Wednesday, 9 October 2019

GATIMET ME MIELL GRURI, USHQIMI BAZIK I SHQIPTAREVE


Punoni o këmbë e duar
Të hani bukë e lakruar”
Populli
         
   
              Në menutë shqiptare çdo gjë mund të ndryshojë, vetëm buka, ky asortiment bazik, ka mbetur e njëjtë, përditë e për çdo vakt, për mijëra vjet me radhë. Shqiptarët kur ulen të konsumojnë ndonjë ushqim thonë: “do të hamë bukë”, ose “u shtrua buka”. Në shekuj buka konsiderohej e shenjtë. Nuk duhej të shpërdorohej, të lozje me të, ta hidhje poshtë, apo më keq, ta shkelje me këmbë, sepse “ishte gjynah nga Zoti”. Mbeturinat e bukës përdoreshin ushqim për bagëtinë, apo shpendët shtëpijake. Asnjë thërrime nuk duhet të shkonte kot. Sofra(sufrai) nuk duhej të mbetej zbrazët, pa një fetë bukë edhe kur të ngrënët kishte përfunduar. Betimi më i zakonshëm ishte: “për këtë bukë”, ose “më zëntë buka sytë”, “betohem për bukën që hamë”. “Bukë e krypë e zemër, mirëseardhe”, i thuhej mikut në hyrje të shtëpisë.  Gjithashtu edhe mallkimi më i rëndë për shqiptarët ka qenë: “Të zëntë buka grykën, apo sytë”, etj. Ky respekt dhe vlerësim i trashëguar brez pas brezi, ishe ngulitur thellë në ndërgjegjen e çdo individi, sepse buka ishte jetike, sigurohej me shumë vështirësi, sakrifica e mundime.
 
            Sipas burimeve të shumta historike e arkivore, të shkruara dhe zbulimeve arkeologjike, që në lashtësi, shqiptarët janë shquar për prodhimin e drithërave, sidomos në llojet e gatimit të bukës. Për prodhimin e bukës, në prehistori, sipas historianeve bimorë, epirotët domestikuan lënde valanidhi, një lloj lisi, duke përmiresuar vetitë e tyre ushqyese, por kjo nuk dihet pse nuk u vazhdua më tej, por u ndërpre. Gjatë gërmimeve arkeologjike në fshatin Vashtëmi të Korçës, një ekspeditë shqiptaro-amerikane ka zbuluar se aty ka qenë një nga vendet e para pioniere në Europë ku fshatarët kultivonin drithërat e bukës. Ky zbulim, daton 8600 vjet përpara. (Allen&Gjipali, 2014,2016).
 
            Shqiptarët kanë qenë nga të parët në Evropë edhe për gatimin e bukës, madje ishin ata që e shpërndanë këtë gatim në popujt e tjerë të Europës. Me pushtimin e Ilirisë prej romakëve, shek II pk., filluan të shfaqen në Romë furrat e bukës. Plutarku shkruan se mbasi në Epir romakët dogjën 70 qytete sollën me vete skllevër për t’u shërbyer në shtëpitë e tyre. Sipas prof. Niko Qafëzezit referuar një studjuesi italian, Pajonët ishin të parët që u mësuan Masapeve teknikën e gatimit të bukës, etj. 

            Sundimet e gjata nga okupatorët e huaj, luftrat që nuk kanë reshtur kurrë këto 20 shekujt e fundit, nuk i kanë lënë këta banorë paqësorë të zhvillojnë në qetësi aktivitetet jetësorë. Populli ynë, ashtu, përmidis barbarizmave dhe luftrave të gjata, cfilitëse e të pabarabarta, diti si të vazhdonte të prodhojë ushqimin e të mbijetojë, duke refuzuar me armë për të mos u shkulur nga vatrat. Një pjesë u rrudhën nëpër male. Atje, me shumë durim, punë të mundimshme, shpesh midis gurëve e bokërrimave, mbuallën arat dhe mbijetuan për mijëra vjet. Tokat i mbillnin me drithëra dhe më së shumti me grurë, për të siguruar jetesën e përditëshme. Të parët tanë i quanin ose vetquheshin Arbër, që për disa studjues do të thotë arë-bërës.

            Të habit mjeshtëria, finesa dhe prakticiteti i ndërtimit të këtyre arave; format e tyre të përshtatura estetikishit me mjedisin. Arbërit ashtu siç janë shquar në ndërtimin e banesave, objekteve fortifikuese, ndërtimeve sociale si urat, çesmat dhe ujësjellësit, po aq të talentuar e krijues shfaqen edhe për bërjen e arave në male. Destabilizimet dhe okupimet e bënin të vështirë gjetjen e tregjeve me leverdi, sepse dhe në fusha prodhimi i grurit ishte i paktë. Ishte mungesa e nje shteti të mirfilltë shqiptar ku të përfshiheshin të gjitha trojet etnike shqiptare për të pasur një treg të qëndrueshëm e shkëmbime të ndërsjellta. Ndaj prodhimi i grurit fillimisht përbënte një nevojë jetike, ishte një lloj kodi. Me kalimin e një kohe të gjatë kjo u bë edhe traditë. Motoja e këtyre njerëzve punëtorë e paqësorë ishte: “Puno si rob e jeto si zot”.
 
            Përpara çdo gjëje ishte ushqimi për familjen, buka e përditëshme. Kjo duhej të sigurohej edhe në kushtet e luftrave dhe okupimeve, madje të qe e mirë, e shijshme, e shumëllojëshme. Shqiptarët si mbartës të një civilizimi e qytetërimi të lashtë, kishin kërkesa të larta për ushqimin në vatrat e tyre. U duhej të gatuanin një shumëllojshmëri të madhe bukësh e ushqimesh të tjera me bazë grurin që e prodhonin vetë, të një cilësie të mirë e të kontrolluar. Llojshmëria dhe cilësia e bukëve që ata gatuajnë bëjnë xhelozë edhe sot marketot më të mira të tregëtimit të ushqimeve. Këto nuk bëheshin në njësi të specializuara, por i përgatitnin amvisat nikoqire, fluturat duararta, në shtëpitë e tyre, atje rrëzë shkrepave të maleve, në bazë të një kodi të pashkruar që trasmetohej nga nëna tek e bija, nga vjehrra tek nusja, në mijëra breza.
 
            Shtëpitë e ndërtuara që në vitet 1700, apo edhe më herët, dëshmojnë se secila kishte edhe furrën e vet të bukës për nevojat familjare. Disa shtëpi kishin edhe dy të tilla, një për të pjekur byrekët, qollopitat, birjanët me oriz apo tavat me patate dhe një më të madhe për bukët. Gjatë perandorisë osmane të shumtë qenë ata shqiptarë që ushtronin zanatin e furëxhiut në Stamboll e gjetkë. Këtu në SHBA, në Detroit të Michiganit, unë kam njohur një biznes të tillë. Emigranti lunxhiot, Jani Kardhashi, i emigruar në vitin 1935. Mbasi bëri shërbimin ushtrak në Japoni në vitet 1942-1946, kur u kthye së bashku me lunxhiotin tjetër nga Stegopuli, Petro Boga, hapën një furrë buke për hot dogs dhe hamburger, nga më të mëdhenjtë dhe modernët në shtetin e Michiganit, për kohën dhe llojin e vet. Konkuronin me sukses në atë xhungël biznesesh agresivë. Ata kishin të punësuar deri në 70 punëtorë. Këtë furrë e menaxhuan me sukses për më se 45 vjet, deri në vitin 2000, pastaj e mbyllën pasi kishin arritur moshën 80 vjeçare. Fisi Lena nga fshati Selckë kishin ndërtuar një perandori të tërë me ëmbëltore e restaurante në Stamboll të cilat i shtrinë edhe ne Nju Jork e Nju Xhersi me restorantet zinxhirë Wendy’s. Një biznes i suksesëshm me gatime gjysme te gatëshme me miell gruri, është ngritur e funksionon edhe aktualisht nga familja lunxhiote Kiço Noti në Tiranë. Ky biznes i njohur nën logon “Trahana Lunxhëria” është bërë i njohur tani jo vetem në Shqipëri, por dhe më gjerë. Shembuj të tillë ka plot.

            Bima e grurit e kultivuar rreth 8-10 mijë vjet më parë në vendet më të civilizuara të asaj kohe, sot në botë është bërë ushqimi  kryesor i njerezimit. Eshte ushqimi më i mirë në krahasim me të gjitha drithërat e burimeve të tjera ushqimore. Është burimi kryesor i kalorive në ushqimin e njerëzve dhe të kafshëve. Nevojat për këtë ushqim gjithnjë e më shumë vijnë duke u rritur. Ritja e popullsisë botërore sipas të dhënave të FAO-s llogaritet me 1,5 % në vit, ndërsa rritja e prodhimit të grurit llogaritet me 0,9 %. Sipërfaqja e mbjellë me grurë në botë është më e madhja se çdo kulturë tjetër bujqësore, rreth 220 milion hektarë në vit. Prodhimi grurit këto 50 vjetët e fundit ështe rritur rreth 2, 5 herë, kryesisht me rritjen e rendimentit. Prodhimi i grurit dhe drithrave në përgjithësi është prioritet strategjik i vendeve të zhvilluara. Këto vende shpenzojnë shuma të mëdha monetare për kërkime shkencore, plehra, pesticide, mekanikë, etj.
Prodhimi i grurit në botë gjithmon në ritje.
            Trojet shqiptare  kanë kushte të përshtateshme për kultivimin e grurit dhe drithrave në përgjithësi, ka një eksperiencë dhe traditë mijëravjeçare, ka fusha pjellore si: Fusha e Kosovës, Myzeqeja, Fusha e Korçës, Ultësira e Veriut . Jo e vogël dhe jo më pak pjellore është edhe Lugina e Drinos në Gjirokastër, etj. Sot në Shqipëri importohet mbi 200 mijë ton drithëra, të cilat mund të prodhohen pa vështirësi. Sigurimi i kësaj sasie në vend do të bëjë të zihen më shumë njerëz në punë, të zhvillohen e të popullohen zonat rurale, të rriten të ardhurat e banorëve dhe të shtetit. Do të rritet cilësia e ushqimeve e nuk do të detyrohemi të marrim të fshirat e hambarëve të botës. Si specjalist i mbrojtjes së bimëve e njoh mirë rrezikun toksik të sëmundjeve e dëmtuesve të grurit në fushë dhe gjatë ruajtjes në depo si dhe të kimikateve që përdoren në drithrat e bukës. Duke i përdorur pa kriter, ose duke mostreguar kujdes, këto  bëhen të rrezikshme për shëndetin e njerëzve e të kafshëve, sidomos kur nuk ka kontroll. Eshtë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që karantina bimore dhe laboratorët në Shqipëri të kenë garanci për këto.

