Thursday, 18 June 2015

SINICA-MODEL I BASHKËJETESËS FETARE

-Mbresa nga kremtimi i ditës së Shën Kollit dhe 165 vjetorit të kishës së këtij fshati-
Nga Fuat Memelli
            Qysh në fillimet e demokraciasë , fshatarët e Sinicës në rrethin e Devollit, çdo vit më 20 Maj, festojnë së bashku ditën e Shën Kollit.( Këtë emër e mban edhe kisha e fshatit.) Kështu ndodhi edhe sivjet por festa ishte më e madhe dhe më e bukur. Dhe kjo kishte arsyen e vet.Tok me ditën e Shën Kollit, u festua edhe 165 vjetori i kishës së fshatit. Veç sinicarëve të krishterë, ashtu si çdo vit, pjesëmarrës ishin edhe bashkëfshatarët e tyre muslimanë. Sinicarët kishin ardhur në vendlindje nga Korça, Elbasani, Tirana, Durrësi, etj, por edhe përtej Atdheut. Josif Kotemelua,  vinte nga Çikagua, Kajsjani e Koço Tahiri, Stavri Panua e Albert Hysolli nga Greqia, etj. Për të festuar tok me sinicarët, kishin ardhur edhe nga fshatrat fqinjë si Dardha, Arza e Qyteza. Mysafirë në këtë festë  ishin edhe nën prefekti i Devollit, Artan Keco, kryetari i Shoqatës “Devolli” Guri Seferi, drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik të Devollit, Valter Nallbati, etj.
       Atmosferën festive  e zbukuronte flamuri shqiptar si dhe parulla “1850-2015, 165 vjetori i kishës së Sinicës”. Një flamur shqiptar si dhe parulla: “Ta shpëtojmë këtë vatër të dijeve tona dhe ta kthejmë atë në muze”, ishte vendosur në oborin e shkollës. Me rastin e kësaj dite të shënuar, ishte përgatitur edhe një fletëpalosje me ngjyra, titulluar: “Sinica- e bukura e Devollit”, e cila ishte financuar nga sinicarët, Jovan e Jorgo Themeli. Çdo pjesëmarrësi që shkonte në kishë, i vendosej një stemë nga vajzat sinicare, Dajana Hysolli e Megi Memelli. Stema e përgatitur me rastin e 165 vjetorit të kishës, ishte dhuratë nga Jorgo Braholli, me origjinë nga Arëza, fshat fqinj me Sinicën. Gjatë meshës së drejtuar nga priftërinjtë Viktor Konomi e Pabvli Dimashi, besimtarët u lutën për paqe, mbarësi e harmoni.
*   *  *
            Pas meshës, festa “zbriti” në qilimin e blertë të  ish shkollës 8 vjeçare. Sinicari F. Sinica, i ardhur nga Bostoni, pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve, theksoi se në këto ditë të ngarkuara me politikë, ne sinicarët duam të japim një mesazh bashkëjetese dhe harmonie fetare. At Viktor Konomi , i cili shërben në kishën e Sinicës dhe disa kisha të tjera të Devollit, uroi pjesëmarrësit për këtë ditë të shënuar, në emër të Mitropolitit të Korçës, Imzot Johanit. Kryetari i Shoqatës “Devolli” Guri Seferi, i kudondodhur në vepriaritë e devollinjve, nuk mungoi edhe në këtë festë të sinicarëve. Në fjalën e tij, ndër të tjera ai theksoi: “Sinica është një model i bashkëjetesës fetare, jo vetëm në zonën e Devollit por edhe në qarkun e Korçës e në gjithë Shqipërinë. Harmonia fetare e sinicarëve, është shfaqur edhe në martesat që janë bërë mes të krishterëve e muslimanëve. Një nga këto martesa është edhe ajo e një vajze nga fshati im, Arëza, me një djalë të krishter nga Sinica. Harmonia e çiftit si dhe e famileve të tyre, është një tregues tjetër i bashkëjetesës fetare të këtij fshati”.

            Fjalët pëshëndetëse, gërshetohen me këngë e valle. Orkestra e ardhur nga Bilishti, e ndez atmosferën. Ajo bëhet edhe më e bukur, kur në qilimin e blertë të oborit të shkollës , dalin vallëtarët e Asamblit të Fëmijëve të Shoqatës “Devolli”, drejtuar nga koreografi, Agron Kordalli. Vallja “Devolliçe” mer zjarr nga kërcimi i tyre. Me vallëtarët e vegjël, bashkohen edhe shumë pjesëmarrës dhe lozin së bashku vallet ”Pogonishte”  “Isuf Arapi”, etj.

