Monday 16 January 2023

ENIGMË

(Ngjarje e jetuar)

Fshati Arrëz e Vogël, Tepelenë (foto L. Hasani, 2007)

 nga : Lavdi HASANI

Gjirokastër


Lavdi HASANI
Në lagjen tonë, në pjesën e poshtme të fshatit, jetonte me familjen e tij edhe Muharrem (Rremo) Rredhaj. Ky ishte një njeri tepër i zgjuar e korrekt. Thonë se kishte qënë edhe shumë trim gjatë kohës së luftës. Ai mbante një palë mustaqe të prera shkurt (allafrënga). Edhe familja e tij ishte dhe mbeti një nga familjet më të mira, më të rregu-llta e më të respektuara të fshatit tonë. Nga sa mbaj mend, gjatë vizitave në familjen e tij (bashkë me nënën), kur ai u sëmur, kam fiksuar edhe një tip fletë-vlerësimi (fletëlavdërim apo ndonjë stimul tjetër tani s’mund ta them) që qëndronte varur në murin e dhomës ku ai kishte zënë shtarat. 

Aktualisht fshatarët kishin ende nga një sasi të konsiderueshme bagëtishë (kryesisht dhën mbante ajo zonë). Më vonë ato u kufizuan deri në 10 krerë e më vonë akoma në asnjë. Kështu atë kohë të imtat e fshatit formo-nin një goxha tufë (kope). Për këtë, njëri prej fshatarëve, duhej të shërbente si bari me to dhe paguhej po nëpërmjet kooperativës për punën e bërë. Pikërisht këtë detyrë e kryente  Muharremi. Ai ishte një bari i devotshëm dhe i përkushtuar për punën. Bagëtinë më rrallë e kullosnin nga mali kurse më shpesh nga arat dhe koriet buzë Përroit të Maricaj (nga Llapieri, nga Muska, nga Ara e Madhe, etj).

Në kufi me këto rajone ndodhej edhe një pyll shumëvjeçar dhe shumë i dendur që quhet Pylli i Bolishovës, poshtë buzë Lumit të Maricaj. Me t’u sëmurur Rremua, fshati detyrën e ruajtjes së kopesë ua ngarkoi dy djemëve të rinjë në atë kohë. Këta ishin Dervish Lala dhe Bedri Lala. Ky i fundit një djalë shumë i zgjuar por fatkeqësisht i lindur me aftësi të kufizuara, shurdh-memec. Gjithësesi atë e donte dhe respektonte gjithë fshati pasi ishte shumë social dhe në gjendje t’i shkruante grafikisht emrat e të gjithë banorëve edhe pse s’kishte shkollim (s’kish mësuar kund të shkruante apo të lexonte). 

Kur dilje nga shtëpia e Muharremit, për në rrugën e lagjes, ta kufizonte pamjen muri anësor i saj. Por, me një zgjatje të lehtë të kokës, mund ta kontrolloje rrugën pa u shfaqur fare në të. Dritarja e odasë së shtëpi-së tonë (nga ana jugore) binte ballëpërballë me rrugën e lagjes nga veje në Rredhaj. Nga ana veriore shtëpia jonë kishte një sofat të madh  me pllaka guri, të mbështetur për muri, ku ne fëmijët në verë rrinim gjatë nën hijen e freskët që krijohej aty. Papritur Muharremi, siç e cituam më sipër, na sëmuret dhe thuhej se ishte rëndë. Ne na merrnin për dore nënat tona kur venin në shtëpinë e tij për ta parë dhe inkurajuar që të mos shqetësohej se do të shërohej së shpejti. E mbaj mend që ai ankohej shumë dhe u tregonte atyre edhe disa xhunga (të fryra) që i kishin dalë në kokë. Më kujtohet si sot që ai shpesh përsëriste shprehjen: 
 - “O i ziu unë o fëmijët e mi ku do t’ju lë !” Kjo kishte të bënte me atë në se ai ndjente se po largohej vërtet nga kjo jetë apo ndoshta me diçka tjetër, që ai po largohej nga familja e tij për kushedi çfarë arsyeje madhore?! Këtë e gjykon secili kur të mësojë tërë të vërtetat e kësaj ndodhie. Për mua sot ato gunga s’qenë gjë tjetër veçse ca gjendrra të zakonshme e të parrezi-kshme lipidike (dhjamore). Ato mund t’i formohen kujtdo dhe nuk kanë asnjë rrezik për jetën. Këtë gjykim të sotëm na e vërteton edhe rrjedha e ngjarjes në atë  kohë. 