            Shteti, qeveria, duhet t’i kushtoje vemendje prodhimit të grurit dhe drithrave në përgjithësi, t’i subvecjonojë fillimisht, sa të mëkëmbet ky aktivitet. Me liberalizimin e vizave dhe hapjen e kufijve, tregtia është e lirë , kushtet kanë ndryshuar, ka konkurencë. Por çfarë duhet bërë?
Shteti të ndihmojë fermerët me mjete mekanike e agregate bujqësore, të ulet çmimi i naftës, të përjashtohen nga taksat tregtimi i farërave dhe i imputeve bujqesore, të rritet puna kërkimore shkencore me farërat, etj, tregu i grurit të jetë i sigurtë për prodhuesit e grurit duke ndërhyrë edhe shteti me politika fiskale e grumbullimin i tepricave që nuk shkojnë në treg, etj. Guri ka mundësi të ruhet në depo për një periudhë të caktuar kohore.
Pamje nga Lugina e Drinos, Gjirokastër


DISA NGA USHQIMET QE PERGATITEN ME MIELL GRURI

            Në këtë paraqitje të shkurtër të ushqimeve që përgatiten me miell gruri nuk kam qëllim  të jap recetat e sakta të këtyre gatimeve. Më shumë dëshiroj të bëj një ekspoze të llojeve të shumta aq të shijëshme. Unë jam bazuar në gatimet e këtij lloji tek ato që i kam njohur e i kam shijuar, në familjen time, vendlindje, krahinën e Lunxhërisë e krahinat e tjera të Rrethit të Gjirokastrës. Natyrisht mundet të ketë dhe lloje të tjera që nuk janë pasqyruar. Çdo krahinë apo fshat, madje dhe çdo familje ka të veçantat  e veta për përgatitjen e këtyre ushqimeve. Duhet theksuar se këto gatime janë tradicionale dhe  përgatiten nga shumica e shqiptarëve. Kështu është gatuar të paktën për 300-500 vjetët e fundit.  Disa lloje janë gatuar shumë më herët. Unë besoj fort se kuzhina shqiptare ështe një nga kuzhinat ku gatuhen lloje të shumta e mjaft të shijëshme, nga ku edhe kuzhinat e tjera kanë se çfarë të mësojnë. 
1Bukë e zezë, çurek: Kjo është buka e zakonshme për ushqimin e përditshëm. Mielli sitet me sitë jo shumë të imtë, për të larguar krundet në magje të bukës ose tepsi. Miellit i hidhet brumi i thartuar(maja) që mbahet në një enë balte, krypa dhe ujët. Mbruhet mirë dhe pasi tepsinë ose tavat i kishim lyer me ushunj(dhjamë të shkrirë derri), ose vaj apo gjalpë (këta artikuj përdoreshin rrallë), hidhej në tepsi brumi dhe lihej të vinte. Pas kësaj futej në furrë apo në saç për ta pjekur. Kur nxirrej, ashtu e ngrohtë, e quanin franxollë. Ajo mbante një aromë dehëse  karakteristike. Më parë bukët bëheshin në tepsi të rumbullakta, kurse tani në tava në forma katërkëndeshe.
Bukë në kushtet shtëpijake(nga interneti)
 2. Bogaçe apo pogaçe: Kjo lloj buke, mund të quhet edhe bukë e bardhë, bëhej në tepsi të rrubullakta, për ditë të shënuara (sebepe), kryesisht për dasma, ku dhe mund të çohej dhuratë nga të afërmit e mbështjellë me një shami(boksha) të bukur. Zakonisht e shoqëruar me një barrë dru, një kabash (farfuri, mund të qe dhe plloskë ) me verë dhe një mish, që mund të ishte dash, ftujak ose sheleg, sipas afërsisë dhe detyrimeve që kishin ndaj familjes ku bëhej dasma. Për këtë ceremoni nga të afërmit e shtëpisë, në çastin që mbërrinte kjo dhuratë, këndohesh kjo këngë:
Ashtu të paçim vaki
Xhaxha Leko(emëri i xhaxhait)
Në dasmëra, në shtëpi
Leko vëllai
Ne dasmë të vajzës-o
Moj Tanë motra(xhaxhesha)
Tani shpejt e afër-o,
Tanë motra
Pastaj në të djalit-o (shpesh permëndeshin edhe emrat)
Leko vëllai …..etj.
… e kështu me radhë u këndohej të afërmve që binin këto dhurata.  Bogaçet bëheshin dhe për ditë të tjera të shënuara kur në shtëpi priteshin miq ose për festimin e emrave, etj. Për të bërë bukën bogaçe duhej që gruri të qe i pastruar mirë, i larë dhe i  bluar hollë(ëndë) dhe sitej me sitën më të imët. Gatimi bëhej si buka çurek. Duhej të mbruhej mirë. Bogaçet zbukuroheshin në faqen e sipërme me disa rrathë e ndarje me anën e dhëmbëve  të një piruni. Viheshin për t’u pjekur në furrë ose saç. Për bërjen e bogaçeve në këto ceremoni, puna fillonte javën e dasmës me një rit të lashtë. Ditën e ënjte në darkë, mblidheshin njerëzit e afërt dhe të ftuarit  “Për të zënë brumët” e bogaçeve. Ky rit dasme fillonte duke situr miellin në magjet e bukës. Gjatë kësaj kohe këndohej edhe kënga:
Sonte që zëmë brumët-o,
Me mjalt’ e me qumësht-o,
Uromë, mëmë uromë,
Uromë, baba uromë…
Vazhdohej dhe me këngë të tjera. Gjat kësaj kohe moshatarët e dhëndrit dhe fëmijët merrnin brumë e miell dhe e lyenin dhëndrin sa më shumë, ndërkohë dhëndëri mundohej t’u fshihej e të shpëtonte nga kjo “bela” e trashëguar brez pas brezi.



3Karvele (meshë): Buka karvele ishte e vogël dhe e rrumbullaktë, ngjan me paninet ose simitet e sotme. Përgatitja e miellit dhe mbrujtja bëhej në të njejtën mënyrë si për bogaçet. Në faqen e sipërme të tyre bëheshin zbukurime të stampuara me një frasua. Ndoshta një kod i lashtë pellazg. Unë frasoin e lidh me diskun e frasinos, edhe pse nuk ka të njejtat shenja sepse ka kaluar një kohë e gjatë. Frasoi ishte një  dru i gdhendur nga faqia e e poshtme me ca arabeska si shkronja, viza, etj. Ato nuk kishin ndonjë kuptim, por ndoshta frasonjtë e hershëm edhe mund të simbolizonin diçka. Nga ana e sipërme frasoi kishte një dorezë për ta mbajtur, edhe kjo e gdhëndur me zbukurime. Frasonjtë bëheshin nga drugdhëndësit ose çobenjtë duke kopjuar një frasua të vjetër. Shpesh bëheshin edhe devijime. Karvelet ishin të destinuara kryesisht për në kishë ku i dorëzoheshin priftit për të përgatitur naforën( merr fore, fuqi) për ditët e emrave, Pashkës, shënjtorët, për kungimet, etj., prandaj dhe quheshin shpesh meshë. Nafora është një kub i vogël nga karvelia që e jepte prifti gjatë kungimit. Karvelet që tepronin prifti i merrte për shtëpinë e tij, ose i shpërndante tek më të varfërit. Karvelet bëheshin dhe për t’i përdorur në shtëpi për ditë të shënuara më shpesh se bogaçet..



4.
Paninenet: Buka panine ishte e njejtë si karvelet, por nuk bëheshin të rrumbullakta, por në forma të zgjatura dhe jo te shkruara ose të stamposura me frasua. Edhe këto përgatiteshin për festa të veçanta, ose më shpesh për fëmijët.
Paninet 
5. Kolandina: Përgatitej me vezë, gjalpë, maja dhe ujë. Kolandinat bëheshin kryesisht për Pashkën e Madhe, por edhe për disa ditë të shënuara të vitit. Haeshin me vezët e kuqe. Ato u shpërndaheshin fëmijëve edhe si dhurata së bashku me një vezë të kuqe, ose familjet i shkëmbenin midis tyre, gjatë javës së Pashkës së Madhe. Zakonisht bëheshin me krypë. Kolandinave u jepeshin forma të ndryshme, të bukura si zogj, lule, të dhëmbezuara nga anët, etj,. Lyheshin ose jo me vezë përsipër.  Në mes të saj bëhej një vrimë ose gropë për të vendosur vezën e kuqe. Nga sipër zbukurohej me dhëmbët e një piruni duke aplikuar disa çpime. Kolandinat konsideroheshin si dhurata për fëmijët. Ekziston edhe një shprehje që përdorej shpesh: “Filani erdhi me kolandina nga kurbeti ”,  do të thotë që pruri vetëm dhurata për fëmijët. Kur në kurbet shkohej për të bërë pasuri ose të ndihmoje familjen me të ardhura.