            Mikrofonit i afrohet mësuesi veteran, Pëllumb Agolli, i ardhur për këtë festë nga Bilishti.-Kjo është një ditë e veçantë, jo vetëm për sinicarët por për gjithë pjesëmarrësit. Këtu takova dhe u shmalla me shumë kolegë dhe ish nxënës të mi. Për herë të parë në këtë festë, merte pjesë edhe një përfaqësuesi i pushtetit vendor në rrethin e Devollit. Ishte nën prefekti, Artan Keco. –Sinica, ky fshat i bukur i Devollit të Sipërm, meriton më shumë vëmendje. Bashkia e re e Bilishtit, ku Sinica do të jetë pjesë, besoj se do t’i hedhë sytë më shumë te ky fshat i lashtë, me histori e traditë të pasur.
            Nga Amerika e largët, u lexuan dy përshëndetje , drejtuar sinicarëve me rastin e ditës së Shën Kollit dhe 165 vjetorit të kishës së këtij fshati. Njërën e dërgonte Peshkop Ilia Ketri, me origjinë nga Sinica ndërsa tjetrën, miqtë e Sinicës: dardharët Sotir Pani e Kiço Çeku si dhe korçari, Jani Plasa. Edhe një risi tjetër pati në festën e këtij viti .Në emër të komisionit oganizator të festës, i riu Marijon Pano, shpërndau dëshmi “Mirënjohje” për priftërinj që kanë shërbyer ndër vite në këtë  kishë si dhe për besimtarë të përkushtuar.
            Por, në këtë ditë të shënuar, sinicarët nuk harruan të ngrenë edhe disa shqetësime. Engjëll Memelli si dhe disa sinicarë të tjerë, si problem të parë ngritën shtrimin e rrrugës Miras –Sinicë –Dardhë( sidomos pjesën Shkallzë-Sinicë –Dardhë) e cila është lënë në harresë dhe nuk dihet kur do t’i vijë rradha, ndërkohë që janë shtruar me asfalt pothuajse gjithë rrugët e Devollit. Emigracioni si dhe kjo rrugë e shkatëruar, ka bërë që Sinica të tkuret.Vitin e kaluar, komuna e Mirasit ku përfshihej deri tani Sinica, ka bërë një projekt vetëm për segmentin Miras-Arzë, duke anashkaluar Sinicën. Projekti në fjalë, është dërguar në Fondin e Zhvillimit të Zonave Malore. Është e dyta herë që anashkalohet rruga e Sinicës. ( Theksoj se kjo është  rruga e vjetër e ndërtuar para afro 85 vjetësh dhe që mbyll unazën: Miras-Sinicë-Dardhë-Korçë.) Sinicarët thonë: -le të bëhet edhe segmenti i Arzës, pasi edhe aty jetojne njerez, por jo të shmanget rruga e Sinicës.
            Frenimi i prerjes së pyjeve si dhe i pemëve të Sinicës nga disa fshatra të Devollit, ishte një shqetësim tjetër që ngritën atë ditë sinicarët. Shpëtimi nga rrënimi i ish shkollës 8 vjeçare të fshatit dhe kthimi saj në muze,ishte problemi që ngriti sinicari Albert Hysolli, tok me disa sinicare të tjerë. ( Është vendi të theksojmë se Alberti si individ ka financuar ndërtimin e ujësjellësit të Sinicës, duke bërë atë që nuk bëri shteti për këtë fshat.) Sinicarët kanë filluar të mbledhin vetë lëkë për rikostruksionin e kësaj shkolle, por kërkojnë edhe mbështetjen e shtetit, për të arritur këtë qëllim. Për problemin e shkollës,ku kanë mësuar nxënës nga Sinica, Dardha, Qyteza, Arza e Mirasi, foli me shqetësim edhe mësuesi veteran nga Dardha, Koli Skënde. Studjuesi Ibrahim Memelli, informoi të pranishmit se është në përfundim të librit për Sinicën dhe do ta promovojë brënda këtij viti, ndërsa Niko Balli, kryetar i Shoqërisë Dardhare “Shpresa”, solli përshëndetjet e bashkëfshatarëve të tij për sinicarët dhe gjithë të pranishmit.   
                                                           *   *   *
            Përsëri këngë e valle, takime shokësh e miqsh, fotografi e filmime. Sinica përjetoi një ditë nga më të bukurat e saj. Mesazhet që u përcollën në këtë ditë të shënuar, le të shërbejnë si një apel për gjithë sinicarët, në Shqipëri dhe emigracion, për të kontribuar më shumë për vendlindjen e tyre. Le të jenë këto mesazhe, edhe një thirrje për pushtetin e ri vendor në Bilisht,për qarkun e Korçës e deri lart në strukturat shtetërore, për të hedhur më shumë sytë nga ky vendbaim i lashtë, që i përket shekullit të 7-6 të Para Erës së Re, te ky fshat me bukuri të rralla për zhvillimin e turizmit.


