Friday, 12 May 2017

“ PEMTARIA DHE VRESHTARIA TRADICIONALE E ZONES TE LIBOHOVES,VLERE E VECANTE NE ZHVILLIMIN E EKOTURIZMIT”.


  nga Agr. Besnik ISMAILATI
Bashkia Libohove, Qarku Gjirokaster 


        
Besnik Ismailati
Kultivimi i hardhisë, i pemëve të ndryshme frutore, ullinjve apo edhe i agrumeve dhe i kulturave të tjera të shumta bujqësore në zonën e Libohovës, i përket një periudhe shumeshekullore.
         Për vetë pozicionin e saj të favorshëm gjeografik në juglindje të Gjirokastrës, e shtrirë në një lartësi 300-800 m mbi nivelin e detit, e shoqëruar me një klimë mesdhetare, me toka livadhore, kodrinore-malore, pjellore e të kulluara, me burime ujore të përshtatshme për vreshtari e pemtari, e mbi të gjitha e banuar nga njerëz punëtorë e të ditur, të pasionuar fort pas bujqësisë dhe blegtorisë, Libohova përbën një dëshmi dhe përvojë të pasur në zhvillimin e bujqësisë tradicionale shqiptare biologjikisht të pastër, produktet e së cilës i kanë kaluar kufijtë shqiptare në çdo etapë historike të zhvillimit ekonomiko shoqëror të vendit.
         Libohova dallohet për kultivimin e shumë llojeve të pemëve frutore. Mund të pohojmë me bindje të plotë se ndoshta vetëm në Libohovë e ne zonat rreth saj të jepet mundësia të shijosh gjatë gjithë vitit llojshmëri frutash, perimesh e produkte blegtorale të prodhuara ne menyre tradicionale e biologjikisht te pastra: si mana, qershi, kumbulla, dardhë, fiq, mollë, thanë, shegë, lajthi, bajame, pjeshkë, ullinj, ftonj, rrush, gorica, çerçeme, portokalle, limona, mandarina, luleshtrydhe e deri te kivi, si të freskëta ashtu edhe të përpunuara apo të thata.
         Nga llojet specifike me te perhapura te bimeve te ndryshme natyrore e te rritura e te kultivuara prej shume kohesh me pare e qe vazhdojne te kultivohen e te rriten edhe sot ne zonen e Libohoves mund te permendim:

BIMET MEDICINALE TIPIKE TE ZONES:
1. Çaji Buretos

2. Sherebela e Buretos
3. Apistia
4. Salepi

5. Rigoni
6. Bliri i Kuq i Laboves se Kryqit”

PEMET FRUTORE TIPIKE TE ZONES:
1. Bajamja e Libohoves
2. Ulliri Vajes i Libohoves

3. Mani i bardhe dhe Mani i zi
4. Fiku i zi i shkruar i Nepravishtes
5. Ftoi kokermadh i Nepravishtes
6. Arra e Laboves se Kryqit
7. Dardha dimerore e Suhes
8. Rrushi Debina e Libohoves dhe e Laboves se Kryqit
9. Rrushi Razaki i Libohoves

PERIME TIPIKE TE ZONES:
1. Bamja e Nepravishtes
2. Hudhra e Libohoves
3. Patatja e Laboves
4. Qepa e bardhe e Laboves
5. Qepa e kuqe e Suhes
6. Barbunja e shkruar e Nepravishtes
7. Barbunja Aishe Kadena
         Gjurmët e lashta të vreshtave të Revanisë, Kopenikut, Kalloeres, etj. me Debinat e famshme për prodhimin e rakisë, apo Razakitë e jashtzakonshme që mund ti shijosh në tavolinë të freskëta deri vonë në dimër, fiqve të zinj të shkruar, të bardhë, abrashë, shëngjinas, çepellato, të rrallë në të gjithë vendin, manave të bardhë e të zinj për ngrënie, pekmez e stafidhe, dardhëve elbësore e deri tek ato dimërore, shegëve të ëmbëla e majhoshe, kumbullave të verdha e të kuqe, të freskëta apo edhe të thata, ullinjve të shijshëm per vaj e per ngrënie të zones , dhe akoma më tej, “Bostani i famshëm i Beut” i cili përbënte një kopsht të shkëlqyer e te vecante botanik, me të gjitha llojet e pemëve, luleve, shpendëve të buta e të egra, zogjve e bimëve të tjera (i cili për fat të keq është shpërbërë), sot trashëgohen në çdo kopesht e familje libohovite.
         Veçori dalluese kryesore e prodhimeve tona bujqësore e blegtorale ka qënë dhe mbetet pastërtia e tyre biologjike e kimike me shije të veçantë e të jashtëzakonshme e me vlera të mëdha shëndetësore.
         Kontributi dhe përvoja shumëvjeçare e shumë specialistëve dhe mjeshtrave libohovitë në pemtari, perime,vreshtari, blegtori e në degë të tjera të zhvillimit të një shkence të mirëfilltë bujqësore tipike tradicionale shqiptare e të gërshetuar me mjeshtëri me përvojën botërore, përbën çelësin kyesor të punës pasionante e frytdhënëse të çdo libohoviti.
         Tavolina e pasur libohovite e shtruar me rakinë dhe veren e saj specifike, mishin e qengjit e të kecit, djathin e famshëm e të rrallë në të gjithë vendin, perimet e freskëta e të përpunuara sipas traditës , i ka lënë të mahnitur mjaft vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë patur rastin ta shijojnë atë në familje apo edhe në lokale të ndryshme libohovite.
         Në ditët e sotme frutikultura dhe vreshtaria në Libohovë perbëjnë një nga prioritetet e fermereve libohovite. Kurora e saj e gjelbër e shtrirë nga kodrat e Mendarit në veri e deri te Përroi i Madh në kufi me Nepravishtën në jug, nga kodrat e Revanisë rrëzë Malit te Buretos mbi qytet nga lindja e deri poshtë në fushën e Drinos në perëndim, i jep zonës tonë një pamje piktoreske të veçantë në të gjithë rajonin e Gjirokastrës.
         Ne te gjithe zonen e Libohoves jane te shumta monumentet e natyres e te kultures te trasheguara nga e kaluara,te cilat kane nje vlere te vecante kulturore dhe historike. Nga me te permendurat dhe me me vlere per vizitoret mund te permendim:

MONUMENTE NATYRE TE ZONES:
1.Rrapi shumeshekullor i Libohoves

2.Burimi i ujit te pijshem te Zhepes ne Libohove
3.Rrepet e Lozes (Vithimat e Lozes)
4.Shpellat e Kalistase
5.Guvat e zeza ne Kodrat e Revanise
6.Kodrat e Revanise
7.Kodra e Mendarit
8.Kodra e Lardhomit me pisha
9.Kodra e Aniles
10.Livadhet e Stojanit
11.Bregu i Cuprelit
12.Bregu i Zervoit
13.Bregu i Doftise
14.Geshtenja e Nepravishtes (Kapsaq)

