Friday, 23 October 2020

NË KOPSHTIN E SHTËPISË SË BARDHË


nga Fiqri SHAHINLLARI

Gazetar & Shkrimtar

Washington DC  

(Miku im gramshiot Vait Ceci pasi u njoh me një foton time me djalin tim në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë më kërkon të dijë diçka  më shumë për Kopshtin në fjalë. Po ja plotësoj dëshirën.)

Fiqri SHAHINLLARI
Mё nё fund, u futёm brenda Kopshtit tё Shtёpisё sё Bardhё. Tё duket e çuditёshme, se si vetёm pas disa hapave, ti kalon nga monotonia, “rrёmuja e rrёmeti naimjan” i jetёs dhe punёs sё qytetit dhe hyn nё njё mjedis tjetёr rural, impresionues, çlodhёs e relaksues. Ke lёnё pas ushёtimёn karakteristike tё vargut tё makinave, nёpёr bulevardet e shumta tё Washington DC-se dhe ja, veten e gjen nё njё mjedis tjetёr. Kёtu syri kёnaqet me bardhёsinё e Shtёpisё sё Bardhё e me gjelbёrimin vjeshtor tё Kopshtit tё famshёm tё kёsaj Shtёpie tё famёshme. Veshёt kapin cicёrimёn e zogjëve, zukatjen e bletёve, fёshfёrimёn e gjetheve, gurgullimin e ujit tё shatёrvanit. Hunda ndjen aromёn e luleve dhe trupi flladin e Kopshtit.

Kёtё ndjesi e kanё tё gjithё vizitorёt. Fundjava në kryeqytetin amerikan, Washington DC, është e “ngarkuar” me turistë të shumtë nga Amerika, po edhe  vënde të tjerë të mbarë botës. Monumenti i Xhorxh Washingtonit dhe ata të Presidentëve të tjerë, muzetë e shumtë, që nga ai i Aeronautikës, Arteve, Holokaustit e të tjerë, deri te memorialet, lulishtet, kopshtet (botanik e zoologjik), statujat, përmendoret, Capitol Hill-i, ministritё, lumi Potomak, qershitë e dhuruara nga japonezet etj., janë fokusi i vëmëndjes dhe syrit të turistëve. Kryeqyteti amerikan është qytet modern. Ai nuk ka gradaciela si në New York, Çikago ose gjetkë nё qendёr tё qyteteve. Thuhet se me ligj nuk lejohen ndёrtesa të larta, që dalin mbi lartësinë e Capitol Hillit, ndërtesёs sё Kongresit. Turistin e tërheqin objektet, që sapo përmendëm dhe vende e obekte të tjerë. Por, mbi të gjitha, vizitori i Washington DC-së nuk mund te largohet pa parë Shtëpinë e Bardhë dhe Kopshtin e saj.

Nga e djathta: Fiqiriu, djali Andi e Nadina Shahinllari

 

E  kam parë disa herë, nga jashtё, këtë ndërtesë, ku jeton e punon Presidenti Amerikan. E kisha parë edhe nga dritaret e  kateve 12-të e 13-të, të zyrave të një kompanie ligjore, ku punon djali im. Këtë  radhë, nga sipër, por nga brënda jo e jo, as në kopshtin e saj nuk kisha hyrë ndonjëherë. Djali im dhe bashkëshortja e tij amerikane i kanë vizituar mjediset e brendëshme të kësaj Shtëpie të famëshme. Atje kanë takuar edhe Presidentin Barak Obama, në një pritje organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Nё pamundёsi pёr t’u futur brenda Shtёpise, kisha dëshirë, tё paktёn, të vizitoja Kopshtin e saj. Dëshira, në një farë mënyre, është lutje, e cila dëshirё-lutje u shndërrua në fat, qё më çoi edhe mua të vizitoja një të dielë Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.


Nusja e djalit kishte siguruar katër bileta (Ticket honored) për orën 11:00 a.m. Biletat kishin në kopertinë skicën e gjetheve të lisit a të panjës, simbolin e gjetheve, që bien në vjeshë. Skicimin e gjetheve e vëren edhe nëpër rrugët e qytetit, afër supermarketeve e kudo gjetkë nëpër pllakate. E përmënda orën, sepse vizitorët ishin aq të shumtë sa ishte e pamundur te dyndeshin të gjithë, në të njëjtën orë. Vargu i turistëve të orës 11-të ishte aq i madh, sa të kujtonte vargun pambarim të ushtarëve në marshimet e gjata stërvitore. Një varg tjetër, po kaq i gjatë, ishte i orës 10:30 a.m., një tjetër i orës 11:30 a.m e, më tej se, me siguri, do të vinin vizitorë të tjerë mё vonë. Punonjësit(et) e shërbimit dhe policët ishin të shqetësuar për të mbajtur rregullin. Tabelat, qё ata mbanin në dorё, tregonin se ku duhej të kalonin vizitorët e orëve përkatëse. Unë, me bashkëshorten dhe djali, me nusen e vet u orientuam nga tabelat  e orës 11-të.


  Siç shkrova në fillim tё kёtyre rrjeshtave, ne jemi tashmё nё brendёsi tё Kopshtit. Hedh syte në vijë të drejtë: zbardhë Shtëpia e Bardhë. Hedh sytё për rreth e poshtё. Jeshilon gjelbёrimi dhe, aty kёtu ndonjё gjethe e porsarёnё, ka ngjyrё tё qelibartё. Historitё e Shtёpisё sё Bardhё dhe kёtij Kopshti tё blertё mpleksen, si gёrshetё e thurur bukur, qё flet shumё. Ajo tregon se “rrugёt” e Shtёpise Presidenciale dhe tё Kopshtit janё tё lidhura me Presidentёt amerikanё dhe me Zonjat e para tё tyre,  por edhe me popullin amerikan.


Po sjell disa fakte.  Këtë vend, ku është kjo Shtëpi, e ka caktuar Presidenti i parë i Amerikës, Xhorxh Washingtoni, në vitin 1791. Ajo filloi tё ndёrtohet nё vitin 1792, por Washingtoni nuk e gёzoi dot, pasi ndёrtimi i saj pёrfundoi më 1800, në muajin nëntor. Rezidenti i parё i kёsaj Shtёpie, ende tё pamobiluar, ishte Presidenti  dytё i Amerikёs, John Adams, me gjith familjen e tij. Ai dëshironte të kishte një Kopesht rreth Shtepisë, por nuk e realizoi deshiren, pasi aty qendroi vetem kater muaj, sepse u mund nga Presidenti Tomas Xheferson, në zgjedhjet elektorale. Pra, dёshira e Adamsit u trupёzua nga Presidenti Tomas Xheferson, i cili mbolli pemё dhe krijoi rrugё midis shkurreve. Po Shtёpia, çfarё “rrugё” bёnte, ndёrkohё? Ushtarët anglezë i vunë flakën asaj. mё 1812! Muret e saj u shkrumbuan dhe u nxinё nga tymi. Por, më tej, u rindёrtua. U ruajt arkitektura. Muret u ngjyen me bojё tё bardhё. Dhe ja, ku kemi pagёzimin e shtёpisё sё Presidentit Amrikan, me emrin “Shtёpia e Bardhё”, qё u ligjësua zyrtarisht nga Kongresi Amerikan, mё 1902.

Kujtim i paharruar, para Shtëpisë së Bardhë (në mes, nusja e Andit)

 

Pёrmёndёm mё sipёr se Shtёpia dhe Kopshti kanё tё gёrshetuar historinё, ku edhe populli ka pjesёn e vet. Kolegja ime, Albana Lifschin, nё librin e saj "Udhёtim nё Historinё Amerikane” pёrmend diku se, pasi kishin kaluar 100 vjet nga ndërtimi, Shtëpia e Bardhё ishte vjetёruar. Ç’duhej bërë? Kjo pyetje filloi tё qarkullojë, në vitin 1948. Të riparohej Shtëpia apo të shëmbej e, në vend te saj, të ndërtohej një rezidencë e re? Filluan letrat nga populli amerikan. Emëruesi i përbashkët ishte: ”Shtëpia e Bardhë” ishte Shtëpia e Bardhë dhe kështu duhej të mbetej. Vullneti i popullit fitoi. Shtëpia u përforcua, por ajo mbeti ashtu siç kishte porositur  Xhorxh Washingtoni: “Një vend me simptomat e pallatit, konfortin e një shtëpie dhe simbol i harmonisë së vendit”.


Por, le të kthehemi atje, ku e lamë. Në vitin 1825, John Quincy Adams krijoi kopshtin e parë te luleve, në Juglindje të Shtëpisë Presidenciale. Me 1827, ai shkruante: "Kemi mbjellë, të paktën, njëmijë pemë, shkurre, perime, bimë medicinale e lule shtepiake...". Më 1835, Andrew Jackson mbolli qitro, trëndafila e sidomos magniolan, që u quajt:"Magnolia Xhekson". Kopshti i Agrumeve u prish më 1857, sepse në atë vend u ndërtua Departamenti i Thesarit. Midis viteve 1878 dhe 1880 u mbollën mjaft pemë, nga Rutherford B. Hayes, i cili filloi mbjelljen e pemëve përkujtimore, nga ku nisi tradita, që vazhdon edhe sot.


