Saturday, 3 November 2018

Mallkimi i poetit

Rrëfenjë 

nga  Namik SELMANI 
Shkrimtar dhe Poet
Boston, SHBA


Namik SELMANI
…..Këtu e vite të shkuara poeti Xhevahir Spahiu shkonte me hap poeti në zyrën pas pallatit të Kulturës në Tiranë ku aso kohe ishte libretist. Ishte një mëngjes i freskët nga ato që poeti kishte dëshirë që t’i kalonte diku në vjeshtën e Malindit e të Çepanit. Diku në Frashër apo mes burrave të urtë të Dibrës. Diku në Frashër apo mes liqeneve të Dumresë ku njeriu ngatërrohet gjithmonë duke i llogaritur saktësisht në numër e në emrat e tyre aq të bukur…

            Para se të hynte në zyrë e kishte për zakon që të përshëndetej me dy ullinj të moçëm, shumë të moçëm që ishin përballë zyrës së tij. I përshëndeste me sy, me duar, me krenarinë e madhe e të pashprehur se ato i kishte mbjellë dikur një gjysh që ishte njëherësh edhe stërgjyshi më i moshuar i të gjithë shqipfolësve.

            Me ndonjë varg të mbetur përherë i freskët e asnjëherë i kalbur në zahirenë e pambaruar poetike spahiane. Ndoshta pikërisht në ato ditë të trazuara të ndërrimsistemeve do të ketë mërmëritur monologun e papërsëritshëm: 

“Ah, sikur të më harrojë vdekja
 si harron ullirin! Ah, sikur!

Brenda hapësirës së pamatë të infrastrukturës së tij poetike ai meditonte për ullinjtë. Për ata që shikonte e prekte, por edhe për ata që formonin kurorën ullishtore të Beratit, të Vlorës, të Çamërisë……Për kuvendet e panumërt që bëheshin në hijen e tyre. Për dasmat e panumërta ku djemtë uroheshin për të bërë djem më të fuqishëm se ata vetë. Për vallet e shartuara me blerimin e tyre. Për kurorat e fitimtarëve që bëheshin me gjethet e tyre hyjnore. Për kuleçet e festive të gatuara me vajin e tyre. Për plagët e kurrizëve të burrave të ftohur në ditët e betejave të përgjakshme që mjekoheshin me to…
Poeti Xhevahir SPAHIU
            Po, ah, ç’kishte ndodhur? Ullinjtë nuk ishin më aty!!!!! Ishin prerë nga disa duar të panjohura për tërë natën. Një njeri i panjohur i kishte ngarkuar në natën e errët. Dikush i kishte transportuar në një vend të panjohur. Mos vallë i kishte dërguar në Skrapar për t’iu dhënë pak freski apo për t’i shtuar edhe më shumë lavdinë lavdimadhit dhe Mbretit të Këngës Demir Zyko? Mos kishin shkuar që të zbusnin sadopak dhimbjen e fshehur çame që prej shumë vjetësh në Arpicë, Paramithi, Gumenicë a në Filat? Mos?!

            Ç’thua kështu more poet?? A mos të ka zënë jermi e harron se çka po flet në këtë mëngjes të zakonshëm Tirane?
Ullinjtë ishin prerë e mbi tokë kishin lënë disa gjethka të vogla. Nuk kishin mundur dot që të mblidhnin pak lëng të blertë ulliri për ta vënë në një Muze Ulliri me degët e ullinjve shumëshekullorë të mbjellë në vitet kur Tirana ishte a s’ishte disa kasolle të vetmuara buzë një lumi e pranë një kodre. Si në legjendat bashkëkohore, ullinjtë, mbase më të moçmit në Shqipëri e në Ballkan, ishin zhdukur nga harta e kryeqytetit të shqiptarëve për t’u zhdukur po kaq tragjikisht edhe nga harta e kujtesës popullore. 

            Në atë vend do të bëhej një hotel me shumë yje. Nuk e mbante zyra. Turfullonte si kalë i plaguar poeti. Si Kostandini pa Dhoqinën. Si deti pa bregun. Si Skrapari pa dollinë. Si Prizreni pa Lumëbardhin ujëkristal që i kalon mes përmes si një kordele e blertë. Si Berati pa Tomorin. Po kujt t’i fliste? Kujt t’i qahej? Kujt? Kuujt?
Atë çast ia behu në zyrë miku i tij nga Shkupi shkrimtari dhe esteti Ali Aliu.
-Po ku ishe fshehur, more Ali? –gati sa nuk sokëlliu poeti. Aliu vinte nga Prishtina i malluar për Shqipërinë e miqtë.
            Para turfullimit të mikut të tij nga Tirana ai mbeti si i ngrirë.
“Mund të presësh ullinjtë e Petrelës që janë 2000 vjeçarë? Po ata të Babicës që janë 2200 vjeçarë?- vazhdonte të meditonte a të thërriste poeti duke harruar traditën shqiptare të mikpritjes së tij me një përshëndetje fjalëëmbël për mikun e largët e të afërt.

-Si ç’të kem, more Ali! Kanë prerë ullinjtë më të moçëm të Tiranës. Më gjej një kryeqytet në të gjithë botën që të ketë ullinj në zemrën e tij! Po ç’është këtej e tutje pa këta ullinj Tirana? Hë, më thuaj e mos më beso po të duash. A ka mallkim më të madh për ata që i kanë prerë ato? A mund që t’i ecë mbarë atij që ka në plan e që ka paguar për këtë vend kaq shumë? Iu thafshin krahët! Këto nuk i them unë, por e thua edhe ti, edhe të tjerët. E thonë të gjithë…

            U hap më vonë një gropë. E madhe, e stërmadhe. Si një kuçedër gojëzjarrtë. Një gropë që me vite të tëra me radhë kutërbonte erë plehu, erë krimi, erë…….Një gropë që i hoqi edhe filizat e fundit të ullinjve që mund të kishin mbetur në palcën e dheut tiranas. Të tre MONUMENTEVE. Të tre vëllezërve degëblertë…..Njëlloj me Monumentet e shkronjëtarëve të shquar shqiptarë Naim Frashëri dhe Abdyl Frashëri, për të cilët në ish truallin e Persisë fjalëmençur vetëm pas disa vitesh me aq kurajo poeti e dashurie për fjalën e kombit të tij do të propozonte që bustet e tyre të zbukuronin sheshet e lulëzuar të Teheranit
- Hej, mos u bëfsh kurrë themel shtëpie, hoteli a ç’dreq ndërtese, moj gropë që more me vete ullinjtë më të moçëm të Tiranës!- mallkoi me sytë gati të përlotur poeti me sytë nga sheshi i boshatisur.- As kasolle bagëtish mos u bëfsh!

