Wednesday, 1 March 2017

"Një shembull i mirë midis kolegëve"

Më shumë se një urim për ditëlindje

(50 vjetori  Zef Gjetes)

                                                       nga Ing. Gjon FIERZA
                                                  Agjencia Kombëtare Mjedisit-Tiranë


Gjon FIERZA
          Jo shpesh në gazeta dhe në media vizive, shkruhet dhe flitet për përsona apo përsonalitete të ditëve tona që kanë një qasje pozitive ose e përmbledhur; janë intelektualë të vërtetë europian. Një jetë e trazuar në politikë, një ekonomi e pastabilizuar me një varferi të madhe, një mjedis shoqëror me kriminalitet. Në ditët tona më shumë në mediume dalin njerëz negativë të cilët i urren, nuk të mbetët gjë në kujtesë për të mirë. Duhet konsideruar si fatekeqësi e kohës dhe shoqërisë, sa fëmijët tanë, brezi që po rritet nuk arrin të njohë sa duhet, modelin e qytetarit dhe intelektualit të vërtetë të pegatitur për në familjen europiane. Kjo periudhë demokracie  (më mirë duhet thenë pluralizmi pa rregulla) ka nxierr njerëz të sukseshëm në fushën dhe profesionin e tyre, si veprimtar shoqëror, model në sjellje dhe komunikim, etj. Këta shembuj model të njerëzve të suksesshem me të cilet ne jetojmë i kemi afër, e njohim punën dhe kontributin e tyre, jo gjithmonë i bejmë të njohur sa duhet. Kjo, jo për t’i thënë fjalë të mira dhe elozhe për të krijuar opinion, por, kjo duhet vlerësuar si një drejtim  edukimi që brezi më i ri, të njohë këta individë model për të qënë si një shembull që duhet ndjekur. Një shoqëri si jona, në fakt ka nevojë për shembuj të mirë, nëpërmes tyre ndoshta do të mund te orientohemi për një prosperitet dhe një të ardhme të mirë.
          Nuk dua të them se ndoshta dhe ndonjë xhelozi primitive bëhet pengesë për të tilla shkrime.  Ashtu si nuk na mungon guximi shpesh duke kaluar dhe ndonjë sens etik (pas krahëve) të themi ndonjë të keqe për punën, për ndonjë koleg, më shumë duhet te jemi të prirur për të bërë si thonë vlerësimin e kontributit të secilit aq më shumë të ndonjerit që spikat me punën dhe marredhenjet me kolegët në tërësinë  e shoqërisë tonë.
          Eshtë shkruar diku: “Shembulli nuk është gjëja kryesore që ndikon në tjerët, por ndoshta është gjëja e vetme! Të falemnderit për dhënjen e tij!!” Një shembull i mirë midis kolegëve, miqëve dhe të njohurve veçohet prof. ass. Zef Gjeta. Eshtë ky specialist bujqësie dhe zhvillimi rural që ka kontribute të tij dhe njihet nga Tropoja në Sarandë, me shumë miq dhe bashkëpuntorë të fushave të ndryshme. Veprimtaria, për rreth çerek shekulli  zë fill si specialist i kërkimit shkencor në Institutin e Misrit dhe Orizit në Shkodër, për të vazhduar si specialist dhe drejtues projektesh në mjaft organizata vendore dhe ndërkombetare Europian dhe dhe të OKB-së në Tiranë.