 Nё broshurёn, qё kam nё dorё: “The White House-Fall Garden Tours” lexoj se ka qёnё Zonja e parё, Patricia Nixon ,ajo qё ka hapur pёr herё tё parë turet sezonale tё Kopshtit tё Shtёpisё sё Bardhё. Aty, populli amerikan dhe turistёt e huaj nga mbarё bota, shijojnё bukuritё e kёtij mjedisi. Ka qёnё viti 1972 dhe qё atёhere tradita vazhdon. Kёnaqen sidomos fёmijёt, veçanrisht nё festёn e Pashkёve, kur vijnё me dhjetëra mijra fёmijё, tё cilёt gëzohen duke thyer vezёt e ngjyrosura.


  Dukej se unë kisha"humbur” në mendime. Më solli në realitet zëri i djalit, Andit, i cili më ftoi për të fiksuar një çast në aparatin fotografik. Shkova afër një lëndine të blertë për të pozuar. Mund të kisha devijuar ndonjë gjysëm këmbe nga asfalti i rrugës, gjysma tjetër, nga thembrat e kёpucëve, kishte shkelur në gjelbërim, kur dëgjoj policin: “Kujdes, po shkel gjelbërimin!”. Nuk e di se si e qysh, por në mjedise të tillë kjo pakujdesi, që në Shqipëri të bën të vesh buzën në gaz në shënjë qesëndisjeje, këtu ky gjest të bën të skuqesh. Ëshë mjedisi, që të detyron kulturën qytetare. Është kjo arsyeja që unë, i mësuar të kaloja nëpër rrugët e Tiranës plot me letra e papastertira, pa u qederosur fare, këtu në Uashington, më vret sytë edhe një copë letër, e ndodhur aty nga pakujdesia e ndonjë kalimtari. Dhe unë, nga që pamje të tilla janë shumë të rralla e që bëjnë kontrast me të përgjithëshmen, e marr atë dhe e hedh në koshin më të afërm të plehrave.

Pamje e bukur, në Oborrin e Shtëpisë së Bardhë, që nuk do koment…

 

Duke kaluar ngadalë nëpër Kopësht, të bien nё sy, veç gjelbërimit karakteristik tё barit nё lёndinё, si të fushës së futbollit, edhe pemët zbukuruese, me madhësi të ndryshme, sipas kohës së mbjelljes. Traditёn e punёs nё Kopёsht tё presidentit Xheferson e ndoqi edhe John Quincy Adams, mё 1820. Aingrihej herёt nё mёngjes dhe mbillte bimё. Kёshtu edhe pasardhёsi i tij, Andrew Jackson shtoi nё kopёsht qitrot dhe magniolian,  qё lulёzon çdo qershor. Zonja Obama sot e quan magniolёn “bimё magjike”.


Nё pjesёn veriore tё Kopshtit, Linkolni mbante fjalime. Franklin Ruzvelti e zgjeroi Kopshtin dhe e konfiguroi me synimin pёr tё parё qё andej Monumentin e Washingtonit. Ajzenhaueri ishte i pari president, qё nё vitin 1957 pёrdori helikopterin, nё  lёndinёn e Kopshtit.


  Afër trungut të njё druri shikoj një foto tё vendosur në kornizë, për ta mbrojtur nga shiu e bora. Eshtё e presidentit Bush, në çastin e mbjelljes, ku shënohet edhe data e saj. Fotot janë të ndryshme. Në njërën shikon vetëm presidentin, në një tjetër presidentin me gjith Zonjën e parë, diku vetëm zonjën e parë. Duke filluar qё nga viti 1870, shumica e Presidentёve kanё mbjellё pemё pёrkujtimore. Kёto pemё tё llojeve tё ndryshme pёrfaqёsojnё rrjedhёn historike, kohёn e qeverive tё tyre. Kopshtet krijohen, rriten e përshtaten, ashtu si edhe qeveritё, qё Presidentet pёrfaqёsojnё. Them “kopshtet” dhe jo kopshti, sepse gjatё shёtitjes pashё brёnda kopshtit tё madh edhe “Kopshtin e Trёndafilave”, “Kopshtin e Fёmijёve”, “Kopshtin e Guzhinёs”. Secili nga kёta kopshte ka krijuesen e tij, qё ёshtё njё nga Zonjat e Para. Historia e Kopshtit tё Trёndafilave m’u duk interesante. Mё 1857 nё kёtё mjedis u ndёrtua njё serё me xham, ku rriteshin bimё tё ndryshme. Jeta e saj vazhdoi deri në vitin 1902, kur sera u prish, pasi Teodor Rusvelti e ripërtëriu Shtёpinё e Bardhё. E shoqja e tij, Edit Rusvelt mbolli Kopshtin Kolonial. Pas gati dhjetё vjetёve, Zonja e Parё,  Uillson, kopshtin Kolonial e zёvёndёsoi me Kopshtin e Trёndafilave dhe krijoi Kopshtin e Lindjes. Nё vitin 1961, Zonja e Parё Xheki Kenedi e konfiguroi Kopshtin e Trёndafilave tё pёrshtatshëm pёr takimet presidenciale dhe ia kaloi menaxhimin e kopshtit Shёrbimit Kombёtar tё Parqeve. Pasardhёsja e saj, Zonja Bird Xhonson e konfiguroi Kopshtin e Lindjes dhe i vuri emrin e paraardhёses sё saj, “Xheki (Jacqueline) Kenedi”. Por Zonja Xhonson krijoi edhe “Kopshtin e Fёmijёve”, me 1969 dhe Fushёn e Tenisit. Aty pranё ndodhet edhe fusha e basketbollit, ku Presidenti Obama, herё pas here, luan nё kohёn e lirё. Siç treguam mё sipёr, turet e Kopshtit u hapёn nga zonja Nikson, mё 1972. Gjatё presidencёs sё Xherald Fordit u krijuan Pishinat, jashtё Shtёpisё sё Bardhё.


  Ishim duke ecur. Turistët, të përfshirë nga kërshëria, afroheshin në çdo objekt dhe nuk dёgjoje gjë tjetër, veç fjalëve:“Please, one picture!”-Tё lutem ma shkrep pak aparatin fotografik! Turma e larmishme, e ngjeshur e vizitoreve ecte me kujdes për t’u hapur rrugё, sё pari, prindёrve qё kishin ardhur me fëmijët e tyre edhe me karroca fёmijёsh. Ata qёndronin mё gjatë në vendet ku loznin fëmijët dhe nipërit e mbesat e çiftit presidencial. Edhe unё, si gjysh i thekur që jam, qëndrova më gjatë para disa pllakave të mermerta e të shndritëshme, ku ishin fiksuar gjurmët e këmbëve dhe të duarve të fëmijëve ose nipërve të dy prej presidentëve. Nuk më kujtohet për një çast, se cilët ishin ata  dy presidente, që ishin kujdesur të linin në kujtesën e Kopshtit gjurmët e putrave të këmbëve dhe të duarëve, me gjith gishtrinj të fëmijës ose nipit të tyre. M’u duk gjë e mrekullueshme. Nuk e di pse ndjeva një kënaqësi të veçantë, tё cilёn e përcolla me mendimin brënda vetes: "Presidentët, para se të jenë shtetarë të fortë, së pari, janë familjarë të zellshëm e shëmbullorë. Ata e dinë mirë, besoj, se brezi i ri, fëmijët kanë nevojë më shumë për modele sjelljeje, se sa për kritika e fjalë pa fund.


  Sytë e mij ishin të pangopur për të parë çdo gjë, në Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë. Ja tek është pak më tutje  shatërvani, piklat e ujit të të cilit luajnë me rrezet e diellit dhe formojnë ylbere të vegjël, në atë mjedis relaksues e çlodhësh. Sapo lamë “besedkën”, siç do t’i thoshin korçarёt, vëndit me stola të veçantë ku kanë qëndruar Çërçilli, kryeministri i Anglisë, me presidentin Rusvellt. Pranë stolave të mirëmbajtur qëndron fotografia e kohës, si dëshmi e këtij takimi.


Më pas, më tërhoqi vëmëndjen një grumbull i madh kureshtarësh të cilët po shikonin me kërshëri diçka. Disa prindër ngrinin lart fëmijët e tyre, për të parë më qartë. U afruam. U habita me çudinë e kureshtarëve. Ata po u tregonin të vegjëlve të tyre kopshtin me perime, ku rriteshin domate, speca, patlixhane, lakra, patate të ёmbla. Këto ishin prodhime organike, të patrajtuara me plehra kimike e pesticide. Ndodheshim nё Kopshtin e Guzhinёs, i krijuar nga Zonja Michelle Obama, nё mars tё vitit 2009. Fëmijët ishin kureshtarë. Ata shikonin për herë të parë “live”, jo përmes televizionit, domate, speca, kastraveca, patlixhane, ashtu në degë, në fushë. M’u kujtua mbesa ime, Eliza pesëvjeçare, e cila një javë më parë, në Kopshtin Zoologjik gjigand të Uashingtonit, krahas egërsirave, pa edhe  lopë, kuaj, dele e dhi. I shpjegova se në ata gjinj të lopës, dhisë e deles prodhohet qumështi, që ajo e pi çdo mëngjes. U kënaq, kur me një krez krihte dhinë e urtë.