15.Bregu i Lejlekut
16.Rrapi i Stegopulit
17.Shpellat e Tajos
18.Mali i Buretos, 1763 m i larte dhe 14-15 km i gjere
19.Rezervuari i Doftise


MONUMENTET E KULTURES TE ZONES:
1. Sarajet e Mufit Beut

2.Kalaja e Shanishase

3.Kulla e Sahatit e ndertuar ne fillim te shekullit XIX

4.Porta e Isufateve

5.Varret Pagane

6.Varret monumentale (Varri i Shanishase dhe i Mufit Beut)
7.Teqeja e Melanit ndertuar ne vitet 1800

8.Kisha e Laboves e ndertuar 1500 vjet me pare

9.Kisha e Stojanit
10.Teatri i Adrianopolit

11.Mekami i Oguz dhe Demir Babait
12.Ura e Zonjes ne Lumin e Suhes

13.Qyteti Antik i Antigonese



Se fundi ja edhe disa te dhena fare te shkurtera historiko-gjografike per Libohoven te cilat tregojne lashtesine dhe bukurine e saj:
Emri i pare i Libohoves ka qene Dryopi=dru;lis;pyll; natyre
Emri i sotem eshte mare ne shekullin e VI -te eres se re kur keto vise u pushtuan nga sllavet.
Libohove do te thote= vend i dashur, vend i bukur.

DISA TE DHENA GJEOGRAFIKE:
Lartesia mestare e qytetit mbi nivelin e detit eshte 731 ml
Gjeresia gjeografike eshte 40.03 grade
Gjatesia gjeografike eshte 20.27 grade
Siperfaqja e vijes se verdhe eshte 260 ha
Në rast se në vënde të tjera, zona të veçanta janë shpallur “Zona të mbrojtura bujqësore e blegtorale për prodhime të pastra biologjike”, Libohova me të gjithë zonën e saj përreth e gëzon nga natyra e saj e pasur këtë privilegj, me florën dhe faunen e saj të pasur e te vecante.
Pergatitur nga