5. Argosh: Ky lloj përgatitej indentik si kolandinat, por gjatë gatimit përdorejh sheqer në vend të kripës. Ato bëheshin më të shkrifta. Brenda tyre mund të hidheshin edhe bajame. U dhuroheshin fëmijëve për festat kryesore të vitit si: Pashkët, Viti i Ri, Shënjtorët, etj,…
Argoshët gati për në furrë nga: artigatimit.com 
6. Karkanaqe dhe Biskota: Përgatitja eshtë e njëjtë, vetë ndryshonjne format. Biskotat behen  të holla si petë.  Në miellin që do të përgatiteshin karkanaqet hidhej pak sodë buke, vezë, sheqer dhe gjalpë, por disa here edhe bajame, etj. Pasi mbruheshin bëheshin forma të ndryshme të vogla, Të dhëmbëzuara ose jo, nga sipër zbukuroheshin me majën e një pirunit ose jo, dhe mund të lyheshin përsipër me vezë si dhe tu hidhesh vanilje. Karkanaqet bëheshin për Pashkët, festa familjare, etj. Karkanaqet  zakonisht përgatiteshin të destinuara për fëmijët, por shpesh mund të quhen edhe biskota, me të cilat gostiteshin miqtë gjat pirjes së kafes.

7. Kulaç: Kulaçi bëhej me miell gruri të situr mirë në tepsi. Hidhej fillimisht kripa dhe pak sodë buke. Pastaj mbruhej e shtrohej në tepsi. Nga ana sipërme bëheshin zbukurime me anën e një piruni, rrethe dhe ndarje. Kështu futej në saç për t’u pjekur. Kulaçi bëhej për shpejtësi kur nuk premtonte koha për të pjekur bukë. Zakonisht  përdorej mëngjezeve dhe hahej me djathë, ullinj, mjaltë ose shoqërohej me një gotë qumësht. Kulaçi bëhej për të festuar edhe lindjet e djemëve të fisit.  Me kulaçin bëhej bukuvalja me sheqer të cilën e hanin fëmijët; djemtë, se vetëm me djem dhe për djemtë bëhej kjo ceremoni. Gjatë thyerjes së kulaçit, mbi kokën e të porsa lindurit, të gjithe së bashku mblidheshin e këndonin këtë këngë:
Djalë burrë, bakuli,
I urtë si shakulli,
I bardhë si mermeri,
Hyftë e daltë
Me shëndet nga djepi..
Kulaçi gati për saç(nga interneti) 
8. Kulaçi në hi: Ky kulaç piqej në hi të zjarrit. Kjo bëhej shpesh prej millonejve në mullinjtë e blojes së drithit, çobenjëtë në stane, por dhe në shtëpi  dhe haej me djathë e ullinj, mjaltë, qumesht, kos, etj.. Kulaçi në hi ka një shije të veçantë.

9. Qollopitë e ardhur: Miellit i hidhej brumi i thartuar(majaja), kripa, gjalpë dhe djathë dhe trazohej e lihej të vijnte. Mbas kësaj mund të mbruhej përsëri, e përsëri lihej të vinte dhe shtrohej në tepsi e piqej në saç ose furrë.

10. Qollopitë me pate: Miellit i shtohej gjalpë, djathëra, ndoshta kripë dhe përzihej në një tenxhere. Brumi duhej të qe i derdhur dhe pasi tepsia lyhej me gjalpë, shtrohej një pat dhe vihej në saç të mirëte faqe. Lyhej përsëri me gjalpë dhe shtrohej shtresa tjetër e përsëri vihej në saç të merrte faqe. Kjo bëhej për 3-5 shtresa, pate. Pas kësaj futej në saç apo furrë për tu pjekur.
Qollopitë me pate 
11. Koftopitë: Gruri për të bërë koftopitën bluhej në mokra të dorës, coptohej. Gruri duhej të ishte i larë. Ky grurë zihej dhe hidhej në një tepsi duke i shtuar pak qumësht, ujë, djathra e gjalpë, pastaj përzihej. Hapeshin petët si të byrekut dhe gruri i coptuar hidhej përmidis. Kështu vihej të piqej në saç. Koftopita bëhej zakonisht për ditët që mbahej kreshmë.

12. Grurë i zier: Për këtë gruri duhet të pastrohej e të ishte i larë mirë. Lihesh në ujë për 24 orë. Shplahej disa herë dhe vihej për t’u zier në një tenxhere. Pasi kishte përfunduar zierja hidhej në një enë dhe shtohej sheqer, arra, bajame apo, lajthi, biskota, kanellë, etj; edhe keto të coptura. Hahej darkave në periudhën e dimrit.  Gruri i zier përdorej edhe në ceremonitë mortore pasi i vdekuri ishte lënë në banesën e fundit. Pjesmarrësit në ceremoni gostiteshin me grurë të zier ku mund të qenë shtuar përveç arrave e sheqerit, edhe stafidhe e disa kokrra shegë, për Shpirtin e tij thuhej Njerëzit uronin: “I paharruar Kujtimi”.   Pra, sipas traditave njeriu vinte në jetë duke thyer një kulaç gruri tek koka e djepit dhe e mbyllte jetën me kokrra gruri të zier.
13. Hashure: Edhe ky gatimi bëhej me grurë të zier, por kishte një teknikë të veçantë gjatë përgatitjes. Gruri pastrohej e lahej mirë, lihej në ujë me qëllim që të bymehej. Vendosej në zjerje. Kur kokrrat të çahen ca, hiqej nga zjarri dhe i hidhej pak niseshte për të trashur lëngun, si dhe sheqer. Derdhej në forma dhe përsipër i hidhej kanellë si dhe arra, bajame, etj., të grira ose jo. Bektashnjtë e Shqipërisë kanë një festë qe quhet "Festa e Hashuresë". Kjo festë organizohet në përkujtim të 72 luftëtarëve që ranë në betejën e Qerbelasë, të nesërmen e çeljes së agjërimit. Ushqimi me hashure simbolizon vazhdimin e jetës. Sipas stinëve në hashure hidhen 11 përbërës : arra, bajame, ftoj, fasule, qiqra, rrush, lajthi, mollë, kumbulla, etj.    
Hashure e përgatitur( foto V. Myftari)
14. Petulla: Miellit fillimisht i hidhej uji dhe kripa, pak sodë, mund të shtohej edhe vezë, kos apo djathra. Zbrazen të gjitha në tigan me vaj të bollshëm me qëllim për t’u skuqur. Petullat çoheshin nga të afërmit kur në një familje kishte pasur lindje. Petullat u bëheshin edhe dhëndurrëve të rinj prej vjehrrave. Ky moment është pasqyrurar në një këngë humoristike:
Cër, cër ja bën tigani
Kërkon petullat jarani
Jarani s’do petullat
Po do sytë e vetullat....
Kjo këngë këndohej më shumë në ceremonitë e dasmave kur vinte çasti i servirjes i këtij lloj gatimi në trapez.

Petulla (foto V. Myftari) 
15. Petulla me brumë të ardhur: Miellit i hidhej uji i vakët, shtohej krypa dhe maja buke. Pastaj lihej brumi të vinte. Më pas rrahej me një lugë të madhe druri ashtu si qulli i petullave të zakonëshme. Skuqja bëhej në tigan me vaj të bollshëm. Petullat konsumoheshin me djathë ose mjaltë, ose edhe ashtu sade.


16. Petulla me petë: Së pari hapeshin petët si të byrekut, por jo shumë të holla. Pasi lyheshin me gjalpë, vendoseshin dy e nga dy ose tri. Me buzët e një gote priteshin të rrumbullakta ose në forma të ndryshme. Këto hidheshin në tigan me vaj të bollshëm me qëllim për t’u skuqur. Petullat me petë përgatiteshin për miq të familjes, ose në dasma e sebepe.

17. Petulla të dërrasës: Petullat e dërrasës bëheshin një herë në vit për Krishtlindje. Në mbrëmje, ditën që do të lindëte Krishti,  “bëjmë çolet e Krishtit” thuhej. Gjatë përgatitjes së këtyre petullave, një nga pjestarë e familjes vendoste një mashë në zjarr për ta nxehur. Në të hidhej një gjethe koftoneci, rushkulli (Ruscus aculeatus L.). Nëse gjthja do të kërcente përpjetë  kur hidhej mbi mashë dhe thuhej emri i një pjestari të familjes, ai pjestar i do te kishte shëndet të mirë për vitin që po pasonte. Nëse gjethja do të digjej heshturzai, emri që përmendej nuk do të kishte shëndet të mirë. Për përgatitjen e petullavre mirej një dërrasë prej shtufi të zi, duhet të ishte sa më e hollë. Vendosej mbi pirosti në zjarr dhe fillimisht hidhej pak hi që të digjej, të absorbonte nxehtësinë dërrasa. Pastrohej hiri me fshesë dhe hidhej brumi i përgatitur, i njëllojtë si brumi i petullave të zakonshme. Ai shtrohej me ndihmën e një shkop druri, zakonisht petës (kallamidh). Mbasi piqeshin nga një anë ktheheshin nga ana tjetër me anë e një ksistre. Petullat haheshin ashtu me sheqer, mjaltë apo me djathë ose përgatitej një lloj ëmbëlsire për te festuar Vitin e Ri. Embëlsirë përgatitej duke shtruar në një tepsi petullat, pastaj hidhej një shtresë arra të grira, sheqer dhe gjalpë. Kështu bëheshin disa shtresa, dicka si bakllavaja. Viheshin për pak kohë në saç, pastaj përvëloheshin me sherbet sheqeri. Pritej në forma rombike dhe konsumohej nga pjestarët. Ky lloj gatimi mund të jetë edhe pararendësja e bakllavasë.

18. Lakrori: Lakrorët përgatiteshin nga gratë nikoqire duke holluar, (hapur) petët. Së pari përgatitej gjella. Lakrorët bëheshin me lakra të egra ose me lakra të buta nga të kopshtit si: spinaq, labot, ciropulicë, lëpjetër, hithra, gjethe qepë ose hudhër, përkalidha, etj. Lakrat ziheshin dhe u shtohej djathë, pak qumësht, vezë (këto të fundit nuk janë të domosdoshme). Gjella vendosej midis peteve duke hedhur sërish gjalpë. Shtroheshin dy tre petë. Pastaj mblidhesh krothi(anët) e lakrorit në një paraqitje të bukur dhe sërish spërkatej me gjalpë të tretur. Vendosej në saç ose furrë për t’u pjekur. Zakonisht për herë të dytë kthehej përmbys. Thuhej dhe një bejte, ndoshta për ndonjë nuse që akoma nuk kishte mësuar akoma si të bënte lakrorët:
Lakrorin me lakëra
E  gatoi e varfëra
Po ja hëngri maçia
Çit moj maçe, moj e shkretë
Se më le burrën pa drekë.
Lakrori(nga interneti)
19. Byreku me qumësht:  Bëhej me qumesht të ardhur, gjizë ose kos duke shtuar vezë dhe djath. Gjella e përgatitur shtrohej mbi në petë, njësoj si tek lakrori. Mund të ishte me 2-3 pate ose petë. Petët e mezit të byrekut piqeshin paraprakisht në saç, pastaj hidhej gjella e parapërgatitur. Mblidheshin anët bukur (krothi) dhe vihej në saç ose në furrë per t’u pjekur. Edhe byreku pas pjekjes mund të kthehej në tepsi. Byrekët zakonisht bëheshin në ditët e pushimit të familjes, zakonisht të dielave. 