Shpesh Rremua dilte nga shtëpia duke u hequr si më mirë por sërisht duke ecur ngadalë, ashtu çalë - çalë e duke rënkuar. Ajo që ne fëmijët e kishim vërtetuar  saktë tashmë ishte fakti që, Rremua, kur dilte nga shtëpia, nxirrte pak kokën tek cepi i murit të saj dhe, n.q.se shihte njerëz të rritur në rrugë, fillonte të ecte duke rënkuar e duke çaluar. N.q.se kishte veç fëmijë ai ecte normalisht dhe nuk para bënte zë. Aman me t’u shfaqur një i rritur ai fillonte aktrimin. Këtë, ne fëmijët, tshmë nuk e vinim më në dyshim. Bile këtë ua tregonim edhe nënave tona. Dhe ato, duke  përgjuar nga dritarja e odasë  tonë, e kishin faktuar një gjë të tillë por si shkak nxorën se Rremua, nën ndikimin e sëmundjes, edhe na qënka çmendur, pra s’ishte mirë dhe nga mendja. Duke  ia mësuar vesin, sa herë që ai nxirrte kokën tek buza e murit të shtëpisë së tijë, ne në kor ia bënim; Ca-Rremo, Ca - Rremo (ca - të pash). Ai na sulej me vrap këmba - këmbës për të na rrahur por ne grumbulloheshim menjëherë tek sofati ynë. Shpesh kishim fat se shfaqej ndonjë i moshuar apo e moshuar (në një rast Shefiko Hasani) dhe ai ndërpriste ndjekjen dhe shpaloste ritualin e të sëmurit. Si edhe do informoheni, nga shtjellimi i vetë ngjarjeve, do të bindeni se kjo sjellje e Rremos ishte thjeshtë një shtirje për të justifikuar atë  çfarë do ndodhte  më vonë.  Fëmijët i kishte të vegjël, më i rrituri rreth 2-3 vjeç më i madh se unë. Ata nuk mundeshin ta ndihmonin babain për ta kontrolluar në mjek të specializuar. Për këtë ai duhet të shkonte në Tepelenë. Por edhe se ku dhe se me kë duhej marrë kontakt, kjo s’ishte detyrë për fëmijët. 

Mjete për transport në atë kohë s’kishte. Duhej të bëje rreth tri deri katër orë rrugë në këmbë për të zbritur në Sektorin e Katërt të Minierës së Memaliaj. Të gjeje ndonjë makinë transporti për të mbritur prej aty në Memaliaj dhe më andej, me urban, të niseshe për në Tepelenë. Një inkursi-on tepër i vështirë edhe për të rritur. Kjo kërkonte jo vetëm të ishe i rritur por edhe “i dalë”, siç thotë populli, pasi duhej të dije se ku duhej paraqitur dhe çfarë duhej bërë. Duke rënë në kontakt edhe me miqtë e Muharremit, gjatë vizitave në shtëpinë e tij, bashkëlagjiarët i rekuman-duan kunatit të tij (vëllait të gruas) që këtë detyrë duhej ta realizonte ai. Ai punonte në Memaliaj dhe në këtë rast njohjet ia mundësonin kryerjen e suksesshme të këtij misioni. 

