Wednesday, 17 January 2024

"ÇMENDINA E ATHINËS” E THANAS MEDIT

-       Përsiatje për romanin më të ri të shkrimtarit të njohur me origjinë nga Dhoksati i Gjirokastrës – 


nga:  Avdulla KËNAÇI

Toronto. Kanada 

        



        

        Botimi i një vepre artistike është ngjarje e madhe letrare, jo vetëm për autorin, por për gjithë kombin, për të gjithë lexuesit dhe të apasionuarit pas artit të fjalës së shkruar. Shkrimtari Thanas Medi, brenda një periudhe të shkurtër, i ka ofruar lexuesit shqiptar dhe atij të huaj, pesë romane, njeri më i mirë se tjetri. Nuk ka shumë kohë që në vitrinat e librarive të Atdheut tonë të përbashkët dhe bibliotekave, ka hyrë një titull i ri romani, shumë impresionues dhe domethënës, “Çmendina e Athinës”. 

        Me kryeqytetin e Greqisë, në shekuj kemi pasur shumë hyrje e dalje, stina të arta miqësie, zënka, por edhe luftra për territore e pasuri të paluajshme. Me këtë kryeqytet na lidhin shumë histori të veçanta shpirtërore. Qyshse u hapën kufijtë e u liberalizuan vizat, nisi një epokë e re marrëdhëniesh fqinjësie. Midis dy vendeve tona pati rinjohje, rizgjim të lidhjeve shpirtërore, qarkullim njerëzish, idesh, fluks të jashtëzakonshëm hyrje-daljesh, më shumë se me çdo vend tjetër fqinj. Shqiptarët emigrantë, kryesisht të rrënuar nga fajdet, nga halli, në Greqi kapën punë të dorëve të dyta, ndërtim apo shërbime në shtëpitë e afendikojve grekër, por më shumë ata u përqendruan në punë bujqësie e blegtorie, duke i dhënë kështu një impuls të ri ekonomisë greke në rënie. Pikërisht kësaj periudhe i përket edhe trilli që përshkruan Thanas Medi në librin e tij goditës “Çmendina e Athinës”. Ja një pasazh domethënës: “Ku lind njeriu i shkretë e ku mbaron! Shkon diku në vend të huaj për të jetuar më mirë dhe vdes ende pa shijuar asgjë nga ç’ka pritur. Ikën nga një çmendinë dhe përfundon në një tjetër. Ndodhej në një mjedis, pavijon (heroi kryesor, Valentina) ku shërohej marrëzia dhe marrëzi më të madhe haste jashtë tij…”

        Jo më kot autori i ka vendosur ngjarjet në një institucion fare të pazakontë, spital psikiatrik, ku flitet hapur dhe kryqëzohen dashuri sentimentale, humanizëm, fate, mentalitete, krime, enigma, politikë, qëndrime burokratike, përbuzje, urrejtje, racizëm, etj. Përcaktimi në subjekt i këtij “stadiumi” të madh ku ndeshen mendje gjeniale dhe të çakorduara, është një gjetje shumë e zgjuar mbasi i jep krahë fanatzisë së autorit dhe ajo nuk njeh më kufij, çensurë dhe stepje para asgjëje. Ky mjedis i jep të drejtën Thanasit të lëvrojë subjektin e tij në një tokë djerrë, të fshehtë nga syri i zakonshëm i qytetarit. Ja një pëshkrim i rrallë i spitalit psikiatrik: “Dilnin e hynin nëpër dhoma, nga salla e televizorit, mensa e ngrënies, rrinin si hunj në këmbë, vështronin të përhumbur tej dritareve, ose lëviznin me hapa të ngathët. Sekush do të bënte diçka. Një qeshte pa shkak, një tjetër fliste me dikë që gjendej në trurin e tij të çakorduar, dikush ngacmonte kë të mundej, tjetri filozofonte me zë të lartë, shoku në krah porosiste me telefon kafe a diçka për të ngrënë tek një që quhej Zaharopulu. Veshur me ca tesha të zbërdhulta që u vareshin te supet e u rrinin në trup si thes. Te kujtonin të burgosurit. Syshuar nga ëndrrat, qënie të braktisura, të harruara në fatkeqësinë e tyre, me një dramë që veç ata e dinin si e përjetonin…”

 

        Përshkrimi që i ka bërë autori “Çmendinës” dhe personazheve që gëlojnë brenda këtij institucioni (spital), të bind se ai e njeh mirë skenën ku vendos të çpalosë lëndën e romanit, objektin dhe subjektin që kërkon të paraqitë përpara lexuesit. Ai e fillon me një pacient që ha me dhëmbë derën e infermierisë e pastaj me një tjetër që ka dashur të mbytë pastruesen, Valentinën. Me këtë hyrje ai e përgatit lexuesin për shtjellimin e ngjarjeve të pazakonta, dramatike dhe anormale. Nuk ke sesi të ndalësh lëçitjen, nuk ke sesi të mos kërkosh të dish si vazhdojnë ngjarjet. Pra, që në fillim vepra bëhet e dashur dhe interesante për çdo kategori lexuesi. Boshti i subjektit ndaj të cilit shtjellohen më tej skenat, janë historitë dhe bëmat e gjithë personazheve, të mpleksura e të ndërkallura midis personelit të spitalit psikiatrik dhe pacientëve të ndërkryer. Çmendina bëhet kështu një arenë e jashtëzakonshme përplasjesh dramatike, larg syrit të turmave njerëzore dhe jetës së zhurmshme të kryeqytetit grek, Athinës. 

 

        Heroina kryesore e romanit është një emigrante shqiptare, Valentina, dikur mësuese muzike në Veri të Shqipërisë, me origjinë nga Jugu, e cila në “kurbet”, larguar nga vendi i saj për një jetë më të mirë, ka provuar të nxjerrë bukën e gojës me ca punë të rëndomta si pastrim shtëpish e punëtore pastiçerie, shumë larg arsimimit dhe profesionit të saj. Emigracioni i pamëshirshëm e shkund dhe zhvesh nga dinjiteti, nga formimi dhe bukuria e profesionit të saj si mësuese. Papunësia e detyron të pranojë të punojë pastruese rrogëtare në “Çmendinë…” ku refuzojnë të përfshihen vendasit. Fokusi, droni me kameran e kudondodhur të autorit e ndjek atë hap pas hapi, pavijon më pavijon, në sjellje e marrëdhënie me të çmendurit, në shtëpi gjatë komunikimit me të shoqin, me vjehrrën, me farefisin, me eprorët, qeverinë dhe jetën me fat aventuresk të ish nxënëses së saj të dikurshme, Dianës që mund të bëhej këngëtare, bijë e ish koleges në Malësitë e Shkodrës, në Shqipëri. 

        Zbulimi i fotos së nxënëses së saj të dashur, vendosur në mur, mbi kokën e krevatit të një të çmenduri, Manolit, e tronditi pa masë. “Ç’do Diana këtu? Nuk u besonte syve. Zgjati dorën ta marrë konizën e ta shikojë nga afër se mos i gënjenin sytë… Nuk e kuptoi nga kërceu ai përbindshëm i zemëruar. Nga dolën dy panxhat që mbërthyen gjithë zell fytin e saj të brishtë…” Iu rrezikua jeta qysh ditën e parë të punës. Incidenti ishte një arsye madhore për të refuzuar detyrën e re, por edhe një mësim për të qenë më e arsyeshme në sjellje me të sëmurët mendorë. Karakteri i Valentinës u vu në proven e zjarrit qysh ditën e saj të parë të punës. Mund edhe të largohej, po ku mund të përplasej, ku të gjente punë tjetër?! Si ta përballonte kredinë, shkollimin e fëmijëve?! Lufta për mbijetesë i thirri ndërgjegjes së saj dhe i tha: “Qëndro!” dhe ajo vazhdoi me këmbëngulje duke zbuluar hap pas hapi karakterin e saj stoik si dhe shumë drama njerëzore të jashtëzakonshme. 