Maj, 2015

Sunday, 31 May 2015

Vangjel Zhapa, një agronom dhe filantrop i madh

Filantropi, që ngriti 127 shkollat shqipe

nga Thanas Meksi, etnolog.
-Një shkrim studimor e ka zanafillën ndonjëherë nga ndonjë shkak apo vlerësim që bëhet nga të tjerët. Ashtu edhe ky shkrim u nis nga çmimi, që partnerët në Shqipëri, Rockefeller dhe Qendra për Ndryshim dhe Menaxhim Konflikti, Tiranë, i bëri Filantropit Shqiptar Vangjel Zhapa, nga Labova e Madhe, Odrie, Gjirokastër. Ata e nderuan Vangjel Zhapën me Çmimin e Filantropisë 2012 “Pionier i Filantropisë” (Kategoria Ndërkombëtare). ...Një vlerësim i vonuar, por plotësisht i merituar!... Mosnjohja sa duhet e kësaj figure karizmatike të shekullit XIX, mos studimi arkivor kombëtar dhe ndërkombëtare, nga studiues, historianë, shkrimtarë, ka bërë që vepra e Vangjel Zhapës të kalojë si “hije”, pa kërkuar thelbin e saj dhe kontributin e merituar të tij, në të mirë të njerëzimit. Është vështruar si e huaj lëvizja filantropike, shpesh dhe jo e kohës, për shkak të varfërisë së tejskajshme të Shqiptarëve. Ajo është mbuluar nga figura e ndritshme botërore e Nënë Terezës! Por edhe nga kuptimi i ngushtë i bërjes së çdo të mire dhe etiketimi me fjalët: bamirësi, mirëbërësi, sponsorizim, financim…

Është mbiquajtur Vangjel Zhapa shpesh rumun, grek, vllah, bullgar… por asnjëherë shqiptar!... I janë vënë epitetet “pasanik”, “reaksionar”…“s’ka bërë gjë për Shqipërinë”…duke harruar qëllimisht të thuhet vendlindja e tij: Labova e Madhe, Tepelenë (dikur është varur nga rrethi i Tepelenës); deri në vitet 1970, është quajtur Labovë e Zhapës; ditëlindja e tij 1800, i biri i Vasilit dhe i Sotirës, nga fisi i dëgjuar Meksi. Në Labovë të Zhapës janë shtëpitë e Vangjel Zhapës, krojet e ndërtuara nga ai, kisha e Papandisë, ku ai është pagëzuar, shkolla – gjimnaz e ndërtuar nga ai në vitin 1860, varret e familjes, por dhe i tij! Pra, çdo gjë në Labovë mban emrin e tij. Është i vetmi fshat, në Shqipëri që mban për mbiemër emrin e një filantropisti. Vangjel Zhapa është puro labovit. Nga vendlindja e Vangjel Meksit, përkthyesit të “Dhiatës së Re”; i Dr. Apostol Meksit; i mësuesve patriotë Nane Panajoti, Meksi dhe Vasil Konomi, hapjes së të parës shkollë shqipe në Labovë; të akademikut Foto Çami; i kryeministrit të parë të demokracisë Prof.dr. Aleksandër Meksi dhe profesorëve të dëgjuar Anesti Kondili, Minella Karajani, Foto Toti, Fedhon Meksi, Sokrat Meksi; i regjisorit të talentuar Andrea Malo; poetit kombëtar Arben Duka, i biznesmenit të sukseshëm Andrea J.Dilo… Është nga Labova që i ka dhënë atdheut 210 arsimtarë, 55 mjekë, 40 shkencëtarë, 7 drejtues të seksioneve të arsimit të qarqeve, si dhe shumë laureatë, poetë e shkrimtarë, këngëtarë e sportistë, ekonomistë e ushtarakë. Vështirë që gjen në botë “qytezë” të tillë!... Pse atëherë ky “ngurrim” dhe “heshtje” vlerësimi, për njohjen e veprës madhore të Vangjel Zhapës, në dobi të njerëzimit?... Unë mendoj se ka disa shkaqe!... Së pari, njohja e veprimtarisë së Vangjel Zhapës ka qenë dizinformuese. Së dyti, mos sqarimi i konceptit filantropi dhe bamirësi dhe trajtimi i tyre në aspektin funksional. Së treti, “heshtja”, për të qenë “brenda”, mos studimi dhe mos veprimi duke lënë qëllimisht në pluhurin e harresës kombëtare, prej më shumë se 100 vjetësh, figurën filantropike të Vangjel Zhapës!...
Është në të mirën të opinionit shqiptar dhe më gjerë, që disa çaste kulmore të veprës së Vangjel Zhapës, të thuhen përsëri, me “TH” të madhe, në dritën e studimeve të fundit…