          Jo të gjithë njerëzit që Zefi i takon apo i kanë dëgjuar emrin ja njohin vlerat e punës dhe kontributin në fushën e tij, si agronom, krijues dhe botues,  por kushdo që e ka takuar qoftë dhe njëherë është miqësuar dhe afruar me të si i njohur i vjetër. Eshtë kjo cilësi e karakterit njerëzor të jashtezakonshm, ky komunikim i ngrohët në mjediset që ai punon e krijon, që njerëzve ju mbetet në kujtesë, me thenjet dhe keshillat qe ju jep. Edhe pse flet me një “gjuhe shkodrane” ai gjen mënyrë dhe bëhet i kuptueshëm e i pelqyeshëm kudo në mjediset intelektuale dhe midis fermerëve dhe nxënsave.
          Veprimtaria e Zefit në këtë përiudhë tranzicioni- duhet konsideruar e vështirë  por dhe e arrirë. Në vitin 1990 ai ishte një agronom i sapo diplomuar, tashmë pas 25 vitesh, në saje të një pune te paepur me një përkushtim real model, të materializuar në studime, raporte, monografi dhe kërkime të mirfillta shkencore është në pargun e marrjes të titullit “Profesor”.  Me mijëra intelektualë në këto kushte dhe mjedise shoqërore kanë zgjedhuar emigrimin për një jetë më të mirë. Edhe Zefit i janë krijuar mundësitë ndoshta është ndër specialistet e parë që pati mundësi punësimi dhe shkollimi jashtë vendit, por duket se këto nuk e joshën- ai donte të sfidonte, të përballej me ato që po sillte ky ndryshim në Shqiperi, të mund të kontribuonte në politikë apo dhe si specialist i fushës. Zefi pëlqeu më mirë ketë “Ferrin e Tij” se “Parajsën e Huaj”. Zef Gjeta, ka njohje dhe bashkëpunime ndërkombetare, ka marrë pjesë në shumë konferenca, ka njohur e marrë përvojë në shumë vende të zhvillura në bujqësi e zhvillim rual, si antar në disa forume dhe organizata brenda dhe jashte vendit, e gjithe kjo veprimtari është drejtuar nga ai që të mund të bejë ndryshime e përmiresime kryesisht në jetën rurale në vendin tonë. Janë dhjetra projekte që ai ka ideuar e realizuar me sukses në kuadër të zhvillimit të jetës në fshat, ndërkohë si konsulent i përzgjedhur nga organizatat ndërkombëtare me emër në Botë, ka përgatitur raporte të nvelit të lartë informimi dhe saktesie të vlerësuara prej tyre.
          Nuk dua të jem në “konflikt interesi” me gazetën dhe shoqatën Dukagjini, me këtë shkrim ku Zefi veçohet si njeri ndër anëtrat me aktiv, të sajë. Ai në Degën e Tiranes por dhe ne Shkodër është i përshirë në shumë veprimtari duke pakësuar kohën në shërbim të familjes dhe interesave të ngushta private.
 
          Për Zefin, mund te shkruhej gjatë dhe nga shumë miq dhe bashkëpuntorë të tij. Më shumë gjera mund të njihen nese mund ti referohemi CV së pasur të tij, enciklopedisë Wikipedia, me dhjetra intervista. botime, shkrimeve dhe kronika gjënden të publikuara ne “Google” sapo të kërkosh me emrin “Zef Gjeta” si koleksionist, pjesmarrës në emisione në Tv etj, etje. Zgjodha këtë 50 vjetor të lindjes për të thëne dicka shkurt. U përpoqem ta evidentojmë si shembull të mirë në tërësinë e intelektualeve dhe veprimtareve shoqërorë të Shoqatës Dukagjini dhe jo vetem.

          Urimet më të mira në ditelindjen tuaj, i lumtur dhe gjithnjë i dëshiruar midis miqëve, kolegëve dhe të njohurve tuaj të shumtë.



Aktiviteti jetësor dhe profesjonal

Zef Gjeta ka lindur  me 28 Janar 1967
Eshtë i martuar ka katër femijë jeton në Tiranë
Ne vitet 1985 - Janar 1990,  student, Fakulteti Agronomi.

Pervoja profesionale,
2002 – në vazhdim, ekspert i pavarur, Drejtues i IK. Rurale, kordinatorne disa projekte te BE,  Lektor, titullar i lëndës “Menaxhimi i Ciklit të Projekteve”. Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Fakultetit të Mjekësisë, në degën Shëndeti publik.
2010 –2013 FAO Koordinator Kombëtar i Programit UNICEF dhe OBSH
2009 –2010 UNDP – Koordinator Kombëtar i Projektit te Blegtorisë
2009, Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë, Tiranë Ekspert i Projekteve dhe Trajnimeve
2007 –2009, MADA, Drejtor Departamenti Agjensia e Zhvillimit të Zonave Malore në
2003–2006, FAO/GCP/ALB/005 Oficer Kombëtar, Projekti për Mbështetjen e Prodhimit Bujqësor
2002 –2003, Oficer Kombëtar Projekti i Shërbimeve Bujqësore ASP, i Bankës Botërore
2001 –2002, Ekspert Kombëtar, MADA Agjensia e Zhvillimit të Zonave Malore
1999 –2001, oficer ne VSO (Organizata e Vullnetarëve të Përtejdetit)
1998 –2001 Oficer Kombëtar Projekti FAO Alb/96/008
1996– 1998 Kërkues shkencor, Instituti i Misrit dhe Orizi, Shkodër
1993 - 1996, Drejtor i departamentit të botimeve Shoqata “Hokatari”
1990 –1993, Kërkues shkencor Instituti i Misrit dhe Orizi,Shkodër.