Agr.Besnik Ismailati


Thursday, 27 April 2017

Skicë lakonike për Libohovën e pavdekshme

                                         nga Moikom Zeqo 
Është shumë e vështirë (entropi, gati titanike) të shkruash diçka siç duhet, meritore, për gjërat, që do më shumë, që janë padyshim, më emblematike dhe eterne.
Kështu më ndodh kur dua të shkruaj për Libohovën, vendlindjen e babait tim.
Si arkeolog kam përgjegjësinë që nuk kam hulumtuar ende historinë e kryehershme dhe gjenezën antike të Libohovës. Ç’paraqet Libohova në histori?
Sa e lashtë është Libohova?
Pse nuk është shkruar historia e saj e antikitetit dhe mesjetës? Pse vallë? Si ka mundësi?
Banorët e Libohovës e duan me gjithë shpirt dhe mrekullisht Libohovën.
Libohova është edhe Jerusalemi edhe Meka e libohovitëve.
Njerëzit i takojnë substancës, pra banorët e Libohovës janë ngjizur nga struktura materiale e Libohovës në shekuj dhe kështu janë sinkronizuar bashkë! Përjetësisht!
Libohova si qendër urbane është shumë e hershme, të paktën që nga shekulli IV-III para Krishtit! Pse e them këtë? Në luginën e Dropullit të sotëm, në Jugun e Shqipërisë që është edhe e Epirit iliro-shqiptar, qendra kryesore urbane, si thelbi organizues dhe administrativ është qyteti i rëndësishëm antik i Antigonesë, i ndërtuar nga Pirroja i Madh, për nder të gruas së tij Antigonës!
Qyteti i Antigonesë i ndërtuar në mal dhe i fortifikuar shpreh situatën e luftërave të kohës dhe të mbrojtjes.
Antigonea është sekreti i madh i një vargu qytezash ilire të quajtura si qyteza asteroide” si Libohova, Labova, Melani etj, që qenë shumë të rëndësishme për kryeqendrën Antigonea në të gjitha kuptimet.
Në këtë periudhë antike Libohova ka patur një emër fillestar, antik.
Studiuesi i madh i hartave të vjetra, Kiperti, në bazë të gradëve dhe dimensionimit real gjeografik, me pozicionin e sotëm të Libohovës vendos një qytet të lashtë me emrin Orestia, te tjere,ose qytetin Omfalion,madje edhe qytetin me emrin Elaeus.
Kush eshte emri i vertete?
A është kështu? Kjo duhet vërtetuar.
Një gjë jam i sigurtë që emri fillestar antik i Libohovës ka qenë ndryshe nga toponimi i sotëm sllav, që për mendimin tim del i fiksuar si ndrim emërtimi topononimik, mbas 12 shekujsh, pra nga shekulli VIII ose IX gjatë pushtimit të perandorisë bullgare.
Kështu mbeti ky toponim sllav deri më sot.
Në shekullin II pas Krishtit jeta administrative e Antigonesë vdes dhe perandori romak Adriani ndërton në fushë të Dropullit, kryeqendrën e re, zëvendësuese, qytetin me emrin e vet, Adrianopolin ( nga vjen edhe toponimi Dropull) në epokën e Pax romanas të Paqes romake, ndaj ky qytet nuk ka mure fortifikuese.
Libohova është gjithashtu një “qytezë asteroide” e Andrianopolit sigurisht.
Në shekullin VI pas Krishtit, pra mbas 4 shekujsh në epokën e trazuar plot luftëra të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh, Andrianopoli vdes si kryeqendër administrative dhe këtë rol madhor e merr qyteti hijerëndë i Gjirokastrës.
Për emrin e qytetit janë shtjelluar teza nga më të ndryshmet. Është shtjelluar teza se Gjirokastra vjen nga emri Pirrokastra, që lidhet me emrin e Pirros së Epirit.
Një tezë tjetër e lidh emrin e Gjirokastrës me emrin e princeshës Argjiro sipas një balade.
Këto nuk janë shkencore.
Gjirokastra në shekullin XIV ka qenë një kryeqendër e princit të famshëm Gjin Bue Shpata.
Muzeumologu patriark i Gjirokastrës, miku im i ndjerë Lefter Dilo, flet për ekzistencën e një kronike në pergamenë, që i takonte si kohë shekullit VI pas Krishtit. Ku ndodhet kjo kronikë?
Të shumtë janë udhëtarët që kanë folur për Gjirokastrën. Disa studiues e identifikojnë me Andrianopol, nga rrjedh dhe emri i Dropullit të sotëm. Kryekalaja e Gjirokastrës është një kryevepër ndërtimore e Ali Pashë Tepelenës.
Gjatë vitit 1996 kur unë studioja në Dumbarton Oaks në Washington D.C. shfletova librin e botuar nga dijetari i madh Zef Valentini me titull: “Contributi alle Cronollogia Albanese” Romë 1957.
Në këtë libër në faqen 109 mbështetur në burimet bizantine thuhet se kështjella e Gjirokastrës është ndërtuar me 565-579 nga një funksionar bizantin gjysëm i pavarur, i quajtur Livaton Argjiri (Argyro Livatone), i cili ka jetuar në kohën e Justinianit të Madh dhe ka ndërtuar dhe bazilikën e quajtur Pantakrator dhe Nëna e Zotit.
Në disa dokumente në vitin 578-582 Livaton Argjiri, quhet Zot i Gjirokastrës, Guvernator i Drinopulit dhe Kaonisë.
Këto dokumente, që unë do t’i shtjelloj më gjerësisht herë tjetër, bëjnë të qartë se emri i Gjirokastrës lidhet konkretisht me emrin e një figure historike në shekullin e gjashtë pas Krishtit. Kjo tezë thuhet për herë të parë në shkencën historike shqiptare. Unë mendoj që Zef Valentini na ka ndriçuar përfundimisht të vërtetën e emrit të Gjirokastrës.
U zgjata pak për Gjirokastrën sepse paralelisht me të Libohova (e cila në shekullin VI nuk kishte fare emrin sllav) ekzistonte si qendër urbane dhe banorët e saj kanë ndikuar drejtpërdrejtë në formimin e Gjirokastrës.
Libohova në pikëpamje kronologjike, dmth kohore, është gati 10 shekuj më e lashtë se qyteti i Gjirokastrës.
Në shekullin XIX Ali Pashë Tepelena ndërton kështjellën për motrën e tij Shenishane në Libohovë.
Libohova kurrë s’ka qenë fshat. Nuk ka fshat me kështjellë kaq të madhe. Kështjella, ku ishin dhe sarajet e Shenishasë qenë një kryevepër ndërtimore, e bërë nga ndërtues vendas dhe francezë.
Prishja e sarajeve qe një tragjedi.
Gjendja e mjeruar e ruajtjes së kështjellës është një turp i madh.
Ruajtja ndërkohë e sarajeve të Myfit bej Libohovës, të paktën ruan një pamje qytetase të Libohovës.
Figura më e madhe e Libohovës është Heroi i Popullit Avni Rustemi.
Kujtimi i tij është një flakadan drite i pashuar, një fener i vetëdijes dhe dinjitetit. Sa pak, sa pak kemi bërë për Avni Rustemin e pavdekshëm.
Për Libohovën kanë shkruar Bajroni në shekullin XIX dhe sidomos Elvia Çelebiu, dy shekuj më parë, në shekullin XVII.
Të dy e meritojnë nga një monument në qendër të qytetit të Libohovës.
 Rrapi i Libohovës është monument i jashtëzakonshëm i natyrës. Një mrekulli e parrëfyer!
***
Diçka për familjen time.
Stërgjyshi im i shekullit XIX quhej Zeqirja, dmth shkurt Zeqo, qe i diplomuar për jurisprudencë në Stamboll dhe ka qenë kryekadi në qytetin Kozhan të Greqisë, ku edhe vdiq.
Prej tij ruhet vetëm një fotografi.
Djali i tij Jaho, i mbiquajtur si i Zeqos, në rini qe në Stamboll, u kthye në Libohovë, ku u martua me Faika Rustemin, që e kishte Avni Rustemin, djalin e xhaxhait.
Bënë dhjetë fëmijë, nga të cilët rrojtën shtatë.
Djali i madh Zihniu (babai im) i lindur në 1918 mbaroi shkollën shqipe në Libohovë, në 1938 është ushtar në Shkodër. Nga ky vit ruaj një fotografi të Marubit, ku Zihniu është muzikant, klarinetist, mes bandës muzikore ushtarake të Shkodrës. Pra ka patur një kualifikim muzikor.
Në 1939 Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë. Zihniu qe në Shkodër dhe u lidh që herët me lëvizjen komuniste me Manush Alimanin.
Qe ndër partizanët e parë të Batalionit “Perlat Rexhepi” dhe në Betejën e Reçit në 1943 u plagos për vdekje. Në mënyrë ilegale u fut në Shkodër, tek një familje shkodrane, ku u mjekua për shumë muaj dhe shpëtoi nga vdekja.
Vëllai i tij Mehdiu, me Brigadën e Parë luftoi në Betejën e Çlirimit të Tiranës dhe qe heroi i një sulmi me granata mbi një fortino gjermanësh në Laprakë të Tiranës.
Për heroizmin e tij kanë shkruar Mehmet Shehu dhe shkrimtari partizan Haki Stërmilli.
Të lidhur me lëvizjen Antifashiste Nacional-çlirimtare qe edhe xhaxhai tjetër më i vogël Zeqoja, si dhe hallat e mia Engjelli, Nurija, Bukurija dhe Bajamja.
Pra shtatë antifashistë, që unë s’mund t’i harroj dot dhe asnjëherë.
Ndaj edhe unë jam një antifashist i përjetshëm.
 Deri sa të vdes!
Gjyshi im Jaho qe një njeri i famshëm në Libohovë. Ai kishte hapur një gjellëtore në Libohovë. Ishte plot humor dhe zgjuarsi të hatashme.
Në 1924 qe në Revolucionin e Qershorit me Fan Nolin. Ruaj një fotografi të tij me armë si fanolist.
Jaho qe i çuditshëm dhe mjaft inteligjent. Ai dinte të rregullonte orët si dhe qe njeriu më kryesor që bënte synet djemtë e rij sipas ritit.
Në shtëpinë tonë në Libohovë ruheshin një Kuran, që Jaho e lexonte në arabisht dhe një Bibël, në greqisht, që gjithashtu e lexonte në këtë gjuhë!
Gjyshja ime “aneja” Faika qe një grua trupvogël por mjaft e autoritetshme.
Në sëndukun e saj ajo ruante rrobat e saj “për çastin e vdekjes”, një shami e bërë me gjak nga trupi i Avni Rustemit të vrarë, si dhe kopja e parë e “Milosaos” e De Radës. Avni Rustemi kishte studiuar në kolegjin deradian të Shën Adrianit. Këtë “Milosao” të vitit 1836 e kam trashëguar unë tani dhe e ruaj me një kujdes idolatrik.
Babai im Zihniu vdiq më 1960, në moshën 42 vjeçare nga kancerizimi i plagëve të luftës.
Qe dy herë i plagosur.
25 vjeç Zihniu qe invalid i Luftës Nacional-Çlirimtare. Dhjetë vitet e fundit të jetës punoi në ekuipazhet e anijeve transoqeanike “Partizani” dhe “Liria” të Flotës Tregtare të Shqipërisë.
Vdiq menjëherë, mbas udhëtimit të fundit detar, stoik dhe i heshtur, i sfilitur dhe i tretur tmerrësisht nga dhimbjet e mëdha. Diçka tjetër për familjen e babait tim.
Emri më i hershëm i familjes është Zako.
Zeqo është sipas stërgjyshit Zeqirja, shkurt Zeqo, që u bë mbiemri i Jahos, gjyshit tim.
 Zako është një emër që del edhe në Zagori.
***
Përsa i përket jetës time, unë linda në Durrës.
Mbas vdekjes së babait u bëra më shumë i vetëdijshëm për origjinën e pashlyeshme nga Libohova.
Shtëpia dykatëshe e gjyshit dhe babait tim është edhe sot në Libohovë.
Unë shkoj shumë shpesh atje. Me mall përvëlues.
Para ca muajsh vajza ime e madhe Arnissa, që punon si historiane arti dhe jeton e martuar në Amsterdam të Holandës, erdhi me të shoqin Vincentin, në Libohovë, qëndroi e mallëngjyer te shtëpia ime prindërore, vajti tek Rrapi i Libohovës, dhe kur u kthye më solli një shishe me ujë nga burimi i madh mes rrënjëve të Rrapit shekullor.
***
Tani jam 67 vjeç. Qytetar Nderi i Gjirokastrës, Durrësit, Mallakastrës,Beratit, por së pari Qytetar Nderi i Libohovës.
Kam botuar mbi 100 libra. Edhe libra jashtë shtetit, në disa gjuhë të huaja.
Por fama nuk më intereson fare.
Por nuk do rresht të mendoj dhe të nderoj Libohovën e pavdekshme./Dita&Libohova online