Një ditë ai e mori Rremon dhe dualën në xhade, tek Burimi i Fëngjilles. Ndërkohë presim pak - i thotë i kunati - se mos kushedi ndonjë makinë e tregëtisë vjen nga Buzi për në Tepelenë. Duke pritur aty, Muharremi i thotë se do shmanget pak nën rrugë për nevoja personale. Nën rrugë shtrihej një korie e dëndur dhe njëherazi një pyll i dendur. Pasi humbi durimin i kunati filloi kërkimin por heshtje. Vjen me vrap në shtëpi se mos ishte kthyer aty por jo. Filloi një shqetësim dhe kërkim fshatëçe në atë vendngjarje por asnjë gjurmë. 

Rremua nga banorët u shpall i humbur. Nuk mund të them se ç’bënin strukturat shtetërore lidhur me këtë ngjarje në atë kohë. Di veç të them se ato nuk ishin indiferente qoftë edhe për një pulë e jo më për një njeri. Në këtë rast unë as mbaj mend të flitej për këtë gjë. Nuk kaloi shumë dhe pas rreth 15 ditësh, afërsishtë kohë dreke, fshati u vu nën alarm. Mbi xhade, nga jugu i Burimit të Fëngjilles, buzë përroit të anës së Bregut të Kosit (nga ana veriore e tij), disa familje të fshatit kishin kopshtet e tyre që mbillnin perime. Aty gjendej edhe një ferrë shumë masive, pikërishtë buzë xhades. Ato i vaditnin me ujin që rridhte nga burimi i Kroit të Evgjitit aty pranë. 

Për vënien në alarm shërbeu thirrja e disa nënave tona të trembura nga çfarë u kish ndodhur. Mbaj mend të ndjerën Bule Lala, me një kazan në dorë e dy tre gra pas saj që vinin me vrap lartë nga rruga jonë dhe ulërinin se dikush ndodhej në zgrabullën e ferrës së madhe në fund të kopshteve  të tyre. Ato, të trembura nga befasia e situatës dhe rënkime-ve të dëgjuara, duke paragjykuar për ekzistencën e ndonjë diversanti ( e pranueshme kjo për atë kohë) er-dhën e lajmëruan në fshat. Në fshat kishte disa vetë që shteti u kishte lejuar të mbanin armë dhe që në të tilla raste aktivizoheshin menjëherë. U grumbulluan disa prej tyre dhe menjëherë u gjendën në vendngjarje. Në komu-nikim me të panjohurin evidentuan aty prezencën e Rremos. E marrin të sëmurin dhe e sjellin në shtëpi hipur mbi një mushkë duke e mbajtur me nga një burrë për krahësh nga të dyja anët  se mos i sëmuri rrëzohej. E po Rremua tashmë kishte marrë edhe nofkën i çmendur, që s’di se ç’bënë. Kështu u justifikua edhe kjo ndodhi dhe, pa iu dhënë vlerësimi i duhur, u “përcuall” drejt skutave të harresës. 

Filloi përsëri rituali i Rremos dhe i vizitave të fshatit  në shtëpinë e tij. Kaloi rreth një muaji dhe i kunati u vu sërisht në pozitë për ta çuar atë tek mjeku. Ashtu u bë. Këtë herë ata u ngritën shpejt dhe u nisën në këmbë për në Memaliaj (Sektori 4 i minierës). Rrugës, duke ecur buzë Lumit të Maricaj (më së shumti rrjedhës së poshtme nuk i thoshnin më përrua por lumë), Muharremi ndaloi pas një gëmushe dhe po bëhej gati për të dalë jashtë me ujin e trashë. I kunati, jashtë çdo dyshimi, megjithëse e kishte pësuar nga një sjellje e tillë më parë, e miratoi në heshtje veprimin e tij. Ai, i ndikuar edhe nga kundërmimi që do të krijohej në këtë rast, u shmang më tej dhe ndezi një cigare. Pasi u qetësua pak dhe koha e kryerjes së nevojës për këdo quhej e konsumauar, u ngrit dhe i bënë zë për t’u nisur kunatit. Për çudi të tij askush nuk u për-gjigj dhe askush nuk po bëhej i gjallë. Rremua “humbi” përsëri ja ashtu pa kuptuar dhe sy më sy. Alarm gjithë andej. Jo është parë një këtu. Jo ka nxjerrë Vjosa një të mbytur në Mogila, etj.,etj.. Paraqiteshin familjarët në Degën e Punëve të Brendshme në Tepelenë edhe ata thoshin se ishin në kërkim. Si përfundim Rremua nuk u gjend më kurrë. Shteti nuk u ndje më kurrë. Familja e kërkonte edhe në rrugë shtetërore por asnjë zgjidhje. 