       Eshtë në profesion  agronom, grada shkencore; profesor i asociuar dhe doktor i shkencave bujqësore,. Eshte nismetari dhe botues i gazetës-revistes “Humor Shkodran”. Ai ne vitin 1998, pas renjes se sistemit komunist  organizoj se pari festen e Karnavaleve të Shkodrës së bashku me grupe artistike dhe intelektuale të qytetit. Kjo feste tashme kremtohet cdo vite me pjesemarrje dhe nga jashte Shkodres.
Komunikon në: Anglisht, Rusisht, Italisht dhe Greqisht

Botime shkencore dhe letrare

·      Autor i  shume artikujve shkencorë e divulgues, udheheqes ne 15 punimeve të ndryshme shkencore,  hartues dhe zbatuesi i rreth 40 projekteve bujqësore ne komunitet.

  • Autor i 10 librave humoristik per te rritur dhe femij
  • Autor i 14 librave në fushat e bujqësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm rural,monografi, etje
  • Autor i librit univeristar  "Cikli i Projektit" dhe njohës e praktikues i 3 gjuhëve të huaja.
Prof. As. Zef Gjeta në Top Channel Albania.  Mjedra



Thursday, 23 February 2017

Shkëmbinjtë që pikojnë mjaltë!

ÇORROSTEN, PËRROI-KANION KU PIKOHET MJALTË...

nga Simon VRUSHO, Berat

Simon VRUSHO
 -Po, -thonë, - në korrik, kur nxehet vapa, nga muri i madh dhe tepër, tepërsisht i lartë, hojet bymehen dhe nga zgjojet natyrorë, shkëmborë pikohet mjaltë, drejt e në përrua, një përrua nazik, disi diskret në zbritjen e tij në fushë, ku takohet me lumin e Molishtit, pak më poshtë Mullirit të Pashait, për t'u kthyer më tej, të dy bashkë, në lumin e Velabishtit.
 
            Ky përrua mbart kanione të njëanshme, nga krahu i veriut, hapur plotësisht ndaj diellit dhe jugut, mur masiv shkëmbinjsh bojë okrre, bojë mjalti, në gjatësi qindra metërshe dhe lartësi dhjetra metërshe, me breza guri ciklopikë të shndërruar në faqe muri nga nëna natyrë...
Lart, në lartësinë marramendëse, të frikshme, gjendet brezi i zgjojeve të bletëve, brenda shkëmbinjve... Bletët zukasin, roitin e roiten, zbresin si re të ulëta për të pirë ujë në përrua, ujë që vjen direkt nga Uji i Ftohtë i Malit të Bardhë...

            Thonë se disa guximtepruar guxuan nga lart të vareshin me litarë mbi atë masiv shkëmbor-muror, me qëllim që me disa thika të gjata, si tip hanxharësh, të prisnin hojet në thellësi e të vilnin mjaltin... Por...
Prishen mendsh dhe... në vend që të prisnin hojet, presin litarët...

            Thonë se këtë mur shkëmbor bojëmjalti guxuan ta shkelnin edhe bullgarët 1000 vjet më parë... Po në vend të murit të mjaltit gjetën aty murin e zi, prandaj edhe kanë lënë emërtimin e tyre , si dëshmi: Muri i zi... Çorrosten... Çjornoje stena...
Prenë litarët, jo hojet...
            Mos vallë, mesazhi është i thjeshtë, i qartë: Nuk mjafojnë mjetet e zakonshme për të arritur caqe të jashtëzakonshme?!...
................................................................................................
Nuk disponohen foto të Çorrostenit-mur-shkëmbor, sepse është edhe larg, edhe vend pa rrugë, por vetëm mund të soditet nga larg, nga ana e Veleshnjes, nga e Gurgozhdës...Dy fotot modeste , të pjeshme i përkasin shkrepjeve të Tiku Senkos.