.. Dhe mallkimi i poetit zgjati, zgjati, zgjati mbi 20 vjet. Edhe deri tani. Dheu kurrë nuk u ngjiz që të bëhej “nënë”. Mbase edhe sot pas vitesh mallkimi i poetit duhet të bjerë mbi ullinjprerësit e Beratit, të Vlorës, të Myzeqesë, të Ballshit…për të shpërthyer sërish në vargjet filizëblertë. Jo pak po rreth 20 poeti ai ka bërë për ullinjtë. 

Bëj të vdes në një ulli, 
bëj të vdes, por nuk vdes dot.
o ulli më merr nënë rrënjë!

Tek tregonte, fërkonte paksa gjurin e tij të sëmurë. “Larg sëmundjet nga poetët!–gati sa nuk thirra unë në atë çast me zë të lartë në gjysëmerrësirën e kafe “Evropës” me doktor Pandeli Çinën dhe me gazetarin e “mësuesin e arkeologëve “ të Skraparit, të mirënjohurin Nuri Çunin.
Mos të zëntë kurrë mallkimi i poetëve! MOOS!
Ullinj në qender të Barcelonës, Spanjë.(Photo by Arturo Reina Sánchez)
Ulli mbi njëmijëvjeçar ne Shqiperi



Friday, 19 October 2018

LAZARATI BUJQËSOR

Përgatitën: 

Zija BASHA
Historian dhe Publicist
 Çikago, SHBA

Koço MOSKO
Agronom. 
Boston SHBA


            Për zhvillimet bujqësore në Iliri dhe Epir, që nga lashtësitë dëshmitë e para na vinë nga autorë të shumtë të Antikitetit. Homeri, një nga shkrimet më të vjetra, e quan Mollosinë një vend me bujqësi të përparuar në atë periudhë.  Shumë të tjerë  e përshkruajnë  si vend të begatë e përmendin gjedhët, delet, qenin Mollos, në Epir si racat më të mira të kohës. Po kështu dëshmi të shumta ka dhe nga autorë romakë për vlerat e larta të verërave e pemëve Ilire. Dëshmi të shumta për një zhvillim të mirë të vreshtarisë, pemtarisë e drithrave në Epir e Iliri ka edhe gjat periudhës Mesjetës nga udhëtarë, diplomatë e studjues të huaj si:  Evlia Çelebi, Johanes Hahn, Fransua Pukëvile, e shumë të tjerë. Po kështu dhe Rilindasit tanë si: Naim Frashëri, Pjetër Budi, Freng Bardhi, Ndre Mjeda, etj., tokat e Ilirisë i kanë përshkruar nga më pjelloret me pemë e vreshta nga më të mirat dhe si një Parajsë tokësore.

            Në këtë këndvështrim edhe Lugina e Drinos qysh në Lashtësi ka patur zhvillimet e veta në bujqësi. Nga gjetjet arkeologjike në Antigone e gjetkë është vërtetuar se në këtë luginë në shek. III p.e.r bujqësia, vreshtaria dhe pemtaria ka patur një zhvillim mjaft të madh. Gjithashtu edhe gjat Mesjetës dëshmohet se bahçevanët më të mirë në Stamboll vinin nga kjo trevë.   

            Në trevën ku shtrihet fshati Lazaratit, i përfshirë dhe ky në Luginën e Drinos,  ka dëshmi që vërtetojnë se ka pasur një traditë të mirë për kultivimin e drithrave, pemtarisë e veçanërisht për vreshtarinë: në Lashtësi, gjat Mesjetës, e në vazhdim. Këto zhvillime në periudha të ndryshme po i cekim sado pak në këtë shkrim modest.

            Pranë vendit të Shenjtë “Selgjike” është Pylli i Lajthive në gjendje natyrale që edhe sot përfshin një formacion pyjor prej më se 6 hektarësh. Gjithashtu  aty afër ka dhe shumë thanë e kumbulla që vendasit i quajnë “të malit”. Deri von ishin edhe pyje të tërë me thanë si tek vendi i quajtur “Thanët e Bracke”. Në fund të këtij formacjoni pyjor ndodhen rrënojat e Kishës së Shën Gjonit dhe fshatarët, si Vend i Shenjtë, deri në vitet 1960 nuk i prisnin drurët në ato vende. 

            Në Shullë, Hijen e Sopotit, dhe Kurunë, pranë Kishës së Kurunës ndodhet një pyll vetëm me arrë. Këto arrë nga vetë kushtet e rritjes janë me trup të vogël e kanë prodhimtari të pakët. Ne mendojmë se janë të njëjta me arrët e Labovës apo të Selckës, të cilat edhe këto ndodhen afër vendbanimeve të lashta dhe në afërsi të ketë edhe lajthi. Shumë e çuditëshme por, duket sikur i ka mbjellë e njëjta dorë. Kokrrat e tyre çahen me lehtësi dhe është provuar se në kushte më të mira tokësore japin një prodhim të mirë dhe lartësia e kurorës së tyre harrin në 10-15 metra. Vështirë është sot të gjenden formacione pyjore natyrale të pasterta me arrë. Pranë hyrjes së Grykës së Sopotit deri në vitet 1950 ndodheshin dhe qindra gështenja disa prej të cilave janë dhe sot. Deri në vitin 1975 në vendin e quajtur Gropat e Buze ishin 8 rrënjë gështenjë me moshë qindravjeçare, etj. 

          Të gjitha këto fakte tregojnë se zanafilla e tyre është nga faktorë njerëzorë dhe këto fillesa janë shumë të herëshme. Kultet fetare që ndodhen aty tregojnë se ka patur një përkujdesje të vazhdueshme që nga kohëra qe nuk dien, e deri në Mesjetë nga banorët, sigurisht duke kryer herë pas here dhe mbjellje të reja. Kultet, kanë krijuar dhe mitin e ndëshkushmërisë. Nëqoftëse dikush do t’i priste ose do t’i dëmtonte këto pemë, do të kishte pasoja të rënda, ndaj dhe i kanë rezistuar kohërave deri von. Kjo na bën që të besojmë se të gjitha këto  kanë lidhjet me mitet e sjelljet Pagane, Parakristjane të banorëve me pemët. Kjo dëshmon gjithashtu për hisorinë e lashtësinë e fshatit. Ndaj është e nevojëshme të vihet në ruajtje ajo çka mbetur, pasi kanë vlera studimore e shkencore, botanike, historike, biologjike, agroteknike, didaktike, etj.

