Tuesday, 2 March 2021

PËRDORIMI NË MJEKËSI I DISA BIMËVE QË RRITEN NË VENDIN TONË.

Përgatiti :  doktor Dhimitraq DHAME

SARANDË

- Kamomili ( Matricaria chamomilla )
– Lulja – Antiseptik, anestetik, dezinfektant, antiinflamator, cikatrizant, antihistaminic.


- Manaferra ( Rubus fructicosus
– Gjethet – Astrigjent, antidiarreik, dizinfektant, hipoglicemiant. Për përdorim të jashtëm, për gargarizëm në ulçeracionet e fytit .


- Sherebela ( Salivia officinalis
– Gjethet – Koleretik, karminativ, antiseptic, antispastik, adstrigjent, antisudorifik + hipoglicemiant I lehtë.



- Pisha ( Pinus Montana
– Sythet - Diuretik + antiseptic ( ne pielite, cistite, uretrite ); antiinflamator ( ne mahisjet e rrugeve respiratore , kolle, bronkite etj.); antiseptik.


- Sumbullbari ( Humulus Lupulus
- Frytet + konet luspore – Amaro-tonik, aromatizues, baktericid, tuberkulostatik, sedative qendror, qetesues gjate eretizmit gjenital. Jepet sidomos ne anoreksit, pagjumesit, si qetesues nervor + ne TBC.


- Hudhra ( Alium sativum )
– Bulbi – Vazodilatator + hipotensiv, antiseptic , nxitës + antihelmintik. Jepet në hipertensionin arterial, faringite, infeksione te gojës e të aparatit tretës, për mjekimin e oksiureve + askarideve.



- Mështekna ( Betulla verrucosa
– Gjethet – Diuretik, diaforetik, koleritik, antiseptic, ul nivelin e acidit Uric + te kolesterolit. Jepet ne edemat kardiake e renale, reumatizem, diskinezi biliare etj.

- Koriandri ( Coriandrum sativum
– Frytet – Karminativ + nxites I sekrecioneve te aparatit tretes ( qe jepet vecanerisht ne anoreksi + diskinezi ) ; baktericid + fungicide.

- Kungulli ( Cucurbita pepo
– Farat – Vermifung + tenifung .


- Murizi ( Cartageus oxyacantha
Gjethet, lulet, frytet – Sedativ , antispazmodik, vazodilatator ( vecaneerisht per enet koronare ) , hipotensiv. Jepet ne angina pectoris, semundjen hipertonike, aritmit.


- Angjinarja ( Cynara scolymus )
– Gjethet – Koleretik ( që përdoret në të gjitha format e pamjaftueshmerise së mëlçisë ), diuretik ( që përdoret në afeksionet kardiorenale + nefritet kronike) , hipokolesterinemiant, antidiabetik.



- Kopra e egër ( Foeniculum vulgare )
– Frytet - Antispazmodik, karminativ, ekspektorant ( në bronkite ) diuretic, galaktagoe.g, sedativ


- Lule shtrydha ( Fragaria vesca
– Gjethet – Adstrigjent, antidiarreik, diuretic. Perdorimi sidomos per mjekimin e diarreve + si diuretic.


- Arra ( Juglans regia
– Gjethe – Adstrigjent, antidiarreik, antinflamator, hipoglicemiant, antiekzematos, hipotensiv I lehte. Jepet ne dispepsite, hemorragjite e brndshme, diabetin e sheqerit. Per perdorim te jashtem : lavazhe vaginale ne leukorete, eczema etj.


- Bargjaku ( Lythrum salicaria )
– Bari – Adstrigjent , hemostatik, antiseptic, cikatrizant. (Antidiarreik, antidizenterik ). Perdoret edhe ne ulcerat varikozze si cikatrizant.



- Manxurana ( Majorana hortensis
– Bari – Stomakik, karminativ ( ne dispepsite e stomakut ), sedative ( ne iritimet nervore + pagjumesite ).


- Gjethe delli ( Plantago lanceolata )
– Gjethet – Emolient + ekspektorant ( ne bronkitet kronike ).




- Trëndafili i egër ( Rosa canina
– Fruti- Vitaminoz, tonik, diuretik, kolagog, Jepet sidomos gjatë. avitaminozës C, sëmundjet e melçisë + te veshkave, si + në anoreksi.


- Lule bliri ( Tilia cordata
– Lulet – Ekspektorant + antispazmodik ( vecanerisht ne bronkite ) , sedative nervor ( vecanerisht ne gjendje te tensionit psikik + ne pagjumesi ) ,sudorifik, emollient, diaforetik.


- Boronica ( Vaccinium myrtillus )
– Gjethet + frytet – Adstrigjent , antiseptic ( urinar ) . Jepet edhe per mjekimin e diarrese e te dizenterise.

Xhirokullin vjeshtor ( Colchicom autumnale L .) 

– ka shekuj që përdoret në mjekesin popullore e më von nga ajo modern për trajtimin e artritit, kundër të kruarit në sëmundjet e mëlҫis, si antikanceroz në leucemit acute dhe tani së fundi ka mendime e përdorime edhe kundër Covid-19. (Kujdes! Të përdoret sipas këshillave të mjekut sepse futet në bimët helmuese.)




Fotot: Nga Bota Bujqësore të marra nga interneti.
Fjalor :
Antiseptic – lende qe pengojne shumezimin + rritjen e mikrobeve pa I shkaterruar ato,

Dezinfectant – lende qe asgjeson mikroorganizmat patogjene qe shkaktojne semundje infective.

Bactericide – lende qe shkaterrojne bakteret, Antiinflamatore - lende kunder inflamacionit, mahisjes, pezmatimit ( Inflammatio – ndez , djeg flake ). 

Adstrigjent – rrudhes, tkurres, Emolient – zbutese, qe zbutin, Diaforetic ( sudorifere ) – lende qe shkaktojne ( qe sjellin ) djersitje. Ekspektorant – eleminues I sputumit ( gelbazes ) + I lengjeve te tjera nga mushkerite .

