Saturday 8 February 2020

AGRONOMËT LIBOHOVITË NË VITE

Prof. Dr. HYSEN HAJDAR ÇOBANI

“MJESHTËR I MADH” 

Përgatiti:  Besnik ISMAILATI
Agronom , Publicist
Libohovë, Gjirokastër. 

Hysen ÇOBANI
(1932-2015)
Hysen Çobani lindi më 5 nëntor 1932 në qytetin e Libohovës në një familje me tradita patriotike . Ai mban titullin prof. dr. në shkencat bujqësore. 
Në vitin 1955 përfundon studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor, ku vlerësohet me diplomën “Shkëlqyeshëm”. Pas përfundimit të studimeve Hysen Çobani u emërua dhe punoi 5 vjet (1955-1960) në Institutin e Kërkimeve Bujqësore Lushnjë. Në vitet 1960-1966 punoi si kryeagronom në kooperativën bujqësore “Skënderbeu” Cakran-Fier. Në 1966-1969, kryeagronom N.B Vorë “Gjergj Dimitrov”, Tiranë. Në vitet 1970-1977, punon kryeagronom në kooperativën bujqësore “Myslym Peza”, Tiranë, dhe pastaj për 12 vjet punoi si kryespecialist dhe më vonë drejtor për 10 vjet në Institutin e Perime Patateve në Tiranë. Të gjitha vendet ku punoi, për Hysen Çobanin ishin institucione dhe ekonomi me potencial të lartë prodhimi dhe niveli. 
Hysen Çobani ishte një specialist dhe intelektual me kulturë të gjerë. Aftësitë e tij tekniko-profesionale dhe niveli i lartë shkencor , kanë bërë të mundur që në të gjitha pozicionet e punës që ka pasur gjatë jetës së tij si specialist dhe drejtues shkencor, të njihte vetëm suksese dhe arritje.
Me punën dhe shkallën e lartë profesionale, Hysen Çobani ka ngritur shumë blloqe industriale në frutikulturë, olivikulturë, vreshtari dhe perimekulturë. Ai bëri ndërhyrje të guximshme për kohën që punoi në fermën “Gjergj Dimitrov” e në Ndroq të Tiranës. Në veprimtarinë e vet, ai ka qenë gjithmonë dinamik dhe në kërkim të së resë në fushën e shkencës së bujqësisë. Me veprimtarinë e tij në eksperimentimin shkencor, ai gjithnjë i ka thyer kufijtë e punës eksperimentale, duke treguar vlerat e tij të vërteta në shkencën e bujqësisë për një kohë mbi 22 vjeçare. Studimet e tij kanë hyrë në fondin klasik të eksperimentacionit bujqësor, siç janë : Vlerësimi i fraksioneve të farës së misrit, për dy e më shumë prodhime në vit, për krijimin e 300 linjave të reja në domate, po kështu në pemëtari e vreshtari ka futur lloje të reja me prodhimtari të lartë. Me punën e tij eksperimentuese, Hysen Çobani bëri të mundur edhe ndalimin e importit për lloje të ndryshme farash që vinin nga Italia e Bullgaria. Për punën dhe meritat e tij të mëdha në shkencën bujqësore shqiptare, Hysen Çobani dekorua nga Presidenti i Republikës z. Alfred Moisiu, me Urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh”. 
Në Institutin e Kërkimeve Bujqësore , kur ishte akoma në moshën 23 vjeçare, Hysen Çobani e konsideroi veten me fat dhe si një shans që i trokiti në derë për të ardhmen e vet në shkencën e bujqësisë shqiptare.
Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë, mbulonte bimët e arave dhe drejtohej nga shkencëtarë të dëgjuar si Koço Dhima, Skënder Gozhita, etj., ku në bashkëpunim me ta , ai ndjehej shumë më i sigurtë për të hedhur hapa po kaq të sigurta në fushën e kërkimit shkencor, pasi në atë kohë institucionet shkencorë funksiononin në mënyrë perfekte, zbatonin detyra e programe nën një kontroll të rreptë. Kishin metodika të aprovuara nga Këshilli Shkencor i Ministrisë së Bujqësisë, e që në përbërje të këtij forumi ishin specialistët më të mirë të bujqësisë shqiptare. Në këtë Institut ai punoi dhe kontribuoi pesë vjet (1955-1960) për krijimin dhe prodhimin e linjave elitë të farërave të grurit dhe të misrit, për të arritur rendimente të larta. 
Në kooperativën bujqësore të Cakranit Hysen Çobani punoi gjashtë vjet (1960-1966) , ku iu desh të merrej me shumë kultura bujqësore si: grurë , misër, perime, hardhinë, pemët frutore, si edhe me ullirin. Në këtë ekonomi , ullinjtë i gjeti pothuajse në degradim të plotë, prandaj me iniciativë dhe guxim shkencor në më shumë se 60 mijë rrënjë, bëri krasitjen e rëndë nga e cila vetëm pas dy-tre vjetësh prodhimi u shumëfishua. 
Në vitin 1966, Hysen Çobani emërohet me detyrën e kryeagronomit të NB ‘Gjergj Dimitrov”, një nga ekonomitë më të përparuara të vendit. Në këtë ekonomi ai solli edhe zbatimin e të rejave shkencore në kultivimin e hardhisë në spalier, konceptin e ri të krasitjes së pjeshkës, sikurse edhe objektivin e guximshëm për të marë rendimentin 100 kv misër për hektar. Në vitin 1969, transferohet kryeagronom në kooperativën bujqësore “Myslim Peza”, ku për shtatë vjet , deri në vitin 1977, me punën e vet bëri të mundur të transformonte tërësisht situatën: u dyfishua prodhimi i misrit dhe perimeve; u ripërtërinë 80 mijë rrënjë ullinj me metodat më produktive të kohës; u krijua plantacioni me 18 mijë rrënjë pjeshkë të trajtuara me teknikat më moderne dhe që përballonin plotësisht nevojat e kryeqytetit. 
Për më shumë se dy dekada, Hysen Çobani punoi dhe kontribuoi si kryespecialist dhe drejtor i Institutit të Perime-Patateve në Tiranë, ku falë punës dhe talentit të tij, ky Institut në pak vite u kthye në një qendër të rëndësishme mbarëkombëtare për prodhimin e shumë farërave cilësore të perimeve dhe patateve për të gjitha ekonomitë bujqësore të vendit, por edhe zbatimin e shumë praktikave dhe metodave të reja shkencore për prodhimin bujqësor. Në këtë Institut nën drejtimin e tij u kryen shumë eksperimente që do t’i shërbenin ekonomive prodhuese në të gjithë vendin. Me punën e tij shkencore ai ndoqi dhe drejtoi mbi 60 eksperimente, mijëra kryqëzime në kulturat e ndryshme perimore, ku falë kësaj pune arriti të krijonte 300 linja të pastra perimesh, siç mund të përmenden hibridet e domates 1431 F1 dhe ZKC F1. Gjithashtu ai grumbulloi dhe vlerësoi edhe 40 popullata të vendit në kulturat e domates, specit, patëllxhanit, qepës, preshit, etj. Falë kësaj pune, Institui bëri të mundur që të plotësonte rreth 60-70 % të prodhimit të farave cilësore të shumë kulturave perimore në shkallë vendi. 
Në fondin e tij krijues janë më shumë se 70 artikuj shkencorë, 40 metodika shkencore, 15 zëra në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, si edhe 11 libra e broshura për misrin, ullirin dhe perimet.