          Një zhvillim të madh që nga kohëra që nuk dihen ka patur edhe vreshtaria e mjeshtëria e bërjes së verës. Fshati Lazarat ka qenë i rrethuar me vreshta të shumta. Mbi fshat në vendin e quajtur "Vreshtat e Gjoke" ka qenë e mbjellë një sipërfaqe shumë e madhe, e sistemuar bukur në brezare funksjonale. Në ledhet e tyre siç përmendëm më lart ishin mbjellë edhe shumë pemë si: gështenjë, thanë, kumbulla,  etj., një pjesë e të cilave janë dhe sot. Praktikë kjo e përmendur edhe nga autorët romake si Plini, etj.,  për vreshtat në Iliri. Gjithashtu të shumta për këtë janë dhe dëshimitë e udhëtareve të huaj gjat Mesjetës. Në vendin e quajtur “Gropat e Buze”, në hyrje të Grykës së Sopotit ndodhen dhe dy vaska të lyera me gurasan(llaç me gëlqere dhe tjegull e shtypur). Ndoshta këto vaska kanë shërbyer më herët  për të shtrydhur rrushin. Koha kur janë ndërtuar ose kanë funksjonuar këto vaska nuk dihet, specjalistat mund të hedhin pak dritë.   

           Në Lindje të fshatit vreshta të shumta kishte në vendet e quajtura “Gropa e Belule”, “Gropa e Gogolit”, “Vreshti i Gabe”, në kufi me fshatin Dervician, etj. Nga ana e Veriut vreshta të shumta, të sistemuara bukur, ku në ledhe kishte edhe shume peme si dardhe, qershi, arra, kumbulla, etj., ishin në vendin e quajtur "Dushk". Në tërësi këto dukeshin si një kopësht i stolisur bukur me gjithfar pemësh e lloje të zgjedhura rrushi. Këto vreshta i morrën gjirokastritët sepse banorët u detyruan të largoheshin nga Kappllan Pasha në vitin 1734, ju kthyen përsëri banorëve pas Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912.

           Pas vitit 1958, vit kur u krijua kooperativa, djem lazarateas të apasjonuar pas vreshtarisë si: Zeqo Aliko, Ino Aliko, Nazmi Basha, Shyqo Meçi prunë nga vreshtat e Pogonit prej fshatrave Çatistë, Sopik, Hllomo fidanë të hardhive gjithfar llojesh dhe i mbollën në Dushk. Ato dhanë prodhim të mirë për 10 vjetët e para, po u zhdukën nga filoksera vit pas viti, sepse vendi ishte i infektuar nga vreshtat paraardhëse.

          Në Lazarat, ashtu si edhe në vendet e tjera, kishte edhe një traditë që pranë çdo çerçemi, lisi apo vidhi të mbilleshin hardhi, që mund ishin si: debinë, pulez, muskat, rrazaki, etj. Këto mirmbaheshin e u kryheshin të gjitha sherbimet agroteknike. Kjo praktikë kryhesh në fshat në kopshtet rreth shtëpive, por edhe rreth vreshtave në ledhet e mezhdat e arave të bukës ose në bostanet.

          Pas viteve 1970 në Zallin e Lazaratit u mbuall rreth 40 ha me vreshta me fdana antifillokserike të zgjedhur si: Shesh, Kabërnet, Debinë e Zezë, Sovinjo, Afuz Ali,  Reisling, Rexhinë, etj. Disa parcela patën një zhvillim të mirë e filloi të mirresh edhe prodhim i mbarë, por u prishen pas vitit 1990 sepse u kthyen në sheshe ndërtimi. Këto vreshta ishin planifikuar edhe të ujiteshin nga Stacioni Pompimit Kollorcë qe u ndërtua gjat viteve 1978-79 ku do të fuste nën ujë gjithë kodrat nën fshatin Lazarat, po kurrë nuk u vu në punë. Me që jemi ketu, ky sistem vaditës, tashmë gjysëm i gatshëm, është më se i nevojeshëm të rindërtohet dhe Kodrat nën Lazarat të mund të mbillen me: bajame, lajthi, arra, por edhe me dardhë, qershi, shegë, etj. Pse jo edhe me vreshta e perime. Një ha. me arrore siguron deri 15 mijë dollarë, konkurojnë edhe me agrumet nga fitimet që sjellin, si dhe tregu ka shumë nevojë.

          Në Kollorcë mund të përmendim gjithashtu blloqet me fiq të Dalip, Bido e Xhevdet Bashës, fiq të bardhë dhe të zinj, kokërmëdhenj, cipëplasur shumë të ëmbël e të veçantë, nga më të mirët,  me origjinë nga fshati Ladovishtë, një fshat i lashtë në Lunxhëri i braktisur, afër qytetit Antik të Antigonesë. Ky bllok është i ripërtrirë dhe sot jep prodhim. Rreth fshatit gjëndenshin gjithashtu dhe dhjetra ullinj me moshë qindravjeçare.

          Fushën e Lazaratit e përshkojnë Lumi i Suhës dhe Lumi i Drino, është një fushë pjellore. Në të kaluarën kërcënohesh nga daljet nga shtrati e këtyre dy lumenjëve. Fusha ishte e populluar me pemë të shumta që nga Pesjaku, Kunupica  e deri ne Urën e Kollorcës si: arrë, fiq, dardhë, mana, bajame, lisa, rrepe, etj. Në çdo ledh apo mezhdë are ishin mbjellë pemë. Shumë nga këto u shkulën gjat sistemimit të fushës. Kjo u riparua disi duke mbjellë plepa anës kanaleve. Pemët e shumta në fushë shërbenin për hije gjat muajve të nxehtë të vitit, ruanin një freski, lagështi ajërore e tokësore, mbronin bimët nga erërat e ftohta dhe vërshimet e lumenjëve. Pemë të grupuara në fushë, që ishin si oaze freskie, mund të përmendim: Fiqtë e Birbile, Fiqtë e Seriane, Fiqtë e Tushe, Dardhët e Bexhos, Arrët e Alike, Rrepet e Hirre, etj. 

