"Ju bëftë balta mjaltë"! Kjo shprehje dëgjohet shpesh në ceremonitë mortore në Jug.
Çavo Puleri |
nga: Ilir LLURI
Detroit, MI - SHBA
Mes fshatrave të bukur që rrethojnë qytetin antik të Antigonesë është edhe Tranoshishta. Dashurinë për këtë fshat ma nxiti jo vetëm magjia e Pranverës dhe Vjeshtës mbi të, por në mënyrë të veçantë respekti e dashuria njerëzore që banorët ruajnë në kodin e tyre të mikpritjes. Gjatë kohës që punoja në parkun e Antigonesë mu bë zakon që herë pas here të kthehesha në familjet Qurku dhe Puleri për tu takuar me Polon dhe Çavon, të cilët shpesh i gjeja së bashku në oborrin e Qurkajve. Të dy kanë qënë pjesë e kronikave televizive dhe miq të mirë të gazetarëve. Polua u nda disa vite më parë nga jeta, ndërkohë që mësova se së fundi është ndarë nga njerëzit e tij të dashur dhe prej nesh, Çavo Puleri.
E ndjej veten me fat që i njoha dhe ndava me ta orë të tëra bisedash jo vetëm mbi jetën e tyre, por për gjithë banorët e zonës. Por në se për xha Polon munda ti respektoj zakonet mortore, largësia nuk ma mundësoi këtë për Çavo Pulerin. Është kjo arsyeja që të sjell në shenjë respekti për të, dy rradhë të shkruara me dashuri për këtë prind, gjysh e stërgjysh, porta e shtëpisë të së cilit mbeti gjithmonë e hapur si për mua, ashtu edhe për shumë gazetarë të tjerë.
UJËSJELLËSI I TRANOSHISHTËS
Çavo Puleri më ka folur për ujësjellësin e parë modern të Gjirokastrës, "Ujësjellësin e Tranoshishtës", i projektuar dhe ndërtuar nga italianët gjatë Luftës së dytë Botërore. Nga Tranoshishta u bë furnizimi i pjesës më të madhe të Gjirokastrës me ujë. Ky ujësjellës ishte në qendër të një prej edicioneve informative të televizionit kombëtar ku unë punoja dikur. Ishte e para herë që përmes një kronike televizive festohej datēlindja e një ujësjellësi.
Dëshmimtari i vetëm i punimeve që u kryen nga italianët ishte Çavo Puleri. Kishim harruar për shumë kohë të festonim për një nga tre elementët kryesorë të jetës sonë, ujin. Vite më vonë për këtë ujësjellës do të realizonte një kronikë të zgjeruar edhe gazetarja Brikena Meta, me operatorin e talentuar Vilson Kuçi për televizionin "News 24".
Portën e Çavo Pulerit e gjetëm hapur si gjithmonë. Ai afroi ndihmën e tij të pakursyer me informacion mbi atë kohë të largët.
MJESHTRI I BLETARISË
Çavo Puleri ishte jo vetëm një nga bletëritësit më të moshuar, por edhe nga më të mirët e rajonit. Këtë eksperiencë të vyer ai e ndau bujarisht me teleshikuesit përmes kronikave të shumta televizive. Asnjëherë nuk do më hiqet nga sytë ecja e tij mes parkut të bletëve, tek kontrollonte kosheret një e nga një. Ky burrë në moshë të thyer, ishte si një libër historie. Në përgjithësi ai nuk më fliste në emër, por thoshte "djali i mikut". Kishte qënë mik me tim atë, që gjithashtu ishte bletëritës.
Në kohën e trishtë të pandemisë, lëndinat e bleruara të kësaj zone të bekuar, më kthenin optimizmin e zbehur nga ankthi i jetës. Megjithëse i gjendur aq pranë, situata e vështirë dhe përgjegjësia që ndjeja, nuk më favorizonin që ti shkoja në shtëpi për ta parë.
Takimi i fundit me të ndodhi në 7 nëntor 2022 në verandën e shtëpisë së gojë-ëmbëlit Këno Qurku, ku mora një intervistë në lidhje me infermjeret amerikane që u strehuan në Saraqinishtë në dimrin e largët të vitit 1943. Fotografitë e këtij takimi të shkrepura nga miku im arkitekt, Reshat Gega i ruaj si ujët e pakët në arkivin e celularit tim, si një pjesë e rëndësishme e atyre çasteve të jetës profesionale, ku pa kthjelltësinë e memories së moshës së tyre të thyer, nuk do ja kisha dalë me sukses qëllimit tim.
MIKPRITJA LUNXHOTE
Guri më i çmuar i këtij fshati të vogël, mbetet dashuria e madhe njerëzore e banorëve të tij, të cilët të presin e përcjellin me buzëqeshjen që ju buron nga zemra e tyre e bardhë. Nuk do ti harroj kurrë sytë e tij të qeshur sa herë na shihte që shkonim për ta takuar. Nuk do harroj as ndershmërinë e tij profesionale. Dëgjo këtu "djali i mikut", megjithëse mund të ta ketë thënë edhe babai;
- “Asnjëherë mjalti nuk shitet duar - duar. Nga aroma dhe shumëllojshmëria e luleve të majit duhet të ketë edhe prodhimi që vilet më vonë. Prandaj prodhimi duhet të përzihet. Vetëm kur e do për qëllime kurative specifike ndryshon puna."
Dikur në Lunxhëri tavolinës së mikpritjes nuk i mungonin ëmbëlsirat e përgatitura nga mjalti, një traditë kjo pothuajse e haruar sot.
MISIONI I BLETARIT
Fatkeqësisht largimi i njerëzve të thjeshtë nga jeta, në përgjithësi nuk ka qënë lajm për mediat lokale apo ato qëndrore. Por në disa raste mendoj se kjo duhet të ndodhë. Shpesh thjeshtësia dhe modestia e këtyre njerzve, është në fakt "streha" e madhështisë së tyre.
Sado e pazakontë të duket, më duhet të pohoj se; me ndershmërinë, burrërinë dhe bujarinë e tij, Çavo Puleri i kishte "fituar" që në të gjallë fjalën tonë ngushëlluese për ditën e tij të ikjes; "balta mjaltë"!. Mënyrën e lamtumirës njeriu e "miraton" dhe "përcakton" përmes punës dhe vlerave që shpalos për familjen dhe shoqërinë gjatë gjithë jetës së tij.
Është kjo arsyeja që ngushëllimin tim për familjarët dhe miqtë e tij, ta përcjell vetëm përmes frazës; Sa të rrojmë ta kujtojmë të shtrenjtin tonë!
Jam i sigurtë se "balta mjaltë" më shumë se kujdo do ti bëhet këtij bletë-rritësi, që përmes mjeshtërisë dhe dashurisë që tregonte ndaj bletëve, shpesh më krijonte përshtypjen se "bashkë-bisedonte" me to, si të ishte një nga "misionarët" e oborrit të tyre mbretëror. Për ata që e dinë se pa bletën vdes jeta e njerëzore, profesionalizmi, përkushtimi dhe kontributi i Çavo Pulerit në këtë fushë, mer një tjetër dimension. Në këtë kuptim ashtu si ai, ç'do profesionist i talentuar i kësaj fushe, është misionar i Jetës. Ndoshta për këtë arsye, Jeta tregohet aq bujare me bletë-rritësit. Jeta e 95 vjeçarit Çavo Puleri na e rrëfeu më së miri këtë gjë.
Lamtumirë Çavo Puleri!
Lamtumirë miku im!
No comments:
Post a Comment