Për kontributin e e dhënë në fushën e zbulimit dhe prodhimit bujqësor, Hysen Çobani është vlerësuar me “Urdhri e Punës së Klasit I”, “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor”, “Profesor” , nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, për kontribut të shquar në shkencën bujqësore shqiptare, i është dhenë dekorata më e lartë, “Mjeshtër i Madh i Punës” . 
Nga materiali i botuar në gazetën “LIBOHOVA” , Nr. 1, dhjetor 2002 , në fjalën e vet në ceremoninë e dekorimit “MJESHËR I MADH”, datë 18.11. 2002 , Prof.Dr. Hysen Çobani shprehet :
“Të nderuar Zonja e Zotërinj, miq e të afërm, kolegë, bashkëpunëtorë!
Është në nderin tim, së pari të falënderoj dhe të përshëndes të gjithë ata që u bënë shkas për këtë eveniment dhe në veçanti stafin e Entit të Farave me drejtor Prof. Andrea Çekun, si nismëtar i dekorimit; Institutin e Perime – Patate me drejtor Prof. Xhevat Shimën si një nga organizatorët e kësaj ceremonie, Ministrin e Bujqësisë Z. Agron Duka, nxitësin dhe miratuesin e këtij vlerësimi të lartë dhe Presidentin e Republikës Z. Alfred Moisiu, që e akordoi këtë urdhër nderi të veçantë.
Për të thënë të vërtetën, për dekorime nuk më ka ecur në jetë. Tani dikush do të thotë se jam jashtë stinës së dekorimeve. Ndoshta… Por sidoqoftë në këto çaste si për këdo, edhe për mua janë momente reflektimi. Edhe për kaq ia vlen. Njeriu nuk është send dhe as nocion politik. Personaliteti i tij është një shumë vlerash ku futen individualiteti, familja, shkolla e shoqëria. Unë dua ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të vdekurit e të gjallët që kanë marrë pjesë në formimin tim. Nga familja nënën time që më mësoi të dua njerëzit, babain tim që më mësoi ç’është korrektësia, daiun tim Abedin Çiçin që më mësoi të dua punën dhe bimët. Shoqen time Vanjesa Spahiun që më dha dy fëmijë që janë krenaria ime dhe hapësirën për t’ju dedikuar punës, duke sakrifikuar shumë nga dëshirat e saj. Nga shkolla dhe pedagogët e saj që më ushqyen me dije, humanizëm dhe dashurinë për Shqipërinë, unë do të rendis një numër jo të vogël të gjallë e të vdekur me një respekt përunjës, se është një obligacion moral, pasi ata rrojnë në qënien time: Ramazan Jaranin, Milto Sotir Gurrën, Muharrem Pidrenin, Luigj Shalën, Nexhat Hakiun, Fejzi Dikën, Reshat Kosturin, Jovan Morekën, Abedin Çiçin, Mustafa Shashain, Myslym Selenicën, Safedin Baçin, Paulin Mamolin, Qazim Turdiun, Aleko Xoxen, Pirro Dodbibën, Andon Ikonomi, profesorët rusë Zujev, Berezina, Bruhi, etj. Bashkëpunëtorët e mi i përshëndes dhe iu shtërngoj dorën burrërisht. Ata janë me mijëra punëtorë, mjeshtra, specialistë të mesëm e të lartë.
Bujqësia i ngjan ushtrisë. Asgjë nuk mund të realizohet pa vënien në sinkron e të gjithë pjesmarrësve në lojë. Agronomia është një profesion që kërkon jo vetëm përpjekje individuale e talent, por edhe aftësi që të vëjë në lëvizje një ushtri të panumërt njerëzish, mentalitetesh, dëshirash dhe interesash. Agronomi nuk është dentist, që çdo gjë fillon e mbaron tek ai. Agronomi është shumë afër gjeneralit…, por për ti ushqyer njerëzit. Në këtë numër të madh kam zgjedhur si simbol për të përmendur për një bashkëpunim shembullor, stimulues e vlerësues Mërkur Meron, Llukan Tasen, Sali Tolen, Nezir Goricën, Edi Gjonin, Xhemil Islamin, Dine Mere, Meropi Priftin, Florenc Kutrollin, Petrit Asllanin, Shpëtim Idrizin, Pandeli Stringën, Thanas Papazisin, Loni Çukon, Themie Thomaj, Sulejman Xhepën, Hajdar Kuçin, Halil Hasën, Hysen Laçin, Vasil Markon, Lutfi Isufi, Vildan Gogën, Shefqet Gjinin, Sotir Kerin, Agim Bojën, Kosta Çakallin, Ramazan Çeka, Sokrat Janin, Behar Gjata, Bajazit Habipi, Thoma Plasa, etj. 