        Valentina, emigrantja shqiptare, shfaqi anën e saj më të mirë, kujdesin dhe nderimin për më të dobëtin, më të pafuqishmin, të përbuzurin dhe të braktisurin nga shoqëria, të çmendurit. Populli ka një fjalë të urtë: “Floriri provohet në zjarr”. Autori e vendos Valentinën mes flakëve të ferrit dhe ajo hap pas hapi zbulon një shpirt të madh, trëndafil të bardhë, human, një zemër të dhimbsur dhe karakter qëndrestar. Nuk bëri dot për vete administratën duke kërkuar drejtësi, por fitoi admirimin e të sëmurëve që ishin gati të binin në zjarr për të. 

        Nga formimi i saj, besnike dhe mirënjohëse, bëhet copë të mësojë fatin e ish nxënëses së saj. I sëmuri që desh e mbyti qysh ditën e saj të parë të punës, i beson sekretin më të madh të jetës së tij; si njohu dhe u dashurua me Dianën, vajzës së fotografisë mbi kryet e tij. Ajo mëson si Diana kishte rënë në dorë trafikantësh, por rastësisht Manoli e shpëton duke e nxjerrë nga errësira dhe strehuar në shtëpinë e tij. Çmimi që paguan? Diana mirënjohëse i jep gjithçka, por jo dashurinë e saj. Kjo është linja e dytë e romanit që të mban pezull deri në fund. Thanasi e ka përshkruar me shumë dashuri dhe elegancë Dianën, ëndërrimtare, besnike, punëtore të palodhur që kërkon ta fitojë bukën e gojës me punë të ndershme, këmbëngulëse, por ajo nuk pranon mëshirë. Në roman përshkruhet si një zanë mali jo vetëm për nga bukuria e saj, por mbi të gjitha nga qëndrueshmëria dhe karakteri. Si të thuash ajo është një vazhdim dhe plotësim i vetë Valentinës, por me një fund tepër tragjik, të pa imagjinueshëm.

 

        Një personazh i dorës së dytë, por krejt i veçantë është e çmendura Xina, militante partie e Sirizias, që i ngjan se orë e çast denoncon padrejtësitë, “komunikon” në telefon me Kryeministrin, Aleksin, tek i cili ka besim se është i ndershëm e idealist, ashtu si e ka njohur personalisht, ndërsa të tjerët vjedhin dhe ia punojnë prapa krahëve duke turpëruar qeverinë që ai udhëheq. Nga një “telefonatë” e saj merret vesh se të pesëdhjetë pastrueset vidhen nga kompania duke ua përgjysmuar rrogën. Formimi dhe karakteri i Valentinës nuk e duron këtë padrejtësi dhe ajo vihet në krye të protestës për të fituar rrogën e plotë. Në këtë aksion të saj shfaqet një galeri tjetër personazhesh, të korruptuarit; servilët dhe të shiturit, sindikata hileqare dhe shteti që mbulon zullumet e administratës. Me ngjyra humori dhe përbuzje janë vizatuar drejtorë, shefa, përgjegjës e punëtorë me dy fytyra që bëjnë njëmijë e një truke për të mashtruar djathtas e majtas mvartësit e tyre. Kërkohet drejtësi për të gjithë, por zërat bien në vesh të shurdhër. E pëson më i dobëti, më i pambrojturi. Kjo është drama më e dhimbshme, çmenduri mbi çmenduritë.

 

        Një dukuri tjetër e jetës së sotme moderne janë edhe rrjetet sociale. Nuk ka sesi kjo axhendë e përditshme të mos jetë pjesë e romanit. Ka një linjë të dytë; bashkëshorti i Valentinës, komunikon vazhdimisht në facebook me një poete të panjohur, pa e ditur se ajo është e çmendur. Një ditë edhe ajo përfundon në spitalin psikiatrik. Kryqëzim fatesh…


        I gjithë romani i Thanas Medit “Çmendina e Athinës” të lë pa frymë, të habit me kompozicionin perfekt, si në një ekuacion të gjatë algjebrik, fundin e të cilit e di vetëm autori. Ka faqe të tëra me përshkrime mbreslënëse lirike (kuptohet që autori ka lëvruar dikur poezi). Si: “E la syrin të qëmtojë, si për t’u mbrojtur futi kokën midis supeve…Dukeshin këmbët dhe gungat e një mali të zhveshur…Deti s’dukej, por ndihej…Fllad i lagësht me aromë jonxhe… Ia hapi derën një leshdjegur… Në një zyrë me njolla lagështie nëpër qoshe, si në të preshtë lëmyshku…”, e plot e plot të tjera.

Autori ka realizuar tipizime të goditura të personazheve të cilët të mbeten gjatë në kujtesë, duke krijuar kështu një galeri të pafundme heronjsh letrarë. Ai merr në mbrojtje qëniet më delikate, mëndjet e aksidentuara dhe fatin e emigrantit fatzi, bëhet kështu mbrojtësi dhe avokati i më të dobëtit. I pikturon ata me shumë dashuri dhe pasion, kështu i bën të dashur e të kërkuar edhe për lexuesin.

 

        Gjuha që përdor Thanas Medi është mjaft tingëlluese, shpesh të ngjan me tinguj simfonikë. Ka fjalë të rralla të qëmtuara me kujdes nga gurra popullore, por të përdorura me aq vend dhe llogjikë si: leshdjegur, qëmtojë, zbërdhulëta, syshuar, gixilim, muros, ligur, osh, bjerrakohësit, halabakët, zhgan, shkalafitur, kërcë, shushat, mëriste, munxët, havale, zbuar, llangosur, palldëm, mjegullinë, , ormisa, pleks, mavri, marrok, langaraq, firasur, gurgule, dihas, faneps, hapërdara, gudulis, përhënë, etj.

Përfundimisht Thanas Medi e tërheq aq shumë lexuesin pas stilit origjinal, artit dhe ideve të tij, sa e bën atë menjëherë admirues të palëkundur të veprave letrare që i përkasin kësaj kohe që jetojmë sot. Gjithashtu edhe ky roman i sapohedhur në truallin e opinionit të mbarë lexuesve, tani për tani vetëm shqipfolës, ka vlera të veçanta dhe ia vlen jo vetëm të lexohet me kujdes, por edhe të vendoset në krye të rafteve të bibliotekës së secilit lexues. 

Avdulla Kënaçi

 

 

Friday, 5 January 2024

KREMTIMI I UJIT TË BEKUAR NË PESHTAN

nga: Andre LLUKANI 

Muzeu Historik Kombëtar

TIRANË


Pas celebrimit të meshës në kishë, peshtanakët drejtoheshin për tek Kroi i madh, që ishte rreth 400 metra larg Kishës së Shën Thanasit. Kroi kishte dy kamare tek të cilat vendosnin ikonat. Besimtarët e fshatit shkonin duke kënduar:

"O Zot shpëtoje popullin tënd

e bekoje trashëgimin tënd

dhuroju shpresëtarëve 

fitore mbi barbarët

dhe ruaje shtetin tonë

me anën e kryqit tënd." 

