Saturday 14 January 2023

NË KËRKIM TË VARRIT TË BABAIT NË AMERIKË

"Ndaloi diku pranë një dyqani lulesh dhe i tha pronares, një gruaje të mirë, se kishte ardhur një burrë 61 vjeçar nga Albania dhe po kërkonte varrin e babait, që të puthte gurin dhe t’i vinte te koka një tufë me lule të freskëta." .....

 nga: Spiro XHAVARA

Athinë, GREQI.

 

Lunxhiotët emigrantë në Amerikë janë me mijra, ata si njerëz të punës, të zgjuar dhe nga natyra miqësorë me këdo, u integruan shumë shpejt në jetën ekonomike dhe shoqërore të këtij vendi të madh pritës. Ndërtuan jetën më së miri, ndihmuan edhe familjet e të afërmit në Atdhe, punuan e studjuan dhe shumë prej tyre bënë kariera të shkëlqyera në fusha të ndryshme të jetës. Është kjo arësyeja kryesore e kërkesave të shumta të lunxhiotëve të pas ’90-tës për të shkuar në Amerikë, pikërisht për të gjetur të parët e tyre atje, si pikë mbështetjeje për të ardhmen e tyre e, pse jo, edhe për të gjetur pasuritë e tyre të lëna, në pamundësi për t’i trashëguar në kushtet e Shqipërisë së mbyllur e moniste.

 

     Një histori e dhimbshme, e Vangjel Vodës, që, me kurbetin e ri të pas ’90-tës, gjeti në Amerikë varrin e babait të tij, ndarë me të që në vitin 1944:

Dy vëllëzrit: Vangjel(majtas) dhe Polo Voda 

     «Babai më kishte lënë dy muajsh, kur e zunë rob në malin e Odries, në Operacionin e Qershorit të vitit 1944. Gjermanët e morën me vete në Gjirokastër, pastaj në Janinë, në Thesallongj dhe, më vonë, përfundoi në një nga kampet e tmerrshme të përqëndrimit në Gjermani.

 

     Deri në viti 1948, babanë e  dinim të humbur. Ishte pikërisht ai vit kur morëm për herë të parë një letër nga Amerika e largët, në të cilën ai tregonte për hollësitë, ku pas kapitullimit të Gjermanisë, kampi i tij i përqëndrimit duhet të ketë qenë në zonën e aleatëve të Perëndimit dhe, duke përfituar nga kjo, babai vendosi të shkonte në Amerikë, ku kishte qenë edhe më parë, me shpresën që, më vonë, të na tërhiqte edhe neve atje. Por kjo nuk ndodhi kurrë.

Harry(Telo) Voda (1888-1963) në Amerikë

Babai na dërgonte para nga kurbeti dhe na shkruante dëndur letra të mbushura me mall e me këshilla prindërore. Dhe ne, të katër fëmijët e tij, ia shpërblyem, duke e përballuar jetën me dinjitet. Në letrat e tij, babai na shkruante se kishte shumë dëshirë të vinte në Shqipëri e në Labovë, të na shihte e të çmallej me ne, por kjo, për arsye absurde e të pashpjegushme, nuk ndodhi asnjëherë. Deri në vitin 1990, kuptohet që edhe ne nuk guxonim të pyesnim se përse babai ynë nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Babai im kishte vdekur në Iston, në vitin 1963. Pas ’90-tës, të gjithë kishim dëshirë të shkonim atje, sidomos Polua, vëllai im, të cilit fjalët “Të ikim të gjithë!...” i mbinë në gojë. Po ja që atëherë nuk na u bë mbarë. Me këtë dëshirë të madhe të të gjithëve, me këtë mall të madh në zemër dhe me idenë fikse se duhet të shkonte njëri nga ne në Amerikë, për të plotësuar dëshirën e të gjithëve, u nisa nga Athina për në Filadelfia, duke bërë plot 11 orë rrugë me avion.


Në Filadelfia, më priste Jorgua, djali i Polo Xhorrit nga Labova e Vogël. Që të nesërmen, u nisëm për në Iston, një qytet i bukur, që shtrihet mbi një kodër të butë, një orë e gjysmë me makinë larg Filadelfias. Isha shumë, shumë i prekur dhe i emocionuar. Jorgua më shihte me bisht të syrit, ashtu i heshtur e i menduar, duke e ndjerë barrën time. Ndaloi diku pranë një dyqani lulesh dhe i tha pronares, një gruaje të mirë, se kishte ardhur një burrë 61 vjeçar nga Albania dhe po kërkonte varrin e babait, që të puthte gurin dhe t’i vinte te koka një tufë me lule të freskëta. Pronarja u përlot dhe u prek shumë, u habit edhe më shumë me atë njeri që kishte bërë mijëra e mijëra kilometra rrugë vetëm e vetëm për të derdhur ca lotë malli mbi varrin e babait dhe i tha Jorgos se në dyqn nuk i ndodheshin lule të freskëta, por do të pres me shumë dëshirë një tufë nga ato të kopështit tim. Dhe, me të vërtetë ashtu bëri.

Me lulet në dorë, ne shkuam në varreza. Punëtori atje, sa i dhamë emrin, hapi kompjuterin dhe na tregoi me saktësi se ku ishte varri. Duke ecur sipas skicës që na dha ai, u ngjitëm në një kodër me pemë e bar jeshil të dendur. Atje, në një lëndinë, gjetëm pa mundim një pllakë guri, ku ishte shkruar: “Harry Vodas, 1888-1963” dhe ishte gdhendur një kryq.


Ndodhesha pranë varrit të babait tim, i ulur në gjunjë, i përmalluar, i përlotur, i çliruar nga makthet dhe ngarkesat që më kishin ndjekur nga pas për dhjetëra vite me radhë. E kisha gjetur më në fund! Kisha realizuar ndoshta ëndrrën më të madhe të jetës sime dhe më dukej sikur kisha lindur për herë të dytë. Vura mbi gurin e varrit tufën me lule të freskëta, bëra disa fotografi dhe, në çast, i telefonova djalit tim, Harit, që nuk e mbaj mend çfarë i thashë, ashtu i ngarkuar nga emocionet dhe dhimbja, por e dija se ai më kuptonte, çfarëdo që t’i thosha. Pastaj mora në telefon motrat, Sofikën e Marikën. Jam tek varri i babait, u thashë. Vura një tufë me lule tani, por do të vij prapë një ditë tjetër, për të vënë shumë e shumë tufa me lule dhe një kurorë nga familja Voda.» (Gazeta Odria Nr 55)

 

Gruaja e Telo, Harry Vodës Mahi (ne mes) dhe dy vajzat: majtas Marika dhe djathtas Sofia. 

     Ka shembuj të shumtë të manifestimit të pandarë të dashurisë, mallit dhe nostalgjisë për vendlindjen nga kurbetllinjtë e, sidomos nga ata që kanë shkuar larg, në Amerikë. Këtë e shohim veçanërisht tani në internet, me interesimin për çka bëhet në fshatrat që kanë lënë pas, me komentet e shumta që pikojnë lotë malli dhe me korespodencat e lidhjet e panumërta që mbajnë ata me banorët në Lunxhëri.


Shkëputur nga libri i përgatitur për botim:


"MREKULLIA E JUGUT ....LUNXHERIA - RRËZA"


No comments:

Post a Comment