(Nga triptiku "Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.")



Sunday, 19 February 2017

SI PO ZBATOHET PROJEKTI PER "MONITORIMIN E MORATORIUMEVE PER PYJET DHE GJUETINE"

                                                    nga Ing. Kleanthi MANDI     

Kleanthi MANDI
          Federata Rajonale e Pëdoruesve të Pyjeve Kullotave Komunale Gjirokastër (FRPPK) duke vlerësuar Moratoriumet si e vetmja mundësi për të shpëtuar dhe ripërterirë pyjet, për krijimin e ekuilibrit të humbur të ekosistemit pyjor dhe rritjen e potencialit të rolit shumëfunksional të pyjeve tona, nëpërmjet projektit “ACHIEVE”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, përzgjodhi rolin monitorues dhe mbështetës të strukturave shtetërore ligjzbatuese për zbatimin e dy ligjeve në mbrojtje të natyrës.
         Qeveria hartoje dhe miratoje se fundmi ligjin per Moratoriumin e Pyjeve dhe te Gjuetise, të cilat sanksionojnë masat ndëshkimore ndaj kundravajtësve dhe dëmtuesve të pyjeve, por këto masa asnjëherë nuk do të kenë efekt të plotë nëse NE para së gjithash nuk ndërgjegjësojmë vetveten,qe nga strukturat shteterore qendrore dhe vendore deri tek komuniteti si perfitues i drejtperdrejte nga zbatimi i ligjshmerise.
         Ne ilustrim te kësaj ideje, Federata Rajonale e Pëdoruesve të Pyjeve Kullotave Komunale Gjirokastër (FRPPK) ne kuadër te aktiviteteve per monitorimin dhe zbatimin e Moratoriumeve të Pyjeve dhe Gjuetisë; në tre Bashki respektivisht: Gjirokastër; Libohovë; Dropull ka ndermarre dhe zbaton veprime konkrete dhe bashkepunim me te gjitha strukturat ne terren, ndergjegjesimi i komuniteteve , perfshirja e tyre si partner te rendesishem ne ruajtjen e biodiversitetit, si dhe trajnime e seminare me strukturat e ndryshme ligj-zbatuese.
         Mungesa e strukturave eficente shteterore ne qender dhe ne baze per zbatimin e dy ligjeve, gjate muajit Janar 2017 si pasoje edhe e dimrit te ashpër,duket se e kane zbutur kontrollin dhe zbatimin e ligjshmërisë per te dy Moratoriumet.
         Sikurse parashikohet në VKM-në Nr. 438 Datë 08.06.2016, nga data 01 Janar 2017, Bashkia do të jetë i vetmi subjekt përgjegjës për shitjen e lëndës drusore me qëllim furnizimin e popullatës me lëndën drusore për ngrohje. Ligji detyron Bashkine, që çdo e ardhur që realizohet nga ky proçes, të Ri-investohet në masën 100% për shtimin e fondit pyjor dhe zonave të degraduara në këtë fond me qëllim rigjenerimin dhe shëndetësimin e ekonomisë pyjore.
Por a ndodh kështu?Ende shfrytëzimi i pyjeve dhe furnizimi i enteve dhe popullatës me dru zjarri vazhdon te kryhet nga operatoret private te cilët nuk monitorohen e kontrollohen nga asnjë strukture as bashkiake e as shteterore.
         Ne Bashkitë e Qarkut te Gjirokastres nuk janë organizuar strukturat pyjore menaxhuese mbi bazën e parimit të profesionalizimit, me personel inxhinier të diplomuar në një nga degët e fakulteteve të shkencave pyjore. Po ashtu dhe Inspektoriati Rajonal i Mjedisit dhe Pyjeve i cili është përgjegjës për kryerjen e funksioneve kontrolluese në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, pavarësisht formës së pronësisë e administrimit, nuk eshte organizuar mbi bazën e këtij parimi,pra cilësinë profesionale te rekrutimit te personelit inxhinier pyjor. 
         Ne baze te informacioneve nga terreni te informatorëve rajonale,dhe shqetësimit te komunitetit Zagorit per shfrytëzimin e pyllit te Dermazit (jashtë kritereve teknike-prerje rigjeneruse e shëndetësimi sipas lejes se shfrytëzimit te miratuar) dhe gjueti te paligjshme (cdo Jave) te faunës se kësaj zone,nuk i janë pergjigjur strukturat ligjzbatuese shteterore dhe bashkiake.Informacion per shfrytëzim te paligjshëm pyjesh (jashtë kritereve teknike dhe lejes se miratuar nga Ministria e Mjedisit dhe Pyjeve)dhe gjueti te paligjshme kemi gjithashtu ne Njesine Administrative te Pogonit.Gjuetia e paligjshme ushtrohet edhe ne zonat si Lunxheri e Dropull. 
         Do te jete ne respekt te detyrës ligjore si te Inspektoriatit Rajonal per Mjedisin dhe Pyjet dhe “Tasc-Forces se gjelbert”te Policise se Shtetit te verifikoje zbatimin e ligjit te Moratoriumit per rastet e informimit dhe shqetësimin e komunitetit vendor per abuzime ne shfrytezimin e pyjeve jashtë kritereve teknike te miratuara apo dhe dëmtime të tjera në fondin pyjor dhe gjuetise të paligjëshme. 
        Pamvaresisht problematikave te hasura gjate këtyre muajve,mbrojtja e Pyjeve dhe Faunes,pra zbatimi i Moratoriumeve jane sfida qe kerkojne perkushtim dhe profesionalizem. Bashkepunimi dhe mbeshtetja reciproke eshte kusht I domosdoshem. Sigurisht ne Qarkun dhe Bashkite e Gjirokastres ato do mund te arrihen me mire dhe me shpejt. Vendosja e nje bashkepunimi afatgjate te munguar midis komunitetit vendor dhe aktorëve të ndryshëm që lidhen me pyjet,përdorues dhe përfitues te resurseve pyjore do te mbeshtetin dhe monitorojne strukturat shteterore ligjezbatuese per zbatimin e dy ligjeve ne mbrojtje te natyres.
Drejtusi i projektit.