 

Gjatë kësaj shërbese kryqi vihet në një enë me ujë dhe me një tufë borziloku. Kryqi hidhej në pellgun pranë Kroit të Madh dhe ai që do ta kapte kryqin do të shpërblehej. Menjëherë besimtarët puthnin kryqin dhe spërkateshin me ajazëm (ujë të bekuar). Ndërkohë psaltët këndonin himnin kryesor të së kremtes:


"Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot

alja e Trinisë kudo u shfaq

Se zëri i Atit të dëshmonte

Bir të dashur të tij të quante

E shpirti në formë pëllumbi

E vërtetonte vërtetësinë e fjalës

O Krisht që u fanepse

Dhe ndriçove botën, lavdi më Ty."


Ky tropar këndohej nga të gjithë të pranishmit. Besimtarët mbushnin nga një shishe të vogël me ujë të bekuar dhe sapo mbërrinin në shtëpi, spërkatnin të gjitha anët. Më pas shishen e vendosnin pranë ikonës në vendin e lutjes. Këtë ujë të bekuar e mbanin deri më 6 janar të vitit pasardhës. Ky ujë përdorej si shenjë bekimi në rast sëmundjesh. Gjithashtu gjatë së kremtes së ujit të bekuar, pas Liturgjisë Hyjnore burrat e fshatit mblidheshin në hajatin e kishës ku zhvillohej ankandi i shitjes së ikonave. Ai që paguante më shumë, kishte privilegjin që ta mbante ikonën disa ditë në shtëpi për mbarësi. Rrugës për në shtëpi këndonin:


"Nga mot për shumë mot

Me djem e bereqet plot."


Të afërmit e fqinjët vizitonin familjet që kishin blerë kryqin dhe ikonat duke i uruar për mbarësi. Më të lumturit në këtë ditë të shënuar qenë priftërinjtë dhe epitropët, të cilët pas ankandit të ikonave do të ndanin paratë e fituara. Sigurisht një pjesë e së cilave i kalonte kishës. Gjithashtu u jepnin edhe fukarenjve


.

 2.) PËRSHKRIMI IKONËS “PAGËZIMI I KRISHTIT”


Ikona “Pagëzimi i Krishtit” është realizuar nga ikonografi Onufër Qiprioti në shek. XVII. Ajo i përket ikonostasit të kishës së Shën Nikollës në Saraqinishtë të Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës. 


Në ikonë paraqitet skena e Pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan. Në kohën kur u pagëzua, Krishti ishte 30 vjeç. Krishti është në qendër të ikonës, gjysëmlakuriq mbi një gur, prej të cilit dalin katër koka gjarpërinjsh. Këta të fundit, duke u ndërthurrur me valëzimet e ujit dhe peshqit, që notojnë, japin pamjen e botës nënujore. Mbi kryet e Krishtit gjendet Shpirti i Shenjtë në formën e një pëllumbi, ndërsa engjëjt në pjesën e djathtë të ikonës janë duke adhuruar Trininë e Shenjtë. 


Në bregun e majtë të kompozimit, mbi shkëmb qëndron Joan Pagëzori, i cili është përkulur drejt Krishtit për ta pagëzuar. Vepra kryesore e Joanit ishte parapërgatitja e popullit për ardhjen e Mesisë. Prandaj ai quhet pararendësi i Krishtit. Këtë e bëri realitet me predikimin e tij. Pararendësi i ftonte njerëzit të pendoheshin e të pagëzoheshin, si parakusht për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. 


Gjatë pagëzimit, Krishti shpalosi se ishte personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, pra, Biri i Perëndisë. Emri i festës “Theofani” do të thotë Shfaqje e Perëndisë.








Wednesday, 6 December 2023

PER LIBRIN “ UDHETIM NE SHPIRTIN LUNXHIOT “ TE KONSTANDIN VASIL MOSKO

 "  Leximi i librit”Udhetim ne shpirtin lunxhiot” me clodhi e me kenaqi. Eshte shkruar kendshem e kuptueshem per cdo lexues.Mund ta lexoni e nuk do te thoni se ishte kohe e humbur."

                                                         


nga: Dashmir TARAJ
Ish pedagog neUniversitetin " E .
Cabej " Gjirokaster
Boston, Ma - SHBA

Dashmir TARAJ
Me shume kersheri e vemendje lexova librin “Udhetim ne shpirtin lunxhiot” te Kostandin Moskos te cilin e kam njohur ketu ne  Boston qysh 20 vjet me pare me emrin Koci Mosko dhe me kete emer do ta permend se keshtu e kane thirrur qe ne vegjeli e me tingellon me i ngrohte, me i afert e me familjar.

  Libri hapet me nje poezi te vete autorit te  titulluar  “Ne vend te parathenies”e cila eshte shkruar me shume mall e frymezim, me ritem e rime, me vargje 6 e 8 rrokesh. Ai  thote se “do shkoj e do tret malle”, te ndeze nje qiri  ne Shen e Premte ku ka lene “meme, babe, e gjiri.” Ai do te shkoje ne vendet qe i sjellin kujtime te vegjelise, t’ia marre kenges me shoket e rinise per Koton e Pandeline,si sorkadh t’i ngjitet malit,e atje te ulet e te prehet e t’i ngopet kraharori “ me freski e Lunxheri”

  E them qe ne fillim se Koci ia ka dale mbane. Ai eshte cmallur me vendlindjen e tij Selcken e Lunxherine duke shkruar me shume pathos per to,per njerezit,per natyren, per kulturen e traditat e saj

  Pjesen kryesore te librit e ze ajo per vepmtarine patriotike te vellezerve Pandeli e Koco Sotiri. .Une per Selcken e Pandeli Sotirin kam degjuar per here te pare kur kam shkuar ne shkollen 8-vjecare te Erindit. Ne ishim disa femije qe vinim nga Valareja, nje nga ato fshatrat e te ashtuquajturit “fshat i ri socialist’. Qelloi qe lenden e gjeografise e jepte mesim drejtori i shkolles, Mitro Qendri, nje mesues i rralle e nje njeri tejet i mire. Ne oren e pare ai na tregoi se cfare do te mesonim ne gjeografi e pastaj tha: “Ketu kemi edhe nxenes te rinj qe nuk jane nga krahina jone e dua t’i njoh ata me Lunxherine” Pasi foli per pozicionin gjeografik te saj, duke na treguar dhe anet e horizontit e emrat e fshatrave, ne fund fare permendi edhe Selcken duke thene:  “Edhe fare ne Jug eshte Selcka. Po te dilni ne kodren e Gjipanes ju mund t’i shikoni te gjithe fshatrat e Lunxherise, por jo Selcken. Ajo eshte ne nje gryke midis malit te Lunxherise dhe atij te Buretos. Aty ne ate Selcken e vogel ka lindur nje patrioti i madh, Pandeli Sotiri qe hapi shkollen e pare shqipe ne Korce.”Gjate viteve te shkollimit e me vone kam lexuar e degjuar me shume per vellezerit Sotiri. Nga libri i Kocit rifreskova ato qe dija, por mesova edhe plot te tjera qe nuk i kisha hasur me pare. Autori ka kerkuar shume per te gjetur informacionin e duhur. Jane rreth 70 citime e referenca nga autore te ndryshem si dhe kujtime te te afermeve te tyre e te tjere. Koci ia ka arritur  te nxjerre me ne drite vlerat e ketyre memedhtareve te medhenj. Ata u shkolluan ne Stambooll e studiuan ne Vjene njeri per mjekesi e tjetri per drejtesi.  

Ata qendruan aty per pak vite e Pandeliu shkoi ne ushtrine austriake, ndoshta si mjek. Levizja e Rilindjes kombetare shiptare kishte filluar dhe ata u kthyen per t’iu bashkuar asaj. Se pari duhej ndricuar mendja e shqiptareve. Per kete Pandeliu filloi te botonte gazeten “Prometeu” e Pastaj revisten “Drita” e qe  me pas mori emrin “Dituria”. Ai shkoi ne Rumani, ne Egjipt, ne Greqi e Maqedoni per te ngritur e organizuar mergimtaret shiptare qe te ndihmonin ne levizjen e madhe te Rilindjes Kombetare.  Ai ishte nje nga veprimtaret kryesore perkrah Samiut e Naimit ne “Shoqerine e te shtypurit te shkronjave shqip.”