            Në Fushën e Lazaratit kalonin rrugët që lidhnin qytetin e Gjirokastrës me Libohovën, Janinën dhe krahinat e Pogonit e Zagories, etj. Në kohët e Lashta sipas historianeve grekë Polibit shek. III p.e.r. dhe Plutarkut shek. II p.e.r, Pirrua i Epirit ndërtoi një rrugë për të lidhur qytetin e lashtë të Finiqit me qytetin e lashtë të Antigonesë, që Mbreti Pirro e ndërtoi për  gruan e tij Antigona. Gjurmët e kësaj rruge i gjejmë që në hyrje të Grykës së Sopotit si dhe në Fushë. Në fushë është një ngastër që quhet "Kalldrëme", aty ishte një pjesë e kësaj rrugës e shtruar me gurë.  Gjat sistemimeve të fushës dhe plugimeve traktorët nxirnin në sipërfaqe gurët e latuar. Me tutje ishte Ura e Kushës, rrënojat e së cilës gjënden dhe sot. Vazhdonte tek Mulliri Kapllan Pashës, anës Lumit të Suhës kalonte nëpër Haliq, Kunupice  drejt Pesjakut, duke u ngjitur drejt qytetit Antik të Antigonesë. Traseja e kësaj rruge aty-këtu ende dallohet mirë. 

          Gjat Mesjetës fusha shumë pjellore, lazaratasve nuk u është mundësuar ta çfrytëzonin. Kjo, qoftë nga kapriçot e vërshimeve të lumenjëve, ku disa muaj të vitit ishin të pakalueshëm, por u bë edhe më e vështirë për fushën dhe zonën nën fshat gjat okupimit osman në kohën e anarkisë feudale, e nxitur nga turqit. Në shekullin e 18-të, ishte vazhdimisht shesh lufte ku përplaseshin  ushtritë e interesat feudalëve shqiptarë për të zotëruar qytetin e Gjirokastrës. Ishin bejlerët e agallarët përreth, me ekspasjonin e tyre për toka që e bënin këtë luftë deri sa koha nxorri një të vetëm, Ali Pashë Tepelenën, i cili ndërtoi dhe urën e Kordhocës. Ai, Lazaratin nuk e përfshiu në çiflik të tij, sepse lazaratasit zotëronin vetëm bagëti e ara malore. Pas reformave të Sulltan Abdyl Mexhidit agallarët u fuqizuan dhe shfrytëzimi fshatarëve u shtua nga klasa e re. Disa fshatra të Pellgut të Drinos filluan të çpopullohen si: Kollorca, Kunupica, Pesjaku, Latovishta Gjonofshati, Xhanali, etj. Tokat e tyre i morrën agallarët gjirokastritë.

          Në Lazarat për mbijetesë, në shekuj ka pasur rëndesi jetike nxjerrja e bukës  me majën e kazmës, të dhiqeli e parmendës, në arat e brezaret në mal. Ato ara janë edhe sot me gjurmë të qarta, taraca e mure rrethues, ledhe e grumbuj gurrësh. Mbillej grure kutrule, 3-muajor, halëzi, zhulicë, thekër, elb, mel, misër vendi 3-muajor koker vogël, por shumë i shijshëm dhe me erë aromatike, qiqra, fasule qorre me miser bashkë. Arat për bimët e arave në mal ndodhen: tek Kisha e Shën Gjonit në Grykën e Sopotit, Shullëri Koçie, Pllashnja. E tregojnë toponimet dhe emrat e tyre si: Ara e Mahmute, Ara e Seriane, Ara e Meshës, Gropa e Misrit, Ara e Dollës, Arat e Kishës, Arat e Shullërit, Arat e Hasane, Kasallati, Ara e Nikos, Arat e Buzës, Arat e Haske, Arat e Rabe në Rrathe, Ara e Dervenit, Kenellet, Lekgjonet, Arat e Shebeke, Haselli Hire, Arat e Hies së Gjonit, Arat e Ledheve, etj.
Ura e Kollorcës ndërtuar nga Ali Pash Tepelena(në sfond një pjesë e Fushës së Lazaratit)
            Në fillimet e viteve 1970 u ndërtua Rezervuari i Doftisë  si dhe u hapën kanalet kulluese e ujitëse. Pas viteve 1975 si rezultat i këtij përmirësimi hidrik të fushës së Lazaratit filluan të mirren rendimente të mira në drithra në përputhje me kapacitetet biollogjike të kultivarëve që mbilleshin. Lazarati gjat kësaj periudhe ishte në kuptimin e plotë të fjalës një hambar për Kooperativën “Asim Zeneli”. Aty u ngrit dhe një qendër eksperimentale e shkencore e studimit të llojeve të grurit që hynin në prodhim për gjithë koooperativën. Për ironi për një perudhë të gjatë fshati nga ai sistem, rreth 6 muaj të vitit detyrohesh të konsumonte bukë misri duke bërë që fshatarët tu drejtoheshin e të luteshin në dyert e dyqaneve të bukës në qytetin e Gjirokastërës.  Gjat kësaj periudhe janë kultivuar me sukses edhe bimët  industriale e foragjere si: duhani, lule dielli, koreandëri, jonxhë, tërfil, sorgum, etj.

          Megjithëse fusha e Lazaratit që nga vitet 1970 ka mënjanuar në një farë mënyre dëmet nga vërshimet e lumenjëve, sepse duhet të mirmbahet, akoma nuk mund të çfrytëzohet me racjonalitet sepse nuk ka ura për të shkuar tek parcelat, disa muaj të vitit lumenjtë janë të pakalueshëm. Ura e Kordhocës, e vetmja urë, është e vjetër, e amortizuar dhe nuk i përgjigjet kërkesave të kohës. Është më se e nevojëshme të ndërtohen dy ura. Një mbi lumin Drino dhe një tjetër mbi lumin e Suhës. Lidhur me këtë mendojmë që këtu të ndërtohet dhe rruga ku ka qenë dikur, për në Libohovë, Pogon e Zagorie.  Ndërtimi i vetëm 3-4 km rrugë, do të shkurtojë 20-25 km, rjedhimisht këto krahina do t'i afrojë  me Gjirokastrën. Kursehet ndjeshëm kohë, amortizim, karburant, etj.  Do tu shërbejë dy krahinave për të frenuar disi shpopullimin, Libohovës, Lazaratit,  fshatrave Suhë, Stegopul, Labovës dhe vetë qytetin e Gjirokastrës do ta gjallerojë me tepër. 

