(Pema e Vitit të Ri, programi festiv me këngë dhe recitime, kur mblidhnim dhurata nga familjet e fshatit, një histori tek shtëpia e Kalemit, disa nga vjershat e kohës si fillorist në greqisht dhe shqip, lënia përgjysëm e tyre pas romuzeve nga salla, në fund dhuratat, luteshim që në vënd të lapsave dhe enës së bojës së shkrimit, të na binin ....portokalle dhe mandarina ....)
nga: Petro MEJDI
Arhinë, Greqi
Dhjetorët e mi si fillorist dhe disa recitime në mbrëmjet dhuratave të Vitit të Ri dhe Festën e Abetares dhe Allfavitarios.
Dhjetori ishte muaji më i bukur, ishte më i ngarkuari me kujtime dhe mbresa të moshës sonë si fillorist. Gëzimet tona të asaj kohe ishin të pakta dhe mbresat e tyre na shoqërojnë në gjithë jetën tonë.
Mezi prisnim ditët e fundit të muajit. Në moshën time të fillores ai kishte shumë ditë të bukura, të gëzuara. Ishin festat fetare, të cilat na çonin në kishë shumë shpesh, bile dhe natën vonë. Ne u gëzoheshim dhe likosë dhe prosforos.
Ky ishte muaji më i begatë në ushqime, festat fetare vinin njëra pas tjetrës dhe në shtëpitë tona bëheshin byrekë, ëmbëlsira....Ne fëmijëve na gjente tek shtëpia e Bejkos duke ndihmuar plakat në rrotullimin gurit, i cili thërmonte grurin, e bënte kofto, siç i thonë në fshat.
Duart tona ishin plot me fruta dhe në xhepa kishim ndonjë dhjetëlekësh për tek dyqani i Cijës. Prindërit kishin marrë paratë shtesë të ditëpunëve në kooperativë dhe na blinin rroba të reja .
Pema e Vitit të Ri
Sa hynte Dhjetori ne djemtë e fillores mendonim për pëmën. Donim që të ishte më e lartë dhe më e bukur se e vitit të kaluar. Ishte një pemë dëllinje e prerë rrëzë Nëmërçkës. Kur kullotnim qingjat ia vinim syrin më të mirës dëllinjë, ajo që tregonte se do të bëhej e lartë dhe e bukur në kurorë dhe në trungun e saj. Shkonim një grup djemsh, në krye kishim Nulin, Sotirin dhe Taqin. Ata ishin mjeshtra të prerjes së dëllinjës, ne të tjerët e mbanim me kujdes gjithë rrugës që të mos i prishej bukuria. Me stolisjen e saj merreshin vajzat tona, Anthulla, Nifodhora, Eli, Mantha, Nasta e të tjerat. Pema, e vënë disa ditë para festës në një kënd të klasës na krijonte klimën e ditëve, harenë dhe gëzimin fëminor, në momotoninë e jetës sonë hynin ditë me variacione dhe me ëndrra, dhe me dhurata.
Nuk e di pse ky muaj, i pari i dimrit, është i lidhur aq shumë me to Αναγνωστικό - Anagnostiko, Këndimi në greqisht dhe Këndimi në shqip. Ishte emocionuese për ne, kur në mbrëmjen e dhuratave do të dilnim në skenë para prindërve dhe gjithë fshatit për të kënduar e recituar, në sallën e mbushur plot. Dhuratat e kishin rradhën në fund. I pari ishte programi ynë muziko- letrar.
Jipnim të gjithë nga 10 lekë për
dhuratën e Vitit të Ri. Këto ishin pak, kështu që dilnin dyshe dyshe në dy
mëhallat e fshatit dhe të zotët e shtëpive na jepnim fruta, dhe ....vezë. Me
vezët na ndodhi një histori, të cilën e mbaj mënd akoma dhe pse kanë kaluar
gati 60 vjet. Ndodhi në lagjen time, tek komshiu im, Leonidha Kalemi, kishte
lindur në Skore, por ishte qytetar, kishte kaluar jetën midis Athinës, para
Luftës, dhe Vlorës deri sa doli në pension. Ne na bënte përshtypje gjuha greke
e tij, me fjalë dhe theks athinas, veshja me kostum dhe gravata. Nuk i
afroheshim , se e dinim që i ngacmonin kopshtin para shtëpisë. Unë me Kito
Mihon shkuam tek ai. E shoqja, i thia
Kalemo, siç e thërisnim ne, shkoi për të marrë shportës me vezë. Nga pakujdesia u pengua në një dorë me
cakina, karthie, dhe u rrëzua, vezët u shpërndanë nëpër dhomë. Ky pengim u
shoqërua me një “budum" dhe ankesat e saj.
Kalemi jo vetëm që nuk shkoi që ta ndihmojë, por i bërtiste: Siopi, mi
millas, (Pusho, mos fol). Ne me Kiton
ndihmuam Kalemon të ngrihet dhe zbritëm duke kapërcyer dy nga dy shkallët, nga
frika e zëmërimit të Kalemit.
Kishim kohë që përgatiteshim. Sidomos për recitimet. Ndoshta do të kem recituar më shumë herë, por unë mbaj mënd dy raste. Ishin krijime në greqisht dhe shqip, të mësuara nga librat e këndimit sipas dy gjuhëve.
