Wednesday, 22 April 2020

Sot 22 Prilli - Dita Ndërkombëtare e Tokës

nga:  Kristo KAURI
Ing Pyjesh & Publicist
SARANDË



Kristo KAURI
22 prilli është kthyer në një ditë, ballafaqimi, veprimi, që synon të ndryshojë sjelljen njerëzore, strategjitë, modelet, për një mjedis më të pastër, per një Tokë më të shëndëtshme dhe të pasur. Në gjithë këtë rrugétim të njeriut, që kur shkeli këmbën mbi këtë TOKË, janë identifikuar mbi 400 mijë specie bimore, nga të cilat rreth 30 mijë janë njohura si specie te ngrénshme. Vetë njeriu për t’u ushqyer, kryesisht ka përdorur rreth 6 mijë specie, dhe në këto njëqind vitet e fundit, e ka përqëndruar dhe reduktuar ushqimin e tij në vetëm 150 specie!???.

Eshte fakt, dhe këtë duhet ta njohim mirë, që Planeti Tokë, po përballet me rrezikun e madh te zhdukjes së specieve. 
Shkencetaret nuk kane asnje pike dyshimi, per situaten kritike qe ndodhet Planeti. Ka vite qe ata kane leshuar sinjalin SOS. Vetem nga viti 1992 jane shkaterruar rreth 11,4% e mjediseve te virgjera, zhdukja e specieve eshte shtuar 1000 here, jane zhdukur 12 % e shpendeve, 23% e gjitareve, 90% e peshqeve, 42% e specieve.....
Toka po perballet me probleme serioze te shkaterrimit dhe zvogelimit te saj. Aktualisht shfrytezojme vetem 3/4 e siperfaqes se saj. Ky shkaterrim i biodiversitetit, nuk eshte rregjistruar asnjehere. U prishen ekuilibrat, u shtuan fatkeqesite natyrore, viruset, u demtua rende bujqesia, struktura ushqimore, u demtua turizmi .....me pasoja te pallogaritshme per ekonomine. 

Sipas shkencetareve, virusi Covid 19, mund te jete vetem maja e ajsbergut, pasi vete njerezit po krijojne kushte te pershtatshme per zhvillimin e pandemive, duke prishur dhe zvogeluar barierat natyrore . Toka eshte djepi i te gjitha gjallesave.. Shtresa e saj jetesore ndertohet me shume veshtiresi. Qe te formohet nje shtrese rreth 1 cm toke me humus ( toke e gjalle), duhen rreth njemije vjet. Nese nuk e mbrojme kete toke, kjo shtrese do te shkaterrohet shume shpejt, brenda disa sekondave. Duke hequr mbrojtesen e saj, mbulesen e gjelber, druret dhe shkurret, duke zbatuar modele jo te qendrueshme, ne e shkaterrojme ate, e varferojme , e skeletojme, duke vrare jeten e saj, duke shkaterruar aftesine e saj per t’u riprodhuar. Sipas studimeve, per njesi te siperfaqes ne harxhojme vetem 1 dollar per ta mbrojtur token dhe 13 dollar per ta demtuar(Pesticide, insektcide,plehra kimike..)
Ne Planetin Toke, gjallojne, banojne, dhe ushqehen miliarda qeniesh te gjalla, flore dhe faune Ne nje grusht toke me humus, toke e shendetshme, rezulton se ka me shume mikroorganizma ,se sa ka njerez ne Planetin Toke. Duke perdorur vend e pa vend sasira te medha plehrash kimike dhe insekticide, ne i vrasim keta ushtare te dobishem te tokes.

Toka te shendetshme rrisin dhe ushqejne njerez te shendetshem.  Kombet dhe qeverite e tyre, veçohen dhe dallohen nga menyra se si e trajtojne Token dhe Mjedisin . Gjithe vemendja e vendeve te civilizuara eshte perqendruar ne shendoshjen e Tokes. Investimet kryesisht jane perqendruar ne sherimin e tokes dhe jo te njerezve, jo harxhime kolosale ne spitale, eshte perqendruar ne modele zhvillimi dhe menaxhimi te qendrueshme te Tokes.

Kjo eshte shume llogjike, se nje mjedis dhe Toke e semure, e bombarduar me plehra kimike, me insekticide, pesticide, me mbeturina, ndotje.... do te rrisi dhe ushqeje njerez te semure, me viruse, gjaknxehte, pa deshire per jeten, njerez gjithmone te gatshem per braktisjen e tokes dhe vendit te tyre. Dhe e kunderta, nje mjedis i shendoshe, nje Toke e shendoshe, do te rrisi dhe ushqeje njerez te shendoshe, vital, plot deshire dhe energji per jeten.
Qe te realizohet kjo, kerkohen ndryshime drastike ne çdo gje, ne menyren e te menduarit, te vepruarit, ne modelet dhe format e jetes. Te gjitha keto duhet te mos perballen, dhe te mos demtojne aftesine e perhereshme te natyres, te Tokes, te mjedisit per te patur Jete.

Ne kete Dite te Tokes, u kerkohet njerezve te mbrojne me çdo çmim Mbreterine e Gjelber, mjedisin, u kerkohet rritja e vetdijes, e dashurise, respektit ..., per mbrojtjen e Natyres. Kerkohet vendosja e politikave, strategjive per zhvillimin e qendrueshem ne çdo hap dhe ne çdo aktivitet.
Vendi yne ka nje potencial dhe diversitet te larte biollogjik, rreth 7233 lloje flore bimore dhe 5438 lloje faune. 
Çdo projekt zhvillimi dhe zbatimi, sado i thjeshte qe te jete, duhet te gjej ekuilibrat jetesor midis mbrojtjes se natyres, mjedisit, tokes, dhe Zhvillimit te Qendrueshem.
Duhet te jete Mjedisi, Toka, Pylli...qe perfundimisht percakton dhe lejon zhvillimin, duhet te jete kapaciteti mbajtes i mjedisit qe do te thote fjalen e fundit, per lejimin e investimit.
Cristiana Palmer, udheheqesja e Sektorit te Biodiversitetit ne Kombet e Bashkuara, terhoqi vemendjen qe te mos ndodhi Kolapsi i Ekosistemeve:

“ Shkaterrimi i biodiversitetit eshte nje vrases i heshtur. Bota duhet te arrije nje marreveshje te re per natyren brenda dy viteve te ardhshme, ne te kundert, njerezit do te jene nder speciet e para qe do te rrezikohen nga zhdukja.”
Planeti ka kohe qe ka filluar te flasi, mbi 100 vjet, por kete radhe e ka shume seriozisht.  
Ne nuk kemi alternative tjeter, Ai duhet degjuar me shume vemendje dhe respekt!
Qyteti i Sarandës, natën

Tuesday, 14 April 2020

E GEZOFSHI LIRINE!