Po vinte koha e largimit nga Kopshti. Midis degëve të drurëve dekorativë më tërhoqi vemendjewn nje objekt si kuti e bardhë. Dukej sikur ishte aparat, nga ata që matin agjentët atmosferikë: shpejtësinë e erës, sasinë e shiut, temperaturen. Pyeta djalin, Andin. Mora përgjigje se ajo "kuti” e bardhë ishte zgjua bletësh. U afruam. Gumëzhima karakteristike e bletëve ma vërtetoi sqarimin e djalit. Kërshëria të shtyn për të mësuar më shumë për atë, që ti interesohesh. Mёsova se ai zgjua bletёsh ishte aty pёr dy qёllime:


      -Bletёt ndihmojnё nё polenizimin(fekondimin) e luleve tё bimёve perimore të Kopshtit tё Guzhinёs. Ishte vёnё re se vitin e parё bimёt prodhuan shumё pak. U gjet shkaku. Mungesa e polenizimit. E sollёn zgjoin e bletëve aty pranё. Vitin e dyte prodhimi i perimeve u shtua. U shtua dhe prodhimi i mjaltit, sepse bletёt kishin kullotë mё tё mirё nё lulet e bimёve perimore.


      -Mjaltin e atij zgjoi familja presidenciale e pёrdor pёr tё gostitur miqtё dhe si komponent pёrbёrёs i njё lloj birre, qё prodhohet nё Shtёpinё e Bardhё, tё cilёn Presidenti Obama e pёlqen…


FIQRI SHAHINLLARI

Vashington DC, tetor 2012

 





Sunday, 4 October 2020

DËRRASAXHIU I DUNAVATIT

nga: Zija BASHA

Historian  & Publicist

Çikago, SHBA


Zija BASHA

Qyteti i gurtë”, siç quhet Gjirokastra, nga larg, nga afër edhe brenda saj, të befason sa thua me vehte: “Si është ndërtuar gjithë ky qytet, gurë-gurë dhe perla e saj, kalaja legjendë?! Ku është gjetur gjithë ky gurë me të cilin janë krijuar nga duar mjeshtrish këto ndërtesa, njëra më e bukur se tjetra”?! Po. Ky qytet i bukur u ndërtua ndër vite dhe shekuj me gurë të nxjerrë nga thrllësite e tokës ku flinin miliona vjet të kohërave gjeologjike nga të tjerë mjeshtër që ua prishën ‘rehatinë’, i coptuan duke i shndërruar në dërrasa, kapakë e gurë muri e kalldrëmi. Ata qenë mjeshtrit e mademeve (guroreve). Kam parë si bëhej muri me llaç e pa llaç kur isha i vogël në fshatin tim si usta Dhoskën, Skënder Kallfën, Peçi Koçollarin, Simi Llukanin, korçarin Thanas Gjokën e të tjerë gjirokastritë, Kiço Zhdavon, Kristo Qiriakon, Pilo Rajdhon, Priftin duar artë Papa Mihalin e Dakove të gjithë nga Derviciani, po në këtë shkrim do të rrëfej për mjeshtrin e nxjerrjes së gurit, gjirokastritin Lezo Makriu.

Në qershorin e vitit të largët 1957, në shtëpinë tonë në Kollorcë, një mëngjez erdhën dy burra trupmëdhenj e të bëshëm gjirokastritë. Kishin këmisha të bardha, xhamadanë të zinj shajaku, pantallona të zeza kilota shajaku me feste të bardha në kokë. Ishin Lezo Makriu e Halil Llaziku, mjeshtra të nxjerrjes së gurëve, dërrasave e kapakëve. I kishte porositur babai se duheshin për të mbuluar një shtëpi të re. Sollën veglat e punës, pyka hekuri lloje-lloje, vare e 2 lloza. Si u bëmë pritjet e rastit me babanë shkuan në përruan e Bezos. Me kërshërinë e një fëmije, si do të krijonin mjeshtrat mademin, shkova edhe unë pas tyre. Ata kundruan vendin e pikasën rradhojtë për t’i levizur. Filluan punën me pastrimin e vendit. Unë do të kujdesesha për ushqimin, ujët e ftohtë nga burimi i Spilos e çdo nevojë që kishin. Atë ditë mademxhinjtë përgatitën plotësisht guroren për të nesërmen dhe si hëngrën drekën shkuan në mbasdite në qytet.

Të nesërmen erdhi vetëm xha Lezua se xha Halili ato ditë martonte djalin. Si hëngri mëngjezin shkuam të dy në gurore. Une mezi prisja të shikoja si nxirrej guri, dërrasa e kapaku. Xha Lezua veshi një palë pantallona të gjera ushtarake të zbardhura e mbajti vetëm kantieren prej leshi që i pinte djersët dhe filloi punën. Vrojtoi me kujdes shkëmbin dhe vendosi sfynat (pykat prej balestre të hollë makinash) dhe i goditi lehtë me varrenë e vogël. Shkëmbi mbi një pëllëmbë i trashë lëvizi i tëri. Mori dy cfyna të trasha mr majë dhe i goditi me varenë e madhe. Shkëmbi u ngrit lart mbi 5 cm dhe ja bëri ‘krek’…

- Ku i ke bërë këto cfyna, mo xha Lezo?!, – i thashë.

- Këto mi përgatit kovaç Qatua. Ai është mjeshtri më i mirë që ka Gjirokastra në pjekjen e hekurit. Ka mësuar në Selanik të Greqisë me një derviciot, Mitro Kserën. Dy mjeshtra hekuri ka Gjirokastra e tre nuk bëhen.

Pastaj Xha Lezua i futi llozin shkëmbit të zi dhe e ngriti edhe 5cm më lart dhe i futi poshtë një gur që kishte prane. Mblodhi në përrua gurë të rrumbullaktë dhe i futi shkëmbit në vende të ndryshme.

- Përse i hodhë këto popla?!-e pyeta.

- Këto do të shërbejnë si rrotka.-më tha mjeshtri.

Nga ana tjetër e shkëmbit ku ia bëri ‘krek”… futi majën e qysqisë (llozit) dhe shkëmbi lëvizi me lehtësi si mbi kushineta drejt rrëpirës në buzët e përroit. Ai shkëmb, mbase 4-5 metra katrore rrëshqiti ‘vëzhd’ e qëndroi pjerrtas në faqen e përroit. Me varenë e vogël pastroi faqen e shkëmbit dhe u dalluan shtresa e gurit poshtë, dy shtresat e kapakëve, dy shtresat e dërrasave sipër. Me presën e varesë dë madhe goditi në disa vende vijen e shtresës së gurit e cila u hap pak dhe futi një pykë të hollë balestër duke e rrahur me varenë e vogël e shtresa e gurit u nda nga shtresat e tjera. Shtresat e kapakëve e dërrasave i hapi me lehtësi me varenë e vogël e një çekan të rëndë e i bëri fleta -fleta e me mjeshtëri i godiste në anën e ngushtë. Kapakët i bënte katrore, dërrasat si i donte ustai i çative dhe i vendosi veç e veç. Gurin e theu me kujdes në formë trekëndëshi duke i rënë në faqen e ngushtë sepse muratori e lidh më mirë murin dhe nxjerr me lehtësi qoshet e ‘kyçet’ e dyerve e dritareve.

Xha Lezua punonte duke goditur saktë aty ku do të priste gurin dhe ruante materialin që të mos kishte dëmtim e papastërti në faqen e sipërme të mademit. Kështu vazhdoi të punonte çdo ditë xha Lezua duke punuar në gurore me mund e djersë, por me këngë trimash në gojë. Unë vetëm e kundroja dhe i shërbeja për çdo gjë që i duhej si ushqim, ujë të ftohtë Spiloje, duhan të cilësisë së parë që kishim me bollëk. Pranë shkollës së fshatit kishim një gurore që punonin mjeshtrat Velo Skënduli me të vëllanë Bajon, Rakip Difon, por ata s’na linin të afroheshim nga terreni i thyer e ciflat e gurit të bardhë që të prisnin si brisk.

Një ditë xha Lezua erdhi si pa qejf. Shkuam bashkë në gurore. Me përtesë filloi punën. Gjatë punës psherëtinte e nuk këndonte këngë për Çeçon e Avninë. Një çast u ul të shplodhej. Lehtë ja mori një kënge pikëlluese:-Goja qanë,goja këndon,

Zemëra katran kullon,

Për ca derte që kujton!….

E shikova me keqardhje dhe pashë se edhe sytë i kishte të skuqur.

- Xha Lezo, do të iki pak tek shtëpia e do të vij prapë!-i thashë.

- Mirë, bir! Ik e eja kur të duash!-më tha.

Shkova në shtëpi me një frymë dhe kërkova babanë, por ai korrte jonxhën larg shtëpisë. Vrapova drejt tij. Ai u shqetësua e më pyeti.-Ç’ka ndodhur mor djalë?! Është mirë Lezua?

- Xha Lezua mirë është, por ka një shqetësim,-i thashë.

- Ç’ka?

- Nuk e di. Sytë i ka të skuqur e nuk është si ditët e tjera, -i thashë. Babai la kosën e të dy shkuam në gurore. Xha Lezua, kur pa babanë, sikur u përtëri dhe e priti buzëgas, por babai në fytyrën e tij pa pikëllimin.

- Lëre punën. Veglat do t’i marrim te shtëpia e sot nuk do të punosh se u lodhe gjithë këto ditë. Je edhe vetëm,-i tha babai.

- Po mirë makari. Rrimë sot,-tha mjeshtri.