20. Byreku me qepë: Brumi, hapja e petëve bëhej njësoj si tek byreku me qumësht dhe lakrori. Ndryshimi ishte tek gjella që shtrohej midis petëve. Kjo gjellë përgatitej me qepë të thata, të grira dhe mund t’i shtohej edhe mishi i grirë. Ky lloj byreku bëhej për ditën e Vitit të ri ku brenda tij fshihej edhe një lek për të provuar fatin.  Thuhej se kush nga pjestarët e familjes do të gjente lekun, do të  kishte fat gjatë gjithë vitit.
Byrek me qepë të thata e me mish i kthyer 
21. Byrek me kungull: Edhe ky byrek bëhej me petë si të gjithë të tjerët. Gjella me kungull përgatitej me kungull të grirë ne trift. I hidhej brenda vezë e djathra. Shtrohej gjella në peta të pjekura duke i pikuar me vaj. Ky byrek bëhej gjatë gjithë vitit duke kultivuar kunguj e duke i ruajtur për stinën e dimrit.


22. Byrekët me mish: Ky lloj byreku përgatitej ashtu si ai me qepë, por i shtoheshin edhe disa thela mish të zier. Mishi mund të jetë derri, pule, shelegu ose keci, etj. Mbasi përgatitej, vihej për t’u pjekur në furrë ose saç.  Zakonisht kishte dhe një shprehje kur mbulohej me saç ose futej në furrë për t’u pjekur, si për të gjitha gatimet me peta: “Hyftë për dhjakonarë e daltë për pashallarë”.
Lakror me mish kokoshi Perg. Inga mjeshtri Th. Haxhiu- Gjirokastër
23. Byrek në formë trekëndshi ose Qahi:  Byrekët në formë trekëndeshi përgatiten në shtëpi ose në njësitë e shitjes së tipit të ushqimit të shpejtë (Fast food). Mund te bëhen me gjizë, lakra, qumësht, djathë, etj. Gjella përgatitet edhe me vezë. Gjella hidhet në petët e hapura si të byrekut dhe mblidhet në forma trekëndshe. 

24. Bukëvale ose papare: Bukëvalja përgatitet me bukë të grirë, të coptuar, zakonisht preferohen krodhat ose ajo bukë që është e tharë. Madje mund të thuhet se ky gatim bëhej për të shfrytëzuar këto teprica me qëllim për të mos i flakur si mbeturina. Megjithatë ky gatim ka një shije të veçantë dhe konsumohet me shije. Përgatitet  ne tigan duke hedhur vajin e pastaj ujët me kripë. Lihet në zjarr deri sa te vëlojë. Mbi të hidhet buka e grirë, përzihet. Bukëvales i hidhet djathë dhe erëza si dhjozmë, trëndelinë, dafinë, etj. Shpesh përgatitet edhe i ëmbël me sheqer, në vend të krypës dhe erëzave. Bukuvalja e ëmbël me sheqer përgatitej nga kulaçi në ceremonite e lindjes së djemve në familje.

25. Anavrazmë: Anavrazma përgatitej në tigan me miell gruri, vezë, djathra, etj. Në tigan hidhej gjalpi pastaj uji dhe lihej të valonte. Ne të hidheshin mielli me djathra, vezë, etj. Shpesh anavrazma bëhej me skordham; hudhëra të shtypura me arra. Trazohej me nje lugë druri deri sa të bëhej. Hidhej në pjata me një luare, garuzhde të madhe.
   
26. Trahanaja: Trahanai bëhej për t’u ngrënë i nxehtë gjatë dimërit. Përgatitej gjatë vjeshtës kur qumështi i bagëtive ishte në prag të shterimit. Përgatitej me qumësht të ardhur i cili grumbullohej në një enë për dy-tre ditë. Miellit të situr i hidhej ky lloj qumështi dhe kripa, pastaj hapej në formë petësh, por jo shumë të holla. Mbasi këto petë thaheshin, në hije, në mjediset e shtëpisë, coptoheshin dhe hidheshin në një shoshë, enkas për përgatitjen e trahanasë. Në këtë shoshë brumi grimcohej duke dale nga vrimat prej presionit që ushtrohet mbi të. Vendosej përsëri për t’u tharë dhe pastaj ruhej në një qeskë në një vend të thatë. Trahanaja për t’u ngrënë përgatitej duke e hedhur në ujë dhe vendosej në zjarr e trazohej vazhdimisht sa të hidhte valë. Më pas hidhej në një tepsi ku ku më parë ishte grirë buka. Në një enë të vogël, kafoç, përgatitej yndyrna duke e vënë në zjarr, zakonisht ushunj ose gjalpë, por edhe vaj I cili i hidhej mbi të. Yndyra e nxehtë duhej të cërliste… Për një shije të mirë përdoreshin dhe cingaridhe nga dhjami i derrit ose dhe djathëra, kole të skuqura, etj. Trahanaja zakonisht hahej mëgjezeve. Kishte dhe një fjalë te urtë:  “Trahanaja deri në lëmë, bukë e djathë deri prëmë.”
TRAHANAJA: nga e majta, amballazhi në treg, i përgatitur, gati për t'u shijuar
27. Petat: Petat bëheshin gjat periudhës që përgatitesh dhe trahanaja. Bëheshin me miell, qumësht të ardhur, vezë dhe gjalpë. Ishte një nga ushqimet që gatuhej rreth vitit. Brumi i gatuar me këta përbërës hapesh petë pak më të holla se ato që përgatiteshin për trahananë. Mbasi hapeshin liheshin të thaheshin dhe më pas coptoheshin në pjesë të vogla. Kështu ruheshin në një thes beze të pastër në vende pa lagështi. Petat gatuheshin si makaronat me ujë të valuar, dhe pasi mbaronte vëlimi cërliseshin me gjalpë fshati ose vaj ulliri duke i shtuar dhe djathra.. Petat mund te bëheshin duke i shtuar ujit edhe qumësht. . Petat ishin si një gatim i shpejtë për familjen. 

28. Rosnica: Përgatiten kështu: zihet brumi me vezë, qumësht dhe krypë. Brumi duhet të jetë më I forte dhe I ngurtë se sa brumi i byrekut. Pas 15-20 minuta ndahet në copa, thahet pak dhe pastaj thërrmohet në madhësinë e kokrrave të orizit. Thahet dhe ruhet në qeska, në vende pa lagështi. Gatuhen në formë supe, me mish pule, qengji, etj. Rosnica të gatshme tregton edhe biznesi “Trahana Lunxhëria”. Gjenden në shumë supermarkete. 


29. Makarona. Makaronat janë prodhime gjysmë të gatëshme të industrisë ushqimore. Ato përgatiten si petat me miell, qumësht, vezë dhe gjalpë e tregëtohen nëpër supermarketet ushqimore. Zënë një vend të rëndësishëm në ushqimin e përditshëm të shqipëtarëve. Janë të shumllojëshme nga forma dhe përmbajtja e lëndëve përbërëse. Ka makarona të gjata si fije “spageti”, kërmillore, si peta, llazanja, etj. Gatimet me makarona janë te shumllojshme: Si supë ose me qumësht. Pasta me kima duke shtuar mish ose me djathë të grirë, me perime, etj.   
Gatime me makarona
30. Pastiço: Pastiçua është një gatim specjal dhe tradicjonal me makarona. Makaronat së pari zihen në ujë krypë dhe pasi kullohen shtrohen në një tepsi ku i shtohet djathi, vezët, qumësh dhe gjalpë. Këto përgatiten në enë të veçante dhe përzihet me makaronat në tepsi. Përsipër hidhet salca beshemel(qumësht, gjalpë, miell) për të marrë faqe të mirë, kremoze. Vendosen në furrë ose saç. Saçi i jep një shije te veçantë këtij gatimi. Për këtë lloj gatimi pëlqehen më shumë makaronat e gjata me vrimë.

Pastiço me qumësh, djathë, vezë
31.Fidhe ose kritharaqe:Edhe fidhet janë prodhim i industrisë ushqimore e tregëtohen në supermarketet. Përgatiten edhe këto me miell, vezë e gjalpë. Gatuhen si supëra, por edhe në formë pilafi. 
32. Qull me mjaltë: Qulli me mjaltë përgatiej me të larat e enëve ku mbahej mjalti duke i shtuar dhe mjaltë tjetër për të siguruar ëmbëlsinë e dëshiruar. Hidhej uji me mjaltë, shtohej edhe mielli e zihej mirë duke e trazuar me një lugë druri vazhdimisht. Me një luare hidhej nëpër forma të ndryshme dhe konsumohej i ftohtë. Mund të shtoje sipër si tek ashureja bajame, lajthi, arra të grira, kanellë, etj. Këtij gatimi mjalti i jipe një shije e aromë të veçantë.
33. Hallvë: Hallva me miell gruri ëndë përgatitej në tigan ose në një tenxhere të madhe. Përdorej për raste sebepesh për të gostitur pjesmarrësit në ceremonitë mortore. Jo më kot ka dalë mallkimi ironik “të hëngësha hallvët”. Përgatitet me miell gruri, ujë, vaj, gjalpë dhe sheqer ose mjaltë në propocione të caktuara. Përzihet vazhdimisht me një lugë druri deri sa të piqet e ngurtësohet. Pasi lihet pak të ftohet, serviret e prerë në format e dëshiruara. Në fenë muslimane gatuhet një ditë para festës së Barjamit të Madh dhe të vogël, Novruzit dhe Vitin e Ri. Natën kur të vdekurin e mbajnë në shtëpi njerëzve pjesëmarrës u japin nga një lugë hallvë. Hallva jepet edhe në të tretat, të dyzetat, 6- muajt e në vit, shoqëruar me një copë kulaç të grynjtë, të prerë në formë katrori. 
Hallvë me grurë 
34. Dhipël: Dhipla është një ëmbëlsirë tradicionale. Kjo gatuhet për ditë festash në familje, sidomos kur priten mysafirë ose për ta çuarë si dhuratë në dasma, lindje, etj. Bëhet me petë të hapura si byrekët të cilat mblidhen duke mbështjellë Brenda arra me sheqer të shtypura mirëdhe pikohen me me gjalpë. Petët e mbledhura vihen në formë rrethi në tepsi ku hidhej zakonisht gjalpë i shkrirë me erëza trëndeline për të marrë aromë të pëlqyeshme. Kështu futej në furrë ose saç dhe piqej. 

