Monday, 10 February 2020

ORA E MURIT

Tregim

nga: Sami MILLOSHI
gazetar & shkrimtar
Boston, MA, SHBA

Kur Mark Gurra mbërriti ne Mide, një qytet i vogël në mes të fushave të paanë të Nebraskës, ishte mesi i dimrit. Shtepia e Jeff dhe Jean Miller që do të bëhej streha e tij ishte pak mënjanë, ngjitur me një hangar të madh drithi, nga ata që zenë edhe pamjen e diellit për nga madhësia.

Për Markun kjo ishte më shumë një pamje fshati se sa qyteti. Traktori në garazh, ishte një shenjë. Por nuk ishte vetëm traktori... Gjithë sa bisedonin të zotët e shtëpisë lidhej me fshatin. Kur i shtroheshin ata bisedës për fushat me misër që mbillnin dhe korrnin, kur ankoheshin për verën e thatë dhe pa shi, kur fluturonin nga gëzimi që qeveria në Washington ua kishte ulur taksat e blerjes së farërave të reja, e të tjera si keto, Mark Gurrës i bëhej se kishte lënë një qytet të madh në Shqipëri që po ia merrte frymën betoni dhe kishte ardhur në një fshat të vogël në Midwest, në mes të Amerikës.

Por, gjithsesi, Marku e kishte një ngushëllim, kur futej brenda në shtëpi mahnitej me mënyrën se si komunikonin Jeff dhe Jean si burrë dhe grua. Duheshin aq shumë sa, Mark Gurrës i dukej se dashuria e tyre ishte edhe më e madhe se sa fushat e paanë të Midwestit. Jeff i drejtohej Jean me fjalë të ëmbla që në mëngjes: " Si fjete mbrëmë sweety?" dhe e puthte në buzë. Po edhe Jean ia kthente me po të njëjtën monedhë. Edhe ajo e përqafonte gjithë afsh, a thua se nuk ishin të thinjur dhe gjyshër, por sapo po shijonin muajin e mjaltit. Atë muaj, që në sytë e Mark Gurrës, dukej se në atë shtëpi nuk kishte të sosur...

Gjithë çfar po shihte me sytë e tij, i krijuan ditë pas dite Markut atë ndjesinë e vërtetë për çka ishte shtëpia në Mide, dhe ia fashiti nga mendja iluzionin se ishte fshat. Jo, dhe jo! Mark Gurra u bind se aty në atë shtëpi ai kishte hasur qytetërimin me të ndritshëm, madje edhe me të ndritshëm se qytetërimet e lashta te persëve,te grekëve, të kinezëve apo edhe të romakëve. Por, Marku e kuptonte ndryshimin. Për qytetërimet e lashta kishte biblioteka me libra anë e mbanë Botës, ndërsa për këtë qytetërimin e fshatit Mide, do t'i duhej të dëshmonte vetë... Ashtu, siç e kishte pas thënë një burrë i mençur nga vendlindja e tij RRNO PER ME TREGUE...

Kështu i kaloi dy dimra në Mide Mark Gurra. Paradite punonte në një fabrikë të prodhimit të qumështit të sojës, ndërsa mbasditeve shkonte në një kolegj të mësonte për inxhinier kompjuterash. Ishte kaq i zënë, sa nuk kishte kohë të merrte frymë. Edhe me Jeff dhe Jean po shihej rrallë. Rrallë e për mall, siç thonë shqiptarët, u kishte shpjeguar proverbin mikpritësve amerikanë Marku.

Një nga këto mëngjeset e rralla, Jean i kishte dhënë Markut lajmin e kobshëm. Që Jeff kishte pesuar atak në zemër ndërsa pushonte në shtëpinë verore që kishin në Colorado. Marku qe zverdhur i tëri nga ky lajm i beftë dhe i qenë mbushur sytë me lot njësoj sikur Jeff të kishte qenë babai i tij. Dhe ashtu me sy të mjegulluar prej lotëve, ia kishte hedhur vështrimin orës së murit që, kushedi se pse kishte një javë që kishte heshtur...

Orën e murit Mark Gurra e kishte blerë për Jeff dhe Jean me rastin e dyzetvjetorit të martesës së tyre. 
- Sa keq më vjen Jean - i kishte thënë Marku zonjës Jean.
- Të paktën ta kisha ndrequr orën e murit, siç i pata premtuar Jeffit .
- Do ta ndreq unë - i qe përgjigjur Jean. Jeff gjithnjë thoshte se kjo orë muri na ka sjellë fat në këtë shtepi. Dhe, ti e di, veten e quante akrepi i vogël i orës, ai që mat orët, kurse mua më quante akrepin e madh që mat minutat. Më kishte quajtur kështu ngaqë nxitoj kur eci...
- Mua më kishte vënë nofkën ZILJA e Orës - kishte shtuar Marku në ngashërim e sipër.
Dy javë më vonë pasi qe zhvilluar ceremonia mortore e Jeffit, Jean kishte filluar ndërtimin e varrit. Një pllakë mermeri gri me shkëlqim të jashtëzakonshëm, sidomos kur e puthnin rrezet diellore të mëngjesit. Mbi pllakë qe shkruar REST IN PEACE JEFF. WE LOVE YOU. Pastaj qenë rradhitur emrat e Jean dhe të tre femijëve të tyre: Dennis, Alicia dhe Richard.
Mbishkrimi dhe emrat ishin diçka e zakonshme sepse po ashtu kishin bërë edhe të tjerë në varret e të afërmve të tyre. Ajo çka ishte krejt e veçantë, ishte se Jean mbi mbishkrimet kishte stampuar një portret dysh në porcelan të Jeff dhe te Jean. Kjo ishte diçka krejt e panjohur në Mide, askush nuk kishte stampuar në pllaka varri të vdekur dhe të gjallë bashkë.
- E ka dashur shumë Jeffin - kishte thënë një grua plakë një ditë në hyrje të varrezave.-"Prandaj e ka vënë atë foto dyshe."

Midasit pothuaj të gjithë kishin rënë dakord me çfar kishte thënë gruaja plakë në hyrje të varrezave. Madje dikush kishte shtuar se Mida tashmë ka Romeon dhe Zhuljeten e vet dhe se askush tjetër nuk duhej ta përseriste gjestin që kishte bërë Jean...
Kështu kaluan edhe dy javë të tjera nga funerali i Jeffit. Si u mbush muaji Jean e ftoi Markun ta hiqte orën nga muri dhe të shkonin në Omaha tek orëndreqësi për ta ndrequr. Marku qe shend e verë që Jean u kujtua ta ngjallte dhuratën e tij, orën e murit që kushedi pse kishte ndalur një javë para se Jeffit t'i pushonte zemra.

Kur vajtën te orëndreqësi, japonezi Yoshi, aq i njohur për duart e tij të arta, Jean ia sqaroi Yoshit se si kishte pushuar ora një javë para se Jeffi të kishte pësuar atakun në zemër. Joshi e kishte falenderuar zonjën Jean, sepse sipas tij, kjo ishte një rrethanë që do ta ndihmonte në ndreqjen e orës. Ai dha afat një javë për ndreqjen e orës.

Pas një jave Jean dergoi Mark Gurrën të shkonte te orendreqësi të merrte orën, me shpresë të ndrequr. Kur vajti tek dyqani, orëndreqësi Yoshi me një pezm që rrallëherë i shfaqej poshtë syzave, në sytë e tij të vegjël sa nje kokërr gruri, tha:
-Orën nuk e kam ndrequr. Dhe, të betohem, për zotin e madh, as nuk jam i zoti ta ndreq. Kurrë nuk më ka ndodhur kështu ndonjëherë më parë.
Mark Gurra pastaj ndoshta për ta ndihmuar i tregoi historinë se si e quante
Jeff veten akrepi i madh dhe se si ai i thoshte te shoqes Jean " se ti je akrepi i minutave"....
- Mua më quante " Zilja e orës”- tha Mark.
- Nuk dij çfar të të them - i qe përgjigjur orëndreqësi Yoshi Markut.
- Por, kam një ndjesi se nuk ma keni treguar plotësisht historinë e kësaj ore....
- Ta kemi thënë, Yoshi - tha Mark Gurra. Aq shumë e ka dashur Jean Jeffin sa ata të dy në fshatin tonë i quan i madh e i vogël Romeo dhe Zhuljete. Madje, që ta dish, se ndoshta nuk e di, në Mide, askush deri më sot nuk ka vënë një foto dyshe te një të vdekuri dhe një të gjalli mbi një pllakë varri. Jean është e para dhe e fundit. Askush tjetër nuk do ta bëjë këtë gjest në të ardhmen. Kjo është e sigurtë si drita e Diellit."

- E po prandaj une nuk jam i zoti ta ndreq këtë orë. Se akrepi i orës nuk mund të funksionojë po nuk funksionoi edhe akrepi i minutave. Dhe anasjelltas, as akrepi i minutave nuk punon, po heshti akrepi që tregon orén. Ju nuk ma thatë këtë kur sollët orën. Merre orën dhe çoja zonjes Jean – tha orëndreqësi Yoshi.
- E çfar i duhet asaj ora e pandrequr? - pyeti gati i dërrmuar në zemër Mark Gurra.
- Kjo orë meriton të pushojë pranë Romeos dhe Zhuljetes në Mide.... - tha orëndreqësi Yoshi.


Piktura nga S. Milloshi

Saturday, 8 February 2020

AGRONOMËT LIBOHOVITË NË VITE

Prof. Dr. HYSEN HAJDAR ÇOBANI

“MJESHTËR I MADH” 

Përgatiti:  Besnik ISMAILATI
Agronom , Publicist
Libohovë, Gjirokastër. 