Koha kalonte me vrull dhe shpresat për gjetjen e njeriut të afërt po shuheshin dalë nga dalë. Çfarë të kishte ndodhur me Rremon ?!!. Nga fshati Arrëz e Madhe në atë kohë ishin dy të arratisur që thuhej se jetonin në Greqi. Mendohej se këta diversantë (kështu quheshin atëherë) hynin e dilnin ilegalisht në Shqipëri, bile vinin edhe në fshat natën, ku merrnin kontakt me familjet e tyre. Kështu filloj të qarkullonte mendimi se Rremua kishte rënë në kontakt me ta kur kulloste bagëtinë poshtë nga arat, përballë Pyllit të Bolishovës, dhe ishte rekrutuar prej tyre. Këtë mendim e përforcuan edhe dy djemtë që e zvendësuan atë si barinjë. Një ditë ata, të trembur, u kthyen me vrap në fshat. Ata treguan se në pyll kishin rënë ballë për ballë me tre burra të armatosur midis të cilëve kishin shquar edhe vetë Rremon. Ata u kishin bërë me shenjë të heshtnin e të mbyllnin gojën. Këta të trembur u kthyen me vrik në fshat dhe treguan sa më sipër. Bedriu që s’mundej të fliste tregonte me shenja me dorë për identifikimin e Rremos nga mustaqet. 

Të nesërmen, të dy këta djemë , i thirrën në Degën e Punëve të Brendshme në Tepelenë. Nga ajo ditë ata filluan të mos flisnin më për këtë punë dhe i shmangeshin një pyetjeje të tillë. Por, duke parë që ky qe ndikim shtetëror, edhe njerëzit nuk kishin dëshirë t’i kalonin atij sinori. Disa prej forcave vullnetare të armatosura (ata që u ishte lejuar të mbanin armë dhe që kuptohet përfaqësonin njerëz me biografi të mirë), u vunë për disa kohë në shërbim nate, në një perimetër disi të hapur ndan shtëpisë së Rremos. Kjo se, nisur nga zhvillimi i ngjarjes, ndoshta ai vinte natën dhe merrte kontakt me gruan. Familja e tij nuk po shpallej as e përndjekur, siç e kërkonte politika në të tilla situata, por as edhe e preferuar si më parë në fshat. 

Ishte pikërisht viti 1967. U bë kohë që Rremua kishte humbur. Tërmeti që ra në këtë rajon shkaktoi dëme të konsiderueshme edhe në fshatin tonë. Ndër të tjera u dëmtua edhe shtëpia e Muharremit.Të gjithë njerëzit kureshtar, si indikator mbi qëndrimin e shtetit ndaj kësaj familje,  prisnin në se ai do angazhohej për ndërtimin e banesës së kësaj familje njëlloj si për të tjerët?!  Asgjë e re. Edhe familja e tij u bë me banesë të re si gjithë të tjerët.  Banesë në të cilën banojnë edhe sot e kësaj dite.  Pas kësaj ndodhie, nga kërshëria për të mësuar të vërtetën mbi historinë e Rremos, njerëzit, me të drejtë,  ngritën një tjetër hipotezë. Duke e njohur Rremon si njeri të zgjuar dhe trim, duke qënë se shteti nuk po mbante ndonjë qëndrim dashakeqës ndaj familjes së tij, siç ndodhte në kësi rastesh, atë duhej ta kishte rekrutuar shteti. Shteti do e ketë rekrutuar dhe hedhur jashtë në kundërzbulim, gjykonin ata. 