Shkuam në shtëpi. Nëna shtroi sofrën. Vuri në sofër shishen me raki Derviciani e gotat e përgatiti meze me djathë taze, vezë të ziera fillimisht. Unë shkova thirra xhaxhanë më të madh që ma kishin graduar ‘kulak’ e që xha Lezua e kishte mik të vjetër. Biseda vazhdoi e qetë, miqësore e vëllazërore. Një shi i madh ra atë mbasdite e Xha Lezon e mbajtëm për darkë. Duhani i ri që kishim shkuar në vargje qe zbutur dhe xha Lezua me një thikë të mprehtë griu duhan nga të tri llojet që kishim ‘oriental’,’merullato’ e ‘bullgar’. I griu për qejf si kadaif dhe i përzjeu se ‘orientali’ i verdhë qe i lehtë, ‘mrullatua’ e kuqërremtë qe mesatare, ‘bullgari’ i kafenjtë qe i rëndë.

Të nesërmen xha Lezua filloi punën si zakonisht dhe sikur i erdhi vehtja në vend.
- Po ç’kishte xha Lezua dje?-i thashë babait në prani të nënës, të vëllezërve më të rritur e motrave.

Dje Lezua kishte 13-vjetorin e vrasjes së djalit të madh nga gjermanët,-tha babai.

Heshtëm të gjithë.

- Bah,i ziu! -tha nëna dhe sytë i mbushi me lotë e veshtroi ne djemtë me radhë duke iu lutur zotit.

- O zot mos na i prufsh më luftrat se mezi i kemi djemtë! Bëja def (largoi) luftrat e të ligat këtij vendi e këtij populli! Xha Lezua i nxorri gurët, kapakët e dërrasat, mori lekët, duhan sa deshi, lesh deleje për fanella e çorape dhe u largua si mik i mirë. Miqësia vazhdoi.

Kur vazhdoja shkollën pedagogjike disa vjet më vonë sa herë e takoja xha Lezon më përqafonte dhe më jepte 20 lekë të vjetra që ia merrja me shumë ndrojtje se unë e dija si i nxirrte ai prind për të rritur fëmijtë e mbajtur familjen. Ai ma priste shkurt:-Shko tani merri galeta tek furra pranë Doktor Ali Tepelenës.

E adhuroja atë prind që edhe pse i kishte kaluar të 60-at punonte në gurore llërëshpërveshur edhe pse i pikëlluar si baba dëshmori. Në një miting elektoral korrik 1966 xha Lezon e vuri në tribunë Sevo Tarifa që për hir të së vërtetës kujdesej e i respektonte familjarët e dëshmorëve në dallim nga drejtuesit e tjerë. Xha Lezua qëndronte me ballin lart me kostumin e tij karakteristik me kësulën e bardhë pak të shtypur në majë. Pranë meje qenë dy djem gjirokastritë që ditën e parë ishin liruar nga ushtria dhe ishin me rroba ushtarësh se kishin qenë në reparte pune nga ‘biografia’ e keqe. Njeri tha:

- Si duket xha Lezua si Çerçiz Topulli kur qe i ri.

- Mua më ngjan me Bajram Currin,-i thashë unë.

- Burrat si Lezo Makriu janë të rrallë, -tha djali tjetër. Radio Gjirokastra në vitet 70-të jepte përherë këngën e djalit dëshmor të xha Lezos të kënduar nga djem të Gjirokastrës e Lazaratit, “Partizan i vogël, o Barjam Makri”.

Një ditë e takova xha Lezon në mes të pazarit dhe e shpura në birrari. Filluam bisedën e në një moment më tha: – Dje kam bërë fjalë me një palo djalë i një palo burri. Bëmë baba të të ngjaj.

Unë qesha dhe i thashë se ka edhe njerëz të këqinj e të mos mërzitet.

Një mëngjez shkova në gurore në përruan e Dunavatit se më kërkoi për Komunalen Çeço Dumi një lloj guri që vetëm unë e dija ku qe. Tek një portë më doli një djalë mbi 20 vjeç e më tha: – Xha Lezo! Mos shko në Lazarat se atje ka reaksionarë. Atje vete reaksionari Braho Zverku. Se ti je dhe baba dëshmori. Më hipi gjaku në kokë, më doli përpara si gjarpër zullumqar.

- Pa thuama dhe njëherë mo se nuk të dëgjova mirë!-i thashë. Ma përsëriti këshillën.

Dëgjo fjalët e mia e t’ia thuash babait!-i thashë. Lezo Makriu i ka krahët të njoma e punon e jeton me djersën e ballit. Rrukullis gurë e shpella sa tronditet gjithë pazari. Babai yt ku e mësoi gjithë atë dituri, apo tek mulla Kamani. Në luftë qe lango pazari e nuk kuptohej me kë qe me Idriz Jazon apo me Bedri Spahinë. Po ai Braho Zverku si e bën reaksionin mo duke rritur bletë që bëjnë mjaltë? Po ata lazaratasit si e bëjnë reaksionin mo duke mbjellë grurë e misër e duke rritur bagëtitë? Ik e gremisu me të gjithë babanë te ura e lumit! Kështu i thashë.

Nërhyra unë: Mirë i the se këta parazitë e servilë me gënjeshtra rrojnë. Xha Brahua shpie bletët çdo prill-maj në Lazarat pranë kopshteve të Mustafa Çakos se janë rreth 50 gështenja të mëdha e nga lulet e gështenjave ai nxjerr mjaltë që shëron mëlçinë e pastron trupin nga disa sëmundje. Sekretari i partisë e këshilloi të mos kishte kontakt me xha Brahon, por ai ju përgjegj: Jo more do të të marr leje zotrote se kë do të kem mik e shok. Shiko punën tënde se punën time e shikoj vetë. Mba vendin! Di seç bëj unë.

Po si qe puna e Braho Zverkut që e quanin reaksionar me pa të drejtë?

Ishte djalë i ri në çetën e parë partizane “Koto Hoxhi”. Pas lufte shkoi për studime në Jugosllavi e u martua me një vajze jugosllave. Edhe pse Shqipëria u divorcua nga mikja internacionale, Brahua nuk u divorcua nga e shoqia, por lindën e rritën dy fëmijë të zgjuar e të bukur si yje. Brahua, kryeredaktor i gazetës “Puna” kishte vënë emrin për diskutim në konferencën e partisë për Tiranën në prill 1956, por nuk diskutoi. Diskutantët kritikuan privilegjet e ‘borgjezisë’ së re të Bllokut dhe partia i dënoi me burgje e internime. Xha Brahua erdhi në Gjirokastër e punonte me të shoqen të rriste e shkollonte fëmijtë i respektuar nga qytetarët e tij.

Djali i tij, Perlati doli një mësues i mrekullueshëm, por u burgos si shumë kurbane të pleniumeve famkeqe të vitit 1973.

Po le të vazhdojmë bisedën me xha Lezon. Dëgjo mor djalë: Ne që kemi humbur njerëzit e dashur në luftë krenohemi me ta se ranë për Shqipërinë të qe e lirë, por s’duam privilegje. Duam të rrojmë si gjithë populli me punë e në paqe me të gjithë se një tokë e një perëndi na mbulon të tërë. Unë s’e heq varenë nga dora, Lutfi Karagjozi shkonte e hapte dyqankën te sheshi i Çeços megjithëse djalin ia vranë gjermanët, Refat Lengua s’e hoqi parmendën nga dora që iu vra djali në luftën e Lunxhërisë, Sako Berberi s’e hoqi gërshërën e briskun nga dora që i varën vajzën në Selanik dhe këndonte: Sako Berberi me derte, berber ishe, berber mbete! Dine Asqeriu shkon e vjen në punë në postë e me të gjithë buzëgas është. Ndërhyra unë:-Po, xha Lezo! Në vitin 1952 me drejtorin e shkollës Galip Sinoimerin shkoi shtëpi më shtëpi të Lazaratit për të vazhduar vajzat shkollën 7-vjeçare që u hap atë vit dhe ia arriti qëllimit. Shkolla u mbush me vasha. Ai vazhdoi: Puna të sjellë lumturi e jo të shikosh të gjesh ndonjë rreze e të rrosh si parazit me spiunllëqe. Lëri njerëzit në punën e hallet e tyre! Mos kij lakmi të hash në sofrën e tjetrit, por po pate mundësi ndihmoji njerëzit! Idriz Makrinë e Fuat Loloçin i kam të mitë, po më thuaj ua pashë zyrën ndonjëherë? Nuk i besdisa kurrë.

Rugë të qytetit Gjirokastrës

E vështroja xha Lezon me dhemshuri dhe çdo fjalë që thoshte e rezervoja në kujtesë se ishin fjalë që dilnin nga një zemër e përvëluar për të birin, por me një logjikë të hekurt ndante si me brisk të mirën nga e keqja e shpirtkatranëve. Në pamje të parë më dukej si “Bariu me shkop” i piktorit të madh shkodran Andrea Kushi dhe isha krenar që babai im e të afërmit e mi, kishin një mik të mirë puntor, fisnik e të besës si xha Lezo Makriu, i respektuar nga qytetarët e tij e fshatarët e mi. U prehtë në paqe!