Arsimi i të gjithëve, dukuri evropiane e Vangjel Zhapës
E lënë disi në heshtje, Vepra e Vangjel Zhapës, nis në vitet 1835 me arsimin e të gjithëve, që është një nocion i të ardhmes Evropiane. Akademiku rumun, Nicola Postolake, në librin e tij “Lavdi Vangjel Zhapës” (Kap. i 1, botim në Rumani, viti 1996) shkruan…Vangjel Zhapa i takon lindjes Ballkanike, ndërsa nga kultura, mentaliteti, iniciativa i takon shpirtit evropian”. Ndërsa Vangjel Zhapa do të shprehej: “Unë jam jo i një kombi, por i të gjithëve dhe për të gjithë”. Vetë Vangjel Zhapa ishte i arsimuar në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe arsimin e lartë, për agronomi e kreu në Paris. Kishte marrë mësime edhe për mjekësinë popullore nga mjekët e Ali Pashë Tepelenës: Vangjel Meksi dhe Petro Panajoti, me të cilët ishte edhe kushëri. Njihte shumë mirë bimët mjekësore të zonës së Odrijes, të cilat ia kishte mësuar e ëma, Sotira. Më vonë arriti të botojë edhe libra bujqësore, si dhe përgatiti një projekt alfabet. Në Rumani, falë njohurive që kishte për bujqësinë intensive, arriti hierarkinë e këshilltarit ekonomik të mbretit. Vangjel Zhapa ka meritë në ndërtimin e 127 shkollave në Shqipërinë e Jugut: nga Himara, Përmeti, në Tepelenë e Gjirokastër, Delvinë e Sarandë, në zonën e Çamërisë: në Filat e Igumenicë. Në këto shkolla, krahas gjuhës zyrtare që ishte turqishtja apo greqishtja, vuri edhe gjuhën shqipe, që në fakt ishte gjuha e parë. Ajo ndihmonte për mësimin e gjuhëve të para, që dilnin të dyta. Kjo edhe arsyeja që në shumë nga këto shkolla, gjuha shqipe i rezistoi kohës, flitet e pastër edhe sot e kësaj dite. Vangjel Zhapa ka meritën e madhe, që ishte ndër të parët që vlerësoi arsimin femëror, duke ngritur tre gjimnaze në Labovë, Kostandinopojë dhe Adrianopojë, me program evropian, mësues të huaj dhe mësime praktike të kohës si: qëndisje, ekonomi, etj. Në të gjitha këto shkolla gjuha shqipe u bë gjuhë primare dhe ndihmonte për mësimin e gjuhëve të huaja.

Në shkolla kishte biblioteka të pasura me libra të iluministëve. Kështu shumë e pasur ishte biblioteka e Labovës, por edhe e Bronshteinit në Rumani. Shoqata “Odria” e Labovës tani, në gjurmët e Vangjel Zhapës ka marrë nismën të krijojë bibliotekën e zonës “Odrie”, duke kontribuar të gjithë anëtarët e saj, brenda dhe jashtë shtetit. …Në Rumani Vangjel Zhapa financoi abetaren e parë Shqipe të Naun Veqilharxhit dhe tre evetore të tij, me shumën 25.000 franga ari, dhe botimin e të parës gazetë shqip në Lamia: Pellazgos (Vitet 1859 – 1861). Veprimtar aktiv dhe gjithmonë i gatshëm për arsimin e shqiptarëve, ai kishte ngarkuar Anastas Bykun nga Lekli në postin e drejtor – inspektimit të rrjetit arsimor të ngritur në Shqipëri. Dha shumë bursa për arsimimin e te rinjve dhe të rejave, jo vetëm nga Labova, por edhe nga krahina e Lunxhërisë dhe Dropullit, për studime të larta në vende të ndryshme të botës. Në testamentin e tij flitet shumë për arsimimin shqip dhe shkollat shqipe duke lënë shuma të mëdha financiare për mbarëvajtjen e tyre. Kjo vepër e Vangjel Zhapës e bënte atë pararendës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke u treguar edhe një ideolog e veprimtar praktik në problemet e arsimit shqiptar, në të mësuarit të gjuhës shqipe, të alfabetit të shkruar dhe të organizimit të shkollave shqipe. Rruga e hapur nga Vangjel Zhapa ka lënë gjurmë arsimore në krahinën e Odrijes, Lunxhërisë, Dropullit, Çamërisë… për krijimin e një traditë të shkëlqyer arsimore dhe të dashurisë për shkollën dhe të nxënit shqip. Deri në këtë fazë të veprimtarisë së tij, Vangjel Zhapa me bamirësitë e tij, më të shumta në vendlindje dhe krahinat përreth dhe ndonjë shtet fqinj, kalon nga bamirësia në një fazë më të rëndësishme, në atë të filantropit, që është një shkallë sipërore, drejt përmirësimit të shoqërisë njerëzore… Këtë e tregojnë veprat e tij në të mirë të njerëzimit.

