Friday, 10 January 2025

LAMTUMIRA PËR BLETËRITËSIN ÇAVO PULERI

"Ju bëftë balta mjaltë"! Kjo shprehje dëgjohet shpesh në ceremonitë mortore në Jug.


Çavo Puleri

nga: Ilir LLURI

Detroit, MI - SHBA

 

Mes fshatrave të bukur që rrethojnë qytetin antik të Antigonesë është edhe Tranoshishta. Dashurinë për këtë fshat ma nxiti jo vetëm magjia e Pranverës dhe Vjeshtës mbi të, por në mënyrë të veçantë respekti e dashuria njerëzore që banorët ruajnë në kodin e tyre të mikpritjes. Gjatë kohës që punoja në parkun e Antigonesë mu bë zakon që herë pas here të kthehesha në familjet Qurku dhe Puleri për tu takuar me Polon dhe Çavon, të cilët shpesh i gjeja së bashku në oborrin e Qurkajve.  Të dy kanë qënë pjesë e kronikave televizive dhe miq të mirë të gazetarëve. Polua u nda disa vite më parë nga jeta, ndërkohë që mësova se së fundi është ndarë nga njerëzit e tij të dashur dhe prej nesh, Çavo Puleri.

 

E ndjej veten me fat që i njoha dhe ndava me ta orë të tëra bisedash jo vetëm mbi jetën e tyre, por për gjithë banorët e zonës. Por në se për xha Polon munda ti respektoj zakonet mortore, largësia nuk ma mundësoi këtë për Çavo Pulerin. Është kjo arsyeja që të sjell në shenjë respekti për të, dy rradhë të shkruara me dashuri për këtë prind, gjysh e stërgjysh, porta e shtëpisë të së cilit mbeti gjithmonë e hapur si për mua, ashtu edhe për shumë gazetarë të tjerë. 



 

UJËSJELLËSI I TRANOSHISHTËS

Çavo Puleri më ka folur për ujësjellësin e parë modern të Gjirokastrës, "Ujësjellësin e Tranoshishtës", i projektuar dhe ndërtuar nga italianët gjatë Luftës së dytë Botërore. Nga Tranoshishta u bë furnizimi i pjesës më të madhe të Gjirokastrës me ujë. Ky ujësjellës ishte në qendër të një prej edicioneve informative të televizionit kombëtar ku unë punoja dikur. Ishte e para herë që përmes një kronike televizive festohej datēlindja e një ujësjellësi. 

 

Dëshmimtari i vetëm i punimeve që u kryen nga italianët ishte Çavo Puleri. Kishim harruar për shumë kohë të festonim për një nga tre elementët kryesorë të jetës sonë, ujin. Vite më vonë për këtë ujësjellës do të realizonte një kronikë të zgjeruar edhe gazetarja Brikena Meta, me operatorin e talentuar Vilson Kuçi për televizionin "News 24". 

 

Portën e Çavo Pulerit e gjetëm hapur si gjithmonë. Ai afroi ndihmën e tij të pakursyer me informacion mbi atë kohë të largët. 

 





MJESHTRI I BLETARISË

Çavo Puleri ishte jo vetëm një nga bletëritësit më të moshuar, por edhe nga më të mirët e rajonit. Këtë eksperiencë të vyer ai e ndau bujarisht me teleshikuesit përmes kronikave të shumta televizive. Asnjëherë nuk do më hiqet nga sytë ecja e tij mes parkut të bletëve, tek kontrollonte kosheret një e nga një. Ky burrë në moshë të thyer, ishte si një libër historie. Në përgjithësi ai nuk më fliste në emër, por thoshte "djali i mikut". Kishte qënë mik me tim atë, që gjithashtu ishte bletëritës. 

 

Në kohën e trishtë të pandemisë, lëndinat e bleruara të kësaj zone të bekuar, më kthenin optimizmin e zbehur nga ankthi i jetës. Megjithëse i gjendur aq pranë, situata e vështirë dhe përgjegjësia që ndjeja, nuk më favorizonin që ti shkoja në shtëpi për ta parë. 

 

Takimi i fundit me të ndodhi në 7 nëntor 2022 në verandën e shtëpisë së gojë-ëmbëlit Këno Qurku, ku mora një intervistë në lidhje me infermjeret amerikane që u strehuan në Saraqinishtë në dimrin e largët të vitit 1943. Fotografitë e këtij takimi të shkrepura nga miku im arkitekt, Reshat Gega i ruaj si ujët e pakët në arkivin e celularit tim, si një pjesë e rëndësishme e atyre çasteve të jetës profesionale, ku pa kthjelltësinë e memories së moshës së tyre të thyer, nuk do ja kisha dalë me sukses qëllimit tim. 