Hysen ÇOBANI
(1932-2015)
Hysen Çobani lindi më 5 nëntor 1932 në qytetin e Libohovës në një familje me tradita patriotike . Ai mban titullin prof. dr. në shkencat bujqësore. 
Në vitin 1955 përfundon studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor, ku vlerësohet me diplomën “Shkëlqyeshëm”. Pas përfundimit të studimeve Hysen Çobani u emërua dhe punoi 5 vjet (1955-1960) në Institutin e Kërkimeve Bujqësore Lushnjë. Në vitet 1960-1966 punoi si kryeagronom në kooperativën bujqësore “Skënderbeu” Cakran-Fier. Në 1966-1969, kryeagronom N.B Vorë “Gjergj Dimitrov”, Tiranë. Në vitet 1970-1977, punon kryeagronom në kooperativën bujqësore “Myslym Peza”, Tiranë, dhe pastaj për 12 vjet punoi si kryespecialist dhe më vonë drejtor për 10 vjet në Institutin e Perime Patateve në Tiranë. Të gjitha vendet ku punoi, për Hysen Çobanin ishin institucione dhe ekonomi me potencial të lartë prodhimi dhe niveli. 
Hysen Çobani ishte një specialist dhe intelektual me kulturë të gjerë. Aftësitë e tij tekniko-profesionale dhe niveli i lartë shkencor , kanë bërë të mundur që në të gjitha pozicionet e punës që ka pasur gjatë jetës së tij si specialist dhe drejtues shkencor, të njihte vetëm suksese dhe arritje.
Me punën dhe shkallën e lartë profesionale, Hysen Çobani ka ngritur shumë blloqe industriale në frutikulturë, olivikulturë, vreshtari dhe perimekulturë. Ai bëri ndërhyrje të guximshme për kohën që punoi në fermën “Gjergj Dimitrov” e në Ndroq të Tiranës. Në veprimtarinë e vet, ai ka qenë gjithmonë dinamik dhe në kërkim të së resë në fushën e shkencës së bujqësisë. Me veprimtarinë e tij në eksperimentimin shkencor, ai gjithnjë i ka thyer kufijtë e punës eksperimentale, duke treguar vlerat e tij të vërteta në shkencën e bujqësisë për një kohë mbi 22 vjeçare. Studimet e tij kanë hyrë në fondin klasik të eksperimentacionit bujqësor, siç janë : Vlerësimi i fraksioneve të farës së misrit, për dy e më shumë prodhime në vit, për krijimin e 300 linjave të reja në domate, po kështu në pemëtari e vreshtari ka futur lloje të reja me prodhimtari të lartë. Me punën e tij eksperimentuese, Hysen Çobani bëri të mundur edhe ndalimin e importit për lloje të ndryshme farash që vinin nga Italia e Bullgaria. Për punën dhe meritat e tij të mëdha në shkencën bujqësore shqiptare, Hysen Çobani dekorua nga Presidenti i Republikës z. Alfred Moisiu, me Urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh”. 
Në Institutin e Kërkimeve Bujqësore , kur ishte akoma në moshën 23 vjeçare, Hysen Çobani e konsideroi veten me fat dhe si një shans që i trokiti në derë për të ardhmen e vet në shkencën e bujqësisë shqiptare.
Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë, mbulonte bimët e arave dhe drejtohej nga shkencëtarë të dëgjuar si Koço Dhima, Skënder Gozhita, etj., ku në bashkëpunim me ta , ai ndjehej shumë më i sigurtë për të hedhur hapa po kaq të sigurta në fushën e kërkimit shkencor, pasi në atë kohë institucionet shkencorë funksiononin në mënyrë perfekte, zbatonin detyra e programe nën një kontroll të rreptë. Kishin metodika të aprovuara nga Këshilli Shkencor i Ministrisë së Bujqësisë, e që në përbërje të këtij forumi ishin specialistët më të mirë të bujqësisë shqiptare. Në këtë Institut ai punoi dhe kontribuoi pesë vjet (1955-1960) për krijimin dhe prodhimin e linjave elitë të farërave të grurit dhe të misrit, për të arritur rendimente të larta. 
Në kooperativën bujqësore të Cakranit Hysen Çobani punoi gjashtë vjet (1960-1966) , ku iu desh të merrej me shumë kultura bujqësore si: grurë , misër, perime, hardhinë, pemët frutore, si edhe me ullirin. Në këtë ekonomi , ullinjtë i gjeti pothuajse në degradim të plotë, prandaj me iniciativë dhe guxim shkencor në më shumë se 60 mijë rrënjë, bëri krasitjen e rëndë nga e cila vetëm pas dy-tre vjetësh prodhimi u shumëfishua. 
Në vitin 1966, Hysen Çobani emërohet me detyrën e kryeagronomit të NB ‘Gjergj Dimitrov”, një nga ekonomitë më të përparuara të vendit. Në këtë ekonomi ai solli edhe zbatimin e të rejave shkencore në kultivimin e hardhisë në spalier, konceptin e ri të krasitjes së pjeshkës, sikurse edhe objektivin e guximshëm për të marë rendimentin 100 kv misër për hektar. Në vitin 1969, transferohet kryeagronom në kooperativën bujqësore “Myslim Peza”, ku për shtatë vjet , deri në vitin 1977, me punën e vet bëri të mundur të transformonte tërësisht situatën: u dyfishua prodhimi i misrit dhe perimeve; u ripërtërinë 80 mijë rrënjë ullinj me metodat më produktive të kohës; u krijua plantacioni me 18 mijë rrënjë pjeshkë të trajtuara me teknikat më moderne dhe që përballonin plotësisht nevojat e kryeqytetit. 
Për më shumë se dy dekada, Hysen Çobani punoi dhe kontribuoi si kryespecialist dhe drejtor i Institutit të Perime-Patateve në Tiranë, ku falë punës dhe talentit të tij, ky Institut në pak vite u kthye në një qendër të rëndësishme mbarëkombëtare për prodhimin e shumë farërave cilësore të perimeve dhe patateve për të gjitha ekonomitë bujqësore të vendit, por edhe zbatimin e shumë praktikave dhe metodave të reja shkencore për prodhimin bujqësor. Në këtë Institut nën drejtimin e tij u kryen shumë eksperimente që do t’i shërbenin ekonomive prodhuese në të gjithë vendin. Me punën e tij shkencore ai ndoqi dhe drejtoi mbi 60 eksperimente, mijëra kryqëzime në kulturat e ndryshme perimore, ku falë kësaj pune arriti të krijonte 300 linja të pastra perimesh, siç mund të përmenden hibridet e domates 1431 F1 dhe ZKC F1. Gjithashtu ai grumbulloi dhe vlerësoi edhe 40 popullata të vendit në kulturat e domates, specit, patëllxhanit, qepës, preshit, etj. Falë kësaj pune, Institui bëri të mundur që të plotësonte rreth 60-70 % të prodhimit të farave cilësore të shumë kulturave perimore në shkallë vendi. 
Në fondin e tij krijues janë më shumë se 70 artikuj shkencorë, 40 metodika shkencore, 15 zëra në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, si edhe 11 libra e broshura për misrin, ullirin dhe perimet.
Për kontributin e e dhënë në fushën e zbulimit dhe prodhimit bujqësor, Hysen Çobani është vlerësuar me “Urdhri e Punës së Klasit I”, “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor”, “Profesor” , nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, për kontribut të shquar në shkencën bujqësore shqiptare, i është dhenë dekorata më e lartë, “Mjeshtër i Madh i Punës” . 
Nga materiali i botuar në gazetën “LIBOHOVA” , Nr. 1, dhjetor 2002 , në fjalën e vet në ceremoninë e dekorimit “MJESHËR I MADH”, datë 18.11. 2002 , Prof.Dr. Hysen Çobani shprehet :
“Të nderuar Zonja e Zotërinj, miq e të afërm, kolegë, bashkëpunëtorë!
Është në nderin tim, së pari të falënderoj dhe të përshëndes të gjithë ata që u bënë shkas për këtë eveniment dhe në veçanti stafin e Entit të Farave me drejtor Prof. Andrea Çekun, si nismëtar i dekorimit; Institutin e Perime – Patate me drejtor Prof. Xhevat Shimën si një nga organizatorët e kësaj ceremonie, Ministrin e Bujqësisë Z. Agron Duka, nxitësin dhe miratuesin e këtij vlerësimi të lartë dhe Presidentin e Republikës Z. Alfred Moisiu, që e akordoi këtë urdhër nderi të veçantë.
Për të thënë të vërtetën, për dekorime nuk më ka ecur në jetë. Tani dikush do të thotë se jam jashtë stinës së dekorimeve. Ndoshta… Por sidoqoftë në këto çaste si për këdo, edhe për mua janë momente reflektimi. Edhe për kaq ia vlen. Njeriu nuk është send dhe as nocion politik. Personaliteti i tij është një shumë vlerash ku futen individualiteti, familja, shkolla e shoqëria. Unë dua ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të vdekurit e të gjallët që kanë marrë pjesë në formimin tim. Nga familja nënën time që më mësoi të dua njerëzit, babain tim që më mësoi ç’është korrektësia, daiun tim Abedin Çiçin që më mësoi të dua punën dhe bimët. Shoqen time Vanjesa Spahiun që më dha dy fëmijë që janë krenaria ime dhe hapësirën për t’ju dedikuar punës, duke sakrifikuar shumë nga dëshirat e saj. Nga shkolla dhe pedagogët e saj që më ushqyen me dije, humanizëm dhe dashurinë për Shqipërinë, unë do të rendis një numër jo të vogël të gjallë e të vdekur me një respekt përunjës, se është një obligacion moral, pasi ata rrojnë në qënien time: Ramazan Jaranin, Milto Sotir Gurrën, Muharrem Pidrenin, Luigj Shalën, Nexhat Hakiun, Fejzi Dikën, Reshat Kosturin, Jovan Morekën, Abedin Çiçin, Mustafa Shashain, Myslym Selenicën, Safedin Baçin, Paulin Mamolin, Qazim Turdiun, Aleko Xoxen, Pirro Dodbibën, Andon Ikonomi, profesorët rusë Zujev, Berezina, Bruhi, etj. Bashkëpunëtorët e mi i përshëndes dhe iu shtërngoj dorën burrërisht. Ata janë me mijëra punëtorë, mjeshtra, specialistë të mesëm e të lartë.
Bujqësia i ngjan ushtrisë. Asgjë nuk mund të realizohet pa vënien në sinkron e të gjithë pjesmarrësve në lojë. Agronomia është një profesion që kërkon jo vetëm përpjekje individuale e talent, por edhe aftësi që të vëjë në lëvizje një ushtri të panumërt njerëzish, mentalitetesh, dëshirash dhe interesash. Agronomi nuk është dentist, që çdo gjë fillon e mbaron tek ai. Agronomi është shumë afër gjeneralit…, por për ti ushqyer njerëzit. Në këtë numër të madh kam zgjedhur si simbol për të përmendur për një bashkëpunim shembullor, stimulues e vlerësues Mërkur Meron, Llukan Tasen, Sali Tolen, Nezir Goricën, Edi Gjonin, Xhemil Islamin, Dine Mere, Meropi Priftin, Florenc Kutrollin, Petrit Asllanin, Shpëtim Idrizin, Pandeli Stringën, Thanas Papazisin, Loni Çukon, Themie Thomaj, Sulejman Xhepën, Hajdar Kuçin, Halil Hasën, Hysen Laçin, Vasil Markon, Lutfi Isufi, Vildan Gogën, Shefqet Gjinin, Sotir Kerin, Agim Bojën, Kosta Çakallin, Ramazan Çeka, Sokrat Janin, Behar Gjata, Bajazit Habipi, Thoma Plasa, etj. 
Dhe dua ta mbyll me kolegët e mi, relatat me ta, ndoshta me pjesën më të bukur të jetës sime si profesionist. Shqipëria është vendi i agronomëve të mëdhenj. Çdo vend do të mburrej me ta. Të ditur, të thjeshtë, punëtorë e të devotshëm, pa xhelozi, por në të kundërtën vlerësues dhe që ju gëzohej zemra për arritjet e kolegut. Në Shqipëri njerëzit dhe vlerat e tyre janë trajtuar keq, por toka, ujrat, bimët, pyjet, kafshët janë trajtuar me një nivel teknik shumë të lartë, madje pa E TEPËRUAR NË NIVEL EUROPIAN. Dhe kjo është meritë e agronomëve shqiptarë e specialistëve të bujqësisë. Kush nuk do të ndihej krenar për rendimentet që ne kemi marrë dhe për agronomët që i drejtonin dhe realizonin ato. Dhe në këtë piramidë, që nuk është e plotë, do të rendisja Ali Ypin, Zyber Jukën, Muzafer Kallanxhi, Ludovik Gajtanin, Mihal Dalanin, Petrit Kalakulën, Kastriot Panaritin, Andon Ikonomin, Petrit Kripën, Halim Stërmasin, Todi Gjermenin, Hysen Laçin, Resmi Osmanin, Shpëtim Gurin, Meropi Priftin, Lefter Veshin, Andon Papingjin, Aleksandër Çelikun, Mërkur Mero, Petraq Sotiri, Skënder Gozhita, Alfred Xhomo, Todi Gjermani, Mentor Përmetin e sa e sa emra të tjerë që ndrisin në skenën e agronomisë shqiptare. Me të gjithë këta kolegët e mi, unë mburrem se jam shoku i tyre. Ata janë të gjithë ekuivalent me artistët e popullit. Shqipëria duhet t’ju kthehet vlerave, t’ju japi ç’ju takon bijve të saj. Ata e ngritën bujqësinë shqiptare nga niveli i primitivitetit osman në nivelin europian. Themelet që ata kanë hedhur nuk ç’bëhen më, pavarësisht nga mjegullat e tranzicionit. Nuk mund të quhet patriotike ajo dorë që mënjanoi këtë Akademi të Gjallë Bujqësore nga jeta e vendit që arriti kulmin me kthimin e seleksionerit të njohur të grurit Skënder Gozhita në shitës ambulant enësh në një strehë ballkoni në rrugën e Kavajës. Edhe sot më dhemb shpirti për këtë zhgënjim demokratik të tejskajshëm, i cili më vonë u shtri në shumë fusha të tjera të jetës së vendit.
Të punosh me njerëzit për vendin tend, për familjen tënde, qenka një burim i pashtershëm kënaqësie, një lumturi morale e pafundme që buron nga kryerja e detyrës. Lumturia është vetë shija e jetës. Të veprosh me sens pozitiv është një gëzim i pastër. Këtë nuk e kam përfundim të marrë nga librat, por nga përvoja pothuajse pesëdhjetëvjeçare në veprim. Dhëntë Zoti e më jep shëndet që deri në ditën e fundit të punoj për këto motive.
Edhe një herë ju falënderoj e i shtrëngoj fort duart tuaja miqësore, që më gëzuat sot me pjesëmarrjen tuaj në këtë ceremoni të veçantë të jetës sime. Uroj të mblidhemi si sot edhe për personalitete të tjera të bujqësisë shqiptare. Ju faleminderit. Rroftë Shqipëria!”