Meditim
nga: Selman MËZIU
Firence, Itali
          Sa e shtrejtë qënka liria. Sa ngrohtesi në shpirt të mbillka ajo. Sa të gëzon, çliron ndjenjat, mendimet, poret e gjithë trupit. Nga kjo këputje vargonjsh ngujimi, vjen lirim i energjive pozitive. Kënaqësia shton metabolizmin e qelizave trupore. Udhëtimit në mes peisazheve ku gjethet sapo mugullonin, dejet trufullojn prej turrit. Drurët e lulëzuar jetonin qetësisht me kurorat qe ju ngjanin shqiponjave ne fluturim. Shkurret poshtë tyre buisnin lule gjithë ngjyrshe.

          Ndërsa autoastrada me gjashtë korsi ndriste nga rrezet mëngjezore të diellit. Lëvizjet ishin të kursyera. Ndonjë makinë policie që lëviste me shpejtësi. Kur i shikoja drithërimat më vinin në trup. U çlirova, u gëzova me pamjet e natyrës që buzqeshte. Ecim, vështrojm plotë kënaqësi, relievet e përthyeme me ngjyrat e pranverës. Jargavanët e sapo çelur na dhuronin pamje mahnitës. Unë përfytyroja aromën e kandshme të tyre. Sigurisht, kuptoja thellë në shpirt, se sa e çmuar qenkërka liria. Të jepka fletë me fluturue.

          E përsëri me kujtohet mbyllja katër qosheve të shtëpisë. Fëmijët fytyrë zymtë që nuk shikojn buzëqeshjen e prindërve. Shërbetorët me bluza të bardha që vuajn e ju brengoset shpirti me të sëmuret. Sot janë me qindra mijëra që lëngojn nga dhimbjet. Peisazhi i tyre i mbytur nga bluzat e bardha, ndrydhja, britmat e vdekjes. Zhurma e sirenave të ambulancave më copton shpirtin. Nënat të sëmura nga virusi vujan dhimbje therëse, por i gëzohen fëmijës të sapo lindur. Një njeri i çliruar, i lirë, i shtohet botës së sëmur. Jeta ka shpresën e vazhdimësisë.

          Lirinë kush m’a rrëmbeu mizorisht. Atë që unë shumë e çmoj. Dikush i veshur me kostumin e qeveritarit. Ndokush që hëngr një lakuriq nate. Apo një tjetër që bënte shkencë, Ai i flamosur, fluturoi. Në hapsirë. Virusi i padukshëm fitoi lirinë. Doli nga epruvetat e xhamta. Hyri në mushkrine njeriut , një , dy, tre ... U vet burgos. Por na doli djallëzor. Aty u shumua. Gjeti inkubatorin. Çfarë fati! Njeriun e lodhi, e sëmuri. i shkaktoi dhimbje të forta. Spitalet u mbushën. Virusa të tjerë fitonin lirinë. Të vegjël e të mëdhenj. Femëra e meshkuj, fëmijë, nipër, mbesa dolën në ajrin e ndotur. Përsëri gjetën folenë te mushkëritë e të tjerëve, po aty ato krijuan familjen. Përsëri dilnin nga ngujimi e kështu në pafundësi.

          Virus me tentakula të helmta, ngujoji miliona e miljona njerëz. Teknologjitë elektronike nuk po e mundën dot. Ai i ngujoi. Ju mori diellin, ajrin, edhe ushqimin. E futi njerëzin në shishe. Çfarë fapkeqësie! Sa turp për teknologjitë moderne! Shkenca po punon thonë. Pa çka se vdesin mijëra njerëz në ditë.

          Sigurisht kush çlirohet prej tijë, gezohet. Unë e munda. Por jemi pak njerëz që e kemi fituar. Une dua t’i shkallmojme prangat e këtij helmi. Ky na idhëtoi shpirtin, jeten. E une dua që lirine t’a fitojm të gjithë. Të lëvizim, të shohim natyrën. Të prodhojm. Të punojm për të jetuar. Lirinë e fitova, por, dua të mësoi të vërtetën. Nga u gjet ky virus që po merr nëper kamb një botë të tërë? Mos valle e shpiku vetë njeriu në laborator? Apo njerëzimi me shkatrrimin e mjedisit natyror i krijoj kushte shumimi? Kur të fitojm lirinë të gjithë. Kur të gëzohemi e këndojm çlirimin, do t’a gjejm fajtorin. Se paku kështu mendoi unë.