Kolagog – lende mjekuese qe lehtesojne zbrazjen e fshikes se temthit, qe lehtesojne kalimin e temthit ne zorre., Anestetic – qe shkaktojne humbje te ndjeshmerise, Cicatricialis ( cicatrix ) – I shenjes se plages ( qe ndihmojne mbylljen e plages., Karminativ – lende mjekuese qe heqin gazrat nga zorret.

Literatura :
- Receptar per mjeket dhe farmacistet , Sezai Braho – Viron Xhillari, Botim I drejtorise se edukimit shendetesor, Tirane 1983.;

- Fjalor latinisht – shqip I mjekesis Hartuar nga : Kosta Qiriazzati, Gjergji Minga dhe Robert Andoni . Shtepia Botuese “ 8 Nentor” , Shtypshkronja “Mihal Duri “ – Tirane, 1975.

Saturday, 27 February 2021

TOPONIMI, KËNGA DHE MJETI MBROJTËS PREJ HAJDUTËVE

-  Një fjalë e re, e panjohur shqipe, “storovadhe”- 

 


Të gjithëve na bëjnë përshtypje toponimet, sidomos mikrotoponimet e Vendlidjes.  Ato i kujtojmë shpesh, madje shohim edhe ëndërra në ato vise ku kemi lindur e kaluar fëmijërinë. Fantazia dhe memoria na kthejnë dashur padashur aty ku “na ka rënur koka”, jemi mëkëmbur e kemi mësuar të flasim shqip. Emrat e këtyre vendeve ishin pjesë e përditëshme e jetës sonë. I përsëritnim vazhdimisht, sepse aty bridhnim, luanim me shokët e vegjëlisë, gjakoseshim nëpër gurë apo ndjenim aromën e luleve dhe të barit. Ato emra na janë ngulitur thellë në ndërgjegje sepse me to ishte e lidhur historia e krahinës, jeta e të afërme tanë, luftrat, gëzimet dhe hidhërimet, dasmat dhe vdekjet. I kemi përmendur disa herë kur ishim fëmijë, dhe na sillen në kujtesë tani që jemi të moshuar e të mërguar nga Atdheu.  Një fjalë që është përmendur mbi pesëdhjetë herë, vështirë se fshihet aq lehtë nga kujtesa, theksojnë shkencëtarët, psikologët dhe gjuhëtarët. 

 

Nxjerrim mallin me atdheun tonë të largët, me fshatin apo qyetin duke i përmendur vazhdimisht në biseda, këtu ku jemi vendosur, në këtë pjesë të jetës sonë që na ka mbetur. Nxjerrim mallin duke i shkuar disa herë nëpër mendjen tonë, çdo ditë. Një toponim fsheh një histori, një ngjarje që ka ndodhur, një karakteristikë të vendit dhe ajo pasohet në breza gojë më gojë.  Ka rastisur që me kuptimin që të jep një toponim, janë bërë zbulime të rëndësishme arkeologjike, thesarë ose është arritur të njihet një histori, ngjarje a ndodhi e harruar. 

 

Toponimi: 

 

Fshati ynë, Selcka në rrethin e Gjirokastrës është një fshat i lashtë, vërtetuar nga arkeologët dhe historianët. Aty ka shumë toponime të vjetra që nganjëherë ështe vështirë t’u japësh shpjegimin e duhur.  Le të marrim toponimin “Sorvadhe” ose “Sorovadhe”.  Sorovadhja ështe një lëndinë relativisht e madhe dhe pjellore në rrëzë të malit të Lunxhërisë e cila kufizohet me fshatrat Poliçan, Sheper dhe Nderan.  Meqë fshati ynë nuk ka shumë toka buke, këtë vend e ka kthyer në parcela ku tradicionalisht mbillej grurë, misër, fasule, ose patate, sepse favorizohej edhe nga burimet malore të ujit që e përshkonin.  Ka dy livadhe të tilla që fshati i quan: “Sorvadhe e Sipërme” dhe “Sorvadhe e Poshtme”.  Mendoj se shumë kohë më parë, kjo sipërfaqe është përdorur për kullota bagëtish të trasha e të imta, mbasi ka gjelbëruar në shumicën e muajve të vitit. Rreth e rrotull, sipas gjurmëve, duhet të ketë patur stane. 

 

 Kam kërkuar në literaturë, kam shfletuar shkrime të bashkëfshatarëve të mi, por nuk kam gjetur asnjë shpjegim. Kam kërkuar edhe në fjalorët e gjuhëve sllave, greke e turke, por asgjë. I vija vërdallë këtij toponimi duke kërkuar etimologjinë e tij, por nuk mund t’i jepja ndonjë kuptim me gjuhën tonë shqip. Tani vonë rashë në gjurmët e saj dhe kjo ndodhi duke dëgjuar një këngë të vjetër Arvanite nga ishujt e Egjeut. 

 

Kënga:

 

Më pëlqejnë  këngët e vjetra, sidomos ato të arbëreshëve të Italisë, ose arvanitëve të Greqisë.  Interneti është mjaft komod për të mësuar, mjafton të kesh durim të lundrosh në të dhe gjithnjë do të gjesh diçka të re. 

Duke ndjekur në YouTube këtë këngë arvanite, midis vargjeve dëgjova një fjalë të përafërt me “Sorvadhe”. Më bëri përshtypje, por fillimisht kujtova se ishte fjalë greke.  Këngët arvanitase shpesh brenda tyre përfshijnë edhe fjalë greqisht.  Madje edhe kjo këngë përmban fjalë të tilla. Ja si thuhet në tekstin e saj: 

 

Çobanaqi çeli zjarrë 

Për të dredh një storovadhë

Çobanaqi mu

Ore takus pullaqi mu

(dëgjove zogu im)

Storovadheza u ç

Çobanaqi rri e klja

Çobanaqi mu …

 

E dëgjova disa herë fjalën “storovadhë” përsëritej. Kjo këngë shumë e vjetër arvanitase duket sikur ka ardhur deri në ditët tona për të na sjellë kuptimin e fjalës “Sorvadhe”. Fjala thuajse është e njëjtë. Ndryshimet fonetike janë të justifikueshme, ndoshta gjuhëtarët mund qe ta vërtetojnë me metodat e tyre. 