Pamje nga qyteti Gjirokastres. (foto k. mosko)


 

Tuesday, 29 September 2020

NËNA VALENTINA I GRISHI ATO NË LUFTËN KUNDËR ZJARRIT


nga dr. Selman MËZIU
Firence, Itali


Shtator dita e pesëmbdhjetë. I nxehti përvëlues i gushtit nuk kishte thyer qafën. Në dhimbje e vuajtje njeriu me gjallesat e tjera. Edhe gurët gëlqeror në faqet me shkëmbinj gëlqeror, në Ekonominë Pyjore Molunge, ngastra me numur gjashtëdhjetë janë nxehur sa të djegin lëkurën e duarve.
Por çuditërisht sikur të mos ishte e mjaftueshme kjo, buzë rrugës automobilistike të fshatit Manata të njësisë administrative Kolsh Lezhë, sapo u dukën fjollat e një tymi. Ishte ora dymbëdhjetë e dhjetë minuta. Sigurisht. Zemra e ditës. Dielli ishte në kupën e qiellit. Ai lëshonte drejt tokës zhuritëse prej më shumë se tre muaj potencialin me të fuqishëm të nxehtësisë. Kësaj dukurie iu bashkua mendja e dora kriminale e njeriut fatkeq nga ndërgjegja. Ndoshta pakujdesia e një bishti cigareje të hedhur. Zaten edhe kjo, fatkeqësisht përbën faj të randë. Kuptohet të dënueshëm nga ligjet mbi pyjet, për mbrojtjen nga zjarri.
Makinat kalonin pa prerë. Askush nuk ndalonte. Dikush turfullonte duke sharë. Ndonjë nuk e shikonte. Të tjere të uritur, as ju shkonte ndërmend se këto shpate kodrash po përpiheshin dalë nga dalë nga flakët shkretuese. Kur aty këtu në mes shkëmbenjëve, ku vegjetonin pishat e egra kurorë gjelberta njëzetë vjeçare, po merrnin flake njëra pas tjetrës. Filluan të dukeshin disa banor të fshatit, udhëtar, etj.
Inxhinierja sapo erdhi. Ajo shikonte e pezmatuar e zituar në shpirt nga dhimbja, gjuhët e flakëve që po shkrumbonin gjithëçka. Bëri disa hapa, për të përfshirë me vështrimin e saj hapsirat e gjelbërta që hirëzoheshin nga zjarri përvëlues. Pranë një shkambi, nën kurorën e një pishe, me një lopat shtërnguar fort në duar, po luftonte me flakët, një grua e moshuar. Inxhinieria hapi syte, pa pritur, vendosi t’i afrohej duke zgjedhur udhën pa hirin e nxehtë si shtroje. Ajo e pyeti e emocionuar: -Po ti, e vetme, çfarë po ban këtu?
- Edhe era po i bën flakët më shumë agresive e të rrezikshme për jetën, - Duk e vështruar qortueshëm.
Nëna gjashtëdhjetë vjeçare Valentina Zogaj nuk ndalesh. Shtëpinë e kishte posht rrugës ku filluan shenjat e para të zjarrit. Inxhinieria ktheu kokën në drejtim të rrugës. Një grumbull makinash dhe njerëzish përgjate udhës, bisedonin e hera herës, veshtronin tymin e zi shtëllunga-shtëllunga dhe flakët sipër tyre me gjuhët e kuqe frikë ndjellëse. Këto burrakoçë ishin përgjegjësit i pyjeve, drejtori emergjences civile, zjarrfikësit, etj. të cilët rrinin në asfalt dhe veç flisnin.
Dy pamje që përplaseshin egësueshëm njëra me tjetrën. Dy kundërshti. Natyra me zjarrin. Njerëzit indiferent dhe natyra që kërkon ndihmë. Inxhinieria e tretur tërsisht në mes dy fatkeqësive. Pylli me krijesat bashkëjetuese që piqeshin e shkrumboheshin nga zjarri. Nëna me flokët gërshet të shpurpurisura, që godiste me lopat vatrat e zjarrit ku po digjeshin shkurret, barishtet, insektet, kafshë etj. Dhjetra burra e të rinj që bisedonin qetësisht. Prisnin ndihmë nga shteti, komuna, bashkia, policia. Fjalori i pistë, sharjet shponin mjedisin e tymosur e përplaseshin të cfilitura në timpanat e veshëve të inxhenieres së pyjeve. Arsyeja. Sigurisht nga zhurma e kërcitjeve të pishave me trungje dhejtë centimetra diametër dhe kurora të gjelbërta, që përcëlloheshin nga flakët e pastaj shkrumbëzoheshin duke formuar hirin e zi teje neveritës e jetë zhdukës. Ato ishin mbjell nga punëtor. U ishin shërbyer për disa vite. Peizazhi kishte marrë pamje mrekulluese. E tani….
Orët kalonin me tronditje shpirtërore. Nervat tendoseshin. Padurimi dhe dhimbja shtoheshin si një ortek. Ankthi se kur do te vepronin zjarrëfikëset e njerëz të tjerë. Indiferenca, mendje fregizmi, shpirt katilizimi, mos vlerësimi i situatës të turmës pa kokë në asfaltin e zi të rrugës. Ndërsa Valentinës, të vetme i shtohesh lodhja e gjymtyrëve, përcëllimi i flokëve, i rrobave. Ndërsa pikat e djersës me ngjyrë të zezë kishin lanun si rrëke gjurmë në fytyrën e saj të skuqur e pluhurosur nga tymi me hirin. Ajo luftonte si heroinë. E bindur se po mbronte pyllin, burimin e jetës së fshatit Manatan.
Pas disa orësh në fushën e betejës ku triumfuese ishin zjarri nëntoksor, djegja e qetë e barishteve ghysëm të njoma, gjuhët e flakëve që vazhdonin të digjnin kurorat e pishave me biomasën e tyre, në keto shpate gurishtore kodrash në mes shkëmbinjëve, vijnë disa fshatar. Përmes asaj lufte të ashpër, me varfërinë ushqimore, të shtrirjes së rrënjëve, të ashpërsise së ngricave e rrezatimeve diellore të verave, tanima shumë të thata, këtyre qënjeve të gjalla ju kishte ardhur fundi i tmerrshëm. Kështu i gjykonte inxhinieria, ndërsa, dhimbja në shpirt i shtohej, pafuqia për të ndaluar vrullin e zjarrit kishte premun forcat fizike e dërmuar moralisht.
Përpiqesh të organizonte këto pak fshatar Manatan, për të goditur me lopatat e tyre përparimin e djegieve të bimësisë nga zjarri. Por, ajo me trupin që i dridhesh, nga frika e dhimbja shikoi me sytë e saja në mes flakëve hardhuca, gjarperinj, lepuj ose që iknin ose kërcenin përpjet nga djegja e trupit prej flakëve të zjarrit. Tingujt lebetites, therës të tyre të cfilitësishin shpirtin. Ndërsa nana Valentina vendosi mbi një shkam një gradë (fole) me zogj të vegjel. Ndërkaq zogu nanë, fluturonte e cicëronte në kërkim të tyre, i pa, filloi t’i marrë një nga një duke i çuar diku larg. Skena mallëngjyese. Pamje që të plagosin thershëm shpirtin. Dukuri natyrore që njeriu duhet, të mësoi si të sillet, veproi e gjykoi kur në pyje shikon zjarre. Por kujt t’i thuash! Njeriu është tjetërsua.
Këtu kuptohet qartë se çfarë është, dhimbja për të vegjëlit. Sa i madhërishëm është pylli, çerdhe jetësh që zbukurojn natyrën, rritin madhështinë e kompleksitetin e jetës. Kjo është filozofia e natyrës e pyllit. Gjithëkush duhet t’a njohë këtë bashkëshoqërim. Gjithëkush duhet t’a mbrojë. Gjithë sejcili duhet të bëhet pjesë njerëzore e tij, kur i vjel prodhimet, kur rrin nën hije, kur e mbron nga fatkeqësitë, kur pinë ujë në burimet e pyjeve.
Dielli sapo perëndoi duke kuqëluar qiellin. Një breshkë i kishte marrë flakë një pjesë e mbulesës. Ajo ecte sa mundte. Nëna heroinë e pa, me një degë dhe kembë e godiste lehtësisht. Fatmirësisht kështu arriti t’i fiki zjarrin. E mori me duar dhe e vendosi në bar, në mes shkëmbinjëve ku flaka nuk shkonte dot. Zjarri vazhdonte pamëshirshëm të triumfonte mbi natyrën. Tymi dhe flaka kishin pushtuar hapsira të tilla saqë ose duheshin avion ose qindra punëtor me kazma e lopata që të hapnin kanale për t’a ndaluar.
Natën gjuhët e flakëve ndriçonin qiellin. Prushi dhe hiri i qënjeve te gjalla ndriste si yje te hedhura në këto shpate. Zjarrëfikësit e punonjës të tjerë u zgjuan e vepruan me të gjitha forcat, natën vonë kur flakët rrezikuan të digjnin shtatë ose tetë shtepi, sëbashku me dy stalla bagëtish që ishin në kullotat e maleve.
Papergjëgjësia për forcën shkatrrimtare të zjarrit në pyll, orrganizimi i dobët dha rezultatin e vetë katastrofik. Me dhimbje, më me shume lodhje vërshimi shkretues i zjarrit u ndalua në orën nëntë të mëngjezit të datës gjashtëmbëdhjet Shtator. Kaluan nën shkretimin e tij njëzetë hektar pyje, nga këto dhjete hektar me shkrumbëzim të plotë, të tjerat zjarr sipërfaqësor. Peizazhet u përshëndetën nga dielli mëngjezor, më të shëmtuarit se kurr, me frikëndjellës me të dhimbshur sikur ne vitin 2017 kur zjarri i shkrumbëzoi një pjese të tyre.
Ndërkaq fitilat e kujtesës mu ndezën ne dy vargje të poetit Lezhian Gjergj Fishta: ‘’Kush, bijë, qiellorësh te ka shëmtau kso doresh.,, Si faj të rande n’sy t’botës ti ba të kesh,,  
Inxhinierja e pyjeve shkruajti në ditarin e saj: ‘’Jam kaq e indinjuar dhe e zhgënyer sa ska ma, por s’kam asgjë në dorë të ndryshoi diçka.,, Nëna heroin i grishi njerëzit me shembullin e saj plotë vetmohim por fatkeqësisht me zemër e shpirt coptuar sepse shumë pak e ndoqën. 18.09.2020 Dr. Selman Meziu

Thursday, 24 September 2020

SHËRBIMI VETERINAR, DUHET TË ZERË VENDIN QË I TAKON NË SHOQERINË SHQIPTARE.


nga Prof. dr . Kristaq BËRXHOLI
Tiranë
Pjesa I.
TE NDERUAR KOLEGE VETERINERE.