Saturday, 8 April 2017

ULLIRI NË FSHATIN GJORËM TË KURBINIT-NJË MONUMENT I RRALLË I NATYRËS SHQIPTARE.

                        nga: Edmond BROZI

        Ulliri mendohet të jetë dru frutor aq i lashtë sa dhe prania e njeriut në tokë. Origjina e tij vjen nga pellgu i Mesdheut dhe mendohet që zanafillën e ka në Palestinë apo Sirinë e sotme. Ulliri historikisht ka simbolizuar paqen. Në Romën e lashtë ulliri ishte i shenjtë dhe konsiderohej si pema frutore më e rëndësishme në historinë e agrikulturës. Pellgu i Mesdheut sikurse dihet ka klimën ideale për rritjen e kësaj peme, e cila dallohet për frutet e shijshme dhe vajin e prodhuar prej tyre të një cilësie mjaft të lartë. Rreth 90% e ullinjve në të gjithë planetin prodhohen në këtë zonë, ku prodhuesit më të mëdhenj janë Spanja, Italia dhe Greqia. Mjedisi gjeografik në të cilin gjendet Shqipëria ka bërë po ashtu që edhe, ilirët paraardhësit e shqiptarëve në këto troje që në lashtësi të jenë të lidhur ngushtë me këtë pemë.

           Këtë fakt na e vërteton pa as më të voglin dyshim jo vetëm gjetjet e zbuluara nga gërmimet arkeologjike të mbushura më vizatime me motive prej gjetheve apo fruteve të këtij druri dhe sidomos enët që shërbenin për ruajtje e ullijve dhe vajit të nxjerrë prej tij. Po ashtu dokumentet historike të mesjetës dhe në vijim dëshmojnë të faktuar praninë e ullishteve në të gjithë zonën kodrinore të vendit nga veriu në jug, përballë bregdetit Adriatik dhe atij Jon. Hershmëria e kultivimit të kësaj peme mund të vërtetohet edhe përmes vreshtave të vjetra dhe sidomos ekzemplarvë të rrallë midis të tillvë veçohet njëri prej tyre. Ulliri në Fshatin Gjorëm të Kurbinit. Ky është një ulli me përmasa gjigande i cili kalon çdo parashikim apo imagjinatë normale nga sa mund të mendojë dikush që nuk e ka parë, për rrjedhojë dhe i duket e pabesueshme. Dihet që pema e ullirit rritet shumë ngadalë, por që jeton shumë gjatë nëse terreni dhe kushtet klimatike janë në parametrat e duhura. Njihet tashmë fenomeni i zhvillimit industrial, pasojë e të cilit ka ardhur ngrohja globale, së cilës nuk i ka shpëtur edhe ulliri i cili është i rrezikuar. Perimetri i trungut të ullirit në fshatin Gjorëm është afërsisht 11 metra (11. 3m) e që sipas përllogaritjeve i bie që diametri i tij të jetë rreth 3.6 metra. Nga ky këndshikim nuk është e lehtë të përcaktosh moshën e kësaj peme, por nisur nga përmasat gjigande të trungut, specialistët e fushës mendojnë qe ky ulli në mos më i vjetri duhet të jetë një ndër ekzemplarët më të vjetër jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjërë në Ballkan dhe Europë. Në një shtet normal ku funksionon si duhet ligji për mbrojtjen e monumenteve të natyrës, ky ulli duhet të gëzonte mbrojtje dhe kujdes të veçantë. Kush e di sa luftërave, zjarreve apo stuhive të kohëve të ndryshme u ka mbijetuar ky ulli përgjatë shekujve?! Kujtojmë që kjo zonë ishte qendër kryesore e luftimeve të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), kundër pushtuesve osmanë, madje tek sa shëtit nëpër ullishten e Gjormit dhe më tej atë të Zhejës, lehtësisht mund të hasësh në sipërfaqe copa të ndryshme qeramike mbetje enësh të përdorimit shtëpiak, tulla, tjegulla etj. 
            Kjo tregon që kjo zonë ka qenë e banuar që në lashtësi, por që fatkeqësisht  me të nuk është marrë thuajse askush në mënyrë të organizuar për të realizuar kërkime të specializuara arkeologjike. Shumë sivëllezër të këtij ulliri të cilit kishin mundur t’i rezistonin kohërave, luftrave dhe zjarreve, këto 20 vitet e fundit, si shumë vepra të tjera të artit janë trafikuar abuzivisht duke u përdorur për të zbukuruar oborret e hoteleve apo vilave lluksoze të politikanëve, njerëzve me pushtet dhe biznesmenëve të ndryshëm, të cilët as e kanë idenë se ç’është ulliri, vetëm se ua kanë thënë dhe i janë vërsulur ta pronësojnë vetëm falë faktit se kanë para dhe mund të livadhisin si u do qjefi me pasurinë kombëtare. Nuk është e vështirë të dallosh se përreth rrënjëve të këtij ulliri janë bëre gërmime ose të paktën kështu dukej.
            Nuk duam as nuk duhet ta besojmë që është tentuar të shkulet, pasi kjo do ishte një përpjekje e kotë, thuajse e pamundur për vetë përmasat e tij. Ne urojmë që dikush mbase do jetë kujtuar për t’i ndërtuar një mur, duke qenë se dhe terreni është i pjerrët, për t’i siguruar mbrojtje nga rrëshqitja e mundshme e terrenit apo rrjedhja e ujërave sipërfaqësore kur ka reshje shiu, të cilat mund t’i rrëmojnë dhe nxjerrin në sipërfaqe sistemin rrënjor. Të mos harrojmë dhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se ky ulli dhe pas mijëra vitesh jetë vazhdon ende të prodhojë kokrra. Do ishte e kotë t’i bëjmë apel organeve të qeverisjes vendore, drejtorisë rajonale të bujqësisë dhe asaj të bashkisë, por edhe ministrisë përkatëse dhe drejtorisë së shërbinit pyjor, pasi fjalët bien si përherë në vesh të shurdhët.
Marre nga gazeta "Kurbini"

Thursday, 9 March 2017

Shqiptarët, banorët më të hershëm të Adriatikut.