Olimpizmi, vepër monumentale e tij
Vepra filantropike e Vangjel Zhapës është bindëse në rilindjen e Lojërave Olimpike të lashtësisë, që nga viti 1859 e vazhdim. Shumë studiues e vendosin Olimpizmin në punën kryesore të veprës së Vangjel Zhapës, por nuk është plotësisht kështu!... Është e vërtetë, që ai i rilindi këto lojëra mbas 1500 vjetësh dhe i subvencionoi ato edhe mbas vdekjes e në vazhdim (flet testamenti i tij). Njihen tre themelues të Lojërave Olimpike moderne -Vangjel Zhapa shqiptari, është quajtur themeluesi i Olimpizmit… -Englezi Dr. Brookes konsiderohet përkrahës i Zhapës dhe  -Francezi baron Pjer de Kuberte pasues i denjë i Vangjel Zhapës, por jo themeluesi kryesor i tyre, siç e paraqitin!... Megjithëse jetonte në Rumani, ku vuri dhe pasurinë e tij, Vangjel Zhapa i organizoi lojërat olimpike në Greqi, në vazhdë të traditës historike. Ai shfrytëzoi “heshtjen” që ekzistonte për këto lojëra në Greqi, shkëndija e dhëna nga shkrimtarët e poetët: “Ku janë Lojërat Olimpike”?...dhe veçanërisht thirrjen e poetit Soutras drejtuar Mbretit Othon, me origjinë gjermane. Ai lëshoi thirrjen “Lërini Lojërat Olimpike të rifillojnë”!... Por të gjitha këto thirrje ranë në vesh të shurdhët, po të mos ishte kërkesa e Vangjel Zhapës në 13 Korrik 1856, që merrte përsipër pagesën e të gjitha shpenzimeve për rilindjen e olimpizmit. Ai propozoi edhe datën e fillimit të këtyre lojërave: 15 Nëntor 1859. Vuri në dispozicion të organizatorëve 400 aksione të shoqërisë së lundrimit të Rumanisë dhe 3000 napolona flori. Me gjithë dobësitë në organizimin e parë, Zhapa kërkoi organizimin e lojërave të dyta Olimpike. Grekët e quajtën Zhapën – Themeluesin e Olimpizmit. Cili ishte qëllimi final i Vangjel Zhapës që synonte organizimin e këtyre Lojërave Olimpike?... Së pari, të realizonte kultivimin dhe forcimin e miqësisë midis popujve të botës. Kësaj do ti përgjigjej jo vetëm miqësia, por edhe bashkëjetesa e rivaliteti i vlerave. Së dyti, sipas grekëve, Zhapa përfytyronte bashkimin e Evropës përmes ringjalljes së Lojërave Olimpike. Në këtë bashkim do të sundojnë fjalët dashuri, paqe dhe miqësi, si dhe mirëqenie. Së treti, dy shekuj përpara Zhapa bëhet misionar i paqes dhe miqësisë ndërmjet popujve. Motoja e tij ishte “Për të gjithë unë jam i përbashkët si një ditë e ndritshme”. Me organizimin dhe financimin e Lojërave Olimpike botërore, Vangjel Zhapa hodhi parullën e bashkimit dhe dashurisë së njerëzimit, kundra luftërave shfarosëse, pro një Evrope të bashkuar, si ajo që jetojmë sot. Përse të heshtet për këtë figure botërore të Filantropisë?... Prof.dr. Meri Lalaj shkruante për Vangjel Zhapën: “Midis intelektualëve lartësohet Vangjel Zhapa, një personalitet kompleks, me vizion të jashtëzakonshëm për kohën, i njëkohësishëm në Rumani, Greqi, dhe Shqipëri, punëtor, i mençur, trim, bujar dhe krenar”. (F.Meksi Labova e Madhe dhe labovitet, f.6. Migjeni 2010). Ndërsa ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i përshëndeti dhe i falënderoi labovitët, bëri fotografi me ta dhe i premtoi se shumë shpejt do të vizitojë Labovën e Zhapës.

Pak biografi
Vangjel Zhapa lindi me 23 gusht të vitit 1800 në Labovë të Madhe, Odrie, Gjirokastër. Deri në moshën 15 vjeçare qëndroi në fshat, mbaroi shkollën fillore dhe mësoi nga e ëma Sotira, nga fisi Meksi, bimët mjekësore të zonës dhe u mor me punë bujqësore. V.Zhapa deri në moshën 30 vjeçare qëndroi në Janinë, duke mbaruar gjimnazin “Zosimea”, mori pjesë në ushtrinë e Ali Pashë Tepelenës dhe luftoi me heroizëm në Revolucionin Grek, për pavarësinë e shtetit helen. Të gjitha këto luftëra e përgatitën V.Zhapën si luftëtar trim, organizator të fuqishëm dhe komandant të zotin. I pakënaqur nga vlerësimet në ushtrinë greke, ku mori edhe pesë plagë, u detyrua të largohet në Rumani, ku fillimisht zë punë në një mulli. Ushtron mjekësinë popullore, fiton emër, shëron gangrenën e vajzës së mbretit të Rumanisë, ku përfiton shumë toka e pyje. Rreth viteve 1835 Vangjel Zhapa studion në Paris për agronomi, shton sipërfaqet e tokave në Broshtein dhe krijon një fermë model. Bëhet aksioner me një shoqëri anglo – siriane, që zbulon naftë në tokat e tij dhe më vonë aksioner në shoqëritë e lundrimit të Rumanisë. I gjithë ky aktivitet, i siguroi pasuri të mëdha dhe i dha mundësi të bëhet një filantrop i dëgjuar në dobi të njerëzimit. Vdiq në moshën 65 vjeçare, në vitin 1865 në Broshtein të Rumanisë.