Friday, 7 February 2020

SIMBOL I FRUTIKULTURËS DHE PERSONALITET I AGRONOMISË SHQIPTARE

ABEDIN DERVISH ÇIÇI

MJESHTËR I MADH

QYTETAR NDERI I LIBOHOVES


Përgatiti:  Besnik ISMAILATI
Agronom , Publicist
Libohovë, Gjirokastër. 

Abedin D. ÇIÇI
(1911 - 2005)
Abedin Çiçi lindi në Libohovë më 28.11.1911 në Lagjen Hoxhollarë, ndëroi jetë në Tiranë më 2005. Në vitet 1920–1923 kreu shkollën parafillore në Nepravishtë, ndërsa në vitet 1923 - 1926 vazhdoi shkollën fillore në Libohovë.
Në vjeshtë të vitit 1926 i akordohet bursë studimi për në shkollën e mesme Shqiptaro - Amerikane (Harry T.Fultz) në Tiranë të cilën e mbaroi me sukses në vitin 1932.
Në 20 dhjetor 1932 filloi në Itali kursin e specializimit një vjeçar pranë ISTITUTO TECNICO AGRARIO (Instituti Teknik Bujqësor) të Firences. Gjatë kohës së specializimit mori njohuri për pemët frutore, për kopshtarinë, për lultarinë, ndërsa për ullirin njohuritë i mori në Stacionin e Ullirit në Pescia (Peshia), Itali.
Një ndihmesë e madhe në dijet e tij ishte edhe prania dhe mbajtja afër nga Prof. Alessandro Morettini , ish Drejtor i Institutit ku cilësohet edhe sot si babai i frutikulturës Italiane.
Me gjithë kërkesën nga ana e Prof. Morettini-t për të vazhduar studimet, ai vendos të kthehet në atdhe për të ndihmuar në ngritjen e pemtarisë së vendit , mbërrin në Shqipëri më 22 dhjetor 1933.
Periudha e specializimit në Firence i krijoi mundësi që të punonte duke mbledhur një sasi parash, të cilat i përdori për blerjen e një koleksioni të pemëve frutore me ndërhyrjen edhe të prof. Morettini-t.
Në janar të vitit 1934 emërohet kryeteknik i fidanishtes së përgjithëshme shtetërore që ndodhej në Laprakë. Fidanishtja kishte në vartësi dhe dy stacione shtetërore të përgjithshme, Stacioni Shtetëror i Krimbit të Mëndafshit dhe Stacioni i Bletës.
Në fidanishte realizoi prodhimin e fidanëve të pemëve frutote, pyjore dhe ornamentale (zbukuruese), më vonë edhe prodhimin e fidanave të agrumeve, të ullirit e të prodhimit të fidanave të hardhisë. 
Realizoi mbjelljen e koleksionit të pemëve frutore të sjellë nga Italia, për sigurimin e materialit shartues, ngritjen dhe vlerësimin e pemtoreve të koleksionit, aplikimin e teknologjive të reja në drejtim të prodhimit të fidanave në përgjithësi në përcaktimin e numrit të varieteteve për çdo specie sipas dijeve të atëhershme.
Organizoi kurset e specializimit të punëtorëve për kryepunëtor si dhe për ndihmës specialist hortikulture ( perime). Këta ishin punëtorët e parë bashkë me kryepunëtorët dhe punëtorët e specializuar që më vonë drejtuan fidanishtet e ngritura , por kishte edhe raste që ata të drejtonin dhe fidanishtet pyjore si në shkollën e Kavajës, në Bilisht e gjetkë.
Hodhi bazat për ngritjen e fidanishteve të dyta në prefektura dhe nënprefektura si në Peshkopi, Kukës, Korçë, Bilisht, Kavajë, Lushnje, Fier, Delvinë.
Në vitin 1935 u ngrit fidanishtja e Peshkopisë në fshatin Kastriot me objektiv realizimin e prodhimit të fidanëve për rrethin e Dibrës dhe të Kuksit e më vonë të ngrihej fidanishtja edhe në Kukës , të cilat u pasuan me rradhë në ngritjen e fidanishteve të tjera.
Në vitin 1938 Ministria e Bujqësisë vendos ta zëvendësojë me një drejtor italian dhe Abedini pushohet nga puna. Nga ky akt i papreçedent merr shkak zemërimi i punëtorëve të fidanishtes që ka hyrë në histori me emrin “REVOLTA E PUNTORËVE TË FIDANISHTES SË LAPRAKËS”. Më 28 maj 1938 një komision i Ministrisë së Bujqësisë drejtuar nga Mustafa Shashaj, ish shef bujqësie i Tiranës, paraqitet në fidanishte me qëllim përpilimin e aktit të dorëzimit të fidanishtes italianit, gjë e cila kundërshtohet me forcë.
Kohë pas kohe situata acarohej jashtë mase dhe në këtë moment e marrin vesh edhe punëtorët për largimin e Abedinit dhe zëvendesimin e tij me një italian. Punëtorët siç ishin me veglat e tyre të punës në duar, me lopata, bela, kosa, u turrën dhe u grumbulluan përpara hyrjes së fidanishtes. Lajmërimi kish shkuar edhe në Brakë ku edhe atje kishte punëtorë, të cilët me vegla u mblodhën në qendër të fidanishtes së Laprakës. Të ndodhur në një situatë të vështirë, pjestarët e komisionit u tërhoqën dhe në procesverbalin e mbajtur prej tyre që gjendet në Arkivin e Shtetit është shkruajtur titulli :“REVOLTA E PUNTORËVE TË FIDANISHTES SË LAPRAKËS”. Revolta e acaroi shumë situatën, Abedini kërkohet për rreth 3 ditë nga xhandarmëria, ndalohet prej saj dhe mbahet brenda një natë për situatën e krijuar, por pastaj lihet i lirë.
Me ndihmën e disa punëtorëve të tij besnikë largohet nga Tirana, pasi i rrezikohej jeta dhe kalon në fshatrat e Korçës ku kishte shumë të njohur. Atje merret me punët e stinës .
Në qershor 1938 me një urdhër qarkore të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, u bëhej me dije të gjitha Bashkive dhe Komunave të Mbretërisë se specialisti i hortikulturës Agr.Abedin D.Çiçi është marrë në shërbim të kësaj Ministrie, prandaj të ndihmohet nga ana juaj që të kryejë misionin e vet të ngarkuar në lidhje me drejtimin e fidanishteve, parqeve dhe lulishteve.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 11 prill të vitit 1939 ai emigron në Jugosllavi me një grup të rinjsh. Arratiset nëpërmjet Bllatës dhe vendosen në Gostivar, ku organizon edhe kurse kualifikimi për pemërritësit e Gostivarit, përshkruan kultivarët e ndryshëm të mollëve, dardhëve dhe hardhive të rajonit të Gostivarit dhe Vershacit.
Realizon një studim mbi bujqësinë e Tetovës dhe në fund të vitit 1940 vendoset në Vershac. Në prill 1941 largohet nga Vershaci në drejtim të Korçës ku qëndron jo më shumë se një javë dhe detyrohet të arratiset në Greqi, ku deri në vitin 1942 merret me punë të ndryshme si teknik pemësh, bahçevan dhe punëtor lulishtar.
Megjithëse iu krijuan kushtet për të ikur bashkë me ushtarët australianë nga Greqia, ai iu bashkëngjit një grupi çam të internuar në Kretë e bashkë me ta kthehet në Çamëri. Në vitin 1942 kthehet në Atdhe.
Aktivizohet në çetën e Pezës ku bie në sy për aktivitetin e tij dhe burgoset si aktivist antifashist, por më vonë lirohet.
Merr pjesë në Konferencën e Pezës dhe në Kongresin e Përmetit ku zgjidhet Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar.
Më 20 gusht 1944 emërohet agronom i ZONËS SË PARË OPERATIVE VLORË- GJIROKASTËR, detyrë të cilën e kreu deri në dhjetor të vitit 1944 , pastaj emërohet shef i seksionit të frutikulturës në Drejtorinë e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë. Atje punon duke ndjekur problem të shumta si:
-Kontrollin dhe forcimin e fidanishteve të pemëve frutore, të ullirit dhe agrumeve.
-Vlerësimin e gjendjes aktuale të vreshtave pasi kish dëmtime nga filloksera.
-Gjendjen e pemtarisë duke bërë regjistrimet e duhura.
-Gjendjen e ullishteve, prodhimin dhe masat agronomike për ecurinë e kësaj kulture me shumë rëndësi.
-Kontrollin e fabrikave të vajit, si dhe vlerësimin e prodhimtarisë së pritshme, etj.
Ndërhyrja e jugosllavëve në punët tona, e organizuar në Ministrinë e Bujqësisë për përkrahjen dhe mbështetjen që duhej ti jepej politikës jugosllave ku u parashtrua direktiva për: “Zhvillimin e kulturave industriale si pambuk, lule dielli, recin, me slloganin se buka do të sigurohet nga Jugosllavia.”, u kundërshtua me forcë nga Abedini si një direktivë e papranueshme , i cili pohoi se bukën shqiptari duhet ta sigurojë vetë . Stavër Mariani si drejtues i takimit nuk e pranoi kundërshtimin e tij me pretendimin se kjo cënon politikën dhe miqësinë me Jugosllavinë. Atëherë Abedini shtron pyetjen para diskutantëve: ” Mirë grurin do të na e sigurojë Jugosllavia, po kashtën për qetë kush do të na e sigurojë?”. Kjo bëri që pas disa ditësh në korrik të vitit 1948, ai të pushohej nga puna me motivacionin : “Pushoheni për mosdhënie rendiment dhe vullnet në punë.” , të nënshkruar nga ministri i bujqësisë Gaqo Tashko.
Vështirësitë ekonomike e detyruan të punojë ne sanatorium si bahçevan deri në fundin e vitit 1949 dhe pastaj emërohet nëndrejtor i Teknikumit Bujqësor Kamëz, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 1951. Gjatë kësaj periudhe krijoi një ekonomi ndihmëse për teknikumin, realizoi mbjelljen e një vreshti koleksion me kultivarët e vendit të rretheve Përmet, Sukth, Leskovik, Korçë, Shkodër si dhe të një sipërfaqeje me fidana të ardhur nga Bullgaria, por njëkohësisht vazhdon edhe mësimdhënien.
Në vitin 1951 emërohet shef i sektorit të Hortikulturës pranë Stacionit Eksperimental të Brakës dhe një vit më vonë kthehet në Institutin e Kërkimeve Bujqësore “I.V. MIÇURIN”.
Nga viti 1951 deri në vitin 1953 ndërmerr ekspedita mbi studimin dhe rajonizimin e kultivimit të agrumeve në Jug të vendit. Në vitin e parë dhe të dytë u mor jo vetëm me studimin përshkrimor të specieve dhe varieteteve të agrumeve, por edhe me studimin nga ana pedologjike e caktimit të tokave për agrumet. Ekspedita realizoi studimin e rajonizimit për shtrirjen e kultivimit të agrumeve në të gjithë bregdetin. Në vitin 1953 deri ne vitin 1954 kreu inventarizimin dhe studimin e agrumeve në rrethin e Elbasanit.
Në vitin 1955 largohet nga Instituti i Kërkimerve Bujqësore “I.V.Miçurin” dhe emërohet drejtor i N.B. “17 Nëntori “ në Laprakë.
Në vjeshtën dhe pranverën e vitit 1956-1957 realizohet për herë të parë mbjellja e 62 ha me fidanë antifillokserikë për sigurimin e nënshartesave në Shqipëri , të cilat shërbyen për shartimin e fidanëve të hardhive. 
