Saturday, 1 March 2025

LETËR HIGJIENIKE

Tregim

nga : Sami MILLOSHI

Boston, SHBA


Sami MILLOSHI
Është e fundit ditë e muajit Shkurt. Rri e mendoj për pak shpresë. Të hyj në pranverë dhe të shijoj ngjyrat që harbojnë nga plasat e dheut dhe nga sythet e pemëve. 

Aty këtu kanë mbetur larat e borës, një cipë e tejkqyrshme akulli mbi barin e lodhur prej dimrit të egër. 

Një vajzë e bukur si perrì, më ndal në hollin e bibliotekës dhe më jep një poster.

Posteri është një ftesë se si të bllokojmë ekonominë e Amerikës për një ditë. Duket magjike. 


Sipas bukuroshes ne nuk duhet të blejmë asgjë sot. T'ia thyejmë turinjtë korporatave. T'u themi atyre se ne njerëzit e zakonshëm e kemi fuqinë. T'i detyrojmë të gjunjëzohen...

Ve buzën në gaz. 

-Zonjushë- i them- do të isha bashkuar në protestën tënde ndaj korporatave. Por, e kam të pamundur. Më është mbaruar letra higjienike në shtëpi dhe më duhet të shkoj ta blej te Walmart. Nëse nuk e blej, më thuaj ti si mund ta fshij unë prapanicën time në nevojtore?!

Zonjusha hesht si fije bari. Nuk thotë asnjë fjalë. Habitet ndoshta nga përgjigja ime. 

- Pse nuk më përgjigjesh? - i them.

- Nuk dij ç' të them- thotë ajo me buzën në gaz.

- E po, thuaj, të paktën se, gjysmën e rrotullës së letrës tënde higjienike do ta ndash me mua. Apo, ti e lan me ujë qe buron nga bideja japoneze dhe nuk përdor letër fare?


Ajo shkrihet gazit...

Më vjen mirë që pas fjalëve të mia, fytyra e saj mori pak dritë. Por, thellë thellë unë e besoj se ajo i ka dorëzuar duart e njoma të saj në prangat e dëshpërimit. Ajo as nuk e di se kush i farkëton ato pranga për ta bërë skllave të kësaj dite. Ajo as e di se çfar bën e as do t'ia dijë se si funksionon kjo Botë ku dikush e përdor atë vetë si letër higjienike...

Bukuroshja ikën në punë të saj. Dhe unë, në sy të saj e bëj copë copë posterin që më dha dhe e hedh në një kosh të riciklimit të letrës. 

I hipi makinës të shkoj në Walmart të blej atë letrën higjienike që më nevojitet. Lavdi Zotit, që më bëri njeri të zakonshëm të kujdesem, qoftë edhe vetëm për prapanicën time. 

Ca të tjerëve, u la një detyrë shumë më të rëndë se e imja: të pushojnë luftën dhe të mbjellin paqen...

_____

No comments:

Post a Comment