Prof. dr. Kristaq BËRXHOLI

Ne vitin 1881, Pasteri i madh, kreu nje eksperiment famoz gjate te cilit ai injektoi nje grup kafshësh me nje vaksine kundër plasjes qe ai kishte prodhuar dhe nuk vaksinoi grupin e dyte te kontrollit. Pas disa javësh, te dy grupet u injektuan me shkaktarin e gjalle te plasjes dhe ai vuri re se te gjitha kafshët i mbeten gjalle. Kjo ishte me dy fjale se si e përmend historia Pasterin dhe kontributin e tij ne mjekësinë veterinare. Me kete eksperiment dhe punën per valksinen e tërbimit Pasteri mbeti i famshëm deri ne ditët e sotme.

Mbas suksesit me vaksinën e plasjes, Pasteri ndërmori aksionin per prodhimin e vaksinës kundër tërbimit. Te dyja këto sëmundje, ne ato vite bënin kërdinë ne popullatën animale dhe humane. Ne Institutin e tij, ai kryente eksperimente per kete vaksine dhe kishte mbledhur shume qen. Instituti i Pasterit, ishte ne qendër te Parisit dhe qentë, shqetësonin borgjezinë franceze. Ata i dërguan ultimatum kryetarit te bashkisë te atij qyteti, qe Pasteri me qentë e tij, te largoheshin qe andej. Ata nuk e dinin se me se meresh Pasteri, por atyre kjo nuk i interesonte. Pasteri doli jashtë qytetit, atje ku eshte dhe sot Instituti Paster dhe atje prodhoi vaksinën kundër tërbimit. Ne ate kohe, Pasteri bashkëpunonte shume ngushte me mjeket veterinere dhe humane, per këto dy sëmundje. Dhe pikërisht ne kete kohe, ai tha postulatin e tij te madh se:
MJEKU HUMAN SHPETON NJERINE,
MJEKU VETERINER NJEREZIMIN.
Natyrisht ky, postulat qe ka ardhur deri ne ditët tona tregonte per drejtësinë dhe te verteten e profesionit te veterinerit, por ky postulat eshte i pavlefshëm aty ku injoranca, pamvaresisht se shkenca eshte zhvilluar, ka ngelur po ajo. Me kujtohet kur ne nje takim, nje “figure” dikush ja kishte shkruar kete postulat ne fjalën qe do thoshte, ai e lexoi dhe qeshi. Natyrisht qeshi me injorancën e vet, me nivelin e tij, te cilin po e lexojmë dhe e shofim sot e gjithë ditën.

E nisa me kete, postulat kete shkrim, pasi sot ne te gjithë boten, profesioni i mjekut veteriner, eshte nje profesion tejet i nderuar dhe i respektuar, te dashur kolege te mi. Eshte nje profesion mjaft i kërkuar. Mjafton te përmend nje fakt qe ne Hanover, ne UNI e veterinarisë, konkurrojnë 2000 kandidate per 200 vende per profesionin e mjekut veteriner.Po kështu ne Angli e te tjera vende.
Perse e tha kete postulat Pasteri i madh. Ky njeri i ditur, qe vete nuk ishte mjek, e kishte vrejtur gjate gjithë kohës se tij se per te luftuar sëmundje te tilla si tërbimin dhe plasjen, TE CILAT NE ATO VITE BENIN KERDINE NE TE DY POPULLATAT, nuk ishte zgjidhja e mbrojtjes se njeriut, POR ZGJIDHJA ISHTE NE THEMEL, VAKSINIMI I KAFSHEVE dhe luftimi i rezervuarëve. Dhe i madhi Paster punoi pikërisht per kete dhe mbeti ne histori.

E përmenda kete moment, te cilin jo rralle e kam përmendur, per te treguar se roli i shërbimit veterinar ne shoqërinë njerezore eshte themelor ne luftën e sëmundjeve qe prekin popullatën animale dhe humane, jo vetëm per këto dy sëmundje, por sot numërohen mbi 200 te tilla, ku nje pjese e tyre janë me rrezikshmëri mjaft te madhe per shoqërinë njerezore. Dhe ne kete lufte kundër tyre, natyrisht qe shërbimi veterinar eshte themelor, pasi ai e lufton sëmundjen jo ne piken e fundit, por atje ku ai lind dhe shpëton kështu njerëzimin. Edhe nje here ky eshte thelbi i postulatit te te madhit Paster.

Sherbimi veterinar ne vendin tone, eshte natyrisht shume me i vjetër. Ai daton ne vitin 1928, ku i madhi dhe i paharruari Dr. Bilal GOLEMI, themeluesi i këtij shërbimi, hodhi bazat e para te tij. Qe nga ajo kohe, ky shërbim ka bere përpara me zig zage. Ai filloi te zhvillohej menjëherë mbas çlirimit te vendit, ku kontributi i tij ka qene i pazëvendësueshëm ne luftën kundër sëmundjeve qe kalonin nga kafshët tek njerzit. Si rezultat i kësaj, ne vitet 1990, vendi yne erdhi pa sëmundje te tilla problematike per njeriun si brucelozën, 
tuberkulozin, tërbimin, dhe raste sporadike te plasjes. E natyrisht, ne si shërbim veterinar qe kemi punuar ne ato vite, jemi krenare per punën e bere dhe rezultatet e arritura. Askush nuk mund ta mohoje kete.

Ajo qe une dua te theksoj me force se pamvaresisht se shërbimi veterinar ne ato vite te 45 – 90, ishte si me thene vrima e fundit e kavallit dhe kjo jo per fajin e tij, po per fajin si sot te pushtetarëve injorante qe drejtonin vendin. Ata, megjithëse shkonin vazhdimisht ne perëndim, per te pare etj gjera, ngelen ne nivelin e atij qe përmenda me larte. Ne te gjithë boten, ky shërbim zuri vendin qe i takonte, tek ne, ai ngeli përsëri atje ku ishte. E megjithatë, pamvaresisht kësaj injorance, i këtij niveli deficitar mendor, i mesjetarizmit drejtues, ai si shërbim u organizua deri ne qelizën e fundit te ekonomisë ku kishte kafshe te bashkësisë. U ngrit fakulteti qe e furnizonte me kuadro kete shërbim, u ngrit nje institut i cili me gjithë vështirësitë e tij, jo vetëm diagnostikonte sëmundjet, por prodhonte edhe afërsisht mbi 50 lloj biopreparate, te cilat luftuan nje sere sëmundjesh qe përmenda me larte..Mjeku veteriner, ne ate kohe, pamvaresisht se ishte ne fund, ai ishte me pak i vlerësuar nga pikëpamja e vlerësimit te vështirësive. E vetmja gje e vlerësueshme per te ishte dalja ne pension, pikërisht per shkak te këtyre vështirësive ne moshën 55 vjecare.

Gjithsesi, gjate atyre viteve, shume figura te këtij shërbimi dhanë nje kontribut te paçmuar per luftimin e sëmundjeve zoonotike dhe te atyre qe dëmtonin vetëm popullatën animale, per te cilën ne u jemi mirënjohës si atyre qe nuk jetojnë me edhe te tjerëve qe ende jane.
Mbas vitit 1990, ky shërbim mori goditje te njëpasnjëshme, deri sa arriti ne ditët e sotme qe thuajse nuk egziston. E para e punës, ai u shkatërrua ne emër te injorancës, luftës kundër komunizmit. Si pasoje e kësaj, sëmundjet qe thuajse ishin zhdukur u kthyen mbrapsh dhe ndërsa bota ato i zhduku qe nga vitet 1960, ne ende sot merremi me to.

U shkatërruam institucionet. U politizuan ne thelb dhe u detyruan, si pasoje e diskreditimit dhe luftimit te njerëzve te punës, te degradoheshin deri ne nivelet e sotme. Vete organizimi i këtij shërbimi, pamvaresisht se me erën e re qe po lindte duket se detyrat e funksionet e tij nuk ishin vetëm ato qe ata kishin gjate viteve te komunizmit, prape se prape, ky shërbim, nuk shkonte paralelisht me organizimin, ngritjen e nivelit tekniko – profesional, mbështetjes se institucioneve, vendosjes ne krye te tyre te njerëzve te zote. Te gjitha këto u konkluduan ne kete 10 vjecar te fundit 2010-2020. Me shkatërrimin total dhe nje organizim diletantesk te tij, ne te gjithë vendin.

Kjo beri qe ky shërbim te jete jashtë loje. Semundjet zoonotike qe qarkullojnë ne vendin tone, janë shtuar ndjeshëm, ku une do te përmend vetëm disa prej tyre si: Tuberkulozi, plasja, bruceloza e gjedhit , tërbimi, ethja Q, Virusi i Nilit perendimor, Leishmanioza, ekinokokoza, sëmundjet e tjera parazitare, sëmundjet zoonotike te lëkurës, tick borne encefaliti, ethje hemoragjike e Crime Congos dhe shume te tjera. Por çfarë vrehet sot? Sot vrehet ai mentalitet komunist qe ka 30 vjet, qe shërbimi veterinar nuk ka pse na duhet. Vendosja ne krye te punëve, te njerëzve, ministra e drejtore pa integritet profesional, pa aftësi drejtuese, vetëm per përfitime etj, ka bere qe te dëmtohet ky shërbim..