          Shtimi i tokës bujqësore për Lazaratin erdhi gradualisht gjat shekullin të 19-të dhe të 20-të në fushën e Drinos, sepse më parë nga të dhënat historike të defterëve osmanë që pasqyrojnë vjeljen e taksave, del se lazaratasit mirreshin me bujqësi, pemtari e vreshtari në tokat malore. Ata kanë qenë edhe gurëxhi e muratorë të zotë, emigronin deri në Selanik e Stamboll për këto punë, pa harruar familjet e ekonominë e tyre familjare. Historiani grek Aravantinoi tek "Ipirotika Istoria" (1856) thotë se lazaratasit “mereshin edhe me tregeti qe arrinin deri në Athinë, Selanik e Kostandinopoje. Ky popull ka qenë punëdashës gjat historisë tij të shkruar e dëshmive materiale në rënojat mbi tokë e nën tokë. 

          Fondi i tokës që ka sot popullsia e Lazaratit, pamjen e morri plotësisht pas Reformës Agrare në vitin 1946, ku bë edhe shkëmbimi i tokave me pronarët gjirokastritë e derviciotë. Kjo popullatë ka qenë dhe është shumë e lidhur me tokën duke e emërtuar si “të shenjtë”. Tokën e ka dashur e punuar në çdo kohë pa pyetur për degët politike të kohrave që kanë vepruar kundër interesave të komunitetit lazaratas. Sot ka pak migrim brenda vendit e fare pak jashtë vendit, sepse të gjithë janë të dehur nga era e ngrohtë e Vendlindjes- Trevës së bukur të Lazaratit! Nëqoftëse e emërtoni: Lazarati Pellasg, Ilir, i Epirit, Arbëror, Shqiptar, Ju nuk keni gabuar, por keni thenë një të vërtetë.

Tetor, 2018

Foto nga Lazarati pres
Lazarati Sot
Gryka e Sopotit

Qente e races Mollose në Lazarat

Një bari, banor i Lazaratit në vitet 1969
Kur egersohen Lumi Drino dhe Lumi i Suhes.


Sunday, 23 September 2018

TRAGJEDI MJEDISORE NE BRIGJET E ADRIATIKUT

Toka po na rrëshqet nën këmbë.


          nga dr. Selman MËZIU

Firence, Itali

Selmam MËZIU
       Dallgët e shkumbëzuara turreshin si të çmendura mbi brigjet prej rërë. Ato kishin sjellur prej larg mbeturina gjithfarshe dhe ai po i flakte me turr, jashtë gjirit të vetë në plazhin prej rëre dhe në brezin mbrojtës prej pishash gjashtëdhjetë vjeçare. Rrënjët e tyre dhe kurorat e rrëzuara, rriheshin pa pushim nga dallgët e adriatikut të zemëruar, këtu në brigjet e tijë  në Rrushkull të Durrësit. Shikoi këto peisazhe të shëmtuara  pa të zotë dhe pyeta veten: A ka shtet ky vend që zbaton ligje, që kontrollon këto kafshime, që kujdest për tokën, ujrat, pyjet, livadhet që edukon njerëzit etj.?
1-  Marrëzit e fshatarit e qytetarit shqiptar
     Kur enët prej druri, alumini, bakri etj. u zëvendësuan me ato të kauçuçeve një përdorimshme, atëhere mjedisi ndryshoi fytyrën e përbërjen molekulare, por, edhe njeriut, iu përdhos ndërgjegja. Pikërisht kjo ndodhi kur shqipëria filloi të hyjë në anarshinë demokratike.
  Mbeturinat toksike, shiringat, gomat e karrocave e të makinave, shishet të të gjitha ngjyrave e madhësive, hidheshin në oborre, livadhe, pyje, përrenj, lumenj etj. E më shumë se gjysma notonin kilometra të tana duke ndotur brigjet e lumenjëve e përrenjëve, pjesa që nuk shpëtonte kacavjerjeve, përfundon në det. Pra koncepti i pa llogjik, i pa kulture e edukat që : ‘’Hidhni mbeturinat, me qese, makina zetora etj. në brigjet e përrenjëve  lumenjëve se i merr uji!,,  Ka shkaktuar këtë peisazh fëlliqësirash, këto pamje të shëmtuara, këto mjedise të helmëta e vdekje prurëse për kafshët e ujit të detit, të tokës e mbi tokës. Eci brigjeve të ngushta prej rëre dhe më duhet të hedh kamën me kujdes, nga tullat, shtizat e hekurit, të sfungjerave, shisheve, këpucëven  e sandaleve, këmishave të neilonta apo fshesat me e pa bishta kauçuku e mijëra mbetjesh urbane që shërbejnë si bartëse të ushqimeve të konsumit të përditshëm apo mbeturina prodhimesh industriale e ndërtimi, spitalesh, punishtesh.
    E vetëtimthin ashtu i vrarë shpirtërisht, i dërmuar moralisht më lind pyetja:  Po kur o shqiptari i shqipërisë do të komandosh veten për tu sjellur e vepruar me kultur, për të ruajtur shëndetin tënd, për të mbajtur pastër vendin ku punon e jeton, për të menduar shumë larg e plotë mirësi e kulturë edhe për bregdetasit Durrsak, Lezhian, Vlonjat, Sarandiot etj.?  Pamjet monstruoze më kanë minosur besimin në një të ardhme më të mirë.