                                               Nga Prof. dr. Dhimitër Pilika

Prof. dr. Dhimitër Pilika
(1923 - 2003)
Sipas autorëve të lashtë, Adriatiku në fillim quhej “Deti i Kronosit dhe i Reas”, më pas “Gjiri Jonian”, me një emërtim të trefishtë, të lidhur me traditat parahelenike, pellazgjike.
Jo fort larg nga brigjet e Adriatikut, më 1875 u zbulua Dodona, kryeqendra shpirtërore, politike dhe kulturore e pellazgëve, orakulli paragrek i së cilës ka qenë më i lashti dhe më i njohuri në Ballkan e në Europë. Disa qindra dijetarë, klasikë e modernë, shpesh me emër ndërkombëtar, janë marrë me këtë popull. Disa prej tyre kanë përdorur në rrafsh të gjërë, në shërbim të së vërtetës, përparësinë e faktorëve vendimtarë të brendshëm, vendorë. Rrjedhimisht, ata kanë nxjerrë argumente autentikë të pashtershme sidomos pas sjelljes në Luvër të gjetjeve arkeologjike të Dodonës dhe daljes më 1878 në Paris të dy vëllimeve të Konstantinit Karapanos “Dodona dhe rrënojat e saj”. Këto zbulime sensacionale kishin bërë për vete paraprakisht bashkëpunimin aktiv të anëtarëve të Institutit të Francës E. Egger dhe J. De Witte, që mbahen si pasuesit e pellazgistëve francezë J. B. Jourdan (1746), Ch. Dupuis (1798), L. Petit-Radel (1810-1852), J. Michelet (1831), L. Benloew (1877).

Në shkallë ndërkombëtare prej gjithë përfundimeve të tyre të verifikuara mirë, del se pellazgët, që mbizotëronin në Adriatik, i kanë sjellë Europës, ndër të tjera, alfabetin e parë, qytetërimin më të lashtë: mjeshtërinë, teknikat e dobishme, themelet e shkencës, mitologjinë etj., e në veçanti emrin e vetë Europës, kulturën e grurit, shpikjen e bukës, ndërtimin e qyteteve e bërjen e regjistrimeve, të ligjeve, të monedhave, të Lojërave Olimpike… Pindari gjenial i ka quajtur “paraselenitë”, domethënë që janë shfaqur para daljes së hënës në kupën qiellore… Si rrjedhim, me vërtetimin mbi baza rreptësisht shkencore të autoktonisë me prestigj të pellazgëve kundrejt ardhësve të rinj, helenëve, cili ka qenë zhvillimi i tyre i mëtejshëm në brigjet e Adriatikut? Kjo kumtesë bën një përpjekje për t’iu përgjigjur shkurt kësaj pyetjeje, të parë nga këndvështrimi i popullit shqiptar, pjesëtar i familjes adriatike.

Sipas humanistëve Enea Silvio Pikolomini, para i ardhshëm Piu II, Antonio Sabelikos Rafaelo Volaterranos, e po ashtu më vonë të Pjer Ronsarit, Alfons Lamartinit, Zhyl Mishlesë, Elize Reklysë, Feliks Zhyljenit dhe shumë të tjerëve, vazhdimësia e shqiptarëve shkon në vijë të drejtë te Aleksandri dhe Pirroja, mbretër të Epirit, trashëgimtarë të Dodonës “ab antiquo”. Ky pohim mbështetet gjërësisht nga humanistët tanë Marin Barleti, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani, si dhe nga mijëra dëshmi “in loco”, të shkruara dhe gojore. Më 1882 u gjet në Arkivin e Napolit dhe u botua një letër e dijetarit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1405-1468), poliglotit që dinte pesë gjuhë të huaja bashkë me letërsitë e tyre përkatëse: heroi ynë kombëtar, më 31 tetor 1406 ia dërgonte princit të Tarenit Xhovani-Antonio Orsinit, duke thënë se po t’u besojmë kronikave tona kombëtare, ata na tregojnë se sovranët epirotë e molosë, Aleksandri dhe Pirroja, kanë qenë stërgjyshët e shqiptarëve; këta dy dinastë u shquan me ekspeditat e njohura që ndërmorën përtej Adriatikut. Tërësia e rrethanave domethënëse na tregon se vula zyrtare dhe e fshehtë e Skënderbeut, që u bë e njohur më 1962, ka emblema tërësisht dodonase; përkrenarja e tij, që ruhet në Vjenë, është e njëjtë me helmetën e Pirros, të përshkruar prej Plutarkut; për më tepër, në drurin gjenealogjik të pasardhësve të tij, jo rastësisht janë shquar Pirroja I, Kastrioti-Skënderbe, si dhe Pirroja II Kastrioti-Skënderbe. Si përfundim, duhet të saktësojmë se vija: Aleksandri dhe Pirroja i Epirit – shqiptarët e sotëm, deri më sot, nuk është kundërshtuar nga asnjë dokument historik i vlefshëm.

Një repertor mjaft i pasur greko-romak, që asnjëherë nuk është hedhur poshtë, vërteton se Aleksandri dhe Pirroja, si molosë, ishin aecidë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Eakut, gjyshit të Akilit, i cili që nga Homeri është vlerësuar si mishërimi i vetë prototipit të pellazgut. Veç kësaj, diçka që është plotësisht e provueshme, ka vazhduar ngritja në shkallën e princit, pa asnjë qëllim të paravendosur, e tre nipërve të Skëndërbeut, që sanksionuan onomastikën pellazgjike, mjaft domethënëse, të paraardhësve të tyre parahistorikë: Akili I Kastrioti-Skënderbeu, Akili II Kastrioti-Skënderbeu dhe Akili III Kastrioti-Skënderbeu. Si pasojë logjike e këtij realiteti objektiv, lidhja gjenetike ndërmjet shqiptarëve dhe pellazgëve ka vijuar të imponohet që në zanafillën e epokës moderne, një e vërtetë tashmë e pranuar nga një ushtri specialistësh shqiptarë e të huaj.