Në shqip mësuesi më kishte dhënë një vjershë për lumin e rrëmbyer nga ujrat e dimrit. Më erdhi rradha, dola në skenë dhe fillova të recitoj, por nuk recitova më shumë se vargun e parë. Sa thashë: Po vjen lumi valla, valla, një burrë nga fshati (K. B) vazhdoi vjershën time: San tu Nashu tin qefalla ( Sa koka e Nashos, emër me të cilin më thërrasin në fshat.). Në sallë (vatra e kulturës ) plasi e qeshura. Unë i hutuar ika me vrap. E dhe pse disa nxënës më nxitën që të dilja përsëri, nuk dola, e dija që salla do të qeshte dhe do të bënte zhurmë. Nuk do më linin që ta mbaroja, se vjersha ishte e tillë sa që një improvizues i shpejtë mund të shtonte një varg sipas rimës se vjershës. Në mos ishte prapë K.B , dikush tjetër do ta bënte këtë punë. Skorea gjithmonë ka patur bejtexhinj .
Kështu ia kishin punuar dhe Cile Thimjos, një vit më herët. Vjersha ishte në greqisht. Ja aq sa mbaj mend:
I alepu i katergara
Tin uratis zvara , zvara
Mbiqe mesa apo tin porta
Ja na arpaksi kamia kota
Ma q' o murgos apo pera
Tis epire ton aera ....
Dhelpra dinake
Me bishtin zvarrë--zvarrë
Hyri në një portë
Ndonjë pulë të përlajë .
Por Murgoja që tej
Erën i'a merr ....
Dikush nga salla vargun: Ma qe o murgos apo pera(dhe Murgoja që atje tej) e përshtati rufeshëm në: Ma qe o Llapos apo pera. (Dhe Llapoja që atje tej) Llapoja ishte qëni i tufës kolektive, bari i së cilës ishte babai i Ciles. Dhe u deshën minuta që të vihej qetësia. Nga montazh muziko- letrar , kthehej në estradë .
***
Është e çuditëshme se nga vjersha ime në shqip mbaj mënd vetëm vargun që arrita të recitoj. Asnjë fjalë më shumë.
Ndryshe ndodhi me vjershën e mësuar në Anagnostiko, libri i Këndimit në greqisht. Atë e recitova të plotë dhe e mbaj mënd të plotë(Këtu mund të mos jem dhe shumë i saktë, ndoshta vjersha ka patur dhe ndonjë strofë tjetër.)
Ja dhe vjersha :
Irthe o himonas
Ton idhate pedhia
Perase pano apo ta dhendra
Qe pano apo ta klladhja .
Tin mavri ji tin anthise
Me ruha nifika
Qe afti nomizi pos qimate
San to pedhi glika .
***
Erdhi dimri
E patë o fëmijë
Kaloi përmbi pemët
Kaloi mbi çatitë .
Tokën e zezë e veshi
Me rroba nusërie
Dhe ngjan se flë
Gjumë të ëmbël femije .
Unë dhe brezi im nga zona e minoritetit nuk e dimë vjershën që mbyllte Abetaren e kohës, atë që e kishin si libër të abc - së moshatarët tanë nëpër Shqipëri. Ne gjuhën shqipe e fillonim në klasën e dytë, dhe, me sa më kujtohet quhej Libri i gjuhës shqipe.
Ne e mbyllëm Alfavitarion me këtë vjershë, të cilën ne e recitonim në veprimtari të ndryshme, në Festën e Allfavitarios Vargjet e saj ishin:
Ime efta hronon .
Nomizete pos ime
Micros me ta sosta
Mikron na min me lete
Jati eklisa ta efta .
To allfavitario pai
Ligo to lete afto ?
Dhjavazo oti thello
Qe grafo, qe millo .
Jam shtatë vjeç
Kujtoni se jam
Me të vërtet i vogël ?
Të vogël mos më quani
Se i mbusja shtatë vjeç .
Abetarja iku ...
Pak i thoni kësaj ?!
Lexoj ç'të dua
Dhe shruaj, bisedoj .
Moshatarët tanë në të gjithë Shqipërinë recitonin vjershën analoge me atë në greqisht:
Abetare, fort të dua
Me ato shkronjat e tua
Dora ime u mësua
Mëndja ime u ndriçua.
Se tani di të lexoj
Di të shkruaj, të këndoj
Dhe Partinë falënderoj.
Unë e mësova më vonë këtë vjershë, e përsëriste shpesh Eva, mësuese e fillores.
Dhe pas programit vinte koha e dhuratave. Nuk donim lapsa, fletore, goma, mprehëse lapsash, dhe dhohio për mellanin, por donim portokalle, stafidhe, ballona, karamele e tj. Luteshim secili për vete që të në dhuratën tonë të mos kishte ....lakra , qepë, copë druri, hi zjarri ....
Ja kjo ishte lumturia e ne filloristëve të viteve gjashtëdhjetë. Këto gjëra të vogla në dukje, ishin për ne fëmijët e Skoresë, të fshatit midis maleve të Nëmërçkës dhe Buretos, bukuria e jetës, lumturia e saj.
Fshati Skore, Gjirokaster |
Cikli Nga kujtimet e Skoresë
Në Limanin e Rafinës, më 30 dhjetor, ora lokale 9.42.
No comments:
Post a Comment