 Pandeliu celi shkollen e pare shqipe ne Korce e vellai i tij, Koco Sotiri , ate te Pogradecit. Autori, Koci Mosko, tregon me hollesi, me data, me fakte e dokumenta per cka permenda me lart si dhe per veprimet e veshtiresite qe ata kaluan. Ai eshte perpjekur te korrigjoje disa percaktime e interpretime qe ai mendon se jane jo te sakta si: per daten e celjes se shkolles ne Korce,  per ate ne se ishte Pandeliu ne te vertete nxenes i Koto Hoxhit apo ate per rrethanat e vdekjes se tij. Autori  thote: “E verteta e shkolles shqipe,veprimtaria patriotike e vellezerve Sotiri eshte e manipuluar dhe e shtremberuar ne te gjitha drejtimet.” Midis te tjereve autori iu referohet edhe fakteve bindese qe paraqet historiani Dh. Dishnica se shkolla e pare shqipe eshte celur  ne shkurt te vitit 1886 dhe jo me 7 mars 1887.

 Une mendoj se gjetja e dates se sakte se hapjes se shkolles se pare shqipe eshte ceshtje per diskutim midids  studiuesve,  historianeve dhe  qeveritareve qe dekretojne festa apo ngjarje te shenuara kombetare. Cilado te jete e sakte, shkurt 1886 apo mars 1887,  nuk e zbret dot nga piedestali Pandeli Sotirin dhe vleresimi e  mirenjohja qe ka kombi shqiptar per te do te jete e pandryshuar.  Duket bindes argumenti qe sjell Koci se Pandeliu s’mund te kete qene nxenes i Koto Hoxhit sepse ai,Kotua, s’ka qene mesues ne shkollen greke te Qestoratit, por vec kujdestar konvikti si dhe, kur eshte hapur ajo shkolle, ata kane qene ne moshe te madhe e  ndoshta ne Vjene. Edhe ketu une mendoj se nuk ka aspak rendesi se ku mesuan te shkruajne shqip vellezerit Sotiri,( Vete Pandeliu kishte hartuar nje alfabet per te shkruar shqipen) por vlere te pacmuar ka ajo qe ata mesuan te tjeret te shkruajne e te marrin dituri e drite ne gjuhen e ndaluar shqipe. Sa per Koto Hoxhin s’ka rendesi se ishte mesues a administrator. Eshte fakt i pakundershtueshem se nga ai mesuan fshehtazi te shkruajne shqipen Petro Nini Luarasi e te tjere po ne shkollen greke te Qestoratit. Edhe ai ishte bashke me Pandeline e Sami Frasherin ne Shoqerine e Stambollit. Ai u rrah e u burgos ne burgun e tmerrshem te Jedi Kules per veprimtarine patriotike. Sevasti Qiriazi kur e vizitoi ne burg shkruan se ai ishte  nje grumbull leckash. Edhe kur doli nga burgu nuk hoqi dore e ia arriti te nxjerre lejen per te hapur shkolle shqipe ne Janine, por nuk e la vdekja.

   Vellezerit Sotiri, Koto Hoxhi, Petro Poga e te tjere lunxhiote  jane diej qe driten e tyre ua percuan shqiptareve qe te dilnin nga erresira shekullore. Lunxhiot e ortodoks shqiptar nga Qestorati i Lunxherise ishte edhe bankieri e financuesi me i madh i qeverise turke, Kristaq Zografi. Ai mund te merrte nga Sulltani jo nje, por dhjetera leje per te hapur shkolla shqipe. Ai nuk e beri kete se e quante veten grek. Ne vendlidjen e tij ai celi nje shkolle qe pergatiste mesues per shkolla te tjera greke per t’i sherbyer helenizmes, por jo shqiptarizmes. (Ai mbeti vetem ne kufijte e nje bamiresi

  Ne nje bisede qe pata me Kocin ai me tha se planifikon te shkruaje nje monografi te plote per vellezerit Sotiri dhe se do te shkoje edhe ne Stamboll te kerkoje neper arkiva. Ai shkruan: “Nuk jam historian,por jam i perkushtuar per jeten dhe vepren e vellezerve Sotiri, i perkushtuar ndaj historise se vendlindjes sime.” Une besoj se me perkushtimin e kembenguljen qe e karakterizon do t’ia arrije  te shkruaje nje monografi te plote per ta e cila , me sa di une, do te jete e para. Good Luck Koci!

  Pjesa tjeter e librit i kushtohet Grykes se Selckes ,vete fshatit Selcke, e kujtimeve te vegjelise. Ai shkruan  per njerezit e saj,natyren,kishat, krojet,per manat, dardhat, fiqte, lajthite,cercemet,per etimologjine e emrave te tyre,vlerat  ushqimore qe kane frutat e tyre, per kenget qe lidhen me to e gjithcka tjeter e  bere pjese e tradites lunxhiote. Pershkrimi qe i ben grykes se Selckes eshte shume i sakte e  terheqes. Diku, kur shkruan per kafshet qe gjenden aty, permend edhe derrin e eger. Kjo menjehere me kujtoi udhetimin tim te pare neper Gryken e Selckes qe mu duk sa e frikshme, por edhe aq e mahnitshme. Ishte gusht i vitit 1974. Do te shkoja per here te pare ne Sopik te Pogonit. Isha emeruar mesues ne shkollen 8-vjecare te atij fshati. Udhetonim me nje autobus te vogel i pershtatur nga ato makinat “zis” te ngelura qe nga koha e ruseve. Pasi iu ngjitem te perpjetes se Suhes e pas nje zbritjeje e nje tjeter ngjitjeje iu afruam grykes. Rruga e makines ishte mjaft e ngushte e vetem per nje kalim. Ajo kalon pergjate malit te Lunxherise e poshte nga e djathte qnidra metra thelle kalonte lumi i Suhes

. Si majtas e djathtas  shpatet e maleve  jane pothuajse pingul mbi ate lume. Ne ndenjesen para meje ishte ulur shoku im Jani Rova nga Haskova e Dropullit. Ai ishte emeruar mesues ne Hllomo. Bashke me te ishte dhe nena e tij. Ajo ishte e merakosur per birin e vetem se si do rregullohej, ku do flinte, ku do lahej,ku do hante etj.  Kishte marre me vete caracafe, batanije, ene kuzhine e ushqime e do te qendronte disa dite aty sa te sigurohej se Jani do kishte kushte te mira. Kur arritem tek Shkembi i Dallandyshes, dy shpatet e maleve u afruan aq shume sa dielli sikur u zhduk e u erresua. Lumi, qe s’e kishim  pare deri atehere, u shfaq me gurgullime fare prane nga e djathta dhe nga e nga e majta nje shkemb i stermadh u duk sikur do na binte mbi koke. Nena e Janit papritur u ngrit ne kembe dhe bertiti “ububu Jani mu pu tha pas esi?”(ububu Jani im ku do vesh ti) dhe e mbuloi te birin me trupin e saj si  per ta mbrojtur nga shkembi. Pas pak u degjua nje ze tjeter po ne greqisht duke iu drejtuar shoferit:”Ja stamata ere Raqi na vlepome ti si simveni apenandi” (Pa ndalo ore Raqi te shikojme c’ndodh pertej) Makina ndaloi. Te gjithe u ngritem ne kembe duke shikuar nga e djathta. Faqja e malit te Buretos ishte me e pyllezuar , por nje pjese e vogel ishte me shkurre te rralla e zallishte. Nga pylli dolen dy derra te eger te zinj,njeri i madh e tjetri me i vogel,duke ecur me nxitim. I vogli qe ishte i pari, papritur rreshqiti, u rrokullis e qe duke perfunduar ne lume. Derri i madh vuri dy kembet e para perpara e duke rreshqitur i doli perpara te voglit. E ndaloi ate me trupin e tij dhe e shtynte te ngrihej ne kembe. I vogli u ngrit dhe u drejtua nga pylli. I madhi i qendronte nga poshte si per ta mbrojtur nga nje rreshqitje tjeter. Ata u zhduken nxitimthi ne pyll.   Ndoshta edhe ata ishin meme e bir. Pas nja 10 minutash u degjua nje ze i fuqishem burri, po kete radhe ne shqip: “Selcka shofer. Ndaloje pak” Ai burri zbriti dhe u  drejtua per nga e majta duke i u ngjitur se perpjetes. Une u ngrita ne kembe i emocionuar se do te shikoja ate Selcken  e Pandeli Sotirit, por ajo nuk shikohej dot prej aty. Ate e pashe nje here tjeter. 

