Thursday 10 October 2024

DY VJET PA MITROPOLIT ILIA KETRIN

– Në këtë ditë grupimi i grave “Bijat e Shën Trinisë” mblodhën donacione për t’ja dërguar mensës së të varfërve në Mitropolinë e Korçës. 

 


nga Fuat MEMELLI

BOSTON, MA - SHBA



E diela e datës 6 tetor, ishte një ditë e veçantë për besimtarët e kishës Shën Trinia në Boston. Krahas ritualit të zakonshëm fetar, u përkujtua edhe Hirësia e ti, Mitropolit lia Ketri, me rastin e dy vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Krahas kishave të tjera si ajo e Shën Kollit në Chicago, etj, ai ka shërbyer për vite me radhë në kishën Shën Trinia në Boston, e cila ishte bërë si shtëpia e dytë e tij.


Kujtimet për Ilia Ketrin  shpalosi në fund të meshës peshkopi Theofan Koja. Ndër të tjera ai vlerësoi njohuritë e tij të thella teologjike, përkushtimin ndaj fesë, humorin dhe të qeshurën e tij “ngjitëse”etj. 


Më gjerësisht për figurën e Mitropolit Ilia Ketri, u fol në pjesën e dytë në hollin e kishës. Alba Profi, një ndër veprimtaret e grupimit të grave “Bijat e Shën Trinisë” ftoi pjesëmarrësit të shohin një videomontazh kushtuar Hirësi Ilias. Ishin fragmente të bukura kujtimesh nga jeta e tij, një pjesë e mirë nga të cilët ishin me besimtarët e kishës  Shën Trinia ku shërbeu për vite me radhë.


Me këtë rast gratë e grupimit “Bijat e Kishës së Shën Trinisë” kishin organizuar një drekë të veçantë në kujtim të tij dhe mblodhën donacione për t’ja dërguar mensës së të varfërve në Mitropolinë e Korçës. Kryetarja e këtij grupimi, Doriana Andrea  na tha: “Në këtë përvjetor të Hirësi Ilias, menduam të japim një kontribut për njerëzit në nevojë të mencës së të varfërve në Mitropolinë e qytetit të Korçës. Zgjodhëm këtë qytet, pasi ai ishte shumë i lidhur më Korçën. Siç ka thënë Nënë Terëza “ne nuk mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta të Mitropolit Ilia Ketrit morëm disa mendime nga besimtarët për figurën e tij.


Gjergji Nini na tha:” Hirësi Ilian e kishim si baba të dytë. Ishte i kudondodhur në gëzimet dhe hidhërimet e besimtarëve. Largimi i tij nga jeta, na ka lënë një boshllëk të madh.”


Bruna Shosho:” Kam shumë kujtime me Hirësi Ilian. Ai më ka martuar fëmijët. Ishte njeri babaxhan, me zemër ta madhe. Nuk do ta harroj sa të jem gjallë.”


Sterjo Shkdrani:” Ai të jepte dashuri, të jepte këshilla për jetën, për punën. Ishte i thjeshtë dhe i dashur me të gjithë.”


Elena Vjero:” Mitropolit Ilia do të kujtohet gjithmonë për shpir tin e tij paqësor, për veprën që la pas.”

 







Botoi gazeta "ILLYRIA"

No comments:

Post a Comment