Testamenti i Vangjel Zhapës mirësi e veçantë botërore
Është shumë domethënëse ligjërata e Vangjel Zhapës “Zoti na fali kaq pasuri, ku dhe bamirësi mund të bëjmë, edhe fëmijë mund të edukojmë me respekt ndaj zotit, si dhe patriotë. Unë si më i madhi që jam, vendosa të mos martohem dhe të bëj më shumë bamirësi.” Këtë mendim kishte edhe Kostandini, pasardhësi i tij! Të dy mbeten beqare të përjetshëm… Pasuria e madhe që krijuan ata, veçanërisht në Rumani, u bë bazë e fuqishme e veprave të bamirësisë së tyre. Kjo erdhi si fryt i mendimit krijues, i metodave përparimtare që përdoren dhe veprimtarisë energjike të tyre. Këtu duket edhe përgatitja e lartë profesionale e Vangjel Zhapës mençuria e tij, që vinte nga geni i mëmës së tij, që ishte nga fisi i dëgjuar Meksi. Vangjeli karakterizohej nga një botë e pasur shpirtërore dhe fisnike ndjenjash. Labovitët e trashëgojnë këtë karakteristikë brez pas brezi. Ato e bënë Vangjel Zhapën ideator në fushën ekonomike. Ai ndihmoi shtetin rumun që të forcohet, edhe me donacionet e dhëna nga ai, dhe nga idetë e këshillat. Shpesh i shprehte princit rumun Jan Kuza, që e vizitonte herë pas here në fermën e tij, ide dhe mendime për realizimin më mirë të reformës agrare, për përmirësimin e ligjeve ekonomike. Sipas Vangjel Zhapës aplikimi i një agrokulture intensive në sipërfaqe të vogla fshatare, në kushte të ekzistencës së mungesës së mekanizmit e të një teknike të dobët dhe të konsumuar, e kishte të domosdoshme reformën dhe zhvillimin modern të zonave rurale. Ai e shpërndau 1/3 e sipërfaqes së tokës fermerëve, duke marrë prodhime të bollshme. Pra, Vangjel Zhapa që në vitet 1840 ishte për rrugën kapitaliste të prodhimit, ndaj dhe iu akordua titulli i lartë “Këshilltar Oborrit të Mbretit të Rumanisë”. Kjo rrugë e pasuroi Vangjel Zhapën. Rruga tjetër e pasurimit ishte ajo e kurimit popullor, që ai, si dhe shumë bashkëfshatarë të tij e kishin në gen. Ai shëroi vajzën e mbretit rumun, duke përfituar sipërfaqe të mëdha tokash dhe pyjesh. Krijimi i një pasurie të tillë i dha mundësinë V. Zhapës të përpilojë një testament të pastër në moshën 60 vjeçare, të kategorizuar në pjesë të veçanta, duke përbërë një mirësi botërore origjinale.



Tradita filantropike “Zhapa”
Është shumë interesant “Testamenti Zhapa” i kategorizuar dhe shpërndarë sipas problemeve dhe veprimtarive njerëzore. Që në parathënie kupton fisnikërinë e Vangjel Zhapës dhe qëllimin e tij për mirësi botërore, krejtësisht të veçantë, një filantropi të lartë në dobi të njerëzimit. Mirëbërsia e tij në “Testamentin Zhapa” vazhdon në financimin e veprave sociale të vendlindjes Labovë, të bashkëfshatarëve të tij labovitë dhe të banorëve të fshatrave të Lunxhërisë, Tepelenës, Delvinës, Dropullit, Çamërisë e të tjerë. Sipas të moshuarit – studiues Vasil Pjetri, vetëm nga krahina e Lunxhërisë kanë përfituar bursa studimi 60 nxënës, nga Testamenti Zhapa; ndërsa nga Labova pothuajse të gjithë nxënësit që mbaronin shkollat në fshat. Deri në vitin 1940 këto fonde kanë ekzistuar, pastaj u ndërprenë. Këto ndihma janë shpërndarë si më poshtë:

•Shkolla “Zappion” Stamboll – 30.000 fr.ari (vazhdojnë)
•Shkolla e Leklit, Tepelenë – 3000 fr.ari
•Shkolla e Derviçanit, Dropull – 1200 fr.ari
•Shkolla e Qeparoit, Himarë – 1000 fr.ari
•Shkolla e Delvinës - 1200 fr.ari
•Shkolla e Nivanit, Zagori - 1200 fr.ari
•Shkolla e Condekutis - 1400 fr.ari
•Shkolla e Filatit, Çamëri- 1400 fr.ari, etj.

nga Gazeta "Shekulli"

Sunday, 17 May 2015

Thursday, 14 May 2015

Thursday, 19 March 2015

PROF. MENTOR PERMETI - Ikja e simbolit të shkencës së bujqësisë.