Firence 14. 04. 2020 S. Meziu



Wednesday, 8 April 2020

NJË BUQEDË LAMTUMIRE PËR MËSUES JANI DEPON

-Virusi i rezikshëm, Covid 19, i mer jetën edhe një shqiptari në Çikago -


nga: Fuat MEMELLI
gazetar 
Boston, MA- SHBA 

Jani DEPO
Jani Depo, me origjinë nga Sinica e Devollit, por që prej 20 vjetësh jetonte në Çikago, ishte një nga viktimat e fundit të virusit të rezikshëm që ka pushtuar botën. Mes dhimbjesh, njoftuan këtë lajm të trishtë bashkëshortja e tij, Arthimija si dhe tre vajzat: Mirela, Albana dhe Edlira. I shtruar prej prej 12 ditësh në spital,  nuk mundi ta përballojë sëmundjen 86 vjeçari, Jani Depo. Kishte patur edhe probleme të tjera shëndetësore si në zemër e mushkëri, të cilat ia rënduan gjendjen. Ndarja e tij nga jeta, pikëlloi jo vetëm familjen por edhe plot miq  e shokë.  Trishtoi gjthë sinicarët në Shqipëri e nëpër botë, të cilët i shprehën ngushëllimet familjes. Trishtim të veçantë ndien ish nxënësit e tij të shumtë, të cilëve ai u kishte dhënë mësim, pasi mësuesi është prindëri i dytë për nxënësin.
Jani ishte i pari ndër pesë fëmijët që kishin prindërit. Babai i tij, Llambi, i la jetim kur Jani ishte 16 vjet dhe iu desh të mbajë peshën e gjithë familjes. Pasi studjoi për mësuesi Tiranë, filloi rrugën e gjatë e tij si mësues e cila vazhdoi  37 vjet. Ajo ze fill  në fshatrat Dunicë dhe Slabinjë të Pogradecit. Më pas në Bradvicë, duke vazhduar në Menkulas e Miras të rrethit të Devollit, ku në këto dy shkolla ka qënë drejtor. Rruga e mësuesisë mbyllet në vendlindje, në Sinicë, ku dha mësim 19 vjet, deri sa doli në pension në vitin 1989. Në Sinicë ka dhënë mësim edhe bashkëshortja e tij, Arthimija. Të dy e lidhën jetën me arsimin. Janë me qindra nxënësit që mësues Jani i ka dhënë mësim. Ata e kujtojnë për përkushtimin e tij, për dashurinë që kishte për ta, për dijet që u dha. I janë mirënjohës mësuesit të tyre, pasi dija është “pashaportë” në rrugën e jetës. Në atë “pashaportë” diturie, krahas mësuesve të tjerë, është edhe emri i mësues Janit.
Në vitin 2000, ai vjen në Çikago bashkë me familjen. Në këtë qytet kishte plot familje me origjinë nga Sinica e Qyteza, pasi ka qënë qendra kryesore e emigracionit të këtyre dy fshtarve të Devollit. Edhe këtu ai nuk ndenji mbyllur në shtëpi. Takohej me miq e shkokë  ku flisnin për vëndlindjet e tyre e për Shqipërinë, pasi atdheu është vendi ku rrobërohet shpirti. Librin e lapsin nuk e hiqte nga dora. Vajza e tij Edlira, tregon se ai lexonte, shkruante dhe bënte reçenca për librat e shokëve. U mësonte mbesave e nipit të shkruanin e të lexonin gjuhën e bukur shqipe, i mësonte këngë e valle shqiptare. Bashkëfshatari i tij në Çikago, Perikli Sulari, tregon se  për disa vjet me radhë Jani ishte në kryesinë e Shoqatës Sinicare “Përparimi”, e cila si mision kryesor ka patur dhe ka ndihmën për vendlindjen. Jani qe një nga veprimtarët kryesorë të saj. Kjo shoqatë ishte krijuar para 90 vjetësh nga emigrantët sinicarë të Amerikës dhe e kishte qendrën në Çikago. Veprimtaria e saj u përtëri pas viteve ’90, kur aty erdhën edhe disa familje sinicare. Mitropoliti Ilia Ketri me origjinë nga Sinica por i lindur e ritur në Amerikë e që ka shërbyer disa vjet në kishën e Shën Kollit në Çikago, thotë se Jani ishte një nga besimtarët më të regullt të kishës. Më bënin përshtypje njohuritë dhe kultura e tij. Këto i kam vënë re në bisedat me të si dhe në fjalën e mbajtur prej tij në 65 vjetorin e shkollës fillore dhe 40 vjetorin e shkollës 7 vjeçare së Sinicës, fjalë e cila është pasqyruar e plotë ne librin e Perikli Sularit për Sinicën, thekson Hirësi Ilia. Ish nxënësi dhe e pastaj kolegu i tij në shkollën e Sinicës, Stavri Dimashi, thotë se Jani ishte një mësues e koleg shëmbullor dhe i kudondhur për fshatarët, në gëzime e hidhërime.
Ai ishte edhe një bashkëshort e prind shëmbullor. Tok me bashkëshorten, ritën dhe edukuan tre vajzat e tyre, të cillët vazhduan studimet dhe u bënë njëra më e mirë se tjetra. Për Jani Depon, mund të flitet shumë. Por, më tepër se unë, kanë folur bashkëfshatarët e miqtë e tij si dhe ish nxënësit në mesazhet e shumta të ngushëllimit e vlerësimit për figurën e tij. Në këto kohë virusi, kur njerzit janë të ngujuuar, nuk do t’i jepet dot lamtumira e fundit, ashtu siç e ka zakoni shqiptar. Le të jenë këto rradhë një buqedë lamtumire për mësues Jani Depon. Ngushëllime bashkëshortes Arthimi dhe tre vajzave: Mirela, Albana e Edlira, vëllait Koci, nipit e mbesave! U prehtë në paqe mësues Jani!.

KOHA PËR NJË “PATRIOTIZËM TË GJELBËR”

Përshtatja e bujqësisë shqiptare në situatën e jashtëzakonshme 
 globale e shkaktuar nga  Virusi, COVID -19. 
Mendime nga  Prof. Ass. dr. Enver Isufi, Instituti për Bujqësinë Biologjike, Durrës