 

Me kalimin e viteve, fjala evoluon, por rrënja mbetet po ajo. Po kush ishte kuptimi i kësaj fjale, qoftë edhe në gjuhën greke. Është mjeti mbrojtës nga hajdutët e bagëtive, “Storovadhe”. U bëra kureshtar të zbuloja kuptimin e kësaj fjale. Isha shumë afër të mirrja kuptimin e mirëfilltë të toponimit “Sorvadhe”.  Çfeletova fjalorë elekronikë. Zbulova rastësisht një fjalorth elekronik Arvanitas - Greqisht. E kishte këtë “sorovadhe” dhe ishte një fjalë jo me prejardhje greke, por Arvanite e pastër, dmth shqip. Në gjuhën greke kjo fjalë arvanitase “storovadhe” përkthehet “mangura” (Μαγκούρα). Po bashkangjis këtu edhe kopje të faqes ku është shënuar.


Po çfarë është “Storovadhe”?  Është një shkop i fortë thane që çobanët e përgatitin duke e nxehur në zjarr, e lakojnë për t’i dhënë formën e dëshiruar si në figurën bashkangjtur. Por nganjëherë lakimi i drurit nuk arrihet, kështu ai çahet, siç i ndodhi këtij bariu në këngën e vjetër aravanitase. Duhet gjetur një shkop tjetër thane.  

 

Barinjtë këtë e mbanin si mjet mbrojtës, kurth kundër hajdutëve. Ata, vjedhësit, ia hidhin si pengore nëpër këmbë, ose e përdornin si kërrabë. Kishte edhe funksione të tjera. Nuk donin ta lëndonin apo vrisnin, por ta kapnin të gjallë dhe për këtë i ndihmonte shkopi i dredhur prej thane që i thoshnin “Storovadhe”.

 

Le të kthehemi tek tek kuptimi i toponimit “Sorovadhe”.  Barinjtë mbanin me vete edhe storovadhet për të mbrojtur mallin e tyre, bagëtinë nga keqbërësit. Dhe ky emër i këtij mjeti mbrojtës i barinjëve, me sa kuptohet i dha edhe emërtimin këtij vendi.  

 

Duhet të jetë një fjalë shumë e lashtë, nga shqipja e vjetër, pellazge, ose ilire. Tani u mbetet gjuhëtarëve për ta studjuar.  Është radha e tyre për ta shtjelluar më tej.

 

Koco Mosko

Specialist i mbrojtjes së bimëve

Boston, Massachusetts 


Faqia e fjalorit Arvanitas-Greqisht

Fjalori Arvanitas-Greqisht( vidio-shqiptimi sorovadhe)



Kënga Arvanite nga Thiva


Wednesday, 24 February 2021

THËLLËZA ( Alectorius graeca)

Përgatiti : Kristo KAURI
Sarandë

Thëllëza ka të drejtën të quhet thëllëza e Aristotelit, se ishte ky i pari që u preokupua seriozisht me thëllëzën greke ( Alectorius graeca), duke na prezantuar dhe momentet private të jetës se saj.

Ai i përshkruan momentet intime në mënyrë poetike: “ Kur mashkulli dhe femra çiftosen duke marrë sqepin dhe… duke tërhequr gjuhën….” Femrat janë shumë të ndjeshme në dashuri, të qëndrushme, shumë xheloze për mashkullin e tyre, dhe shkojnë deri në braktisjen e folesë me vezë, kur shikojnë se mashkulli është i impenjuar me ndonjë tjetër rivale. …

Malet janë strehimi i saj dhe atje e nderton folene e saj. Eshte nje shpend krenar nuk i pelqen që këmbezat e saj te bukura dhe të shpejta të bëhen me baltë. Prandaj ajo preferon malet e larta të përqafuara nga dielli dhe kurrë baltovinat. Merr nga bukuria e këtyre maleve, por i zbukuron dhe i hijeshon edhe kjo me prezencën dhe kengen e saj. Sa bukur e përshkruan Oscar Brunocardi :

“ Mali e autorizoi atë të pasurojë puplat e saj me ngjyrat nga më të gjalla dhe delikate, duke kryqëzuar të bardhën e hirtë, tamam si lulja më e bukur e alpeve “Ylli alpin”, me ngjyrën e kuqe të gjakut, pastaj ajo për hesap të vet është zbukuruar akoma, duke vendosur ngjyren e kuqe të këmbëzat e saj për të trembur nepërkën nëpër shkëmbenjtë ku ka banesën……..

..Dhe nëqoftëse zëri i saj, kënga e saj, ka tingullin e rrasave të gurit, nuk është për fajin e saj, sepse midis shkëmbënjëve ka lindur dhe nga shkëmbënjtë ka mësuar tingujt e parë të këngës së jetës së saj, midis shkëmbenjëve lind, midis tyre jeton dhe midis tyre vdes.”…







Sunday, 21 February 2021

KATЁR LAJME TЁ MЁDHA PЁR BUJQЁSINЁ BIOLOGJIKE, NЁ BOTЁ, EUROPЁ, BALLKAN, SHQIPЁRI


1. Tё dhёnat e bujqёsisё bio nё botё. Shkurt, 2021

2. Bujqёsia Bio nё inisiativёn e Europёs pёr «Green Europё» 2021-2030

3. Vendim i madh  Kroacisё pёr bujqёsinё biologjike, Shkurt, 2021

4. Bujqёsia Bio nё Shqipёri: Nё vitin 2020, fermerёt bio pёr herё tё parё morёn tё gjitha subvencionet e premtuara. 

Përgatiti: Prof. Ass. Enver ISUFI 

ibb, DURRËS



Tё dhёnat janё marё nga 185 vende tё botёs
***********************
• Nё shkallё botёrore sipas standarteve tё bujqёsisё biologjike menaxhohet 72.3 milion hektarё, me njё rritje 1,6 % ose 1,1 milion hektarё krahasuar me vitin 2018

• 3,1 milion prodhues nё shkallё botёrore, janё angazhuar nё prodhimin e produkteve biologjike.