Në vitet 1957-1958 u projektuan dhe u mbollën 100 ha me vreshta europianë që shërbyen si vreshta mëmë për marrjen e kalemave për shartim dhe prodhim të fidanëve të hardhive të shartuara në nënshartesa antifillokserike.
Ndërkohë në Laprakë punohej për ngritjen e godinave, shartësores ku do te mbilleshin fidanat e shartuara, ambientet si: salla e shartimit me të gjitha paisjet, salla e kallusimit dhe e kalitjes, mensa për punëtorët, magazinat dhe ambientet e shtratifikimit të sharmendave dhe të copave antifillokserike, vaskat e banjëzimit, si dhe strehat për përgatitjen e copave dhe të sythave.
Salla e shartimit u plotësua me tavolina e stola, ndërsa salla e kallusimit u kompletua me shtretër ,sobat për ngrohje, termometra e hygrometra. U siguruan arkat e shtratifikimit, tallashi, por në fillim u përdor myshku. Me fillimin e kësaj pune të re për vreshtarinë, nga shkurti i vitit 1956 e deri në dhjetor te vitit 1964 u arrit të prodhoheshin rreth 1.200.000 fidana hardhi të varieteteve të ndryshme të shartuara që furnizonin një pjesë të konsiderueshme të Republikës. Puna filloi me 400.000 shartime ne vitin 1958 me copat e prodhuara nga vreshti prej 62 ha e deri në 2.000.000 - 3.000.000 dhe me shifrat rekord 7 - 8.000.000 në vitet 1963-1964.
Në Sauk u ngrit i pari vresht europian prej 100 ha, i cili deri në vitin 1964 arriti në 1.200 ha, me perspektivë arritje deri në 2.000 ha.
Çdo vit prodhoheshin 50.000 fidanë frutorë të specieve me kultivarë të ndryshëm të zgjedhur e të caktuar sipas rajonizimit të bërë nga Ministria e Bujqësisë.
Prodhoheshin 20.000-30.000 fidana agrumesh kryesisht të mandarinës Ovari Satsuma që shpërndaheshin në Tiranë , Durrës e gjetkë.
Po kështu u krijua stacioni i krimbit të mëndafshit që prodhonte deri në 15 kg farë mëndafshi në vit për ta shpërndarë në të gjithë vendin.
Njëkohësisht u ngrit inkubatori për çeljen e zogjve të pulave ku prodhoheshin me mijëra zogj në vit që shpërndaheshin në të gjithë vendin.
Në vitin 1958 N.B. “17 Nëntori” i vihet emri N.B. “Gjergj Dimitrov”.
Në vitin 1959 – 1960 filloi puna për ngritjen e vreshtave në Farkën e Vogël me fidanë të sjellë nga Bullgaria, Rumania, Hungaria, Bashkimi Sovjetik dhe Italia, ku u përfshi edhe Farka e Madhe dhe Lundra që nuk ishte futur në kooperativë, e pasuar nga Sauku që ekzistonte kooperativë, por pranuan të futeshin në fermë duke krijuar sektorin e Saukut. Sektori i Saukut nga veriu kufizohej me fshatin Shkozë duke e përfshirë edhe këtë në N.B. “Gj.Dimitrov” , duke shtuar sipërfaqen e vreshtave të mbjella. 
Pasi u kompletua, por jo plotësisht sektori i Shkozës dhe Paskuqani që ishte një kooperativë e prapambetur u përfshinë në fermë. Përveç Paskuqanit, ishte akoma fshat individual edhe fshati Babru, kështu u hap një front i gjerë dhe i ri në veri të Tiranës. Në këtë mënyrë dalëngadalë po plotësohej rrethimi gradual i Tiranës, sidomos me përfshirjen edhe të Selitës.
Nga viti 1959 e deri në vitin 1964 ndërmarrja arriti një sipërfaqe të mbjellë me vreshta rreth 1400 ha që furnizonte tregun e qytetit të Tiranës , siguronte prodhim për eksport, lëndë të parë për industrinë përpunuese për kantinën e Durrësit , të Milotit dhe të Kombinati Ushqimor “Ali Kelmendi”, si dhe rezervonte sasi të kondsiderueshme në frigoriferin e Tiranës për furnizimin e qytetit gjatë festave të fund vitit e më tutje.
Largohet nga N.B.”Gj.Dimitrov” më 31 dhjetor të vitit 1964 dhe caktohet specialist pemtarie në Ministrinë e Bujqësisë, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1967.
Në janar të vitit 1968 me kërkesë të Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Tiranës kalon si specialist pemtarie pranë këtij institucioni ku punoi deri në vitin 1972 dhe pas kësaj periudhe në moshën 60 vjeçare del në pension. Por Abedini e vazhdoi punën pranë këtij institucioni vullnetarisht pa pagesë deri në fund të vitit 1982.
Aktivizohet për rreth 10 vjet si pedagog i jashtëm në Universitetin Bujqësor Kamëz.
Për merita pune Abedin Çiçi është dekoruar me urdhëra e medalje të ndryshme si:
“Medalja e Kujtimit”.
“Medalja e Trimërisë”.
“Medalja e Çlirimit”.
“Medalja e Punës”.
“Medalja e Arsimit”.
“Laureant i Çmimit të Republikës të Klasit të Parë”.
Nga Akademia e Shkencave Ruse është dekoruar me “Medalja e Artë e Miçurinit”
Në vitin 2000 Instituti Biologjik i Kembrixhit e dekoron me medaljen e argjendtë ”Njeriu i Shekullit”.
Me rastin e 90 vjetorit të lindjes dekorohet me titullin e lartë “Mjeshtri i Madh i Punës”.
Bashkia Libohovë si birin e saj e nderon me titullin “Qytetar Nderi i Libohovës”
Prof.Dr. Hysen Çobani është shprehur se : “ Nëse Dhaskal Todri kishte gërmat dhe alfabetin; Abedin Çiçi, fidanët.”
Me plot gojën Abedin Çiçi mund të quhet “RILINDAS“, në fushën e shkencave bujqësore, pavarësisht se këtë emër kultura shqiptare e ka rezervuar vetëm për njerëzit e gjuhësisë e të artit. 
Gërshëra e tij është proverbiale. Ajo duhet futur në muze, simbol i dashurisë së tij agronomike. Ajo është atje ku është Ai. 
Brenda 8 vjetësh (1956-1964) ai krijoi nga hiçi 1200 ha vreshta, plantacioni më i madh në Ballkan, ndoshta dhe më gjerë. Dilte në fushë pa lindur dielli dhe kthehej pasi errësohej. Në N.B “Gjergj Dimitrov” ai mori edhe gradën “Gjeneral i pemtarisë shqiptare”.
“Hidhmëni dhe mua në det bashkë me fidanët”!...
Dhjetor 1933. Në mes të ujëdetit të ftohtë e plotë shi, një djalë shqiptar pas një viti specializimi në Itali, kthehej me anije nga Ankona për në Atdhe. Natën, para se udhëtarët të flinin, kontrollori i anijes dallon një ngarkesë me fidanë frutorë të hedhur diku në një anë. Pasi dokumentacionin e gjeti të parregullt urdhëroi që të hidheshin në det. Djaloshi flokëverdhë pa bërë zë i pushtoi fidanët me krahët e tij dhe me një zë të vendosur i thotë inspektorit : “Hidhmë bashkë me fidanët dhe mua në det”. Italiani i mirë, i çuditur nga qëndrimi i këtij udhëtari iku pa i dhënë përgjigje dhe nuk u kthye më në atë cep të anijes ku vazhdonte të rrinte roje në mes të shiut agronom Abedin Çiçi. Paralelizëm shumë domethënës para 140 vjetëve (nga 1933) vinte në Shqipëri një atdhetar i madh, Dhaskal Todri dhe tani Abedin Çiçi, i pari me shkronjat e alfabetit, i dyti me një koleksion drufrutorë modern e të panjohur nga pemëtaria shqiptare. 
Abedin Çiçi dhe Libohova
Lidhjet e Abedin Çiçit me vendlindjen e vet Libohovën nuk janë ndërprerë asnjeherë në jetën e vet. Ai shprehte nje dashuri të madhe e të pakufijshme për të. E ka vizituar shumë herë, ka mbajtur marrëdhënie me shumë bashkëqytetarë, ka vizituar mjaft njerëz dhe kopshte libohovite me gërshërë në dorë , ka dhënë shumë këshilla për bujqësinë e saj se si duhej të zhvillohej në të ardhmen. Ja se çfarë shkruan ai në korrespondencën e vet me z.Vladimir Hide, në atë kohë Kryetar i Bashkisë Libohovë, në vitin 2003: “Ju lutem zoti Vladimir, hap një dosje për letrat e mia se do të të dërgoj shumë propozime dhe eksperienca për të këmbyer edhe për Libohovën.” 
Abedin Çiçi gjatë jetës së vet ka shkruar dhe botuar shumë libra tekniko shkencorë si: 
1. Mbjellja e pemëve frutore, 1954
2. Molla dhe dardha, 1956
3. Kultura e fikut në Shqipëri, 1956
4. Kultura e pjeshkës, 1960
5. Kultura e kumbullës, 1963
6. Qershija dhe vishnja, 1964
7. Kultura e ftoit, mushmullës dhe vodhzës, 1965
8. Kultivimi i lajthisë, 1970
9. Kultura e arrës, 1973
10. Kultura e bajames, 1974
11. Hurma, 1976
12. Kultivimi i shegës dhe hides, 1980
13. Frutikultura
(Tekst per fakultetin e agronomisë të I.L.Bujqësor. 1983
a.Frutikultura përgjithëshme pjesa e parë, Bashkëautor
b.Frutikultura përgjithëshme pjesa e dytë, Bashkëautor
c.Frutikultura speciale. Bashkëautor
14.Përkthime të ndryshme :
Për kulturën e hardhisë mbi 500 faqe
Për kulturën e agrumeve mbi 500 faqe
Për kulturën e ullirit mbi 300 faqe
Për kulturën e pemëve frutore bërthamore ,500 faqe
Për kulturën e pemëve frutore farore, 400 faqe
Për kulturën e pemëve frutore subtropikale, 300 faqe
Per kulturat manore etj..300 faqe
Në koleksionin e parë të pemëve frutore të sjellë nga Abedin Çiçi në Shqipëri nga Firence e Italisë në vitin 1933, përfshihen: 
1.kultivarët e pjeshkës gjithsej 26 kultivarë si : Lule Maji, etj.
2.kultivarët e kajsisë, 6 kultivarë si: Precoce di Toscana, etj.
3.kultivarët e kumbullës gjithsej 22 kultivarë si: Friulana, Claudia precoce, etj.
4.kultivarët e mollës gjithsej 17 kultivarë si: Starking, Golden, Jonathan, etj.
5.kultivarët e dardhës gjithsej 17 kultivarë si: Abate fetel, etj
6.kultivarët e qershisë dhe të vishnjës.
7.kultivarët e hurmës.
8.kultivarët e luleshtrydhes.
9. Nënshartesa të pemëve frutore
Ky koleksion i specieve frutore është marrë dhe është përgatitur nga Stacioni i Pomologjisë në Firence me burimet e veta financiare të kursyera gjatë periudhës së shkollimit në vitet 1932 – 1933, prej andej është dërguar në portin e Barit. Ngarkesa është bërë në një anije që kishte destinacion portin e e Durrësit. Gjatë kontrollit të ngarkesës nga personeli drejtues i anijes u vu re se nuk ishte bërë pagesa e plotë për këtë ngarkesë. Nga ana e personelit të vaporit iu kërkua që në rast të mos pagesës ngarkesa do të hidhej ne det. I ndodhur në këtë situatë të vështirë Abedini u detyrua të hipi lart dengut të fidanave duke i thënë që në se do të hidhni ngarkesën në det, më hidhni mua në radhë të pare dhe pastaj ngarkesën. Kështu ai qëndroi gjithë natën përjashta mbi ngarkesën e koleksionit. Me të mbërritur në Durrës i është mbajtur ngarkesa peng përkundrejt pagesës. Pasi siguron pjesën e mbetur të pagesës, ai shkarkon koleksionin e fidanëve dhe niset për Tiranë për të vazhduar punën.