Përfundimisht, origjina pellazgjike e kombit shqiptar, të pandarë prej Adriatikut, është provuar në mënyrë të padyshimtë, pa asnjë hije etnocentrizmi, nëpërmjet përputhjeve, ndihmesave, konvergjensave të pakundërshtueshme të mijëra të dhënave ndërdisiplinore, zakonisht të pabotuara, vendore, që u përkasin fushave të mëposhtme: historigrafisë, nunizmatikës, epigrafisë, fizikës radiometrike, kimisë (së metaleve, tokave etj.), etnologjisë, folkloristikës, gjuhësisë, onomastikës, etimologjisë, antropologjisë, hematologjisë, ballkanologjisë, etruskologjisë, jurisprudencës, paleografisë, statistikës, demografisë, klimatologjisë etj. Afër rivierës sonë, në jug të Buthrotit të lashtë, të cilin e donte aq shumë “Andromaka” e Rasinit të pavdekshëm, gjendet shpella paleolike e Kreshmoit, në të cilën janë gjetur më 1933 “ankorat e argjirit”, një “specialitet” gjithëmesdhetar eskluziv i pellazgëve, të quajtur prej kohësh zotër të deteve.

Një legjendë provinciale, e transmetuar brez pas brezi dhe e shtypur më 1875, e sjell lindjen e Zeusit pellazgjik të Dodonës, që është himnizuar nga “Iliada”, pikërisht te stanet e atit të tij, Kronosit, në rrethinat e qytetit të Anhiazmit ose të Onhezmit, që është emri i babait të Eneut, Ankizit, i cili me sa duket është varrosur këtu (sot Saranda, kryeqendra detare e jona në jug). Gjurmët e kultit të monarkut të gjithëfuqishëm të zotërve të Dodonës, me shpurën e tyre, e mbulojnë gjithë hapësirën adriatike. Tërësia e këtyre atributeve të posaçme, domethënë shqiponja, dushku, rrufeja, demi, shumë më tepër se kudo gjetkë, gjenden me bollëk në bregdetin tonë adriatik, si dhe në brendatokën, deri përtej kufinjve të Dalmacisë, të Peonisë dhe Dardanisë, Kosova e sotme. Në këtë krahinën e fundit kohët e fundit janë vënë re pesëdhjetë mbishkrime “zeusiane”, tashmë të botuara, në shfaqje të tjera të panumërta të trashëgimisë kulturore dhe të teogonisë pellazgjike. Duke mbajtur parasysh lashtësinë dhe vazhdimësinë kaq të qartë e të pandërprerë, studiuesi i shquar i Mesjetës, Alen Dyselje, ka thënë më 1981: “Historia na mëson se lidhur me Kosovën, serbët janë pushtues të ardhur mjaft vonë”…

Do t’i kapërcejmë hollësitë e bollshme për adhurimin e veçantë të secilës prej dymbëdhjetë hyjnive të Dodonës-Olimpit në mjedisin tonë, dhe do të ndalemi vetëm te hyjnesha e dytë e panteonit paragrek: Demetra, e njohur pa përjashtim nga të gjithë si hyjnesha e mirëfilltë pellazgjike, etimologjia e emrit të së cilës shpjegohet vetëm ndërmjet gjuhës shqipe. Shenjat e adhurimit të saj vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në vitin 1994. Çdo vit në një datë që nuk ndryshon, duke respektuar ritet pagane të paracaktuara “ab immemorabili”, fshatarët shqiptarë, në pjesën më të madhe gra, të besimeve të ndryshme, shkojnë të lahen veshur me rroba në plazhet tona të Adriatikut me qëllim që të kenë shëndet e pjellshmëri të vazhdueshme. Deri më sot gërmimet kanë zbuluar faltore, flijimore, skulptura, medalione etj. kushtuar këtij mishërimi karakteristik të matriarkatit dhe bujqësisë pellazgjike. Po të vështrohet sipërfaqja e territorit tonë, denduria e tyre është e habitshme, unikale në botën europiane…

Në një largësi jo të madhe nga porti “dardan” i Orikumit në bregdetin adriatik shqiptar, që në agimin e kohëve ndodh një dukuri tepër e rrallë, në rrethinat e fshatit Tragjas, (fshati i sotëm ka po atë emër Tragjas): prodhohet kripë edhe sot e kësaj dite në sasi të mëdha vetvetiu, pa asnjë përpjekje njerëzore, duke përfituar nga veprimi periodik i rrymave detare në gropat e vogla gjeologjike. Sipas fjalëve të Helanikosit dhe Stefan Bizantinit, përfytyrohej se atje ishte djepi i vërtetë i kripës së gjellës, ku Poseidoni, hyjnia tipike pellazgjike i detrave kishte krijuar për herë mbi tokë këtë lëndë të pazëvendësueshme gjatë jetës së njerëzve të vdekshëm…
Shumë kohë përpara luftës së Trojës lëvizjet migruese të pellazgëve e kishin përshkruar Adriatikun në drejtim të Apulisë, në grykëderdhjen e lumit Po… Virgjili dhe Aulu-Geli i vështronin këta lundërtarë si banorët e parë të Italisë; sipas Plinit, Solinit, Varronit, Tit Livit, Denisit të Halikarnasit, Ovisit, Tacitit, Higinit, Ceces… këta pellazgë çuan atje për herë të parë shkrimin dhe kulturën e artet. Sipas Denisit të Halikarnasit, Plini e Plutarku, ata madje kanë qenë themeluesit e vërtetë të Romës. Muret e famshme ‘pellazgjike’, ‘ciklopike’, ‘poligonase’, ‘megalitike’, ‘moenia aeacia’, që në një farë mënyre kanë mbetur të pashkatërrueshme deri në ditët tona, dalin zakonisht në gjithë rrethimin e Adriatikut, duke nxjerrë në dukje njësinë e tij. Po shënojmë kalimthi, se Athina vetë themelimin e murit të Akropolit të saj e lidhte me dy arkitektë ndërtues, pellazgët Agronalasi dhe Hiperbiosi, që janë përjetësuar nga Pausania. Më pas, rreth viteve 80-81 para erës sonë vëmë re një zhvendosje masive, me egërsi të padëgjuar në drejtim e përkundërt; 150.000 pellazgë etruskë, të dëbuar nga Gadishulli italik me urdhrin e diktatorit Sula, gjetën strehë të përhershme te bashkëatdhetarët e tyre në Molosi (Shqipëria jugore), e cila më parë ishte përgjakur dhe rrafshuar me tokën tërësisht nga xhelati romak Paul Emili. Kjo zhvendosje e tmerrshme me dhunë na është kumtuar e dëshmuar prej dijetarit frëng të shekujve të iluminizmit, Nikola Feretit, në veprën e tij “Observations”…