Intervistoi : Enver SHEHU
gazetar, TV APOLLON
FIER


Enver Shehu – Pyetje:  si e vlerësoni këtë situatë të pazakontë globale  e cila është  shkaktuar nga sëmundja  virusale  COVIT 19   dhe si duhet të përshtatet bujqësia jonë kësaj emergjence?
Enver Isufi -Po është  e vërtetë që kjo sëmundje nuk ka prekur njerëzit e një ose disa komuniteteve, por ka vënë para rrezikut jetik  të gjithë njerëzimin, të gjithë banorët e globit
Tani është koha të gjejmë zgjidhje të shpejta  dhe jo të bëjmë  si ai babai me fëmijën e tij në liqen.
E. Shehu, Si është ajo fabul?
E. Isufi. Një fëmijë  kishte hyrë në një rezervuar  uji për t'u larë  dhe pasi hyri thellë gati po mbytej dhe thërriste ndihmë, ndihmë!.
Babai rrinte në breg the e kërcënonte nga larg fëmijën duke i thënë; sa herë të kam thënë mos hyr në liqen, sa herë të ka këshilluar nëna jote, të rraha  një ditë kur hyre pa leje !! 
Fëmija nga  ana e tij thërriste  atje në ujë: - baba, eja më shpëto se po  mbytem, pastaj më rrih sa të duash.
Pra jemi në kohë kur duhet të shpëtojmë njerëzit nga sëmundja  dhe nga kriza ushqimore.
Kjo është e domozdoshme,  se mbasi të mbarohen rezervat tona dhe të botës, në mos  nuk do ketë krizë ushqimore globale, me siguri do të ketë rritje ҫmimesh, prandaj nuk duhen shumë filozofira nga erdhi  dhe si erdhi virusi, por si të zgjidhim problemin e sotëm dhe për vitet që vijnë. 
Kjo situatë ka nxitur instiktet e  vetëmbrojtjes.
Personi po mendon për  vetëmbrojtjen e tij, kryefamiljari për vetëmbrojtjen e familjes,  dikush për mbrojtjen vetëmbrojtjen  e komunitetit, vetëmbrojtjen e vendit dhe të shtetit, kjo sepse rreziku  është real, të cilin po  e përjeton si të tillë e gjithë bota.
Të gjithë janë në kulmin e frikës, vetëm natyra jo.
E. Shehu, Çar doni të thoni me këtë ?
E. Isufi. Vetëm natyra dhe mjedisi  ndihet shumë më të relaksuara.
Janë në festë dhe me pushime:  pyjet, kafshët, bleta, ujrat, ajri, mineralet nëntosore, kafshët e detit, madje edhe klinikat  dhe spitalet e traumeve nuk kanë pasur  pacientë  të aksidentuar në rrugë  dhe në punë.
Paksimi në maksimum i veprimtarisë së njeriut e ka lehtësuar natyrën.
Do behën studime  edhe për këtë aspekt gjatë krizës, por  sidomos pasi kjo të kaloi.
Është një moment kur njerëzimi dhe politika globale ti bëjë një analizë vehtes dhe të dizinjojë  strategji të reja më të qëndrueshme dhe miqësore si për paqën ndaj natyrës  dhe për paqën sociale në përgjithësi.
Njeriu e ka menduar  dhe mendon se ka ardhur mbi glob  për të  sunduar dhe jo për të jetuar si pjesë e ekosistemit të madh natyror. 