35. Bakllava( katma): Bakllavaja bëhet me petë të hapura, por ato shtrohen në tepsi dhe për midis pikohen me gjalpë. Brenda tyre hidhen arra të shtypura me sheqer. Bakllavaja mund të behet edhe me 40 petë. Petët e brendëshme zakonisht piqen para se të vendosen. Kështu prëgatiten me radhë dhe vendosen për t’u pjekur në furrë ose saç. Para se të vendosen për t’u pjekur priten në formë rombike dhe kështu serviren për t’i ngrënë. Sherbeti hidhet pas pjekjes. Zakonisht bakllavaja përgatitej për dasma dhe Vitin e ri. Bakllavaja quhej ndryshe edhe katma. Më pas këtyre ëmbëlsirave iu shtua kadaifi i cili blihej në dyqanet e ëmbëlsirave.

36. Revani ose Pandispanj: Revania është ëmbëlsirë e shpejtë, bëhet me vezë, miell, sheqer dhe përzihet në mikser. Pasi është bërë përzierja e hedhim në tepsi të thellë dhe e vendosim në furrë. Mbas daljes nga furra bëhesh dhe prerja në formë të caktuara. Serviret për të gostitur miqtë ose si ëmbësirë pas buke.
Revani ose pandispanj (foto V. Myftari)
37. Kaadaif: Kadaifi pëgatitet nga industria ushqimore dhe tregëtohet gjysmë i gatshëm nëpër dyqane, apo ëmbëltore. Kadaifi i blerë në dyqane shtrohet një tepsi sa të thahet. E pikon me gjalpë të shkrirë. Në një tepsi tjetër pikohet me gjalpë dhe shtrohet gjysma e sasisë së kadaifit, kur bëhet në dy shtresa. I hidhen arre të shtypura me sheqer, duke e pikuar më parë me gjalpë. Hidhet shtresa tjetër. Pikohet sërisht me gjalpë. Mund ta presim dhe në prerjet pikohet me gjalpë dhe vihet në furrë ose saç. Mund që ta mbledhësh dhe duar duar. 
Kadaif i shtruar në tepsi dhe i mbledhur.
38. Asullde ose asude: Asudeja përgatitet me niseshte të cilën e veçon industria, më e mira ështe ajo që del nga gruri. Veprohet kështu:  një masë ose gotë niseshte, një masë osë gotë sheqer, ndoshta pak më shumë, sipas dëshirës, një masë ose gotë vaj, pak më pak, jo rrafsh. Sigurisht gjalpi duhet zgjedhur më i miri, sidomos gjalp i fshatit është efikas. Llogaria bëhet me gjalpë të shkrirë. Si masë shërben një gotë uji, ose edhe më shumë, sipas dëshirës. Të gjitha së bashku përzihen me lugë druri deri sa të bëhen një masë kompakte, pastaj ajo hidhet në tigan e përzihet vazhdimisht. Tigani duhet të ketë një sipërfaqe të hollë gjalpi. Lihet disa minuta të ftohet, pastaj u jepet forma duke përdorur dy lugë, njera poshtë e tjetra sipër. Asulldeja zakonisht u serviret miqve në formë gostije.


39. Kek: Keku përgatitet me miell, sheqer, stafidhe, gjalpë, vezë dhe sodë buke. Gjalpi zbutet dhe përzihet mirë me sheqerin nëpërmjet një luge druri. Shtohen një nga një vezët, pak krypë dhe një lugë gjelle konjak. Perzihen edhe një herë mirë. Shtohen stafidhet ose reçel, arra dhe bajame, pastaj hidhet mielli me sodë buke. Mbruhet brumi, jo shume, për të mos u bërë elastik. Hidhet në forma sipas dëshirës. Gjysma brumit mund të përzihet edhe me kakao dhe si aromatik mund t’i grihet lëkurë limoni ose portokalli. Vendoset në furrë dhe kur del nga furra i hidhet sheqer pudër e pritet në forma sipas dëshirës. 


40. Jahni: Në një e tenxhere hidhet gjalpi ose vaji, pastaj grihen qepë, mish viçi, qëngji, etj Kaurdisen dhe pjesë-pjesë shtohet ujë. Në një tigan hidhet pak gjalpë dhe 3-4 lugë miell. Skuqet mirë e mirë mielli duke u trazur me lugë druri gjersa të marrë ngjyrë të kuqërremtë. Ky miell hidhet në tenxhere duke shtuar fletë dafine e piper të zi. Lihet disa minuta të valojë. 

           
             
             Mielli përdoret edhe në gatime të tjera si: paçe, shqeto, tavë kosi, tasqebap, frikase, qofte, etj. Me miell nga njësitë tregëtare si ëmbëloret dhe industria ushqimore përgatiten edhe shumë embëlsira të tjera si: gurabie, shëndetli, ballokumet, sheqerpare, kompekai, pastashu, tullumba, zupa, e shumë e shumë të tjera. 


            Si përfundim mielli grurit është një përbërës themelor në rreth mbi 60 lloje gatimesh e ëmbelsirash të ushqimit të përditshëm të shqiptarëve. Më saktë, ai zë 25-30% të ushqimit të përditshëm. Një miell me cilësi të dobët prish dhe cilësinë e këtyre gatimeve që preferohen edhe nga turistët e huaj. Për një turizëm elitar duhet të rritet edhe cilësia e gatimeve, çka do të thotë që duhet rritur kujdesi edhe për prodhimin e grurit, siç edhe ka qenë traditë e hershme e shqiptarëve. Përfundimisht duhet të themi se historikisht gruri ka qenë ushqim bazik i shqiptarëve për mijra e mijra vjet me radhë. Shqiptarët janë nga popujt e parë që e kanë kultivuar, përdorur dhe konsumuar. Kaq shumë gatime tradicionale me miellin e grurit, të përgatitura në kushtet e shtëpisë ( të cilat i shtjellova këtu më lart), tregojnë se shqiptarët që nga ai që ka jetuar në majë të malit e gjer tek ai në buzë të detit, nëpërmjet grurit, si ushqim bazë, duke e quajtur bukë, kanë siguruar vazhdimësinë e jetës.


Përgatiti

Koço Mosko
Boston-Shtator, 2019

Wednesday, 25 September 2019

TE THYEJM HESHTJEN MBI SHKATERRIMIN E METEJSHEM TE PYJEVE E MJEDISIT.

nga dr. Selman MËZIU
Firence, Itali


 
dr. Selman MËZIU
‘’Cilt janë ato inxhiniera e teknikë pyjesh që do ta varrosin sistemin korruptiv kriminal të kësaj qeverie që ende nuk e mbështet zhvillimin e ekonomisë pyjore, politikën mbi ato, punësimin dhe kshillimet profesionale të mijëra e mijëra specialistë të pyjeve?,, Një kembanë u tund fort në sallën e Kuvendin popullor. Dëgjojeni zhurmën e saj grishëse! Ajo është një klithmë alarmuese, dhimbje, thirrje shpëtimtare e një inxhinieri pyjesh. Ajo ngjan si di pika uji me gjashtëmbëdhjetë vjeçaren suedeze GretaThumberg që po tund botën mbarë mbi rrezikun që po i kanoset botës së gjallë nga ngrohja globale. Ajo i ngjan djegjes së mijëra kafsheve, shpendëve, insekteve, pasurie të pallogaritshme jetëdhanëse që vazhdojne të shkrumbëzohen me plote dhimbje makabre në Pyjet e amazons të Barzilit etj. prej 223 000 hektar. 

Zëri i tij ju ngjan sirenave uliksiane, që po zgjojn njerëzimin mbarë për zjarret me përmasa gjigande në pyjet siberjane duke shkrumbuar 300 000 km² pyje gjigande duke kapërcyer edhe kufijt e kontinentit evropian, sa sipërfaqja e shtetit evropian të sllovenisë. Ndoshta u shfaq me vonese dhe kjo nuk varesh nga inxhinieri I pyjeve, Dibrani Halil Jakimi. Ai foli me gjuhën e fakteve, me argumenta të forta e pa kompromis mbi gjëndjen mjerane të pylltarisë shqiptare të specialisteve të pyjeve të plagosjeve të shkaktuara, të cilat kullojnë limfë të gjelbërt nga plagët e shumta prej qeverisjeve anadollake. E këto, do t’iu kushtojn, varfëri të skajshme vetë shqiptarëve, në malsi në kodrina fusha e qytete. 

Të parët duhet të rizgjohen pylltarët shqiptar. Deputeti Jakimi ka vepruar në përputhjen të plotë në ide e veprime të qindra e mijëra manifestuesëve në të katër anët e dheut, kundër politikave të gabuara në investime, duke harruar hallemadhin, mjedis, tokë, ujë, ajër, ekosistem pyjor. Kur bota mbarë është përfshirë në një lëvizje të madhe në kryerje reformash, lëvizjesh energjike për të realizuar urgjentisht objektivat e rëndësishme në fushat e mbrojtjes të tokës, përdorimit të energjisë së rinovueshme, ndotjeve industriale, modernizmin e transportit me enrgji elektrike, bateri etj., në planifikimin urban për raportin gjelbërim banor qyteti, për të ulur varfërinë duke rritur kapacitet prodhuese të tokës e zvoglimin e sa më shumë të dioksidit të karbonit. 