        Si beheshin dasmat ne Selcke e ne Lunxheri ,kenget e vallet e tyre, si kembenin krushqit plloskat e veres, si cohej nusja ne krua ,si nderroheshin shamite,si mblidheshin te shtepia e dhenderit per pemet e nuses etj. i gjen ne kete liber te pershkruara e te shpjeguara me hollesi. Kenga e cercemit qe kendohej ne Selcke eshte e rralle. Pershkrimi qe i ben autori menyres se si e kendonte basho Foto Sotiri kete kenge te ben qe edhe ti ta jetosh ate moment,por qe s’mund ta kendosh dot vete se do ngelesh i turperuar.Basho Fotua paska qene nje kengetar virtuoz e i paarritshem.

   Interesant eshte rrefimi se si eshte bere Kryqi i famshem i kishes se Laboves. Une ne kete liber mesova per here te pare se kryqi eshte ndertuar nen kujdesin e armembajtesit te perandorit Justinian, Konstandin Labovitit, bir i ketij fshati.                                                 

   Kam qeshur e jam kenaqur me monologun e Kako Dhoqines. Aty eshte gruaja tipike punetore lunxhiote e asaj kohe me te foluren e vecante qe pershkruan veprimet e nje dite vajtjeje ne mulli si dhe te fshehtat e thashethemet e fshatit. Leksiku i saj eshte i rralle per ditet e sotme, por me vlera te vecanta gjuhesore.

  Nje tjeter tregim me vete eshte rrefimi per “gjuheprerin”, komunistin kosmopolit e poliglot Milto Sotiri, shok i Dimitrovit, qe brodhi boten per te propoganduar Internacionalen komuniste e qe u kthye ne Selcke i dermuar nga burgjet e i pagoje.

  Selcka,nje fshat i vogel, eshte vendlindja apo origjina e mjaft inetelktualeve te njohur e te tjere te sukseshem ne jeten e tyre. Koci permend disa nga ata. Eshte nder per te ndjerin Prof. Dr.Thoma Dhima, qe nderroi jete papritur e para kohe, mik e kolegu im ne Universitetin e Gjirokastres, te radhitet midis tyre. Me terhoqi vemendjen emri i nje fizikanti te shquar qe jeton e punon ketu ne Amerike e i ardhur nga Greqia. Ai eshte Dhimiter Nanopullos i njohur per studimet ne fiziken e pjesezave dhe ate kozmike.  Koci shkruan se ai eshte shqiptar nga Selcka nga origjina e babait te tij Vajo Naka i cili ka qene nepunes i qeverise se Zogut dhe u largua per ne Greqi para 1944’s. Ai la nje moter ne Selcke qe nuk dinte asnje fjale ne vllahisht. Kerkova ne internet te mesoja me shume per Dh. Nanopulos. Eshte e vertete se ai eshte nga me te cituarit e te vleresuarit ne bote ne fushen e tij,me mbi 800 shkrime,libra e studime si dhe anetar i akademise se shkencave te Greqise, anetar nderi i mjaft shoqatave te fizikanteve ne disa vende te botes. Sa per origjinen e tij ne nje nga referencat e nje shkrimi per te,ne gazeten greke “To Vima”te dates 11.4.2009 ai citohet te kete thene ne nje bashkebisedim me gazetaret: “Jo. Nuk jam nga Peloponesi. U linda dhe u rrita ne Athine,por jam vorioepirot.Vllah nga vorioepiri. Naka eshte mbiemri autentik i gjyshit tim para se te iknim nga Shqiperia”(Perkthimi im). Vllehet ne Shqiperine e Jugut kane qene blegtore shetites dhe jane ngulur ne fshatrat e Lunxherise ne vitet 50 kur filloi kolektivizimi. Gjyshi i fizikantit ,qe edhe ai quhej Dhimiter, ka vdekur ne 1916 dhe djali i tij ,Vajua, ka lindur po ne ate vit, kur as qe behej fjale per vllehe ne Selcke e ne gjithe Lunxherine. Gjithashtu nena e Vajos (gjyshja e shkencetarit) ka qene nga nje familje shqiptare nga  Krina e Lunxherise. Te shkoje atehere ne Greqi e te thoshje se jam shqiptar do ta kishe shume te veshtire . Dyert nuk do te hapeshin per ty. Te thoshje se se jam vllah ishe me i pranueshem per greket. Per te ardhur keq eshte se nderrimi i emrave e mohimi i kombesise vazhdon edhe sot kur Shqiperia s’eshte ne kushtet e 150 vjeteve me pare.