Ngrohja globale  e shkaktuar kryesisht nga keqpërdorimi i natyrës nga njeriu,  janë shkaqet kryesore që edhe natyra po reagon për mbrojtjen e vehtes, por ndryshe nga natyra, asaj mund  t'i dëmtohet bukuria, por aspak mbijetesa, njeriut i  rrezikohet mbijetesa.                  
Tani ti përgjigjemi pyetjes tuaj.
Objektivi kryesor i bujqësisë tonë  është sigurimi i sasisë  dhe cilësisë  së prodhimit bujqësor dhe blektoral.
Kjo do të zgjidhë :
1. Sigurimin e sasisë  së ushqimit për popullsinë, për të krijuar sa më shumë pavarësi ushqimore.
2. Shtimi i eksportit për të fituar burime financiare.
3. Kufizimi i importit duke kursyer burime financiare.
4. Diversifikimi i grupeve të interesit  në menaxhimit e prodhimit  bujqësore
E. Shehu. Çfar taktika  dhe strategji  duhet të bëjmë që të sigurojmë vazhdimësinë  e prodhimit bujqësor ?
E. Isufi. Fillimisht le të bëjmë një përshkrim të grupeve të interesit që meren me bujqësi .
Sot ka  disa grupime kresore  të prodhimit bujqësor
Grupi i parë i prodhuesëve  janë ato  të cilët  për kushtet e Shqipërisë mund ti quajmë prodhues të  mëdhej,  të cilë prodhojnë për tregun e vendit dhe për eksport.
Grupi i dytë  ai i prodhues të mesëm, gjithmonë për kushtet  e Shqipërisë  të cilët mbi 50 % e prodhimit e ҫojnë në tregun vendas                     
Unë propozoj që të diversifikohen grupet e prodhuesëve,  ose me fjalë të tjera të shtohen grupet e interesit  si më poshtë :
Unë mendoj se duhet të rrisim dhe të kristalizojmë edhe disa grupe të tjera të interesit, të cilat deri më  sot ose janë të dobëta ose nuk ekszitojnë fare.    
Këtu do të përmendja fermerët shumë të vegjël  të cilët janë ata që prodhojnë për konsumin familjarë  dhe rreth  20 %  e shesin në treg.
Bahҫet fshatare të cilat nuk dalin në treg. Ato të cilat kanë   qoftë nga 300 -500 metra  (pra nën sipërfaqen e një fermeri të vogël)
Këto dy grupe duhet të nxiten të  punojnë tokën  dhe të mbjellin  për  nevojat e veta  produkte të tilla  si; perime, fruta, fasule, patate, perime të dyta gjethore, presh, qepë,  spinaq sallatra, hurdhara, erëza guzhine,  etj.   kjo për nevojat e veta familjare .                                          
Kopështe dhe  bahҫet në qytete.
Kjo është bujqësia qytetare, ose  siҫ quhet  bujqësia urbane. (kërkoni në internet në adresën “Urban agriculture” do të shikoni  se ҫfar mrekullish bëjnë banorët e qyteteve atje për prodhime bujqësore të freskëta.  
Podhohen perime  në ҫdo cep toke bosh, në  taraca e  oborre, ballkone, të cilët  kanë madhësi të mjaftueshme.
Kopështe në fshat të menaxhuara nga banorët e qytetit.
Kjo tokë u jepet bonorëve nga qyteti dhe ata i menaxhojnë vetë. Shteti, pushteti lokal  u jep  toka  në përdorim  deri në një një periudhë të caktuar  3-5 vjet.
Kjo sipërfaqe të merret  sipas dëshirës së qytetarëve dhe kjo  mund të jetë 2-3 dynym. Këto prodhojnë për nevojat familjare. Ajo sasi produkti  që u tepron ja shesin fqinjëve ose në treg.  Në qytete  e Europës këta quhen “Hobby garden”
E. Shehu: Si mund të nxiten këtë mikropodhues të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale?
E. Isufi: -Duke  i dhënë fidana dhe farëra falas ose  me gjysëm ҫmimi.
- Duke i ndihmuar me asistencë teknike. Specialistë të bujqësisë të ngrenë shoqata të prodhimit të vogël familjar.
- Këto trajnohen me kurse  dhe asistencë teknike edhe nga agronome në pension.
- Ndihmohen me vegla të thjeshta bujqësore ( bela, lopata, kepa, plasmas, dhe inpute  me gjysëm ҫmimi  ose  ato mundet  ti blenë vetë. 
- Ndihmohen me tuba vaditëse,  me tuba plastike për sistemin ujitje, plasmas për mikro serra, plehra, teknika kompostimi të plehrave organike.
- Bujqësi e biznesit jo bujqësor.
Biznesmenë  që deri më sot nuk janë marë me bujqësi mundet të marrin toka me qera dhe të prodhojnë për tregun vendas  dhe për eksportin.
Ky mund të jetë një burim i prodhimit të madh, sepse ato mund të menaxhojnë sipërfaqe të mëdha toke.                                    
 - Bujqësia  e komunitetit . 
Ngritja  e bujqësisë së komunitetit nën menaxhimin  e Njesive Administrative  dhe  Bashkive. Në tokat shtetërore zgjidhen parcela të mëdha për ti futur në prodhim.
Këto struktura pajisen edhe me mekanikën  bujqësore të komunitetit. Këto punësojnë edhe punëtorë  dhe agronomë, me kohë të plotë ose me kohë të pjesëshme
E. Shehu: Çfar mund të mbillen në këto toka ?
 E. Isufi: Po, pyetje e drejtë. Edhe në këtë drejtim duhet diskutim mes specialistëve. Unë mendoj se këto njësi  mund të prodhonin misër, fasule, patate dhe jonxhë për të ndihmuar blegtorinë  e komunitetit të cilët kanë pak tokë. Familjet e ndihmuara me ushqim për blegtorinë, tokën e tyre që e kanë caktuar për forogjere  e mbjellin me perime. Si bimë të dyta mund të mbillen perime gjethore si lakra, lule lakra, brokël, presh, qepë, etj.
Në këto njësi të prodhimit bujqësor për komunitetin punësohen punëtor  dhe specialist bujqësie. 
Këto njësi prodhimi të kenë  edhe mekanikën  bujqësore të komunitetit.                    
Shkollat të ngrenë kopshte, serra dhe parcela prodhimi  për prodhimin e produkteve. Ato tokën  ose mund ta kenë veta ose  e marrin në përdorim nga  komunat përkatëse.
E.Shehu. Po në lidhje me sistemet e bujqësisë, kujt duhet me i dhënë përpasi ?
E. Isufi: Kjo është një pyetje shumë me vend.
Na duhet të shtojmë sipërfaqet e  bujqësisë biologjjike  dhe bujqësisë Integruar, Global GAP, të rritet sipërfaqja e bujqësisë së ҫertifikuar në përgjithësi.
Kjo na jep këto përparësi;
- Rrisim sigurinë ushqimore për konsumatorin tonë.
- Rrisim shancet për eksport.
- Nxisim agrotuirizmin.
- Ruajmë mjedisin nga mbetjet kimike të dëmshme për njerëzit dhe biodiversitetin. Kemi rrastin ta bëjmë këtë kthesë.
- Rrisim rolin e shkencës aplikuar në Shqipëri.
- Rrisin rolin e shërbimit Këshillimor në bujqësi.
E. Shehu: Cilat burime të tjera mund të përdoren më mirë se deri tani?
E. Isufi -Disa prej tyre mund të jenë.
- Prodhim peshku  në rezervuaret e ujit  dhe basenet  për prodhimin e peshkut.
- Rritja e patave dhe rosave  ku ka burime uji.
 -Prodhim  vezësh dhe mishi nga pulari të vogla 
Këtu privatët dhe shteti mund të gjejnë pika bashkëpunimi për të lehtësuar punët.
E. Shehu: Po në fushën e investimeve cilat mendoni se janë më të dobishme?
E. Isufi: Mendoj se janë këto:
- Të shtohen kapacitetet ftohëse  dhe frigoriferike.
- Të shtohen kapacitetet e përpunimit industrial të frutave dhe perimeve.
- Të zgjerohet përpunimi familjarë i perimeve  dhe frutave.
- Duhet të vendosen mjete për përpunimin e plehut organik, si një rezervë e madhe për ushqimin e tokes dhe bimëve, sepse deri më sot po menaxhohet mirë.
E. Shehu. Po medja elektronike  dhe ajo e shkruar a ka nevojë të rimodelohet ?
E. Isufi -Po ka. Medja  bujqësore  duhet ti përshtatet  kushteve të  reja. Zgjerimi i rrjetit të televizioneve publike, kjo situatë nuk e ka gjetur në befasi, por  duhen hapur rubrika bukëdhënëse  siҫ janë;
- Këshillimet për bujqësinë e vogël.
- Vidiot e zbatimit praktik.
- Modele të përpunimit të frutave  dhe perimeve ne familje.
- Demonstrimet e shembujve  të mirë,  etj.
 Pra  të gjithë këto grupime të reja mund të ndihmojnë në shtimin e volumit prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
Kjo përvojë fillon e testohet në praktikë  dhe me kohë vazhdohet me modelet me të mira.
- Është koha të filloi botimi i revistës "BUJQËSIA SHQIPTARE".
- Si dhe mund të botohen revista për grupet e tjera të interesit në bujqësi
- Mendoj se shteti duhet të mbështesë disa televizione private, të cilët të rrisin numrin e programeve dhe prodhimeve televizive që mbështesin bujqësinë. Këto televizione le të aplikojnë me projekte  dhe shteti i mbështet ato televizione, të cilët ofrojnë projekte më të dobishme për bujqësinë, ushqimin dhe mjedisin e komuniteteve të cilët këto televizione mbulojnë.
E. Shehu. A mendon se importi i produkteve bujqësore mund ta mpijë pjesmarjen masive në prodhimin bujqësor?
E. Isufi - Po, ky është një shkak pse vendet e vogla po braktisin bujqësinë.  Ushqimet tona vijnë nga vendet e mëdha, të cilat subvencionojnë bujqësinë e tyre shumë më tepër sesa  vendet siҫ është Shqipëria. Ky është edhe shkaku kryesor i largimit popullsisë së vendit, drejtë vendeve të industrializuara.
Por besoj se do kemi më  shumë liri të blemë atë që duam dhe kur e duam, si dhe do eksportojmë  atë që duam dhe kur e duam.
 Besoj kjo do jetë pjesë  e negociatave të institucineve kombëtare me ato ndërkombëtare, dhe nuk dihet se  si do vendoset, sepse janë vendime që nuk i mer dot vetëm Qeveria  Shqipatre, sepse janë marveshje të firmosura, por nëse pas kësaj krize, nuk do të ketë mekanizma  për mbrojtjen e produkteve vendase, krizat ushqimore do riciklohen. Prodhimet lokale, prodhimet vendase, janë kursime të mëdha  për transportin, marketingun e tj. Një kilogram mish në vendet perendimore bën 2000 km rrugë  derisa të vijë deri tek konsumatori. Pra mbështetja e prodhimeve lokale janë edhe më ekonomike edhe më ekologjike, edhe më etike. Pra bota demokratike le tu lejë më shumë demokraci edhe vendeve të vogla në bujqësi dhe blegtori. Nuk ka demokraci nëse  jep më  shumë para për ushtri se  sa për bujqësi. Qeveritë shqiptare duhet të shtojnë dukshëm buxhetin për bujqësinë. Është sektori që jep më shumë kontribut  në buxhetin e përgjithëshëm  (rreth 20 %)  dhe mer më pak se 2 %. Kjo situatë ka 30 vite kështu. Besoj se tani  do të ndryshojë.
Nëse Qeveria shqiptare do të mobilizohet si për në këto momente siҫ është mobilizuar për mjeksinë, bujqësia  shqiptare fluturon përpara.
Një bujqësi e shëndetshme, rrit një  popull të shëndetshëm
Investimet që bëhën për bujqësinë  e shëndethsme i kursen tek parandalimi i sëmundjeve humane. Unë situatën e shikoj se do prodhojë shumë më tepër  optimizëm dhe do mobilizojë energji të reja tek të gjitha shtresat e popullsisë.
 Dua ta mbyll me këtë  thirrje, është koha për një “Patriotizëm të Gjelbër” i cili është përtej jo thjeshte për bujqësinë dhe ushqimin. Një shembull të madh  Shqipëria e dha  në mobilizimin e të gjitha strukturave shetërore , private, vullnetare, civile, në mbrojtje të shëndetit të popullsisë, ta shtrimë edhe këtë përvojë  edhe  në bujqësi dhe mjedis. 
E. Shehu: Faleminderit për mendimet që dhatë.
E. Isufi. Faleminderit juve, cili jeni gazetari që keni shkruar dhe xhiruar shumë emisione për bujqësinë dhe për fshatin në përgjithësi. Ju më keni vënë edhe mua në punë me emisionet e shumëta që kemi realizuar bashkë