• Australia ka sipёrfaqen mё tё madhe,3.7 milion ha, Spanja, 2.4 milion ha,

• Europa zё vendin e dytё mes kontinenteve,me 16.5 milion hektarё, e ndjekur nga Amerika Latine me 8,3 milion hektarё.

• Nё shkallё botёrore 1,5 % e bujqёsisё menaxhohet sipas standartit tё bujqёsisё biologjike.

• Nё 16 shtete tё botёs, bujqёsia biologjike zё 10 % dhe mё shumё se s a 10 % tё sipёrfaqes sё pёrgjithёshme bujqёsore.

• Vendet me pёrqindjen mё tё madhe tё bujqёsisё biologjike janё
Lichtenshteni,41 %,Austria 26.1 %,

• Tregu Global I produkteve Biologjike nё vitin 2019 u rrit nё 106 bilion Euro

• Nё Europё tregu bio u rrit nё 45 bilion Eurro

• Disa shtete tё Indisё, janё angazhuar qё nё njё tё ardhme jo tё largёt ta menaxhojnё bujqёsinё, 100% sipas standarteve tё bujqёsisё Biologjike.

• Pandemia e Covid,19, rezultoi nё njё rritje tё qartё tё kёrkesave tё konsumatorёve pёr produkte biologjike.
**************

2. NJE LAJM I MADH NGA ZAGREBI, KROACI, PЁR BUJQЁSINЁ BIOLOGJIKE. (22.02.2021)

                                                       ****

…Kete lajme me poshte e dha Prof.Kroat, prof.DARKO ZNAOR. Eshte nder ekspertet me te medhej ne te bujqesise biologjike ne Europe. Ne vitet 2003-2004 ka ardhur disa here ne Shoqaten tone  te Bujqesise Organike (SHBO), per trajnimin e stafit tone, agronomeve te tjere dhe fermeret qe filluan zbatimin e standardit Bio.

.....Ai  dhe  stafi stafi i tij  mori pjese  ne hartimin e Planit te Veprimi per bujqesine bio te rajonit te Zagrebit per te filluar zbatimin e nje projekti madhor:"BUJQESIA ZAGREBIT,KROACI, TE FILLOI PUNЁN PЁR TA MENAXHUAR BUJQЁSINЁ 100 % ME STANDARDIN E BUJQЁSISЁ BIOLOGJIKE". Ky plan veprimi u miratua. Lexoni tekstin ne Anglisht dhe ne Shqip.

                                                       *****

                        ANGLISHT

...We’ve just made history! The Zagreb County’s General Assembly just adopted our programme and an action plan for going 100% organic! With 33 votes for and 8 abstentions! As far as I know, no other region/country officially adopted such a programme.  

*******************

                        PËRKTHIMI NË  SHQIP

 Sapo kemi bërë histori! Asambleja e Përgjithshme e Qarkut Zagreb sapo miratoi programin tonë dhe një plan veprimi për të shkuar 100 % organik! Me 33 vota për dhe 8 abstenime! Me sa di unë, asnjë rajon / vend tjetër nuk e miratoi zyrtarisht një program të tillë. 

                                               *****

3. EUROPA, NGA NË VITIT 2020 MIRATOI PLANIN:DERI NË VITIN 2030 BUJQËSIA DUHET TË JETË 25% E SIPËRFAQES SË PËRGJITHËSHME BUJQËSORE,KUR SOT ËSHTË 8.5%

4. NЁ SHQIPЁRI, NЁ VITIN, 2020, FERMERЁT BIOLOGJIK I MORЁN PLOTЁSISHT SUBVENCIONET E PREMTURA. SHPRESOJME, TЁ RRITET NUMRI I FERMAVE TЁ MBЁSHTETURA; DHE KORREKTESA E DHЁNIES SЁ SUBVENCIONEVE PЁR FERMAT E ÇERTIFIKUARA SE FREMA “BIO”

                                                *****

Friday, 22 January 2021

M A G J I A E P Y L L I T T Ë B U T R I N T I T

 -  Me rastin e 98 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar! - 


nga: Kristo KAURI

SARANDË

 

Kristo KAURI

Këto ditë të ftohta dimri, dhe në tërësi të një klime të ftohtë politike, ekonomike, vizitova disa herë pyllin e bukur të Parkut të Butrintit për të gjetur pak ngrohtësi. Kur viziton këtë Park, nuk të befasojnë vetëm monumentet e kulturës, por dhe pylli i virgjër që qëndron në këmbë për qindra vjet. Të befason kjo larmi dhe harmoni mijëravjeçare, që gjatë shekujve nuk ka patur shumë ndryshime.

 

Gjithë mjedisi paraqet interes, ofron shumë gjëra befasuese për t’i eksploruar dhe nuk ngopesh sa herë që e viziton. Të duket sikur shkon për herë të parë, dhe gjithmonë përballesh me gjëra të reja. Kur kalon pranë monumenteve të kulturës, befasohesh dhe kërshëria zgjidhet shumë shpejt nga ciceroni apo nga tabelat dygjuhëshe që i shoqërojnë. Shpejt mëson se kur datohen, çfarë periudhe i përkasin, cilës perandori, për çfarë shërbenin…. ,dhe përulesh me respekt dhe admirim për çdo qytetërim.

Krejt ndryshe ndodh kur viziton pyllin këtë monument të gjallë natyror, një sipërfaqe prej rreth 17 ha, që rrethon dhe hijëzon monumentet kulturore dhe krejt mjedisin, nuk e ke këtë privilegj, dhe kërshëria, magjia dhe e fshehta të shoqërojnë në çdo hap. Do të përballesh me misteret e pyllit, me të fshehtat e tij dhe jetën mistike të drurëve.

 

Duhet të komunikosh, dhe të rrish për shumë vite bashkë me Natyrën, të dëgjosh të rrahurat e zemrës së saj, zërin dhe klithmat e saj ..,që ajo të fillojë gradualisht pa u nxituar, të të besojë dhe të tregojë të fshehtat e saj.