Pyjet ne Gjirokastër 

Friday, 27 January 2017

KARSHI VËNDLINDJES

nga  Agim SHEHU
Poet, Shkrimtar dhe Publicist


           
Agim SHEHU
Para 20 vjetësh bëra udhëtimin e fundit për në vëndlindje. Kisha vite që s’kisha qënë, dhe nga brënda makinës po shihja me kureshtje fëmije përzier me një ndjeshmëri që s’e përshkruaj dot. Qe një mall i ëmbël buzë lotit që vëndlindja dhe unë duke u dashur shumë në vegjëli, rronim larg njëri tjetrit ! Unë mora udhët kurse gjurmët e vogla të dikurëshme, e përsëris, i lashë pas. M’i mbajtën shtigjet dhe lëndinat e fshatit. Tani që po rikthehesha pak kohë për një udhë pune, gjëja e parë që më lëvizte në shpirt ishte çmallja me to. T’u flisja gjurmëve të fëminisë, mbase më përgjigjeshin sadopak me zërin e vet të largët.
         Po shihja nga hapsira. Në ecje makine, pamjet largoheshin shpejt nga pas. Ndaluam, dhe dola jashtë. U ndodha përballë maleve e humnerave. Po më dukeshin më të zvogluara nga sa i përfytyroja i rritur. U afrova për t’i përqafuar me vështrimin tim. Qe një pamje si e dalë nga legjendat, e ngrirë dhe e palëvizëshme në madhështinë e vet. Harqe malesh me blerim të kursyer rrotull zajeve, që bari të mos e zbuste karakterin sundues të gurit në mbretërinë e tij. Lartësi mesatare me ëndër për qiellin e yjet e me merak për tokën dh njerëzit. Po vështroja nga të gjitha anët, me hutimin e të larguarit që rikthehet befas në shtëpi. Pamjet përpara po më shihnin mua, thua donin të vërtetonin diçka, apo të më gjykonin për diçka! Doja t’u flisja si në vegjëli kur lozja me shokë në gjirin e tyre, por ato rrinin pa lëvizur siç i kish lënë Krijuesi Hyjnor. Buzë tyre - humnera të thella e të frikëshme që qenë nisur për në qëndër të botës te perëndia e nëndheshme, Hadhi, por ndëruan mënd dhe ndalën aty ku janë, te rrënja e maleve të vëndlindjes sime! Kush i kish prerë ashtu si me thikë?! Cfarë shpate mitologjie kish krijuar mbi gur atë arkitekturë të çuditëshme!? Zeusi për ndonjë zemërim qiellor ndaj ndonjë perëndie të pabindur kish lëshuar vargun e rrufeve sa të hapeshin ato gremina lemerie!
         Tërë kjo bukuri e ashpër ndoshta është nga një dhuratë qiellore, siç pohon sot astronomia ? Se ne, njerëzit tok me reliefin jemi pjesë yjesh të shkëputura prej tyre nga energjia bërthamore buzë shpërthimit…Ajo krijoi tokën e toka njeriun…Ky caktoi gjeografinë e vet, dhe për ta mbrojtur ngriti historinë e tij. (gjithkush në planet, veproi në harmoni me natyrën e tij). Ne jemi thërmijëza ylli se prej yjve jemi shkëputur – thotë një dijetar (po flas për vëndlindjen time). Në s’gaboj, aty, pothuaj çdo gjë e saj ka peshën e rëndë të materies së yllit (atë që lanë të parët) : burrat – hijerëndë si ata !. Kënga e rëndë. Vallja po ashtu, si te kaonët