Zëri i tij buçiti në Kuvendin Popullor, kur Oqeani i Ngrirë i veriu po i shkatrrohen dalë ngadal aizbergët miliona vjeçar të akullnajave. Kur ngritja e nivelit te detit po zhduk dhjetra ishuj, po rrrezikon zhdukjen e qytetit 2300 vjeçar të Aleksandtrisë në Egjyptit me 5 milion banor, ku niveli i ujit ngrihet çdo vit 2, 1 milimetër. Pa harruar se të njëjtin fat po e presin kryeqytetin Amsterdam të Hollandës e qytetin ujor të Venecias në Italinë veri lindore. 

Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara do të mblidhet në Nju-Jork nga data 23 – 26 shtator ku do të ndalet edhe për përballimin e ngrohjes globale (1,5°C ) e cila vetëm për vitin 2018, i ka shkaktuar një humbje prej 2 400 milion dollar ekonomisë botërore. Shifrat galopante, shembujt rrënqethës, tmerri që po i kanoset botës nga vete njeriu si qenia më e organizuar, më e përspsur në mendime gjykime e veprime dhe me ndërgjegje janë dritheruese, katastrofike, të frikshme. 

Po gjëndja e mbulesës pyjore, e tërë mjedisit shqiptar si ndodhet në këtë situat të randë në shkallë botërore? Përgjigjen na jep inxhinieri Haki Kola ndër më aktivët i pylltarisë shqiptare, i cili në një intervistë për shtypin, është shprehur: 
‘’Vdekja e tokës së djegur e eroduar, ka triumfuar mbi shpate male e lugina. Sipërfaqe të gjëra të tokës janë kthyer në gurishtore të shkreta. Ujrat janë ndotur. Biodiversitety është zhdukur masivisht. Njerëzit largohen drejt qyteteve, ku i pret asgjëja. Prishja e ekuilibrit midis njeriut e natyrës, largimi i fermerit nga pylli e kullota e tij, ka shkatërruar ekuilibrin natyror. Të gjithë ankohen. Të gjithë fajësohen,, Epshi për fitime, pushteti despotik, politikat e çala mbi pyjet e mjedisin, organizimi kryekëput i pa kuptimt, pronësia mbi pyjet, një ngërç që nuk po gjejn zgjidhet që prej tridhjetë vjetësh demokraci, mungesa e kadastrës pyjore ku nuk kemi asgjë të saktë mbi sipërfaqet pyjore e kullosore, volumet e materialit drusor apo kapcitetet në kullotjet natyrale. E gjithë kjo katrahure e ka çuar natyrën shqiptare, pyllin shqiptar, mjedisin në përgjithësi, në pragun më kritik, disfatist e pothuajse të pashërueshëm”. 

Po cekim disa momente për të argumentuar mendimet e mësiperme. Agjensia NASA (National Aeronautics and Space Administration) këto ditë lajmëroi se vetëm 24 orët e fundit në Shqipëri ka patur 60 raste zjarresh! Ndërsa shohim vetëm disa pylltar duke fikur zjarrin me lopata, fshesa degë etj. ndërsa fshatarët, malsorët kanë manifestuar një indiferentizëm të pafalshëm, por, llogjikisht të shpejgueshëm. ‘’Nuk është prona jonë, e faji ynë që pyjet u shkatrruan, dhe fshatrat u rrënuan, por, qeverisja mjerane e despotike- përgjigjen në heshtjen e fshehur në rrudhat trurit të tyre tanima të lothshëm. 
Pyetja: A nuk mund të kishte blerë qeveria një avion kanades(qoftë edhe me kredi) për fikjen e zjarreve në pyje për gjatë tridhjetë vjetëve etj.? Ndërsa defiçitet në dru zjarri janë të pa përfytyrueshme, kur kemi një të ashtuquajturin merotarium mbi pyjet, popullsia shqiptare në malsi kodrina fusha e qytete ka nevoje për 2 deri në 4 milion metër ster dru zjarri. E atë sigurisht nuk sigurohen nga importi, por, tanima ka filluar prerja masive e pyjev etë rinj, si rasti në ekonomine pyjore Vanas të Dibrës e Dejës të Matit. Inspektorjati i mbrojtjes së pyjeve, celula organizuese më e korruptuar më kriminale, është krijuar për të mbrojtur pyjet duke lenun jashtë inxhiniera e teknik pyjesh. 

Shembuj të tjerë janë sa tragjik aq edhe komik për politikën shqiptare tridhjetë vjeçare dhe për qeveritë Rama një dhe dy, të cilët mbajn peng nën ombrellën e unit, e bajrektarit, mjedisin shqiptar, me masa gjysmake e plotësisht të pa motivuara nga ana shkencore, profesionale e përvojave evropiane e kombëtare. Atëhere! Dhe ja edhe një herë mendimi real i autopsisë së gjëndjes shoqërise shqiptare i shprehur më së miri nga inxhinieri i pyjeve, Hakiu: 
‘’Të trishton paaftësia jonë për të reaguar, kur është cënuar djepi i jetës dhe e ardhmja e saj, në një atdhe me male pa bimë, e dalëngadalë pa tokë.,, Situata e rënduar mbarë botërore, shkretimi i Shqipërisë çdo ditë e më shume, ndotja urbane, ujore, e ajrit, përshkallëzimet në çimentimin e futjen në tuba të çelikta të arterjeve të gjalla ujore në natyrën shqiptare (Numri i përgjithshëm i hidrocentraleve të miratuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka arritur 714.) duhet të çojn peshë së pari inteligjencën pyjore e mjedisore, ekologjistët e universitarët për të ndaluar urgjentisht këtë babëzitje, pangopësi, lubizëm, këtë kanibalizëm kundra natyrës e pasurisë pyjore të mbetur. Ku stafetën e moblizimt, organizimit, bashkimit e luftës të pa kompromis, duhet ta marrë përsiper Deputti, inxhinieri i pyjeve Halil Jakimi, si ura lithëse në mes pushtetit lokal, opozitarit të qeverisë, organit ligjëvënës e vendimarrës Kuvendit Popullor. 

Tre kollonat e gjelberta duhet të organizohen e veprojn urgjentisht në Shqipërinë me natyrë të cfilitur, me lumenj të futur në arkivole, me detin që brezat pishnajor mbrojtës, po i gllabëron në brigjet e Ishmit të Durrësit dhe të Lezhës, ku pyjet e rinj të ahut e pishave, dushqeve, këtë fundi viti, në prag të dimrit, po i nënshtrohen zhdukjes masive me motorsharra e sopata. Atëhere çfarë duhet të bëjm? Dhe lexojm përgjigjen e mundshme: 
Të organizohet sa më parë Agjensia e pyjeve (e sapo vendosur nga qeveria), sektorët e saja përkatëse, mbështetur në përvojën e së kaluarës jo të largët dhe të detyrave që shtron strategjia e zhvillimit të pyjeve, me specialistë të përzgjedhur pyjesh, duke e shtrirë atë deri aty ku ndodhet pylli, ku shtrohen detyra urgjente projktimi e veprimi energjik silvikulturor dhe mbrojtës. 
Përfundimi i inventarizimit të pyjeve që është duke u kryer, të shërbejë në hartimin e programit e realizimit praktik sa më të shpejte të një reforme të thellë, në pronësi, sipas traditës shqiptare e përvojes evropiane, duke u mbështetur pa mëdyshje në, Prone Private, Pronë Fshati (meraje, komunal) etj, në Pronë Shtetërore. 
Së fudi në hartimin e ligjeve për administrimin, mbjelljen, ruajtjen, shfrytëzime simbolike e përmirësimin e pyjeve ekzistues dhe krijimin e të rinjëve në bazë të ideve të reja të agropylltarisë, brezave pyjor mbrojtës, pyllëzimin e shtretërve e brigjeve të lumenjëve, kurorave të qyteteve, parqeve të gjelbërta, kopshteve botanike etj. etj.

 Realizimi i tyre tanima nuk mund të ngrihet pa një platformë shkencore, reale e njohëse me hollsi të kerkesave, gjendjes së siperfaqeve pyjore, kullosore ujore, urbane, gjendja e materialit drunor në vend, dhe programimi e realizimi teknologjik i mundësisë të zëvendësimit të ngrohejs me gaz apo prodhimit të energjisë elektrike, me panela diellore apo elikat me levisje nga erërat apo hidrocentrale duke shfrytëzuar enrgjinë e prodhuar nga dallgët e detit etj. 
Realizmi i tyre varet nga bashkimi e organizimi i pylltarëve shqiptar, profesorëve të Fakultetit të Shkencave Pyjore, Fakultetit te Agronomisë dhe specialistëve në pension si dhe të profesoreve të Univesitetit të Tiranës, Shkencave të Natyrës etj. në një Konferencë Kombëtare mbi mjedisin natyror e urban shqiptar në krizën më të thellë e programet e detyat për daljen prej saj. Pylltar shqiptar, inxhiniera të mjedisit, pedagë e profesor, agronom etj. të xhveshim veladonin e partive e bindjeve te kundërta, të indiferentizmit, të marrim inisiativën për të veshur atë të gjelbërtin e së bashku me shqetësimin mbarë botërore , të bindemi, të organizohemi, të mblidhemi, të veprojm, të detyrojm politikëbërsit për nevojën e masave urgjente, për kapërcimin e kësaj situate teje e të vështirë, në të mirë të ekonomisë mbarë kombëtare, mirëqenies së populit, shëndetit e të ardhmes më të mirë të brezave të ardhshëm.


22. 09. 2019 Dr. Selman Meziu 



Monday, 23 September 2019

ME SHIUN BISEDOJ UNË

Përallë shënëndreu 


            Ishte fund nëntori i një viti të mbrapsht. Shirat e vazhdueshme të vjeshtës nuk na linin të mbillnimm sipërfaqen e planifikuar të grurit. Të gjitha kusuret e kësaj situate skandaloze binin mbi ne, specialistët e bujqësisë. Prodhimi i bukës në vend, në një Shqipëri të izoluar totalisht, ishte detyra jonë prioritare, të most themi e vetmja. Mbi ne binin të gjitha vrejtjet e kritikat, të mos flasim pastaj për akuzat për “sabotazh” edhe pse aveniri ynë varej nga tekat e motit, pra fati ynë ishte në qiell. 