         Nga Illo FOTO
Astoria, New York

Shkencëtar i fushave eksperimentale, drejtues dhe organizator i suksesshëm i prodhimit të gjerë, analist i arritjeve shkencore, pedagog, prognozist i prodhimit dhe perspektivës së shkencës bujqësore – mjedisore. I tillë ishte Profesor Mentor Përmeti, i cili ndërroi jetë në Nju Jork, më 6 mars 2015. Aktiv dhe korrekt, në të tëra detyrat që iu ngarkuan në jetën profesionale dhe shoqërore, akademik Përmeti mbetet shembull për të gjithë brezat e fermerëve, specialistëve dhe shkencëtarëve të bujqësisë dhe mjedisit shqiptar, sot e në të ardhmen.
            Gjatë luftës për çlirim, ai u aktivizua me armë në dorë kundër pushtuesit dhe, fill pas lufte, iu përkushtua arsimimit, duke u diplomuar agronom i lartë në Bullgari. Në punë e sipër, u vetëspecializua në disa degë të shkencës bujqësore, të drejtimit dhe të prodhimit të gjerë. Ia kushtoi jetën zhvillimit të bujqësisë dhe mjedisit.
            Në Shqipëri funksionuan 18 institute kërkimore – shkencore, me personelin e nevojshëm dhe me bazën e duhur laboratorike – teknike. Në të gjitha rrethet funksionuan teknikume të arsimit të mesëm profesional, ku përgatitej i gjithë kontigjenti i mjeshtrave të prodhimit, për bujqësi, blegtori, mekanikë bujqësore, frutikulturë, peshkim e pylltari. Në tërë këtë proces të gjerë transformues, ka gjurmë të pashlyera dora e akademik Përmetit me kolegët e tij të punës dhe idealit. Ai shquhej për pasion, inteligjencë, erudicion të rrallë dhe, mbi të gjitha, për modesti e punë me ekipe të mëdha, me detyra gjithpërfshirëse. I konsideronte shokë dhe të barabartë vartësit, por kur ata e tepronin në rrugën e vesit, tregohej i pamëshirshëm me gabimet, që vinin nga dembelizmi, egoizmi, hipokrizia dhe përvetësimi i punës së tjetrit.
            Nuk kam takuar një specialist, mjeshtër prodhimi, shkencëtar apo punëtor, që të ankohet për Mentorin, për arrogancë, fodullëk ose të dënimit pa të drejtë. Ai e peshonte punën dhe djersën e vartësve, me kandar floriri. Ishte shpirt demokrati, i pavarur. Respektonte me fanatizëm ligjet e shtetit dhe rregullat komunitare, duke u bërë avokat i denjë për njerëzit që dikush u mohonte të drejtat, i merrte nëpër këmbë ose i dënonte padrejtësisht. Kishte besim tek shteti i fortë dhe i reformuar rrënjësisht. Kush ka pasur rast të bisedojë me Mentor Përmetin, për tema të mëdha apo edhe të dorës së dytë, ka vënë re se ai e ilustronte bisedën me shembuj të ngjashëm nga historia, gjeografia, luftërat, letërsia, arti, shkencat ekzakte, ato humanitare, me ngjarje nga kuvendet dhe logu i burrave, nga folklori, politika botërore, etj.
            Unë jam në moshë të shtyrë dhe një të dytë nuk kam hasur dhe as kam dëgjuar nga të tjerë, se në Shqipëri gjendet një burrë i këtij niveli të shpenguar në çdo lloj bisede, me burra, gra, të rinj dhe fëmijë të çdo niveli kulture, edukate dhe moshe. Kam pasur fatin ta njoh Mentor Përmetin dhe ndjehem i plotësuar, që jam student dhe nxënës i përjetshëm i tij. Shteti komunist shqiptar, më saktë drejtuesit kryesorë të tij, ia njihnin meritat dhe zotësinë intelektuale, akademikut të madh, por nuk donin që ai të vlerësohej me të tërë bagazhin intelektual dhe kryesisht donin të errësohej figura e tij njerëzore. E krijuan shkakun për ta dënuar. Disa studentë dhe tre pedagogë, i vendosën fletërrufe. Nga kjo e emëruan kryespecialist në fermën e Lushnjës. Pozicioni i punës ishte i tillë, që nuk mund të përballohej nga një specialist, që ishte ndarë nga praktika e prodhimit të gjerë. Ferma ishte nga më të mëdhatë në Evropë. Menaxhonte 14 mijë ha tokë, ose 14 ferma të nivelit mesatar. Përveç prodhimit bujqësor, ferma kishte detyrë parësore të furnizimit të Tiranës me prodhime blegtore e perime, artikuj, që lidheshin me furnizimin ditor të popullatës, që mund të bëheshin shkak diskreditimi të politikës së partisë në pushtet. Në Lushnjë u miqësua shumë me njerëzit dhe u bë më lushnjar se vendasit. Unë, si specialist, kisha më shumë nevojë për ndihmën e kryespecialistit, prandaj i ndenja shumë afër. U miqësuam me një besim të ndërsjellë të pazakontë. Jeta vërtetoi se dhe ai kishte nevojë për punën time si kryezooteknik. E justifikuam me punë e besnikëri miqësinë që lindi në ato kohë të trazuara. Këtë miqësi tonën, pa interes material, e ndau vetëm data e kobshme e vdekjes së Mentorit.