pellazgë. Armët stolisur dikur me ar e argjënd, të denja për burra. (pa armë s’kish burra. Një shkrimtar thotë se shqiptari kur kthehet në shtëpi, më parë pyet për armën se për gruan). Fustanella me pala e stoli, mund ta mbajë e të luftojë me të vetëm një burrë prej guri. Fjala me trimëri e besë brënda – e rëndë. Po ia preve, i ke prerë nderin. Shollët me proka poshtë dhe i zoti si një fis Herkuli. Sa tokësorë dhe qiellorë. Në Egjiptin e lashtë Perëndia e arsimit, kulturave dhe diturive quhej Thoti, pasi ai ‘thoshte’ çdo shkencë e mënçuri. Mbaj mënd, në fshatin tim një njeriu të mënçur e të ditur i flisnin « Toto »
         … Shikova më vëmendshëm pamjet përpara…U ndala te malet, nëse kisha gabuar diku! Ato vetëm dëgjonin. Hodha sytë nga maja e Bohotinës, mos dalloja Majën e Mollës ku dajot kishin stanin. Nuk dukej. Ndjeva se në hapsirë dëgjoheshin nga larg blegërima të vetmuara delesh që më kërkonin…Si t’i afroja ?
Ngado masive malesh lidhur me harqe qafash, si burrat në valle me krahë te njëri tjetri. Përroi me ujë të hollë të kulluar varet si lodra kecërish mbi pllaka guri. Pastaj humbet në thellësi, i mbuluar nën degë të gjelbëra zgjatur nga shkëmbijtë mbi të. (ka hyrë në botën e nëndheshëme, te Marua me 40 diva që ma tregonte përrallë nëna) ! Po e ndjeja veten jashtë kohe. Sa afroja një kujtim vinte tjetra e i zinte vëndin. Lulëkuqeve në ara ua zinte vëndin thëllëza në Bohotinë. Lepurit në misër i qepej pas qeni…Mbi krye zogjtë fluturonin në vija të drejta gjeometrie. M’u kujtuan gjuajtjet me llastika si vrasës i zogjve të pa faj…(m’u shfaqën kalimthi ata që më kishin gjuajtur në jetë, gjer në çdukje )! Desha t’i puthja zogjtë në ajër, por ata qenë zvogluar sa një pikë në hapsirë. S’po m’i falnin që u kisha vrarë të parët e tyre ! Iknin drejt folesë në faqen shkëmbore të greminës.. Diku fshehur brënda gëmushës një zog këndonte më vete . Cicërimat e tij të vetmuara e bënin më të plotë heshtjen. Po e kërkoja me sy. Më kuptoi, dhe u largua gjetkë. U duk tufa e pëllumbave. Fluturonin bashkë si balerina ajri duke bërë harqe me simetri të hollë. Askund nuk fluturojnë më bukur se mbi humnerë. (m’u kujtua përshkrimi i Ovidit romak për « pëllumbat e Kaonisë (Labërisë) », që kanë mrekulluar dhe Romën ! Ku vallë në Kaoninë e Labërisë ka të tilla humnera gati mitologjike pëllumbash si në dy prerjet e vëndlindjes sime ! Ndjeva një qetësi çlodhëse në shpirt. Diku larg u ndje një këngë barinjsh. Polifonia labe që e dua aq shumë. I pari, marrësi, fillon motivin e këngës për një ngjarje a për një njeri. Si e dëgjon ca, kthyesi e miraton dhe e dyzon duke e dyzuar këngën në dy zëra harmonikë. Hedhësi i miraton dhe njofton me zë të lartë botën. Populli – isua i pëlqen dhe i mbledh bashkë tërë zërat. Kënga i ngjan ziles apo këmborës…Plutarku thotë se ushtarët e Aleksandrit hidhnin një valle me dy rrathë burrash. Reshtin e parë e udhëhiqte një ‘Aleksandèer’, rrethin e dytë. Një ‚Dari‘ (i Persisë). Dihet ku trashëgohet sot kjo valle burrash ‚dyshe‘! Së pari, te vëndlindja ime…