Tuesday, 4 February 2020

PYLLTARË SHKALLMONI ZGAVRËN E DRUJTË TË HESHTJES!

(Kolegëve, në vënd të një urimi për 27 Janarit - Dita e shërbimit pyjor shqiptar)


Përgatiti: dr. Selman MËZIU
Firence, Itali




         
Selman MËZIU
A mjafton ky organizim i pylltarisë shqipëtare për të rimëkëmbur pyjet e shkatërruara për më shumë se dy dhjetëvjeçar? A duhet që pylltarët shqiptar, që i kalojnë të pesë mijë, të pajtohen me trajtimin përçmues që ju bën qeveria Rama? A janë të organizuar shërbetorët e shkolluar të pyllit të dalin nga kjo gjëndje mjerane?


        Pyetje të tilla të ngjajshme mund t’i lindin çdo pylltari. Po kështu përgjigjet e rrugëzgjidhjet mund të jenë të ndryshme. Natyrisht. Në thelb ideja dhe qellimi duhet të bashkohen në një të vetme: Të shpëtojme mushkëritë e popullit shqiptar nga kjo sëmundje kundër natyrës e pyllit që ka pllakosur politikanët shqiptar, deputetët e anëtarët e kabinetit te qeverise se Edvin Ramës duke vepruar neve, enrgjikisht, konkretisht, me argumente e mjete demokratike dhe në vazhdimësi deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij ngërçi.