            Vitin e dytë pas ardhjes së Mentorit në fermë dhe në vijim, prodhimi bujqësor, blegtoral, perimor, vreshti, investimet, patën një rritje të pa parë. Të njëjtin përmirësim patën dhe treguesit financiarë. U ulën të tëra kostot e prodhimit. Bilanci vjetor rezultoi me fitim, mbi planifikimin. Ky bum ekonomiko- financiar, nuk ishte spontan dhe as i veçuar. Në tërë vitet që pasuan, deri në ndryshimin e sistemeve, ferma e Lushnjës ishte një ekonomi e madhe prodhimi, ku zbatoheshin tërë rekomandimet shkencore të kohës. Toka, bimët dhe kafshët zhvilloheshin me një harmoni të pandërprerë, që garantonin rritje prodhimi progresivisht. Shkenca e kryeagronom Mentorit, ishte bërë metodë e përditshmërisë së punëve në terren. Jo vetëm kaq. Shkenca e Mentorit, kishte dhënë atë që pritej, në gjithë ekonomitë bujqësore të Shqipërisë. Farat e zgjedhura dhe të prodhuara në vend, bënë revolucionin e plotë të prodhimit, në drithëra, pambuk, luledielli, fasule e foragjere.
            Mentori u transferua në Institutin e Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës dhe me vonë në Tiranë, në Komitetin e Shkencës. Kur do ikja në Amerikë, u takova me Mentorin, më 15 qershor 1995. Ndenjëm 4 orë, në një lokal afër Librit Universitar. Ishte shpallur akademik dhe punonte ne Akademinë e Shkencave. Ishte shumë i mërzitur, nga fakti se specialistët po largoheshin nga vendi, por më vonë, u detyrua të largohej dhe ai vetë. Brengosej me disa zhvillime te Qeverisë Demokratike, që krijoi konfuzion të paparë, në investimet bujqësore, në pronën, në ndarjen e tokës së fermave për frymë, si dhe në zhvillimin spontan e shumë konfuz të bujqësisë kapitaliste. E takova edhe në Amerikë, në shtëpinë e vajzës së tij, Mira, e cila i shërbeu me devocion të lartë, për mëse një dekadë, që ai ndenji i mbërthyer në karrocën e invalidit. Kur e takova në Amerikë, me kujtoi jetën në fermën, që ne i dhamë gjithçka kishim nga vetja. “Kemi bërë punë të mëdha në Lushnjë. Kur i kujtoj, me lehtësohen plagët e sëmundjes”, u tha atyre që ishin në atë bisedë. Ishte shumë i brengosur, që të gjitha qeveritë e tranzicionit, gjetën mënyrën, për t’iu shmangur përgjegjësive, lidhur me shkatërrimin e rrjetit inxhinierik të kullim- ujitjes. “Si ka mundësi, thoshte me zë të lartë, që për dy dekada, nuk rregulluan gjë nga katastrofa që krijuan me ndërgjegje të plotë. Me sa duket këta lloj qeveritarësh, nuk kanë ndërtuar asgjë vetë, në jetën e tyre. T’i shmangesh kësaj përgjegjësie, është tradhti”, shprehej ai.
            Në jehonë të shqetësimeve të Profesorit dhe të gjithë opinionit të shëndoshë shoqëror, shkrova librin problemor “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion”, ku, veç të tjerave, kam nënvizuar mësimet e mëdha të Profesor Mentorit.
            Bujqësia e sotme shqiptare, është shumë larg porosive dhe mësimeve të akademik Mentor Përmetit. Fusha më e rëndësishme e vendit kërcënohet nga përmbytjet dhe thatësia. Aktualisht më shumë se 200 mijë ha tokë kanë 25 vjet që nuk janë në qarkullim ekonomik. Recetat për të ndryshuar gjendjen aktuale të bujqësisë, na i ka lënë të gatshme Mentor Përmeti. Heshtja e organeve shtetërore ndaj tokave të pashfrytëzuara është e pafalshme. I qoftë i lehtë dheu i vendlindjes Profesor Mentorit, që e deshi me tërë fuqinë e shpirtit! Siç thotë populli ynë: “Iu bëftë varri dritë”! –

Botoi Gazeta “Dielli”