Po endesha në një nga sektoret e nje kooperative bujqesore. Kisha shume ftohtë. Mendova të shkoja në zyrën e agronomit të sektorit, sepse ai kishte një sobë të ndezur me dru. Ashtu bëra. Soba ishte flakëruar nga djegia gjithë ditën e druve. Jashtë shiu vazhdonte e binte si me shtëmba. Nuk kishte ndërmend të ndalonte. Agronomi sektorit, miku im, pasi më përshëndeti, më hapi një vend pranë sobës për t’u tharë. Isha bërë ujë, nga koka tek këmbët. 

Një nga një ikën të gjithe njerëzit e asaj zyre. Mbeta vetëm me agronomin e sektorit. Në një moment ai befas më pyeti: 
- Si do të bëhet me mbjelljen e grurit, shirat nuk pushojnë, afati po ikën? Do të mbeten tokat pa mbjellë, djerr. 
Më gjeti të papërgatitur kjo pyetje. Nuk dija si t’i përgjigjesha. Edhe mund të ndodhte ashtu. Si pa u menduar thellë i thashë: 
- Do t’i mbjellim me misër në pranverë. 
- Po plani grurit? - tha ai menjëherë. 
- Plani është ligj, thotë Partia. Nuk dija si t’i përgjigjesha, por dhe tek ai vërejta se nuk dëshironte ta shtynte më tutje këtë bisedë. Kjo vonesë do të ndikonte në rendimentin e grurit. Vazhduam me të tjera biseda siç bënim zakonisht kur takoheshim së toku. 

Kaluan ca ditë dhe shiu pushoi. Toka po bëhej gati për t’u mbjellë. Një ditë në pasdite u gjenda përsëri tek sektori i mikut tim agronom. Aty ishin mbledhur që nga krytari i kooperativës, sekretari byrosë së partisë, brigadjerë, përgjegjësi sektorit, disa të deleguar nga Komiteti Partisë dhe Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, gazetarë, etj. Ky sektor i kooperativës ishte shumë afër qytetit dhe me një biletë 30 qindarka me urban mund gjëndeshe në bazë, siç u thoshni atëherë brigadave e sektorëve të bujqësisë. Bisedat ishin shumë të zjarrta: flisnim mbi organizimin e punëve për mbjelljen e një blloku parcelash rreth 50 ha. Të gjithë jepnin urdhëra e direktiva, si dhe mirrnin zotime. Vetëm miku im agronom nuk fliste asnjë fjalë. Unë iu afrova atij duke e parë me një vështrim pyetës se çfarë po bëhet këtu.
 - Leri, le të bëjnë plane edhe keta - më tha me një mospërfillje dhe mosaprovim të asaj që po diskutohej aty. Ai masat i kishte marrë me kohë, mjafton të ndalonte shiu. Mbasi u fol, e u fol për të gjitha, filluan zotimet se unë do bisedoj me atë, unë do bisedoj me këtë, etj. Njeri nga pjesmarrësit u hodh e tha: 
- Po sikur të bjerë shi nesër? 
Atëhere agronomi që nuk kishte folë fare deri në atë çast, i revoltuar, u hodh e tha me vrull të madh: 
-      -     " Me shiun do të bisedoj unë, ikni tani." Të gjithë qeshën. 
Të nesërmen unë shkova që në mëngjes nga parcelat ku mbillej grurë. Aty gjeta agronomin me përgjegjësin e sektorit. Punët shkonin shumë mirë. Traktorët diskonin dhe tre zetorë po mbillnin. Kur me pa agronomi me tha duke qeshur: 
-      Me qe ti vjen nga qendra, na e more ne meritën e mbjelljes së grurit. 
Në horizont dallova kryeagronomin. 
-       -  Shiko se kush po të vjen - i thashë. 
-    - ===Ike, u dogje dhe ti si ne. Tani i morri meritat kryeagronomi – më tha menjëherë miku im gojëbrisk e hokatar. 
Kalun ca orë dhe në horizont u duk gazi i kryetarit dhe gazi sekretarit të Komitetit të Partisë së Rrethit për bujqësinë, 
- Po tani!? - i drejtohem agronomit jo pa një fare shpotie. 
- Lere tani, - me tha duke ngritur dorën përpjetë si i dorëzuar 
- U dogjëm të gjithë. 



Nga shënimet K. Mosko Boston SHBA


Friday, 30 August 2019

GJAKU ARBËRIT NUK BËHET UJË

NËNË ATHINAJA

       
Nënë ATHINAJA
Në mediat shqiptare shpesh jepen lajme ose kronika mbi jetën e pasardhësve të gjakut  arbëror: për Arbëreshët e Italisë, Arvanitasit e Greqisë  deri tek shqiptarët e Ukrainës, etj. Të gjithë ngazëllehemi kur shikojmë se si ata, brez pas brezi i ruajnë zakonet, traditat, gjuhën dhe mbi të gjitha emërin shqiptar. Një grup më i madh shqiptarësh, më pak të përmendur nga media, (me përjashtim të  figurave të njohura në shkencë, teknikë dhe art,  e  që kanë bërë emër në vendet ku jetojnë), janë dhe  miliona të tjerë, njerëz të thjeshtë, që  varfëria, luftrat grabitqare pambarim, të pa barabarta, e  të pamëshirëshme në truallin Arbëror, i detyruan të braktisin vatrat e tyre të dashura. Emigrim pas emigrimi, në kërkim të një jete më të mirë. Shumë herë të përbuzur e të diskriminuar nga mjedisi, dhe më keq akoma, të harruar nga marrëzitë e kohës së komunizmit, nga shtetit shqiptar.  Diku të grupuar, diku të vetmuar, por gjithmonë me kokën mbrapa, të brengosur e duke mbajtur të pa shuar prushin e mallit dhe dashurinë për  vendlindjen e  etërve të tyre.

Adresa e vjetër 
            - Merreni dhe këtë adresë se mund t’ju duhet, janë njerëzit tanë, - më tha një i afërm i fisit të gruas kur po përgatiteshim të emigronim në Amerikë. Ishte një zarf i vjetër, i zverdhur nga koha, me një adresë të qartë të viteve 1960. Kushdo e di, se sa shkel  në Amerikë, duhet së pari të ingranohesh; puna, shkollat e fëmijëve, gjuha, etj.  Megjithatë shpejt i erdhi radha dhe zarfit te vjetër.  Adresa na drejtoi në Uster, një qytet afër Bostonit, ku ne u stabilizuam me familje.  Kërkonim familjen Çuro nga fshati Stegopul. Me anën e një emigranti të ri në atë qytet, gjetëm një numur telefoni. E zonjë e shtëpisë, dhe ajo me origjinë nga Gjirokastra, por nuse në atë fis, na dha të njohur dhe na uroi mirëseardhjen në Amerikë, si dhe na ftoi për një vizitë në shtëpi. - “Por, ju pa tjetër duhet të takoni fëmijët e Mistos, ata jetojnë në Nju Jork, numrat e telefonave ua jap unë,” sqaroi ajo. 
            Misto Çuro nga fshati Stegopul rreth fundit të viteve 1800, në moshën 16 vjeçare kishte shkuar në Stamboll. Atje u martua me Ulinë nga fisi Kokosharjve të Nokovës. Në Stamboll lindën dhe fëmijët e tij që ne i kërkonim. Mistua kishte një motër të vetme, Zoicën, të cilën e la në fshat, e se pa më kurrë, mbesë e së cilës është gruaja ime, Lefteria. 

Biseda e parë në telefon 
            Jo pa druajtje po formonim numrat në telefon të nënë Athinasë, vajzës së Mistos.. Do të mbajë mënd gjë vallë..? Flet shqip? Pyetjet të cilat na kishin mbërthyer e na mundonin. Disa të tjerë na kishin thënë se shqiptarët e vjetër shpesh janë të ftohtë.  Këtu bëhej fjalë për një fis të ndarë më dysh, të  lindur jashtë Shqipërisë dhe që nuk e kishin parë kurrë njeri-tjetrin. 
            Alo… dhe një “Alo” që na u duk si shqiptare nga ana tjetër e telefonit.  Mbasi iu prezantova, ajo më pyeti: “ po ty nga je, nga anët tona?”…” Jam nga fshati Selckë,  i thashë, e di?”…” Po si s’e di mor bir, është fshat i mirë, ka dhe njerëz të mirë atje. Keshë burrin nga Selcka, Koço Gjika, më ka molloisur”... 
            Kisha dëgjuar nga Dhosi Margariti që ka një Koço Gjikë në Amerikë por nuk e prisja të ishte burri i nënë Athinasë që unë kërkoja. Kur e pyeta nënën time në telefon, që atëhere ishte gjallë, ajo më tha: Një Koço Gjikë di unë, ai ka qënë në Tiranë. S’kishte si ta dinte nëna se ky Koço Gjikë, ishte nga gjysma tjeter e fisit Gjika, kish lindur në Stamboll, djali i Miçe Gjikës që kish emigruar  edhe ky në moshën 15-vjeçare në Stamboll, nga fundi i  viteve 1800. 
            Telefonin e mori  gruaja. “Po si je moj vajzë”, gjëmoi zëri i nënë Athinasë. “I ke mirë ata njerëz andej? Babai im vdiq me merak të madh se la motrën e vetme në fshatin Stegopul, e nuk mundi ta shikonte, ai këtë më llafoste nga hera”.
            Nënë Athinaja kishte të drejtë. Kur familja e saj me biznesin e vet qe kishte ngritur, “mbushte kasonat” me lira turke, motra e babait të saj, Zoica, si të gjithë shqiptarët, po kalonin kohë të vështira, luftra pas luftrash. Nënë Zoicës iu vra djali, Jani Mino në moshën 18 vjeç, në luftën e Tiranës, sot i vendosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Tiranë. Si të mos mjaftonte kjo, i dogjën dhe shtëpinë në fshat duke i lënë jashtë në qiell të hapur, nënën me tri vajzat e saj. Ndonjë pako apo lekë që dërgonin shikoheshin me lupë nga shtetarët e asaj kohe…  Biseda telefonike zgjati duke kujtuar e rikujtuar ngjarje të kaluara. 