         U shfaqën re të murme në qiell. Ndalën e panë diçka poshtë tyre, pastaj u nisën prapë në udhë, thua kishin parë një vëndas që po ngjitej lart, dhe s’donin sherr me të (një kronist turk thotë se aty „banorët krenarë zihen dhe me retë që u kalojnë mbi krye »). Mali karshi ra përkohësisht në hije. M’u duk se mori një zemërim njeriu e më kujtonte: « Sa më larg të na ikësh pa kthyer kokën pas, aq më pranë do ta kesh shkatërrimin ! » Mali qe strehuar brënda meje e po më fliste nga brënda gjakut tim. U ndjeva i paaftë të jepja një sqarim, apo një buzëqeshje miratimi.
         E lashë gjeografinë e hyra në histori. Te kjo hapsirë në cilat qafa e shtigje kaluan Bilbilenjtë? Ku iu bë prita e parë osmanëve? Nga hynin bandat e pabesa greke? Në ç’udhë u nisën bijtë e vëndlindjes sime pas Gjolekës e Hodo Aliut për të ndihmuar vëllezërit kosovarë? Nga e bëri udhëtimin e fundit Asim Zeneli (në ikje erdhi vizitoi mësuesin e tij, tim atë; më lëmoi flokët me një buzëqeshje prej ylli…dhe kaq.) Ku të kërkoj!...
         Zgjata vështrimin, mos shihja Rrapin legjendar në qendër të fshatit. Aty dikur atdhetari trim Shaqo Buzo qëlloi me shollë zabitin osman që ndalonte shkollën shqipe. Aty qe dhe gjyshi im, Sheh Abazi në konakun e të cilit u ngrit Shoqata ARBËRIA e përhapte abetaret e rilindasve…Në zemër më trokiti dhimbshëm zëri i gjyshit: „Biri im, nuk janë asgjë ato që hoqëm…as përzënia nga andartët grekë e vdekja ime e mjeruar në ullishtet e Vlorës…Asgjë. Qenë nga armiqtë e vëndit…Më e rënda, është ‚vdekja‘ e dytë me poshtërim që më bëjnë fshatarët e mi sot! Prishja e shtëpisë së vdekjes është më e rëndë se djegia e shtëpisë së jetës. Vitin e zi ma prishën Mekamin ku bëja gjumin e Perëndisë; nuk më lanë të lirë as dy pëllëmbë dhè më vete për gjumë të qetë. Po më shkel duke ecur i gjithë fshati e s’kujtohet njeri; çdo këmbë që më bie sipër e kam një thikë në shpirt: kaq shumë të jenë prishur fshatarët e mi? Si s’u kujtua njeri…biri im!?“
         Zëri i tij u pre. Humbi në kohë. Unë humba në hapsirë. Nuk dija ç’të bëja më tej!. U ula në tokë pa kuptuar pse u ula! Pashë përsëri nga malet. Ato vetëm dëgjonin pa më dhënë asnjë mendim. Thua bisedën e kishin lart me qiellin. Shikova nga humnera. Ato kishin lidhur bisedë me perënditë e nëntokës. Tufa e pëllumbave vazhdonte baletin e vet, pa u kuptuar në e kish nderim për jetën a për vdekjen! Ndjeva se nuk kisha fuqi për asgjë. U mbylla brënda heshtjes sime…