Duke ecur në shtigjet dhe rrugicat e këtij pylli, prezantohesh me madhështinë e tij, me forcën dhe vitalitetin e tij. Shumëllojshmëria e habitateve të dafinës, prrallit, ilqes, vidhit, rrënjës, frashërit, lofatës, bungës, qarrit, mretes, koçimares, të shoqërojnë kudo. Një pyll i dendur plot jetë, drurë të mpleksur dhe të përqafuar me njëri –tjetrin, shumica me gjethe gjithmonë të blerta, disa me gjethe të rrëzuara, duket sikur të thonë:

 

-       “O njeri i mirë, kujdes, kjo është shtëpia jonë, këtej mos kalo, mos na prish qetësin, ky është universi ynë që e krijuam me shumë mundim dhe sakrifica.”


Pylltarët e vërtetë dhe njerëzit që e duan Natyrën, e njohin këtë gjuhë, dhe e respektojnë këtë univers, dhe në majë të gishtave të këmbës, pa e shqetësuar dhe pa u pënguar prej tij, vazhdojmë dhe futemi në brendësi.

 

Këtu çdo qenie e gjallë drunore dhe jo, ka gjetur mjedisin qoshen që i takon.

Lufta e ashpër për ekzistencë, ka detyruar prrallin, dafinën, koçimarën, ullastrën .. që të përballën me rrënjën, frashërin, vidhin, qarrin, ilqen.. dhe t’ja dalin me sukses. Përballesh dhe me urrthin, morenzën dhe shumë bimë kacavjerrëse, që duke u mbështetur të drurët e tjerë, duke ngulur mirë venduzat për të thithur limfën, kanë arritur deri në majë mbi 25 metra lartësi.

 

Poshtë këtyre të befason filizëria e pasur, e shumëllojshme, me lartësi të ndryshme, që rriten nën kujdesin e drurëve prindër. Këtu drita futet vetëm 3-5%, se e pengon çatia e drurëve mëmë. Në këto kushte, realizojnë proçesin e fotosintezes, vetëm sa për të jetuar. Nuk harxhojnë energji, forcë dhe rezerva ushqimore. Vetëm zhvillimi i ngadalshëm, i qëndrushëm, është e vetmja garanci, që një pjesë e tyre të shijojë pleqërinë e thellë 200- 300 vjeçare.


Drurët funksionojnë tamam si njerëzit, kanë kujtesë, shkëmbejnë informacion, ndjejnë dhimbje, digjen nga rrezatimi diellor, pësojnë paraliza nga ngricat, krijojnë si njerëzit rrudha të thella në lëkurë. Edhe ato si njerëzit kanë kundërshtarët dhe armiqtë e tyre. Kur sulmohen, lëshojnë aromat e tyre paralajmëruese, duke u dhënë informacione dhe drurëve të tjerë që të marrin masat e duhura.

 

Në pyll ka një kod të pashkruar që përcakton misionin dhe detyrat e çdo individi. Kush nuk e zbaton e ka vështirë të jetojë.

 

Të bien në sy disa drurë dinakë, që përdredhin trupin dhe kurorën e tyre, që të arrijnë më shpejt në dritë. Bigëzojnë trungun dhe përpiqen të kalojnë gjitonin për të arritur në majë. U pëlqen si shumë njerëzve, që të jenë vetëm në majë. Ato nuk do të mbrrijnë kurrë në majë, se nuk do t’i rezistojnë forcës së erës dhe egërsisë së saj, ato do të thyhen. Vetëm drurët e drejtë, të lëmuar, elastik, të qëndrueshëm, që nuk nxitojnë, do të mbeten në lojën e jetës.

 

Pak me tutje përballemi me një dru mëmë të rrëzuar,e të shtrirë për së gjati në tokë, pa jetë.. Ai qëndroi në kembë mbi 300 vjet, duke ofruar shërbimet e tij të çmuara, mjedisit, bashkësisë, krijesave… Por edhe tani i vdekur, pjesërisht i kalbur, do të vazhdojë të japë shërbime të çmuara ekosistemit për shumë vite akoma.

 

Në trungun dhe degët e tij, një jetë tjetër po aq e gjallë dhe e larmishme ka filluar. Mijëra kërpudha, bakterie, mikroorganizma, insekte, e kanë pushtuar, dhe secili specialist i mirëfilltë në punën e tij, po luftojnë që t’ja rikthejnë tokës të përpunuar. Një pyll mund të funksionojë pa derrin, kaprollin, ujkun, dhelprën..,por është e pamundur të jetojë pa këtë ushtri, pa këtë bashkëpunim, pa këtë zinxhir ushqimor midis vdekjes dhe jetës. Kjo ushtri është fillimi i zinxhirit ushqimor në këtë ekosistem, ajo gjëndet kudo në çdo mjedis dhe dru të pyllit, e gatshme për të sulmuar pikat e dobëta.

 


Vazhdoj ecjen nën drurët e mëdhenj të ilqes, prrallit, rrënjës,frashërit, që gjatë gjithë jetës së tyre kanë arritur diametër mbi 80 cm. Në trung, në degë dhe në rrënjë, gjatë 200 viteve e kusur, në sajë të fotosintezës kanë fiksuar me mijëra ton CO2. Që të realizohet ky sherbim duhet të egzistojë pylli, duhet të funksionojë kjo makinë gjigante natyrore, siç funksionon këtu.

 

Sa e rëndësishme është që pyllin ta lemë të qetë, ta ruajmë, ta lemë në mbretërinë e tij. Ai do t’i formojë vetë kushtet dhe do të japë shërbime të çmuara, pa qenë nëvoja të investojmë. Ja këtu, nuk është bërë asnjë investim, por lumturohesh dhe befasohesh që shikon një mjedis plot jetë.

 

Të befasojnë drurët dhe shkurrët e gjalla në këmbë, sipas kateve. Të impresionojnë drurët e thatë, të rrëzuarat, të kalburat, të befason legusha e trashë, ky dyshek i madh natyror, plot jetë, ku në një grusht me këtë humus gjenden më shumë mikroorganizma, se sa njerëz mbi planet.