         Ne pylltarët shqiptar së pari duhet të jemi doktora të vetëvetes. Të bashkohemi sipas shoqatave që jemi anëtarësuar, të bisedojme se çfarë virusesh duhet të luftojmë në si anëtarë të thjeshtë dhe drejtuesit e tyre, në konceptimin real, bashkëkohor, të kapitalizmit të cilit duhet ti krijojmë kushte lindeje të shëndetshme edhe në pylltari sipas ligjësive demokratike të kaluara tashmë në vendet prendimore evropiane. Kur ne pylltarët të kemi gjetur edhe emruesin e përbashkëta të ideve, mendimeve, rrugëzgjidhjeve të veprojmë për të hedhur hapin e dytë.

         Të zgjedhim për çdo shoqatë dy ose tre përfaqësues për të krijuar një grup të përbashkët me pjesmarrjen e të gjithave, për të hartuar luftën shkallë shkallë, të shkeljeve që qeveria apo intitucione të ndryshme, ndërmarrje të huaja apo të vendit kryjen veprime të paligjshme në mjediset pyjore, kullosore, ujore etj. 

         Hapi i tretë; zgjedhja e taktikave, metodave e mjeteve të përdorura, në kryerjen me produktivitet, për të marrë rezultate të bindshme kundër këtyre shkeljeve. Duke filluar me dëshmuerjen në oganet e policive të qarqeve, komunave, bashkive, e vazhduar me shkruarjen në gazeta e portale, bisedat televizive. Po nuk pati reagime pozitive, peticione drejtuar ministrive pëkatëse ose direkt kryeministrit apo kryetarit të shtetit. Së fundi të bëjm padijet në organet e drejtësisë etj. Ky sulm të bashkuar nën emrin e shoqatave me argumentet e dalun nga pylltarët të vetmit të plotfuqishëm e doktora të ekosistemit pyjor, do të pickojë, do të shqetësoj pa dyshim hallkat zinxhir të shtetit.

         Të trajtojm rastin konkret. Vendimi Nr. 570 datë 17.07. 2019 ‘’Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve,, Ka gjysëm viti qe ka dal ky vendim qeverie. Duket mjaft qartë burokracia me brire e Minstrit të Turizmit e Mjedisit, Blendi Klosi që nuk ka kryer akoma këtë organizim jetik për këtë pasuri me vlera të pallogaritshme kombëtare? Po pylltarët me shoqatat e shumta përse kanë heshtur ndaj këtij mos organizimi? Administrata e drejtorisë përkatësë që duhet të zbatoi vendimin në Ministrinë e Turizmit e Mjedisit duke mos zbatuar atë shpreh pa aftësinë dhe prirjen për të fshehur dobësitë, pa aftësitë pse jo neglizhim me qëllime korruptive, duke e zvarritur në pafundësi atë. Vallë ne që e duam profesionin tonë që i kemi shërbyer pyllit me dhjetëvjeçar të tanë nuk kemi të drejt të revoltohemi e të luftojme për të mbrojtur këtë pasuri të madhe kombëtare të nëpërkambun brutalisht nga administrata e Ministrisë së Mjedisit e Turizmit?

         E njëjta situat e randë dramatike mbretëron në hartimin e legjislacionit mbi pyjet dhe shërbimin pyjor, diskutimi nga të gjitha shoqatat në tavolina të rrumbullakta të këtij ligji, do të çonte në Kuvendin Popullor akte ligjore që t’i qëndronin kohës. Kurrë nuk do të ndodhte që të bëheshin ligje me leksione silvikulture ose të tilla, pa patur në themel organizimin e pronësisë e organizimin piramidal shërbyes e administrues të kësaj pasurie jetike, që po lëngon këto dhjetë vjeçar e lodhur e këputur drejt zhdukjes së pashmangshme. Duke u qepur, shqepur e arnuar ligje pas ligjesh prandaj, fatkeqësisht nuk kemi akoma një ligj përfundimtar. Pylltarët shqiptar i kanë mundësitë intelektuale e profesionale të hartojn ligje të shëndetshme e të zbatueshme. Do të mjaftonte që ne t’a bëjmë, duke u organizuar, punuar e përplasur në tavolinat e politikanëve. Kështu ne kemi treguar punën tonë, dijet tona profesionale e juridike, mendoi që vetëm kështu ato binden e krijojn besimin se qenkan specialistët e pyjeve, se paska shkence pyjore, Fakultet e Shkollë të mesme pyjesh. Përdryshe ‘’perandoria e gjelbert e pyjeve,, u gropos si pasuri, si shkence, si inteligjencë, si institucione shkollimi.

         Shkencave të pylltarise shqiptare nuk i mungojnë profesorët, doktorët inxhinierat e teknikët e pyjeve me përvoje edhe gjysëm shekullore për të kontribuar në ngritjen e piramidës së gjelbert, të funksionueshme të pylltarisë shqiptare. Veçse ne duhet të shkundemi nga myku i paragjykimeve, i delirëve, i madhështive, të bashkpunojn për të larguar vellon e hijeve dhe errësirës që na ka mbuluar, tulatur e vetë fshehur.

         Po qe se pylltarët shqiptar me shoqatat e tyre nuk organizohen shpejt, me shkathtësi, në bashkëpunim e bashkërendim, nëpërmjet një pune të vazhdueshme në denoncimin, goditjen që në embrion të shkelejeve në hapsirat e pyjeve, me hidrocentralet në lumenj e përrenj, guroret etj. nuk do të kemi as përkrahësit e inteligjencies shqiptare e cila e njeh me hollsi dhe ia dine vlerat e shumta arit të gjelbërt. Por, duhet të jemi neve që të luftojm në skalionin e parë, me përkushtim, pasion, organizim, tanima jo vetëm me artikuj teorik, reagime e opnione në rrjetet sociale, biseda kafenesh drekash e darkash, por me veprime urgjente, praktike e përballje me shtetarët për problemet shqetësuese mbi pyjet. Deri tani pylltarisë të vendit tonë, i funksionon (edhe ajo pjesërisht) vetëm njëra pjesë e trupit të ekosistemit gjigand të pyjeve, pjesa tjetër ka mbetur në mes dallgëve të ujrave të qelbura të një deti paditurie e nëvleftësimi, te krijuar qellimisht nga kastat politike në pushtet.
          Shpëtimi i kësaj pasuri të madhe kombëtare pritet e duhet kryer vetëm nga ne pylltarët të bashkuar. Ky është misioni historik që na takon vetëm neve si njohës të thell të dobive të shumta të bio sistemit të gjelbërt në jetën e malsorit, fshatarit e qytetarit shqiptar. Ekonomia kombëtare, populli i këtij vendi sot dhe nesër nuk do të na e falin heshtjen, ngurrimin, indiferencën. Inisiativa është në duart tona. Prandaj të veprojm!

29.01.2020 Dr. Selman Meziu



PYLLTARË SHKALLMONI ZGAVRËN E DRUJTË TË HESHTJES!, by Bota Bujqësore Copyright © 2020 by Bota Bujqësore

Friday, 31 January 2020

AGRONOMË LIBOHOVITË NË VITE

BAJAZIT HAMIT HABIBI

Përgatiti:  Besnik ISMAILATI
Agronom , Publicist
Libohovë, Gjirokastër. 