Ndërkohë fëmijët u rritën. Vajza dashurohet në fshat me një djalë po ashtu nga familje shumë e mirë. Ai që ishte në dilemë për këtë lidhje ishte djali. “Shkelja në dërrasë të kalbur” do të përbënte fatkeqësi për të dy palët. Atëherë djali u kërkon mendim organeve kompete-nte të Degës së Punëve të Brendshme në Tepelenë lidhur me ndërmarrjen ose jo të veprimeve të mëtejshme në këtë drejtim. Ata i kthejnë përgjigje se s’ka asnjë pengesë ligjore apo edhe politike për ta finalizuar dashurinë e tyre këta dy të rinjë. Ashtu u bë. Ata krijuan një familje të madhe dhe të mbrekullueshme në fshat. Gjatë gjithë kësaj periudhe, djali i madh i Muharremit, në kontakt me stru-kturat shtetërore, kërkonte vazhdimisht të dinte mbi fatin e të atit por asgjë. Me ardhjen e demokracisë qarkulluan zëra dhe u folë se dy arrëziotët (të A. Madhe) janë bërë të gjallë për njerëzit e tyre në fshat dhe jetojnë në Greqi. Ata gjasme kishin informacion edhe për Muharremin. Djali madh i këtij të fundit, Hekurani, bëri çdo përpjekje për t’u lidhur me ta por nuk u arrit asnjë rezultat. Edhe për vetë këta dy arrëziotë dhe njerëzit e tyre këtu në fshat situata ra në heshtje. 

 Por ç’të ketë ndodhur me Muharre-min ?! Disa ishin të mendimit se ai është rekrutuar nga grupi i këtyre të arratisurve, është martuar dhe ka krijuar familje andej dhe nuk e ka të lehtë të bëhet i gjallë. Të tjerë ishin të mendimit se duke qënë një njeri i zgjuar e trim e ka rekrutuar shteti dhe e ka hedhur në kundërzbu-lim jashtë vendit. Andaj nuk u persekutua familja. Më andej ai mund të jetë vrarë në aksion e sipër dhe tashmë mund të quhet pjesë e grupit të “Heronjëve të heshtur”, për të cilët shteti i asaj kohe asnjëherë dhe asgjë nuk e bënte kurrë publike. 

Të parët, fshehjen në ferrat e Kroit të Evgjitit, e justifikojnë me atë se ai do të ketë harruar ndonjë  dokument të rëndësishëm për  përfshirjen në gru-pin e të arratisurve. Të dytët, nuk mund t’i jepnin ndonjë shpjegim këtij fakti, gjithësesi edhe ata ishin tek varianti i harresës së ndonjë dokumenti  të nevojshëm po për rastin përkatës. Gjithësesi mendoj se, jo vetëm ne fëmijët po se po, por edhe të gjitha palët, tashmë ishim të bindur vetëm për një gjë; për atë që Rremua nuk ishte fare i sëmurë. Atij ia donte puna të shtirej si i tillë. Masa dhjamore të tilla në lëkurë i dalin çdokujt. Ato hiqen lehtë dhe nuk kanë asnjë pasojë për shëndetin edhe sikur Rremua t’i kish natyrale ato pa, në se i kishte të stimuluara, atëherë situata bëhet edhe më e qartë. Kjo ngjarje u arshivua si e tillë në kalendat greke. Gjykoni vetë se ç’mund t’i ketë ndodhur Rremos. Tashmë ai edhe normalisht, sado jetë-gjatë të ketë qënë,  nuk mund të jetë më gjallë.

Shkëputur nga libri:

"FËMIJËRIA JONË, SA E VËSHTIRË AQ DHE IDILIKE."  Shtator, 2022



No comments:

Post a Comment