 

Hasim drurë mbi 100 vjeçarë, dhe duken sikur kanë kaluar rininë e parë, shikon rrudhat e lëvores të drurëve 200 vjeçarë, dhe ne pylltarët jemi në gjendje të dallojmë moshën, vuajtjet ,apo lumturinë e tyre. Shikon drurë mbi 300 vjeçarë, që u është reduktuar kurora, fuqitë e tyre me kalimin e moshës janë zvogëluar ,dhe nuk janë në gjendje të furnizojnë degët dhe majat, që gjenden atje lart mbi 20 metër.

 

Pak më tej një dru tjetër qëndron ende në këmbë, dhe ka vetëm trungun dhe degët e trasha, pa asnjë degëzim, pa jetë, dhe do të qëndrojë kështu për shumë vite akoma. Poshtë tij, filizat, krijesat e tij, janë më të gjalla, me të rritura, dhe të gatshme që me ardhjen e pranverës të nisin garën për mbulimin e hapësirës që krijoi vdekja e prindit të tyre.

 

Ato nuk nxitohen, akoma kanë nevojë për shërbimet e nënës së tyre. Nëna i ka mësuar të mos nxitojnë, të jenë të mençur, të rriten avash, duke forcuar qelizat e trungut, rrënjët t’i fusin thellë dhe të grumbullojnë sa më shumë dritë, ujë dhe rezerva ushqimore.

 

Duke ecur, lumturohesh me këtë larmi drurësh, qeniesh, mikroorganizmash në një sipërfaqe kaq të vogël. Tek kjo larmi qëndron sekreti dhe jeta mistike e drurëve, magjia e pyllit dhe ekosistemit, këtu qëndron vazhdimësia dhe qëndrushmeria e tij. Sa më shumë lloje të gjenden, aq më vështirë përhapet dhe sundon një individ në kurriz të tjetrit. Ai gjithmonë do të ndeshet më praninë dhe luftën e kundërshtarit.

 

Natyra është e bukur, është mistike, është magjike, është madhështore, por është dhe mësuese e ashpër. Kush nuk tregohet i kujdesshëm dhe nuk përshtatet me mjedisin, me ligjësitë dhe kodet e saj, kush nuk zbaton mësimet e saj e ka vështirë t’i mbijetojë hakmarrjes së saj.

 

Këto ndjesi, këto emocione, këto mendime e meditime, përjetoj sa herë vizitoj dhe bashkëbisedoj me pyllin magjik të Butrintit.




Monday, 18 January 2021

NDAHET NGA JETA SOTIR PANI, NJERIU QE DESHI MEGJITHË SHPIRT DARDHËN DHE SHQIPËRINË

“Jeta është e gjatë kur është e plotë. Le ta masim jetën me veprat dhe jo me kohën” Seneka

                                                                 nga: Fuat MEMELLI

Boston, MA

Sotir PANI
(1934 - 2021) 

Covidi na mori edhe një shqiptar tjetër. Në kthetrat e tij ra edhe dardhari, Sotir Pani. Kishte rreth 12 ditë që luftonte me virusin në një nga spitalet e Bostonit. Megjithë shërbimin e veçantë që iu bë, nuk ja doli dot. Në prill do festonte 86 vjetorin e lindjes. Megjithë vitet mbi supe, ai ishte plot energji. lëvizte, takonte shokë e miq, përjashto periudhën e virusit. Punonte kopështin te shtëpia e Andreas, djalit të tij. Kujdesej për perimet që mbillte vetë. Kujdesej që të rritej shpejt  një filiz kumbulle i sjellë nga Dardha prej Andreas. Ajo kumbull i dukej si një “copëz” Dardhe.  

Lexonte e shkruante. Mbante ditar që nga viti 1954 dhe kishte shkruar 1000 faqe. Shkonte në kishat shqiptare të Bostonit. Fliste në veprimtari të ndryshme të shqiptarëve që zhvilloheshin këtu. Mosha nuk e pengonte për të qënë aktiv. Na merte në telefon ne shokët e tij. Edhe ndonjëherë kur ne “binim në gjumë”, ai na “zgjonte” Nuk ndihej i plotësuar po mos komunikonte me njerzit, po mos dëgjonte zërin e tyre, po mos bënte shaka me ta. Na kujtonte jo vetëm neve këtu në Boston, por edhe miq të tjerë në Amerikë, në Shqipëri e vende të tjera ku jetonin miqtë e tij. 

Komunikonte në Amerikë me shkrimtaren dardhare, Rozi Theohari, fizikantin e shquar dardhar, Petrit Skënde, që të dy kanë ndruar jetë, me veprimtarët  dardharë në Uster, Vaskë Bruko, Klodi Melka, etj. Nuk harronte të merte në telefon miqtë e tij Teodor Laço,  Niko Balli e dardharë të tjerë që jetonin në Shqipëri. Dardha ishte pjesë e shpirtit të tij. Dashuria e malli për të nuk kishin kufi. Kontribuoi edhe për kishën dhe muzeun e ri të Dardhës. Fliste shpesh edhe me kolegët e tij zooteknikë në Shqipëri, si Nevrus Shtylla, Viktor Puka, Sotir Pasko, etj me të cilët kishte punuar një jetë.

Me shkrimtaren dardhare Rozi Theohari
Në rrugëtimin e gjatë të jetës së tij ka plot “stacione” ku ai ka lënë gjurmët e veta. Vështirë t’i përmendësh të gjitha. Po ndalem vetëm në disa prej tyre. Pasi mbaroi Institutin e Lartë Bujqësor, punoi 8 vjet zoteknik dhe dy vjet shef bujqësie për rrethin e Korçës. Këto 10 vjet punë në këtë rreth ishin një shkollë e dytë për të, pasi njohu e punoi me shumë specialistë e fshatarë. Siç thotë vetë në kujtimet e tij shkoi e takoi njerëz në 200 fshatra të rrethit të Korçës.