Dhe dua ta mbyll me kolegët e mi, relatat me ta, ndoshta me pjesën më të bukur të jetës sime si profesionist. Shqipëria është vendi i agronomëve të mëdhenj. Çdo vend do të mburrej me ta. Të ditur, të thjeshtë, punëtorë e të devotshëm, pa xhelozi, por në të kundërtën vlerësues dhe që ju gëzohej zemra për arritjet e kolegut. Në Shqipëri njerëzit dhe vlerat e tyre janë trajtuar keq, por toka, ujrat, bimët, pyjet, kafshët janë trajtuar me një nivel teknik shumë të lartë, madje pa E TEPËRUAR NË NIVEL EUROPIAN. Dhe kjo është meritë e agronomëve shqiptarë e specialistëve të bujqësisë. Kush nuk do të ndihej krenar për rendimentet që ne kemi marrë dhe për agronomët që i drejtonin dhe realizonin ato. Dhe në këtë piramidë, që nuk është e plotë, do të rendisja Ali Ypin, Zyber Jukën, Muzafer Kallanxhi, Ludovik Gajtanin, Mihal Dalanin, Petrit Kalakulën, Kastriot Panaritin, Andon Ikonomin, Petrit Kripën, Halim Stërmasin, Todi Gjermenin, Hysen Laçin, Resmi Osmanin, Shpëtim Gurin, Meropi Priftin, Lefter Veshin, Andon Papingjin, Aleksandër Çelikun, Mërkur Mero, Petraq Sotiri, Skënder Gozhita, Alfred Xhomo, Todi Gjermani, Mentor Përmetin e sa e sa emra të tjerë që ndrisin në skenën e agronomisë shqiptare. Me të gjithë këta kolegët e mi, unë mburrem se jam shoku i tyre. Ata janë të gjithë ekuivalent me artistët e popullit. Shqipëria duhet t’ju kthehet vlerave, t’ju japi ç’ju takon bijve të saj. Ata e ngritën bujqësinë shqiptare nga niveli i primitivitetit osman në nivelin europian. Themelet që ata kanë hedhur nuk ç’bëhen më, pavarësisht nga mjegullat e tranzicionit. Nuk mund të quhet patriotike ajo dorë që mënjanoi këtë Akademi të Gjallë Bujqësore nga jeta e vendit që arriti kulmin me kthimin e seleksionerit të njohur të grurit Skënder Gozhita në shitës ambulant enësh në një strehë ballkoni në rrugën e Kavajës. Edhe sot më dhemb shpirti për këtë zhgënjim demokratik të tejskajshëm, i cili më vonë u shtri në shumë fusha të tjera të jetës së vendit.
Të punosh me njerëzit për vendin tend, për familjen tënde, qenka një burim i pashtershëm kënaqësie, një lumturi morale e pafundme që buron nga kryerja e detyrës. Lumturia është vetë shija e jetës. Të veprosh me sens pozitiv është një gëzim i pastër. Këtë nuk e kam përfundim të marrë nga librat, por nga përvoja pothuajse pesëdhjetëvjeçare në veprim. Dhëntë Zoti e më jep shëndet që deri në ditën e fundit të punoj për këto motive.
Edhe një herë ju falënderoj e i shtrëngoj fort duart tuaja miqësore, që më gëzuat sot me pjesëmarrjen tuaj në këtë ceremoni të veçantë të jetës sime. Uroj të mblidhemi si sot edhe për personalitete të tjera të bujqësisë shqiptare. Ju faleminderit. Rroftë Shqipëria!”

No comments:

Post a Comment