Sot, profesioni i veterinerit, ne krahasim me boten perendimore, vetëm per shkak te këtyre injoranteve ne drejtim, te jete nga me te poshtëruarit, nga me te pa vlerësuarit, me te pamerituarit, pamvaresisht se ai, punon me tere potencialin e tij, duke duruar poshtërimin, ofendimin e drejtueseve te shekullit mesjetar.
Shkaterrimi i struktareve egzistuese, qe nuk ndodhi as ne kohen e komunizmit, por tani ne kete periudhe qe duhet te ndodhte e kundërta, tregon se me çfarë drejtues kemi te bëjmë. Mjafton te përmend disa momente, qe i kam përmendur sa e sa here si vendosja ne krye te institucioneve njerëz pa personalitet, shkrirja e strukturës piramidale dhe stisja e disa organizimeve te cuditeshme qe nuk gjenden askund, detyrimi i strukturave egzistuese te bëjnë punën qe nuk u takon, vënia e tyre ne shërbime per interesa te drejtuesve(mjafton te përmend këtu, përdorimi i atij shërbimi te sakatuar, per interesa te drejtuesve, per te gjetur e mbledhur lekuret) etj, tregon se shërbimi nuk eshte aty ku duhet.
Dhe ne fund te fundit, nxjerrja ne pension me nje pagese qesharake, me te cilët do talleshin te gjithë kudo qe janë, i ve vulën kësaj pune titanike dhe dhënies gjithçka per kete shërbim nga njerzit qe e perbenin, tregon se ku kemi arritur.

Krahas kësaj, edhe ato struktura, pamvaresisht se quhen te pamvarura, u bene te varur deri ne piken e fundit, pikërisht drejtues te tille. Keshtu desha te përmend,denigrimin e UMVSH, e cila u ngrit si nje strukture mbështetëse e këtij shërbimi, por qe u kthye ne shërbëtor i bindur i pushtetarëve.
Bazuar ne këto gjera, te nderuar kolege, qe une i parashtrova shume shkurt, ju ftoj se tani eshte koha qe mjeket veterinere, te ndjejnë përgjegjësinë e profesionit te tyre, te mblidhen dhe te kërkojnë me këmbëngulje te drejtat e tyre qe u takoj e duke filluar nga:
1- Organizimin e shërbimit veterinar
sipas modelit botëror e jo sipas 
mendjeve te prapambetura shqiptare.
2- Te kërkojnë rritjen e pensioneve ne vartësi
me vështirësitë e profesionit.
3- Mbeshtetjen pa kushte te shërbimit
veterinar, per te kryer detyrën e vet.
4- Vendosjen ne krye te punëve, njerëzit sipas
aftësive e jo njerzit sipas miqësive.
5- Clirimi i strukturave te pamvarura nga
varësia e ministrisë.
6- Mbeshtetjen e fuqishme per Institucionin e
vetëm te mjekësisë veterinare-ISUV
7- Largimin e te gjithë njerëzve qe nuk kane
lidhje me shërbimin veterinar.
8- Largimin e te gjithë drejtuesve te paafte, te
vendosur sipas miqësive ne krye te
institucioneve te shërbimit veterinar.
9- Vleresimin e shërbimit veterinar, ne
problematikat qe ai mbulon si partner me
shërbimet e tjera.
Keto jo per vehten e tyre, po per zhvillimin e vendit. Per zënien e vendit te merituar te këtij shërbimi, per te ecur krah botes, dhe per te qene identike me ta. Ne kete periudhe, kur po përgatitemi qe te hyjmë ne Europe, ky shërbim i cili ka qene pjese e bizedimeve ne procesin e integrimit te Shqiperise ne BE, te zere vendin qe i takon dhe te marre mbi kurrizin e vet, te gjitha problematikat e vendit.
Askush me mire, nuk mund ta beje kete pune, përveçse mjekeve veterinere te vendit. Largimi i trurit, nuk eshte merite per kete vend. Eshte fatkeqësi.

Une i ftoj mjeket veterinere, te zene vendin e tyre ne kete bote problematike. Mos kujtoje ndokush se me kete kam ndërmend te bej thirje per protesta etj etj. Jo, por ka ardhur koha, bile ka kaluar, qe edhe ky shërbim ashtu si gjithë shërbimet e tjera dhe qe lidhet jo vetëm me shëndetin e kafsheve, por edhe te njerëzve, te ZERE VENDIN QE I TAKON NE SHOQERINE SHQIPTARE.
E di qe sot, dikujt, edhe mund te mos i pelqeje, por nesër e di qe do mendoje te kundërtën.
Me shume respekt per te gjithe mjeket veterinere kudo qe jane.
24.09.2020
Prof. Kristaq BERXHOLI

 


Sunday, 20 September 2020

NIKOLLA P. QAFOKU, SHKENCËTARI SHQIPTARO - AMERIKAN QË NA NDERON

nga: Frank SHKRELI

Ish Drejtor për Euro-Azinë  në Zërin e Amerikës

NJU JORK


Frank SHKRELI

E kam thënë shpesh se komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos këto 30-vjetët e fundit, është rritur dhe është pasuruar me njerëz të dijes në fusha të ndryshme, përfshirë bizneset e lloj-llojshme, teknologjinë informative, fushat akademike, mjekësinë dhe shkencën, vetëm për të përmendur disa fusha e profesione me rëndës, ku pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan po e dallojnë veten, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Një prej tyre është Dr. Nikolla “Niko” Qafoku, njëri prej pjesëtarëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan me arritje kulmore në fushën e shkencës, i njohur për veprimtarinë e tij shkencore në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. Niko Qafoku, që prej vitit 2000 punon në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL), në Richland të shtetit Washington, në veri-perëndim të Amerikës.


Në një njoftim të Institutit Alb-Shkenca, një themeluesit e të cilit është edhe Niko Qafoku, bazuar në burime pranë firmës (PNNL), thuhet se ditët e fundit atij i janë akorduar dy tituj të lartë shkencorë në Amerikë dhe më gjerë.  Njëri prej tyre është titulli prestigjoz “Laboratory Fellow” i kësaj firme të madhe e të njohur amerikane, e cila jep për shkencëtarët më të dalluar në fushën e veprimtarisë së tyre.  Shkencëtari shqiptaro–amerikan Niko Qafoku, sipas Institutit Alb-Shkenca, një organizatë kjo me 250-300 anëtarë, studiues shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të ndryshme të botës, e ka marrë këto ditë gradën më prestigjoze – studiues i PNNL (Pacific Northwest National Laboratory), një institucion ky i krijuar dhe I financuar nga Departamenti për Energjinë në SHBA”, thuhet më tej në njoftim.


Njoftimi thekson gjithashtu se kompania “PNNL ua jep titullin “Laboratory Fellow” ose “Battelle Fellow”, atyre shkencëtarëve kërkues që kanë arritur majat e fushës së tyre e që kanë fituar njohje ndërkombëtare nga kolegët,  por edhe atyre që, njëkohësisht, demonstrojnë vazhdimisht krijimtari dhe prodhimtari të lartë në punën e tyre, në nivelet më të përsosura shkencore e profesionale.  “Jemi krenarë që një nga kolegët tanë më të hershëm dhe i palodhur në Alb-Shkenca ka korrur suksese në fushën e tij kërkimore-shkencore.  Është me të vërtetë frymëzuese” arritja e Niko Qafokut, bashkatdhetarit tonë me shumë vlerë – thuhet në njoftimin e botuar në portalin e Institutit Alb-Shkenca, me rastin e avancimit të Dr. Qafokut në pozicionin e “Laboratory Fellow”, në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL).  Dr. Qafoku punon në këtë firmë prej më shumë se 20 vjetësh, ku këto ditë iu akordua grada më prestigjoze e studiuesit të PNNL. PNNL është një institucion që financohet nga Departamenti për Energjinë në SHBA, një ent me rëndësi gjeo-strategjike për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.


Disa ditë pas njoftimit të lartëpërmendur, Dr. Qafoku mori një tjetër lajm të mirë për karierën e tij, kur u njoftua se Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës (Soil Science Society of America) e zgjodhi atë si “Fellow” të kësaj shoqate, që është titulli më i lartë që e akordon kjo shoqatë amerikane me reputacion ndërkombëtar për shkencëtarët më të merituar.  Në letrën përshëndetëse, me të cilën njoftohet Dr. Qofaku për nderimin e tij me këtë titull prestigjoz, i dyti brenda disa ditësh,  Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës thotë se për titullin më të lartë që i është akorduar Dr. Qafokut kanë votuar antarët e Shoqatës, bazuar në arritjet profesionale dhe në shërbimin e merituar të tij, si shpërblim për kontributet dhe sukseset e arritura të Nikos.  Dr Qafokut do t’i dotëzohet zyrtarisht titulli “Fellow” në mbledhjen vjetore të shoqatës, ndërkohë që emri, fotografia dhe një biografi e Dr. Qafokut do të vendoset në sallën “Awards Hall of Fame” të shoqatës, gjithashtu një nderim i veçantë dhe i dokumentuar përgjithmonë në atë sallë, dhënë fituesve të këtij titulli prestigjoz.