Tuesday, 7 April 2020

Koronavirusi “thirri” në skenë bujqësinë.

“Të gjithë do futen në karantinë, vetëm goja jo!”

nga:  Ëngjëll SERJANI
Gazetar, Gjirokastër

Një ish oficer, aktualisht fermer dhe admirues i hershëm i letërsisë shqipe, opinionet e tij për situatën e kolapsit që ka pllakosur nga pandemia globale dhe kombëtare i përcjell duke perifrazuar vargje nga poetët kombëtarë. “Koronavirusi thirri në skenë bujqësinë”, “bujk shqiptar, mos rri po duku”, “balta si mjalta”, “duhet marrë në trastë leshi, si Dritëroi që e çoi në Lidhjen e Shkrimtarëve”. Këto e të tjera shprehje që i pëlqen të përdorë, shoqërojnë bisedën me mikun tim. Perifrazon mandej edhe Himnin Kombëtar. “Rreth tokës të përbashkuar, më një dëshirë me një qëllim”….
Quhet Mitat Sula. Jeton në Valare, njësia administrative Lunxhëri e Bashkisë Gjirokastër. U nisa për te Mitati dhe e gjeta në punë, duke punuar me frezë në vreshtin që ka ngritur pranë banesës. Vreshti ishte në gjendje të mirë. Pas krasitjes dimërore të lastarëve me sytha gati në shpërthim, tani është moment për ta punuar që të marrin ajër rrënjët dhe të largohen barërat parazitare.
Mitat Sula (foto Ë. Serjani) 
-Po punon, ke shkelur karantinën! Nuk të tremb?
-“Mua jo! Por dhe ju, mos u trembni. E ke dëgjuar atë fjalën e Zotit. “Ruajmë o Zot! Ruaju që të të ruaj!” i tha Zoti.
Bashkëbiseduam gjatë me këtë burrë të fortë, e të mençur. Ne i flasim për koronavirusin, po gjetkë “fle lepuri” për Mitatin.
Po ku qëndron dëshira dhe qëllimi i tij? Çfarë është esenciale në bisedën që mori edhe formën e analizës së tij “letraro-ekonomike”? Dhe pikërisht këtu, historia që duam të rrëfejmë duhet të “mbajë këmbët” tek historia e jetës “tallaz-tallazë” të vetë Mitatit.
Ish oficeri, shkolluar për këtë profesion deri në Akademinë Ushtarake, pak pas ndryshimeve të thella të 1990-tës, mbeti “në mes të katër rrugëve”. Ndaj nisi të merret me tregti, e duke ndërruar disa profesione, por nuk arriti “të dalë në selamet”. Mori kurbetin dhe punoi familjarisht për rreth 20 vjet në Kretë. “Hapa sytë dhe pashë. Toka dhe njerëzit, njëlloj si te ne. Bëra ca pako (pak) euro dhe u mendova mirë. Unë jam nga Kalivaçi i Tepelenës, të pushkës, por dhe të tokës. Ku t’i investoj, thashë? Toka mu duk investimi më i sigurt. Toka fisnikëron dhe ushqen njeriun. Toka është Zoti për robin. ‘Kush ka kokë, blen tokë’, ‘Tokën edhe hasmi e shkel, e dot s’e merr’, janë proverba të kalivaçiotëve. U ktheva në vendin tim dhe bleva 10 dynym tokë në Valare të Gjirokastrës. Këtu ngrita një vresht. Ngrita shtëpinë pranë vreshtit. Ndërtova në katin e dytë, të parin e lashë. Më vonë me të ardhurat ndërtova një punishte të përpunimit të prodhimit. Bëj verë dhe raki. Në dy vitet e fundit shtëpisë i kam dhënë profilin e një bujtine modeste. Pres grupe të vogla turistike. Shërbej me prodhimet e fermës time modeste”, thotë Mitati për Portën Vendore.
Kjo është në vija “të trasha” historia e Mitatit. Por le të vijmë aty ku e lamë. Po ku “fle lepuri” i Mitatit në analizën e tij “letraro-ekonomike”?
Kriza e thellë ka zhytur në kolaps ekonomik total prodhimin, biznesin dhe shërbimet. Kërkesat për argëtim dhe veshje do të limitohen përkohësisht nga “kuleta” familjare. Orientimi i tregut ushqimor do jenë prodhimet e freskëta të fushës. Qysh javën e parë të karantinës u vërejt rritja e çmimeve të produkteve bujqësore e blegtorale, perimeve, agrumeve, vezëve, mishit, arrave, lajthive dhe produkteve të tjera të vendit.
“Kjo situatë s’ka nevojë për nuhatje. Të flet vetë”, thotë Mitati. Tregu ka bollëk perimesh të stinës: spinaq, presh, qepë e hudhra të njoma e të thata, lakër, lulelakër, trangull e domate të serave, patate dhe fasule. “Kush mbolli, tani korr të ardhura”, thuhet në gjuhën popullore. Bujqësia dhe prodhimet e saj, mendon Mitati, do të jenë një biznes i mirë në këtë situatë. Fermeri i mençur shkon edhe më tej: “Dëgjomëni mua. Edhe njerëzit do ndryshojnë pas kësaj lufte, pa topa e pa gjyle. Do kërkojnë mallin e vendit. Ndaj u them këtyre fshatarëve të Valaresë; Ktheni sytë nga toka! Erdhi dita jona! Kush të më dëgjojë, do fitojë”, thotë Mitati me një ton prej profeti.
Foto Ë. Serjani
“Jemi vërtet në karantinë. Po kush më pengon mua të punoj, të krasis dhe të spërkat vreshtin. Nuk më gjen dot këtu në mes të vreshtit, as virusi, as polici, as Edi Rama”, vazhdon ai. “Unë frezoj dhe spërkat dhritë (vreshtin), përmbys dheun dhe dezinfektoj vendin. I ftoj të gjithë pas karantinës. Ejani tek vreshti dhe bujtina ime. Nuk keni ku gjeni vend më të pastër e më të garantuar. Dhe më se e vërtetë, sepse dihet që fermat shqiptare janë me sipërfaqe të fragmentizuara, larg e larg njëra tjetrës dhe ky organizim nuk e favorizon përhapjen e pandemisë dhe viruseve që përhapen nga njerëzit”, thotë Mitati.