Aventurat e heroit legjendar Kadmit, Herkulit, argonautëve, të cilët janë cilësuar si pellazgë nga Lucien i Samosates, Diodori, Pausania, Liciforo e të tjerë, e lidhin ngushtë Adriatikun me stërgjyshët e popullit shqiptar nëpërmjet dyzinash të dëshmive domethënëse, të cilat për shkak të mungesës së kohës, nuk është e mundur të jepen më gjërësisht…
Diodori na mëson se ishulli kaonas i Korkyrës, i cili vetvetiu na sjell ndër mend binjakun dalmat, mban emrin e motrës së Pellazgut, stërgjyshen e përbashkët të gjithë pellazgëve. Më lejoni të citoj një shembull të shkallës së habitshme të arritur nga qytetërimi i tyre paragrek, katër mijë vjet më parë. Në këngën e shtatë të “Odisesë”, poeti, me akribinë e tij proverbiale, përshkruan pallatin e mbretit të pellazgëve feacinë, Alkinoosit në Korfuz:
“Herë shndriti nga një shkëlqim i beftë i diellit ose i hënës, herë shkëlqen banesa e lartë e shqitmadhit Alkinoos. Nga të dy anët e pragut shtriheshin muret e veshura me bronz deri në fund të pallatit; përsipër kanë një brez të kaltër; dyert janë prej ari; pragu është prej bronzi me ndërfutje argjendi; harku është prej ari; nga të dyja anët varen vargonj ari e argjendi, të cilët Hefesi i ka punuar me një art të mrekullueshëm… Brenda përgjatë gjithë mureve janë vënë frone të mbuluara me vela të holla e të lehta, punë dore grash. Aty ulen krerët e feacinëve… Në piedestal të ngritur mirë lartohen shtatore prej ari, që paraqesin djelmosha, të cilët mbajnë në duar pishtarët e ndezur dhe që natën ndriçojnë kthinat e Alkioosit…”

Përpara këtij shkëlqimi pothuaj prej dyzet shekujsh lind pyetja me të drejtë: a është kapërcyer ndonjëherë një madhështi e tillë përrallore?…
Përveç se historian, po edhe njohës i hollë i kësaj kulture ‘adriatike’ të paraardhësve tanë pellazgjikë e ilirë, Lamartini i paharrueshëm do t’i shkruante nga Iskia më 8 shtator 1844 atdhetarit e poetit tonë, Jeronim de Radës, luftëtarit të betuar kundër zgjedhës osmane të asaj kohe: “Jam i lumtur prej kësaj shenje të vëllazërisë poetike e politike midis meje e teje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet. Unë nuk kam meritë tjetër, veçse ta parandjej dhe të bëj urimet e para për lirinë e për ringjalljen e Shqipërisë…”
Nga pikëpamja gjuhësore, një numër i madh toponimesh rreth Adriatikut me mbaresën -one (-ona), që ndeshet te Dodone-Dodona, si Aenona, Avlona, Ancona, Aona, Arasona, Aulona, Bausiona, Blanona, Cartona, Cremona, Crotona, Chrysondyona, Flanona, Herona, Narona, Promona, Salona, Sationa, Scardona, Sulmona, Tariona, Triuncona, Verona etj… (për të mos u shtrirë më tej gjeografikisht), duket qartë se këtë po këtë mbaresë të emrit të kryeqytetit të pellazgëve, mëmës së qyteteve europiane. Vetëm analiza e toponimeve dhe etnonimeve primitive, të regjistruara prej kohësh në brigjet rethadriatike, do të na sillte në një përfundim mësimdhënës; një shumicë e emrave të tyre jo rastësisht shpjegohen etimologjikisht nëpërmjet shqipes, ose më mirë, përbëjnë një përkthim fjalë për fjalë nga gjuha jonë. (Dihet sesi Platoni në “Kratilin” e tij dënon rreptë maninë greke për kalkime, që shkaktohej kryesisht prej hegjemonizmit pa cak e kufi).

Tabloja e mëposhtme onomastike, ndonëse nuk është e plotë, përsëri është mjaft domethënëse.
Agrianes, Antibaris, Auendeates, Autariatae, Avendone, Barbanna, Bari, Bigeste, Bora, Bounima, Bretension, Brina, Brundisium, Busento, Busento, Bylazora, kepi Glotta, Dagnum, Dalmatae, Dalmatia, Delmion, Delminion, Daranti, Daranto, Dardani, Dardania, Dardapara, Dardi, Dassaretae, Dassaretia, Derriopes, Deuriopes, Dimallum, Durrachium, Emathia, Enchelana, Enchelanes, Eordea (Eordia), Gurasson, Gurbicon, Halsion, Helidones, Helidonion, Hellopia, Kerauniabore, Kroia (Kruja), Lamatis, Lim, Lopsi, Lopsoca, Malatis, Maledi, Maljena, Malontina (Maltein), Malontum, Maluentum, Maluntum, deti Croni dhe Rheae, deti Ionium, Mathis, Matoas, Metubarris, Molossia, Ombla, Omphalion, Opitergium, Pelagones, Pelagonia, Petra, Pirustae, Pistum, Ragusium, Rhizon, Sason, Scheria, Stena, Tara, Taras, Tarentum, Taria, Tarin, Tariona, Tariotae, Tarneum, Tarsatica, Tarus, Taulantii, Tergeste, Tergolape, tharandt, tirol, (tyrol), Tragurium (trogir), Trimallum, Ulcaea palus, Ulcianum, Ulcirus mons, Ulcisia castra, Ulco amne, Ulkinion, Vendenis, Vendum, Vindenis, Vindinid etj… (Ndonëse janë larg nga trevat adriatike, e meritojnë të përmenden në këtë rast, për shkak të rëndësisë së tyre të posaçme, vargmalet madhështore Beskidet dhe Karpatet, deti Baltik, Bizanti, Dardanelet, ishulli anatolik Karpathos…)

Nga ana tjetër, një shkencë eksperimentale, antropologjia, nëpërmjet korifejve të saj. J. Deniker, E. Pittard, na jep sigurinë se shqiptarët e sotëm e kanë prejardhjen e tyre drejtpërdrejtë nga pellazgët. Në Adriatik dalin metropolet tona antike: Durrësi, Apolonia dhe më në jug Buthroti, që të tria të lulëzuara shumë shekuj përpara themelimit të Romës, nëse i besojmë Apianit, Antologi Palatinit, Barletit, si dhe Apolodorit, Plutarkut, Pausanias dhe Teukerit të Cizikës, Virgjilit, Stefan Bizantinit…Deri në fillim të erës së re ato kanë përdorur pa ndonjë ndërprerje kalendarin e rëndësishëm pellazgjik të Bunimës, sipas mbishkrimeve tashmë të njohura. Teatrot e tyre, krahas atyre të Nikesë, Bylisit, Orikumit, Hadrionopolit, Foinikës, Dodonës etj. kanë shkëlqyer gjatë antikitetit me emrin e dëgjuar dhe dendësinë gjeografike… Ajka e aristokracisë romake i bënte të kapërcenin Adriatikun pinjollët e saj që ta përsosnin arsimimin e tyre dhe të specializoheshin te ne në fushën e filozofisë, letërsisë, arteve, pa përjashtuar artin ushtarak.Për këtë qëllim Jul Cezari pati zgjedhur Durrahiumin, një qendër e rëndësishme kulturore dhe ekonomike, me rreth njëqind mijë banorë, e cila ekspononte materiale të çmueshme (argjend etj.), esenca mjekësore dhe kozmetike shumë të kërkuara. Lidhur me Oktavian Augustin, Mark Vipsanius, Agripën, Mecenën, ata parapëlqenin Apologjinë tonë kundrejt Romës dhe Athinës, ndërsa Ciceroni, që e kishte parë në vend Apoloninë, e ka quajtur “mafnam urbem et gravem”.