 “Stacion” tjetër i punës së tij ishte Devolli. U caktua kryetar i kooperativës së fshatrave Vranisht - Pilur - Bickë, ku qëndroi afro katër vjet. Edhe pas largimit që andej, ai e mbajti miqësinë me fshtarët jo vetëm sa ishte në Shqipëri, por edhe pasi ardhi në Amerikë. Kjo ndodhte pasi Sotiri ishte njeri i “tabanit, i rogozit” siç thotë populli. 

Teknikumi Bujqësor “Irakli Terova” ku u caktua drejtor, ishte “stacioni” i fundit i tij i punëve në rrethin e Korçës. Do largohej nga Korça për në Tiranë ku ishte emëruar. Po largohej nga qyteti që e deshte aq shumë, nga qyteti ku kishte kryer shkollën 7 vjeçare e të mesme, nga Korça ku punoi aq vjet, nga qyteti ku njohu dhe u martua me bashkëudhatren e jetës, Ritkën e tij të dashur, siç e thëriste shkurt ai. Puna dhe jeta e tij më pas vazhdon në Tiranë. Ministria e Bujqësisë e emëron zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Tiranë. Më pas vazhdon përgjegjës i sektorit racor e më pas kryespecialist i Stacionit të Gjedhit e Shpendëve. Gjatë viteve të punës shkroi e botoi plot artikuj për blegtorinë. Me skenar të tij unë realizovarë dy dokumentarë me temë nga blegtoria. Në Stacionin e Gjedhit e Shpendëve, punoi 10 vjet deri sa doli në pension. Kur filluan grabitjet e shkatërimet edhe në këtë stacion në fillim të viteve ’90, nuk nuk i duronte dot , doli para kohe në pension dhe shkoi me gruan e fëmijët në Dardhë. Më vonë u rikthye përsëri në Tiranë.

Pas viteve ’90, emigrimi u rizgjua edhe në familjen e tij. Kjo ndodhi për arsye se ai kishte patur në Amerikë, gjyshin e tij Josif Pani, patriot i shquar, mik i Nolit dhe Konicës. Kishte patur edhe babanë e tij, Vasil Pani, figurë e shuqar edhe ky i shqiptarëve të Amerikës. Babai i tij shok i ngushtë gjithashtu i Konicës dhe Nolit. Vasili ishte kryetar i “Vatrës “ për 11 vjet. 

Në fillim në vitin 1995 ardhën në Boston dy djemtë e tij, Andrea dhe Vasili. Ardhi për vizitë edhe Sotiri. E që nuk ariti ta marë nga Dardha në Amerikë familjen e tij .Takoi shumë dardharë e shqiptarë të tjerë. Vizitoi varrin e të jatit, ndarë nga jeta në vitin 1947, vizitoi varrin e  Nolit e Konicës. Qëlloi që atë vit do ktheheshin në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Kulturës së atyre viteve, Teodor Lço. Konica duke qënë shok i ngushtë i të jatit, nuk mund të rinte pa pa folur aty edhe Sotiri.. Si u shmall me njerzit e tij në Amerikë, Sotiri u kthye në Shqipëri për të jetuar në Dardhë e në Tiranë. Por, malli për djemtë, për motrën, për njerzit e tjerë që ardhën në Amerikë pas viteve ’90, filloi ta brejë.

Me djemtë e tij:  Andrea dhe Vasili 
Në vitin 1996, le Shqipërinë dhe vjen bashkë me gruan të jetojnë në Boston pranë djemve të tyre. Kalonin vitet dhe malli për Dardhën e Shqipërinë ndizej më shumë. Krahas bisedave në telefon, brenda 10 viteve të para në Amerikë dërgon në Shqipëri 400 letra dhe mer prej andej 350 .Është ky një rast i rrallë i njerëzve që të kenë dërguar kaq letra në atdheun e tyre. Siç ka thënë Horaci ”qiellin po jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. Në Boston takon shokë e miq të tij si dardharin Kiço Çeku, korçarin Jani Plasa, gjirokstritin Kostandin Mosko, mua sinicarin e plot të tjerë. Ne miqtë e tij këtu e quanim  kryetar i grupit ”Na bashkoi Bostoni”.

Me te shoqen, Margaritën

 Shkon në biblioteknën e Bostonit dhe lexon gazetat “Dielli” “Kombi” e “Sazani”. Mbledh të dhëna për gjyshin, të jatin, për Sotir Pecin e dardharë  të tjerë. Shkoin në kishat shqiptare “Shën Gjergji” e “Shën Trinia” ku meshojnë At Artur Liolini dhe Peshkop Ilia Ketri. Kënaqej kur meshonte  në shqip Peshkop Ilia dhe thoshte:” Gjuha shqipe na ngjit në zemër”. Me një grup shqiptarësh si At Artur Liolini, Polikron Trebicka, Sotiri dhe djali i tij Andrea, u bënë nismëtarë për hapjen e shkollës shqipe në mjediset e kishës së Shën Gjergjit. Pas dy vjetësh me shkollën u mor shoqata “Mass.Besa”.  Ndër nxënësit e shkollës ishin edhe katër nipërit e tij. 

Me dardharët e Usterit insiston për ringritjen e shoqatës “Bleta” ku zgjidhet zv. kryetar i saj. Rrallë ka veprimtari të shqiptarëve të Bostonit ku të mos ketë folur Sotiri si ajo për 28 Nëntorin, në veprimtarinë kushtuar 100 vjetorit të kishës së Shën Gjergjit, në takimin e organizuar nga kisha Shën Trinia për jetën dhe veprën e mikut të tij, Dritëro Agolli, në takimet e organizuara nga shoqataa “Bleta” , etj. Çdo 28 Nëntor në shtëpinë e tij në Boston, ngrinte flamurin shqiptar, siç kishte vepruar prej shumë vitesh edhe në Dardhë. Në shtëpinë e tij në Dardhë si dhe në Boston, kishte përgatiur dy fotoekspozita, kushtuar gjyshit e babait të tij si dhe patriotëve të tjerë dardharë 

Ndër punët e veçanta në Boston, ishte edhe botimi i  librit për jetën dhe kontributin e gjyshit dhe babait të tij, Josif e Vasil Pani. Porosinë për të shkruar këtë libër, ia kishte dhënë Skënder Luarasi kur kishte qënë në Dardhë. Edhe titullin” At e bir për mëmëdhenë”, Skënderi ia kishte thënë. Punoi shumë për këtë libër dhe me ndihmën e mikut të tij, redakktorit Kolec Traboiini, libri u botua dhe u promovua në Muzeun Historik në Tiranë. Sotiri kishte në plan të botonte edhe një libër tjetër për emigrantët dardharë në Amerikë. Kishte mbledhur shumë të dhëna e dokumenta por… virusi i rezikshëm nuk e la ta kryejë këtë punë. Megjithatë puna e tij siç thotë Seneka”, matet me veprat e jo me kohën”.