   Do te kthehem prape tek Selcka. Nuk mund te rri pa treguar se si e pashe ate per here te pare. Ishte fillim tetori i vitit 1976. Une dhe nje mesues tjeter,Kristo Zaho, nga Seloja e Dropullit te Siperm, nje dite te shtune u ndodhem tek i ashtuquajturi “Stacioni pyjor” aty ku mbaron Gryka e Selckes. “Stacioni pyjor” ishte nje ngrehine e vogel alpine e tera prej druri e me nje strehez ku mbroheshin udhetaret nga moti i keq. Ajo ngjante si  shtepite  ne malet e Zvicres. Aty kalonte rruga per ne Polican e Zagorie  e degezohej per ne Hllomo e Catiste.Ne kishim bere rreth 2.5 ore rruge nga Sopiku per te arritur aty me shprese se do te gjenim ndonje makine per ne Gjirokaster. Nga gjunjet e poshte ishim te lagur e te lodhur. Ishte nje dite e laget e me mjaft mjegull. Tek tuk degjohej ndonje fershellime bariu a lehje qeni  e vrulli i lumit,por jo zhurme makine. Rreth e rrotull male e heshtje. Pas disa oresh pritje vendosem t’i ngjiteshim se perpjetes per ne Polican. Aty kishte nje lokal e hotel te vogel. Por na buzeqeshi fati. Degjuam nje si zhurme makine e papritur nga mjegulla u shfaq nje xhips i vogel e ndaloi para nesh. Nje burre uli xhamin e tha: “Djema! Cilen rruge te marrim per ne Selcke? Te ngjitemi lart apo djathtas?.”Une u pergjigja: “As njeren e as tjetren. Selcken e keni lene prapa.” Pasi na pyeti se  ku do shkonim, na ftoi te hipnim ne makine e tyre e t’u tregonim rrugen per ne Polican ose ndonje fshat tjeter aty rrotull, por Selcken donin ta shikonin patjeter. Ai tha se me pas do te ktheheshin ne Gjirokaster. Ata ishin dy figura te shquara te kinematografise shqiptare; regjisori i shquar Viktor Gjika dhe kinoperatori i njohur Lionel Konomi si dhe shoferi , nje djale i ri e me mjaft humor.  Ne u kishim degjuar emrat, por nuk i njihnim. Ata na thane se do te realizonin nje film mbi romanin “Njeriu me top” te Dritero Agollit e kerkonin vende te pershtatshme per te bere xhirimet. Shkuam ne Polican, por nuk shfaqen ndonje interes te vecante. U kthyem per ne Selcke. U ngjitem se perpjetes e papritur mjegulla sikur u largua e Selcka u shfaq para nesh. Shoferi ndaloi tek fusha e vogel e futbollit me vetem nje porte. Shtyllat e saj ishin te shtrembera e trari i siperm i bere hark. Ai tha se do gjuante nje penallti dhe e leshoi makinen drejt portes,por ndaloi para saj duke thene: “Kam frike te shenoj gol se mos rrezoj shtyllen e siperme.” Te gjithe qeshem e zbritem nga makina. Viktori , pasi hodhi nje veshtrim te vemendshem rreth e rrotull tha: “Te zgjuar paskan qene keta selckjotet qe e kane fshehur e mbeshtetur fshatin kaq bukur ketu ne mal.” Ne u futem neper fshat. Mua me bene pershtypje  disa shtepi te medha me gure te gdhendur e portat me qemer, e  kopshtet rreth  qe ishin mbjelle e sistemuar me mjaft merak e me plot hardhi rrushi. Pashe manat e nje cercem te larte, muret e gurte te oborreve qe ishin te drejte e te mirembajtur.Vajta edhe te Kroi i Madh qe m’u duk nje veper e vogel e rralle ndertimi. Te gjithe fshatrat e Lunxherise kane pasur kroje te ketij lloji te ndertuar nga mjeshtrat vendas. Ngado qe shikoja malet i kisha perpara fytyres. Selcka me dukej si nje oaz malesh. Takuam nje fshatar te cilit Viktori e Lioneli i bene pyetje te shumta sidomos per nje shtepi te madhe nga ana perendimore e fshatit qe ishte disi e vecuar. Lioneli interesohej se nga lindte e perendonte dielli, cfare ngjyre mernin  ne nentor gjethet e pyllit ne shpatin e malit perballe si dhe si visheshin fshataret 50 vjet me pare dhe a mund gjenin fotografi me keto veshje etj. Atyre iu pelqeu Selcka e mendonin qe ate shtepine e vecuar ta benin shtepine e Mere Fizit, Nuk e di se  pse ai film nuk pati xhirime ne Selcke.

   Leximi i librit”Udhetim ne shpirtin lunxhiot” me clodhi e me kenaqi. Eshte shkruar kendshem e kuptueshem per cdo lexues.Mund ta lexoni e nuk do te thoni se ishte kohe e humbur.

  

 

Saturday, 9 September 2023

KOPSHTI ËSHTË SIMBOL I JETËS

"Më i bukur, më bëfasues, plot me poezi dhe simfoni, do të ishte qyteti ynë, nëse ata që kishin fatin e tij në dorë, do të dashuronin më shumë gjelbërimin, kopshtin , nëse ata do të mbartnin në shpirtin e tyre magjinë e natyrës, se sa çimenton dhe hekurin."

 

nga : Kristo KAURI

Sarandë 




Kristo KAURI
Sa herë që vizitojmë një kopsht të gjelbëruar,ose sic i themi hapesire e gjelbert, ndjesitë dhe emocionet e bukura na pushtojnë gjithë qënjen tonë. Këtu është vendi që njeriu ndjen krenari, madhështi, qetësi, gëzim..

Këtu natyren e këmi pranë, shumë pranë shtëpisë tonë. Ajo ka “zbritur” nga mali dhe ka ardhur në qytet, për t’i dhënë pak ngjyrë, shpresë dhe jetë çimentos ,asfaltit dhe hekurit . Kopshti, gjelbërimi ka një mission, që njeriu të mos humbas kurrë komunikimin me natyren. Këtu gjelbërimi, rregulli, druret, shkurret, lulet, bari, shatërvani dhe gjithë elementet e tjerë, nuk kënaqin vetëm sytë, por ato bashkëbisedojnë dhe me shpirtin.

 

Kopshti me të drejtë mund të themi, se përfaqëson më se miri simbolin e jetës. Eshtë mjedisi ku duhet të ruhen ekuilibrat, standartet midis drureve, shkurreve, luleve,veprave të artit, barit, hapësirave, për dritë, për hije, për lagështirë, për ngjyrë……

 

Kopshti kërkon kujdes të vazhdueshëm nga kopshtari, nga njerëzit, nga vizitoret, se ndryshe ai tjetërsohet, dëmtohet, shkatërrohet.

 

Në këto mjedise gjithmonë jeta dhe vdekja thurrin planet e tyre. Ai gjithmonë kërcënohet dhe duhet mbrojtur nga njerëzit e pandërgjegjëshëm, nga të babëziturit, nga çimentua, nga sëmundjet, nga thatësira , nga furtunat, nga nxëhtësia, nga të ftohtit, nga ndotja, nga zhurmat…

 

Kopshti është vendi qe njerëzit dhe sidomos fëmijët, mësojnë të duan jetën, rregullin, natyren, të duan bashkësinë, mjedisin. Duke luajtur në mjediset e gjelbëruara, fëmijët kaliten që të përballën me jetën, me kaosin urban, me çimenton, me mentalitetet, me të shëmtuaren, me ndotjen.

 

Këtu njeriu mbush shpirtin me ngjyra, mushkuritë me oksigjen, këtu njeriu pastron shpirtin nga mekatet,shkarkon stresin, merzitjen, enërgjinë negative, këtu njeriu lartohet dhe fillon dhe komunikon me Zotin.

Njeriu këtu prezantohet me ritmin e natyres, me forcën dhe vitalitetin e saj, me botën dhe magjinë e saj.

 

Drurët e lartë që ndodhën në kopsht, si cedri, pisha, blini, rrapi, frashëri, ilqia,..janë përfaqësuesit me dinjitoz të natyres. Ato qëndrojnë në këmbë, duke lartuar majat e tyre drejt hapësirës, dhe nga ana tjetër duke futur rrenjët e tyre thëllë në tokë.Vetëm këto qenie rriten në botë në dy drejtime. Ato luftojnë qe të mos gjunjëzohen, të mos rrëzohen. Janë krijuar nga Zoti si monumente madhështore , të gjalla të natyrës, që t’i japin formë përjetësisë.

Ato na e përcjellin bukur mesazhin : Ne luftojmë , ne sfidojmë çdo ditë, prandaj vazhdojmë të qëndrojmë në këmbë. Jeta për ta jetuar nuk është e lehtë. Sa më të mëdha dhimbjet, sfidat dhe vështirësitë, aq me i madh është gëzimi, admirimi dhe lumturia e jetës.

 

Me i bukur, me bëfasues, plot me poezi dhe simfoni, do të ishte qyteti ynë, nëse ata që kishin fatin e tij në dorë, do të dashuronin me shumë gjelbërimin, kopshtin , nëse ata do të mbartnin në shpirtin e tyre magjinë e natyres, se sa çimenton dhe hekurin .