Nga fillimi i shekullit XIII para erës së re, bashkëvëllai i pellazgut Akil, Diomedi – paraardhësi i Aleksandrit Molos, që shpëtoi nga lufta e Trojës, u end pa pushim nëpër pellgun adriatik. Ai i dha emrin e vet ishullit të Diomedit dhe një faltoreje “të adhurueshme e të shenjtë”, sipas Aristotelit të Scimnosit, duke e përfunduar atje poshtë harkun e jetës.
Pothuaj njëkohësisht Pirro Neotolemi, djali i arkipellazgut Akil, erdhi te plazhet adriatike të afërta me Buthrotin dhe mbretëroi në “viset e molosëve” (Prejardhjen e tij pellazgjike e kanë sanksionuar edhe Eniusi, Ovidi, Prisciani…) Në brigjet e Adriatikut, sipas Stefan Bizantinit, ai themeloi qytetin e Bylisit, që e përkujtonte në monedhat e veta. Thuhet se, nëpërmjet përzgjedhjes së përsëritur, ka përsosur një racë të lartë gjedhësh, që e kanë lëvduar me të drejtë Aristoteli, Teopompi, Varroni, Plini, Arriani, Eliani, Ateneu : ky lloj ka ardhur deri te rritësit e sotëm të racave rekorde. Akileidi, veç të tjerash, mbahet si krijuesi i një valleje tërheqëse, pirrikes, që ende vazhdon dhe lulëzon në Shqipëri…
Ndër studiuesit tanë mësimet e urta të një historie të tillë të gjatë ushqejnë dhe ndriçojnë të kaluarën e të ardhmen, kurdoherë në shërbim të paqes, të lirisë, të vëllazërisë mes popujve të Adriatikut dhe të mbarë botës… Plejada të tëra përfaqësuesish të shkencës franceze kanë dhënë ndihmesë të frytshme për ndriçimin e problemeve themelore të pellazgologjisë në kuadrin e kulturave mesdhetare. E ndiej veten të nderuar që këtu të bëj një homazh të përzemërt e të fuqishëm për ta, në veçanti për kujtimin e pashuar të Robert d’Anzhelisë dhe Dominik Briquel-it. Ata pajtohen të gjithë sesa e sigurtë është mirënjohja e popullit tonë, e “besës”, fjalës së dhënë të shqiptarëve, i cili kurrë nuk do ta harrojë bujarinë e popullit vëlla francez.

(Kumtesë e paraqitur në Kolokuimin ndërkombëtar “E kaluara dhe e ardhmja e Hapësirës Adriatike”, organizuar në Paris më 29 e 30 nëntor 1994 nga institucioni shkencor kulturor ndërkontinental “Horizont 2000”, nën kujdesin e lartë të ministrit francez të punëve të jashtme, Alen Zhupe.)

Përkthyer nga frëngjishtja nga prof.dr. Xhevat Lloshi

Marrë nga "infopress" Mars,08, 2017

Saturday, 4 March 2017

Lugina e Cemit

LUGINA E CEMIT, POSHT TRIESHIT - Malësi e Madhe (nën Mal të Zi)
- Kolorado Shqiptare -

                                                     nga Anton PLLUMAJ - Tuz, Mali i Zi       
Anton Pllumaj

            Gjatë udhëtimit nëpër fshatrat e Trieshit, sapo të dalësh në katundin e quajtur Delaj përballesh me një panoramë mahnitëse, e cila të fton që të shijosh bukuritë magjepse të Luginës dhe rrjedhat e lumit të famshëm të Cemit me ujë të ftohtë dhe të pastër, që buron nga Bjeshkët e Nëmuna ( Alpet Shqiptare) nga ku është i pasur me peshkun troftë me pika të kuqe. Njohës të mirë të gjeografisë dhe natyrës, që kanë parë kanionin e Cemit, e kanë përcaktuar ata ndër më të bukurin dhe më të veçantin në Evropë.          
           Disa kanë guxuar ta quajnë “Koloradoja shqiptare”, dikush në mënyrë poetike “bukuri tronditëse”, dikush tjetër “vepër madhore dhe e papërsëritshme e natyrës”. Nuk e dimë se sa afër realitetit janë këto përcaktime, por dimë një gjë, që kanioni i Cemit është me të vërtetë një mrekulli, një befasi, një shpërthim fantastik i natyrës. Natyra kësaj luginë nuk i ka kursyer dhuratat e saj të mrrekullueshme, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë, por të mbeten në kujtesë si një parajsë e krijuar nga Zoti.
           Luginës së Cemit rrallë i gjendet shoqja për bukurinë dhe vlerat piktoreske turistike të pashfrytëzuara. Kur udhëton në brendësi të këtij kanioni mahnitesh nga bukuria e tij. Copat e qiellit, me pjesë të mureve vertikalë gri, disa si statuja natyrore dhe e gjelbërta e bimësisë tek-tuk, krijojnë një përzierje ngjyrash e formash të përmbysura si në pikturat surrealiste, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhysin në një botë tjetër, gati ireale, por që të ngjall ndjesi të ëmbla ëndrre, sa nuk ke dëshirë të dalësh që andej. 
          Por këto ndjesi nuk janë e vetmja mrekulli e këtij kanioni, në disa sektorë të cilit gjatë vjeshtës dhe dimrit formohen ujëvara që përplasen fort në shkëmb dhe në dritën e diellit stërkalat formojnë ylbere e pamje të magjishme, iluzione optike që s’të shqiten nga kujtesa edhe kur je shumë larg prej tyre. Pamje që s’të ngopin asnjëherë, të paktën kjo është përshtypja ime gjatë vizitave të shumëta në këtë përmendore të mrrekullueshme të natyrës. 
            Kanioni i Cemit ka larmi formash dhe pamjesh, në muret vertikale, në shpatullat sipërfaqësore, apo në buzë të shtratit të lumit, ku ka mjaft guva, shpella dhe zgavrime të formuara nga procesi i karstit, burime me ujë të ftohtë. Megjithatë pushteti vendor duhet të bëjë më shumë për ta shfrytëzuar këtë pasuri në interes të banorëve të zonës si një resurs zhvillimi.