Një vizitë në shtëpinë e nënë Athinasë 
            Mezi e prisnim një vizitë në shtëpinë e nënë Athinasë 76-vjeçare.  Harritëm shpejt në Astoria NY,  buzë Atllantikut, ku ajo banonte për 50 vjet, që kur kishin ardhur në Amerikë. Makinën e parkuam në rrugë, nën hyrjen e saj. Ajo po na priste në dritare..:
“- E mor bir erdhët”, foli që nga sipër.  Në atë rrugë të zhurmëshme  njujorkeze na  kujtoi për një çast nënat tona, të cilat  na prisnin e na përcillnin nga dritarja, na ruanin me sy deri sa të zhdukeshim në horizont. Të gjitha nënat lunxhote të jenë njësoj!? Po,të gjitha nënat shqiptare janë njësoj.  Ato i përfaqeson nënë Tereza, nënë e dashur e botës mbarë. Nuk është rastesi! Kujtoj, që nënat tona na thërrisnin  “Jeto”. Këtë fjalë mistike shqipe me rrënjë kushedi se ku, që nuk e gjen në asnjë fjalor, e kanë veçuar nënat shqiptare për të shprehur dashurinë për bijtë e tyre, për njerëzit. (Jeto=Jeta ime.) 
- “Rrini si në shtëpinë tuaj”, vazhdoi nënë Athinaja, sa mbaruam përshendetjet e rastit. Shtëpia ishte e mobiluar mirë, binte ne sy rregulli e pastërtia lunxhiote. Në muret përreth ishin vendosur fotografitë e nipërve e mbesave, burrit të saj, nënës  nga Nokova si dhe të vjehrit seliciot e të babait stegopulot. Po nuk mungonin dhe pamje nga Shqipëria dhe  qyteti i Gjirokastrës. Shqipja qe fliste nënë Athinaja nuk bënte dallim nga ajo e nënave tona.  Ajo fliste rrjedhshëm edhe greqisht, turqisht e anglisht. 
            “- Në Stamboll kemi jetuar mirë, por u shtrënguam të vimë në Amerikë në vitet 1960, për fëmijët. Mbase  këtë herë mbaruan emigrimet tona. God bless America. Nipërit e mbesat i kam doktorë, jurist, inxhinjerë. Kemi bërë krushqi me tërë dynjanë: amerikanë, grekër, gjermanë, etj…” Por një nip nënë Athinaja e thoshte me “mburrje” se nusen e kishte marrë shqiptare, nga brezi i ri i emigrantëve. 
            Dreka ishte një drekë lunxhiote. Na dukej sikur ishim në shtëpitë tona në Shqipëri. “Kam gatuar  të vendit por dhe gjellë turke, se dhe ata kanë gatime të mira”, tha nënë Athinaja.  Tavolina u mbush me gatimet e shumta të kësaj nëne të mirë, fisnike e bujare.
            Nënë Athinaja kishte marrë një kartë telefonike të fliste me njerëzit në Shqipëri.  Vëllai i gruas në Gjirokastër, e hapi spikerfonin e telefonit për të dëgjuar të gjithë. Zëri i nënë Athinasë për një çast mbretëroi në dhomë, në shtëpinë e Gjirokastrës, ku e dëgjonin me vëmendje e gjithë familja…” Një nënë fisnike që na mallëngjeu, na kujtoi nënat tona”,  tha Mrika, nusja e shtëpisë. 
            Në albumin me fotografi që na tregoi veçova një foto. Dukej sikur qe një valle lunxhiote e kënduar. E pyeta nënë Athinanë ju hidheni dhe valle lunxhiote!? Po jemi në Stamboll, unë jam në ballë të valles. Tani si kendojme më. Ju luta në se i kujtohesh një këngë dhe ajo pasi u mendua pak tha:
Më martoj babaj në Vlorë
Vajzë e vogëlo, shumë vogëlo
Më dha një burre doktor
Vajzë e vogëlo, shumë e vogëlo…

            Telefonatat, për aq sa qëndruam atje,  nuk munguan nga vëllai i nënë Athinasë, i cili tha:“ Ne shqiptarët kemi gjak të ëmbël, tani u shtuam”, si dhe nga motra  Kostandina,   ndërsa një vëlla, kishte vdekur. I gjithë rrethi familjar sot është plot me fëmijë e me shumë  nipër e mbesa. – “Jemi një fshat i tërë.” Përseriste shpesh Nënë Athinaja.

Juli 
            Juli, vajza e nënë Athinasë, trashëgonte emërin e gjyshes Uli,  kishte ardhur të na uronte mirëseardhjen. E mallengjyer për njerëzit që ia kishin përmendur shpesh në bisedat…”Kuptoj shqip po nuk e flas dot mirë. Kam ikur 9 vjeçe nga Stambolli. Mbaj mend kur gjyshja bënte byrekun e fuste ne furrë e thoshte …. Ajo e filloi por ia plotësuam ne: “Hyftë për dhjakonarë e daltë për pashallarë”.  “Dua t’i shkel njëherë ato anë. Nga Selcka babai bëhej shumë me fisin e Kiçi dhe Qirici”, thote Zhuli. Fise këto që nga fshati nuk besoj se i di njeri , por ata e mbajnë fort emrin e fshatit nga kanë ardhur.” Ishte dhe fisi Lena, që kemi të bëjmë, të gjithë sot janë këtu. Më vjen keq për nënën që  tani nuk mund t’i shohë dot…ato anë” fliste Juli duke u munduar të kujtonte ngjarjet dhe njerëzit.
            Vizitës tek nën Athinaje po i vinte fundi sepse na duhesh të bënim një vizitë tek një lunxhot tjetër, Illo Foto që banonte aty afër me familje. Ndahemi  duke  i uruar: jetë të gjatë nënë Athinase, për të transmetuar fisnikërinë  arbërore në nipërit e mbesat e saj të shumtë.

Në mbyllje të vizitës tek Nënë Athinaja
            “Të shkruajë gazeta për ty?”, e pyeta nënë Athinanë kor po largoheshim. “Të shkruajë, pse mos të shkruajë, po dua ta shoh edhe unë!”, u hodh e tha menjëherë. “Unë nuk di të lexoj shqip”, shtoi nën zë, pas një pauze, si për të shprehur një peng të madh të jetës së saj. Unë dëshiroja që t’i shkruaja këto peripeci të jetës së familjes së Nënë Athinasë, sepse mendoj se jane te dobishme për emigrantët e vjetër e ri si dhe për gjithë shqipëtarët kudo që ndodhen. 
            Miliona shqiptarë që ndodhen në gjithe botën, vuajnë mallin dhe dashurinë për vendorigjinën e tyre, pra thjesht identitetin shqiptar. Shoqëria, shteti shqiptar duhet të bëjë diçka. Shpresojme që Qeveria Rama-2 me vendosjen e Ministrisë për Diasporen ta marri në dorë këtë punë. Bie fjala, pse të mos organizohen vizita në vendlindje apo  në vend origjinën prindërore. Të ndihmojë per hapjen e shkollave shqipe në diasporë, etj, etj.  Kështu ne kemi bërë afrimin e njerëzve dhe kontribuojme për një lobim të fuqishëm të shqiptarëve në botë. Ashtu, të ndarë “me forcat e veta”  e provuam për 50 vjet. Nipërit e mbesat e nënë Athinave do të jenë turistët  në Shqipëri. Këta do të jenë turistët e Lunxhërisë  sepse më mirë u bie së pari të shikojnë e të eksplorojnë vendorigjinën e tyre, se sa diku gjetkë. Bota, siç thuhet tani, është sa një fshat. 

Epilog
            Premtimin për të shkruar në gazetë për Nëna Athinanë unë mbajta. Ky shkrim u botua te gazeta “Illyria” që del në Nju Jork. Po prisja që të kishim një rrast për t’ja çuar vetë. Por, na erdhi lajmi se ajo ndërroi jetë, nuk e përballoi dot sëmundjen e rrëndë. Shkuam për ceremoninë mortore, duke marrë me vehte dhe gazetën për t’ua dhënë fëmijëve të saj.
            Në ceremoninë që u mbajt në Kishë prifti gjat fjalës së tij tha:
-“Shikoj këtu shumë shqiptarë që i kanë sytë me lot, Athinaja i deshte shumë patriotët e saj, ajo i ka ndihmuar të gjithë”
            Gjat drekës që organizuan familjarët unë nxorra gazetën Illyria me shkrimin për Nënë Athinanë. Një djalë i Nën Athinase i befasuar e mori dhe gazeta kaloi dorë më dorë në sallë. Mbi mua u ngulëm dhjetra shikime. Nuk më njifte njeri, por me atë gjest u bëra i “rëndësishëm”. 
            Pas pak me gazetë në dorë më afrohet një mesogrua. Unë jam një emigrante e re nga fshati Luzat i Tepelenës. Kam qenë mësuese,  dhe vazhdoi – Keni bërë shumë mirë që keni shkruar për Nënë Athinanë, ajo e meritonte, qe një grua fisnike, nëne e dashur për gjithe shqiptarët, i ka ndihmuar për tu integruar … Une shkoja shpesh tek shtepia e saj. Kur vonohesha nga punët ajo më thosh me dashuri:
-      Po çu bëre moj vajzë, ku humbe?
            Më shkuan në mendje pikturat dhe fotografitë në murret e shtëpisë së Nën Athinasë me subjekt nga Shqipëria. Ishte dora dhe mendja e kësaj mësuese fisnike, që nuk ja mësova dot emrin.
       - Unë ju falenderoj Ju, ju përgjigja,  - për këto fjalë të mira dhe rrespektin që keni për njeriun tonë.


Koço Mosko
Boston, MA-SHBA
(Shkrimi është shkruar dhe botuar në Gusht, 2010
Me Epilogun dhe ndonjë ndryshim të vogël Shtator, 2017)