 







Sunday, 3 September 2023

ARKITEKTURA E GJELBERT DHE ARTI I LULISHTARIT


nga: Dr. Selman MËZIU
Firence, itali
Hyrje

    Ndryshimet politike dhe ekonomike kanë sjellur një zhvillim urbanistik të qyteteve shqiptare, mbi të gjitha, Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Saranda, Shkodra dhe ndonjë tjetër. Kjo shtron  para arkitektëve të ndërtimit dhe peizazhist, projekte ndërtimi e gjelbërimi me koncepte të reja të teknologjive të ndërtimeve,  lëvizjeve, raporteve ndërtim e peizazhin e gjelbërt dhe veprimtaritë e tjera kulturore, sportive, para shkollimin e shkollimin dhe veprave industriale. Sejcila prej tyre duhet menduar e shikuar me një optike të re në stadin e sotëm dhe të nesërm të shoqërisë shqiptare dhe ngrohjes së klimës në gjithë lëmshin tokësor.  Do të përpiqemi të japim disa mendime, ide e këshillime mbi arkitekturën peizazhiste të gjelbërimit të qyteteve në përgjithësi që nga taracat, ballkonet,  lulishtet private, të institucioneve të ndryshme dhe të lulishteve të përbashkëta të qytetarëve.

   Projektimi detyrat që duhet të zgjidh.

     Firmoset kontrata e bashkëpunimi dhe projektimit. Pastaj fillohet rilevimi gjeodezik i sipërfaqes së lirë e objekteve egzistuese,  i rrugëzave, bordurave, kandeve që do të gjelbërohet, njollave të lulëzuara  me llojet drunore e shkurrore, bimë barishtore shumë vjeçare, livadheve, shkallëve, statujave, pishina, bimë uji-hauzi, kanalizimet për rrjetin elektrik e ujitës.  Punime të cilat përbëjnë fillimin e mbarë të punës, saktësinë e punimeve, përcaktimin e kostos së tyre, sasinë e materialeve të ndryshme.      

         Pas tyre hartohet projekti me të gjitha elementët e mësipërm, duke shtuar mobilimin e lulishtes, po qe e nevojshme rrethimin. Kjo fazë mjaft e rëndësishme kryhet duke u konsultuar me inxhiniera elektrik, hidraulik dhe me pronarin e lulishtes së shtëpisë, kullës, pallateve, vilave, shkollave apo të institucioneve të ndryshme.  Për të harmonizuar standartet teknike, shijet e gustot e llojeve për gjelbërim e mobilimn e lulishtes, llojeve, mënyrat e vendosjes me voltazhet e format e llampave elektrike, mënyrat e teknikat e ujitjes se livadheve, njollave e kandeve të gjelbëruara etj. Vihen në konkurrim ndërmarje dhe  specialistë përkatës të fushave të punimeve që do të kryhen.   

  Zbatimi  i projektit

     Më parë, ndërtohet pishina, rrugëzat, kanalet e kalimit të tubacioneve, dhe të ujrave, shatravanet, hauzet, shkallët etj.  Pasi mbarohen këto punime. Kryhet punimi i tokës me moto kultivator, ose punim me bel, mënyrë e cila varet nga sipërfaqja e përcaktuar në projekt për livadhe. Pas kësaj fillohet mbjellja e njollave të gjelbërta në kandet ose qoshet e livadheve, shtëpiave, pallateve etj.  Nuk mund të lemë pa trajtuar mbjelljen në skrapate, bordure anës rrugëve kryesore, mbulime muresh ose ndërtesash me përmasa të vogëla, hyrjen në vila, lagje, grupe pallatesh etj.

   Pasi përfundohen mbjelljet e shkurreve, drurëve, bimëve shumë  vjeçare, bimët arometike, shtrihen tubat me vrima kudo ku janë mbjellur drurët e shkurret zbukuruese. Nivelohet sipërfaqja e punuar më parë për livadh, vendosen bilbilat ujitëse në kandet, pastaj hidhet fara e llojit të barit që është parashikuar në projekt. Kemi edhe mënyrë tjetër për të krijuar livadhin e gjelbërt. Kjo realizohet me plisa të gatëshme me bar. E cila pasi të shtrihet, rrulohet e pastaj ujitet me ujë të bollshëm. Edhe në këtë mënyrë krijimi livadhesh, bilbilat ujitës vendosen para shtrimit të plisave te gatshme të barit.

     Në taraca e ballkone, sigurohen vazot e rrumbullakta ose katërkandëshe në formë arkash. Sasia e madhësia varet nga sipërfaqja e tyre dhe dakortësia që është arritur në mes pronarit dhe arkitektit peizazhist apo inxhnierit të pyjeve që mbulon këto punime.  Pastaj sigurohen copëra vazosh e argjila vullkanike, plehu i nevojshëm dhe materiali vegjetale.

   Fillohet nga puna duke vendosur vazot në pozicionet e caktuar sipas projektit.  Pastaj vendosen shkurret me madhësi e lloje të ndryshme për çdo vazo, shtypet dheu në të gjitha faqet dhe behet nje ujitje e bollshme. Mund të instalohet rrjeti ujitës me aparatin  komandimit ku programohet koha e sasia e ujit që është i mjaftueshëm për zhvillimin e shkurreve e barërave shumë vjeçaree cila varet nga stinët, zona klimatike etj. 

      Sherbimet kulturale

      Janë të domzdoshme për të mbajtur të gjalla e në zhvillim të vazhdueshëm materialin vegjetal, duke shfaqur të gjitha fazat fenologjike e dhuruar  bukuritë estetike sipas parashikimeve të arkitetkurës peizazhist, apo inxhinierit lulishtar projektues.

      Vazhdon ujitja në sasi sipas stinëve e kërkesave ekologjike të bimëve zbukuruese. Pleherimi me plehra kimike  kryhet një herë në vit, bimët zbukurese edhe dy here në vit rastet e zëvendësimeve. Prashitja me bel kryhet një here në vit, kryesisht në pranverë. Zëvendësimi i shkurreve e drurëve zbukurues të tharë, kryhet në  mujit nëntor, dhjetor ose herët në pranverë. Krasitja veprim, që siguron veprimtarinë biologjike normale, biomasë që siguron edhe funksonin zbukurues në raport me bimësinë tjetër të llojit të vetë ose të tjera me madhësi e kërkesa bioekologjike të përafërta. Teknika e kryerjes së saj kërkon përvoj të gjat, mjeshtëri, kualifikim, njohuri dentrologjike të llojeve shkurrore, bimëve një e shumë vjeçare, që janë përdorur në lulishte ose ballkone e taraca.              

     Trajtimet me perparate kimike

    Në kushtet klimatike që kanë ndryshuar në ngrohjen e saj, kanë sjellur  shfaqje më të dendura te sëmundjeve e dëmtuesëve të shumtë në stade ta ndryshme zhvillimi e fenologjike. Njohja, koha e përdorimit, njohja  e shkencave të mbrojtjes së bimëve, si, Fitopatologjia dhe Entomologjia  qe nga bakteriet e viruset e deri te insektet etj.

 Ka ardhur koha ta kthejm vështrimin në luftën biologjike të dëmtuesve, bakterial, gjallesave, kërpurdhave etj. duk i luftuar me ilaçe me prejardhje biologjike ose shumuar gjallesa që ushqehen me dëmtuesit biologjik.  Kështu zvogëlohet ndotja e natyrës dhe dëmtimet dytësore të gjallesave për qark apo në të njëjtin mjedis jetësor.

Njohuritë e arkitektit ose inxhinierit të gjelbërimit

  Të krijosh një lulishte sado të vogël në sipërfaqe; të gjelbërosh nje ballkon, taracë, rruge këmbësore ose automobilistike, autostradë duhet të njohesh mire ‘’gjuhën e peizazheve,, biologjinë, dentrologjinë ose ndryshe kërkesat ekologjike të materialit vegjetal dhe artin e kombinimit të tyre për të dhuruar në çdo stinë, lulëzim lulesh të ndryshime  dhe peizazhe spektakolare admiruese e kënaqësi ndjellëse.