Hedhim sytë nga fusha e Valaresë. Asnjë traktor. Fushata e punimeve dhe mbjelljeve të stinës, është në kulmin e saj. Bujqit e fermerët janë të trembur nga rënia e fuqisë blerëse. Por kur është fjala për ushqimin, luhatjet janë të pallogaritshme. “Të gjitha do futen në karantinë, vetëm goja jo!”, vazhdon toni profetik i bashkëbiseduesit tim. Moti në këto ditë të para të pranverës është i ngrohtë, i kthjellët, më se i përshtatshëm për të punuar dhe për të ofruar në treg prodhime të hershme.

Pse nuk punohet? Mitati ngre supet. “Unë nuk kam pushuar. Punoj. Të tjerët do pendohen. Goja, siç të thashë, nuk është në karantinë. Njerëzit do duan edhe më shumë ushqime. Gjithkush ka kokën mbi supe. Do pendohen mot, që s’punuan sot”, thotë ai duke hedhur vështrimin mbi tokat e Valaresë që flenë gjumë dhe në krejt Luginën e Drinos. “Fermeri shqiptar duhet të kuptojë shprehjen, ‘mos rri, po duku’. Duhet të mbjellë, pasi çmimet premtojnë rritje. Fitimi do jetë i garantuar. Nuk është sekret të pranojmë se çmimi i agrumeve ka dhënë shenja të qarta rritjeje. Portokallet dhe limonët kanë shënuar nivele ‘astronomike’ në treg. Janë dyfishuar krahasuar me një javë më parë, dhe rritja jo vetëm në tregun ambulant të lagjes, por edhe në qendra e mëdha urbane. Nuk gjen në treg limon me çmim nën 250 lekë/kg. Në këtë kurbë të çmendur, ka ndikuar jo vetëm rekomandimi i mjekëve për vitaminë C, por edhe fakti që gjendja e rezervave tek grosistët po mbarohet. Furnizimeve të reja nga importi janë një mesele më vete. Kalvari i qarkullimit në kufij e dogana, rritja e çmimit në burim, rritja e kostos së transportit, ka të ngjarë që çmimet të mund të bëjnë ‘kacafiu’. Po të kishte rezerva të prodhimit vendas, sa mund të përfitonin fermat e agrumeve sot? “, thotë Mitati.
Sipas tij, kërkesa për produkte bujqësore dhe blegtorale do të pësojë një rritje të madhe në ditët në vijim. Për këtë ai ka bindjen e tij.
“Mirëpo, zinxhiri ku lëviz importi, do të tendoset edhe më shumë në muajt në vazhdim. Firmat që importojnë mallra ushqimorë, ankohen se kontraktuesit e tyre të huaj nuk respektojnë sasitë e rëna dakord dhe të kontraktuara. Dërgojnë gjithmonë e më pak. Në rrethana krize atë që mund të fitonin nga importi, mund ta sigurojnë nga shitjet brenda vendeve të tyre. Askush nuk di se çfarë do ndodhë me këtë të flamosur virus”, thotë Mitati.
Biznesi i Mitatit në Valare njësia administrative Lunxhëri, Bashkia Gjirokastër (foto Ë. Serjani)
Piva një gotë verë që ma ofroi zonja e shtëpisë dhe “nëndrejtoresha e fermës”. U përshëndeta me çiftin e fermerëve. Natyrisht, siç e do zakoni i karantinës, bërryl me bërryl. Pastaj u largova duke marrë me vete fjalët e mençura të Mitatit dhe duke lënë pas respektin për punën, eksperiencën dhe mendimet e tij. Ish oficeri i transformuar në fermer të bind. Të bind, pasi për bujkun nuk ka karantinë. Të bind se toka dhe letërsia mbeten pasionet e tij edhe në këtë kohë lufte “pa topa dhe gjyle”. Të bind se situata dhe kolapsi pandemik rruzullor që pa pllakosur, nuk është për të.
Lufta me pandeminë globale vazhdon e ashpër në ekranet anembanë rruzullit. Mitati nuk ka shumë kohë të shpenzojë me të. Ai ka shumë punë në vresht. Por dhe kur çlodhet pak, ka punë me poetët e tij të dashur, Naimin, Çajupin, Dritëroin, Kadarenë, Xhevairin…
Si mërmërimë nga fushat ku dëgjohet vetëm freza e Mitatit, më vijnë në vesh fjalët e tij me tingëllim profetik dhe poetik: “balta si mjalta” dhe ”koronavirusi thirri në skenë bujqësinë”.
Mora me vete pasionin dhe dëshirat e tij për jetën, tokën dhe poezinë.
Ishte dita më me kuptim e karantinës time.
7 prill 2020/ Engjëll Serjani/ Porta Vendore