Bajazit HABIBI
U lind në Libohovë më 05.05.1916 në Lagjen Marinë. Në vitet 1924–1925 kreu shkollën parafillore në Libohovë, nga viti 1926 deri në vitin 1931 vazhdoi shkollën fillore po në Libohovë. Në muajin shtator të vitit 1933 filloi studimet në shkollën e mesme bujqësore amerikane në Golem të Kavajës, të cilën e përfundoi në vitin 1937. U diplomua teknik i mesëm bujqësie i kualifikuar. Pasi mbaroi këtë shkollë në muajin janar të vitit 1937 punoi në Vlorë në Zyrën e Bujqësisë, teknik krasitës i ullinjëve. Këtu kreu një kurs specializimi me një profesor italian për ullirin. Në korrik të vitit 1937 kreu tjetër kurs në Institutin e Xhafzotajt në Durrës për frutikulturën po me specialist të huaj. Nga ky konkurs bëri konvertim të diplomës në agronom të mesëm.
Në muajin tetor të vitit 1937 u emërua në Zyrën e Bujqësisë në Bilisht. U caktua me punë në Komunën e Hoçishtit. Këtu qëndroi deri në muajin prill të vitit 1938. Nga 12.05.1938 deri në muajin shtator të vitit 1938 kreu shërbimin ushtarak në Kazermat e Ali Rizait në Tiranë. 
Në muajin shtator të vitit 1938 punoi në fidanishten e Laprakës. Këtu qëndroi një muaj dhe pastaj u caktua për piketimin e zonës rreth pallatit të Zogut për të mbjellë pemë. Më 18.12.1938 emërohet nga Ministria e Bujqësisë Teknik Bujqësor në Zyrën e Bujqësisë në Elbasan. Këtu puna vazhdoi deri në muajin mars të vitit 1939. Në muajin tetor të vitit 1940 caktohet kontrollor gruri. Punoi këtu deri më 12.07.1941. Pas kësaj date u emërua në Fushë Kosovë të Prishtinës. Në shkurt të vitit 1944 largohet nga Kosova. 
Pas largimit nga Kosova qëndroi 3 muaj në Pukë. Në muajin korrik të vitit 1944 u caktua në Fermën e Xhafzotaj. Në Xhafzotaj qëndroi deri më 28.03.1945. Nga këtu u transferua në Elbasan në Fushë Mbret, deri në qershor të vitit 1946. Prej këtu u transferua në Fermën e Llakatundit të Vlorës, punoi vetëm 10 muaj sepse u transferua në Kuçovë për të ngritur një fermë të re, nga muaji prill i vitit 1946 e deri në muajin tetor të vitit 1948. Më 20 prill 1947 mori detyrën agronom dhe pak më vonë kryeagronom. Në muajin tetor të vitit 1948 u transferua në fermën e Sukthit. Në këtë ndërmarrje punoi deri në vitin 1968.
Në vitet 1959 - 1963 kreu studimet në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz - Tiranë.
Nga viti 1961 e deri në vitin 1964 punoi në fermën e Vorës me detyrën e kryeagronomit të fermës. Nga viti 1964 e deri në vitin 1968 u rikthye në N. B Sukth. Në N. B Sukth pati detyrën e agronomit dhe për shumë vite përgjegjës i sektorit të Perimores. Nga muaji shtator i vitit 1968 e deri në muajin korrik të vitit 1971 ishte pedagog në shkollën e mesme Bujqësore të Golemit. 
Në vjeshtën e vitit 1971 e deri në muajin korrik të vitit 1977 u emërua në fermën e Kamzës në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe ishte pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz. 
Puna e pedagogut në Teknikumin Bujqësor të Golemit dhe në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës ka lanë mbresa të pashlyera te qindra e mijra nxënës e studentë në mbarë vendin, ata kujtojnë te profesori i tyre punën plot përkushtim e me vizion bashkëkohor si në aspektin profesional dhe atë shoqëror. Në kujtesën e atyre që kanë punuar e jetuar me Bajazit Habibin u ka mbetur në mendje si një njeri i thjeshtë, intelektual i kompletuar, i komunikueshëm me të gjithë, kërkues e korrekt në punë.
Doli në pension në vitin 1977. Nga muaji korrik i vitit 1977 e deri në muajin dhjetor të vitit 1985 punoi në Institutin e Perime - Patateve në Tiranë, bashkëpunëtor shkencor. Nga muaji janar i vitit 1986 edhe pse ishte pensionist vazhdoi punën në Ministrinë e Bujqësisë në Drejtorinë e Perimeve. Më 31.12.1987 e ndërpreu punën për pamundësi fizike për të ndjekur punët nëpër rrethe.
Krijimi i varietetit të ri të domates 10 X bizon në vitin 1961, ishte një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij profesionale.
Ka bërë tre studime në lidhje me farërat e qepës së bardhë, domates 10 x bizon dhe pjeprit Veden. Ka dhënë rezultate të larta në prodhimin e perimeve dhe cilësi të mirë. Krijoi varietete të reja të qepës së bardhë, të specit, të preshit. Një punë të palodhur shkencore e profesionale Bajazit Habibi kreu në Institutin Perime - Patate në Tiranë, ku puna me kulturën e pjeprit e bëri të dëgjuar e respektuar në të gjithë kultivuesit e kësaj kulture në mbarë vendin.
Gjithashtu ka shkruar tre libra për perimekulturën. Emri i tij është edhe në Enciklopedinë Shqiptare ku flitet për perimet.
Ka qënë autor i tre librave të botuara:
Prodhimi i farërave të perimeve – 1972
Perimet: për specialitetet agronomi dhe frutikulturë të shkollës së mesme bujqësore – 1974
Perimet: për shkollën e mesme bujqësore – 1979
Për punën e tij është nderuar me fleta lavdërimi, fleta nderi dhe dekorime siç janë :

Urdhëri i Punës Kl.2-të më 27.03.1954
Urdhëri i Punës Kl.2-të më 07.01.1957

Urdhëri i Punës Kl.1-rë më 18.05.196

Çmimi i Republikës i Shkallës 3-të, më 21.04.1970
Por Bajaziti ishte edhe një prind shembullor , sikurse edhe për kujdesin që tregonte për arsimimin e fëmijëve. 
Bajazit Habipi vdiq më 17.01.2009. 
Kolegët, specialistët, fermerët që e kanë njohur e punuar me agronomin, pedagogun, shkencëtarin Bajazit Habibi do ta kujtojnë gjatë mbasi me punën e veprën e tij në shërbim të bujqësisë shqiptare ai la kujtime e vepra të pashlyera. 
" Material i shkëputur nga gazeta “Libohova “ nr. 11 , gusht 2004, shkrim i Gani Ruçit me titull: “Agronom Bajazit Habibi gjithë jetën ia kushtoi bujqësisë.”, për kontributin e tij në punë ai është lauruar me “Çmimin e Republikës”.
Bajaziti është cilësuar si njeri i punës, që kudo jepte shembullin personal. Atë e gjeje gjithnjë pranë punëtorëve dhe specialistëve. Njeri i komunikueshëm dhe shumë praktik. Ai ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur dhe punuar me të me konsideratat më të larta, për thjeshtësinë, për ndërgjegjen e lartë në punë, si njeri i shkuar me të gjithë dhe kërkues në zbatimin e disciplines teknike në prodhim.”
Në formimin e tij dhe dashurinë për profesionin, ndikoi në mënyrë të veçantë trupi mësimor dhe programi shkollor i shkollës së Kavajës, ku përveç anës teorike një vend të rëndësishëm zinte puna praktike dhe eksperimentale për prodhimin e frutave dhe perimeve nga vetë nxënësit, për të mbuluar një pjesë të mirë të shpenzimeve të shkollës.
…
Puna e bërë në fermën e Sukthit për dy dekada, mbështetur edhe në përvojën e prodhuesve më të mirë të perimeve, në shfrytëzimin e literaturës dhe të gjuhëve të huaja që ai zotëronte, si anglisht, italisht dhe sllavisht, e ndihmuan atë që të përzgjedhi një qepë të bardhë (që ishte në zhdukje), të cilën e emërtoi “ qepa e bardhë e Sukthit”, dhe një tip speci mbushës të verdhë, që po ashtu ai ishte në zhdukje e sipër, të cilët gjetën përhapje në të gjithë vendin. Shumëzoi një lloj preshi me kërcell të gjatë, që sot zë 70% të konsumit të tregut, i emërtuar si preshi i Kasharit. Në vitin 1953 u mor me kultivimin e hibrideve në perime dhe prodhoi për herë të parë në vend farën e domates “10 x bison”. Kjo domate hyri në tregun e brendshëm në vitin 1956 dhe nga viti 1961 e deri në vitin 1976 luajti një rol shumë të rëndësishëm për furnizimin e tregut të brendshëm dhe të eksportit me prodhim të hershëm.
Agronom Bajazit Habipi ka dhënë një ndihmesë të veçantë për të specializuar punonjësit që drejtonin prodhimin në sektorin e perimeve, ka ndihmuar në përgatitjen e studentëve dhe të nxënësve të shkollave bujqësore, si në Teknikumin e Golemit, Institutin e Lartë Bujqësor, etj.
Një pjesë e kontributit të tij është pasqyruar në dy librat me vlerë që ai ka botuar për perimekulturën në Shqipëri.


Emri i tij është regjistruar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, viti 1985.



Wednesday, 29 January 2020

AGRONOMË LIBOHOVITË NË VITE

 - ILIR ABEDIN ÇIÇI -


Përgatiti:  Besnik ISMAILATI
Agronom , Publicist
Libohovë, Gjirokastër. 