Dr. Niko Qafoku, Laboratory Fellow Chief Scientist and Team Lead, 

Environmental Geochemistry, Pacific Northwest National Laboratory


Tituj të tillë në Amerikë nuk jepen lehtë dhe as nuk sigurohen me miqësi, por bazuar në merita dhe në punë të madhe dhe serioze.  Mbi të gjitha, shpërblimet e tilla varen nga sukseset përfundimtare dhe nga rezultatet e punës, të mirëprovuara, të dokumenuara dhe të miratuara nga ekspertët e fushës.  E kam thënë edhe herë të tjera se në Amerikë askush nuk të jep gjë falas, as nëpërmjet miqve. Personat që punojnë shumë dhe janë seriozë në profesionet e tyre nderohen me tituj e shpërblime të tjera vetëm në bazë të meritave nga dhe firmat për të cilat punojnë shumë shqiptaro-amerikanë të suksesshëm, siç është shkencëtari Dr. Niko Qafoku.

Curricullum Vitae (CV) e Dr. Qafokut është vetëm një prej treguesve se me sa seriozitet, me punë të madhe dhe me përkushtim total e ka marrë ai detyrën gjatë viteve. Megjithëse unë nuk marr vesh shumë nga shkenca, biografia e tij është një dokument i gjallë i performancës dhe provë e veprimtarisë së tij të shkëlqyer në fushën e tij.  Punën dhe profesionin prej shkencëtari të dalluar në fushën e tij këtu, në Shtetet e Bashkuara, ku shpeshherë njeriu përballet me konkurencë të fortë të ekspertëve më të mirë e më të njohur në fushën e tyre, Dr Qafoku e ka zhvilluar, jo vetëm në ambientet dhe në hapësirat e disiplinuara të punës së tij në këtë vend, por edhe në konkurencë me ekspertët më të njohur të fushave të ndryshme shkencore nga mbarë bota.https://energyenvironment.pnnl.gov/staff/staff_info.asp?staff_num=2047


Amerika dhe kompanitë e mëdha amerikane, përfshirë ato shumëkombëshe, janë tepër unike në këtë pikëpamje.  Pandaj, sukseset në punë dhe arrijtjet në fushën shkencore-akademike të Dr. Niko Qafokut, i cili për 20-vjet punon në hapësirë dhe ambient tepër konkurues, meritojnë të vihen në dukje si arritje të veçanta për një shqiptaro-amerikan që na nderon.  Jo vetëm për meritat e tij, të cilat duhet t’i theksojmë si komunitet, pasi janë të rralla, por të nënvijohen edhe si shembull suksesi për rininë tonë shqiptaro-amerikane, për të treguar se me punë të madhe dhe me përkushtim të vazhdueshëm mund të arrihen majat e suksesit, e, pse jo, edhe të realizohet “ëndrra amerikane” për të cilën flitet aq shumë.  Nënë Tereza ka thënë se “Zoti nuk kërkon nga ne që të kemi sukses, por kërkon që të përpiqemi” të arrijmë suksesin.  Duket se Niko Qafoku ka bërë më shumë se vetëm të përpiqet.


Dr. Qafoku është me fat që bën pjesë në një grup shkencëtarësh, inixhinjerësh dhe profesionistësh të tjerë nga mbarë bota që punojnë për firmën PNNL, në misionin për të zgjidhur disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet sot Amerika dhe bota, jo vetëm në fushën e energjisë.  Shkencëtari shqiptaro-amerikan dhe kolegët e tij, sipas firmës ku punojnë, e kryejnë misionin e tyre me devotshmëri, nëpërmjet kërkimeve shkencore në fushën bazë të shkencave për energji por edhe në mbështetje të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me objektivin e vetëm për të krijuar një botë që jeton në paqe, një botë më të pastër, më të begatë dhe më të sigurtë për të gjithë.  Shikoni se çfarë ndodh kur mendjet më të zgjuara të botës punojnë së bashku për të zgjidhur sfidat dhe problemet e planetit tonë të përbashkët, thuhet në portalin e firmës Pacific Northwest National Laboratory, për të cilën punon shqiptaro-amerikani Dr. Niko Qafoku dhe e cila ia akordoi titullin e lartë “Fellow” për kontributin e tij shumë të çmuar gjatë viteve.


Dr. Qafokun e kam takuar pikërisht 5 vjet më pare, në Nju Jork, ku ishim të ftuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes të një shqiptaro-amerikani tjetër të shquar, Prof Sami Repishtit, i cili për shumë dekada ka lënë gjurmë të pashlyeshme me punën e tij prej edukatori dhe me veprimtarinë e tij të vazhdueshme këtu, në •Shtetet e Bashkuara, si edhe me kontributin e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut, kryesisht për shqiptarët në trojet etniker, por edhe për njerëzit kudo, të drejtat e të cilëve janë shkelur nga diktaturat komuniste dhe nga despotë e diktatorë të të gjitha ngjyrimeve, anemban botës, përfshirë tokat shqiptare.  Me atë rast, Dr. Qafoku më tha se për Profesor Sami Repishtin kishte dëgjuar për herë të parë në programet e Zërit të Amerikës, aty nga fillimi i viteve të 80-a.  Kishte ardhur nga ana tjetër e Amerikës, një largësi mjaft e madhe, nga shteti i Washingtonit, për të falënderuar dhe për të nderuar profesor Sami Repishtin. Ishte i pranishëm, tha ai, për t’i shprehur Profesorit të nderuar shqiptaro-amerikan falënderimet e tij për gjithçka kishte bërë dhe po bën në mbrojtje të kauzave të drejta kombëtare dhe të të drejtave të njeriut.  Kishte ardhur që, në emrin e tij personal dhe të kolegëve të tij shkencëtarë shqiptaro-amerikanë, të angazhuar pranë Institutit Alb-Shkenca, ta nderonte Profesor Repishtin, këtë kolos dhe përfaqësues të shquar tëi këtij komuniteti, këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. dhe të mbijetuarit të burgjeve famëkeqe të regjimit komunist në Shqipëri, i cili ka lenë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, ka thenë Dr. Qafoku për Prof Sami Repishtin.


Me gjithë angazhimet e tij të mëdha në firmën ku punon, ndonëse fizikisht larg Shqipërisë dhe Kosovës, Dr. Qafoku dhe kolegët e tij në Institutin Alb-Shkenca nuk e harrojnë vendlindjen e tyre.  Nëpërmjet Forumit të Alb-Shkencës ata janë pranë Atdheut dhe në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kolegët e tyre në trojet shqiptare.  Rreth 300 intelektualë të fushave të ndryshme të shkencës,  nga diaspora dhe nga trojet shqiptare, të cilët janë anëtarë të Alb-Shkencës, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për interesa të përbashkëta dhe për të parë se si, me mundësitë e tyre, mund të ndihmojnë vendlindjen në këto kohë të vështira.  Në këtë përpjekje, Dr. Qafoku me kolegët e tij, gjatë viteve kanë organizuar takime me kolegët e tyre në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku instituti Alb-Shkenca i ka degët e veta, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me autoritetet vendore dhe akademike për të zhvilluar programe shkencore për të cilat kanë aq shumë nevojë, si Shqipëria ashtu edhe Kosova.  Nuk jam i sigurt se si ka shkuar ky bashkpunim gjatë viteve të fundit dhe çfarë rezultatesh mund të jenë arritur, por për një gjë jam i sigurtë: në qoftë se këto lidhje nuk kanë arritur sukseset e pritshme, jam i bindur se kjo nuk ka ndodhur për arsye të mungesës së vullnetit të mirë dhe të gatishmërisë së Forumit Alb-Shkenca dhe intelektualëve dhe shkencëtarëve të dalluar të kësaj organizate, si Dr. Niko Qafoku,  që me ekspertizën dhe përvojën e tyre shkencore, të ndkihmojnë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.


Me arritjet e tij, Dr. Niko Qafoku e nderon veten dhe e nderon firmën për të cilën punon, e cila ia ka dhënë mundësitë për të arritur majat e suksesit në profesionin e tij.  Por, ai e nderon njëkohësisht komunitetin shqiptaro-amerikan dhe emrin shqiptar në përgjithësi, në qarqet shkencore e profesionale të këtij vendi të madh, dashamirës dhe mik i  shqiptarëveve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Me këtë rast, mikun dhe bashkatdhetarin tonë Dr. Qafoku e përshëndesim sinqerisht dhe e urojmë për titujt e mkirënjohjetme të cilat u nderua. Njëkohësisht, urojmë që në të ardhmen të korrë edhe suksese të tjera në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe çmime e mirënjohje të shumta në qarqet më prestigjoze shkencore, amerikane dhe botërore.


Dr. Qafoku e nderon edhe emrin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara. Edhe për këtë ia shpreh edhe përgëzimet dhe urimet e mia më të përzemërta, si edhe admirimin tim të thellë për titujt prestigjozë dhe për veprimtarinë e tij shkencore këtu, në Shtetet e Bashkuara. Atij dhe kolegëve të tij duhet t’u jemi mirënjohës edhe për ndihmën dhe kontributin e tyre për vendlindjen, nëpërmjet Institutit Alb-Shkenca apo në forma të tjera.


Si shkencëtar me përmasa botërore, Dr. Qafoku është krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan. Arritjet e tij në Shtetet e Bashkuara, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, janë frymëzuese për të gjithë ne dhe për t’u admiruar.


Marrë nga gazeta "ILLYRIA"