Saturday, 4 April 2020

Poeti ARBEN DH. MOSKO




Arben Mosko lindi ne fshatin Selckë të krahinës Lunxhërisë, Rrethi Gjirokastër më 29 shtator 1967.  Shkollën fillore e kryejti në fshatin e lindjes, ndërsa atë tetëvjeçar në fshatin "Asim Zenel" dhe Poliçan, Gjirokastrër. Ndoqi studimet në shkollen ushtarake “Skënderbej” dhe më pas Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. 

Në vitin 2000 emigroi në Greqi ku jeton familjarisht me gruan dhe dy djemte e tij. Arbeni është marrë me krijimtari letrare qysh herët në  rininë e tij. Ka botuar 5 vëllime me poezi.

1.    Le të mbetem rojtar këngësh(Athinë, 2011)
2.    Sikur të isha shpikës( Tiranë, 2011)
3.    Antitezë(Tiranë, 2012)
4.    Pirat I tokes së premtuar(Gjirokastër, 2012)
5.    Oazi i lotëve( Athinë, 2017)

Kanë thënë per poezitë e tij. 

SPIRO XHAVARA (poet.) 
“Arben DH. Mosko lëvron poezinë me serjozitetin, pasionin dhe dashurinë më të madhe, deri ne njësimin e saj me vete frymëmarrjen e tij.” 

JANI PLASA (poet)
“Arbeni ia di vleren dhe peshën fjalës, e qëmton atë me “tifozllëk”, e përdor me piksynim, me kujdes, e lëmon dhe më e rëndësishmja e përdor me art.”

ANDREA PETROMILO (Poet)
“Poetin A. Mosko mund ta quajme këngëtarin nostalgjik që I ka hapur dyert pasionit dhe lëvron një poezi që i përgjigjet kohës dhe, me siguri edhe të ardhmes”

ÇELIK PETRITI (Poet)
“Tek Arbeni gjeta të plotë ata tregues që e mbajnë të gjallë poezinë: ndjesinë, nervin, jetën, peisazhin, ritmin, muzikalitetin, figuracionin.”

Poezi nga ARBEN DH. MOSKO 

Deti

Det, o det,
Të dua shumë. 
Pse zëmërohesh me mua?
Më përplasesh dallgë e shkumë
Dhe s’jemi as fis as sua.

Unë vij nga mali i lartë
Ku harbohet fija e barit.
Rruga ime qe e gjatë 
Mes të ftohtit, mes acarit.

Ti rron mbledhur, grumbulluar
Brenda jetë e mister,
Kaltërosh zbukuruar, 
Ç’dreqin ke
Që kërkon sherr?

Loti

Një kokrrizë loti
Mbeti në bisht të syrit,
S’zbriti dot mbi faqe
S’kaloi dot kufirin.

Mbeti dhe ngriu po aty
Ne formen e kristalit,
Mbi bisht të syrit ndrin
Si hëna majë malit.

Fryt i emocionit,
Çliron shpirtin, zemrën,
Le të rrjedhë loti
Me vajin, me këngën.

Kopje e shëmtuar

Nuk kam tentuar kurrë në jetë
Të jem një kopje e tjetrit, e shëmtuar
As hije e fshehur, si kartë pa vlerë
E atij që tapetin në zyrë e gjen të shtruar.

Udhën mora rrugëve pa fund
Mes dhimbjesh të lotit mërguar
Djersa mbi ballë më rodhi lumë 
Jo, s’desha të isha portret i shformuar.

O Selcka ime

O Selcka ime fshat i Perëndisë
Shkëndija e parë e dijes
ABC-në shpërndave si thesar
Dhe vet margaritar mbete në vite.

Era e vendit tim

Nuk u lodha, nuk u ndala
Nuk u ndala asnjëherë
As në dete kur u laga
As në male ku fryn erë

Krahët hapa fluturova
Nëpër qiell kaltërsi
Liri pak më shumë kërkova
Zog kur isha në kuvli.

Shumë kërkova po nuk gjeta
Nuk gjeta jo, si vendi im
I burgosur prapë mbeta
I përndjekur përgjithnjë

Eh, nuk ka si vendi im.

Gjyshja

Nënë mbi nënë gjyshja më riti
Buzëdredhur, përgjërim, 
Njeri sy qante nënën time
Tjetri për mua, jetim.

Më ndoqi në rrugë e ara
Më puthi më ledhatoi,
Mi lau sytë e përlotur
Me ujë mali, me ujë kroi.

Më mbështolli në gji, ngrohtë
Të flija mbi prehër të saj,
Të mos më mungonte nëna, 
Të mos ftohem, të mos qaj.

U bë dritë e jetës sime,
Edhe gjyshe, edhe nënë, 
Më ka mbetur buzës - puthje,
Më ka mbetur zemrës – këngë

Dileme e vetme

Zhurmë makinash, dhe tym, dhe re,
Në çdo orë të ditës, në çdo orë të natës
E prapë vendi i ngjan një shkretëtire,
Përfshirë mes zjarrit e flakësh.

Një qiell pa zogj e kaltërsi,
Ku s’guxon më të vijë pranvera,
Durimit tashmë i ka ardhur fundi
Dhe shpresës vetë, i ka rënë vlera.

Dilemë e vetme: “Të dalë ku të dalë”
Do protestojmë dhe me trupat zbuluar.
Sa të gjejmë anën fillit, 
Në lëmshin e botës, kaq ngatërruar!

Përgatiti:
Koço Mosko
Boston, MA-SHBA

Prill2020