2-   Perse deti kafshon brigjet?  
      Sepse neve si popull që jetojm, në male e brigje, kodrina qytete, i dogjëm, i preme pyjet, i gërryem me skavatore dhe tani po ndëshkohemi edhe nga moskujdesja për tokën, ish bujqësore, livadhore, pyjore etj. Nuk e punojm e kultivojm, tokën arë, sepse shteti akoma  na shikon me syrin e njerkës. Nuk na vlerëson, nuk bashkepunon, nuk përkujdest për bujkun pemtarin, pyllin, pylltarin. Veçanërisht pylltarët kanë mbetur si lakuriqët e natës në shpella, edhe pse të diplomuar e të paisur me dije, me arsimim, me kulturën profesionale e të përgjithshme.
    Premë me sopata e motosharra, njëkohesisht i dogjëm mijëra e mijëra hektar pyje, duke lakuriqësuar malet, kodrinat, luginat dhe kështu  tokën e sulmuan gjithe uri e egërsisht ngricat, erërat, shirat bora, duke i pregatitur asaj arkivolin drejt detit, Çdo vit 80.5 miloin ton tokë transportoheet drejt detit të cilat shkaktuan fryerjen,  zmadhimin e grykëderdhjeve të lumenjëve të Bunës, Drinit, Matit, Shkumbinit, Semanit, Vjosës, Erzenit etj. Deti kërkon hapsira të reja, sepse ne tërthorazi ia rrëmbyem atë, atëhere ai egërsohet  me tajfunet e zemëruara të dallgëve ku forca e tyre gërryen brigjet me gjithëçka. Për pasoi, me mijëra hektar pishnaja të ideuara, projektuara pjesërisht edhe të zbatuara nga Docient Ilia Nako të vazhduara nga inxhinieri tanima 90 vjeçar Vehbi Dermani po i shkul megjithë rrënjë gjithë bimësinë. Duhet të gjykojm gjithashtu se aty u derdhën rrëke djerse, dije, mundi e sakreficat e dhjetra inxhinierëve e teknikë pyjesh, punetorësh e koperativistesh, pothuajse në 3500 ha. breza bregdetar. 
       Ndihmesë ka dhënë, gjithashtu ngrohja globale, ku po ngrihet niveli i ujrave dhe oqeanëve nga shkrirja e akullnajave të Oqeanit të Ngrirë të Veriut etj. duke shtuar sasine e ujrave, ngritjen e nivelit te oqeanërave e deteve. Prandaj dallgët e shumta me plotë egërsi e pangopësi, rrahin vazhdimisht plazhet e brezat mbrojtës të adriatikut duke lënë mbeturinat e marrë  me vete tokën rërën e brigjeve.
          E ndërsa qindra pisha pesëdhjetë - gjashtëdhjetë vjeçare shkulen  pa mëshire, e qindra hektar plazhe zhduken pa u vënë re, askush nuk e vëzhgon, askush nuk jep alearmin STOP, askush nuk kryen matje, studime, askush nuk merr masa parandaluese me argjinatura etj.
 3  Zbutja e kafshimeve të plazheve e brezave pishnajore , 
    Janë dhjetra zgjidhje, me vepra hidroteknike të përmasave të ndryshme  të ndërtuara përgjatë brigjeve të cilat mund të ndalohet hovi gllabërues i ranishteve e brezave mbrojtes të pishnajave.
   Përvoja inxhinierike e hollandezëve, francezëve, gjermanëve, pse jo katedrat e inxhinierive te ndërtimit etj. mund të shërbejn si modele, ose të hartojn projekte solide të afta për të ndaluar vrullin shkatrrimtar të  tyre.
   Pra nuk ka as më të voglin dyshim se mund të ndalohet ky shkatërrim barbar nga projekte të kryera prej inxhinierëve të veçantë apo grupe të tilla projektimi e zbatimi.
   Ndërsa masa të tjera për zbutje të dëmtimeve, përfshinë:
--    Ruajtja e mbrojtja e pyjeve shqiptare nga prerjet, zjarret, po kështu edhe të livadheve e tokave bujqesore të braktisura ku kanë filluar të vegjetoin bimësia barishtore, shkurrore e drunore.
--   Ndërhyrja me prita malore të thejeshta prej gardhesh ose muresh të thata ose me çimento,  pritave malore përgjat shtretërve të përrenjëve, lumenjëve duke u shoqëruar me pyllëzime shkurresh dhe drurësh, brigjet dhe depozitate tyre.
--     Ndërhyrja me pyllëzime në faqet e maleve  kodrinave që sapo kanë filluar gërryerjet e shkallës së parë dhe të dytë me lloje të ndryshme si Akacia, hipofaja, arra, gështenja, pishat etj. lloje që zgjidhen duke marrë në konsiderat kushtet klimatike e toksore.
        Masa të tjera të tërthorta janë shkruar e paraqitur projekte e propozime psh. reforma të thella në organizimin piramidal të qeverisjes së pyjeve, në pronësitë mbi ato, në hartimin e ligjeve të reja të zbatueshme nga kujdestarët e pyllit për mbrojtjen e shtimin e pyjeve përmes projektesh e planesh afat shkurtëra e afat gjata.
    Zbatimi me rreptësi i ligjeve e rregullave mbi hapjen e rrugëve automobilistike dhe autostradave sipas standarteve evropiane. Disiplinimi apo ndalimi rreptësisht i marrjes së zhoverreve e ranave të madhiësive të ndryshme në shtretërit e lumenjëve dhe përrenjëve.
   Këto janë disa nga masat urgjente për zbutjen e  ndalimin e  kafshimit të brigjeve të detit Adriatik nga dallgët e forta shkaktare te shkatrrimit të plazheve të Rrrushkullit deri në Hamall, dhe në brigjet e Parkut Kombëtar  ‘’Kune-Vain-Tale,,  të Lezhës.

4-Cilët e kanë përgjegjësinë për këte tragjedi mjedisore?
      Gjithë ky indiferentizëm, e ka fillesën tek shteti, qeveritë e krijuara, me funksionimin më të keq të cilat nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur mjedisit në përgjithësi, e pyjeve në veçanti. Asnjëra nuk ka angazhuar specialistët e pyjeve në qeverisjen  e mirëadministrimin e pyjeve.
  Sot për këtë indiferentizëm të pafalshëm e kriminal, me pasoja katastrofike për banorët bregdetas dhe mbarë popullin e ka Qeveria e epublikës të Shqipërisë e kryesuar nga Edi Rama, Me pas ajo zbret tek Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, dhe së fundi përfundon tek Axhensia Kombëtare e Mjedisit e cila ka një sektor të veçntë për bregdetin. Të cilët me sa duket nuk ndjejnë as përgjegjësinë ligjore, profesionale, e ndërgjegja nuk i vret absolutisht se çdo vit ne brigjet e Adriatikut zhduken qindra hektar bregdet.
  Te gjitha këto halllka, institucione janë përgjegjëset kryesore ku çdo ditë, muaj e vite zhduket brezi mbrojtes prej pishave, i cili mbron tokat bujqësore nga erërat ngarkuar me kripëra, si dhe zvoglohet pa ndalur siperfaqja e plazheve.
*          *
    *
    Ndërsa në më shumë se gjashtëdhjetë metra shikoi siluetat e disa bunkerëve që mbulohen e shtrohet nga dallgët dhe qindra pisha të rrëzuara të cilat iu nënshtrohen shpërlarjeve nga shkuma e uji i kripur i detit.  Ndërsa sa kaq një dallgë e fort më mori rërën e lymin nën këmbët e mia dhe sa nuk u rrëzova.
    Deti me plotë energji e forca të verbërta, po punon për përmbytjen, zhdukjen një herë e përgjithmonë të pasurisë kombëtare tokës, drurëve, rerës së plazheve. Ndërsa unë vetëvetiu shtrijë krahët, shtërngoi grushtet e nofullat, ndaloi paksa frymarrjen, sakaq pyes veten : Cilin të godas, dallgët që nuk ndjejenë azgjë, pishat e thara me boçet e mbetura si kokrra lotësh të të mjerëve buzë vdekjes, apo rerës që po mbytet nga uji i shkumëzuar??