   Lind vetëvetiu pyetja: Çfarë duhet të dije nje arkitekt dhe inxhinier pyjesh peisazhist për të projektuar e zbatuar një projekt lulishteje?

   Ai duhet të dijë sipërfaqen ku duhet krijuar lulishtia, kundrejtimet e saja, tipin e diellëzimit (i diellëzuar, gjysëm hijezim, hijezim i plotë), zona e bimësisë dhe e klimës, formacioni i tokës, dentrologjinë e drurëve, shkurreve, gjysëm shkurreve zbukuruese,  bimëve barishtore, shumë vjeçare e  stinore, bimëve të mishta, kultivimet e kujdesimet, shkurret kacavjerrëse, varëse, që jetojn në uji, bimët zbukuruese gjithmonë të gjelbërta, të gjitha këto sipas zonave klimatike e bimore. Në projektim e zbatim duhet të respektoi karakteristikat natyrale e kulturale të krahinës ose qytetit, stilin e projektimit e realizimit të lulishtes, anglze, italiane klasike dhe  ku është vendosur në terrene të sheshta, shpate, skrapata, në shkëmbinj apo pranë pyjeve që vegjetojn, duke i respektuar  drurët e tij qoftë në grupe ose të vetëmuara.

    Diçka më shumë që duhet të ketë një arkitekt apo inxhinire lulishtar, janë:  duhet të jetë një artist kureshtar e dashurues i nanës natyrë; duhet të jetë me kapacitet të lart, për të kryer projkete të ndryshme e të planifikoi sa me saktësisht.  Gjithashtu  i aftë të kthej një sipërfaqe të pa jetë në një sipërfaqe funksionale, peizazhe kënaqësi ndjellëse, funksonuese e me karakteristika të veçanta mrekulluese, ndjellës kënaqësie, çlodhëse, ngjallje kureshtje.

   Gjelbërimi në vendin tone çelës i ndryshkur

 Mushkëritë e gjelbërta të qyteteve shqiptare, kanë pësuar një paksim të konsiderueshëm të sipërfaqeve pigment gjelbërt, pas viteve 1990 nga ndërrimi i sistemeve  politiko-ekonomike, për rrjedhoi mungesa mos zbatimit të ligjeve dhe dobësimi i shtetit.

  Dhe ja si e gjykon këtë situat inxhinieri paizazhist autor i disa librave Vasil Jani:’’…vitet e tranzicionit demokratik të mbas 1990, u shoqëruan me një valë shkatërrimesh në mjedisin tonë urban, sidomos të sipërfaqeve të gjelbërimit publik, parqeve, lulishteve e gjelbërimit rrugor, vendin e të cilave e zunë ndërtimet e pa ligjshem, kjoskat, por edhe ato të ligjshme me pallate shumë katëshe e të dendura si pasojë e mungës së zgjidhjeve urbane koherente dhe korrupsionit të administratës pushtetare, të cilat përkqësuan edhe më shuma kushtet e banimit, pushimit, çlodhjes e argëtimit të popullit në mjedisin urba dhe në sipërfaqet e lira të gjelbërimit publik të qyteteve,, (1)

   Të marrim në shqyrtim të dhënat statistikorembi gjelbërimin në vite të kryeqytetit shqiptar. Lexojmë: ‘’Duke kërkuar të dhënat e viteve 1996-1997 ku kryeqyteti trashëgonte një pasuri të madhe të blertë….rezulton, për çdo banor plotësohej një normativa kampion deri në 11m² për njeri.,, (2) Sipas literaturës botërore të lulishtarisë norma është 9 m² për çdo banor. Fatkeqësisht nuk kemi gjetur të dhëna të tilla, për më pas dhe vitin 2020 as në ISTAT dhe burime të tjera jo vetëm për kryeqytetin, por aspak për qytetet e tjera.

      Për të kuptuar sa më mirë dhe bindur lexuesin e thjeshtë dhe specilistët e fushës se  drejt cilave  shifra duhet të synoi gjelbërimi i qyteteve shqiptare po japim disa shifra, për disa qytete italiane në metra katëror për banor.  Dhe ja ato që kanë mbi 30 m² për banor : Nga qyteti i Materas me 992,3 m² deri te Regjio Kalabria me 104 m², dhe nga Novara me 73.3 m² e deri te Kajlari me 56. 4 m². (3)

  Ta hedhim një vështrim krahasues të disa qyteteve të francës për vitin 2017 mbi mushkëritë e gjelbërta të disa qyteteve për metër katëror për një banor dhe ja disa prej tyre:  Anxher 86 m²,  Nates 82 m², Strasburg 77 m², Kaen 73 m², Reims 69 m². (4) Paris  16 m²,   Lyon 38 m²,    Nice 14 m²   për vitin 2017. (5)

Po të shikojm në Francë, sipërfaqen mesatare të gjelbërt e kemi 48 m² dhe çdo banor shpenzon 46,5 euro për gjelbërimin. Ndërsa tani të shikojm sipërfaqet për banor më pak se dhjetë metër katëror në Itali. Lexojm: Taranto 3,1 m², Olbia 5,9 m², Genova 6,3 m²,  Barleta 6,7 m², Savona e Akuila 7,3 m², Sirakuza 7,6 m², Bari 7,9  m²,  Foggia 8,4 m²,  dhe Leçe 8,5 m². Megjithëse ne jemi në mjegullnajën e statistikave të qyteteve shqiptare ato vërtiten në shifrat më pak të gjelbëruara që ka Italia.  Meqënse ne kemi një shifër të vjetërueme po paraqesim disa shifra të disa kryeqyteteve të botës: Roma(Roma) 166 m²,  Praga (Rep. Çeka) 220 m², Sydnei  (Australi) 235 m², Goteborg (Suedia) 314 m², Bratislava (Sllovakia) 333 m², Aucklan (Zelanë e re) 357 m², Reykjavik (Islanada) 410, 84 m², (3) kryeqyteti me sipërfaqe më të gjelbëruar në botë. Kuptohet qartë se sa i varfër është me gjelbërim kryeqyteti shqiptar Tirana, kjo kuptohet nga pangopësia e ndërtimeve në Tiranë, pa një plan rregullues të kohës.

*       *

    *

          Prirja e përgjithëshme e mushkërive të gjelbërta të qyteteve shqiptare duhet të drejtohet drejt shtimit progresiv të sipërfaqeve të gjelbërta, mbi të gjitha me parqe shumë përmasëshe, me lloje të shumta të drurëve e shkurreve zbukuruese dhe lulishte të formës angleze, me livadhe të gjelbërta dhe në kande me gjelbërim shkurresh e bimëve shumë vjeçare zbukuruese. Kjo  mënyrë duhet ti shtyjë arkitektët peizazhist dhe inxhinierët lulishtar të kualifikohen pa rreshtur e të ndjekin zhvillimet prendimore të lulishtarisë në të gjitha format e tyre që nga ballkonet, taracat, lulishtet e  deri te parqet.

Burimet e shfrytëzuara

1-Inxh. Vasil Jani, ‘’Lule për shtëpi kopshte e vila.,,  f.5.  Tiranë 2005 

2-Tomson Nishani ‘’Njerëzit e mirë të luleve,, f.362. Bot. Ngjyrat e Kohës Tiranë 2007

3-https://www.istat.it/it/files//2016/05/VERDE-URBANO.pdf

4-http://www.observatoirevillesvertes.fr/wp-content/uploads/2017/04/infographie-A4-Palmar%C3%A8s-des-villes-vertes-2017.pd

Më 02.01. 2022                                              Dr. Selman Meziu