Në promovimin e librit "At e Bir për Mëmëdhenë" në Muzeun Kombëtar, Tiranë
Sotiri u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti, duke shkaktuar një plagë të thellë te fëmijët e tij , te miqtë e shokët e shumtë. Ai iku të prehet pranë Ritkës, shoqes së tij të jetës e cila ndrroi jetë disa vjet më parë. Ai iku por la pas emrin e tij të nderuar,  “mbolli” shpirtin e tij patriotik , dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë te djemtë, Andrea dhe Vasili, te katër nipërit e mbesa, etj. Situate e virusit do t’i pengojë shumë shokë e miq të tij për t’i bërë nderimet e fundit, ashtu si e meritonte. Por, ata do mblidhen një ditë , do flasin me dashuri e mall për të dhe ai do t’i dëgjojë aty lart ku prehet.

 Lamtumirë miku ynë Sotir Pani! U prehsh në paqe!


Lamtunirë SOTIR PANI!


Të dashur Andrea dhe Vaskë, 

djem të Sotir Panit, babait tuaj të nderuar dhe mikut tonë të pa harruar

Nipa të tij që ju deshte dhe e deshit aq shumë, të afërm, miq e shokë të Sotirit 

Nuk desha t’i shkruaj këto fjalë lamtumire për Sotir  Panin, pasi nuk e mendoja se do na ikte kaq shpejt. Por jeta kështu qënka. Zot i mer njerzit e mirë për t’i patur pranë vetes. 

Për Sotirin mund të shkruhen faqe të tëra, mund të shkruhet libër, e përsëri është pak, pasi me jetën dhe veprën e tij, me dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë, me dashurnë që kishte për njerzit, me zemrën e tij bujare, ai la pas një emër të nderuar, që jo të gjithë e lenë në këtë botë. Ja gatuan këto cilësi nëna e tij, gjyshja dhe njerzit e tjerë dardharë. Ai eci në gjurmët e gjyshit dhe babait të tij, Josif dhe Vasil Pani, patriotë të mëdhenj , shokë të Nolit dhe Konicës. 

Janë të shumtë “stacionet” e jetës ku punoi dhe jetoi ai. Po ndalem vetëm në disa prej tyre, pasi nuk është vendi këtu për t’u zgjatur. Pas mbarimit të Univeritetit Bujqësor në Tiranë, ai punoi zooteknik , shef bujqëise e drejtor shkolle në Korçë, si dhe kryetar kooperative në Devoll  Më pas emërohet në Tiranë zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike  e pastaj  përgjegjës  sektori në një nga stacionet e këtij instituti.

Në filliim të viteve ’90, kur në Shqipëri filluan shkatërrimet, Sotiri nuk i duronte dot dhe doli para kohe në pension. Në vitin 1996 vjen në Amerikë, në vendin ku kishte qënë gjyshi dhe babai i tij, ku kishin ardhur edhe dy djemtë e vet. Amerika u bë për të atdheu i dytë, por shpirti kishte mbetur në Shqipëri, në Dardhë e në Tiranë,  te shokët dhe miqtë e tij me të cilët punoi një jetë. 

Edhe këtu , tashmë pensionist, ai nuk ndenji duarkryq, por punoi duke lënë plot gjurmë në komunitetin shqiptar të Bostonit. Kontribuoi për kishën, për hapjen e shkollës shqipe për fëmijët shqiptarë, shkroi ibrin “ At e bir për mëmëdhenë’ që i kushtohej dy figuravve të shquara, Josif e Vasil Panit. Në plan kishte edhe një libër tjetër për emigracionin e dardharëve në Amerikë, por nuk e la virusi ta realizonte këtë ëndërr. Megjithatë, mos të mbetet merak miku ynë. Ti dhe aq shumë sa e ke shkruar me gërma kapitale jetën tënde. 

I shtrenjti Sotir Ti kishe këtu në Boston një grup të madh shokësh. Unë po përmend vetëm disa prej tyre si Hirësi Ilia Ketrin, At Artur Liolinin, Kiço Çekun, Jani Plasën, Kostandin Moskon, mua, e plot e plot të tjerë. Kishe miq besimtarë të shumtë në dy kishat shqiptare në Boston; kishe miq gjithë dardharët në Uster. Kishe gjithë ata shokë në Shqipëri, të cilët ikja jote i trishtoi shumë. Veç Dardhës, ti kishe dashuri e mall edhe për Sinicën e sinicarët. Kur vinje në Dardhë, zbrisje edhe në Sinicë, takoje miqtë e tu, fotografoje e filmoje fshatin tonë. Ti ke qënë edhe te shtëpia e prindërve të mi dhe unë kam qënë te shtëpia jote në Dardhë.Kemi bërë  filma së bashku. 

Oh sa shumë kujtime që kam për ty! Për arsye shëndetësore , nuk munda dot të vij në përcjelljen tënde, siç nuk ardhën dot edhe shokët e tu si Kiçua, Jani, Kosta, etj..Por, ne shokët e miqtë e tu, që na le një plagë në zemër, do mblidhemi përsëri, do të kujtojmë e flsim për ty, pasi ti ke lënë mes nesh një mal me dashuri. 

Lamtumirë  miku ynë i shtrenjtë, Sotir Pani! U prehsh në paqe!   

Me dhimbje, Fuat Memelli, Boston, 9 janar, 2021