  05.09. 2018                                   Dr. Selman Mëziu   
  

Friday, 21 September 2018

Gryka e Sopotit

-Vështrim fiziko gjeografik-

nga  Zija  BASHA 
Historian dhe publiçist
Çikago, SHBA


Zija BASHA
Gryka e Sopotit ndodhet në shpat të Malit të Gjerë, pranë Lazaratit. Ajo është afërsisht 3 km e gjysmë e gjatë nga Rrathet deri në Qafën e Sopotit që është 1512 m mbi nivelin e detit. Ka një gjerësi prej Majës së Lloizit deri në Makerxhimë 1500 m. Lidhte në mijra vjet pellgun e Finiqit me pellgun e Drinos si vendkalimi më i afërt midis tyre, duke pasur rëndësi ekonomike, ushtarake në antikitet, mesjetë e kohën e re. Sipas gjeografit Profesor Mevlan Kabo dhe pohimet e gjeografit Muharem Bejleri në kohën gjeologjike të Kuaternarit mali i Gjerë gjat ngritjes(procesi antiklinal) pati një çarrje që errozioni e thelloi, e kemi sot, pas miliona vjetësh një pamje gryke malore që me bukurinë e saj, botën bimore e shtazore të pasur, të magjeps e të lumturon. 

Ne grykën e Sopotit duken qartë shtresat sedimentare të shkembënjve gëlqerore që nga koha e karboniferrit.Paraqiten në ujevarën e Sopotit në formën e shistit djeges(shtrese nafte e ngurtesuar që përmban edhe disa elemente të tjerë e që digjet si qymyri) disa shtresa të tilla që nga 5cm,7 cm, 15 cm deri ne 90 cm te trasha. Nga përroi i Honit Qëndre e deri në majën e Gropave të Trake lexohen qartë të ekspozuara nga errozioni shkëmbenjte e formuar ne miliona vjet të kohrave gjeologjike të Permit,Triasit, Jures Kretes, Kuaternarit. Ne ato lartesi malore me shtimin e pranise së fosforit shtresat gëlqerore bëhen më të lehta, më të buta dhe më të gryeshme nga ujrat duke formuar thellime shkembore vertikale që barinjtë i quajne stera. Ato jane Stera e Ngjellos, Stera e Shkozës, Stera e Qafës, Stera e Gropave Trake, Stera e Ristës, Stera e Selgjikes, etj. Koha e re Kenozoike, 66 miljone vjet më parë e deri në ditët e sotme duket e gryer nga errozioni, e ekspozuar gjat shpatit të malit që nga lartesitë deri poshtë në lindje të fshatit Lazarat, pranë shkollës fillore e Lenxate ku gurët gëlqerorë janë më të rendë nga shtimi pranisë hekurit. Në këtë kohë janë krijuar edhe shkëmbinjtë e rinj metamorfike ku nga errozioni janë krijuar edhe shumë guva që nga guva e Lazes në hyrje te Grykës e deri pranë burimit te Picunarit në këmbët e Selgjikes. Keta shkëmbinj janë krijuar nga bashkimi i guriçkave të ndryshme me njera tjetren në prani të argjilës e kriprave që dalin nga shkëmbinjtë gëlqerorë. Shumë guva ka edhe mbrapa Qafës së Sopotit, Lloizit e Makerxhimes. Nga koha e akullnajave (Plaistoceni)na ka mbetur një dhuratë natyrore,:Morena akullnajore është e qartë me të gjitha karakteristikat e sajë,10000 vjet e vjetër. Ndodhet në Qafë të Sopotit në kufi ngjitur me Makerxhimën.

Mali i Gjerë është një ngritje nga niveli i detit në formë antiklinali me majën më të lartë Maja e Frashërit mbi Mashkullorë me pak qafa si ajo e Sopotit, e Leftokaresë e Muzines. E kjo ndodhi ne miliona vjet. Kështu Gryka e Sopotit përmban edhe fosile te jetës që kur ishte nën ujé deri në kohët e vona. Errozioni ka nxjerrë mbi sipërfaqe nga shkembinjtë e copetuar fosile bimore e shtazore që përroi i Sopotit i ka transportuar e mund të dallohen në depozitimet e tij. Më 1964 vet kam gjetur në toponimin Kembet e Avdullarit në një shpellë që coptova fosile peshku. Sot çdokush mund shkojë e të gjejë fosile të tilla peshku 10 ose 15 cm të gjata në formë sardelesh të mëdha. Mesuesi Muzafer Aliko gjeti fosile midhjesh blu si ato që gjënden ne Malin e Dajtit 1200 mm mbi nivelin e detit. Këto materiale i kishim në kabinetin e biologjise së shkollës.

Tokat ne grykën e Sopotit janë të varura nga pjerësia ku vepron erozioni i cili të dy faqet e sajë të pjerta i ka shplarë nga tokat dhe nga aluvionet ka krijuar tokat e Rratheve, Shullerit e Kishes. Në vendet e mbrojtura nga errozioni ka toka argjilore në anë të Rratheve, në fund të pyllit të lajthive, në kembët e Fotos, në sheshin e Avdullarit në Gropë të Qershisë. Në Qafën e Sopotit ka toka të hirta si balta e fushës ku rritet i shendetshem bari i malit e barishte të tjera shumë të ushqyeshme për bagetitë.
Klima e Grykës së Sopotit është e butë në ultësirat e sajë të pa ekspozuara nga veriu, po është e ashpër në pyllin e lajthive e Selgjike, Maja e Lloizit qe i rreh veriu në dimër e temperatura në fund të dhjetorit e në janar arrin deri -250C. Vera është e freskët deri mesatare me temperaturë +25C. Rreshjet i kalojnë mbi 2000 milimetra në vit. Qafa e Sopotit në perëndim është shumë e pjerrët dhe erërat e ngrohta që vijnë nga deti, të ngarkuara me shi pasi perplasen pas majës së malit ngrihen përpjete rreth1000 metra dhe kondesohen duke lënë një pjese të lageshtirës e në ulje drejt grykes ulen me suferinë e rrebesh e qetesohen deri në luginën e Drinos. Fuqia e ujit gryes bie nga bimësia e dëndur dhe shtresat e trasha te zhavorit që thithin një pjesë të tijë.
Si rezultat i reshjeve të bollshme e mikroklimës gryka e Sopotit ka florë e faun mjaft të pasur. Ka 150 bimë medicinale të njohura e kataloguara e me të përmendurat janë çaji malit, rigoni, trendelina, bari murtajes,,murrizi, trendafili egër, sherbeli, sumaku, etj. Rriten gjethegjërët si bliri në pyll, shkoza, panja, krekeza, mëlleza, frasheri, arret e malit në hien e Sopotit e në shullë, ne trepet e Kurunës, Deri në vitin 1975 në toponimin gështenjat ishin 8 gëshenja gjigande në një tokë argjilore, por u prenë. Në Grykën e Sopotit e në Selgjike rritet një lule e mbrekullueshme që ka vetem ne malet shqiptare e në asnjë vend tjetër të globit. Ky është zambaku shqiptar(Lilium Albanikum). Ka bukuri të rrallë që të le pafryme. Shtohet me rizoma.