 

MIKPRITJA LUNXHOTE

Guri më i çmuar i këtij fshati të vogël, mbetet dashuria e madhe njerëzore e banorëve të tij, të cilët të presin e përcjellin me buzëqeshjen që ju buron nga zemra e tyre e bardhë. Nuk do ti harroj kurrë sytë e tij të qeshur sa herë na shihte që shkonim për ta takuar. Nuk do harroj as ndershmërinë e tij profesionale. Dëgjo këtu "djali i mikut", megjithëse mund të ta ketë thënë edhe babai; 


-       “Asnjëherë mjalti nuk shitet duar - duar. Nga aroma dhe shumëllojshmëria e luleve të majit duhet të ketë edhe prodhimi që vilet më vonë. Prandaj prodhimi duhet të përzihet. Vetëm kur e do për qëllime kurative specifike ndryshon puna."

 

Dikur në Lunxhëri tavolinës së mikpritjes nuk i mungonin ëmbëlsirat e përgatitura nga mjalti, një traditë kjo pothuajse e haruar sot.

 

MISIONI I BLETARIT

Fatkeqësisht largimi i njerëzve të thjeshtë nga jeta, në përgjithësi nuk ka qënë lajm për mediat lokale apo ato qëndrore. Por në disa raste mendoj se kjo duhet të ndodhë. Shpesh thjeshtësia dhe modestia e këtyre njerzve, është në fakt "streha" e madhështisë së tyre. 

 

Sado e pazakontë të duket, më duhet të pohoj se; me ndershmërinë, burrërinë dhe bujarinë e tij, Çavo Puleri i kishte "fituar" që në të gjallë fjalën tonë ngushëlluese për ditën e tij të ikjes; "balta mjaltë"!. Mënyrën e lamtumirës njeriu e "miraton" dhe "përcakton" përmes punës dhe vlerave që shpalos për familjen dhe shoqërinë gjatë gjithë jetës së tij.

 

Është kjo arsyeja që ngushëllimin tim për familjarët dhe miqtë e tij, ta përcjell vetëm përmes frazës; Sa të rrojmë ta kujtojmë të shtrenjtin tonë!

Jam i sigurtë se "balta mjaltë" më shumë se kujdo do ti bëhet këtij bletë-rritësi, që përmes mjeshtërisë dhe dashurisë që tregonte ndaj bletëve, shpesh më krijonte përshtypjen se "bashkë-bisedonte" me to, si të ishte një nga "misionarët" e oborrit të tyre mbretëror. Për ata që e dinë se pa bletën vdes jeta e njerëzore, profesionalizmi, përkushtimi dhe kontributi i Çavo Pulerit në këtë fushë, mer një tjetër dimension. Në këtë kuptim ashtu si ai, ç'do profesionist i talentuar i kësaj fushe, është misionar i Jetës. Ndoshta për këtë arsye, Jeta tregohet aq bujare me bletë-rritësit. Jeta e 95 vjeçarit Çavo Puleri na e rrëfeu më së miri këtë gjë.

Lamtumirë Çavo Puleri! 

Lamtumirë miku im!

 

Wednesday, 8 January 2025

LUMTURI E NJË KOHE TË LARGËT

 



(Pema e Vitit të Ri, programi festiv me këngë dhe recitime, kur mblidhnim dhurata nga familjet e fshatit, një histori tek shtëpia e Kalemit, disa nga vjershat e kohës si fillorist në greqisht dhe shqip, lënia përgjysëm e tyre pas romuzeve nga salla, në fund dhuratat, luteshim që në vënd të lapsave dhe enës së bojës së shkrimit, të na binin ....portokalle dhe mandarina ....) 


 nga:  Petro MEJDI
Arhinë, Greqi

 

Dhjetorët e mi si fillorist dhe disa recitime në mbrëmjet dhuratave të Vitit të Ri dhe Festën e Abetares dhe Allfavitarios.

 

Dhjetori ishte muaji më i bukur, ishte më i ngarkuari me kujtime dhe mbresa të moshës sonë si fillorist. Gëzimet tona të asaj kohe ishin të pakta dhe mbresat e tyre na shoqërojnë në gjithë jetën tonë.

 

Mezi prisnim ditët e fundit të muajit. Në moshën time të fillores ai kishte shumë ditë të bukura, të gëzuara. Ishin festat fetare, të cilat na çonin në kishë shumë shpesh, bile dhe natën vonë. Ne u gëzoheshim dhe likosë dhe prosforos.

