi me sukses dhe jeta e nënës dhe fëmijës u siguruan, mamia Marina Gudha ju tha familjarëve: Urojeni doktorin! Ai sot ka ditëlindjen! Edhe 100 doktor! Gëzuar ditëlindjen! – u dëgjua nga të gjithë të pranishmit. Por kishte disa çaste që doktori e kishte marrë urimin e parë. Vajza e sapo ardhur në jetë dhe doktori i kishin shkëmbyer urimet 

Shkrimi per Dr, Filip Koti

MJEKËT NË TRE KOHË

Në se do të më pyeste dikush, se kë nga mjekët do të veçoja në aktivitetin e tij profesional, unë do të mendohesha mirë. Jo vetëm për shkak të njohjes së kufizuar. Por edhe sepse për shëndetin e banorëve të Gjirokastrës dhe rrethinave të saj, janë përkujdesur me dhjetra mjekë, disa prej të cilëve të njohur edhe në rang kombëtar. Por unë me njohjen time modeste në këtë fushë, do të veçoj në këtë shkrim tre prej. Ata ju takojnë tre kohëve të ndryshme, dhe kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë kolektive jo vetëm si mjekë, por edhe si misionarë.

Hajrullah Harxhi
1922 – Hajrullah Harxhi – kontributi i tij mjekësor nis pas vitit 1905, dhe pas një mungese disa vjeçare për shkak të emigrimit rifillon sërish në 1922. Doktori e filloi profesionin me “mjekimin” e gjuhës shqipe që pushtimi otoman e la në asfiksim të plotë. Ai ishte pjesëe stafit të mësuesve të shkollës së parë shqipe “Liria” të Gjirokastrës 1908. Si mjek në 1922 ai pruri një klimë tjetër në metodat e kurimit të sëmundjeve të kohës si ajo e sifiizit. Ai mbetet mjeku i parë që filloi punën për edukimin shëndetësor të popullit duke filluar me konferencat publike për banorët dhe nxënësit e Liceut Francez të Gjirokastrës. Nuk e di, a e ka vlerësuar ndonjëherë vendlindja këtë mjek?

 

Vasil Laboviti
1943 – Vasil Laboviti – kontributi i tij mjekësor përmblidhet në shprehjen e njohur, “mjeku i dyzetë mijë operacioneve”. Por nuk është vetëm kjo.  Ai shkëlqeu edhe për rolin që luajti në një  ngjarje të pazakontë. Ky mjek nuk i shpëtoi banorët vetëm nga vdekja prej sëmundjeve, por edhe nga vdekja prej plumbit. Ai u fitoi vlerësimin mbarë popullor kur shpëtoi nga pushkatimi i skuadrës gjermane 80 burra në sheshin e Çerçizit në vitin 1943. Shumë vetë ja faturojnë këtë fitore  “armës” së të tij komunikimit në gjermanisht me komandantin pushtues që e kishte pasur shok shkolle, por në fakt shkaku duhet të kërkohet diku tjetër. Ai gjëndet tek besnikëria e tij ndaj betimit si mjek. Ai po kuronte në spital dy ushtarë gjermanë të plagosur në “Urën e Nanxës” të cilët kishin ardhur për të pushtuar qytetin. Mjeku gjirokastrit Laboviti, nuk i pa ata si pushtues të vendlindjes, por si pacient.

1960 – Aleksandër Kalivopulli – Mjeku që kishte shpëtuar jetën e qindra banorëve të rajonit jugor, duke fituar vlerësimin dhe mirënjohjen e tyre maksimale, në shenjë proteste për dënimin dhe burgosjen e padrejtë, u vetëflijua përmes grevës së urisë. Vetëflijimi si veprim është i dënueshëm edhe nga feja. Sigurisht që mjeku e dinte këtë gjë më mirë se kushdo. Por ky mjek kurajoz që kishte shpëtuar me qindra jetë njerzish, madje edhe në burg, mori vendimin ekstrem kundër jetës së tij. Ishte hera e parë dhe e fundit që ai po vepronte kundër betimit si mjek. Mos vallë e donte më pak jetën e vet nga ajo e të tjerëve? Jo, ky është rasti kur veprimi i vetë-flijimit shihet si veprim misionari. Vetë-flijimi në këtë rast është protesta kundër padrejtësisë. Në pamundësi totale, ky ishte veprimi i fundit i protestës individuale të doktorit ndaj diktaturës. Për këtë mjek të flasin më dashuri edhe sot në qytet. 

Aleksandër Kalivopulli

Mjekët e spitalit kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në emancipimin e shoqërisë gjirokastrite. Një pjesë e madhe prej tyre, kishin pasion artin, sportin, peshkimin dhe gjahun. Emrat e doktorëve Drago Vojusheviç e Vaso Zhushti na kujtojnë pasionin e tyre për gjahun. Emrat e doktorëve Andrea Gudha, Teli Gushi dhe Igli Kokalari, na kujtojnë pasionin e tyre në fushën e muzikës. Ndjesë që nuk i përmend dot të gjithë me rradhë. Por duke qënë kaq të njohur e popullorë, një pjesë e mjekëve në disa raste u goditën nga diktatura. Këto ngjarje lanë gjurmë të trishta në jetën e qytetit.

MBYLLJE

 Vonesa në festimin përvjetorit të hapjes së spitalit më risolli edhe njëherë në kujtesë sqetullat e nxira të gruas shtatëzanë, që kishte vizituar doktor Filipi në vitet 1960. Mbajtja “varur” e festimit të këtij 100 vjetori, u shoqërua nga “shenja të mavijosura”. Ato i gjen në rrjete e media sociale, që një zot e mer vesh në se do të korrigjohen ndonjëherë. Gjykova se ky sqarim ishte i domosdoshëm. Më së pari ai është bërë për vlerësimin dhe konsideratën që unë kam për mjekët e qytetit tim, të cilët plot përkushtim e profesionalizëm na kanë dhënë shpresë dhe jetë, në çastet tona më të vështira, por edhe informacion të shpejtë dhe profesional në përmbushjen e detyrës së gazetarit. Por mbi të gjitha ky shkrim është mirënjohje dhe respekt për doktor Filipin i cili e përkëdheli me duart e tij ditën e parë të foshnjërisë së brezit tim. Mirënjohje dhe përulje e thellë në nderim të kontributit të ish mësuesit të shkollës së parë shqipe “Liria”, doktorit Hajrullah Harxhi, misioni i të cilit ishte; “shpëtimi i racës shqiptare”. Sa afër apo larg këtij misioni është mjekësia sot në Shqipëri, këtë e lë në gjykimin e secilit prej jush?

 

Ilirjan LLuri – Korrik 2024









No comments:

Post a Comment