Fauna e Grykës së Sopotit është mjaft e pasur në kafshë té egra grabitqare si ujku, dhelpra, kunadhja, nusja e lales, zardafi(qelbesi qe ha kerma). Jetojnë shpendët grabitqare si sqifteri, petriti, kukumjacka, bufi e larashi. Jeton edhe mbreteresha e qiejve shqiptare, shqiponja, tek shkëmbi i Shkabave.Nga kafshët jo grabitqare jetojnë lepujt, sorkadhja që shfaqet në pranverë e që vjen nga Onga, mbrapa majës së Sopotit për t’u çiftuar në pyllin e lajthive, derri i egër vjen në dhjetor nga pylli geshtenjave të Onges. Nga brejtesit që jetojnë në Mërzim të Krishte janë ketri, macja e eger, rreqebulli. Në pyll të Sopotit nga prania e miut si brejtës i lajthive në verë ka disa lloje gjarprinjsh helmues si nepërka, gjarpri shkurtër me brirë (quhet keshtu se ka në kokë dy zhunga të vogla si bri), nepërka shigjetë ngjyrë kafe etj. Gjarpri madh "astrit: vjen në verë nga pylli i Onges për të gjuajtur lepuj e zogj. Në burimin e Sopotit jeton Salamandra, amfib i bukur me ngjyrë të verdhë e lara-lara. Në sheshe e pllaja jeton thëlleza e bukur e malit e pranë sterave të malit është gjithmonë prania e pellumbit të kaltër. Në shkëmbin e madh jetojnë dimër e verë sorrat e siliqokat me sqep e këmbë të kuqe. Gjat pranverës vijnë zogjtë shtegtarë si dallandyshja, gjoni, qyqja, kali qyqes, zogu verdhë i verës. Dy zogj të bukur që e zbukurojnë peisazhin gjeografik me praninë e tyre janë kokoshi i egër dhe qukapiku.Në verë që në mengjez të thellë e deri në mbremje kënga e bilbileve e zogjve të tjerë janë sinfoni që të kenaq shpirtin.



Në dimër me borë

Sunday, 2 September 2018

MJESHTRI XHEMAJL GASHI DORZON NE MUZEUN KOMBETAR PUNIMIN E TIJ KU ESHTE RIPRODHUAR ARTIFAKTI KATAFIQIT


Sic dihet ne Kalan e Katafiqit ne Vlore ne vitin 1974 u gjete nga studiuesi dhe etnologu Rrok Zojzi nje pllak guri me permasat 40X65 ne qender te se ciles ishte gdhendur nje shqiponje dykrenare me simbolin e lisit ne gjoks (simboli Dodones). Ilustrimi i kesaj pllake eshte bere nga Pandi Mele. Por në vitet 1980-1981 ky artifakt zhduket nga mjediset e Akademisë së Shkencave. Ilustrimi i artifaktit eshte publikuar ne vitin 1982 ne kopertinen e punimit me titull “Etnogjeneza e popullit shqiptar në dritën e historisë” mbajtur nga profesor Aleks Buda. Nuk do ti hyjmepjeses se kush e zhduku kete artifakt shume te vjeter sepse keto i kemi sqaruar njeher ne shkrimin “HISTORIA E SIMBOLIT TONE KOMBETAR DHE DODONA PELLAZGJIKE”.

Por studiuese Gjergj Zogaj njofton se ne daten 31 Gusht 2018, mjeshtri dhe studiuesi nga Prishtina, Kosove, zoti Xhemajl Gashi, i ka dorzuar stafit te Muzeut Kombetar, Tirane, punimin e tij ku eshte riprodhuar imazhi i shqiponjes dykrenore me gjedhet e lisit ne gjoks ( e njohur me emrin Shqiponja e Katafiqit) e cila fatkeqsisht eshte zhdukur nga ata te cilet kishin si detyre qe ta ruanin kete artifakt te cmuar. Vete mjeshtri dhe autori i ketij punimi te rralle zoti Xhemajl Gashi falenderon te gjithe miqte dhe ne vecanti inisiatoret dhe nxitesit qe ai te kryej kete punim, zotin Petrit Laze, zotin Gjergj Zogaj dhe zotin Besir Bajrami. Ai falenderon stafin administrues te zyres se pranimit ne Muzeun Kombetar dhe drejtorin e saj per mikpritjen. Midis te tjerave autori i ripunimit te imazhit te shqiponjes se Katafiqit zoti Xhemajl Gashi thote se punimi i tij ka nje kod qe vetem ai e identifikon.
Duke e falenderuar per kete riprodhim te rralle, ne e urojme zotin Gashi me fjalet; SUKSESE NE PUNIME TE TJERA TE CILAT VERTETOJNE LASHTESIN E POPULLIT TONE.
Faleminderit zoti Xhemajl Gashi!
SQARIM
Disa te dhena nga ky shkrim jane mare nga llogaria e zotit Gjergj Zogaj ne rrjetin social “Facebook”.
Artifakti i vendosur ne foton e pare eshte riprodhimi i bere nga mjeshtri dhe studiuesi nga Kosova Xhemajl Gashi. Ndersa fotoja e dyte eshte imazhi i artifaktit origjinal i bere ne grafit nga Pandi Mele.
Pregatiti Besim Dervishi
Marrë nga  "DODONA NEWS"