 

Ky ishte muaji më i begatë në ushqime, festat fetare vinin njëra pas tjetrës dhe në shtëpitë tona bëheshin byrekë, ëmbëlsira....Ne fëmijëve na gjente tek shtëpia e Bejkos duke ndihmuar plakat në rrotullimin gurit, i cili thërmonte grurin, e bënte kofto, siç i thonë në fshat.

 

Duart tona ishin plot me fruta dhe në xhepa kishim ndonjë dhjetëlekësh për tek dyqani i Cijës. Prindërit kishin marrë paratë shtesë të ditëpunëve në kooperativë dhe na blinin rroba të reja .

 

Pema e Vitit të Ri

Sa hynte Dhjetori ne djemtë e fillores mendonim për pëmën. Donim që të ishte më e lartë dhe më e bukur se e vitit të kaluar. Ishte një pemë dëllinje e prerë rrëzë Nëmërçkës. Kur kullotnim qingjat ia vinim syrin më të mirës dëllinjë, ajo që tregonte se do të bëhej e lartë dhe e bukur në kurorë dhe në trungun e saj. Shkonim një grup djemsh, në krye kishim Nulin, Sotirin dhe Taqin. Ata ishin mjeshtra të prerjes së dëllinjës, ne të tjerët e mbanim me kujdes gjithë rrugës që të mos i prishej bukuria. Me stolisjen e saj merreshin vajzat tona, Anthulla, Nifodhora, Eli, Mantha, Nasta e të tjerat. Pema, e vënë disa ditë para festës në një kënd të klasës na krijonte klimën e ditëve, harenë dhe gëzimin fëminor, në momotoninë e jetës sonë hynin ditë me variacione dhe me ëndrra, dhe me dhurata.

 


Nuk e di pse ky muaj, i pari i dimrit, është i lidhur aq shumë me to Αναγνωστικό - Anagnostiko, Këndimi në greqisht dhe Këndimi në shqip. Ishte emocionuese për ne, kur në mbrëmjen e dhuratave do të dilnim në skenë para prindërve dhe gjithë fshatit për të kënduar e recituar, në sallën e mbushur plot. Dhuratat e kishin rradhën në fund. I pari ishte programi ynë muziko- letrar.

Jipnim të gjithë nga 10 lekë për dhuratën e Vitit të Ri. Këto ishin pak, kështu që dilnin dyshe dyshe në dy mëhallat e fshatit dhe të zotët e shtëpive na jepnim fruta, dhe ....vezë. Me vezët na ndodhi një histori, të cilën e mbaj mënd akoma dhe pse kanë kaluar gati 60 vjet. Ndodhi në lagjen time, tek komshiu im, Leonidha Kalemi, kishte lindur në Skore, por ishte qytetar, kishte kaluar jetën midis Athinës, para Luftës, dhe Vlorës deri sa doli në pension. Ne na bënte përshtypje gjuha greke e tij, me fjalë dhe theks athinas, veshja me kostum dhe gravata. Nuk i afroheshim , se e dinim që i ngacmonin kopshtin para shtëpisë. Unë me Kito Mihon shkuam tek ai.  E shoqja, i thia Kalemo, siç e thërisnim ne, shkoi për të marrë shportës me vezë.  Nga pakujdesia u pengua në një dorë me cakina, karthie, dhe u rrëzua, vezët u shpërndanë nëpër dhomë. Ky pengim u shoqërua me një “budum" dhe ankesat e saj.  Kalemi jo vetëm që nuk shkoi që ta ndihmojë, por i bërtiste: Siopi, mi millas,  (Pusho, mos fol). Ne me Kiton ndihmuam Kalemon të ngrihet dhe zbritëm duke kapërcyer dy nga dy shkallët, nga frika e zëmërimit të Kalemit.

 

Kishim kohë që përgatiteshim. Sidomos për recitimet. Ndoshta do të kem recituar më shumë herë, por unë mbaj mënd dy raste. Ishin krijime në greqisht dhe shqip, të mësuara nga librat e këndimit sipas dy gjuhëve.

 

Në shqip mësuesi më kishte dhënë një vjershë për lumin e rrëmbyer nga ujrat e dimrit. Më erdhi rradha, dola në skenë dhe fillova të recitoj, por nuk recitova më shumë se vargun e parë. Sa thashë: Po vjen lumi valla, valla, një burrë nga fshati (K. B) vazhdoi vjershën time: San tu Nashu tin qefalla ( Sa koka e Nashos, emër me të cilin më thërrasin në fshat.). Në sallë  (vatra e kulturës ) plasi e qeshura. Unë i hutuar ika me vrap. E dhe pse disa nxënës më nxitën që të dilja përsëri, nuk dola, e dija që salla do të qeshte dhe do të bënte zhurmë. Nuk do më linin që ta mbaroja, se vjersha ishte e tillë sa që një improvizues i shpejtë mund të shtonte një varg sipas rimës se vjershës. Në mos ishte prapë K.B , dikush tjetër do ta bënte këtë punë. Skorea gjithmonë ka patur bejtexhinj .