Ilir Abedin ÇIÇI
Ilir Abedin Çiçi ka lindur më 2 janar të vitit 1948 në Tiranë. Në moshën 3 vjeçare merret nga prindërit e nënës që banonin në rrugën “Budi” në Tiranë, për arësyen se atje ku jetonin në Kodër Kamëz (banesa ku sot është Rektorati i Universitetit Bujqësor), nuk kish kopësht .
Në vitin 1953 fillon shkollën fillore dhe në vitin 1961 kryen arsimin shtatëvjeçar në shkollën “Kosova”, Tiranë.
Dëshira e babait ishte që të vazhdonte shkollën për agronom dhe kryesisht në Teknikumin Bujqësor të Golemit, Kavajë . Pas shumë përpjekjesh u bë e mundur regjistrimi në këtë teknikum, ku u mundesua edhe një burse e plotë. Studimet i përfundon në vitin 1965 ku dipllomohet Agronom i Mesëm , Dega Frutikulturë.
Më 1 shtator të vitin 1965 fillon punë si preparator pranë Institutit Bujqësor Kamëz, por që e ndërpret pas miratimit të fillimit të studimeve të larta pranë këtij Instituti me bursë të plotë, studime të cilat i përfundon në shkurt të vitit 1970.
Në korrik të vitit 1970 emërohet në rrethin e Matit si agronom pemtarie, në sektorin e qendrës të N.B. “Rinia”, punë të cilën e vazhdoi deri në fund të vitit 1971, më vonë transferohet në N.B. “Ylli i Kuq “, Kamëz, ku fillon punë si agronom pemtarie në sektorin e Tapizës. 
Sektori kishte një sipërfaqe prej 900 ha pemtore me material mbjellës të importuar nga Italia , përgjithësisht me mollë, dardhë, kumbulla, pjeshkë dhe një sipërfaqe të konsiderueshme me fiq. Po kështu ky sektor kishte edhe rreth 40 ha me ullishte të vjetra që realizonin një rendiment deri në 17- 20 kg/rrënjë. Gjithashtu sektori kishte një sipërfaqe tokë arë prej rreth 1000 ha e cila ishte në dispozicion të blegtorisë në sigurimin e bazës ushqimore. Ai dispononte një bazë mekanike që i përgjigjej detyrave ekonomike të sektorit.
Nga viti 1973 deri në fund të vitit 1975 kryen detyrën e agronomit të sektorit dhe pastaj emërohet përgjegjës i sektorit të Tapizës, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1978, pastaj kalon agronom i sektorit të Çerkezës , detyrë që e kryhen deri në fund të vitit 1981.
Në dhjetor të vitit 1981 e deri në vitin 1983 aktivizohet në aparatin e Kryeministrisë me grup pune. Në vitin 1984 rikthehet në N.B. Kamëz me detyrën e kryetarit të degës së prodhimit, ku punoi deri në vitin 1985.
Me vendim të Ministrit të Bujqësisë, në tetor të vitit 1985 emërohet Specialist në Institutin e Kërkimeve të Pemëve Frutore dhe Vreshtave.
Në muajin prill të vitit 1986 e deri në shtator të vitit 1988 , punon kryeagronom (dublant) në N.B e rrethit të Dibrës, dhe në tetor të vitit 1988 rikthehet në Institutin e Kërkimeve të Pemëve Frutore dhe Vreshta në sektorin e pemtarisë me detyrë kërkues shkencor, duke kryer një seri studimesh në grup si si anëtar i nomenklaturës së Këshillit të Ministrave, mbi rajonizimin e kulturave dru frutore, studimin e bonetimit të kulturave dru frutore dhe hardhisë, etj., që ishin projekte të Ministrisë së Bujqësisë, kryesisht në vlerësimin dhe përshkrimin e kultivarëve të pemëve frutore, apo edhe në projektet te Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë, për grumbullimin, vlerësimin, përshkrimin dhe mbrojtjen e burimeve gjenetike autoktone të pemëve frutore.
Në vitin 1991 deri në tetor të vitit 1995 komandohet drejtor i Institutit të Kërkimeve të Pemëve Frutore dhe Vreshta, duke vazhduar detyrat kërkimore shkencore me studime dhe projekte. Gjatë kësaj periudhe u krye studimi mbi ristrukturimin e institucioneve kërkimore shkencore në vartësi të Ministrisë së Bujqësisë mbi mundësinë e grupimit dhe reduktimit të institucioneve kërkimore shkencore. Në fund të vitit 1995 u vu në zbatim studimi dhe u realizua bashkimi i Institutit të Kërkimeve të Pemëve Frutore dhe Vreshtave me Institutin e Ullirit dhe Agrumeve me qendër në Vlorë duke u emërtuar Instituti i Ullirit dhe Agrumeve. 
Me bashkimin e Institutit të Kërkimeve të Pemëve Frutore dhe Vreshta me Institutin e Ullirit dhe Agrumeve, bërthama e Tiranës mbeti si bazë eksperimentale dhe iu bashkua departamentit të Hortikulturës dhe Mbrojtjes së Bimëve në Universitetin Bujqësor të Kamzës, Tiranë. 
Në vitin 1996 pranohet si pedagog i jashtëm ku jep lëndën e Vreshtarisë me studentët e Fakultetit të Agronomisë.
Më 25 qershor të vitit 1999 mbron doktoraturën me temën e disertacionit: “Eksplorimi i resurseve gjenetike autoktone të dardhës në disa treva të Shqipërisë , si dhe studimi agrobiologjik dhe pomologjik i saj në trevën e Tiranës” me vlerësimin “Shumë mirë”, duke marrë gradën shkencore “DOKTOR” në fushën e shkencave bujqësore.
Gjatë viteve 2000 - 2008 vazhdon punën ne eksplorimin e burimeve gjenetike në kuadër të projektit SIDNET, grumbullimi i materialit dhe shumzimi i tyre, duke bërë të mundur edhe ngritjen e koleksionit të burimeve gjenetike autoktone të specieve të mollës, dardhës, ftoit, kumbullës, qershisë, vishnjes, pjeshkës ,zerdelisë, bajames ,arrës dhe lajthisë.
Mbeshtetur në punën kërkimore të realizuar në vitin 2009, merr titullin Profesor i Asociuar.
Në vitin 2008 - 2011 me një grup pune u krye studimi i : “Studimi mbi gjendjen dhe perspektivën e zhvillimit të drurëve arrorë (arra, gështenja, lajthia, bajamja dhe shega në Shqipëri.”
Më 2 janar të vitit 2012 mbush moshën dhe del në pension. Me gjithë shkëputjen nga universiteti, vazhdon punën në evidentimin, vlerësimin dhe koleksionimin e burimeve gjenetike autoktone të mbështetur në kuadër të projektit të financuar nga FAO . 
Disa nga punimet kryesore të veprimtarinë shkencore të drejtuara na Ilir Çiçi mund të përmenden: Grumbullimi dhe studimi i resurseve gjenetike. (1992-1994); 
Grumbullimi, ruajtja, studimi dhe vlerësimi i resurseve gjenetike autoktone në pemët frutore dhe hardhi. (1995-1999); 
Gjurmimi, skedimi dhe vlerësimi i resurseve gjenetike të egra e të ngjajëshme me to në pemët frutore, hardhi, ulli e agrume. (2000-2003) si bashkëpunëtor; 
Krijimi, mirëmbajtja, studimi dhe vlerësimi i koleksionit rajonal të pemëve frutore, hardhisë dhe ullirit për Zonën Qendrore dhe Veri lindore të Shqipërisë. (2003- 2010); 
Përshpejtimi i futjes në prodhim të blloqeve të reja të mbjella me pemë frutore (dardhë) në rrethin e Beratit nëpërmjet zbatimit të një teknologjie të përparuar dhe bashkëkohore. (2001-2004); 
Zbatimi i një teknologjie bashkëkohore për sigurimin e prodhimeve të larta e cilësore në pemët frutore . (2005-2007); 
Përshpejtimi i futjes në prodhim i blloqeve të reja të mbjella me pemë frutore ( qershi ) në rrethin e Skraparit nëpërmjet zbatimit të një teknologjie të përparuar dhe bashkëkohore. (2001-2004)- bashkëautor; 
Krijimi i fondit të parashumëzimit të pemëve frutore, hardhisë, ullirit dhe agrumeve, bazë për prodhimin e fidanave të çertifikuar të pemtarisë. (2002- 2008) –bashkëpuntor; 
Identifikimi molekular me anën e profileve mikrosatelitore të kultivarëve të Vitis Vinifera L. në Shqipëri dhe studimi i lidhjeve gjenetike të tyre me kultivarët në Greqi. (2003-2005) – bashkëpuntor; 
Evidentimi dhe vlerësimi i resurseve gjenetike të egra në pemët frutore, hardhi dhe ullinj. (2003- 2005)- bashkëpuntor;
 Përcaktimi i nivelit optimal të ndërhyrjes me anë të rrallimit të frutave në pemtoret intensive me mollë. (2006 – 2007)- bashkëpuntor; 
Studimi: “ Vreshtaria në rrethin e Beratit , gjendja reale e përpunimit dhe marketimit të rrushit dhe tendencat e zhvillimit të saj në të ardhmen”.- bashkëpuntor; 
Studimi :“Gjendja aktuale e gështenjës në zonën Verilindore të Republikës së Shqipërisë si dhe tendencat e zhvillimit të saj në të ardhmen”- bashkëpuntor; 
Krijimi, mirëmbajtja dhe studimi i koleksionit rajonal të pemëve frutore, hardhisë dhe ullirit.- drejtues; Krijimi i fondit të parashumëzimit të pemëve frutore, hardhisë, ullirit dhe agrumeve, bazë për prodhimin e fidanave të çertifikuar të pemtarisë. (2002- 2008)- bashkëpuntor; 
Zbatimi i një teknologjie bashkëkohore për sigurimin e prodhimeve të larta e cilësore në pemët frutore . (2005-2007)- drejtues; 
Përcaktimi i nivelit optimal të ndërhyrjes me anë të rrallimit të frutave në pemtoret intensive me mollë. (2006 – 2007).
Botime të autorit: 
Kultivarët autoktonë të dardhës. (2003) - Monografi; 
Shërbimet agroteknike gjithëvjetore në pemët frutore. – Broshurë; 
“Dardha” - Broshurë; 
Resurset e egra në pemtari. (2005)- Monografi (Grup autorësh); 
Kultivarët autoktonë të hardhisë (2006)- Monografi (Grup autorësh) ; 
Boçet Mjedhra dhe manafera. (2008) -(Bashkë autor); Resurset gjenetike 2007.; 
Resurset vendore në pemët frutore, ulli dhe rrush.- (Grup autorësh); 
Bimët arrore dhe shega, potencialet ekonomike dhe natyrore në Shqipëri. 2011- (Grup autorësh); 
Pemtaria dhe vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë, 2017. - Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës.) - Grup autorësh)
Ilir Çiçi është edhe udhëheqës shumë temave me studentët e agronomisë si: Diploma për 30 studentë; 2 mikroteza dhe 4 diploma masteri.
Gjithashtu ai ka edhe shumë punime shkencore të botuara në Buletinin e Shkencave Bujqësore, si: Resurset gjenetike në pemët frutore, hardhi, ullinj e agrume. ; Studimi agrobiologjik e pomologjik i disa kultivarëve të dardhës; Studimi i resurseve gjenetike të egra në pemtari; Studimi krahasues mbi nënshartesat më të përshtatshme për kultivarët e rrushit Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi mbi afinitetin dhe përqindjen e prodhimit të fidanave.
Po kështu ai ka edhe disa Postera si : 
në Konferencën Ndërkombëtare për Resurset e Egra Bimore të Italisë.; 
Monitoring of fruit crops wild relatives in Albania.; 
Poster në Konferencën Ndërkombëtare për vlerësimin e kultivarëve autoktonë të Italisë; 
Monitoring of pear fruit re, lativs in Albania ; 
“Për një përmirësim të mëtejshëm të punës për ruajtjen e resurseve gjenetike bimore dhe ritjen e rolit të Institucioneve Shtetërore në këteëdrejtim.; 
Referat. Workshop i E.SH.F. Fidanave - Grup autorësh. 
“Gjendja dhe perspektiva e zhvillimit të pemtarisë në vendin tonë”- Referat Simpozium I.P.Vlorë.- Grup autorësh. 
“Fuqizimi i punës seleksionuese nëpërmjet shfrytëzimit më të mirë të burimeve gjenetike bimore autoktone . Referat Workshop IMO dhe FAO- Grup autorësh. 
Resurset gjenetike në pemët frutore autoktone , Referat Workshop ,Simpozium I. M. O. Shkodër. Studimi: “Vreshtaria në rrethin e Beratit , gjendja reale e përpunimit dhe marketimit të rrushit dhe tendencat e zhvillimit të saj në të ardhmen”. Referat në rrethin e Beratit në prezantimin e studimit (Grup autorësh).; 
Studimi :“Gjendja aktuale e gështenjës në zonën Verilindore të Republikës së Shqipërisë si dhe tendencat e zhvillimit të saj në të ardhmen”. Referat në rrethin e Tropojës në prezantimin e studimit (Grup autorësh).