 

Kështu ia kishin punuar dhe Cile Thimjos, një vit më herët. Vjersha ishte në greqisht. Ja aq sa mbaj mend:  

I alepu i katergara

Tin uratis zvara , zvara

Mbiqe mesa apo tin porta

Ja na arpaksi kamia kota

Ma q' o murgos apo pera

Tis epire ton aera ....

Dhelpra dinake

Me bishtin zvarrë--zvarrë

Hyri në një portë

Ndonjë pulë të përlajë .

Por Murgoja që tej

Erën i'a merr ....

Dikush nga salla vargun: Ma qe o murgos apo pera(dhe Murgoja që atje tej) e përshtati rufeshëm në: Ma qe o Llapos apo pera. (Dhe Llapoja që atje tej) Llapoja ishte qëni i tufës kolektive, bari i së cilës ishte babai i Ciles. Dhe u deshën minuta që të vihej qetësia. Nga montazh muziko- letrar , kthehej në estradë .

***

Është e çuditëshme se nga vjersha ime në shqip mbaj mënd vetëm vargun që arrita të recitoj. Asnjë fjalë më shumë.

Ndryshe ndodhi me vjershën e mësuar në Anagnostiko, libri i Këndimit në greqisht. Atë e recitova të plotë dhe e mbaj mënd të plotë(Këtu mund të mos jem dhe shumë i saktë, ndoshta vjersha ka patur dhe ndonjë strofë tjetër.)

Ja dhe vjersha :

Irthe o himonas

Ton idhate pedhia

Perase pano apo ta dhendra

Qe pano apo ta klladhja .

Tin mavri ji tin anthise

Me ruha nifika

Qe afti nomizi pos qimate

San to pedhi glika .

***

Erdhi dimri

E patë o fëmijë

Kaloi përmbi pemët

Kaloi mbi çatitë .

Tokën e zezë e veshi

Me rroba nusërie

Dhe ngjan se flë

Gjumë të ëmbël femije .

Unë dhe brezi im nga zona e minoritetit nuk e dimë vjershën që mbyllte Abetaren e kohës, atë që e kishin si libër të abc - së moshatarët tanë nëpër Shqipëri. Ne gjuhën shqipe e fillonim në klasën e dytë, dhe, me sa më kujtohet quhej Libri i gjuhës shqipe.

Ne e mbyllëm Alfavitarion me këtë vjershë, të cilën ne e recitonim në veprimtari të ndryshme, në Festën e Allfavitarios Vargjet e saj ishin:

Ime efta hronon .

Nomizete pos ime

Micros me ta sosta

Mikron na min me lete

Jati eklisa ta efta .

To allfavitario pai

Ligo to lete afto ?

Dhjavazo oti thello

Qe grafo, qe millo .

Jam shtatë vjeç

Kujtoni se jam

Me të vërtet i vogël ?

Të vogël mos më quani

Se i mbusja shtatë vjeç .

Abetarja iku ...

Pak i thoni kësaj ?!

Lexoj ç'të dua

Dhe shruaj, bisedoj .

Moshatarët tanë në të gjithë Shqipërinë recitonin vjershën analoge me atë në greqisht:

Abetare, fort të dua

Me ato shkronjat e tua

Dora ime u mësua

Mëndja ime u ndriçua.

Se tani di të lexoj

Di të shkruaj, të këndoj

Dhe Partinë falënderoj.

Unë e mësova më vonë këtë vjershë, e përsëriste shpesh Eva, mësuese e fillores.

 

Dhe pas programit vinte koha e dhuratave. Nuk donim lapsa, fletore, goma, mprehëse lapsash, dhe dhohio për mellanin, por donim portokalle, stafidhe, ballona, karamele e tj. Luteshim secili për vete që të në dhuratën tonë të mos kishte ....lakra , qepë, copë druri, hi zjarri ....

 

Ja kjo ishte lumturia e ne filloristëve të viteve gjashtëdhjetë. Këto gjëra të vogla në dukje, ishin për ne fëmijët e Skoresë, të fshatit midis maleve të Nëmërçkës dhe Buretos, bukuria e jetës, lumturia e saj.

 

Fshati Skore,  Gjirokaster


Cikli Nga kujtimet e Skoresë

 

Në Limanin e Rafinës, më 30 dhjetor, ora lokale 9.42.